Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

McAllister nuk njoftoi mision faktmledhës për Shqipërinë

2 August 2025 at 13:00

David McAllister nuk ka njoftuar asnjë mision faktmbledhës të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Deklarata e ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilës, Komisioni i Jashtëm i PE do të dërgonte një mision për zgjedhjet, rezulton e pavërtetë. Zyra e Parlamentit Europian konfirmon për Faktoje.al se bëhet fjalë vetëm për një vizitë të mundshme në vitin 2026, jo për një mision të planifikuar këtë vit.

Esmeralda Topi 

Dy muaj më parë, ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi nga Brukseli se kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, kishte paralajmëruar dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri nga ky komision, duke e cilësuar këtë si “një mbështetje të madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci”

“Unë e përshëndes këtë vendim të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian si një mbështetje e madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci… Në qoftë se në harkun kohor të 24 orëve, njoftohen dy misione faktmbledhëse, kjo tregon se Shqipëria tashmë është një emergjencë…”, deklaroi Berisha gjatë një interviste televizive nga Brukseli.

Deklarata e Berishës për një mision të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian erdhi menjëherë pas lajmit se Partia Popullore Europiane (PPE) kishte njoftuar dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri. Në këtë kontekst, Berisha ndodhej në Bruksel pikërisht për të kërkuar mbështetje nga partitë simotra europiane, duke i informuar për atë që ai e konsideron si “farsë elektorale” në zgjedhjet e fundit në vend. 

Fakt

Faktoje kontaktoi me zyrën e shtypit të Parlamentit Europian për të sqaruar nëse është njoftuar zyrtarisht një mision faktmbledhës nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian (AFET), ashtu siç u pretendua.

Përgjigjja zyrtare nga zëdhënësja e Parlamentit Europian e rrëzoi këtë pretendim.

“Zoti McAllister nuk ka njoftuar një mision të tillë. Ai tha se Komisioni për Punët e Jashtme (AFET) duhet të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm. Për këtë vit, planifikimi është bërë tashmë. Megjithatë, ndryshime mund të ndodhin gjithmonë”, shkruan zëdhënësja për Faktoje.al.

Pra, bëhet fjalë për një vizitë të mundshme në vitin 2026, jo për një mision faktmbledhës të paralajmëruar për 2025-n, siç u interpretua në deklaratën e Berishës dhe në pasqyrimin mediatik që pasoi. 

Si u përhap lajmi i pavërtetë?

Në vijim të deklaratës së Berishës, Partia Demokratike publikoi në faqen e saj zyrtare një artikull me titull: “Berisha në Bruksel: Raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian damkosi regjimin e Edi Ramës. U denoncua me qartësinë më të madhe farsa elektorale”, duke përforcuar narrativën për një mision faktmbledhës që nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar europian. 

Më tej edhe mediandryshme online e pasqyruan lajmin duke e bërë fakt të kryer misionin faktmbledhës nga Parlamenti Europian. 

Përfundim

Deri më sot, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni i Jashtëm i PE për një mision fakmbledhës për zgjedhjet në Shqipëri gjatë këtij viti. Zoti McAllister ka përmendur vetëm një vizitë të mundshme vitin e ardhshëm. Ndaj, nisur nga verifikimi i kryer deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha rreth një misioni faktmbledhës të Parlamentit Europian e katëgorizojmë të pavërtetë.

The post McAllister nuk njoftoi mision faktmledhës për Shqipërinë appeared first on Faktoje.al.

Fatura që po shteron qumështin

15 July 2025 at 14:50

Nebiu* vjen çdo mëngjes nga Gjiri i Lalzit në Tiranë. Në bagazhin e makinës së tij nuk ka as fruta deti, as peshk dhe as produkte të importit me ambalazhe shumëngjyrëshe. Ka vetëm bidonë të mbushur me qumështin e pesë lopëve, që rrit me mund. Një rutinë që nuk i kishte ndryshuar prej vitesh: ndalej te dyqani i Valit, në një lagje të kryeqytetit, linte qumështin për klientët e tij besnikë dhe kthehej në shtëpi me ca para që i siguronin jetesën. Kjo, deri këtë të hënë.

Vali, pronarja e dyqanit, nuk i’a pranon më qumështin. 

“Më kërkojnë faturë. S’dua të kem punë me tatimet,” i tha ajo shkurt Nebiut. Dhe ky nuk është një rast i izoluar.  

Në fshatin Baldushk, Agroni* mban një tufë dhish. Prej kohësh qumështin e çonte te një agroturizëm që e kthente në djathë. “Tani më thanë duhet faturë,” rrëfen ai. Veterinari i zonës, i vetmi që e ka vizituar fermën e vogël të Agronit për ndonjë shërbim, i tha troç: “Nuk e pret kush faturën. Ti s’je subjekt”

Në mënyrë të beftë, këtë fillim korriku, qeveria lajmëroi nisjen e një aksioni të përbashkët mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Administratës Tatimore me fokus sigurinë ushqimore dhe informalitetin në sektorin ushqimor dhe bujqësor. Aksioni synon formalizimin e ekonomisë agroushqimore, rritjen e gjurmueshmërisë së produkteve bujqësore, si dhe garantimin e të drejtave të konsumatorit për produkte të kontrolluara dhe të sigurta.

“Nuk mund të lejohet më që t’iu shiten konsumatorëve tanë prodhimeve ushqimore të pa faturuara”, deklaroi kryeministri Edi Rama më 2 korrik, gjatë një dialogu për bujqësinë dhe zhvillimin rural.

“Dhe pas një periudhe jo të gjatë, dy javore sensibilizimi, duhet të fillojë sekuestrimi i të gjitha mallrave ushqimore”, shtoi Rama. 

Aksion pa ndërgjegjësim

Por ndryshe nga sa deklaroi kryeministri, administrata tatimore u mjaftua me një periudhë 1-javore sensibilizimi. 

“Duke filluar nga sot (datë 7 korrik 2025) Administrata Tatimore bën me dije se pasi ka analizuar të dhënat mbi aktivitetin tregtar të këtij sektori, për një periudhë 1-javore do të sensibilizojë bizneset nëpërmjet kanaleve të saj të komunikimit apo vizitave informuese në terren për përmbushjen e detyrimit ligjor për të lëshuar faturë të fiskalizuar për produktet që tregtojnë”, theksonte njoftimi i tatimeve. 

Një javë më vonë, nga kulaçi kaluam tek kërbaçi.

“Ka hyrë në fuqi detyrimi për lëshimin e faturës tatimore për çdo shitje të produkteve ushqimore, përfshirë ato bujqësore dhe blegtorale, edhe nga fermerët”, lajmëronte ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.  

Nisma parashikon se çdo operator i biznesit ushqimor (përfshirë fermerët që tregtojnë prodhimin e tyre) të lëshojë faturë tatimore për çdo shitje. Ekspertët e fushës shpjegojnë se këto ‘aksione’ janë detyrime ligjore që vijnë nga integrimi evropian. 

“Janë katër faza që politika bujqësore në koordinim me BE-në ka hartuar në mënyrë që marrja e statusit vend anëtar të rezultojë me sa më pak humbje biznesesh. Integrimi Europian në Poloni, Bullgari, Rumani, Kroaci ka rezultuar me mbyllje të rreth 80% të operatorëve përpunues”, shpjegon Ilir Pilku. 

Po si mund të shmanget kjo situatë në Shqipëri? Pilku i mëshon ndërgjegjësimit. 

“Organizimi i fushatave të ndërgjegjësimit për përpunuesit e vegjël mbi standardet e BE-së, duke përfshirë Rregulloren për higjienën, për produktet me origjinë shtazore dhe kontrollin zyrtar. E dyta, realizimi i inspektimeve paraprake vullnetare nga AKU ose bashkitë për të identifikuar boshllëqet në infrastrukturë dhe procedura. Së treti, trajnimi i stafit mbi higjienën personale, praktikat e mira të prodhimit, gjurmueshmërinë dhe bazat e sistemit HAÇP. Dhe e fundit, ngritja e rrjeteve të komunikimit për ndarjen e praktikave të mira ndërmjet përpunuesve”, përfundon Pilku.

Mirëpo fermerët, tregtarët por edhe konsumatorët janë gjetur të pa-informuar. Dhe këtë e vërtetoi më së miri jo vetëm Nebiu dhe Agroni por edhe video virale e tregëtares së rigonit në Sarandë. 

Faturë, faturë, faturë…

Sipas ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, fermerët që shesin produkte bujqësore nuk janë të detyruar të lëshojnë faturë tatimore. Ata regjistrohen vetëm pranë tatimeve, pa qenë të detyruar të regjistrohen si biznese në QKB, të mbajnë kontabilitet apo të lëshojnë faturë.

Ky përjashtim është konfirmuar edhe në ligjin nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, ku përcaktohet se detyrimin për lëshimin e faturës e ka blerësi i produktit që zakonisht është grumbulluesi, baxhoja ose përpunuesi.  

Autofatura lëshohet nga blerësi (përpunuesi apo grumbulluesi), në emër të shitësit (fermerit), në rastet kur fermeri është i pajisur me NIPT dhe bën shitje pa faturë TVSH-je për xhiron me vlerë deri 10 milionë lekë në vit.

Megjithatë, në praktikë, shumë prej tyre refuzojnë të lëshojnë autofatura pasi nuk përfitojnë më nga skema e mëparshme e kompensimit të TVSH-së. Me ndryshimet e fundit, blerjet nga fermerët janë me TVSH 0%, ndërsa shitja është me 20%. Kjo ka çuar në një situatë ku grumbulluesit dhe përpunuesit nuk arrijnë të rimbursojnë TVSH-në dhe shmangin formalizimin, duke i mbyllur rrugën prodhuesit.  

Ndaj, aksioni i ndërmarrë së fundmi prek drejtpërsëdrejti përpunuesit dhe grumbulluesit e produkteve bujqësore. Sipas udhëzimeve të administratës tatimore, këta subjekte janë të detyruar që, gjatë blerjes së produkteve nga fermerët, të përdorin autofaturën si mjet për dokumentimin e transaksionit, ku informaliteti tek ta ka rezultuar i lartë.

Përfundim

Nga viti 2014, numri i bagëtive në Shqipëri ka rënë me mbi 45%. Vendi ka gjithnjë e më pak lopë, më pak dele, më pak dhi, më pak mish e qumësht. Por mesa duket do të ketë më shumë fatura. Në vend që të ndihmojë prodhimin vendas, shteti kërkon llogari për një sistem që, sipas ligjit, nuk është përgjegjësi e bujkut, por e grumbulluesit apo përpunuesit. Vetëm se këta të fundit nuk duan të lëshojnë fatura sepse humbasin para nga skema e TVSH-së.

Në mungesë të një strukture që mbështet prodhuesin e vogël, Shqipëria po shkon drejt importit të bulmetrave dhe shkatërrimit të blegtorisë së mbetur.

Ndërsa, aksioni i ndërmarrë, pa fushata të vërteta informimi, pa trajnime, pa një kalendar tranzicioni të qartë dhe pa asnjë ndihmë teknike apo financiare për fermerin do të prodhojë penalizime. Dhe në një terren ku vetë institucionet kanë dështuar për vite me radhë të ndërtojnë një kulturë formalizimi, kërkesa kaq e prerë për faturë kthehet në barrë. Në mungesë të ndërgjegjësimit, zbatimi i ligjit i ngjan më shumë një ndëshkimi sesa një reforme. Dhe si çdo aksion që nis me forcë dhe jo me kuptim, rrezikon të dështojë jo vetëm në qëllimin, por edhe ‘drejtësinë’ që pretendon të sjellë.

*Emrat janë ndërruar për të ruajtur privatësinë e fermerëve që ndanë historinë e tyre me Faktoje.al

The post Fatura që po shteron qumështin appeared first on Faktoje.al.

Legalizimet, 46 bashki në vend numëro

11 July 2025 at 15:58

Verën e kaluar, kryeministri Edi Rama u la tre muaj kryebashkiakëve për të ngritur zyra të posaçme legalizimesh në çdo bashki. Ai kërkoi përshpejtim të procesit me stafe të dedikuara që do të ishin në ndihmë të qytetarëve. Një vit më vonë, në një mbledhje të ngjashme, rezultoi se 46 bashki ende nuk e kanë përmbushur këtë detyrim.

