Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 July 2025Main stream

Shqipëria, 30 vjet në KiE – Spiropali: Konsolidimi i demokracisë dhe drejtësisë, prioritet i Kuvendit

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ndau sot një mesazh në 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.

Spiropali tha se “konsolidimi i institucioneve demokratike dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë, prioritet i Kuvendit”.

Kryeparlamentarja Spiropali theksoi se “ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit”.

Mesazhi i plotë i kryeparlamentares Spiropali:

“30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.

Ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit.

Si rezultat i reformave transformuese në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve demokratike dhe përparimit në zbatimin e standarteve të të drejtave të njeriut, gjatë kësaj legjislature, në 21 prill 2024, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës.

Si vendi kandidat pararojë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky është moment për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar dhe për të shumëfishuar kontributet për Shqipërinë Europiane.

Është rasti të përsërisim qëndrimin e vendosur të Shqipërisë se Këshilli i Europës, kjo organizatë prestigjoze e me impakt global, është jo e plotë pa Republikën e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.

Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin konsistent, të vlerësuar e të spikatur të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të gjitha çështjet kyçe përgjatë këtyre katër viteve.”

/e.i//a.f/

The post Shqipëria, 30 vjet në KiE – Spiropali: Konsolidimi i demokracisë dhe drejtësisë, prioritet i Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Emigranti kthehet në vendlindje, investim në agroturizëm pranë burimit të Gurrës së Zezë


TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Olsi Blloku, vendosi që pas shumë vitesh punë në emigrim të rikthehet në vendlindjen e tij në Dardhë të Librazhdit, aty ku vendosi të investojë në ndërtimin e një agroturizmi.

Olsi, së bashku me dy prindërit e tij kanë ndërtuar një oaz të vërtetë mikpritjeje dhe shijeje me gatime tradicionale dhe produkte të freskëta të zonës, duke u kthyer në një atraksion për turistët e huaj dhe vendasit.

Taulant Balla, ministër i Shtetit për marrëdhëniet me Kuvendin ndau këtë histori suksesi në rrjetet sociale, duke u shprehur se ky agroturizëm pret çdo ditë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët janë të apasionuar pas natyrës dhe ecjeve nëpër shtigjet e shumta që ofron kjo zonë piktoreske.

Në mjediset e “House Grill Mattia”, do të gjeni ushqim të shijshëm bio dhe një mikpritje të ngrohtë. Gjithashtu turistët që frekuentojnë bujtinën kanë mundësi të vizitojnë dhe mullirin 100-vjeçar dhe gjurmët e rrugës “Egnatia”.  Mulliri është një dëshmi e rrallë e jetës bujqësore të shumë viteve të shkuara. Vizitorët ndalojnë shpesh për të parë nga afër mekanizmin e vjetër prej druri dhe për të kuptuar si dikur bluhej gruri në këtë zonë.

Në këtë perlë të vogël pranë burimit të quajtur Gurra e Zezë ka lindur një histori e bukur rikthimi, përkushtimi dhe dashurie për vendin.

Zona frekuentohet edhe më shumë nga turistë të huaj dhe vendas, veçanërisht ata që ndjekin gjurmët e rrugës antike pranë këtyre anëve. Sot, Egnatia po rilind si një itinerar i rëndësishëm për turizmin historik dhe kulturor.

/e.i//a.f/

The post Emigranti kthehet në vendlindje, investim në agroturizëm pranë burimit të Gurrës së Zezë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partneritet mes BE dhe AICS, Bylisi në një epokë të re ruajtjeje dhe zbulimi

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Parku Arkeologjik i Bylisit është një pasuri të rrallë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë.

Në njoftim të delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, thuhet se fushata “Unë jam Bylis” është një zë nga gurët që formësuan identitetin shqiptar po ngrihet përsëri përmes shkencës dhe bashkëpunimit.

“Falë partneritetit të mbështetur nga BE midis AICS dhe arkeologëve shqiptarë, Bylisi po hyn në një epokë të re ruajtjeje dhe zbulimi”, thuhet në njoftim, ndërsa bëhet thirrje për tga vizituar nga afër këtë vend.

