Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 July 2025Main stream

Dredha: Gjoba për ndotësit e ambientit

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha sot se të do të ndëshkohen me gjoba të gjithë ata që nuk pyesin as për ambientin, as për qytetin dhe as për punën e njerëzve që pastrojnë mbetjet e hedhura ku t’iu teket bizneseve apo individëve.

Kryebashkiaku Dredha ndau në rrjetet sociale foto nga gjobat e vendosura sot ndaj subjekteve dhe individëve, që lënë thasët me mbetje jashtë kazanëve.

Dredha tha se “detyrohemi të marrim masa për sjellje bazike siç janë hedhjet e mbetjeve në kosh! Thasë të tërë, lihen në mes të ditës, menjëherë pas pastrimit të kontenierëve! Gjobat nuk do të ndalen”.

Edhe më herët, Dredha ka bërë thirrje publike për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke theksuar se Vlora është një qytet që u përket të gjithëve dhe kërkoi angazhim të përbashkët për ta mbajtur të pastër dhe të rregullt.

Në një reagim publik, Dredha apeloi për ndërgjegjësim qytetar për çështje të tilla si hedhja e mbeturinave jashtë orarit të përcaktuar, parkimet e paligjshme dhe mungesa e kujdesit ndaj hapësirave publike.

“Rregulli, pastërtia dhe qarkullimi nuk janë privilegj, janë detyrim kolektiv dhe kulturë urbane. Për këtë nevojitet edukim dhe disiplinë qytetare, jo thjesht ndëshkim”, u shpreh ai.

Sipas tij, Bashkia do të përcaktojë orare të qarta për hedhjen dhe grumbullimin e mbetjeve, duke i bërë ato publike dhe të detyrueshme për t’u respektuar nga qytetarët, bizneset dhe shërbimet përkatëse.

“Kjo është një thirrje për reflektim dhe bashkëpunim, që të gjithë të japin kontributin e tyre me propozime konkrete në dëgjesa publike dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve,” përfundoi Dredha.

Ai shtoi se qyteti do të jetë ashtu siç sillemi me të, duke e konsideruar Vlorën si shtëpinë e përbashkët të të gjithëve.

Foto nga gjobat e vendosura për ndotësit e ambientit në Vlorë
1 nga 7

/e.i/j.p/

The post Dredha: Gjoba për ndotësit e ambientit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Maratona në Pogradec, Policia plan masash për garantimin e sigurisë

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Policia e Korçës ka publikuar sot planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të Maratonës Kombëtare dhe Ndërkombëtare, ditën e nesërme në qytetin e Pogradecit.

Policia njofton se më datë 26.07.2025, në orën 19:00, në qytetin e Pogradecit, shoqata “Maraton Albania” në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, do të organizojnë një aktivitet sportiv maratonë, në kuadër të pjesëmarrjes në Maratona Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Ky aktivitet përfshin dy disiplina garuese:

Half maratonë (21 km): nisja nga fshati Lin, përgjatë aksit rrugor buzë liqenit, dhe përfundon në qendër të qytetit të Pogradecit;

Mini maratonë (10 km): nisja nga qendra e qytetit, përgjatë aksit Pogradec – Buçimas – Tushemisht, dhe kthim në pikën e nisjes, në qendër të qytetit, përgjatë shëtitores buzë liqenit dhe unazës lidhëse.

Sipas Policisë, “për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë do të marrin masat e nevojshme për: ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike; garantimin e sigurisë rrugore dhe të garuesve; menaxhimin e qarkullimit dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme rrugore”.

Si rezultat i kësaj, Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit:

Në aksin “Lin- Pogradec”, do të bllokohet krahu i majtë i rrugës;

Në aksin “Tushemisht – Pogradec”, do të bllokohen të dy korsitë;

Gjithashtu, do të bllokohen përkohësisht edhe disa segmente brenda qytetit të Pogradecit, deri në përfundimin e aktivitetit.

