Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 July 2025Main stream

Rama: Dajçi në breg të Bunës, destinacion tërheqës për turistët e huaj


TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Në brigjet e lumit Buna, në zonën e Dajçit të Shkodrës, ndodhet një plazh i vogël që po kthehet në një atraksion gjithnjë e më të kërkuar nga vizitorët vendas dhe të huaj.

I rrethuar nga gjelbërimi dhe ujërat e pastra të Bunës, ky plazh ofron çlodhje larg zhurmës dhe temperaturave përvëluese të qytetit.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se Dajçi, në breg të Bunës, është shndërruar tashmë në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për turistët e huaj.

Rama ndau sot në rrjetet sociale opinionin e dy prej tyre që vinin nga Malta dhe Spanja për të pushuar  pranë brigjeve të Bunës.

“Jam nga Malta, është hera e dytë që vij. Ma kanë sugjeruar miqtë e mi që janë shqiptarë. Më së shumti më pëlqen natyra këtu dhe temperaturat të cilat nuk janë shumë të larta dhe janë më të përshtatshme se ato në vendin prej nga vij. Sidomos për muajin korrik dhe gusht Malta është shumë e nxehtë”, u shpreh një turist.

Ai tha se fillimisht do të qëndrojë këtu për dy javë dhe në vijim do të qëndrojë më shumë në veri të vendit.

“E rekomandoj shumë Shqipërinë. Është një vend fantastik, me natyrë të mrekullueshme, njerëz shumë mikpritës dhe ushqim fantastik”, tha ai.

“Jam nga Spanja dhe më pëlqen shumë këtu plazhi. Uji është krejtësisht i pastër dhe më pëlqen që mund të bëj padel”, tha një tjetër.

Një gji i qetë dhe i mbrojtur, ku pushuesit gjejnë kombinimin perfekt mes natyrës së virgjër dhe mikpritjes lokale, plazhi i vogël në Dajç po fiton një vend të veçantë në hartën e destinacioneve alternative të turizmit në Shqipëri.

/m.m/j.p/

The post Rama: Dajçi në breg të Bunës, destinacion tërheqës për turistët e huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Forcojmë sistemin e kujdesit alternativ dhe familjeve kujdestare

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se po punohet për një kuadër të ri ligjor, të përafruar me direktivat e BE-së, që forcon sistemin e kujdesit alternativ dhe familjeve kujdestare.

Kuadri i ri ligjor, sipas ministres Koçiu do të ketë kritere të qarta, mbështetje institucionale dhe vlerësim të vazhdueshëm profesional.

Koçiu zhvilloi sot një vizitës në Vlorë, ku takoi vogëlushen Sabrina, e cila sot rritet me dashuri në familjen kujdestare Fezaj.

“Nga një institucion përkujdesi rezidencial në Vlorë, në një shtëpi të ngrohtë ku merr mbështetje emocionale, ndjek shkollën dhe rritet mes dashurisë familjare, historia e saj është një shembull i prekshëm i transformimit përmes reformës së deinstitucionalizimit”, u shpreh ministrja.

Koçiu nënvizoi se synimi është që “të kemi gjithnjë e më shumë histori si ajo e Sabrinës, fëmijë që rriten me dashuri, siguri dhe shpresë për një të ardhme më të mirë”.

/m.m/j.p/

The post Koçiu: Forcojmë sistemin e kujdesit alternativ dhe familjeve kujdestare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkëpunim me policinë greke, arrestohet 39-vjeçari me qëllim ekstradimi në Shqipëri

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të Policisë së Shtetit me homologët grekë u mundësua lokalizimi në Greqi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin në Shqipëri i një shtetasi shqiptar.
Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për sigurimin dhe shkëmbimin e informacionit mbi vendndodhjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, Policia ndaloi D. M. alias D. M., 39 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, me vendimin e datës 9 shkurt 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Shtetasi D. M. akuzohet se më datë 4 shkurt 2025, në qytetin e Korçës, ka tentuar të vrasë shtetasin E. Sh., 40 vjeç, duke e goditur me mjet prerës (thikë).
Interpol Tirana dhe Interpol Athina do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
/m.m/

The post Bashkëpunim me policinë greke, arrestohet 39-vjeçari me qëllim ekstradimi në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpejtësi mbi normat, Policia Rrugore penalizon dhjetëra drejtues mjetesh

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Policia Rrugore po vijon monitorimet intensive me poliscanë në akset nacionale, me fokus në ndëshkimin e shkeljeve që cenojnë sigurinë rrugore.