Gjithashtu, BE u bën thirrje të gjithë atyre që kanë një ide që lidhet me trashëgiminë kulturore apo zhvillimin ekonomik në këtë zonë, mund të aplikojë për një grant prej 30,000 deri në 50,000 euro deri në 23 gusht 2025.

Bylis është i ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës, me mure monumentale të shekullit IV para Krishtit, me një teatër mbresëlënës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane.

Falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik – drejtuar nga turizmi”, të zbatuar nga ‘AICS’, Bylisi dhe qyteti antik i Klosit po shndërrohen në qendra të reja zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi.

Plani i Menaxhimit përfshin restaurim profesional dhe mbrojtje të qëndrueshme; përmirësim të infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët; mbështetje për komunitetin në fushën e turizmit dhe artizanatit; programe edukative për brezat e rinj.

/e.i//a.f/

The post Partneritet mes BE dhe AICS, Bylisi në një epokë të re ruajtjeje dhe zbulimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ura e Bonarakëve, Denaj: Investim që sjell siguri dhe zhvillim për komunitetin

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Në njësinë administrative Bërzhitë, të bashkisë Tiranë, po vijon me intensitet ndërtimi i “Urës së Bonarakëve” mbi lumin Erzen.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj inspektoi sot nga afër punimet e kësaj ure, ndërsa u shpreh se ky “është një premtim i mbajtur që i jep zgjidhje një kërkese të kahershme të banorëve, duke lidhur lagjen e ‘Bonarakëve’ me pjesën tjetër të fshatit Ibë e Poshtme”.

Ministrja Denaj tha se ky është një investim që sjell siguri, akses dhe zhvillim për komunitetin!

“Është një punë e bërë në një kohë rekord, sepse brenda tre muajve të gjithë banorët, gati 27 familje që i kemi vizituar përpara pak muajve duke kaluar në një urë të vjetër, do kenë një urë të re që po bëhet realitet”, tha Denaj.

Ministrja Denaj tha se pavarësisht nga ndërtimi i urës së pjesshme, ndërtimi në kohë rekord i “Urës së Bonarakëve” duhet të jetë brenda të gjitha standardeve të projektuara dhe të zbatuara.

/e.i//a.f/

The post Ura e Bonarakëve, Denaj: Investim që sjell siguri dhe zhvillim për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java Kulturore Egjiptiane, shfaqet drama “Diamond Dust” te Reja

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Filmi “Diamond Dust” që u shfaq mbrëmjen e djeshme në instalacionin “Reja” në Tiranë, shënoi edhe fundin e aktiviteteve në kuadër të Javës Kulturore Egjiptiane.

Në qendër të kësaj drame është një farmacist, i cili vendos të hakmerret pasi zbulon vrasjen brutale të babait të tij.

Sipas njoftimit të Javës Kulturore Ndërkombëtare, “filmi me regji të Marwan Hamed, hapi dyert e fshehtësive kriminale dhe dilemat morale që shoqëronin kërkimin për drejtësi, duke treguar se shpesh çmimi i së vërtetës është i lartë dhe kthimi pas i pamundur”.

Tirana mirëpriti nga data 8 deri më 12 korrik Javën Kulturore Egjiptiane, një ngjarje që solli gjallërinë, mistikën dhe trashëgiminë mijëravjeçare të qytetërimit egjiptian.

Kjo javë solli një sërë aktivitetesh që përfshinë vallëzim tradicional, art performativ, kuzhinë autentike dhe kinematografi bashkëkohore.

Aktivitetet nisën më 8 korrik në sallën “Tonin Harapi” pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”, ku u prezantua shfaqja magjepsëse tanoura – një vallëzim tradicional sufi, ku valltari rrotullohet në mënyrë të pandërprerë me veshje shumëngjyrëshe, duke krijuar një efekt vizual dhe shpirtëror unik.

Më 11 korrik, vëmendja u zhvendos në hollin hyrës të Piramidës, ku u organizua festivali i ushqimit egjiptian. Vizitorët patën mundësi të provonin një larmi shijesh autentike të kuzhinës egjiptiane, nga pjata popullore si koshari, deri te ëmbëlsira të famshme si basbousa.

