Normal view
Nis dueli në malet e Pirenejve/ Tour, javë vendimtare për të përcaktuar kampionin e ri
Emocionet kanë qenë të forta, por kjo që vjen nuk ka krahasim. Turi i Francës hyn në momentet e tij vendimtare, dhe kjo që në ditën e sotme me etapën e 12-të që nis ngjitjet në Malet e Pirenejve.
Plot 180 km me dy të përpjeta të ashpra, sidomos me mbërritjen në maloren në Otakam, e gjatë 13.5 kilometra dhe me pjerrësi 7.8 për qind.
Pikërisht në malet jugore të Europës do të konsumohet beteja mes dy prendentetëve kryesorë për të fituar Turin, sllovenit Tadej Pogaçar dhe danezit Jonas Vingegard.
I pari kampion në fuqi dhe tri herë fitues i Klasikes së madhe, dhe I dyti dy herë fitues.
Pogaçar është në vendin e dytë, duke humbur tre ditë më parë Fanelën e Verdhë, por vetëm për 29” vonesë ndaj irlandezit luftarak, Ben Hili.
Edhe pse ka probleme në skuadrën e tij, UAE, me dëmtimin e tërheqjen e ndihmësit Almeida, dhe me dëmtimin e rusit Sivakov, sërish 26-vjeçari e ka kontrolluar mirë garën deri tani.
Kulmi I betejës do të jetë pas dy ditësh, të shtunën e 19 korrikut, në etapën e 14-të, që cilësohet “Etapa Mbretëreshë” e këtij edicioni të Turit të Francës.
Në fundjavë, itinerari do të jetë prej 182.7 kilometrash, gjithnjë në Pirenej, me katër ngjitje të forta, ku mbi të gjitha është mitikja “Kol dy Turmaje”, plot 19 km malore me pjerrësi 7.9 për qind.
Ndoshta vetëm pas të shtunës do ta kuptojmë më mirë se cili do të jetë favoriti për të fituar këtë Tur të Francës, ndonëse do të ketë edhe katër etapa malore, nga 22 deri në 25 korrik, përpara finishit në Shamps Elize të Parisit në 27 korrik./abcnews.al
Partizani si shpresa e vetme/ Të kuqtë synojnë kualifikimin në Ligën e Konferencës
Goli i Xhuliano Skukës na jep padyshim mjaft mundësi. Natyrisht, futbolli në kupat e Europës luhet për 180 minuta, ndonjëherë edhe për 210 bashkë me shtesat e ndodh që gjuhen penallti, por sidoqoftë, Partizani ka shanse të mira për të kaluar në turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Të kuqtë barazuan 1-1 ndeshjen e parë të raundit të parë, në Estoni, ndaj rivalit Nome Kalju, dhe e presin me më shumë besim duelin e dytë, këtë të enjte në orën 20:00 në “Arenën Air Albania” në kryeqytet.
Të besuarit e trajnerit Skënder Gega janë në humor të mirë, edhe pse ekipi në përgjithësi është i ri. Vetëm një sulmues si Skuka mund të cilësohet përforcim I rëndësishëm, por gjithsesi Gega ka ditur të largojë pasigurinë e të krijojë atmosferë të qetë e të bashkuar në skuadër.
Partizani, ndërkaq, pavarësisht nga dështimet e shumta në Europë, është ndër të paktat emra të futbollit shqiptar që I është afruar sukseseve në kontinentin e vjetër.
Në 2023-2024, vetëm dy sezone më parë, të kuqtë arritën plej ofin e Ligës së Konferencës, pasi u eliminuan në Champions nga BATE Borisov, e pastaj kaluan ekipin nga Andorra Atletik klub d’Eskaldes dhe Valmierën nga Letonia, për t’u eliminuar vetëm për një gol nga Astana e Kazakistanit.
Në 2016-2017, nuk harrohet ecuria në Champions me eliminimin e Ferencvaroshit të fortë të Hungarisë, dhe dueleve dinjitoze ndaj kampiones së Austrisë, Salcburg. Në plej ofin e Ligës së Europës, të kuqtë u ndalën nga Krasnodari i fortë i Rusisë./abcnews.al
Daku, gjysmë milioni për titull/ Mediat ruse shkruajnë për klauzolat në rinovimin e kontratës
Objektivat janë vërtet të larta.