Dhjetëra drejtues automjetesh janë evidentuar nga poliscanët, vetëm në një hark kohor prej një ore duke lëvizur me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar.

Me shpejtësi gati dyfish mbi normën e lejuar ata janë kthyer në rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia Rrugore paralajmëron se sjellje të tilla përbëjnë rrezik real për përfshirje në aksidente me pasoja për jetën e vetë drejtuesve, pasagjerëve dhe përdoruesve të tjerë të rrugës.

“Zbato rregullat e qarkullimit rrugor. Mos rreziko jetën”, është apeli i Policisë Rrugore ndaj drejtuesve të mjeteve.

1 nga 3

/m.m/j.p/

The post Shpejtësi mbi normat, Policia Rrugore penalizon dhjetëra drejtues mjetesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria uron Francën për Ditën Kombëtare: Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Francës po rritet me projekte të reja në inovacion, turizëm dhe arsim, ndërkohë që partneriteti strategjik vazhdon të forcohet dhe të konkretizohet në fushën e mbrojtjes.

Ambasada e Shqipërisë në Francë ndau sot momente nga vizitat e nivelit të lartë, të cilat kulmuan me vizitën e dytë në Shqipëri të presidentit Emmanuel Macron.

“Franca feston këtë vit 14 Korrikun me moto kryesore reziliencën, angazhimin, unitetin dhe solidaritetin, por edhe duke përkujtuar 85-vjetorin e thirrjes së 18 Qershorit të gjeneralit De Gaulle. Me këtë rast, u shprehim miqve francezë urimet më të mira për unitet dhe prosperitet, teksa riafirmojmë lidhjet e thella dhe historike që bashkojnë Shqipërinë dhe Francën”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ambasadës së Shqipërisë në Francë.

Në vitin 2025, marrëdhëniet mes dy vendeve njohën një hap tjetër të madh përpara me vizitën e dytë në Shqipëri të presidentit Emmanuel Macron, me vizitën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani në Paris dhe atë të ministrit francez për Evropën Benjamin Haddad në Tiranë.

“Mbështetur në angazhimin e përbashkët ndaj vlerave evropiane, bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal, bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Francës po rritet me projekte të reja në inovacion, turizëm dhe arsim, ndërkohë që Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet dhe të konkretizohet në fushën e mbrojtjes”, shprehet Ambasada shqiptare në Francë.

/m.m//r.e//a.f/

The post Shqipëria uron Francën për Ditën Kombëtare: Partneriteti ynë Strategjik vazhdon të forcohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 July 2025Main stream

Nis pastrimi i inerteve në Theth, Rama: Rilindja Urbane 2.0, jetike për Shqipërinë 2030

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Në Theth ka nisur sot, me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte pas shembjes së ndërtimeve pa leje.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aksion, ndërsa siguroi se forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit.

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje, nga ato me mure, tek ato me kontruksion metalik e me dru, në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të peizazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se “mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT-së dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale”.

“Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, u shpreh kryeministri Rama.

1 nga 2

/m.m//r.e//a.f/

The post Nis pastrimi i inerteve në Theth, Rama: Rilindja Urbane 2.0, jetike për Shqipërinë 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas dorëheqjeve, Bashkia Shkodër njofton hapjen e konkursit për vakancat

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Bashkia Shkodër ftoi sot të gjithë profesionistët të bëhen pjesë e administratës vendore.

Përmes një thirrjeje të hapur, kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci u shpreh se “sot, dyert e bashkisë janë të hapura për të gjithë, për arkitektë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, zjarrfikës apo efektivë të Policisë Bashkiake”.

“Të gjithë ata që besojnë se mund të japin kontributin e tyre për të ndërtuar së bashku qytetin tonë, njësitë administrative dhe të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër, janë të ftuar të bëhen pjesë e një procedure të thjeshtë dhe të shpejtë: Dërgoni një email me CV-në tuaj në adresën info@bashkiashkoder.gov.al”, tha Beci.

Po ashtu ai u shpreh se të interesuarit mund të aplikojnë për një pozicion konkret, në vendet vakante që janë të hapura për të gjithë në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër: www.bashkiashkoder.gov.al.

“Bashkia e hapur për profesionistët dhe për të gjithë ata që e duan Shkodrën”, tha Beci.

Pas analizës së performancës së institucioneve vendore dhe një sërë dorëheqjesh nga pozicione të ndryshme, në bashkinë e Shkodrës ka nisur tashmë edhe procesi i rekrutimit për vendet vakante.