Po atë mbrëmje, në orën 21:00, te “Reja” u shfaq filmi “The blue elephant”, një thriller psikologjik i cili ka bërë jehonë në kinemanë arabe. Me regji të Marwan Hamed, ky film ndjek një psikoterapist që punon në një spital psikiatrik dhe përballet me një të kaluar që e trondit, duke e vendosur në kufijtë mes realitetit dhe iluzionit.

Kjo javë e cila erdhi në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, nismë e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, synon të sjellë më afër publikun shqiptar me kulturat e vendeve të ndryshme nga e gjithë bota.

Nga drama “Diamond Dust” që u shfaq mbrëmjen e djeshme në instalacionin “Reja” në Tiranë
1 nga 17

/e.i//a.f/

The post Java Kulturore Egjiptiane, shfaqet drama “Diamond Dust” te Reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Memolla: Vatër aktive zjarri në fshatin Zambishë, 70-80 hektarë bimësi e djegur

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Vatra e zjarrit që ka rënë para tre ditësh në fshatin Zambish e cila u përhap në disa fshatra të tjerë, vazhdon të jetë aktive.

Lajmin e bën të ditur kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla.

Ai falënderon Emergjencat Civile, Forcat Zjarrfikëse të Bashkisë Rrogozhinë, punonjësit e shërbimeve, banorët e zonës, Prefekturën e Tiranës dhe ndihmat nga ajri pasi terreni për ndërhyrje është shumë i vështirë.

Sipas Memollës, “aktualisht zjarri vazhdon të jetë aktiv i përhapur në disa vatra dhe po monitorohet nga forcat që janë në terren, nuk ka banesa të dëmtuara por rreth 70-80 ha sipërfaqe me bimësi të djegur”.

“Pavarësisht temperaturave të larta, zjarri nuk nis nga hiçi. Në këto kushte ju bëj thirrje të tregoni kujdes të shtuar sepse pakujdesia po rrezikon mundin e bashkëqytetarëve në tokat e mbjella dhe në rastin më të keq mund të përhapet duke rrezikuar banesa dhe jetë njerëzish”, tha Memolla.

“Merrni përgjegjësi qytetare dhe përtej dënimit penal tregohuni njerëzor nëse dikush ka vepruar qëllimisht”, përfundon ai.

Nga aksioni për shuarjen e vatra të zjarrit në fshatin Zambishë
1 nga 8

/e.i//a.f/

The post Memolla: Vatër aktive zjarri në fshatin Zambishë, 70-80 hektarë bimësi e djegur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” argëtohen në kamp veror, Koçiu: Mbështetje për një të ardhme të sigurt

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli”, po kalojnë ditët e nxehta të verës në kampin veror për fëmijë, duke u larë në pishinë dhe duke u angazhuar në lojëra të ndryshme fizike apo edhe tavoline.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga momentet e bukura që po shijojnë fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” në kryeqytet. Koçiu u shpreh se këta fëmijë po shijojnë mes të qeshurave dhe lojërave, kampin veror të këtij sezoni.

“Kujdes, mbështetje dhe mundësi për një fëmijëri më të bukur dhe një të ardhme më të sigurt, për çdo fëmijë në sistemin tonë të mbrojtjes sociale”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Ky kamp veror për fëmijë është një mundësi e shkëlqyer për t’u argëtuar në ajër të pastër, mes lojërave në pishinë, lojërave sportive, akrobaci, atletike, apo në kërcim, recitim dhe lojërave të tavolinës..etj.

Mbështetja e fëmijëve në nevojë ka qenë ndër prioritetet e politikave të ndërmarra nga ministria e Mbrojtjes Sociale dhe Shëndetësisë. Në fokus të politikave ka qenë riintegrimi në shkollë, asistencë në çdo kohë për të siguruar që çdo fëmijë të rritet në një mjedis familjar, duke mundësuar mirëqenien, zhvillimin dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri.

Qeveria ka mundësuar rreth 3,500 bursa për mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta sociale dhe ekonomike, nxënës në nevojë nga komunitetet rome dhe egjiptiane.