Esmeralda Topi

Që prej qershorit të shkuar, bashkitë kanë marrë zyrtarisht një rol të ri për t’i dhënë shtysë procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Vendimi i qeverisë përcakton rregullat e bashkëpunimit mes bashkive dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës duke u dhënë palëve rol koordinues në funksion të përmbylljes së legalizimeve.

Bashkitë kanë detyrim ngritjen e zyrave të posaçme me staf të dedikuar, pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Kadastrën. 

“…Procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që ju do të krijoni deri në muajin shtator, kur ky proces do të fillojë”, deklaroi kryeministri Edi Rama, verën e kaluar gjatë një takimi me kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Procesi që duhet të niste zbatimin prej muajit shtator, do të kontrollohej nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, pasi palët kanë detyrimin për t’i raportuar çdo muaj.

Fakt

46 bashki ende nuk kanë caktuar staf të dedikuar, e as kanë ngritur zyra të posaçme për legalizimet, një detyrim që duhej të ishte përmbushur një vit më parë. 

Në një mbledhje të zhvilluar një vit më pas, me të njëjtët aktorë institucionalë, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, bëri një përmbledhje të ecurisë. Ai tha se të gjitha bashkitë kanë nënshkruar marrëveshjen me ASHK-në, por vetëm 14 prej tyre kanë firmosur aneksin që përcakton tipologjinë e bashkëpunimit. Ndërkohë, Malësia e Madhe nuk figuron tek harta e bashkëpunimit të bashkive me ASHK-në.

“Kemi një seri bashkish që akoma nuk kanë aneks. Dhe ato që s’kanë aneks, janë tipikisht edhe ato që nuk kanë caktuar staf për këtë çështje”, deklaroi Mazniku. 

Ecuria e dobët e këtij procesi u faktua fundvitin e kaluar nga një hulumtim i Faktoje.al. Të dhënat e siguruara përmes ligjit “Për të drejtën e informimit” vërtetuan ecurinë e dobët të procesit. Deri në tetor të 2024, 16 bashki nuk kishin nënshkruar as marrëveshjen e bashkëpunimit me ASHK-në, siç kërkon VKM-ja. 

Burimi: ASHK

Legalizimet, roli i bashkive me rëndësi

Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive e sheh me rëndësi përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimeve. “Është kërkuar vazhdimisht nga bashkitë që të kenë rol në këtë proces. Në thelb të këtyre ndryshimeve qëndron interesi për ta përshpejtuar procesin”, thotë ai.

Haxhimali shton se veç rolit koordinues bashkitë duhet të ushtrojnë presion edhe tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës. “Agjencia e Kadastrës ka monopolin për certifikimin final, për çdo rast që mendojnë se dosja është korrekte dhe zvarrijet janë të pajustifikuara”, shprehet ai.

Ligji parashikon dhjetorin e vitit 2028 si afat për përfundimin e procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje në Shqipëri.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se procesi i legalizimeve do të udhëhiqej nga bashkitë, me një staf të dedikuar deri në muajin shtator 2024 e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Legalizimet, 46 bashki në vend numëro appeared first on Faktoje.al.

Vjosa, “mbretëresha e lumenjve të Evropës” në mëshirë të ndotjes

10 July 2025 at 15:26

Shtatë bashki përgjatë Vjosës vazhdojnë të derdhin ujëra të ndotura në lumë, ndërsa ndërtimi i impianteve të premtuara ende nuk ka nisur.

Esmeralda Topi 

Në korrik të vitit 2023, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, deklaronte me entuziazëm nisjen e një investimi të rëndësishëm mjedisor për lumin Vjosë

Janë shtatë bashki midis qarkut të Gjirokastrës dhe të Vlorës të cilat do të pajisen me impiante sepse nuk mund të flasim për Vjosën mbretëreshën e lumenjëve të Europës, ndërkohë që sot e kësaj dite vazhdojnë gjithë ujërat e ndotura të derdhen në Vjosë”, premtonte Kumbaro asokohe.

Dy vite pas këtij angazhimi, Faktoje verifikoi ecurinë e projektit të shumëpërfolur. Verifikimet tregojnë se qeveria shqiptare është ende larg përmbushjes së plotë të këtij zotimi. Vjosa, pagëzuar si lumi i vetëm i egër i Europës, tashmë edhe Park Kombëtar, vijon të ndotet nga ujërat e zeza të shtatë bashkive përgjatë saj. Ndërtimi i impianteve nuk ka nisur, pasi projekti 80 milionë dollarë nga Banka Botërore është në hapat e parë të zbatimit.

Lumi Vjosë
Lumi Vjosë

Fakt

Banka Botërore konfirmoi për Faktoje se huaja prej 80 milionë dollarësh është bërë efektive vetëm në 31 mars 2025. Pra, më shumë se 20 muaj pas deklaratës së ministres Kumbaro.

“Projekti u bë efektiv në momentin që u plotësuan të gjitha kushtet e nevojshme të berjes efektiv”, sqaroi Banka Botërore në një përgjigje zyrtare.

Sipas saj, aktualisht po përgatiten termat e referencës për aktivitetet që parashikon projekti. Zbatimi në terren ende nuk ka nisur, ndërsa përfundimi i plotë i këtij investimi parashikohet në mars të vitit 2030.

Shkak për vonesën e miratimit të kredisë Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), institucioni përgjegjës për implementimin e projektit, rendit disa arsye :

  1. Ndryshimi i fushës së përgjegjësive të institucionit implementues, pas heqjes së kompetencës për Menaxhimin e Mbetjeve nga AKUK dhe kalimit të saj tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në nëntor 2023, çka solli rishikim të dokumentacionit të projektit.
  2. Ristrukturimi i elementëve teknikë dhe financiarë të projektit.
  3. Rishikimi i objektivave dhe rezultateve të pritshme të projektit.
  4. Kalendari i punimeve të Kuvendit dhe komisioneve parlamentare, që ndikoi në vonesën e ratifikimit.

Në lidhje me zbatimin në terren, AKUK thotë se projekti ka nisur zbatimin në aspektin administrativ dhe sipas Planit të Prokurimit, procedurat për ndërtimin në terren pritet të nisin në fund të vitit 2026.

Nga ana tjetër, ministria e Turizmit, pas një procesi ankimimi pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit (pasi refuzoi dhënien e informacionit siç e parashikon ligji), ndau në mënyrë të përmbledhur datën përmbyllëse të projektit.

“Sipas marrëveshjes së huasë me Bankën Botërore, datë përmbyllëse e projektit është marsi i vitit 2030”, njofton ndër të tjera ministria.

Kjo do të thotë se realizimi i premtimit për ndërtimin e 7 impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura është ende në fazë paraprake dhe mbrojtja e lumit Vjosë nga ujërat e ndotura do të kërkojë të paktën edhe 5 vite të tjera. 

Çfarë ndodh sot me bashkitë përgjatë Vjosës?

Faktoje kërkoi informacion zyrtar nga bashkitë që përmenden në projekt. Disa prej tyre konfirmuan mungesën e investimeve konkrete, teksa katër prej tyre refuzuan dhënien e informacionit.

Libohovë

Në territorin e kësaj bashkie nuk ekziston asnjë impiant për trajtimin e ujërave të ndotura. Bashkia pohon për Faktoje.al se rrjetet e kanalizimeve janë të pjesshme dhe të vjetra. Në shumë zona rurale, ujërat e ndotura menaxhohen me gropa septike. 

Memaliaj

Kjo bashki ka rrjet kanalizimi, por ujërat e ndotura derdhen 100% në lumin Vjosë, për shkak të mungesës së një impianti. Bashkia thotë se nuk ka kapacitete financiare për ta përballuar vetë një investim të tillë dhe aktualisht është në negociata me organizata të huaja për të aplikuar në projekte mjedisore. Deri tani, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë.

Përmet

Përmeti është ndër të paktat bashki që ka konfirmuar përfshirjen zyrtare në projektin e financuar nga Banka Botërore, përmes iniciativës ‘Care for blue sea’. Sipas bashkisë, ndërtimi i impiantit është pjesë e një strategjie për të reduktuar ndotjen përgjatë luginës së Vjosës. Por, edhe këtu projekti është ende në fazën e studimit, dhe nuk ka nisur ende asnjë punim në terren.

Ndërsa, bashkitë Gjirokastër, Tepelenë, Këlcyrë dhe Selenicë, nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Përfundim

Premtimi për një “revolucion” mjedisor me ndërtimin e 7 impianteve përgjatë Vjosës, është ende larg zbatimit. Projekti, ndonëse i rëndësishëm dhe i financuar nga një institucion ndërkombëtar si Banka Botërore, është ende në hapat e parë. Ndërkohë, Vjosa vazhdon të ndotet çdo ditë nga ujërat e zeza të bashkive që duhej ta mbronin. Nisur nga këto të dhëna, premtimin e ministres Mirela Kumbaro për ndërtimin e 7 impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura në bashkitë që përshkon Vjosa, e kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.

Artikulli u ndryshua më datë 11 korrik, një ditë pas publikimit, duke reflektuar përgjigjen e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK). 

The post Vjosa, “mbretëresha e lumenjve të Evropës” në mëshirë të ndotjes appeared first on Faktoje.al.

Zonat e mbrojtura në rrezik, beteja ligjore në Gjykatën Kushtetuese 

8 July 2025 at 15:51

Një vit pas miratimit të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, beteja për mbrojtjen e natyrës arrin në Gjykatën Kushtetuese. Vendimi pritet brenda korrikut. Lexo më shumë në Faktoje.al

Esmeralda Topi 

Më 2 mars 2024, socialistët miratuan ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, shoqërisë civile, ekspertëve të mjedisit dhe Brukselit. Presidenti Bajram Begaj, pavarësisht pritshmërive për ta kthyer ligjin për rishqyrtim, e dekretoi atë disa javë më pas, duke lënë si mundësi të vetme ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.

Një vit më vonë, beteja ligjore është zhvendosur pikërisht aty, ku deputetë të opozitës, të mbështetur nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS) dhe Qendra EcoAlbania, kërkojnë pezullimin e këtij ligji, që, sipas tyre, kërcënon rëndë natyrën shqiptare dhe bie ndesh me Kushtetutën e vendit. 

Ligji ekzistues parashikonte ndalime të rrepta për ndërtimet në zona të mbrojtura, ndërsa ndryshimet e miratuara i hapin rrugën zhvillimeve infrastrukturore dhe turistike. 

Me sytë nga Kushtetuesja

Pas dy seancash, Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë vendimin për këtë çështje brenda këtij muaji. Vendimi pritet të ketë ndikim jo vetëm për të ardhmen ekologjike të Shqipërisë, por edhe për pjesëmarrjen publike në vendimmarrje që prekin mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. 

Presidenti i Shoqatës Ornitologjike të Shqipërisë, Taulant Bino, pret një vendim të pavarur dhe jo të ndikuar nga politika.

“Në fund të fundit, ky nuk është një vendim për organizatat, por për dinjitetin tonë njerëzor, për mbrojtjen e shëndetshme të kësaj natyre dhe mjedisi që na e kanë lënë të parët dhe duhet tua trashëgojmë, në gjendje edhe më të mirë, brezave të ardhshëm. Mjedisi dhe natyra nuk janë të politikës, por të shqiptarëve”, argumenton Bino për Faktoje.al. 

Edhe Olsi Nika, nga qendra “Eco Albania” thekson se Kushtetuesja ka përgjegjësi të madhe për të rikthyer besimin në shtetin e së drejtës.

“Nëse Gjykata do ta rrëzojë këtë ligj, do të jetë një fitore për komunitetet lokale dhe për të gjithë ata që shohin në natyrën shqiptare një pasuri të përbashkët e të patjetërsueshme. Në të kundërt, mund të hapë një epokë të re të zhvillimeve turistike intensive në zemër të pasurive natyrore të vendit, me pasoja të pariparueshme për biodiversitetin dhe identitetin ekologjik të Shqipërisë”, pohon Nika. 

Po ashtu, deputetja Ina Zhupa, një nga nismëtaret e padisë ndan të njëjtën pritshmëri. Ajo tha për Faktoje.al se pret që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë ligjin mbi këto argumenta: 

“Pikësëpari vërtetuam që nuk është kryer një proces i konsultimit publik, siç e kërkon Kushtetuta për çështjet e mjedisit. Së dyti, vërtetuam që ligji nuk duhet të kishte kaluar sepse ishte një ligj me kosto financiare dhe nuk shoqërohej me raport financiar për këto kosto”, thotë Zhupa duke shtuar se:

“Së treti, që është dhe thelbi i çështjes, tashmë në zonat e mbrojtura me këtë ligj është hequr çdo lloj kufizimi. Mund të shfarrosen fare zonat e mbrojtura. Kjo cënon edhe parimin e solidaritetit social”.