Orari i bllokimit: nga ora 19:00 deri në orën 21:00.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë kërkon mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës për këto masa të përkohshme dhe ju falënderon për bashkëpunimin në funksion të zhvillimit të sigurt të këtij aktiviteti sportiv ndërkombëtar.

/e.i/j.p/

The post Maratona në Pogradec, Policia plan masash për garantimin e sigurisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Automjeti pësoi defekt, Policia e Përmetit ndihmon dy turistet franceze

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet u kanë shkuar në ndihmë dy turisteve franceze, të cilat mbetën në mesnatë, në fshatin Bajkollar, për shkak të një defekti në automjetin me të cilin po eksploronin zonën.

Policia bën me dije se sapo u njoftua rreth orës 00:10, se dy turiste franceze kishin mbetur në territorin e fshatit Bajkollar, për shkak se automjeti i tyre kishte defekt, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet shkuan në zonë, për t’iu ofruar ndihmë.

Sipas Policisë, turistet u lokalizuan dhe më pas u transportuan në ambientin ku ishin akomoduar në Përmet, ndërsa janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjithashtu, u transportua automjeti me defekt.

Turistet kanë falënderuar shërbimet e Policisë së Përmetit, për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

Policia e Gjirokastrës mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe të vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

/e.i/j.p/

The post Automjeti pësoi defekt, Policia e Përmetit ndihmon dy turistet franceze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sherr me sende të forta në shëtitoren e Sarandës, shpallen në kërkim 5 shtetas italianë

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim pesë shtetas italianë, pas një konflikti të dhunshëm fizik të ndodhur në shëtitoren e qytetit, mëngjesin e datës 24 korrik, rreth orës 01:30.

Policia e Sarandës sqaron se në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, që pasqyron një konflikt fizik mes disa shtetasve në shetitoren e Sarandës, ngjarja ka ndodhur më datë 24.07.2025, rreth orës 01:30, dhe menjëherë pas saj, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë nisur veprimet procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj të plotë ligjor.

Në njoftimin zyrtar, thuhet se nga hetimet ka rezultuar se dy grupe shtetasish italianë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, ku kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta.

“Në përfundim të veprimeve procedurale  u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasit italianë: G. T., 23 vjeç, M. A., 20 vjeç, S. D., 60 vjeç, A. L., 19 vjeç, S. B., 19 vjeç, të gjithë banues në Napoli, Itali”, thuhet në njoftim.

Policia nënvizon se këta 5 shtetas janë konfliktuar dhe kanë goditur me sende të forta shtetasit italianë G. M., 19 vjeç, F. D., 22 vjeç, L. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Avelino, Itali.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori edhe për shtetasin italian E. G., i cili nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitet të paligjshëm për shitje biletash për festa, pa lejen përkatëse, si dhe kishte punësuar në këtë aktivitet shtetas të pasiguruar.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.

/e.i/j.p/

The post Sherr me sende të forta në shëtitoren e Sarandës, shpallen në kërkim 5 shtetas italianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prezantohet drafti i Kodit të ri Penal, Manja: Përgjigje për format e reja të kriminalitetit, miratimi pas certifikimit në Bruksel

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u shpreh sot se hartimi i një Kodi të ri Penal nuk është një ngjarje e zakonshme, por një moment i rrallë institucional që shënon jo vetëm rregullimin juridik të një epoke të re, por edhe pjekurinë demokratike të një shoqërie që ka nevojë përditësojë normat penale me zhvillimet shoqërore, kushtetuese dhe ndërkombëtare.

Në aktivitetin për prezantimin e draftit përfundimtar të Kodit të Ri Penal, ku të pranishëm ishin edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, aktorë kryesorë të sistemit të drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë, universitete, shoqëri civile dhe media, ministri Manja tha se “ky moment shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës në vend“.

“Ky draft, që sot hyn në fazën e konsultimit publik, është një dokument themelor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari “, tha Manja.

