Shqipëria, 30 vjet në KiE – Spiropali: Konsolidimi i demokracisë dhe drejtësisë, prioritet i Kuvendit
TIRANË, 13 korrik /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ndau sot një mesazh në 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës.
Spiropali tha se “konsolidimi i institucioneve demokratike dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë, prioritet i Kuvendit”.
Kryeparlamentarja Spiropali theksoi se “ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit”.
Mesazhi i plotë i kryeparlamentares Spiropali:
“30 vjet më parë Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Europës, një hap kyç në rrugën drejt konsolidimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut.
Ky përvjetor na kujton se angazhimi i vazhdueshëm për konsolidimin e institucioneve e vlerave demokratike dhe progresi në sistemin e pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, mbetet prioritet i Kuvendit.
Si rezultat i reformave transformuese në sistemin e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, forcimit të institucioneve demokratike dhe përparimit në zbatimin e standarteve të të drejtave të njeriut, gjatë kësaj legjislature, në 21 prill 2024, Shqipëria doli nga faza e monitorimit të Këshillit të Europës.
Si vendi kandidat pararojë për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky është moment për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar dhe për të shumëfishuar kontributet për Shqipërinë Europiane.
Është rasti të përsërisim qëndrimin e vendosur të Shqipërisë se Këshilli i Europës, kjo organizatë prestigjoze e me impakt global, është jo e plotë pa Republikën e Kosovës dhe se anëtarësimi i Kosovës në KiE duhet të ndodhë sa më shpejt.
Si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen për kontributin konsistent, të vlerësuar e të spikatur të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të KiE, për të gjitha çështjet kyçe përgjatë këtyre katër viteve.”
/e.i//a.f/
The post Shqipëria, 30 vjet në KiE – Spiropali: Konsolidimi i demokracisë dhe drejtësisë, prioritet i Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.