/m.m//a.f//r.e/

The post Pas dorëheqjeve, Bashkia Shkodër njofton hapjen e konkursit për vakancat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Wanderlust in Albania 2” promovon trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të jugut

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ I shtrirë buzë detit Jon dhe shpateve të maleve, Dhërmiu ofron  po ashtu edhe trashëgiminë historike dhe kulturore me objektet e shumta monument kulture.

Në vijim të promovimit të potencialeve turistike të vendit, “Wanderlust in Albania 2” përcolli fotografinë me titull “Chapel”, realizuar nga Harry Waite nga Mbretëria e Bashkuar.

E shkrepur në perëndim të diellit, kjo vepër paraqet një nga kishat karakteristike të fshatit të vjetër të Dhërmiut.

Fotografia ishte pjesëmarrëse në kategorinë Arkitekturë të Konkursit Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Video “Reels”, duke ofruar një vështrim artistik mbi trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të jugut të Shqipërisë.

Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.

/m.m//a.f//r.e/

The post “Wanderlust in Albania 2” promovon trashëgiminë shpirtërore dhe kulturore të jugut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Terminali i autobusëve në Sarandë, investim që përmirëson qarkullimin e mjeteve

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Punimet për ndërtimin e terminalit të ri të autobusëve në Sarandë po ecin me ritme të larta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kantieri i Stacionit të Autobusëve në Sarandë, një investim që do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e mjeteve.

Ndërsa e cilësoi si “Qendrën e Mirëseardhjes”, Rama u shpreh se “terminali do të përmirësojë qarkullimin dhe mikpritjen në hyrje të qytetit”.

Terminali i ri i autobusëve garanton hapësira për parkim për makina, si dhe zona të dedikuara për autobusë, taksi dhe mjete elektrike.

Po ashtu ky terminal do të ketë edhe hapësira të posaçme për motorë e biçikleta, si dhe zyra shërbimi për vizitorët.

I vendosur në një strukturë me tre kate, terminali ka një sipërfaqe prej 3700 m² për çdo kat.

Terminali i autobusëve është shumë i rëndësishëm për Sarandën, pasi fluksi i turistëve dhe numri i autobusëve që hyjnë dhe dalin në Sarandë është shumë i madh, sidomos gjatë sezonit veror.

/m.m//r.e//a.f/

The post Rama: Terminali i autobusëve në Sarandë, investim që përmirëson qarkullimin e mjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Xhani: Lezha priti mbi 290 mijë pushues deri në fund të qershorit, avantazh çmimet dhe cilësia

TIRANË, 29 qershor /ATSH-Maela Marini/ Lezha konsiderohet si një pikënisje ideale për turistët që këtë sezon veror dëshirojnë të përjetojnë një kombinim të historisë, natyrës dhe relaksit në plazhet e Adriatikut, në një ambient mikpritës dhe të qetë.

Me një kapacitet hotelerie prej mbi 20 mijë shtretërish, nga janari deri në 20 qershor në Lezhë janë regjistruar rreth 290 mijë vizitorë, të cilët e zgjedhin atë jo vetëm gjatë sezonit veror.

Në një intervistë për ATSH-në, Renaldo Xhani, drejtori i Turizmit dhe Kulturës në bashkinë e Lezhës, u ndal te “pikat e forta” që ofron kjo bashki për të nxitur turizmin, ndër të cilat veçoi pastërtinë dhe menaxhimin e plazheve, por edhe çmimet konkurruese.

Xhani theksoi se këtë vit janë rritur në mënyrë të ndjeshme sipërfaqet e plazheve publike, veçanërisht në zonën e Ranës së Hedhun dhe Tales.

Duke folur për masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik, ai nënvizoi se çdo ditë kryhen monitorime në terren në stacionet e plazheve, për të verifikuar zbatimin e masave të sigurisë së pushuesve.

Po ashtu, Xhani nënvizoi se prioritet i kushtohet pastrimit dhe largimit të mbetjeve dhe monitorimit të pastërtisë së stacioneve të plazhit në zonat bregdetare.

Për monitorimin e territorit, Xhani nënvizoi se përdoren edhe dronët, kjo për të verifikuar vendosjen e çadrave dhe shezlongëve nga subjekte pa kontratë.

“Për mbajtjen pastër të mjedisit, plazheve dhe rrugëve, bashkia Lezhë krahas punonjësve aktualë ka angazhuar rreth 30 punonjës sezonalë për të siguruar plazhe të pastra dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik”, nënvizoi ai.