“Në një shtet të së drejtës, Kodi Penal është shtylla themelore e kontratës sonë sociale. Ai përkufizon qartë kufirin ndarës mes sjelljes së lejuar dhe asaj të dënueshme dhe është një instrument i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e rendit kushtetues, të drejtave dhe sigurisë juridike të çdo individ”, tha ministri Manja.

Sipas ministrit të Drejtësië, ”Kodi Penal në fuqi u miratua në janar të vitit 1995 dhe hyri në fuqi në 1 qershor të po atij viti, në një kohë kur Shqipëria sapo kishte dalë nga një regjim totalitar dhe kishte nisur ndërtimin e një sistemi të ri drejtësie”.

”Ai përbënte një akt themelor modernizues, për të hequr dorë nga logjika penale e asaj kohe dhe për të përafruar legjislacionin me modelet penale të kohës. Kërkesa për të pasur një Kod Penal të ri nuk është çështje politike, por nevojë e një shteti dhe shoqërie që transformohet çdo ditë. Gjithashtu, është edhe nevojë e një dinamike të re kushtetuese institucionale dhe integruese që duhet reflektuar në Kodin e ri Penal”, vijoi ai.

Ministri Manja u shpreh se Kodi Penal që është në fuqi në momentin e miratimit në vitin 1995 kishte 285 nene dhe 550 paragrafe në strukturë. Sipas Manjës, pas 30 ndërhyrjesh të njëpasnjëshme në kohë të ndryshme, ai numëron rreth 327 nene dhe mbi 750 paragrafe, pra 40 nene dhe 200 paragrafë më shumë të ndryshuar në mënyrë të fragmentarizuar dhe pa koherencë sistemike.

”Kodi i ri Penal do duhet të ketë si bazë kushtetuese, Kushtetutën e vitit 1998, ndërsa kur u miratua në vitin 1995 baza ishte ligji për dispozitat kushtetuese të vitit 1991. Format e reja të kriminalitetit kërkojnë përgjigje të qarta dhe përshtatshme penale.

Reforma në drejtësi ka rikonfiguruar sistemin institucional duke bërë të domosdoshëm rishikimin e normës penale”, shtoi Manja.

Ministri i Drejtësisë u ndal edhe te procesi i integrimit të Shqipërisë në BE që kërkon një përafrim të plotë të Kodit penal me hakinë e BE-së, direktivat evropiane dhe jurisprudencën e pasur të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.

”Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi paraqet vështirësi për prokutorët, avokatët dhe gjyqtarët. Rikonceptimi i Kodit ishte i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Puna për të pasur një draft pune penal të kryesuar nga prof. Arben Rakipi kishte filluar që në vitin 2019, por në shkurt të vitit 2023, ministri i Drejtësisë e ngarkoi këtë grup pune zyrtarisht për të hartuar Kodin e ri Penal, që nga sot do të jetë për konsultim publik”, pohoi Manja.

Ministri i Drejtësoi tha se ”ky draft nuk është produkt i Qeverisë apo Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa MD ka pasur dhe do ketë deri në fund rol organizues dhe mbështetës. Autorësia intelektuale dhe përmbajtja teknike është në pronësi të grupit të punës në çdo fazë të konsultimit publik”.

Gjithashtu, drafti pritet të marrë vulën e certifikimit në Bruksel sipas Manjës, dhe pastaj qeveria do të vijojnë me procedurat e miratimit parlamentar me shumicë të cilësuar, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Ministri Manja i bëri ftesë opozitës që të kontribuojë me ekspertizë të mirëfilltë dhe diskutime për Kodin e ri Penal, si një akt shtetëror të rëndësishëm për funksionimin e shtetit dhe drejtësisë në një vend që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane deri në vitin 2030.