Prapavijë

Debati për fatin e zonave të mbrojtura nuk është i ri. Prej vitit 2019, kur nisi procesi i rishikimit të rrjetit të zonave të mbrojtura, vendimmarrja është shoqëruar me polemika dhe protesta. Vendimi i KKT-së në dhjetor 2020 që reduktoi sipërfaqet e disa zonave të mbrojtura u përball me reagime të forta, ndërsa në nëntor 2022 u miratua një hartë përfundimtare me disa korrigjime dhe shtesa të reja si Alpet apo lumi Vjosa. Megjithatë, përpjekjet për të ligjëruar ndërtime në këto zona kulmuan me miratimin e ndryshimeve ligjore vitin e shkuar.  

Asokohe, deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa u angazhua në një tur takimesh për të diskutuar nëpër Shqipëri, dëmin dhe pasojat që sipas saj sillte ligji i ri në Zonat e Mbrojtura. 

“Ligji i Zonave të Mbrojtura është një ligj i cili do të çohet në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, nga deputetët opozitarë duke qenë se janë një subjek i pakushtëzuar, por ne nuk do jemi vetëm”, premtoi Zhupa në tryezën e parë të diskutimeve në Pogradec.

Një vit më vonë, sytë janë nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të japë vendimin deri në fund të korrikut. 

Përfundim

Deputetja Ina Zhupa, një nga zërat më aktivë kundër ndryshimeve të ligjit për zonat e mbrojtura, kishte premtuar publikisht që do ta çonte këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Me dorëzimin e padisë dhe zhvillimin e procesit deri në mbylljen e seancave gjyqësore, ky premtim kategorizohet i mbajtur.

The post Zonat e mbrojtura në rrezik, beteja ligjore në Gjykatën Kushtetuese  appeared first on Faktoje.al.

Ndryshimet në ligjin për investimet e huaja, një hap i vogël drejt integrimit

7 July 2025 at 17:00

Parlamenti miratoi të enjten, me 72 vota pro nga radhët e socialistëve, një ndryshim në ligjin për investimet e huaja. Deputeti Eduard Shalsi, nismëtari i këtij propozimi, argumentoi se ndryshimi ishte i motivuar nga negociatat me Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, BE ka kërkuar hartimin e një kuadri të unifikuar për investimet e huaja, jo arnime të pjesshme në legjislacion. Prej vitit 2018, çdo progres raport për Shqipërinë vë në dukje vonesën e Shqipërisë ndaj këtij detyrimi.

Esmeralda Topi 

Në seancën e fundit parlamentare, socialistët miratuan me 72 vota një ndryshim në ligjin për investimet e huaja. 

“Shqipëria do të përmbushë këtë kërkesë që ka dalë natyrshëm nga negociatat me Bashkimin Europian”, tha gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti Eduard Shalsi që ishte dhe nismëtar i propozimit.

Deri më sot, në Shqipëri nuk është zbatuar asnjë procedurë administrative për shqyrtimin, vlerësimin apo ekzaminimin e investimeve të huaja direkte, sidomos në sektorët e rëndësishëm e strategjikë. Ndryshimi i ligjit parashikon që investimet e huaja t’i nënshtrohen një vlerësimi ose shqyrtimi të veçantë sipas procedurave që miraton Këshilli i Ministrave, bazuar në  rregulloret e Bashkimit Europian. Më konkretisht, ligjit iu shtua ky nen: 

“Investimet e huaja direkte që lidhen apo ndikojnë mbi infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacionin sensitiv ose mbi lirinë e medias, sipas përcaktimeve te Rregullores (EU) 2019/452 të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian, i nënshtrohen një vlerësimi apo shqyrtimi sipas rregullave dhe procedurave të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave

Demokratët nuk e votuan propozimin ligjor. Jorida Tabaku, deklaroi se të sjellësh një nen të ndryshuar të një ligji të vitit 1993 do të thotë ta bësh integrimin me gjasme. 

“BE ka kërkuar hartimin e një kuardi të plot ligjor për investimet, ashtu siç qeveria shqiptare ka 10 vite që thotë do ta bëj”, argumentoi ajo.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, deputeti Eduard Shalsi tha se qeveria planifikon ta paraqesë shumë shpejt, krijimin e një ligji integral për investimet e huaja dhe strategjike, duke përmbushur kështu pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe partnerëve strategjikë.

Fakt 

E vërteta është se qeverisë shqiptare i është kërkuar hartimi dhe implementimi i një ligji të ri të posaçëm për investimet e huaja. Prej vitit 2018, çdo raport progresi i Bashkimit Evropian vë në dukje vonesën disavjeçare në përmbushjen e këtij angazhimi. 

Ligji ekzistues për investimet e huaja, i vitit 1993, u ndryshua në 2017 për të zgjatur mbrojtjen e investitorëve deri në fund të vitit 2018, duke përfshirë edhe investimet strategjike. Nga viti 2019 e në vazhdim, miratimi i ligjit të unifikuar është shtyrë vazhdimisht: në 2020 u raportuan konsultime, por miratimi u shty për vitin 2021 dhe më pas për vitet 2022 dhe 2023, duke vonuar përmirësimin e sigurisë ligjore për investitorët. 

Nisur nga këto vonesa, në progres raportin e fundit, Brukseli i ka lënë si detyrë të vëçantë qeverisë të hartojë dhe miratojë këtë ligj të unifikuar, si një kërkesë e domosdoshme për integrimin dhe stabilitetin ekonomik.

“Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet, në veçanti: të hartojë dhe miratojë një ligj të unifikuar për investimet”, theksohet në raport. 

Përfundim

Qeveria ka premtuar prej vitesh krijimin e një kuadri ligjor të ri dhe gjithëpërfshirës për investimet e huaja. Megjithatë, në vend që të përqendrohet në hartimin dhe miratimin e këtij ligji të integruar, mazhoranca ka zgjedhur të shtyjë vazhdimisht përmbushjen e këtij detyrimi, duke bërë vetëm ndryshime të pjesshme në legjislacionin ekzistues. Ndryshimi i fundit, megjithëse shërben si një hap drejt përmbushjes së kërkesave të Bashkimit Europian, nuk mund të konsiderohet përmbushje e plotë e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i negociatave. Në këtë kuadër, deklaratën e deputetit socialist Eduard Shalsi se “Shqipëria do të përmbushë këtë kërkesë që ka dalë natyrshëm nga negociatat me Bashkimin Europian” e kategorizojmë si gjysmë të vërtetë.

The post Ndryshimet në ligjin për investimet e huaja, një hap i vogël drejt integrimit appeared first on Faktoje.al.

By pass-i i Vlorës, zvarritje punimesh dhe rritje kostosh

1 July 2025 at 16:00

Dy vite pas inaugurimeve dhe me 13 milionë euro shtesë, rruga që qeveria e reklamon të mbaruar vazhdon të ketë punime në terren dhe elementë të papërfunduar sigurie. Pas disa afateve të shkelura, Autoriteti Rrugor thotë se përfundimi i plotë i veprës pritet në fund të këtij muaji.


Esmeralda Topi

Nëse këtë verë keni kaluar nga Bypass-i i Vlorës dhe jeni përballur ende me punime, mos u çudisni. Vepra që qeveria ka inauguruar dy herë, ende nuk ka përfunduar. Dy vite pas ceremonive inauguruese të rrugës dhe dhjetëra miliona eurove shtesë, aksi 29 kilometra i gjatë, vazhdon të ketë mangësi në elementët e sigurisë rrugore.

Pavarësisht kësaj, një muaj para zgjedhjeve, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke raportuar arritjet dhe sfidat në sektorin e infrastrukturës, nuk ngurroi ta shpallte Bypass-in e Vlorës si një investim të përfunduar.

Burimi: Ministria e Infrastrukturës

Edhe kryeministri Edi Rama së fundmi ka publikuar në rrjete sociale një video të Bypass-it të Vlorës, duke e reklamuar investimin me mbishkrimin: “bukur dhe pastër”. Mirëpo, mes qindra komenteve kish nga ata qytetarë që vinin në pah mos përfundimin e veprës. 

“Ka ngel e çik fare aty ku lidhet fshati Kanin me bajpasin!! Aty ku protestohej nga banorët ka ngel e pak fare edhe pastaj mbaron,” shkruante një komentues.

Fakt

Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmon se punimet në këtë vepër ende nuk kanë përfunduar. 

“Punimet e rrugës kryesore kanë përfunduar dhe segmenti është i hapur për qarkullimin e mjeteve”, deklaron ARRSH në një përgjigje zyrtare për Faktoje, duke shtuar se rehabilitimi i skarpatave, mbrojtja nga rënia e gurëve dhe rehabilitimi mjedisor janë “drejt përfundimit”.

Sipas të njëjtit institucion, punimet e mbetura do të mbyllen më 31 korrik 2025, përpara se rruga të merret përfundimisht në dorëzim pas një periudhe njëvjeçare garancie. Ky afat i ri përfundimi bie ndesh me deklaratat e mëparshme të ARRSH-së, sipas të cilave punimet do të mbylleshin në mars të 2024.  

Vonesat e punimeve sipas ARRSH lidhen më një sërë arsyesh. Terreni i vështirë dhe problematikat gjeoteknike në ndërtimin e urave dhe stabilitetin e skarpatave, të cilat kanë pësuar rrëshqitje në disa zona, kanë ndikuar ndjeshëm ritmin e punimeve. Po ashtu, kërkesat e vazhdueshme të Bashkisë Vlorë, të komunave Babicë dhe Kaninë, si edhe të komunitetit përgjatë gjithë gjurmës së projektit, kanë sjellë ndryshime dhe devijime të planifikimeve. 

ARRSH shton se situata është komplikuar më tej nga punime të paparashikuara, zhvendosja e rrjeteve inxhinierike si OST, OSHEE dhe UKT, si dhe problematikat e vazhdueshme me shpronësimet, përfshirë devijimin e gjurmës në zonën e varrezave të Babicës. Të gjithë këta faktorë, thotë Autoriteti Rrugor kanë prodhuar një zinxhir vonesash që e kanë lënë projektin të papërfunduar, pavarësisht premtimeve dhe inaugurimeve të njëpasnjëshme. 

13 milionë euro shtesë

Krahas kohës, vepra ka marrë edhe më shumë para nga sa ishte planifikuar. Nga 56 milionë euro vlerë investimi e raportuar fillimisht, ARRSH deklaron tani se kostoja e projektit ka arritur 69,2 milionë euro. Fatura e këtij investimi është rritur me 13 milionë euro por ARRSH nuk jep një analizë të detajuar për arsyet që kanë diktuar këtë shtesë financimi.

Segmenti 29-kilometërsh është një vepër e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare.

Në total, fondet e dhëna nga Bashkimi Europian për këtë projekt llogariten në vlerën e 56 milionë eurove, nga të cilat 20 milionë janë grant dhe pjesa tjetër kredi nga Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH. 13 milionë euro janë investim i qeverisë shqiptare. 

Me këtë faturë, 1 kilometër i kësaj rruge ka kushtuar 2.4 milionë euro.

Përfundim

Me kosto të rritura, afate të shkelura dhe një kantier që ende nuk përmbush kriteret bazë të sigurisë, projekti ilustron modelin shqiptar të përurimeve që nuk përkojnë me të vërtetën në terren. Nisur nga të dhënat zyrtare dhe verifikimet në terren, deklaratën e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku në prag zgjedhjesh se Bypassi i Vlorës ka përfunduar, e kategorizojmë gjysmë të vërtetë. Rruga ka qënë e hapur për qarkullim por sikurse ARRSH pranon, aksi ka ende punë për tu vlerësuar i përfunduar dhe i marrë në dorëzim. 

The post By pass-i i Vlorës, zvarritje punimesh dhe rritje kostosh appeared first on Faktoje.al.

Treni Tiranë–Durrës shtyn nisjen për në 2026

25 June 2025 at 17:00

Hekurudha Tiranë–Durrës–Rinas vijon të jetë kantier ndërtimi prej katër vitesh, ende larg përfundimit. Pavarësisht premtimeve, deri tani është përfunduar vetëm 86% e veprës. Punimet për stacionet sapo kanë nisur dhe elektrifikimi ende nuk ka kontratë. Me këto ritme, treni elektrik pritet të nis operimin në fund të 2026.