/e.i//a.f/

The post Fëmijët e shtëpisë “Zyber Hallulli” argëtohen në kamp veror, Koçiu: Mbështetje për një të ardhme të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Dorëheqjet e drejtorëve të bashkive, minim i autonomisë vendore

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Anëtarja e kryesisë së Partisë së Lirisë, Miranda Rira tha sot në një deklaratë për shtyp, se dorëheqjet e drejtorëve në bashkitë Vlorë, Fier dhe Durrës janë minim i autonomisë vendore dhe demokracisë lokale.

Rira tha se ligji për vetëqeverisjen vendore, përbën kuadrin më të plotë ligjor për funksionimin dhe organizimin e njësive të qeverisjes vendore, ku flitet për një raport të qartë normativ të marrëdhënieve midis qeverisjes qendrore dhe vendore.

“Thelbi apo parimi kardinal i këtij ligji është ai i decentralizimit apo i ndarjes vertikale të pushteteve që nënkupton ngushtimin e pushteteve të qeverisjes qendrore, pra qeveria bëhet më e dobët dhe zgjerimin e kompetencave dhe pushteteve të njësive të vetëqeverisjes vendore, pra bashkitë bëhen më të forta”, tha Rira.

Sipas anëtares së kryesisë së PL-së, “pushteti rrjedh nga lart poshtë, duke synuar një qeverisje sa më efikase, sa më pranë qytetarëve, ku këta të fundit edhe marrin pjesë në qeverisje dhe vendimmarrje, me fjalë të tjera ata vetëqeverisen”.

“Kjo tregon për një rritje të demokracisë lokale, dhe sa më e shëndoshë demokracia lokale aq më e shëndoshë është demokracia në tërësi. Decentralizimi është parimi sipas të cilit përgjegjësia dhe autoriteti transferohen nga kabineti qeveritar drejt njësive të qeverisjes vendore. Në ligjin për qeverisjen vendore përcaktohet qartë në Nenin 1 se kush janë funksionet dhe kompetencat e njësive të qeverisjes vendore, se ç’është administrimi i njësive vendore, ç’është autonomia vendore”, vijoi ajo.

Rira tha se duke patur këtë “panoramë ligjore në mendje, duket se veprimet e kryeministrit Rama për të ndërhyrë në funksionimin të njësive të vetëqeverisjes vendore, për të shkarkuar administratën, qofshin ata drejtorë apo punonjës të thjeshtë, është një shkelje e hapur e ligjit të qeverisjes vendore dhe Kushtetutën e Shqipërisë lidhur me parimin e decentralizimit dhe autonomisë vendore”.

“Shkarkimi i drejtorëve bashkiakë është atribut i kryetarit të bashkisë, i cili është edhe organi ekzekutiv në kuptimin e Kushtetutës dhe të ligjit 139/2015. I vetmi atribut që ka Kryeministri (kryetari i këshillit të ministrave) është ai i shkarkimit të kryetarit të Bashkisë në rastet kur ai kryen shkelje të rënda, kur dënohet për kryerjen e një vepre penale nga gjykata ose kur ka një propozim nga këshilli bashkiak përkatës për një periudhë 3 mujore”, cilësoi Rira.

Ndër të tjera, Rira theksoi gjatë deklaratës se “njësitë e vetëqeverisjes vendore u krijuan si entitete të veçanta, për t’i shërbyer më mirë dhe sa më shpejt qytetarëve, duke u mbështetur në dy parime baze, ai i autonomisë vendore dhe subsidiaritetit, pra ushtrimit të kompetencave vendore, në një nivel qeverisjeje sa më pranë komunitetit”.

“Njësitë e vetëqeverisjes vendore kanë të drejtën dhe përgjegjësinë e mbledhjes së të ardhurave dhe bërjes së shpenzimeve, të vendosin taksa vendore e tarifa si edhe të hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë buxhetin e tyre”, tha Rira, ndërsa shtoi se reforma territoriale, kushtoi miliona euro, me qëllimin shkrirjen se 360 komunave dhe bashkive në vetëm 61 njësi të vetëqeverisjes vendore, për të patur një ndarje përfundimtare midis pushtetit vendor dhe atij qendror, për të rritur demokracinë lokale, për te sjellë shërbimet sa më pranë qytetarit.