Me ndryshimet në ligj që parashikojnë se vetëm strukturat akomoduese marrin stacione plazhi, Xhani bëri të ditur se “vetëm 50 aplikime janë aprovuar për shfrytëzimin e plazhit”.

“Çadra dhe shezlongë me 300 lekë”, çmimet e lira favorizojnë pushuesit   

Po ashtu, risi sipas tij, është edhe ngritja e ndërmarrjes “Lezha Invest”, e miratuar në këshillin bashkiak për të menaxhuar stacionet e plazhit që janë nën menaxhimin e bashkisë Lezhë, me një çmim të arsyeshëm.

Konkretisht, Xhani informoi se te Rana e Hedhun aktualisht janë hapur pesë stacione plazhi ku ofrohet shërbimi i shezlongëve dhe çadrave, si dhe siguria detare me vrojtues dhe sinjalistikën e nevojshme.

“Këtu kemi 5 vrojtues të licencuar për çdo stacion plazhi. Në total janë 660 çadra me nga 2 shezlongë, me një çmim prej 500 lekësh secila”, shtoi ai.

Një ndër plazhet më të frekuentuara, sipas Xhanit, mbetet Shëngjini, i cili ofron kapacitete të rritura për akomodimin e pushuesve.

“Duke qenë se kjo është një zonë e ngarkuar me subjekte private ne jemi orientuar që plazhet në qendër të Shëngjinit të jenë plotësisht publike dhe kemi hapur stacione plazhi të menaxhuara në zonën e Kunes dhe në Vain. Kemi 3 vrojtues të licencuar për çdo stacion plazhi dhe në total kemi 540 çadra me një çmim prej 400 lekësh të shpërndara në 5 stacione plazhi”, shtoi ai.

Një qasje e integruar midis shërbimeve për vizitorët dhe ruajtjes së traditës lokale të zonës, sipas tij, ofrohet edhe në Tale.

Duke qenë se plazhi i Tales ka një vijë të gjatë bregdetare dhe kërkesat për ofrimin e shezlongëve janë të shumtë, Xhani u shpreh se bashkia ka organizuar hapjen e 10 stacioneve të plazhit duke ruajtur në të gjithë pjesën e saj plazhet publike pa pagesë, por edhe duke u ofruar shërbimin e integruar.

“Kemi 7 vrojtues të licencuar për çdo stacion plazhi. Këtu ofrohet e gjithë infrastruktura e plotë e shërbimeve me 1145 çadra në total me një çmim prej 300 lekësh”, shtoi ai.

Plazhe të pastra dhe garantim i sigurisë detare 

Për të pasur plazhe të pastra, bashkia Lezhë ka aplikuar një mënyrë menaxhimi të mbetjeve duke vendosur orare për hedhjen e tyre në kosha nga bizneset dhe banorët.

Xhani theksoi se largimi i tyre në mënyrë te grupuar në oraret e darkës disiplinoi situatën duke krijuar mundësi më të mira për menaxhimin e mbeturinave me burimet materiale dhe njerëzore që bashkia dispononte.

Lidhur me sigurinë detare ai nënvizoi se janë përcaktuar vendbazimet e mjeteve lundruese dhe korridoret e lëvizjes së tyre.

“Stacionimi i shërbimit zjarrfikës me mjete zjarrfikëse u vendos pranë Njësisë Administrative Shëngjin. Është bërë rivendosja e kamerave dhe janë në funksion për sigurinë e pushuesve nga Shëngjini, deri në Kune. Për rritjen e sigurisë në rrugë, lehtësimin e trafikut dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik është bërë ndalimi i qarkullimit të makinerive të rënda, si kamionë apo betoniere, gjatë kohës së sezonit veror në Shëngjin”, shtoi ai.

Xhani theksoi se në bashkëpunim me Policinë e Shtetit është bërë monitorimi i parkimeve dhe lirimi i zonës që kanë zënë bizneset në zonën nga “Lapidari” deri në Port, kjo për të lehtësuar fluksin e rënduar përgjatë aksit Shëngjin-Velipojë.

Një verë e mbushur me aktivitete në funksion të turizmit 

Promovimi i potencialit turistik që ofron Lezha mbetet në fokus të bashkisë për tërheqjen e sa më shumë turistëve vendas e të huaj.

Për këtë, Xhani informoi se është botuar guida e atraksioneve turistike “Lezha Travel Guide”, e realizuar me programe bashkëkohore digjitale dhe hartografike, ku është paraqitur informacioni në shqip dhe anglisht.

Po ashtu, parashikohet organizimi i shumë aktiviteteve kulturore, koncerteve, aktiviteteve muzikore dhe ekspozitave të pikturës në sheshin “Wilson” në Shëngjin.