Esmeralda Topi

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas, projekt i nisur katër vite më parë, vijon të jetë kantier ndërtimi. Pavarësisht premtimevenjëpasnjëshme nga zyrtarë të lartë, afatet për përfundimin e veprës hekurudhore janë tejkaluar disa herë.

Treni elektrik që do të lidhë Tiranën me Durrësin dhe Rinasin ende nuk është gati për udhëtarët. Linja hekurudhore që planifikohej të ishte gati brenda verës së vitit 2023, është me të paktën tre vite vonesë.

Afati i ri sipas ministres së infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku është pranvera e vitit të ardhshëm. “Të gjithë komponentët së bashku do të jenë të përfunduar në pranverën e vitit 2026 duke na dhënë kështu mundësinë e fillimit të një transporti totalisht të ri, transportit modern të hekurudhës”, deklaroi Balluku, një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme.

Burimi: Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Fakt

Informacionet zyrtare të Hekurudhës Shqiptare tregojnë se edhe ky afat do të shkelet. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al Hekurudha Shqiptare pohon se deri më tani janë realizuar 86% e punimeve duke përfshirë këtu dhe ndërtimin e trasesë së re prej 5 km në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Këto punime pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti, me një vonesë të konsiderueshme nga afatet e mëparshme.

Paralelisht me këto punime, këtë qershor, ka nisur puna në terren në një tjetër komponent kyç të projektit, siç është ndërtimi i godinave të stacioneve hekurudhore dhe sistemimi i shesheve përreth. Godinat e stacioneve të vjetra po shemben për t’i hapur rrugën ndërtimit të stacioneve të reja. Sipas kontratës, këto punime planifikohen të mbyllen në mesin e vitit 2026.

Një tjetër pikë strategjike e projektit është stacioni fundor i linjës pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA). Stacioni do të ndërtohet përballë Forcave të Armatosura Ajrore, por deri tani është realizuar vetëm ndërtimi i trasesë së re hekurudhore që çon drejt zonës së aeroportit. Ndërtimi aktual i vetë stacionit nuk ka nisur ende.

Po ashtu, një nga pjesët më kritike të projektit, elektrifikimi i linjës, nuk ka nisur. Tenderi ndërkombëtar për këtë kontratë pritet të hapet në fund të këtij viti, ç’ka nënkupton se punimet për elektrifikimin mund të fillojnë duke nisur nga viti i ardhshëm.

Kur do udhëtojmë me trenin e ri?

Në përfundim, operimi i shumëpritur i trenit elektrik Tiranë- Durrës-Rinas, parashikohet të nisë jo më herët se fundviti i 2026.

Sipas planifikimeve zyrtare, Hekurudha Shqiptare parashikon se në fund të vitit 2026, të tria kontratat që përfshijnë trasenë, godinat dhe elektrifikimin do të jenë përfunduar, duke i hapur rrugën për operimin e trenit më shpejtësi 120 km në orë.

Treni elektrik pritet të shkurtojë në 22 minuta distancën mes Tiranës dhe Durrësit. Projekti financohet nga Bashkimi Europian dhe një kredi e marrë nga qeveria shqiptare pranë Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Fillimisht, kosto e projektit ishte parashikuar 69,6 milionë euro, por deri më tani, fatura e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës-Rinas ka shkuar deri në 110 milionë euro.

Rrjeti hekurudhor në Shqipëri

Në Shqipëri, gjatësia e rrjetit hekurudhor llogaritet 253 km, por në shfrytëzim janë vetëm katër linja hekurudhore, të cilat përfshijnë edhe transportin e mallrave.

  • Kufi – Gjorm 93 km
  • Durrës – Elbasan 76 km
  • Rrogozhinë – Fier 49 km
  • Fier – Vlorë 35 km

Hekurudha shqiptare dikur ishte një nga mjetet kryesore të transportit për qytetarët, veçanërisht gjatë periudhës së regjimit komunist, kur alternativat e lëvizjes ishin të kufizuara. Me ardhjen e demokracisë, rrjeti hekurudhor filloi të degradohej për shkak të mungesës së investimeve, keqmenaxhimit dhe konkurrencës në rritje nga transporti rrugor. Ajo që dikur ishte një linjë funksionale dhe e përdorur gjerësisht, sot ka mbetur një relike në rrënoja. Këtë panoramë degradimi e pasqyrojnë qartë të dhënat zyrtare të INSTAT. Nga afro 190 mijë pasagjerë që udhëtuan me tren në vitin 2015, në vitin 2024 u regjistruan vetëm 7,740, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti, numri i udhëtarëve me tren ka rënë në vetëm 577 pasagjerë. Në më pak se një dekadë, numri i pasagjerëve me tren ka rënë me mbi 95%.

Burimi: INSTAT

Përfundim

Me ritmet aktuale dhe vonesat në të tre komponentët e projektit, linja hekurudhore Tiranë- Durrës- Rinas pritet të përfundojë në fund të vitit 2026. Ndaj, deklaratën e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku se të gjithë komponentët e kësaj linje do të jenë të përfunduar në pranverën e vitit 2026, e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Treni Tiranë–Durrës shtyn nisjen për në 2026 appeared first on Faktoje.al.

“Paqja Fiskale” pa konsultim me BE-në, Brukseli i shqetësuar

19 June 2025 at 17:00

Esmeralda Topi 

Në kulmin e fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama i propozoi befas bizneseve planin për “Paqe Fiskale”, të cilin e cilësoi si “të frymëzuar nga parimet e Romës së Lashtë”.

Kemi menduar një plan (…) të përdorur herë pas here në forma të ndryshme, një plan paqeje fiskale”, deklaroi Rama. 

Por ndërsa nisma u paraqit si një hap drejt qetësimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe sipërmarrjes, në Bruksel ajo nuk u prit me të njëjtin entuziazëm.  Në një reagim zyrtar për Faktoje.al, Komisioni Europian konfirmon se nuk është pyetur për këtë propozim.

“Komisioni është në dijeni për propozimin ‘Paqja Fiskale’, të bërë në kontekstin e fushatës elektorale. Ne nuk jemi konsultuar nga autoritetet shqiptare për këtë propozim”, tha një zëdhënës i Komisionit Europian për Faktoje.al, teksa shton se si nisma mund të prekë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. 

“Në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, kjo nismë do të diskutohet si pjesë e negociatave për kapitujt përkatës të acquis të BE-së”, përfundon ai.

Ndërsa në Shqipëri flitet për falje borxhesh, rishikime tatimore dhe “qartësi për bizneset”, në Bruksel ngrihen pikëpyetje për mënyrën si kjo nismë është shpallur: pa transparencë, pa konsultim dhe në një moment delikat politik. 

Çfarë parashikon ‘Paqja fiskale’?

Sipas qeverisë “Paqja Fiskale” është një paketë lehtësuese që përfshin falje masive borxhesh dhe rishikim të detyrimeve tatimore. Paketa nuk është pjesë e programit politik “Shqipëria 2030”, por qeveria argumenton se ajo do të sjellë më pak stres për bizneset, më pak kontrolle dhe më shumë qartësi.

Tre shtyllat kryesore të Paqes Fiskale:

  • Tatim i Dakordësuar mbi Fitimin
  • Rishikim i Pasqyrave Financiare
  • Falje e Detyrimeve dhe Kamatë Vonesave

Nisma parashikon fshirjen e plotë të borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite, nëse janë ende të pashlyera. Për detyrimet nga 5-10 vite parashikohet fshirje 50% e borxhit, nëse biznesi e paguan menjëherë. Ndërsa bizneset që nuk kanë mundësi për shlyerje të menjëhershme, do të ketë një marrëveshje 12 mujore dhe falja do të jetë në masën 25%. Nuk përfshihen këtu detyrimet për sigurimet shoqërore. 

Po ashtu, paketa propozon edhe rishikimin e deklaratave të mëparshme të tatim fitimit.
Bizneseve u jepet e drejta që të rishikojnë deklaratat tatimore për 5 vitet e fundit pa gjoba e kamatvonesa (legjislacioni aktual e lejon për 3 vjet) por duke paguar tatim fitimi prej 5% për çdo diferencë fitimi që krijohet nga rishikimi.

Bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 162.5 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro, borxhe të papaguara në tatime dhe dogana. Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimi mbi fitimin janë taksat kryesore që bizneset nuk kanë paguar ndër vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se 84.7% e borxhit është me vjetërsi mbi 2 vite. Ndërsa detyrimet e pashlyera në kohë prej më shumë se 5 vitesh zënë 64.4% të totalit. 

  • 84.7% e këtij borxhi është më i vjetër se 2 vite.
  • 64.4% i përket periudhës mbi 5 vite.

Ekspertët e ekonomisë dhe financave e kanë kritikuar ashpër nismën, duke e cilësuar si një sinjal të gabuar dhe të rrezikshëm. Ish-drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, e quan fshirjen masive të borxheve një ndëshkim për bizneset që kanë qenë korrektë ndër vite, ndërsa audituesi ligjor Julian Saraçi shkon më tej, duke e përshkruar si një kapitullim të shtetit përballë informalitetit të toleruar. Sipas tij, kjo nuk është një marrëveshje, por një shpëlarje faji për dështimet institucionale në mbledhjen e borxheve. 

Lexo më shumë: 

The post “Paqja Fiskale” pa konsultim me BE-në, Brukseli i shqetësuar appeared first on Faktoje.al.

Ura mbi Bunë peng i burokracive

17 June 2025 at 16:00

Prej tre vitesh, Shqipëria dhe Mali i Zi, janë angazhuar të ndërtojnë së bashku një urë mbi lumin Buna, e cila do të lidhë Ulqinin me Velipojën. Vepra me vlerë 20 milion euro duhet të kishte përfunduar verën e kaluar. Por verifikimet e Faktoje tregojnë se projekti ndodhet në fazën përgatitore. Nëse ndërtimi fillon brenda këtij viti, përfundimi më i hershëm i urës mbi Bunë do të ishte në vitin 2027

Esmeralda Topi

Shqipëria dhe Mali i Zi do të shpenzojnë 20 milionë euro për një urë mbi lumin Buna që do t’i lidhë brigjet e dy qendrave bregdetare, Ulqinit dhe Velipojës. 

Për herë të parë idea u bë publike qershorin e vitit 2022 gjatë një takimi të nismës “Ballkani i Hapur” në Ohër. Asokohe, kryeministri shqiptar Edi Rama e njohu kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç me projektin 3D të urës mbi lumin Buna.

Pak muaj më vonë, projekti u konkretizua në një Marrëveshje bilaterale mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, më 27 shkurt 2023 në Podgoricë. 

Në mbledhjen e dytë të përbashkët mes dy qeverive, Edi Rama dhe Dritan Abazoviç nënshkruan Deklaratën e Përbashkët dhe Marrëveshjen Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna me bashkëfinancim.

Fakt 

Edhe pse marrëveshja mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ka hyrë në fuqi, projekti për urën mbi Bunë nuk ka nisur zbatimin konkret në terren. Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se tashmë ka nisur puna për hartimin e Protokollit të Zbatimit, një proces që kërkon dakordësim ndërshtetëror dhe përfshirjen e trupave diplomatike të të dyja vendeve.

Sipas FSHZH-së, pas ngritjes së strukturave dhe ndarjes së përgjegjësive mes palëve, projekti i miratuar dhe i pajisur me leje ndërtimi do të nisë së zbatuari në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

Kohëzgjatja e punimeve mbetet dy vite, një afat që do të fillojë të llogaritet vetëm nga dita e parë e nisjes së punimeve, për të cilën ende nuk ka një datë të saktë.

“Projekti i miratuar dhe i pajisur me lejet përkatëse, nis zbatimin duke respektuar të gjitha kërkesat e legjislacionit të aplikueshëm. Nga momenti kur të nisin punimet, kohëzgjatja e tyre është parashikuar të jetë 24 muaj”, sqaron FSHZH për Faktoje.al. 

Rëndësia e projektit

Ura mbi Bunë”, është një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke shkurtuar distancën mes Velipojës dhe Ulqinit nga 73 km në 300 m.

Ekspertët e shohin ndërtimin e kësaj vepre si investim me ndikim të ndjeshëm në zhvillimin e turizmit në të dy vendet.