/e.i/

The post Prezantohet drafti i Kodit të ri Penal, Manja: Përgjigje për format e reja të kriminalitetit, miratimi pas certifikimit në Bruksel appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Shërbim shëndetësor në banesë për të sëmurët kronikë apo në pamundësi lëvizjeje

TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Shërbimet e Kujdesit Shëndetësor në Banesë vijojnë të zgjerohen në të gjithë vendin, duke u ardhur në ndihmë kryesisht të moshuarve dhe pacientëve kronikë që e kanë të vështirë të paraqiten në qendrat shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përcolli sot mesazhet e falënderimit të pacientëve që marrin këtë shërbim në banesë, por edhe të familjarëve të tyre që kanë shprehur vlerësimin për marrjen në kohë të këtij shërbimi.

Koçiu u shpreh se “fuqizimi i këtij modeli të kujdesit në komunitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është kthyer në një realitet të prekshëm për mijëra qytetarë në të gjithë vendin, veçanërisht për ata që përballen me sëmundje kronike apo vështirësi në lëvizje“.

Ndërkaq, vajza e pacientes Razie Jaupaj në Patos thotë se shërbimi ka qenë maksimal në çdo moment si ditën dhe natën.

“Mamaja vuan nga azotemia, nga zemra, tensioni, hemoragjia në pjesët e brendshme dhe shërbimi në familje është një nga gjërat më të mira që MSHMS ka vendosur për këta pacientë. Shërbimi në shtëpi ka qenë maksimal në çdo moment, si ditën dhe natën“, tha ajo.

Gjithashtu, mjeku në Njësinë Administrative Dajç thotë se në këtë paketë shërbimi janë të përfshirë gjashtë pacientë.

“Në bazë të rregullores, ne bëjmë ndjekjen në banesë të këtyre të sëmurëve. Infermierja bën tre herë në javë vizitë te këto pacientë që i ka në ngarkim. Përveç vizitës, bën hedhjen në sistem të formularit të vizitës me të gjitha të dhënat sipas formularit. Aktualisht gjendja e këtyre acientë është stabël“, u shpreh mjeku.

Familjarët e këtyre pacientëve thonë se janë shumë të kënaqur nga përkushtimi i gjithë ekipit të mjekëve, që janë përgjigjur me të gjitha mjetet dhe mundësitë e tyre.

“Shërbimi në banesë jepet nga një ekip multidisiplinar mjekësh i përbërë nga infermierë, mjekët e familjes dhe punonjësi social“, tha mjekja pranë Qendrës Shëndetësore Nish-Tulla në Durrës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka theksuar se “ky program po shtrihet në 36 Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe 356 qendra shëndetësore, duke mundësuar mbi 58,700 vizita dhe procedura vetëm gjatë vitit 2024, për rreth 5,200 pacientë“.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Shërbim shëndetësor në banesë për të sëmurët kronikë apo në pamundësi lëvizjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Pasuri me origjinë kriminale, sekuestrohet 1052 m2 truall në Durrës

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije se është sekuestruar në Durrës, një pasuri e dyshuar se është përfituar nga veprimtaritë kriminale.

Në një njoftim, Policia bën me dije se seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bëri ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, për konfiskimin e pasurisë në përdorim të shtetasit L. K.

Policia thekson se këtij shtetasi iu sekuestruan 1050 m2 truall, si dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë.

“Pasuria iu dorëzua Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në prezencë të familjarëve të shtetasit L. K”, thuhet në njoftim.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi L. K. i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaria kriminale e 2 djemve të tij, të cilat janë të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Dy vëllezërit janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

/e.i/j.p/

The post Pasuri me origjinë kriminale, sekuestrohet 1052 m2 truall në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Vlorës arreston 2 të shpallur në kërkim

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë punën për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ndaj shtetasve në hetim apo të dënuar.

Në këtë kuadër, sipas Policisë u vunë në pranga dy shtetas.

Policia bën me dije se u arrestuan shtetasit, G. D., 31 vjeç, banues në Vlorë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 1 vit, 10 muaj e 17 ditë burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe K. J., 31 vjeç, banues në Sarandë, ndaj të cilit Prokuroria e Sarandës ka lëshuar urdhër ndalimi, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në Sarandë, ku u plagosën me armë zjarri dy shtetas.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.