“Drejtoria e Turizmit në Bashkinë Lezhë kryen fushata promovuese gjatë gjithë sezonit për të mbajtur të informuar turistët mbi vendet turistike. Gjithashtu bëhen analiza në terren për të vlerësuar numrin e turistëve dhe për të menaxhuar sa me lehtë fluksin”, shtoi Xhani për ATSH-në.

/r.e//a.f/

The post Xhani: Lezha priti mbi 290 mijë pushues deri në fund të qershorit, avantazh çmimet dhe cilësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga plazhi i Velipojës

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Velipoja, një ndër plazhet ranore me shtrirjen më të gjerë në Shqipëri, tërheq çdo vit mijëra turistë vendas e të huaj.

Shtimi i plazheve publike dhe menaxhimi më i mirë i hapësirës bregdetare edhe këtë vit kanë sjellë rritje të numrit të pushuesve që frekuentojnë këtë plazh.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga plazhi i Velipojës, i njohur për rërën me efekte kurative.

Me një shtrirje prej mbi 14 km, plazhi i Velipojës mbetet ndër më të preferuarit për vizitorët vendas dhe të huaj, në të gjitha stinët.

Velipoja njihet po ashtu për ndërthurjen me hijeshi të detit, lumit, delta me ishuj, kodrat, pylli, laguna e fusha, që tërheqin çdo vit e më shumë pushues.

Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti.

Në kuadër të operacionit “Plazhe të Pastra”, për të katërtin vit radhazi, Agjencia Kombëtare e Bregdetit po mbështet bashkinë e Shkodrës për menaxhimin e pastrimit dhe mirëmbajtjen e plazhit.

Vetëm në bashkinë e Shkodrës rreth 60% e plazheve janë publike.

/m.m/j.p/

The post Rama ndan pamje nga plazhi i Velipojës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “The Telegraph” rekomandon Shqipërinë si vendin ideal për pushime

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Prestigjiozja “The Telegraph” në një artikull të saj rekomandon Shqipërinë si vendin ideal për të kaluar pushimet.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale artikullin e publikuar nga “The Telegraph” i cili promovon nga plazhet mahnitëse të Dhërmiut e Ksamilit, te kishat bizantine, Liqeni i Shkodrës dhe vargmalet në veri.

“Vendi është plot me destinacione që kombinojnë bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore”, u shpreh Rama, duke iu referuar artikullit.

Gazeta e përditshme britanike “Telegraph” e ka renditur bregdetin shqiptar në listën e 10 vendeve më të mira në Evropë për pushime në plazh.

“Algarve apo Shqipëria? Majorka apo Mali i Zi? Shmangni vendet e populluara me turistë dhe drejtohuni drejt këtyre destinacioneve mahnitëse dhe sekrete bregdetare”, shkruan Elise Morton në një artikull të botuar në “Telegraph”.

“Nga kishat bizantine të Ohrit deri te rrugët e zhurmshme të qytetit të vjetër të Sozopolit – Evropa Lindore është plot me destinacione që ndërthurin bukurinë natyrore me kulturën. Për më tepër, ajo është gjithashtu shtëpia e vendpushimeve mahnitëse bregdetare – me më pak turma sesa vendet homologe në Mesdhe”, vijon artikulli.

Media britanike “Telegraph”: Shqipëria kryeson listën e 10 vendeve më të mira evropiane për pushime në plazh

1 nga 3

/m.m/j.p/

The post Rama: “The Telegraph” rekomandon Shqipërinë si vendin ideal për pushime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret, neutralizohen 9 vatra në 5 bashki

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 9 vatra zjarri në pesë bashki: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat.

Të gjitha vatrat janë neutralizuar me sukses, pa shkaktuar dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë.

AKMC bëri të ditur se në 6 raste, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte, duke shkaktuar djegien e rreth 0.5 hektarëve.

“Në 2 raste, zjarri ka rënë në banesa: një në lagjen nr. 5 të Bashkisë Kavajë dhe një në fshatin Ishull Shëngjin, ku janë shkaktuar dëme materiale. Në rastin e Ishull Shëngjinit, për shkak të një rrjedhjeje gazi, është lënduar një grua, e cila u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në një rast tjetër, një automjet privat është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 9 forca operacionale dhe 64 automjete zjarrfikëse.

Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje shiu.

Sa i përket rrezikut nga zjarret, pritet nivel rreziku “i lartë” në qarqet: Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet nivel rreziku “i moderuar ”.