Rubin e ka provuar edhe më parë të fitojë titullin në Rusi, me kulmet në vitet 2008 e 2009, ndërsa dëshira absolute e klubit është që kjo lavdi të përsëritet.
Rubin jo më kot bëri një sakrificë të vërtetë për të mbajtur Mirlind Dakun, dhe sipas mediave në Rusi, po mendohet edhe përfshirja në garën për Premier Ligën.
Sipas të përditshmeve pranë klubit nga Tatarstani, në kontratën e rinovuar të sulmuesit kuqezi ekziston një klauzolë sipas së cilës ai do të fitojë plot 500 000 euro nëse ndihmon ekipin të shpallet kampion.
Jo vetëm kaq, por për objektvin personal, që është fitorja e Këpucës së Artë, Dakut do t’i jepen edhe 200 000 euro të tjera.
Futbollisti I kombëtares shqiptare rinovoi kontratën që I vlente deri në 2026, pasi dështoi kalimi tek Zeniti në Shën Peterburg.
Akordi I ri vlen deri në 2029, dhe raportimet janë të ndryshme lidhur me pagën e yllit nga Kosova.
Flitet për shifra nga 2 deri në 2.5 milionë euro në sezon, si dhe për një shumë prej 1.5 milionë eurosh që Daku e ka marrë në momentin e hedhjes së firmës në marrëveshje.
Lojtari I Shqipërisë ka shënuar 25 gola e ka shërbyer 12 asistë në 54 ndeshje të Premier Ligës ruse deri tani./abcnews.al
Yamal, në “klubin e legjendave”/ Talenti spanjoll merr numrin 10 dhe trashëgiminë e kampionëve
Mosha madhore vjen edhe me përgjegjësi të mëdha për Lamine Yamal. Pak ditë pasi festoi 18 vjetorin e lindjes, talenti spanjoll mori si dhuratë nga Barcelona një trashëgimi të rëndësishme.
Bashkë me rinovimin e kontratës deri në vitin 2031 me një klauzolë 1 miliard euro të denjë për një kampion, Lamine Yamal iu dorëzua zyrtarisht fanela me numrin 10.
Është e njëjta që kanë mbajtur përpara tij kampionë të mëdhenj të historisë “blaugrana”, si Maradona, Ronaldo “fenomeni”, Ronaldinho dhe i fundit Lionel Messi.
Është ende shpejt për të hyrë në klubin e tyre, por është në rrugën e duhur dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, kjo ditë nuk do të jetë e largët. Këtë e di mirë Yamal, që do të ndjekë rrugën e tij për të fituar një vend mes legjendave të Barcelonës.
“Nuk ndiej presion, jam në klubin më të mirë në botë. Mesi ka bërë rrugën e tij, dhe tani unë do të bëj timen. Do të merrja gjithçka nga Mesi. Ai është ende aktiv, gjithçka nga Ronaldinjo dhe gjithçka nga Maradona. Shpresoj të vazhdoj trashëgiminë e tyre. Rinovimi me Barçën deri në vitin 2031 është një hap i madh, fillimi i një udhëtimi që shpresoj të jetë shumë i gjatë”.
Numri 10 që Lamine do të mbajë në shpinë duke nisur nga sezoni i ardhshëm është I merituar dhe I fituar në fushën e lojës. Këtë e tregojnë shifrat, të ekzagjeruara për një lojtar në moshën e tij. Me Barcelonën, Yamal numëron 106 ndeshje, ka shënuar 25 gola dhe ka dhënë 28 asist për shokët e skuadrës.
Dhe meqë jemi te numrat. Sapo fanela me emrin e Yamal me numrin 10 u vendos në dyqanet zyrtare të Barcelonës, menjëherë është shoqëruar me një rekord shitjesh.
Fiorentina “sulmon” për Asllanin/ Klubi nga Firence bën sondazhet e para për yllin kuqezi
Është mirë kur e kupton se të duan.