/e.i/

The post Policia e Vlorës arreston 2 të shpallur në kërkim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parkim i gabuar, Policia e Tiranës procedon penalisht 24 shtetas

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës vijon kontrollet intensive kundër parkimeve të gabuara që pengojnë lëvizjen në kryeqytet.

Në një njoftim, Policia bën me dije se janë proceduar penalisht 24 shtetas, të cilët kishin parkuar automjetet në mënyrë të parregullt, duke bllokuar lëvizjen e lirë të mjeteve dhe qytetarëve.

Policia nënvizon se automjetet e konstatuara janë tërhequr me mjet ngritës nga Policia Rrugore e Tiranës.

Policia e Tiranës vijon kontrollet intensive në terren, me fokus parandalimin dhe ndëshkimin e parkimeve të parregullta që kufizojnë qarkullimin e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.

Në këtë kuadër, bazuar në nenin 293, u proceduan penalisht shtetasit: R. M., 23 vjeç; E. H., 34 vjeç; I. M., 24 vjeç; F. H., 65 vjeç; S. D., 30 vjeç; K. F., 24 vjeç; E. N., 43 vjeç; R. C., 50 vjeç; E. Sh., 23 vjeç; K. M., 59 vjeç; J. M., 32 vjeç; L. G., 38 vjeç, R. K., 26 vjeç, R. T., 42 vjeç, K. K., 34 vjeç, R. P., 32 vjeç, H. K., 50 vjeç, E. B., 47 vjeç, E. H., 32 vjeç, K. B., 32 vjeç, O. S., 41 vjeç, G. F., 44 vjeç, E. Sh., 27 vjeç dhe R. Z., 23 vjeç.

Policia e Tiranës do të vijojë kontrollet në terren, me fokus disiplinimin e qarkullimit dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje që cenon sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në hapësirat publike.

/e.i/j.p/

The post Parkim i gabuar, Policia e Tiranës procedon penalisht 24 shtetas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në malin e Finiqit, procedohet penalisht 59-vjeçari

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Ndezi zjarr dhe si pasojë u dogj një sipërfaqe toke me bimësi në malin e Finiqit, identifikohet dhe procedohet penalisht 59-vjeçari.

Policia bën me dije se si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e zjarrvënieve të qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. Ç., 59 vjeç, banues në Finiq.

Sipas Policisë, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 23.07.2025, rreth orës 21:30, ka ndezur zjarr në zonën e quajtur “Mali i Finiqit”, dhe si pasojë janë djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të dendur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

/e.i/j.p/

The post Ndezi zjarr në malin e Finiqit, procedohet penalisht 59-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: “Shefqet Ndroqi” pajiset me aparaturën jetëshpëtuese, e para e këtij lloji në Shqipëri

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Qendra Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi” e cila u shërben pacientëve me sëmundje respiratore në mbarë vendin është pajisur me një tjetër aparaturë mjekësore jetëshpëtuese për trajtimit e pacientëve me stenoza të kalcifikuara dhe fibrotike në arteriret koronare.

Ministrja Koçiu ndau sot lajmin, ndërsa tha se inovacioni në shërbim të pacientit mbetet gjithmonë një prioritet.

Sipas Koçiut, “pajisja Rotablator, e para e këtij lloji në Shqipëri, tashmë është në funksion dhe po përdoret me sukses për trajtimin e stenozave të kalcifikuara dhe fibrotike në arteriet koronare”.

“Kjo teknologji e avancuar bën të mundur realizimin e procedurave të ndërlikuara të angioplastikës, duke shmangur operacionet e hapura dhe ofruar një trajtim modern, të sigurt dhe minimalisht invaziv për pacientët me koronaropati”, tha Koçiu.

