Irani propozon heqjen e katër zerove nga monedha kombëtare pas dekadash inflacioni
Qeveria iraniane ka propozuar heqjen e katër zerove nga monedha kombëtare, rialli, pas dekadash inflacioni të lartë dhe vështirësish ekonomike që kanë zhvlerësuar ndjeshëm vlerën e saj.
Komisioni Ekonomik i Parlamentit iranian miratoi të dielën parimet e përgjithshme të projektligjit për ridenominimin e rallit. Kryetari i komisionit, Shamseddin Hosseini, deklaroi se monedha e re do të vijojë të quhet rial, por një rial i ri do të jetë i barabartë me 10.000 rialë të tanishëm.
Sipas autoriteteve, kjo masë synon të thjeshtojë llogaritë financiare, të ulë kostot e shtypjes së kartëmonedhave dhe të përmirësojë funksionimin e sistemit monetar. Hosseini sqaroi gjithashtu se rialli i ri do të përbëhet nga 100 “gherans”, një njësi ndihmëse monetare.
Monedha iraniane është zhvlerësuar ndjeshëm si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare që e kanë izoluar vendin nga sistemi bankar global dhe kanë dëmtuar rëndë ekonominë e tij. Ralli ka humbur më tej vlerë ndaj dollarit në ditët e fundit, mes pasigurive politike pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor.
Irani ka shqyrtuar reforma të mundshme monetare që prej viteve 1990. Projektligji duhet ende të paraqitet zyrtarisht në Parlament për miratim dhe më pas të marrë pëlqimin e Këshillit të Gardës, institucioni që shqyrton kushtetutshmërinë e ligjeve, për t’u kthyer në ligj.
Zëvendëskryetari i komisionit, Jafar Ghaderi, deklaroi javën e kaluar se heqja e zerove nuk do të ndikojë në inflacion, por mund të ulë kostot e transaksioneve.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se kjo është një masë kozmetike, dhe në mungesë të reformave reale fiskale dhe kontrollit të inflacionit, nuk do të sjellë përmirësim të ndjeshëm në gjendjen ekonomike të vendit. Ekonomisti Kamran Nadri shkroi në shtypin vendas se “heqja e zerove nuk është as një politikë efektive monetare dhe as një mekanizëm për kontrollin e inflacionit; është thjesht një përshtatje formale për qëllime kontabiliteti.”
Irani nuk është vendi i vetëm që ka ndërmarrë reforma të tilla. Në 25 vitet e fundit, shtete si Turqia, Rumania dhe Zambia kanë hequr zero nga monedhat e tyre pas periudhash hiperinflacioni. Izraeli, për shembull, e zëvendësoi monedhën e vjetër në vitet 1985–1986 duke hequr tre zero, për shkak të rënies drastike të vlerës së saj.
Përveç inflacionit, ekonomia iraniane përballet edhe me sfida të tjera të mëdha, përfshirë mbështetjen e tepruar në të ardhurat nga nafta dhe subvencionet shtetërore, keqmenaxhimin kronik dhe klientelizmin politik. Sanksionet ndaj sektorëve bankarë dhe të eksporteve të naftës kanë kufizuar ndjeshëm të ardhurat dhe investimet e huaja.
Sipas ekonomistëve, pa lehtësim të sanksioneve, Irani ka pak hapësirë për të përmirësuar gjendjen e ekonomisë.
Para fillimit të konfliktit me Izraelin në qershor, Teherani ishte në bisedime me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje që do të lehtësonte sanksionet në këmbim të kufizimeve mbi programin bërthamor iranian. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha për Financial Times javën e kaluar se Irani është i hapur për të rifilluar negociatat, nëse SHBA pranon të dëmshpërblejë humbjet e shkaktuara gjatë luftës dhe garanton që Irani nuk do të sulmohet gjatë procesit negociues.
Ndërkohë, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit miratoi të dielën krijimin e një këshilli të ri mbrojtjeje, i cili do të mbikëqyrë planet mbrojtëse dhe forcimin e kapaciteteve të forcave të armatosura në mënyrë të centralizuar./abcnews.al