Kristian Asllani padyshim ndihet më I sigurt dhe me më shumë besim në vetvete, ndërsa lajmet janë që dikush e kërkon me ngulm dhe e quan mjaft të vlefshëm.
Ky dikush që do mesfushorin e kombëtares shqiptare është trajneri I ri I Fiorentinës, Stefano Pioli, ndërsa ish-tekniku i Milanit ka nxitur klubin që të bisedojë seriozisht me Interin.
Lajmet nga Italia janë që klubi fiorentin ka bërë sondazhet e para në Milano, dhe është arritur një lloj kuptimi i dyanshëm.
“Vjollcët” duan që ta marrin fillimisht Asllanin në huazim për një sezon, dhe pastaj të bisedohet për blerje të kartonit.
Nga Interi nuk ka kundërshtim për këtë skenar, pra ylli I Shqipërisë mund të luajë I huazuar në 2025-2026, veçse lombardët kanë një kusht.
Verën që vjen, blerja e kartonit të 23-vjeçarit duhet të jetë e detyrueshme, jo fakultative.
Sipas asaj që informojnë mediat në Apenine, Interi e vlerëson kartonin e Asllanit në 18 milionë euro, e padyshim që kjo është një shifër fillestare në këto bisedime.
Nuk dihet sesi do të përfundojë kjo sagë, por duket se Fiorentina e ka seriozisht dhe e konsideron të rëndësishëm shqiptarin në pretendimet e saj për t’u kualifikuar në Champions sezonin e ardhshëm./abcnews.al
Libri me poezi i Sali Bashotës tanimë edhe në gjuhën malazeze
Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi (CEKUM) në Podgoricë, këto ditë botoi librin me poezi të poetit, Sali Bashota, me titullin “Legenda sna” (“Legjenda e ëndrrës). Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Qazim Muja, me parathënie të shkrimtarit të njohur malazez, Mirash Martinoviq.
Bashota deri më tani ka botuar mbi pesëdhjetë vepra të llojeve dhe zhanreve të ndryshme, duke përfshirë vepra me poezi, prozë poetike, ese, studime letrare, publicistikë. Libri i botuar në gjuhën malazeze është një përzgjedhje nga krijimtaria e tij letrare me poezi.
Librat e Bashotës me poezi janë: “Albumi i grisur” (1986), “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999) “Bukuri e nëmur” (2006), “Dorëshkrimi i ngjallur” (2011), “Në fillim ishte Drita” (2017), “Asnjë zë tjetër” (2018). “Lutja e parë e shpirtit”, (2020), “Pëshpëritja e agonisë – libri i karantinës” (2020), “Matanë dashurisë është një lumë” (2023), ndërsa me prozë poetike ka botuar këto vepra: “Ëndrra në parajsë” (2006), “Sytë e vetmisë” (2011), “Zemërimi i heshtjes” (2014), “Shkallët e natës” (2020), “Mëkati i buzëqeshjes” (2023).
Në fushën e studimeve letrare, Bashota ka botuar veprat: “Shqipshkrimi kritik” (1997), “Kuteli prozator, poet, kritik” (1999),”Domethënia e ideve letrare” (2001), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Enigma e shkrimit” (2018), “Esenca e ligjërimit letrar” (2020).
Poezia e Bashotës është përkthyer dhe botuar në libra të veçantë në vende të ndryshme të botës, si në Francë, Zvicër, Rumani, Bullgari, Çeki, Hungari, Greqi, Suedi, Finlandë, Maqedoni, Mal të Zi etj. Veprat e tij të përkthyera deri më tani janë: “Exilul Sufletului” (2004), “Schalte das magische Licht ein” (2004), “Only Death is White” (2005), “Ako stanam angel” (2006), Ploaia fara Tine” (2008), “Beauté Maudite” (2010), “Прокълната красота” (2012) , “När himlen tystnar” (2012), “Allume la lumière magique” (2012), “Il gioco delle foglio” (2015), “Ηάλλη όψη του” (2016), “Albán éjzaska” ( 2017), “La ŝtono de la amo” (2017), “Whispering Agony – a quarantine book” (2020), “Musta sade” (2025), “Legenda sna” (2025) etj.