Mjeku kardiolog Argron Meshi, pranë Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi”, shprehet se “Rotablator është një pajisje e re me anë të së cilës realizohen procedura të vështira stentimi”.

“Kjo do të thotë se stenoza të kalcifikuara dhe fibrotike që e bëjnë shumë të vështirë të kalohen nëpërmjet stendës ose me balonë, falë kësaj pajisjeje arrihet të bëhet një gërryerje e pjesës së kalcifikuar që të realizohet kalimi i stendit dhe i balonit, si edhe stendimi në mënyrë të suksesshme”, tha ai.

“Kjo është një pajisje që futet për herë të parë në Shqipëri dhe falë kësaj duke arritur suksesin e procedurës së stenimit, shumë pacientë shpëtojnë nga operacioni bypass. Deri tani që nuk e kemi pasur këtë pajisje, kemi qenë të detyruar t’i çojmë pacientët në kirurgji”, përfundoi Meshi.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: “Shefqet Ndroqi” pajiset me aparaturën jetëshpëtuese, e para e këtij lloji në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kthesa e këtij viti në plazhet publike, hapi i parë i një qasjeje të re ndaj buzës së detit

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Lirimi i hapësirave publike, po vazhdon në të gjithë vendin, jo vetëm në zonat urbane, por edhe në bregdet. Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike është në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror. 

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale, foto të fenomenit të zaptimit të hapësirës së një plazhi publik te Gjiri i Lalëzit, ndërsa kreu i qeverisë ngre pyetjen: “A ia vlen të humbasësh gjithë këta shezlongë e çadra për të sfiduar shtetin?!”.

Rama tha se “në Lalëz këta e gdhinë si zaptues me qindra çadra dhe e ngrysën si të përzënë me duar në xhepa”. 

Kreu i qeverisë theksoi se “kthesa e këtij viti me plazhet publike është vetëm hapi i parë i një qasjeje të re ndaj buzës së detit, e cila është e të gjithë shqiptarëve jo vetëm e disa tregtarëve”.  

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë. 

1 nga 2

/e.i/ /r.e/

The post Rama: Kthesa e këtij viti në plazhet publike, hapi i parë i një qasjeje të re ndaj buzës së detit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protestë për Palestinën në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Pasditen e sotme, në sheshin “Skënderbej” u organizua protesta në emër të kauzës për vuajtjet e popullit palestinez në Gaza, për shkak të konfliktit me Izraelin. 

Protesta nisi në orën 18:00 dhe u zhvillua nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”. Në këtë protestë, u bashkuan edhe qytetarë të shumtë, mes tyre edhe aktivistja e njohur suedeze Greta Thunberg, e cila bëri thirrje në shqip: Liri për Palestinën! 

Në fjalën e saj, Thunberg tha se arsyeja pse lufta në Gaza ka degraduar në gjenocid është heshtja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj akteve të Izraelit, që kanë ardhur duke u përshkallëzuar. 

Sipas medieve, aktivistja tha se “Gaza ka hyrë në fazën e 5 të kequshqyerjes, ndërkohë që në anën tjetër të kufirit mijëra kamionë me ndihma ushqimore presin për të hyrë. Kjo është pasojë direkte e heshtjes së botës që e lejoi Izraelin të kryente këtë gjenocid. Kjo është në vazhdim të politikave të paligjshme të Izraelit, që ka shkatërruar furrat e bukës për të vazhduar fushatën e urisë në Gaza. Shterimi i resurseve natyrore, ndryshimi klimatik shkojnë dorë më dorë për me shtypjen dhe palestinezët po dëshmojmë këtë në radhë të parë”. 

/e.i//r.e/

The post Protestë për Palestinën në sheshin “Skënderbej” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan foton nga Londra

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike në rrugë dhe lagje të ndryshme të kryeqytetit, por edhe në bashkitë e tjera të vendit, po zhvillohet ende. 

Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale një foto, ku shfaqet një bar në Londër (Angli), ndërsa shtesa e lokalit ka zaptuar trotuarin.  