“Kjo vepër infrastrukturore do të mundësojë rritje të numrit të turistëve, sidomos të atyre ditorë, të cilët për shkak të afërsisë do të kenë mundësi të vizitojnë të dy brigjet brenda një dite. Ura do të lehtësojë përfshirjen e Velipojës dhe Ulqinit në guidat turistike ditore, duke nxitur bashkëpunimin mes dy qyteteve në menaxhimin e përbashkët të destinacioneve, eventeve dhe promovimit rajonal”, shprehet ekspertja për ekonominë Teuta Nunaj.

Ajo shton se kjo infrastrukturë krijon potencial për zgjatjen e sezonit turistik, nxit zhvillimin e bizneseve të vogla dhe përforcon profilin ndërkombëtar të të dy vendeve në kuadër të turizmit ndërkufitar dhe mesdhetar.

Sipas projektit, ura mbi lumin Buna do të lidhë fshatin Pulaj të Velipojës dhe Cveti Nikoliqin në Mal të Zi, në territorin e Komunës së Ulqinit.

Ura e projektuar është kompozitë me trarë çeliku dhe soletë beton arme, rreth 300 metër e gjatë me një gjerësi prej 17 metra linearë. Në projekt parashikohen dy korsi kalimi për makina me gjerësi rreth 5.25 metra secila, dy trotuare dhe korsi biçikletash në të dy krahët e urës.

Lartësia mesatare e urës në raport me nivelin më të lartë të ujit do të jetë rreth 10 metra për të mos ndërhyrë në qarkullimin lumor. I gjithë projekti do të kushtojë 20 milionë euro i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë.

Përfundim

Edhe pse hyrja në fuqi e marrëveshjes është një hap përpara, projekti për urën Velipojë–Ulqin mbetet ende në fazë përgatitore, me shumë hallka burokratike përpara. Me ritmin aktual të zhvillimeve, vështirë se ura do të jetë funksionale para vitit 2027, nëse nis ndërtimi brenda këtij viti, siç thotë FSHZH. Ndaj nisur nga këto informacione, ne e kategorizojmë ndërtimin e urës mbi lumin Bunë si premtim të pambajtur.

The post Ura mbi Bunë peng i burokracive appeared first on Faktoje.al.

Deti që vlon nga ndotja

14 June 2025 at 01:56

Deti që vlon nga ndotja

Nga Esmeralda Topi | Fotografi: Atdhe Mulla

Një fotoreportazh nga bregdeti i Durrësit, ku pushuesit përballen me ndotje të dukshme dhe të rrezikshme ndërsa përpiqen të shijojnë verën e parakohëshme. Ujërat e zeza të patrajtuara vazhdojnë të derdhen hapur në det, në sy të pushuesve dhe autoriteteve. Ekspertë mjedisi dhe aktivistë lokalë ngrenë alarmin për një krizë të hershme që po përkeqësohet çdo vit.
Nën hijen e Portit
Qershori nisi me temperatura rekord, sikur të ishte gusht. Një verë e parakohshme e ngarkuar me plazhistë, turistë, valë të nxehti dhe… ujë të zi. 
E hëna e 9 qershorit më gjeti bashkë me fotografin Atdhe Mulla në Porto Romano, një nga pikat më të ndotura të ujërave detare në Shqipëri, sipas Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Në këtë lagje port-industriale në periferi të Durrësit, ndotja është një problem i vjetër për shkak të shkarkimit të ujërave të zeza.
Në hyrje të portit, qasja është e kufizuar, por në një pikë të fshehur pas terminaleve të ngarkesave, ujërat e zeza urbane derdhen pa asnjë trajtim. Tubi i shkarkimit nuk është më i dukshëm me sy të lirë, por prania e tij ndihet me hundë. Një aromë e rëndë, përzierje plehu dhe metani ndihet menjëherë sapo i afrohesh zonës. 

“Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të pa trajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, të cilat shkaktojnë ndotje të këtyre ujërave”, ngre si shqetësim Agjencia Kombëtare e Mjedisit në raportin e fundit.

Ngjitemi në një kodër të ulët, ku disa shtëpi një ose dy katëshe qëndrojnë mbi port, me oborre të heshtura dhe dritare që shikojnë nga deti. Nga këtu, përmes lentes së aparatit arrijmë të shquajmë zonën ku derdhen ujërat e zeza. Ngjyra e ujit ndryshon. Është një dëshmi vizuale e ndotjes që nuk fshihet dot, as nga era, as nga drita e diellit. 
Sipas AKM-së, situata në Porto Romano ka qenë jashtë kontrollit prej vitesh. Monitorimet e ujërave atje tregojnë se vlerat e lëndës së pezulluar, mikroorganizmat dhe ndotësit organikë kanë tejkaluar normën e lejuar.
“Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të pa trajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, të cilat shkaktojnë ndotje të këtyre ujërave”, ngre si shqetësim Agjencia Kombëtare e Mjedisit në raportin e fundit.
Ironia urbane e Vollgës turistike
Nga përiferia udhëtimin e vazhdojmë drejt zemrës turistike të Durrësit, zonës së Vollgës. Shëtitorja ‘Taulantia” është në një nga pikat më të vizituara nga pushues vendas dhe të huaj. Por, tubacioni i shkarkimit të ujrave të ndotura në këtë zonë është i ekspozuar. Ai del hapur në det, pa asnjë përpjekje për maskim.
Nga ky tubacion shkarkohen ujërat e patrajtuara të lagjes numër 1, ku ndodhen hotele, restorante dhe biznese turistike. 
Rëra është e mbuluar me toptha të zinj leshterikësh, që formojnë duna të vogla, si plagë mbi vijën bregdetare. Ngjyra e ujit ndryshon dukshëm në afërsi të tubit. Megjithatë, askush nuk duket i shqetësuar. 
Pak metra larg tubit, në këtë ditë të nxehtë qershori, gjejmë të moshuar që shijojnë detin. Një burrë me kapele të bardhë noton qetësisht, ndërsa një tjetër merr rreze dielli me kokën mbuluar përgjatë bregut. 
Tubi shkarkues në zemër të Durrësit nuk është një rast i izoluar. Qyteti përballet me disa zona të nxehta, ku ujërat e përdorura derdhen drejtpërdrejt në det, pa asnjë trajtim paraprak. 
“I gjithë rrjeti i kanalizimeve nuk ka arritur të eci në të njëjtin ritëm me zhvillimin dhe zgjerimin e qytetit. Ujësjellës kanalizimet kanë marrë financime të ndryshme ndër vite, kryesisht nga Banka Botërore por edhe partnerët europianë të cilat shkojnë mbi 100 milionë euro. Dhe pavarësisht këtij investimi, mund të themi që vetëm një pjesë e zonës së plazhit është tërësisht e lidhur me impiantin e ujërave të ndotura. Ndërsa në pjesën e qytetit, periferisë vijojnë që kanalizimet të mos jenë tërësisht të lidhura më impiantin e ujërave të përdorura dhe si pasojë derdhen menjëherë në bregdetin e qytetit të Durrësit.”, thotë Geri Emiri, drejtues i qendrës Amfora në Durrës. 
Përroi i Agait në rrjedhën e ndotjes
E mbyllim udhëtimin tonë njëditor në zonën e njohur si Përroi i Agait, tek Plepat në Durrës. Është e hënë, por bregu i detit është i mbushur me qindra pushues. Përpara tyre, një kanal i hapur, i gjerë dhe i ndotur, derdhet drejtpërdrejt në det. 

“Gjithë ajo jeshilja që vesh bregun është sallata e detit ose në emrin shkencor “Ulva lactuca” dhe është treguesi më i qartë, i shpejtë edhe i saktë për ngarkesën e lartë të lëndëve organike (kryesisht nitrate e fosfate) që vijnë si pasojë e shkarkimeve të ujërave të zeza të patrajtuara”, shpjegon eksperti i mjedisit Olsi Nika nga EcoAlbania.

Uji është i errët, por kjo nuk i ndalon pushuesit të futen. Njëri prej tyre është Astrit Seferi, 64 vjeç, me origjinë nga Korça, që prej tre dekadash jeton në Durrës. E gjejmë shtrirë në një shezllon, duke dëgjuar muzikë popullore nga një boks të vogël. Në krahun e tij të djathë, pak metër më tutje, ndodhet kanali. 

“E di që s’është shumë e pastër, por ku tjetër të shkoj?” – thotë me një buzëqeshje të qetë, ndërsa dielli i qershorit përvëlon mbi rërë.

Astriti është piktor. Çdo pasdite i kalon duke bërë portrete për turistët, vendas dhe të huaj.Ndaj orët e paradites I shfrytëzon të marrë rreze dhe të notojë. “Zgjedh vende të ndryshme, po sot këtu erdha pasi gjeta parkim lehtë.”, thotë ai. 
Më tej, disa fëmijë hidhen nga bregu me britma gëzimi, të tjerë notojnë mbi lodra plastike që lëkunden lehtë mbi një sipërfaqe uji që s’është as blu, as i pastër. 
Sipas Agjencisë së Mjedisit në plazhet e Durrësit dhe Gjirit të Lalzit 53% e stacioneve i përkasin cilësisë së keqe, pra kategorisë D dhe kërkohen masa të menjëhershme. Krahasuar me vitet e shkuara monitorimi nxjerr në pah përkeqësim të situatës në këto plazhe. Ndotja e tyre nuk është më thjesht një çështje estetike apo sezonale është një kërcënim i përhershëm për shëndetin publik, për mjedisin dhe për vetë imazhin e vendit. 

“Shkarkimi i ujërave të zeza në det së pari është pridhje imazhi turistike të qytetit të Durrësit por nga ana tjetër është rrezik për përhapjen e infeksioneve pë rata pushues që duan të frekuentojnë pranë pikave”, pohon me trishtim Geri, gazetari dhe aktivisti nga Durrësi që këtë problematikë e ka ndjekur ndër vite.

Qeveria e ka shpallur turizmin si një nga prioritetet kryesore të zhvillimit ekonomik. Vitin e kaluar në Shqipëri u regjistruan mbi 11 milionë vizitorë, ndërkohë që prtishmëritë për këtë vit janë më të larta. Megjithatë, sfidat mjedisore si ndotja e ujërave bregdetare rrezikojnë të zhbëjnë këtë potencial. Ekspertët paralajmërojnë se pa ndërhyrje serioze për përmirësimin e infrastrukturës së ujërave të ndotura dhe zbatimin e standardeve të mjedisit, bukuria natyrore mund të shndërrohet në një burim zhgënjimi për turistët.

E gjeneruar video virale e gomarit parashutist

13 June 2025 at 16:13

Pretendimi: Kjo video tregon një gomar duke fluturuar me parashutë

Verdikti : Gjeneruar me AI

Një video që ka marrë qindra pëlqime në rrjetet sociale duket se tregon një gomar që është duke fluturuar në ajër me parashutë.

Fluturon Fluturon Gomari Ja dhe Gomari po Fluturon”, shkruan një profil në rrjetin social facebook teksa ndan videon që ka angazhuar dhjetra komentues dhe është parë nga më shumë se 100 mijë përdorues të tjerë të facebook.

Ky imazh absurd, ngjall dyshime se përmbajtja është krijuar nga inteligjenca artificiale. Mospërputhjet në video gjithashtu e mbështesin këtë dyshim. Për shembull, në pamjen e parë, gomari fluturon me një person mbi të, ndërsa në pamjen e dytë fluturon i vetëm.

Sipas kërkimeve të bëra nga Faktoje, kjo video është shpërndarë për herë të parë më 20 maj 2025, në një llogari në TikTok nga një përdorues @merakmerkezi_2024.

Llogaria që ka shpërndarë përmbajtjen e ka etiketuar si të krijuar nga inteligjenca artificiale. Nëse shqyrtojmë profilin e krijuesit të përmbajtjes që ka bërë postimin, do të shohim se të gjitha postimet e tij janë përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale.

Edhe mjetet për zbulimin e përmbajtjes së krijuar nga inteligjenca artificiale, tregojnë se përmbajtja është prodhuar me AI.

Në përfundim, video që tregon gomarin me parashutë nuk është reale. Ajo është krijuar me mjete të inteligjencës artificiale.

Tuneli i Murrizit, në testim gjatë inaugurimit festiv

5 June 2025 at 15:32

Esmeralda Topi

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, qeveria dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste organizuan një sërë inagurimesh të veprave publike. Ndër to ishte edhe ceremonia me këngë e valle për tunelin e Murrizit, pjesë strategjike e rrugës së Arbrit, që lidh Tiranën me Dibrën.