I gjithë mekanizmi i Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe qendror, mbetet i angazhuar dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës.

AKMC fton qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe të raportojnë çdo rast pranë institucioneve përkatëse në kohë reale.

/m.m/j.p/

The post Situata nga zjarret, neutralizohen 9 vatra në 5 bashki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis faza e dytë e ndërhyrjes në Bunë

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Në Shkodër ka nisur zyrtarisht faza e dytë e ndërhyrjes përgjatë shtratit të lumit Buna, në zonën e Dajlanit, një prej zonave më problematike për bllokimin e rrjedhës natyrore të ujit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga faza e dytë e ndërhyrjes përgjatë shtratit të lumit Buna, ku puna vijon edhe për të liruar hapësirat që pengojnë rrjedhën natyrore të lumit.

Ndërhyrja vjen si rezultat i një bashkëpunimi të gjerë mes institucioneve lokale dhe qendrore, me fokus në lirimin e hapësirave të zaptuara apo të mbushura nga mbeturinat dhe ndërtimet informale.

Qëllimi i ndërhyrjes është të parandalohet përmbytja dhe të rikthehet ekuilibri ekologjik i një prej lumenjve më të rëndësishëm në veri të vendit.

Autoritetet vendore kanë bërë thirrje për bashkëpunim edhe me banorët e zonës, ndërsa theksojnë se puna do të vijojë me intensitet të lartë gjatë gjithë verës.

/m.m/

The post Nis faza e dytë e ndërhyrjes në Bunë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Integrimi në BE, Hasani: Thellojmë bashkëpunimin me shoqërinë civile

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani zhvilloi sot një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët diskutoi mbi çështje që lidhen me çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Transparencë, llogaridhënie e hartim gjithëpërfshirës i politikave dhe të orientuar për të thelluar bashkëpunimin mes institucioneve tona dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile e grupeve të interesit”, u shpreh Hasani, duke informuar mbi këtë takim.

Ministri bëri të ditur se diskutimet u fokusuan te Kapitulli 31, pjesë e grup-kapitullit 6 të Marrëdhënieve të Jashtme, që mbulon Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP).

“Shqipëria e ruan qartësinë dhe linjëzimin e saj gjeopolitik në suazën e Politikës së Përbashkët të Jashtme e të Sigurisë të BE-së, duke u rreshtuar pa hezitim në vlerat dhe parimet e Unionit”, siguroi ministri.

/m.m//r.e//a.f/

The post Integrimi në BE, Hasani: Thellojmë bashkëpunimin me shoqërinë civile appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rruga Qukës – Qafë Plloçë gati në vjeshtë, shkurton distancën Tiranë – Korçë

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Punimet në të tre lotet e rrugës Qukës – Qafë Plloçë po vijojnë me ritme shumë të mira, me objektivin për ta përfunduar ndërtimin e këtij segmenti të shumëpritur brenda fillimit të vjeshtës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot, në rrjetet sociale, pamje nga kantieret e këtij aksi të rëndësishëm, që do të shkurtojë distancën dhe kohën e udhëtimit drejt juglindjes së vendit.

Kryeministri vlerësoi se rruga do të stimulojë po ashtu në perspektivë impulse të reja të zhvillimit ekonomik.

Me përfundimin e plotë të ndërtimit të segmentit rrugor Qukës – Qafë Plloçë, me gjatësi 43,4 km, do të shkurtohet rreth 30 minuta koha e udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë – Korçë.

Po ashtu, ky aks siguron ndërlidhjen e domosdoshme për komunitetet përreth, duke krijuar edhe një perspektivë të re për zhvillimin e zonës së Mokrës, me ndikim pozitiv për gjithë juglindjen. 10 km të këtij segmenti rrugor kalojnë buzë lumit Shkumbin, përmes një zone të bukur natyrore siç është ajo e Mokrës, duke i dhënë këtij aksi gjithë dimensionin e një rruge panoramike.

/m.m//r.e//a.f/

The post Rama: Rruga Qukës – Qafë Plloçë gati në vjeshtë, shkurton distancën Tiranë – Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj në Universitetin e Kalabrisë: Qendër e rëndësishme për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe kujtesës arbëreshe

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi Universitetin e Kalabrisë për të nderuar veprën e profesorëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe në këtë universitet, në 50-vjetorin e krijimit të Katedrës dhe Laboratorit të Albanologjisë.

Në një takim me profesorë, studiues dhe studentë të gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Presidenti i Republikës vlerësoi “këtë qendër të rëndësishme akademike në zemër të një rajoni që ruan me krenari gjuhën, kulturën dhe kujtesën arbëreshe”.