Gjithashtu, në Prishtinë, Tiranë, Tetovë etj., nga botues të ndryshëm janë botuar me dhjetëra vepra të zgjedhura të autorit, kryesisht me poezi, ndërkaq në vitin 2023, Shtëpia Botuese Logos- A në Shkup, botoi kompletin e veprave të Bashotës në gjashtë vëllime, në të cilin përfshihet krijimtaria e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare.
Sali Bashota është njëri ndër poetët më të njohur dhe më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit, ndërsa për krijimtarinë e tij letrare dhe shkencore është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, duke përfshirë çmimet letrare “Pjetër Bogdani”, “Serembe”, “Ibrahim Rugova”, “Ali Podrimja”, “Pena e Artë”, “Menada” etj.
Në vitin 2020 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë dhe të kulturës shqiptare, ndërkaq në Festivalin Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”, u shpall Poeti Laureat i vitit 2024.
Parathënia e librit:
Mirash Martinoviq
PALLATI POETIK ME PORTA TË PANUMËRTA
(Sali Bashota: “Legenda sna”, CEKUM, Pogdoricë, 2025)
Jam i befasuar. Në kuptimin më të bukur dhe me ndjenjën më të bukur. Nuk e besoja se ekziston një poet i tillë. Duke lexuar “Legjendën e ëndrrës”, u binda. Poeti quhet Sali Bashota. Ndihem i privilegjuar që mund të shkruaj disa fjalë hyrëse për këtë libër. Një çelës i vogël për Pallatin e Madh të Poezisë, çdo poezi e të cilit është një portë që duhet shkyçur në mënyrë që bota ta gjejë veten në Univers.
Nëse do ta lidhja me ndonjë nga poetët botërorë, edhe pse ai është autentik dhe vetvetja, do të ishte Cesare Pavese (“Vdekja do të vijë dhe do të ketë sytë e tu”). Dhe, nëse një ose më shumë nga poezitë që përbëjnë këtë libër, do t’i zgjidhja për një antologji të mundshme, do të ishte një detyrë shumë e vështirë. Secila prej tyre është për një antologji, dhe atë evropiane dhe botërore, të poetëve të mëdhenj, e më të mëdhenjve. Megjithatë, njërën do ta veçoj për këtë rast, për shkak të poetit të madh, mikut tonë të përbashkët.
MËSOHU ME VDEKË SI ALI PODRIMJA
Këpute edhe këtë degë druri
Këpute si litarin
Hap shteg derisa të dalë shpirti
Shteg në majë të bregut
Merre me vete simfoninë e heshtjes
Merre nëse zbardhet qielli
Vraje shpendin e zi të natës
Vraje nga pabesia
Beso në simbolin e fjalës së dhënë
Beso aty ku fle malli
Digju brenda syrit të mirë
Digju vetëm për afshin
Mësohu me vdekë si Ali Podrimja
Mësohu me vdekë afër një lumi
Edhe unë personalisht, me të dëgjuar lajmin e vdekjes së Aliut, shkrova një cikël me poezi, “Bari i tufave të yjeve”, duke ia kushtuar atij.
Libri “Legjenda e ëndrrës” më mahniti. Poeti i saj më magjepsi, ma ktheu shpresën te Poezia, më bindi se sa është fuqia e saj. Bashota di t’i shndërrojë çastet në përjetësi. Çdo poezi e tij është një jetë mbas jetës. Edhe pse ai këndon për vdekjen – vdekje nuk ka. Jam i lumtur që kjo poezi, përveç që jeton në disa gjuhë evropiane, tani jeton edhe në gjuhën time – malazeze. Kam besuar se Ali Podrimja ishte poeti më i madh shqiptar që kishte nxjerrë Kosova. Për gëzimin e të gjithëve, ja këtu është një tjetër – që është i vetvetes dhe i madh.