“Nuk e di a e kanë vërtetë shqipot këtë lokalin me shtesa mbi trotuar në Londër, po qesha shumë kur ma çuan dhe po e ndaj me ju për pak humor”, shkruan Rama.  

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë. 

Gjatë gjithë muajit korrik lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror. 

Lirimi i hapësirave në qytete dhe plazhet publike në të gjithë vendin, si edhe i hapësirave të përbashkëta mes pallateve, pritet të sjellë më shumë hapësira në shërbim të qytetarëve, si edhe një bashkëjetesë brenda standardeve për të gjithë. 

/e.i//r.e/

The post Rama ndan foton nga Londra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekstradohet nga Dubai një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot se në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, rreth orës 16:30, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar Denis Bajri 37 vjeç. 

Sipas Policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. 

Në njoftim thuhet se “Denis Bajri, në përfundim të procedurave iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme së Burgjeve”. 

/e.i//r.e/

The post Ekstradohet nga Dubai një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prefekti Jole: Rritje e bashkëpunimit midis strukturave për përballimin e situatave të zjarreve

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Komiteti i Mbrojtjes Civile zhvilloi një mbledhje të përbashkët me Prefekturën e qarkut Korçë, për të diskutuar rreth situatës së krijuar nga zjarret.

Prefekti i Korçës, Nertil Jole bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Ministrinë e Brendshme, Arben Cara, në takimin me drejtues të stacioneve të MZSH-ve dhe përgjegjësit e sektorëve të emergjencave civile dhe pyjeve pranë bashkive të qarkut, kërkuan angazhim maksimal të të gjitha strukturave për të pasur një vëmendje më të shtuar, duke marrë shkas edhe nga temperaturat më të larta që priten në ditët në vijim. 

Jole tha se “takimi kishte fokus rritjen e bashkëpunimit midis strukturave në nivel qarku për përballimin e situatave të zjarreve, forcimin e masave parandaluese, rritjen dhe forcimin e kapaciteteve reaguese, gatishmërisë së punonjësve, mjeteve dhe pajisjeve të ndërhyrjes zjarrfikëse, etj.”.  

“Zjarrëvëniet rrezikojnë jetën dhe pronën, ndotin ndjeshëm mjedisin dhe kërkojnë shpenzime financiare për t’i përballuar”, u shpreh ai, ndërsa theksoi se mbrojtja e pyjeve dhe pasurisë është detyrë e të gjithëve.

Prefekti i Korçës, Nertil Jole zhvilloi në mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile në nivel k...
1 nga 7

/e.i//r.e/

The post Prefekti Jole: Rritje e bashkëpunimit midis strukturave për përballimin e situatave të zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra multifunksionale në Luginën e Vjosës, qeveria shpronëson pronarin e tokës

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi shpronësimin, për interes publik, të një pasurie private në qytetin e Vlorës, e cila preket nga realizimi i “Qendrës multifunksionale në Luginën e Vjosës”. 

Vlera e përgjithshme e kompensimit për pronarin e pasurisë së paluajtshme është caktuar në shumën prej 1 079 595 lekësh, ndërsa shpenzimet procedurale të shpronësimit arrijnë në 70 000 lekë, të cilat do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.  

Sipas vendimit, fondi për kompensimin financiar do të përballohet nga buxheti i shtetit, përmes llogarisë “Fondi i shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë. 

Procesi i shpronësimit nis menjëherë pas publikimit të vendimit në Fletoren Zyrtare dhe pritet të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja e tij në fuqi. Pronari do të kompensohet pas paraqitjes së dokumentacionit të plotë pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, e cila do të ndjekë të gjitha procedurat për likuidimin. 

Ndërkohë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, përmes drejtorisë vendore në Vlorë, do të nisë brenda 30 ditëve procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale. 