“Ky universitet, që është në zemër të rajonit të Kalabrisë, ka një mision tjetër shumë të rëndësishëm: të mbrojë, të promovojë dhe të trashëgojë gjuhën arbëreshe. I falënderoj nga zemra të gjithë profesorët e katedrës së gjuhës e të kulturës shqipe. Ky është një vit përkujtimor, ku bëhen 50 vjet të kësaj katedre, dhe uroj e besoj që kjo katedër do të përjetojë gjithmonë, do të jetë përjetë, do ta mbrojë përjetë arbërishten, sepse duke mbrojtur gjuhën dhe kulturën shqipe kemi promovuar edhe figurën e atij që themeloi këtë katedër, Françesko Solanos”, tha Presidenti në fjalën e tij.

Ai vlerësoi punën e jashtëzakonshme 50-vjeçare, e ndjekur me shumë pasion nga profesor Altimari dhe shumë të tjerë që vazhdojnë ta studiojnë arbërishten, e cila kulmon në promovimin dhe botimin e shumë veprave dhe librave që do t’i shërbejnë brezit të ri.

Begaj theksoi se “kjo është ajo çfarë ne na duhet për të ndërtuar të ardhmen tonë, për të ndërtuar të ardhmen e marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Italisë”.

Presidenti Begaj çmoi kontributin, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të studiuesve dhe profesorëve për ruajtjen e lidhjeve shkencore dhe kulturore ndërmjet Shqipërisë e shqiptarëve dhe komuniteteve arbëreshe si një trashëgimi që meriton respekt të veçantë.

Kreu i Shtetit përgëzoi studiuesit për tekstin shkollor të sapobotuar për mësimin e gjuhës arbëreshe.

“Humanizmi i atyre profesorëve, pa asnjë lloj kërkese financiare, vetëm e vetëm për të promovuar një libër, i cili do t’i shërbejë brezave dhe brezave, si dhe trashëgimisë së kësaj vlere të jashtëzakonshme gjuhësore, është vërtetë për t’u falënderuar. Themeli i këtyre marrëdhënieve është komuniteti arbëresh që, me veprën e tij prej më shumë se 5 shekuj, na ka treguar se sa e rëndësishme është të mbrojmë gjuhën, sa e rëndësishme është të mbrojmë identitetin tonë kulturor, gjuhësor dhe kombëtar. Fjalët janë tepër, veprat janë ato që mbeten. Veprat e atyre mësuesve që do t’i shërbejnë brezave, veprat e prodhuara nga profesor Altimari që do t’i mbeten brezave të tëra, do të prodhojnë shumë studiues të tjerë për të ardhmen tonë. Është shumë e rëndësishme që katedra e Albanologjisë në Kalabri të vijojë misionin e saj të lartë për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës e kulturës arbëreshe”, shtoi ai.

Nga biblioteka e Universitetit të Kalabrisë, Presidenti i Republikës iu bashkua ftesës së profesor Altimarit për mbështetjen, forcimin dhe bashkëpunimin me tri qendrat e rëndësishme kërkimore dhe arsimore në Itali që i janë përkushtuar gjuhës shqipe në Universitetin e Kalabrisë, atë të Palermos dhe Romës.

Gjatë vizitës në Universitetin e Kalabrisë, Presidenti i Republikës u prit në një takim të veçantë nga rektori i Universitetit të Kalabrisë, profesor Nicola Leone.

1 nga 5

/m.m//a.f//r.e/

The post Begaj në Universitetin e Kalabrisë: Qendër e rëndësishme për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe kujtesës arbëreshe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Brataj: Dëmtimi nga aksidenti me monopatina është i madh

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj foli sot në lidhje me rrezikun e monopatinave dhe aksidenteve që shkaktohen prej tyre.

Në një intervistë televizive, Brataj mori shkasë nga aksidentimi i tre të rinjve me monopatinë, në kryeqytet.

“Ne kemi thënë gjithmonë, po dëmtove kokën, je në mëshirë të fatit në kuptimin që nëse është një hemorragji cerebrale, nuk ke çfarë i bën. Rasti i fundit, fatmirësisht nuk ka hemorragji cerebrale. Njëri prej tyre është në gjendje pak më të rëndë, por pa rrezik për jetën”, u shpreh kreu i Urgjencës.

Sipas tij, “dëmi nga këto mjete është i lartë”.