I jam mirënjohës Qazim Mujës, i cili e përktheu librin nga shqipja në gjuhën malazeze. Ai përktheu një korpus librash të shkrimtarëve shqiptarë dhe malazezë, duke krijuar kështu ura të qëndrueshme midis dy popujve dhe dy letërsive.
Respekt i madh për të dy, Poetin dhe Përkthyesin! Si do të ishte bota pa poetë, si do të ishin gjuhët pa përkthyes?!
Në Herceg Novi, 3 mars 2025/ KultPlus.com
Shkodranët i binden Ramës/ Lirojnë vetë hapësirat e zaptuara
Aksioni i nisur në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike ka vijuar me intensitet në Shkodër.
Në kryeqendrën e veriut, një pjesë e bizneseve i janë përgjigjur thirrjes duke bërë lirimin vullnetar të hapësirës së zënë nga aktiviteti i tyre. Në kuadër të këtij aksioni, Policia bashkiake e Shkodrës, e adreson thirrjen tek bizneset që refuzojnë të zbatojnë urdhrin për lirimin e hapësirave.
Edhe në bashkinë e Lezhës ka nisur një aksion i gjerë inspektimi për identifikimin e zaptimeve të hapësirave publike dhe ndërtimeve të kryera pa leje.
Në terren janë angazhuar ekipe të përbashkëta nga Inspektorati Kombëtar dhe Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Tatimet dhe Policia Bashkiake.
Sipas verifikimeve paraprake, një pjesë e konsiderueshme e objekteve janë ndërtuar ndër vite dhe posedojnë dokumentacion ligjor, por janë evidentuar edhe raste të ndërhyrjeve të paligjshme mbi pronën publike apo ndërtimit pa miratim nga autoritetet përkatëse.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka vijuar edhe në qytetin e Fierit. Grupet në terren po punojnë për heqjen e heqjen e tavolinave të lokaleve nga trotuaret ku janë vendosur edhe gjoba.
Ndërkohë, për objektet e tjera si mure rrethues, godina në anë të rrugeve ky aksion po kryhet paralelisht me investimet në rrugë. Këtë të mërkureë operacioni është zhvilluar me prishjen e një objekti në lagjen “29 Nëntori”, ndërsa po punohet për zgjerimin dhe asfaltimin e rruges hyrese në veri të qytetit.
Aksioni në të gjithë vendin synon të rikthejë hapësirat publike në funksion të komunitetit, si e drejtë e qytetarëve për të pasur ambiente të lira dhe të aksesueshme./abcnews.al
Konispoli: Rama, oqi! Kryebashkiaku refuzon të shkarkojë stafin
Jo vetem demokratët, por Edi Ramës nuk po i binden as të tijët. Kryebashkiaku i Konispolit, Erges Dule nuk i shkarkoi drejtorët dhe administratorët në varësi të tij, pasi ultimatumit të kryministrit per rifreskim te strukturave. Në nje reagim në rrjetet sociale, dule tha se stafi I tij nuk po performon keq dhe se janë emëruar në detyrë rishtas.
“A janë të gjithë punonjësit njësoj të përkushtuar? Po ju them unë që jo. Por punonjësit varen dhe angazhohen nga ai që i drejton. Nëse drejtuesi nuk ka pasionin, dëshirën dhe dashurinë për vendin e vet atëherë dhe punonjësi do bëje aq sa për t’u dukur. Në Konispol ju siguroj se gjenden të gjitha këto dhe cdo ditë bëhet punë. A mjaftojnë këto? Sigurisht që jo. Këtu na duhet ndihma juaj dhe opinioni juaj. Nëse administrata punon mirë dhe është në shërbim të qytetarit ska vend për frikë dhe nuk lëviz asnjë.”
Por Dule nuk është I vetmi. Edhe kryebashkiakët e Lezhës dhe Skraparit nuk kanë marrë asnjë dorëheqje pasi sipas Pjerin Ndreut dhe Adriatik Memes, të gjithë administratorët dhe drejtorët janë emëruar së fundmi. Po ashtu edhe Tavo I himarës, tha të premten pas mbledhjes që ai nuk do bënte zevendësime edhe përshkak të zgjedhjeve të fundit në Himarë.