/e.i//a.f/

The post PL: Dorëheqjet e drejtorëve të bashkive, minim i autonomisë vendore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kalaja e Rozafës, destinacion turistik në Shkodër: 80 mijë vizitorë këtë vit

TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas, të shumtë në numër kanë zgjedhur të vizitojnë kalanë e Rozafës në Shkodër këtë të diel.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga grupe të mëdha turistësh që kanë vizituar kalanë e Rozafës, duke u njohur me një prej bukurive të qytetit verior.

“E diel korriku në kalanë e Rozafës”, shkruan Rama.

Kalaja e Shkodrës ka pozicion të atillë që nuk tërheq vetëm për vlerat e trashëgimisë historike, por edhe për peizazhet fantastike që mund të shihen prej saj me liqenin dhe luginën e Bunës.

Kalaja e Rozafës, simbol i qytetit të Shkodrës dhe krenaria e trashëgimisë sonë kulturore, ka mikpritur rreth 80,000 vizitorë gjatë periudhës janar–qershor 2025.

Statistikat u bënë publike sot nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, sipas së cilës kjo shifër përfaqëson një rritje domethënëse krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kalaja e Rozafës të mundëson një pamje 360° që të lë pa fjalë, ndërkohë që përjeton historinë e lashtë të këtij vendi.

Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjërë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta në mes vete. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit.

Muzeu i Rozafës është i vendosur në oborrin e tretë të Kalasë, në godinën veneciane të njohur me emrin “Kapitaneria”. Këtu është skalitur e kaluara rreth 4000-vjeçare e Kalasë dhe e familjeve më me zë të vendit prej periudhave të ndryshme kohore.

Turistët e shumtë shqiptarë dhe të huaj që e vizitojnë këtë objekt informohen në gjuhën shqipe dhe atë angleze.

Grupe turistësh në kalanë e Rozafës në Shkodër
1 nga 9

/e.i/a.f/

The post Kalaja e Rozafës, destinacion turistik në Shkodër: 80 mijë vizitorë këtë vit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 12 July 2025Main stream

MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Nata e dytë e MIK Festival, në Korçë, solli një mbrëmje të paharrueshme kushtuar Gaqo Çakos, një prej zërave më të mëdhenj që ka njohur muzika shqiptare.

Kreybashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha se “në 90-vjetorin e lindjes së Gaqo Çakos, Korça nderoi me dinjitet dhe krenari trashëgiminë e një emri të pavdekshëm të artit lirik”.

Filo u shpreh se nën drejtimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe emra të njohur të skenës shqiptare si Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhoiden Dervishi dhe i ftuari special Tchako, sollën emocione të forta për publikun e Teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Mbrëmja u moderua me finesë nga sopranoja Inva Mula, duke i dhënë edhe më shumë madhështi këtij homazhi artistik.

Filo u shpreh se “Korça vazhdon të dëshmojë se është dhe do të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare”.

MIK Festival u rikthyer këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.

Bashkimi Evropian mbështeti mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, kushtuar artistit të ndjerë.

Nata e dytë e MIK Festival në Korçë
1 nga 10

/e.i//r.e/

The post MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prishja e ndërtimeve në Theth, Boçi dhe Spahia: Terror i paprecedentë

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Sot është dita e gjashtë e aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit në fshatin turistik të Thethit, aty ku po vazhdon shembja e ndërtimeve pa leje.

Në sheshin ku po zhvillohet aksioni i IKMT-së, të pranishëm sot ishin edhe deputeti i PD-së, Luçiano Boçi dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia.

Boçi, në një prononcim për mediet, e konsideroi “masakër” atë që po ndodh në Theth këto ditë.

“Jam i revoltuar dhe jo i acaruar. Sepse të acaruar janë drejtuesit e policisë, janë në shkelje të ligjit, janë në një veprim terrori. Është një masakër që drejtohet ndaj qytetarëve të Thethit, por edhe ndaj turizmit familjar. Ndërkohë që janë këta që duhet t’i kishin mbrojtur dhe kanë ndërtuar shtëpiza, që janë në të drejtën e tyre”, tha Boçi.