“Sot hapet tuneli i Murrizit prej 3.8 km i gjatë. Është plotësisht i përfunduar në të gjithë komponentët e tij dhe ana ndërtimore dhe elektromekanike. Gjithçka është funksionale”, deklaroi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, më 14 mars. 

14 mars 2025

Por disa javë më pas, një përgjigje zyrtare që Faktoje.al mori nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përmes një kërkese për të drejtë informimi, e rrëzon pjesërisht këtë deklaratë.

“Është në proces testimi dhe kolaudimi sistemi Elektro-Mekanik i Tunelit të Murrizit”, pohon MIE.

Pra, në momentin e deklaratës dhe inaugurimit, sistemi elektro-mekanik që përfshin ndriçimin, ventilimin, sistemet e sinjalistikës dhe sigurisë ishte duke u testuar.

Zvarritja e punimeve

Qeveria ka justifikuar vonesat me terrenin gjeologjik të vështirë në zonën e Murrizit. Vonesa të tilla, ekspertët i arsyetojnë ndryshe nga qeveria. Mungesa e analizave të plota në fazat e hershme të projektit është një prej tyre, argumenton Eduard Gjokutaj nga qendra ALTAX.

“Nëse studimet teknike nuk janë kryer me kujdes, ndodh që projektet të përballen me sfida të mëdha gjatë ekzekutimit. Zgjatja e afateve ndodh edhe kur nuk ka mbikëqyrje rigoroze ndaj kontraktorëve”, thotë Gjokutaj. 

Sipas tij, zvarritjet e projekteve në mënyrë të përsëritur krijojnë një model ku përfundimet e pjesshme shfrytëzohen për qëllime elektorale.

“Projekti i vonuar mund të përdoret si argument për përmirësim të performancës qeveritare në prag të zgjedhjeve, duke ofruar një ‘arritje’ të planifikuar për t’u shfaqur pranverën”, përfundon Gjokutaj.

Kosto e veprës 

Tuneli i Murrizit është segmenti më kompleks dhe i shtrenjtë i rrugës së Arbrit, me një gjatësi prej rreth 3.8 kilometra. Ai përfshin dy tunele: kryesorin për automjete dhe një tunel emergjence, me 11 lidhje hyrje-dalje mes tyre. Sipas të dhënave zyrtare të MIE, kostoja e tunelit arrin në 12.4 miliardë lekë pa TVSH (rreth 126.5 milionë euro), ndërsa e gjithë rruga e Arbrit kap shifrën 33.6 miliardë lekë pa TVSH (341.5 milionë euro).

Punimet për këtë tunel nisën në maj të vitit 2019, një vit pas nënshkrimit të kontratës koncesionare për rrugën e Arbrit. Megjithëse afati i kontratës ishte 13-vjeçar dhe përfundimi i rrugës ishte planifikuar për vitin 2027, zbatimi i ngadaltë e shtyu disa herë përfundimin e plotë të veprës. 

Zbatimi i kontratës koncesonare për rrugën e Arbrit ka hyrë zyrtarisht në vitin e shtatë të zbatimit, duke konsumuar gjysmën e afatit të kontratës 13 vjeçare me qeverinë shqiptare. 

Kompania që ka fituar koncesionin për rrugën e Arbrit ka marrë më shumë se gjysmën e financimit, mbi 12 miliardë lekë. Në tre vitet e ardhshme buxheti planifikon edhe 10 miliardë lekë të tjera.

Kompania koncesionare pritet ta dorëzojë projektin si aset te Autoriteti Rrugor Shqiptar në vitin 2031, në përfundim të afatit të kontratës.

Përfundim

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklarata zyrtare për përfundimin e tunelit të Murrizit, rezulton gjysmë e vërtetë. Elementët kritikë të sigurisë dhe funksionimit si sistemi elektro-mekanik ishin në testim gjatë inaugurimit publik. Për këtë arsye, pas verifikimit të fakteve, Faktoje e kategorizon këtë deklaratë si gjysmë të vërtetë.

Sharrë, plehrat në derë të banesave

29 May 2025 at 16:26

Vetëm pak metra larg shtëpive në Sharrë është hapur një gropë e re për mbetjet urbane. Banorët jetojnë mes erës së rëndë, rrugës së dëmtuar dhe premtimeve të pambajtura. Inceneratori që duhet të zgjidhte krizën? Një premtim fantazmë, që ka “djegur” miliarda lekë pa dhënë asgjë në këmbim. Tonelata mbetjesh vijojnë të grumbullohen në një zonë që prej kohësh ka kaluar kufirin e kapacitetit.

Esmeralda Topi

“Gropa më ka ardhur në derë, nuk kam vajtur unë te gropa”, thotë me zemërim Durim Zeneli, banor i lagjes “Zenelaj” në Sharrë, ndërsa tregon nga dritarja e shtëpisë së tij trekatëshe.

Vetëm pak metra më tej, një gropë e re është hapur për të zgjeruar kapacitetin e landfillit të mbetjeve urbane, në një zonë që prej vitesh është kthyer në pikën më të nxehtë të krizës mjedisore të kryeqytetit.

Pamje nga shtëpia e Durim Zenelit, Sharrë
Durim Zeneli duke treguar gropën e re të depozitimit të mbetjeve në Sharrë

Durimi u kthye nga emigracioni në vitet 2007–2008. Me paratë e fituara në Greqi ndërtoi shtëpinë në një zonë që atëherë ishte larg nga mbetjet. “Shihja malin e Prushit nga këtu”, tregon ai.

Sot, ndodhet vetëm pak metra nga “qeliza e re” që do të depozitojë tonelata mbetjesh në Sharrë. “Mbajmë dritaret mbyllur. Nuk duam asgjë tjetër, vetëm të largohemi. Por kush do vijë të jetojë tek plehrat?!”, thotë ai i dëshpëruar.

Pamje nga qeliza e re pranë shtëpisë së Durim Zenelit, Sharrë 2025

Landfilli i Sharrës ka një kapacitet total prej 420 mijë metër kub mbetjesh. Në kontratë ishte parashikuar që landfilli do të përballonte kërkesën deri në ndërtimin e inceneratorit, që më pas do të bëntë djegien e plehrave për të prodhuar energji elektrike. Por inceneratori nuk u ndërtua asnjëherë. Për këtë arsye, zona e trajtimit të mbetjeve ndodhet në emergjencë. Plehrat e pesë bashkive të qarkut Tiranë janë bërë kapicë në landfillin që s’ka më vend.

Zgjerimi i kapacitetit për depozitimin e mbetjeve të ngurta u vonua për vite me radhë nga autoritetet përgjegjëse. Pas dy vitesh zvarritje, në fund të vitit të kaluar, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi më në fund lejen për ndërtimin e qelizës së re. Tani, kompania “Integrated Energy” (e administruar nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara) kërkon rishikimin e lejes mjedisore për landfillin, një procedurë që kushtëzon organizimin e një seance dëgjimore me banorët e zonës.

Dëgjesa shurdhe

Pas shumë vitesh të mbuluar nga era e plehrave dhe premtime të papërmbushura, banorët e Sharrës u ftuan në një dëgjesë publike që rezultoi më shumë një monolog se sa një përpjekje për të dëgjuar e adresuar shqetësimet e tyre.

Më 23 maj, kompania “Integrated Energy” organizoi dëgjesën publike me banorët e Sharrës në një hotel pranë rrugës kryesore në Vaqarr. Takimi zgjati vetëm 20 minuta dhe u ndoq nga rreth 50 banorë. Përfaqësuesit shtetërorë shpjeguan se situata në landfill është drejt kufirit të kapacitetit dhe se një “qelizë e re” është domosdoshmëri.

“Çdo ditë depozitohen rreth 1000 ton mbetje nga pesë bashki. Jemi drejt ezaurimit të aftësisë pritëse. Qeliza e re do të jetë gati brenda tre muajve”, u shpreh Indrit Karaj, administratori shtetëror i “Integrated Energy”.

Sipas Karajt, mbetjet do të kapsulohen, zona do të mbulohet me gjelbërim dhe nuk do të ketë “asnjë ndikim në mjedis”.

Banorët e Sharrës në dëgjesën publike me ‘Integrated Energy”
Indrit Karaj- Administrator i ‘Integrated Energy’ në dëgjesën publike me banorët e Sharrës

Por banorët e Sharrës, që prej vitesh jetojnë me erën e plehrave dhe zhurmat e kamionëve, kanë një tjetër realitet për të treguar. Shqetësimi kryesor i tyre ishte gjendja e rënduar e infrastrukturës rrugore, një problem i përsëritur për të cilin ata thanë se kanë marrë vetëm premtime boshe.

“Prezantimi është për qelizën e re. Mos e kanalizojmë takimin mbi rrugën, çështje lokale,” ndërhyri Genc Kojdheli, drejtor në Bashkinë e Tiranës, sapo një banor kërkoi llogari për rrugën e premtuar.

Banorët e tjerë ngritën gjithashtu shqetësime për dherat që, sipas tyre, po hidhen në mënyrë të pakontrolluar pranë zonës së pyllëzuar.

“I hedhin ku të munden, madje edhe në pjesët me gjelbërim që kanë mbetur. Kemi bërë ankesa, por askush nuk reagon,” tha një tjetër banor.

Edhe ky shqetësim mori të njëjtën përgjigje të thatë: “Takimi është për qelizën e re.”

Sipas ligjit shqiptar për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe pjesëmarrjen publike, dëgjesat duhet të jenë të hapura, gjithëpërfshirëse dhe të garantojnë barazi në zë. Por në Sharrë, dëgjimi rezultoi një formalitet 20 minutësh.

“Këta thonë që takimi është për gropën e re… po hallet tona, kur do dëgjohen?”, tha një banor nën zë në fund të takimit.

Kapica me plehra në Sharrë

Pamjet nga Sharra vërtetojnë emergjencën. Ndotja është larg shtëpive të pushtetarëvë që premtonin zhdukjen e plehrave, por vijon të jetë e njëjtë për banorët e fshatit.

“Janë vendgrumbullime as në kushtet e landfillit, sepse thjesht janë mbledhur aty për tu djegur. Por nuk digjen dhe ato krijojnë një bombë ekologjike që rri pret aty. ”, thotë Olsi Nika nga ECO Albania.

Qeliza e re, që tashmë është ndërtuar, ka një kapacitet depozitimi vetëm për një vit. Ekspertët nuk e shohin këtë si zgjidhje afatgjatë, por si një shtyrje të përkohshme të problemit.

“Do të buxhetojnë sërish për asgjesimin e tyre. Sepse zinxhiri i menaxhimit të mbetjeve fillon tek shtepia jote dhe e imja, dhe ky zinxhir nuk është marrë kurrë seriozisht në Shqipëri. Janë bërë programe pilot, shoë, strategjira dhe nuk ka vullnet sepse mbetjet janë lekë.”, argumenton Nika.

Pavarësisht kësaj situate, inceneratori që duhet të digjte plehrat, prej vitesh po “djeg” vetëm paratë publike.

“Nga viti 2018, me nisjen e kontratës për Inceneratorin e Sharrës e deri në Maj 2025 qytetarët shqiptarë kanë paguar 9.18 miliardë lekë kompanisë “Integrated Energy BV SPV”. Pjesa më e madhe e këtyre pagesave është kryer nga bashkia Tiranë dhe Bashkia Durrës”, përllogarit eksperti për ekonominë Ilir Brasha.

Të gjitha këto para janë shpenzuar ndërkohë që kontrata nuk ka filluar akoma punën me incenerimin e mbetjeve, si një nga funksionet kryesore të saj.

“Taksapaguesit veç ndotjes mjedisore, ndikohen edhe nga grabitja po aq e madhe sa ndotja”, thotë eksperti për çështjet e mjedisit, Ahmet Mehmeti.

Lexo edhe:

The post Sharrë, plehrat në derë të banesave appeared first on Faktoje.al.

Defekti detyroi ndryshimin e makinës së Lady Dianës 

23 May 2025 at 14:56

Pretendimi: Dy makina të ndryshme në aksidentin e Lady Dianës ngrenë dyshime

Verdikti:  Mungon konteskti

Aksidenti tragjik i princeshës Diana është një nga ngjarjet që vijon të prodhojë dyshime e teori konspirative. Një prej tyre është dhe “misteri” i fotografive të dy makinave të ndryshme ditën e aksidentit në vitin 1997. 

përshkrimin që shoqëron imazhet shkruhet:“Dy targat e makinës (1) ku hipi Ledi Diana pasi doli nga hoteli 10 min para aksidentit dhe (2) targa e makinës në aksidentin ku thuhet se ajo vdiq në tunel. Çka ndodhur vallë?!”