Të parët që nisën mos bindjen ishin demokratët. Kryebashkiaku demokrat Fisnik Qosja pas takimeve maratonë me kryeministrin Rama, deklaroi publikisht se nuk pranon kërkesën e shefit të qeverisë, për të shkarkuar nënkryetarët e tij. Po ashtu, edhe pesë kryebashkiakë demokratë, të cilët kanë pranuar ftesat e kryeministrit për takime nuk i janë përgjigjur kërkesës së tij,
-
- Qëndrimet e Trump për Ukrainën/ Nga super raketat për Kievin tek sanksionet për Rusinë (që janë ende zero): Nuk jam me asnjë!
Qëndrimet e Trump për Ukrainën/ Nga super raketat për Kievin tek sanksionet për Rusinë (që janë ende zero): Nuk jam me asnjë!
Pas njoftimit të madh të Trump për shitjen e armëve europianëve për Kievin dhe për ultimatumit ndaj Putin, dyshimet dhe shqetësimet janë të shumta, veçanërisht në lidhje me planin afatgjatë. Evropa është e kënaqur me këtë përparim në fushën e armëve, edhe pse nuk beson se kërcënimi i “tarifave dhe sanksioneve” brenda 50 ditësh do të jetë efektiv.
Për më tepër, edhe pse Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke folur nga Zyra Ovale krah Trump, e quajti “të vetëkuptueshme” kërkesën e presidentit amerikan që europianët të paguajnë për armët, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi dje: “E mirëpresim njoftimin e presidentit Donald Trump për dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë, megjithëse do të donim që SHBA të ndante barrën me ne”.
Një tjetër çështje është se çfarë lloj armësh do të dërgohen. Prej ditësh qarkullojnë zëra për mundësinë e dërgimit edhe të raketave me rreze të gjatë veprimi, por si Trump ashtu edhe Rutte u shprehën në mënyrë të paqartë të hënën për përmbajtjen e “paketës”, përveç përmendjes së sistemeve mbrojtëse Patriot.
Burime anonime të cituara nga gazetat thonë se Trump do të dërgojë edhe armë ofensive: në veçanti, raketa të tjera të tipit ATACMS (Army Tactical Missile System), me lejen për t’u përdorur nga ukrainasit në rrezen e plotë deri në 300 kilometra në territorin rus (nuk arrijnë në qytetet Moskë e Shën Petersburg, por mund të godasin baza e depo armësh në thellësi). Për më tepër, Ukraina ka kërkuar — por ende nuk ka marrë — raketat JASSM (Joint Air-to-Surface Standoff Missiles), të cilat kanë rreze më të gjatë se ATACMS dhe mund të lëshohen nga avionët luftarakë F16 (që tashmë janë ofruar nga europianët për Kievin).
Por dje presidenti amerikan deklaroi se për momentin nuk ka ndërmend të dërgojë raketa me rreze të gjatë veprimi, edhe pse nuk e përjashtoi këtë mundësi në të ardhmen. E megjithatë, ishte vetë ai që ngjalli shpresa tek Zelensky, duke e pyetur, më 4 korrik, nëse ishte në gjendje të godiste Moskën dhe Shën Petersburgun. Tani Shtëpia e Bardhë thotë se ishte thjesht një pyetje e zakonshme.
I dërguari i Trump në NATO, Matt Whitaker, thekson se prioritet janë sistemet mbrojtëse — Patriotët që mund të kapin raketat balistike ruse — dhe shpresohet që ato të mbërrijnë në ditët në vijim nga rezervat europiane, ndërsa vetë europianët janë në pritje të furnizimeve të reja nga Amerika. Edhe vetë ukrainasit i konsiderojnë Patriotët si nevojën më urgjente: ata kanë aktualisht 8 njësi, prej të cilave dy nuk funksionojnë, dhe shumë qytete janë të pambrojtura nga sulmet ajrore ruse.