“Po shtohet numri, po sofistikohen si mjete, ecin me shpejtësi, dhe nuk dihet se çfarë detyrimi ligjor ka ai që e përdor, që nuk kanë patentë. Je në këmbë dhe nëse bie, bie në një plan të ngurtë. Nuk mund t’i ndalosh këto mjete por duhet menaxhim dhe kontroll. Ndërkohë edhe nga biçikletat kemi shumë dëmtime”, u shpreh ai.

/m.m/j.p/

The post Brataj: Dëmtimi nga aksidenti me monopatina është i madh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festa për 4 korrikun, VanHorn: Mbështetemi tek aleatët për të mbrojtur vlerat që të gjithë i çmojmë shumë

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn vlerësoi sot partneritetin mes dy vendeve ndërsa u shpreh se “jemi me fat të kemi aleatë si Shqipëria”.

Në festën e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara me rastin e 249-vjetorit të Pavarësisë së Amerikës, VanHorn u shpreh se “amerikanët nderojnë 4 korrikun 1776, ditën kur të parët tanë nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, si Ditën tonë të Pavarësisë”.

“Por, historia e kombit tonë fillon para asaj dite, me heronjtë që luftuan për të. Ajo luftë nisi një vit më herët, në 1775, me fillimet e ushtrisë më të madhe që bota ka njohur ndonjëherë. Sonte festojmë jo vetëm vitin e 249-të të Amerikës, por edhe 250-vjetorin e Ushtrisë, Marinës dhe Korpusit të Marinsave të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ajo.

VanHorn theksoi se gjatë dy shekujve e gjysmë, udhëheqja amerikane ka shtruar rrugën për një botë më të lirë, më paqësore dhe më të begatë.

“Por, nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm. Tashmë udhëheqësit tanë janë duke u kthyer në shtëpi nga Samiti i NATO-s, ku aleatët u zotuan të investojnë 5 për qind të PBB-së së tyre çdo vit për kërkesat bazë të mbrojtjes. Ne po mbështetemi tek aleatët tanë që të bëjnë pjesën e tyre për të mbrojtur vlerat që të gjithë i çmojmë shumë”, shtoi ajo.

Duke sjellë në vëmendje bashkëpunimin mes forcave shqiptare dhe atyre amerikane në kuadër të stërvitjes “Defender-Europë”, Van Horn kujtoi historinë e një ushtari shqiptar të vrarë në aksion, ndërsa shërbente në kufi përkrah SHBA-së, gati një dekadë më parë.

“Ai la pas një vajzë të vogël, tani një vajzë e re. I kërkova zotërisë që ndau këtë histori me mua që t’i thoshte se sa thellësisht e vlerësojmë sakrificën e babait të saj. Ky është vetëm një shembull i sakrificave të shumta që kanë bërë edhe shqiptarët për të mbrojtur liritë tona dhe për të ndërtuar një botë më paqësore. Jemi me fat të kemi Aleatë si Shqipëria”, shtoi ai.

VanHorn u shpreh se falë sakrificës së kaq shumë amerikanëve dhe aleatëve mund të mblidhemi sonte për të festuar liritë tona.

“Ne mund t’i rrisim fëmijët tanë të sigurt për një të ardhme ku ata do të gëzojnë ato të drejta të patjetërsueshme të përjetësuara në Deklaratën e Pavarësisë, nënshkruar 249 vjet më parë: Jeta, liria dhe kërkimi i lumturisë”, theksoi ajo.

/m.m/j.p/

The post Festa për 4 korrikun, VanHorn: Mbështetemi tek aleatët për të mbrojtur vlerat që të gjithë i çmojmë shumë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Dobërdoli, fshati i vogël alpin që ruan traditën e jetës në bjeshkë

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj edhe në zonat që dikur ishin pothuajse të panjohura.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga Bjeshka e Dobërdolit në Tropojë, zonë kjo që duket sikur ka dalë nga eposi i Kreshnikëve.

“Dikur një kullotë verore, sot Dobërdoli është shndërruar në një fshat të vogël veror alpin, ku dhjetëra familje tropojane verojnë çdo vit, duke ruajtur gjallë traditën e jetës në bjeshkë”, u shpreh Rama.

Bjeshka e Doberdolit është e vendosur në lartësitë e maleve te Tropojës 2200 m mbi nivelin e detit.

Çdo vit e më shumë ajo tërheq interesin e turistëve vendas dhe të huaj të pasionuar pas natyrës.

1 nga 4

/m.m/j.p/

The post Rama: Dobërdoli, fshati i vogël alpin që ruan traditën e jetës në bjeshkë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