Postimi ka marrë qindra reagime teksa dhjetra komentues ndajnë të njëjtën teori konspirative duke shtuar se Princesha e Uellsit nuk ka vdekur. 

Faktoje i është referuar informacionit zyrtar të publikuar nga The Independent në vitin 2005, ku për herë të parë u publikuan dokumente të Zyrës së Kabinetit Britanik në bazë të Ligjit për Lirinë e Informacionit. Këto dokumente, të dërguara menjëherë pas ngjarjes mes autoriteteve britanike dhe atyre franceze, hedhin dritë mbi çfarë ndodhi atë natë tragjike.

Sipas dokumenteve, Diana dhe Dodi Al Fayed fillimisht kishin planifikuar të largoheshin me një makinë me qira, por ajo nuk u ndez. Si rrjedhojë, ata hipën në një tjetër Mercedes të drejtuar nga Henri Paul, një shofer i hotelit Ritz. Ky ndërrim i makinës në minutë të fundit ishte pasojë e një defekti teknik dhe jo një skenar misterioz.

Pra, ishin dy makina të ndryshme, të parat me funksionin e makinave të eskortës, dhe të dytat në dispozicion të hotelit. Por ndryshe nga sa pretendohet vetëm një makinë mori pjesë në aksident, ajo me të cilën u larguan Diana dhe Dodi. Targa e kësaj makine është dokumentuar qartësisht nga autoritetet franceze dhe britanike, si dhe nga hetimet që pasuan.

Fotografitë e shpërndara në rrjete sociale tregojnë dy makina të ndryshme me dy targa të ndryshme, por kjo nuk provon një ndërrim të qëllimshëm për të fshehur të vërtetën, siç pretendojnë konspiracionistët. Është e logjikshme që makina e parë dhe makina e dytë të kenë targa të ndryshme, pasi bëhet fjalë për dy automjete të ndryshme.

Hetimet zyrtare në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë Operacionin Paget (2004–2008), i kushtuan vite të tëra analizës së çdo detaji rreth aksidentit dhe nuk gjetën asnjë provë që mbështet teorinë e një komploti të organizuar apo manipulimi të makinës apo targave. Të gjitha provat mbështesin faktin se aksidenti ishte rezultat i një kombinimi tragjik: një ndjekje nga paparacët, shpejtësi e lartë, shoferi i makinës Henri Paul nën efektin e alkoolit dhe një ndryshim i papritur i planit të udhëtimit.

The post Defekti detyroi ndryshimin e makinës së Lady Dianës  appeared first on Faktoje.al.

E keqinterpretuar stërvitja ushtarake kineze në Egjipt 

22 May 2025 at 16:58

Pretendimi: Kjo video tregon avionë kinezë që po dërgojnë ndihma nga Egjipti drejt Rripit të Gazës

Verdikti: E pavërtetë

Një video e disa avionëve ushtarakë në ajër mbi piramidat e Egjiptit po shpërndahet së fundmi në rrjete sociale duke pretenduar se tregon avionët kinezë që sfiduan bllokimin e fluturimeve mbi Gaza nga ushtria izraelite. Një llogari në Facebook e publikoi këtë pretendim më 17 maj 2025, së bashku me përshkrimin e mëposhtëm: “Kina dërgon avionë me ndihma në Gaza, të shoqëruar nga avionë luftarakë.”

Ndërkohë, shumë llogari dhe faqe në Facebook e shpërndanë pretendimin, përfshi edhe përdorues të këtij rrjeti në Shqipëri. 

“Kina s’pyet askënd – dërgon avionë me ndihma dhe sfidon bllokadën”, shkruan një profil shqiptar teksa shpërndan videon ne facebook.  

Kolegët tanë nga ekipi i “Fatabyano” kanë verifikuar pretendimin duke zbuluar se në fakt bëhet fjalë për një stërvitje të përbashkët ushtarake egjiptiano-kineze në Egjipt.

Një kërkim me anë të “reverse image search” në Google, duke përdorur një pamje të shkëputur nga videoja e pretenduar, të çon në Instagram, ku një llogari kishte publikuar pamje të ngjashme2 maj 2025, duke pretenduar se ishin nga stërvitje ushtarake e përbashkët mes Kinës dhe Egjiptit.

Duke vijuar kërkimin me fjalë kyçe, gjen disa burime kineze që kishin publikuar pamje të ngjashme, duke deklaruar se ishin nga stërvitje ajrore të përbashkëta mes ushtrive kineze dhe egjiptiane.

Edhe një raportim i Reuters më datë 6 maj 2025, shkruan: “Uturima e avionëve luftarakë kinezë ushtoi mbi piramidat egjiptiane dhe mund të përhapet në gjithë Lindjen e Mesme, ndërsa Pekini përfundoi stërvitjet ushtarake me Kajron që synojnë të dobësojnë ndikimin strategjik të SHBA-së në këtë rajon të paqëndrueshëm.”

Raportimi shoqërohet gjithashtu me një foto të të njëjtëve avionë që shfaqen në videon që është shpërndarë së fundmi, duke thënë se avionët janë nga stërvitjet e përbashkëta mes ushtrive kineze dhe egjiptiane më 1 maj 2025.

Për më tepër, më 6 maj 2025, faqja zyrtare e zëdhënësit ushtarak të Forcave të Armatosura Egjiptiane publikoi një seri fotosh nga stërvitja ajrore e përbashkët egjiptiano-kineze “Shqiponjat e Qytetërimit 2025”, e cila u zhvillua për disa ditë në një bazë ajrore në Republikën Arabe të Egjiptit.

Po ashtu, Shërbimi Informativ Shtetëror i Egjiptit publikoi të njëjtat imazhe në një raport të titulluar “Stërvitja e Përbashkët Egjiptiano-Kineze (Shqiponjat e Qytetërimit 2025),” që mbulonte zhvillimet kryesore të stërvitjes nga nisja më 19 prill 2025 deri në përfundimin e saj më 6 maj 2025. 

Një nga skenat e videos së pretenduar shfaqet në një nga imazhet e bashkangjitura në raport, si më poshtë: 

Krahasim midis një pamjeje të shkëputur nga klipi i pretenduar (djathtas) dhe një imazhi nga raporti i Shërbimit Informativ Shtetëror të Egjiptit (majtas).

The post E keqinterpretuar stërvitja ushtarake kineze në Egjipt  appeared first on Faktoje.al.

Asnjë bazë për zbulimin e mikroçipëve në vaksinat Pfizer

21 May 2025 at 15:39

Pretendimi: Kjo video tregon se në vaksinat Pfizer ndodhen mikroçipa që vetëmontohen në trup

Verdikti: E pavërtetë

Në rrjete sociale po qarkullon së fundmi një video që pretendohet se vërteton ekzistencën e mikroçipave në një vaksinë Pfizer-BioNTech kundër COVID-19. 

Video është publikuar fillimisht nga Children’s Health Defense, një organizatë amerikane që promovon dezinformim rreth vaksinave në rrjetin social X). Në këtë video, Dr. Ana Mihalcea, një mjeke e specializuar në sëmundjet e brendshme dhe e njohur në rrjet si promovuese e teorive anti-vaksinë, pretendon se ka vëzhguar mikroçipa që vetë-montohen në një vaksinë Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 nën një mikroskop. 

Sipas Mihalceas, videoja tregon “drita që pulsojnë” dhe “mikroçipë që vetë-montohen” të pranishëm në vaksinë. Ajo gjithashtu pretendon se mikroçipat e supozuar janë gjetur edhe në gjakun e pacientëve që kishin marrë vaksinën kundër COVID-19.

Përdorues të ndryshëm e kanë shpërndarë videon në rrjete sociale, duke mbledhur miliona shikime. Edhe në Shqipëri, një profil në rrjetin social Facebook ka ndarë të njëjtën video si provë të abuzimit me vaksinimin anti-Covid.

Nëse ky pretendim do të ishte i vërtetë, Mihalcea do të bëhej njeriu i parë në botë që zbulon mikroçipe nëpërmjet pamjeve më mikroskop pas katër vitesh të ekzistencës së vaksinave anti-Covid. 

Por, verifikimet e kolegëve tanë të Logically Facts i rrëzojnë këto pretendime. Ata kanë kontaktuar nanoteknologen Dr. Michelle Dickinson për të shpjeguar bazën shkencore të pretendimeve që ngre në video mjekja Ana Mihalceas.

Në video, Mihalcea thekson “dritat që pulsojnë” të dukshme në mostrën e supozuar të vaksinës nën mikroskop. Dickinson shpjegoi për Logically Facts se lëngu në preparatin mikroskopik duket i errët dhe vajor, ndërkohë që vaksina Pfizer kundër COVID-19 është një lëng i tejdukshëm. “‘Dritat që pulsojnë’ janë thjesht drita që vijnë nga poshtë mikroskopit dhe kalojnë përmes hapësirave midis flluskave të ajrit apo flluskave të vajit që lëvizin në këtë lëng të trashë dhe viskoz”, shpjegoi ajo.

Ekspertja konfirmon se kushdo që e njeh nanoteknologjinë mund të konfirmojë se nuk ka asnjë bazë shkencore për “mikroçipë që vetë-mblidhen në vaksinë”. Ajo gjithashtu thekson se struktura e supozuar si “mikroçip” në të vërtetë është vendosur sipër lëngut të errët, siç tregohet nga ndryshimi në fokusin e thellësisë. “Kjo strukturë e madhe duket si një copë papastërtie me flluska ajri rreth saj”, sqaron ajo.

Lista e përbërësve të vaksinës Pfizer kundër COVID-19 është e disponueshme publikisht dhe tregon se nuk përmban mikroçipë apo metale. Në fakt, mikroçipët që vetë-mblidhen nuk ekzistojnë fare. “Mikroçipë apo nanoçipë që vetë-mblidhen në trup nuk janë një gjë që ekziston në shkencë”, tha Dickinson. “Nëse një teknologji e tillë do të ekzistonte, nuk do të kishim të gjitha pengesat fizike që kemi sot në fuqinë kompjuterike.”

Mihalcea, autore e librit të mjekësisë alternative Light Medicine, mbështetet në mësimet e J.Z. Knight, udhëheqës i sektit fetar Ramtha’s School of Enlightenment në Yelm, Uashington. Ajo ndan shpesh përmbajtje të ngjashme kundër vaksinave në blogun e saj.

Kjo nuk është hera e parë që pretendime të ngjashme rreth vaksinave COVID-19 qarkullojnë në internet, pasi teoritë e konspiracionit për mikroçipë në vaksina kanë qenë të përhapura që në fillim të pandemisë. Në vitin 2022, Dickinson hodhi poshtë një pretendim të ngjashëm në X, ku imazhe që pretendonin të tregonin “nanoteknologji të padeklaruar” në vaksinat Pfizer u shpërndanë gjerësisht.

The post Asnjë bazë për zbulimin e mikroçipëve në vaksinat Pfizer appeared first on Faktoje.al.

Premtime socialiste me faturë miliardëshe

19 May 2025 at 16:00

Premtimet elektorale të Partisë Socialiste për mandatin e katërt kapin një faturë financiare shumë më të lartë se mundësitë e buxhetit shqiptar? Programi i socialistëve kërkon mbi 29 miliardë euro, ndërsa buxheti i shtetit nuk mjafton as për gjysmën e tij. Një analizë e qendrës ALTAX zbërthen faturën e lartë të investimeve të premtuara duke ngritur pikëpyetje mbi realizimin e tyre.

Esmeralda Topi

Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste siguroi mandatin e katërt duke premtuar rritje të pagave, pensioneve, investime masive në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe bujqësi. Por kur të gjitha këto premtime i vendos në një llogari të thjeshtë ekonomike, rezultati është një fushatë me oferta që i tejkalojnë disa herë mundësitë reale të shtetit shqiptar.

Sipas një analize të qendrës ALTAX, angazhimet e PS-së për periudhën 2025–2029 kapin një kosto nga 19,8 deri në 29,5 miliardë euro. Kjo përkthehet në një barrë financiare vjetore prej 7,6 deri në 12,9 miliardë euro. Ndërkohë, buxheti aktual vjetor i shtetit nuk kalon 8,2 miliardë euro. Ndaj në skenarin më modest kjo faturë kërkon rritje të buxhetit me të paktën 30–40%. 