Por të gjithë ekspertët theksojnë se, përveç Patriotëve (që duhen sa më shpejt), janë të domosdoshme edhe armë që u mundësojnë ukrainasve të “marrin iniciativën” në fushëbetejë: “Më shumë armë ofensive për të goditur objektivat pas vijës së frontit — shkruhej dje në editorialin e Washington Post —. Kjo është zona ku administrata Biden ka vepruar shumë ngadalë dhe me shumë hezitim, gjithmonë nga frika se sulmet më të drejtpërdrejta ndaj Rusisë do të shkaktonin një konflikt rajonal më të gjerë me një fuqi bërthamore”.
Pikërisht pas kërcënimit me sanksione dytësore ndaj vendeve që blejnë gaz dhe naftë ruse, Trump u ka kërkuar senatorëve republikanë që për momentin të ngrijnë një projektligj që parashikon sanksione dytësore deri në 500%, i mbështetur nga 85 prej 100 senatorëve: këto sanksione do të kishin pasoja shkatërruese, por udhëheqësi i republikanëve në Senat, John Thune, shpjegon se “për momentin, presidenti dëshiron ta menaxhojë vetë këtë çështje”.
A është vërtet gati Trump të shkojë përpara me sanksione dytësore që do të godisnin Kinën dhe Indinë — rivalin kryesor dhe një aleat kyç i SHBA? Edhe vetë SHBA-të do të vuanin, për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Shumëkush nuk beson se Trump është i gatshëm të sakrifikojë këto marrëdhënie për hir të Ukrainës.
Për më tepër, me të dy vendet — Kinën dhe Indinë — janë në zhvillim negociata për taksat doganore dhe, sipas politologut Ian Bremmer, Trump po e kupton se ndodhet në një pozitë më të dobët se ç’e mendonte, si në aspektin politik (në raport me durimin e opinionit publik), ashtu edhe ekonomik (për shkak të pasojave të mundshme nga kufizimet kineze për mineralet kritike), dhe u ka kërkuar “skifterëve” në administratën e tij të ulin pritshmëritë për periudhën afatshkurtër, duke zbutur gjithashtu disa kufizime mbi eksportin e çipave gjysmëpërçues në Kinë.
A do të arrijnë New Delhi dhe Pekini të reduktojnë varësinë nga Rusia brenda këtyre 50 ditëve? Vështirë, për shkak të kompleksitetit të një operacioni të tillë. A mund të ushtrojë Kina presion mbi Moskën për të ndalur luftën? Nuk është e sigurt që Kina ta dëshirojë këtë: një përfundim i shpejtë i luftës do të rrezikonte të zhvendoste gjithë vëmendjen e SHBA në Indo-Paqësor./abcnews.al
Gjirokastra, 20 vite në UNESCO/ Golemi: Ditë e veçantë dhe përgjegjësi për mbrojten e arkitekturës
Gjirokastra feston 20 vite si trashëgimi botërore e gjithë njerëzimit, mbrojtur nga UNESCO.
Për këtë moment të ve֛antë, në qytetin e gurtë u ekspozuan imazhe shekullore, kostumet e zonave të ndryshme etnografike.
Nuk mungoi iso-polifonia që gjirokastritët e kanë përcjellë me fanatizëm edhe tek brezi i ri.
E gjithë kjo atmosferë u shijua edhe nga turistët e huaj, që janë të shumtë në këtë periudhë në qytetin historik, ndër më të frekuentuarit në vend.
Pjesë e pasurisë botërore të Unesco, Gjirokastra është dëshmi unike të traditës kulturore të jetës së zhvilluar në shekujt XIV-XV.
Veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri dhe rrugicat me kalldrën.
Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, si vlerë historike dhe arkitektonike./abcnews.al
Merret peng avioni në Kanada/ Nuk dihen shkaqet, asnjë incident
Një avion i vogël privat u mor peng në Kanada të martën, duke detyruar autoritetet të bllokojnë përkohësisht hapësirën ajrore mbi Aeroportin Ndërkombëtar të Vankuverit një prej aeroporteve më të ngarkuara në vend.
Avioni i tipit Cessna 172, që përdoret zakonisht për trajnim të pilotëve, u ngrit në mënyrë të paautorizuar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Viktorias, përpara se të fluturonte në drejtim të Vankuverit dhe të fillonte të qarkullonte në mënyrë të parregullt në afërsi të aeroportit.