Qendra multifunksionale që do të ndërtohet në këtë zonë do të promovojë vlerat natyrore dhe kulturore që zotëron territori i lumit të fundit të egër në Evropë. Kompania fituese për ngritjen e qendrës multifunksionale është shpallur studioja projektuese “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”.  

Projekti që do të vihet në jetë ndërthur investimet që do të bëhen me natyrë, duke e shoqëruar rrugëtimin me informacione, stacione ndalimi për turistët apo edhe muzeun e informacionit, që jep më shumë detaje mbi këtë pasuri kombëtare. 

VKM ngarkon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Shtetërore e Kadastrës, Drejtorinë Vendore Vlorë dhe Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 

/e.i//r.e/

The post Qendra multifunksionale në Luginën e Vjosës, qeveria shpronëson pronarin e tokës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSHZH ngarkohet të kryejë procedurat e prokurimit publik për krijimin e hapësirave të reja për arkivin e Kryeministrisë

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave ngarkoi sot Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për kryerjen e procedurës së prokurimit publik për krijimin e hapësirave të reja për arkivin e Kryeministrisë.  

Në njoftimin Këshillit të Ministrave thuhet se në funksion të zbatimit të projektit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratën përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e saj e të projektit përkatës dhe paraqitjen, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, të kërkesave për miratimin e lejeve përkatëse, në funksion të zbatimit të punimeve. 

“Kryeministria i vendos në dispozicion Fondit Shqiptar të Zhvillimit të dhënat për specifikimet teknike të projektit”, thuhet në njoftim, ndërsa efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë, për vitin 2025. 

Ngarkohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”. 

/e.i//r.e/

The post FSHZH ngarkohet të kryejë procedurat e prokurimit publik për krijimin e hapësirave të reja për arkivin e Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Federata e Skive mbështetet me 10 milionë lekë për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore 2026

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot financimin e Federatës Shqiptare të Skive në mbështetje të përgatitjes për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026.  

Qeveria, vendosi financimin, në masën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për Federatën Shqiptare të Skive (FSHS) për mbështetje dhe përgatitje për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026. 

Në vendim thuhet se fondi i përcaktuar transferohet në llogarinë e Federatës Shqiptare të Skive, në një bankë të nivelit të dytë, dhe përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. 

Gjithashtu, Federata Shqiptare e Skive, brenda muajit gusht 2025, duhet të paraqesë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit planin e detajuar dhe të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Skive të veprimtarisë, për të cilën do të përdoret ky fond. 

Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Federata Shqiptare e Skive për zbatimin e këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 

/e.i//r.e/

The post Federata e Skive mbështetet me 10 milionë lekë për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Monitorim i plazheve publike për një sezon turistik të pastër dhe të rregullt

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Agjencia Kombëtare e Bregdetit, agjencitë rajonale dhe strukturat e tjera janë çdo ditë në terren për të monitoruar garantimin e një sezoni turistik të pastër dhe të rregullt.  

Rama ndau në rrjetet sociale momente nga inspektimet e kryera në Sarandë, Zvërnec, Darzezë, Radhimë e Ksamil. 

Kryeministri Rama tha se “respektimi i parcelave publike siç parashikohet në rregulloren e re të menaxhimit të plazheve, ku dyfishimi i aksesit në plazhet publike, shton edhe përgjegjësitë për mirëmbajtjen, pastrimin dhe modelin qytetar në respektimin e hapësirave të përbashkëta”. 

Këtë vit rregullorja e re re menaxhimit të plazheve bazohet në parimin kryesor se shezlonget në vetvete nuk mund të jenë model parësor biznesi, por duhen trajtuar vetëm si një aksesor shtesë i strukturave akomoduese. Në çdo një kilometër plazh këtë vit ka 300 metra plazh publik.

Momente nga inspektimet e kryera në Sarandë, Zvërnec, Darzezë, Radhimë e Ksamil
1 nga 19

/e.i//r.e/

The post Rama: Monitorim i plazheve publike për një sezon turistik të pastër dhe të rregullt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