Investimet sipas sektorëve

Të dhënat e përpunuara nga qendra ALTAX mbi kostot buxhetore të premtimeve të Partisë Socialiste për periudhën 4-vjeçare përbëjnë një skenar ambicioz, por sfidues për t’u përballuar me burimet aktuale të buxhetit të shtetit. 

Referuar të dhënave, sektorët më të kushtueshëm për buxhetin publik janë energjia, infrastruktura dhe zhvillimi rajonal. 

  • Energjia, me një kosto prej 8–12 miliardë euro në 4 vite.
  • Infrastruktura, me 5.9 miliardë euro.
  • Uji dhe zhvillimi rajonal, që kërkon 6.7 miliardë euro.

Po ashtu, një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve e mbajnë edhe sektorët socialë si punësimi, pensionet, shëndetësia dhe arsimi. 

  • Punësimi dhe pensionet: 4.68 miliardë euro.
  • Shëndetësia dhe mbrojtja sociale: 4.304 miliardë euro.
  • Arsimi: 2.4 miliardë euro.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëvë të ALTAX sektorët me më pak kosto për buxhetin në katër vitet e ardhshme do të jenë rendi, siguria si dhe mjedisi dhe kultura. 

  • Rendi, siguria dhe shërbimet publike, me një total prej vetëm 250 – 400 milionë euro për 4 vite.
  • Turizmi, mjedisi dhe kultura, me 1.5 miliardë euro.

Në mungesë të një “shkopi magjik”, buxheti është i vetmi filtër që ndan premtimet nga realiteti. Dhe ky filtër, nisur nga premtimet e bëra, tregon se fushata e 11 majit ishte më shumë një treg ofertash të lakmueshme sesa një plan pune i zbatueshëm.

Masat thelbësore 

Analiza e qendrës ALTAX tregon se programi i PS është i kushtueshëm dhe jo i përballueshëm në kushtet aktuale, nëse nuk merren parasysh masa thelbësore si:

  1. Rishikimi i prioriteteve buxhetore, për të fokusuar fondet në sektorët më urgjentë dhe me impakt më të gjerë afatgjatë.
  2. Zgjerimi i bazës tatimore dhe rritja e të ardhurave përmes formalizimit e dixhitalizimit të ekonomisë.
  3. Përdorimi i skemave hibride financimi, përmes partneriteteve publiko-private dhe mbështetjes së donatorëve ndërkombëtarë, veçanërisht për infrastrukturën dhe energjinë.
  4. Zgjatja e afatit të implementimit të projekteve madhore në 6–10 vite, për të mos e përplasur ekonominë me një barrë të menjëhershme.
  5. Menaxhim i kujdesshëm i borxhit publik, për të mos kaluar pragun e qëndrueshmërisë prej 70% të PBB-së.

Përfundim

Premtimet elektorale të kësaj fushate nga Partia Socialiste janë më shumë dëshmi e një gare për vota, sesa plane të mbështetura në realitete financiare. Mungesa e analizave të detajuara për kostot dhe burimet e financimit i bën premtimet jo të besueshme. Pa reforma të thella dhe një transparencë më të madhe fiskale, shumë nga këto angazhime rrezikojnë të mbeten në letër për t’u ricikluar për votuesit pas katër vitesh.

The post Premtime socialiste me faturë miliardëshe appeared first on Faktoje.al.

Me pasaportë europiane, por pa fonde IPARD për bujqësinë

15 May 2025 at 12:00

Esmeralda Topi

Dy vite më parë, teksa Shqipëria priste të niste programin e mbështetjes në bujqësi IPARD III me 146 milionë euro grante, Komisioni Evropian pezulloi fondet, bazuar në dyshimet për korrupsion.

Qeveria ka dy vite që përpiqet ta minimizojë këtë masë ekstreme ndaj Shqipërisë. Në kulmin e fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama u përpoq të zbusë perceptimin publik për çështjen, duke e paraqitur si një problem teknik dhe jo si pasojë e korrupsionit të mundshëm.

“Komisioni Evropian ka një strukturë auditimi të fondeve ka gjetur disa parregullsi dhe ka kërkuar që ne të adresojmë parregullsitë nga pikëpamja sistemike. Dhe ne po bëjmë ekzaktësisht këtë gjë”, tha Rama gjatë një interviste televizive.

Fakt

E vërteta është se, Komisioni Evropian ka ngritur dyshime serioze për keqpërdorim fondesh dhe jo thjesht “parregullsi teknike” Për këtë arsye, në korrik të 2023 KE ndaloi përkohësisht financimin deri në rikthimin e besimit tek funksionimi i strukturave shqiptare që menaxhojnë fondet.

Në një letër drejtuar qeverisë shqiptare asokohe, Brukseli informonte mbi mangësitë serioze në funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm për zbatimin dhe kontrollin e fondeve të IPARD II në Shqipëri.

Madje, në një reagim të posaçëm për Faktoje, Komisioni Evropian konfirmoi asokohe se vendimi për Shqipërinë ishte i paprecedentë.

Prej asaj kohe, autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje për të plotësuar kërkesat dhe kushtet që duhet të plotësojnë në mënyrë që vendi të rifitojë fondet e ndërprera për bujqësinë shqiptare.

Qeveria shqiptare duhet të vërtetojë ndër të tjera se respekton parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar, transparencës dhe mosdiskriminimit, si dhe të garantojë mbrojtje të interesave financiare të BE-së, duke zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare që mundësojnë parandalimin, identifikimin, raportimin dhe korrigjimin e parregullsive për mashtrim.

IPARD ‘oksigjen’ për bujqësinë

Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian.

Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, që u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, vendi ynë përfitoi mbi 71 milionë euro.

Por prej dy vitesh bujqësisë shqiptare i janë ndërprerë pagesat për IPARD II dhe njëkohësisht janë ‘ngrirë’ fondet prej 146 milionë euro për programin IPARD III. Kjo çështje ka ngritur shqetësim mes aktorëve të fushës, të cilët kërkojnë veprim të shpejtë nga institucionet për zhbllokimin e fondeve dhe rritjen e mbështetjes për sektorin.

“Fondet IPARD ishin i vetmi burim oksigjeni për bujqësinë shqiptare, pasi mbështetja buxhetore është e papërfillshme. Institucionet duhet të marrin përgjegjësitë që ju takojnë në mënyrë që Komisioni Evropian të çel këto fonde sërish dhe sa më parë”, thotë Eduard Sharka, kryetar i Shoqatës së Fermerëve.

“Do të duhet që fondet kombëtare të cilat fillojnë të jenë të aksesueshme në fillim të vitit t’i bëhet një rishikim në bazë të nevojave reale që ka ky sektor, nëse do të duam që ai të jetë ende një sektor prioritar”, shton ekspertja për ccështjet e bujqësisë Esmeralda Ballesha.

Krahas mungesës së fondeve IPARD, sektori bujqësor në Shqipëri po përballet edhe me pasojat e rënda të emigrimit masiv dhe politikave të mbrapshta fiskale. Në fund të vitit të kaluar, të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave faktuan krizën në bujqësi.

Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, prodhimi bujqësor në Shqipëri u tkurr me 2,7 % në terma vjetorë.

Përfundim

Deklarata e kryeministrit Edi Rama, se Komisioni Evropian ka gjetur “vetëm parregullsi” dhe jo probleme të natyrës korruptive, është e pavërtetë. Dokumentet dhe vendimet zyrtare të Komisionit Evropian tregojnë se vendimi për pezullimin e fondeve IPARD është marrë për arsye të thella sistemike dhe dyshime për korrupsion, jo vetëm për mangësi teknike.

The post Me pasaportë europiane, por pa fonde IPARD për bujqësinë appeared first on Faktoje.al.

Statusi ‘Non Grata’ i Berishës, DASH i përgjigjet Faktoje.al

13 May 2025 at 11:00

Esmeralda Topi

Tre ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit, një deklaratë e një zëdhënësi të Departamentit Amerikan të Shtetit, e përcjellë nga gazetari amerikan Marc Caputo, bëri jehonë të madhe në Shqipëri.

Në një postim në platformën “X”, Caputo citonte DASH-in, duke shkruar se “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA

Postimi përfshinte edhe një koment të Departamentit të Shtetit mbi përjashtimet e mundshme për individë të caktuar.

“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”

Më tej në reagim theksohej se SHBA nuk do të lejonte që vendimet e politizuara të epokës së Biden-it të pengonin interesat e saj në politikën e jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë

Përgjigja, ndonëse fliste për mundësi përjashtimesh dhe jo për heqje të shpalljes “Non Grata”, u interpretua gjerësisht në Tiranë si heqje e sanksionit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

Postimi i gazetarit amerikan u përhap me shpejtësi në Shqipëri. Vetë Berisha u tregua i kujdesshëm ndërsa politikanëndryshëm pranë Partisë Demokratike e interpretuan reagimin e DASH si heqjesanksionit ‘Non Grata’ për Berishën.

Tituj si “SHBA i heq Non Grata-n Berishës” apo “DASH rrëzon sanksionin ndaj Berishës” u shpërndanë me shpejtësi në portale dhe rrjete sociale, duke ndezur debatin publik vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve.

Verifikim

Për të verifikuar saktësinë e këtyre pretendimeve, Faktoje i drejtoi një kërkesë zyrtare Departamentit Amerikan të Shtetit me dy pyetje të drejtpërdrejta:

  • 1.       A e ka hequr Departamenti i Shtetit statusin ‘Non Grata’ për ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha?
  • 2.       A ka dhënë SHBA një përjashtim (waiver) për të lehtësuar udhëtimin e tij drejt Shteteve të Bashkuara?

Në një reagim të shkurtër, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Faktoje.al:“Departamenti nuk ka asgjë për të raportuar mbi këtë përcaktim në këtë moment”

Në këtë reagim Departamenti i Shtetit nuk konfirmon dhe as mohon mundësinë e ndonjë ndryshimi në statusin ‘Non Grata’ të Sali Berishës, si dhe nuk jep informacion për ndonjë përjashtim apo leje hyrjeje në SHBA. Në thelb, DASH mban një qëndrim “pa koment” mbi çështjen për momentin, duke lënë të kuptohet se pozicioni i mëparshëm i SHBA ndaj Berishës mbetet ende në fuqi.

Edhe në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit ende figuron vendimi për shpalljen “Non Grata” të Berishës. Por zhvillimet e fundit sipas politologut Ermal Hasimja tregojnë se qendrimi zyrtar i SHBA-ve mund të ndryshojë duke lehtësuar ose ndryshuar plotësisht statusin ‘Non Grata’ të Berishës.

“Megjithatë, në raport me fushatën zgjedhore unë mendoj që nuk do ndryshojë asgjë. Ata që e votojnë ose nuk e votojnë Berishën nuk do të ndikohen nga statusi ‘Non Grata’ ose jo i tij”, thekson më tej Hasimja.

Qasja e Departamentit të Shtetit në raport me politikën e jashtme dhe aleatët strategjikë, përfshirë edhe Ballkanin ka ndryshuar me ardhjen e administratës Trump. Republikanët kanë kritikuar ashpër administratën Biden për lidhje të afërta me filantropin George Soros dhe për ndërhyrje në punët e brendshme të vendeve partnere. Ish sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, i është hequr leja e sigurisë nga administrata e re, ndërsa vetë Donald Trump e ka quajtur atë një “djalë të keq”.

Statusi “Non Grata”

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u shpallën “Non Grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit më 19 maj 2021.

Njoftimi për shpalljen ‘non grata’ u bë i ditur nga Sekretari i Shtetit asokohe, Antony Blinken, i cili shkroi në një mesazh në “Twitter” se Berisha dhe familja e tij u shpallën zyrtarisht të papërshtatshëm, ndaj dhe iu ndalohet hyrja në SHBA.

“Akte korrupsioni të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi bashkë kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante ish Sekretari Amerikan i Shtetit.

Berisha i ka mohuar deklaratat e Blinken dhe ka akuzuar publikisht kryeministrin Edi Rama dhe miliarderin George Soros për ndërhyrje në këtë vendim.

Përfundim

Reagimi zyrtar i Departamentit të Shtetit për Faktoje.al konfirmon se aktualisht nuk ka asnjë zhvillim të ri në lidhje me sanksionin ‘Non Grata’ të Sali Berishës. Interpretimet e fundit publike nuk mbështeten nga fakte apo dokumente zyrtare.

The post Statusi ‘Non Grata’ i Berishës, DASH i përgjigjet Faktoje.al appeared first on Faktoje.al.

❌
❌