Boçi u shpreh se Paketa e Maleve është arsyeja se pse, sipas tij, po ushtrohet ky terror te sipërmarrësit në Theth.

“Kjo është kriminale dhe që vjen me urdhër. ‘Kemi urdhër’ dhe nuk paraqesin asnjë lloj shkrese, këtu vepron dhe sundon një njeri”, pohoi ai.

Deputeti i zgjedhur demokrat, Bardh Spahia tha se është pranë banorëve dhe sipërmarrësve për t’i mbrojtur ata.

Është hera e parë që në gjithë këto vite Theth dhe dukagjini përballet me një dhunë të tillë, me një terror të paprecedentë, të paarsyeshëm, të paargumentuar. Pasi u dha fjalën se jo vetëm do t’i lejonte, madje i bëri thirrje të investonin emigrantët e shumtë të kësaj treve në këtë zonë, i dhunon sot dhe i hedh në lumë investimet dhe kursimet e një jete të tërë”, tha Spahia.

IKMT është shprehur e vendosur në zbatimin e ligjshmërisë dhe se do ta vijojë aksionin, me qëllim mbrojtjen e territorit dhe rikthimin e Thethit në gjendjen e tij natyrore, duke goditur çdo ndërtim pa leje.

/e.i//r.e/

The post Prishja e ndërtimeve në Theth, Boçi dhe Spahia: Terror i paprecedentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kartolinat e pasdites”, Rama ndan pamje të disa prej siteve kulturore

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Sitet e trashëgimisë kulturore shqiptare janë pjesë e ofertës turistike për turistët e huaj, por edhe për pushuesit vendas.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje të disa prej siteve tona kulturore, ndërsa i cilëson si “kartolinat e pasdites”.

Sitet tona kulturore kanë mirëpritur 569.089 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2025. Rritja llogaritet në 74% krahasuar me vitin 2023, ndërsa sa i përket të ardhurave, ato janë shtuar me 119% krahasuar po me 2023-shin.

Pjesa më e madhe e turistëve preferojnë të vizitojnë parqet arkeologjike, më pas renditen muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.

Pesë destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:

– Parku Arkeologjik Butrint, me 105.623 vizitorë;

– Kalaja Gjirokastër, me 92,999 vizitorë;

– Parku Arkeologjik Shkodër, me 79.885 vizitorë;

– Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë, me 74.636 vizitorë;

– Parku Arkeologjik Apoloni, me 58.059 vizitorë.

Me nisjen e sezonit turistik, oraret e vizitave janë zgjatur deri në orën 19:00 në të gjitha sitet kulturore.

Disa nga sitet kulturore të Shqipërisë
1 nga 10

/e.i//r.e/

The post “Kartolinat e pasdites”, Rama ndan pamje të disa prej siteve kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forumi i Dubrovnikut, Hasani: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje, por pjesë e thelbit strategjik të Evropës

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut 2025, përcolli një mesazh të qartë dhe të vendosur: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit, ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës.

Në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë, përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën, ministri Hasani theksoi se në kohë pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë zgjedhje, janë domosdoshmëri.

“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë, është kontribuese. Nuk presim, po ecim përpara”, theksoi Hasani.

Ministri Hasani nënvizoi se Shqipëria ka hapur katër grup-kapituj negociues, përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm dhe se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.

Ai paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen nga aktorë autoritarë, duke mirëpritur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar integrimin.

“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen europiane”, tha ministri Hasani.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani në Forumin e Dubrovnikut 20...
1 nga 4

/e.i//r.e/

The post Forumi i Dubrovnikut, Hasani: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje, por pjesë e thelbit strategjik të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Riparohet nga reparti i Xhenios ura e Mnikut

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Reparti i Xhenios ka përfunduar punimet për riparimin e urës së Mnikut, në njësinë administrative Ndroq.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ndau dhe foto nga riparimi i urës.

Ministri Vengu tha se “ura është tashmë plotësisht e aksesueshme për automjete deri në 40 tonë, duke garantuar qarkullim të sigurt dhe të pandërprerë”.

“Gjatë procesit, u morën të gjitha masat e nevojshme për rikonstruksionin e bazamentit të këmbës së urës së Mnikut. Për të mundësuar një punë të plotë dhe të sigurt, u bë bllokimi i përkohshëm i qarkullimit, u ngrit ura dhe u çmontuan rreth 3 metra të saj për të lehtësuar ndërhyrjen”, u shpreh Vengu.

Ministri i Mbrojtjes tha se ura është funksionale dhe e hapur për të gjitha mjetet në standardin e përcaktuar.

Pamje nga ura e Mnikut në Ndroq
1 nga 4

/e.i//r.e/

The post Riparohet nga reparti i Xhenios ura e Mnikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtoi pa leje në Voskopojë, arrestohet administratori i subjektit, procedohen penalisht dy punonjës të IMT-së

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë së Korçës njoftoi sot se u arrestua në flagrancë shtetasin I. K., 63 vjeç, administrator i një subjekti privat, i cili dyshohet se kishte ndërtuar pa leje disa bazamente betoni në aksin rrugor Korçë–Voskopojë, me qëllim ndërtimin e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës.

Gjithashtu, sipas Policisë, janë proceduar penalisht shtetasit I. L., 54 vjeç dhe E. K., 36 vjeç, me detyrë Kryeinspektor dhe Inspektor në IMT-në e Bashkisë Korçë, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollet përkatëse dhe duke mos njoftuar Policinë në kohën e duhur.

Policia bën me dije se në vijim të veprimeve, janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Inspektor A. B., me detyrë ndihmësspecialist i rendit (SPZ) dhe Nënkomisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

Njëkohësisht ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Nënkomisar P. B., me detyrë koordinator i ndihmësspecialistëve të rendit në zonë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijon hetimin e thelluar disiplinor për këtë rast.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë u bën thirrje qytetarëve që të mos ndërmarrin ndërtime pa leje dhe për administratorët apo pronarët e bizneseve që të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, pasi do të përballen me ligjin.

/e.i//r.e/

The post Ndërtoi pa leje në Voskopojë, arrestohet administratori i subjektit, procedohen penalisht dy punonjës të IMT-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, tre shtetas shqiptarë ekstradohen nga Greqia, Belgjika dhe Serbia

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot finalizimin e procedurave të ekstradimit në Shqipëri të tre shtetasve, rezultat ky i bashkëpunimit të vazhdueshëm të shërbimeve të Interpol Tiranës, me homologët në Athinë, Bruksel dhe Beograd.

Në njoftimin e Policisë thuhet se shtetasi M. H. alias M. P., u kap në Greqi, pasi Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai ka investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ka transferuar shuma të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të cilat i ka përfituar nga veprimtaria kriminale e shfrytëzimit për prostitucion, për të cilën është dënuar në Itali. Nga dënimi, shtetasit M. H. alias M. P. i duhet të vuajë 3 vjet e 9 muaj burgim.

Sipas Policisë, shtetasi A. G., 40 vjeç, u arrestua në Belgjikë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kultivoi 140 bimë narkotike Cannabis Sativa, në sipërfaqen e tokës që kishte në pronësi në fshatin Grizë;

Ndërkaq, shtetasi S. O., u kap në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë.

Policia e Shtetit bën të ditur se vijon bashkëpunimin me partnerët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

/e.i//r.e/

The post Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, tre shtetas shqiptarë ekstradohen nga Greqia, Belgjika dhe Serbia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbahet në Durrës, edicioni i parë i festivalit të artit performativ

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Amfiteatri i Durrësit u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një ambient ku qindra artdashës dhe turistë të huaj, u bashkuan në atmosferën artistike të festivalit “Nga errësira në dritë”.

Performanca nga lëvizja artistike “Tamom”, të gërshetuara me dansin bashkëkohor, krijuan një atmosferë magjike në Amfiteatrin e Durrësit për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që morën pjesë.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako tha se kjo “shfaqje, përgatitur nga lëvizja më e re artistike, “Tamom”, në bashkëpunim artistik me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shënon edicionin e parë të asaj, që synohet të bëhet një festival tradicional multidisiplinar i artit performativ në Durrës”.

Lëvizjet Tamom dhe dansi bashkëkohor, erdhën si një performancë e kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja.

Kjo nismë shënon edicionin e parë të asaj që synohet të bëhet një festival vjetor multidisiplinar i artit performativ në Durrës një hapësirë ku lëvizja, prezenca dhe bashkëpunimi artistik bashkohen pa kufij.

Shfaqja solli një udhëtim në lëvizje me tri vepra koreografike nga emra të njohur ndërkombëtarë si Russell Maliphant (Britani e Madhe), Mauro Bigonzetti (Itali) dhe Erion Kruja (Shqipëri).

/e.i//r.e/

The post Mbahet në Durrës, edicioni i parë i festivalit të artit performativ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet një person i dënuar me mbi 7 vite burgim për aksident me pasoja fatale

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vënë në pranga 40-vjeçarin, Klajdi Ruçi, pasi ishte i dënuar me shtatë vite burgim për aksident me pasojë vdekjen e dy personave vitin e kaluar dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia e Shtetit bën me dije se në kuadër të operacionit “Unavoidable” u lokalizua dhe u vu në pranga në zonën e Shkozës në kryeqytet, 40-vjeçari, Klajdi Ruçi.

Sipas Policisë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Qarkullimit Rrugor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Unavoidable”.

Në njoftimin e Policisë thuhet se, “Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi në vitin 2024 ka shkaktuar një aksident rrugor me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/e.i//r.e/

The post Arrestohet një person i dënuar me mbi 7 vite burgim për aksident me pasoja fatale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

“Wanderlust in Albania 2”, Rama ndan pamje nga perëndimi në plazhin e Golemit

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Shqipëria është kthyer në një destinacion me turizëm gjithëvjetor, ku turistë të huaj dhe pushues vendas zgjedhin që të vizitojnë vendet më të bukura, nga plazhet, te Alpet apo parqet me peizazhe mahnitëse.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon me pamje nga një perëndim dielli në plazhin e Golemit.

Videoja e realizar nga Leonard Barko me titull “Aty ku dielli puth detin”, është prezantuar në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2”.

Kryeministri Rama shprehet se “”Wanderlust in Albania 2″ sjell qiellin e artë mbi Adriatik, filmuar nga Leonard Barko për Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë & Video Reels.

“Me titull “Aty ku dielli puth detin”, pamja i përket plazhit të Golemit, që dhuron ndër perëndimet më të bukura të verës”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri. /e.i/j.p/

The post “Wanderlust in Albania 2”, Rama ndan pamje nga perëndimi në plazhin e Golemit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundimi në kohë dhe me cilësi i ndërhyrjeve në objektet kulturore, mblidhet Komitetit Drejtues i EU4Culture

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Takimi i radhës së Komitetit Drejtues të EU4Culture mori nv shqyrtim ecurinv e punimeve në disa projekte të mëdha.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mori pjesë në takim ndërsa ministri Blendi Gonxhja e cilësoi hap të rëndësishëm për vijimin e transformimit të infrastrukturës kulturore.

Dskutimet u fokusuan mbi ecurinë e punimeve në Muzeun Historik Kombëtar; hapjen për publikun të Hamamit të Durrësit; përfundimin e punimeve në Kalanë e Bashtovës, një hap i rëndësishëm drejt aktivizimit të potencialit të saj kulturor e turistik; riorganizimin e Muzeut Arkeologjik të Durrësit dhe procesin e muzealizimit; si edhe koordinimin e një kalendari të përbashkët eventesh kulturore në sitet përfituese të projektit.

“Në qendër të vëmendjes mbetet përfundimi në kohë dhe me cilësi i ndërhyrjeve në objektet kulturore, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët përfshirë Delegacionin e BE-së dhe UNOPS”, tha Gonxhja.

Vlerësimi i këtyre hapësirave si qendra kreativiteti dhe lidhjeje me komunitetin do të mbetet prioritet për MEKI-n në vijim.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në takimin e Komitetit Drejtues ...
1 nga 20

/e.i/j.p/

The post Përfundimi në kohë dhe me cilësi i ndërhyrjeve në objektet kulturore, mblidhet Komitetit Drejtues i EU4Culture appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