Sipas komunikimeve të publikuara nga platforma LiveATC.net, një kontrollor ajror njoftoi avionët e tjerë në zonë për situatën emergjente: “Kemi një avion të marrë peng që ndodhet në afërsi të aeroportit. Nëse ndodh ndonjë lëvizje e rrezikshme, ju keni të drejtë të veproni sipas gjykimit tuaj.”
Dëshmitarët në tokë panë avionin duke bërë manovra teksa fluturonte ne nje lartesi te ulet, ndërsa kontrollorët e trafikut ajror manovruan avionët e tjerë për të shmangur rrezikun. Një Boeing 737 i kompanisë WestJet, që po përgatitej për ulje, u urdhërua të ndërpriste procedurën për shkak se avioni “i rrëmbyer” i kaloi përpara në distancë të rrezikshme.
Pas disa minutash tensioni, avioni u ul i sigurt në aeroportin e Vankuverit, ku u rrethua menjëherë nga policia. Personi përgjegjës për rrëmbimin, i cili ishte vetëm në bord, u arrestua në vendngjarje.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet e aeroportit konfirmuan incidentin:
“Një incident sigurie me një avion të vogël privat në hapësirën ajrore pranë YVR shkaktoi një ndalim të përkohshëm të uljeve. Fluturimet hyrëse u pezulluan për 39 minuta dhe nëntë avionë u devijuan drejt aeroporteve të tjera.”
Policia dhe autoritetet kanadeze nuk kanë dhënë ende asnjë informacion mbi identitetin e të dyshuarit apo motivet e mundshme të këtij akti ndersa hetimet per ngjarjen vijojnë./abcnews.al
Futbolli bën tifoz Donald Trump/ Presidenti amerikan: Nuk duhet ta quajmë më “soccer”
Organizimi i Botërorit për Klube, madje përfshirja në vetë të parë mbi mbarëvajtjen e turneut, duket se e ka bërë Donald Trump një tifoz futbolli. Jo “soker” sic do ta quanin bashkëatdhetarët e tij amerikanë, por futbollit.
Kjo konfirmohet nga ideja e fundit e presidentit Trump, që mund të kthehet në një urdhër ekzekutiv. Ashtu si gjithë pjesa tjetër e botës, ashtu si ai tani edhe amerikanët duhet ta quajnë tani futboll.
“Unë mendoj se mund ta bëjmë këtë. Unë them se duhet ta bëjmë këtë. Ata e quajnë këtë futboll, ne e quajmë “soker”, por është e lehtë që kjo të ndryshojë. Gjitheesi është i bukur për tu parë”
Këto deklarata, që pritet të hapin debate në SHBA, ku futboll quhet me fanatizëm vetëm ai amerikan, vijne pak ditë nga mbyllja e Botërorit për Klube. Donald Trump e ndoqi finalen në tribunë, ndërsa dorëzoi edhe trofeun e fituesit Chelsit, duke u bërë protagonist gjatë ceremonisë.
Në verën e ardhshne Shtete e Bashkuara të Amerikës, bashkë me Kanadanë dhe Meksikën do të organizojnë finalet e Kupës se Botës 2026./abcnews.al
Donçiç ‘tremb’ Lakers/ Superylli mund të mos rinovojë kontratën në Los Angeles
E provoi se çdo të thotë të jesh në klubin më të madh të basketbollit në botë.
Luka Donçiç luajti të paktën për disa muaj me fanelën e Lejkërsave, dhe për më tepër në krah të “Mbretit” Lebron Xhejms, por superylli slloven duket disi i pasigurt për të ardhmen.
Mediat amerikane dhe ato europiane shkruajnë se 26-vjeçari mund të mos e firmosë kontratën afatgjatë prej 4 vitesh me një rrogë totale prej 229 milionë USD.
Këtë mund ta bëjë që në 2 gusht.
Sipas analistëve të këtij sporti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donçiç mund të firmosë vetëm për një vit, për të qenë I lirë në 2026.
Sipas rregullave në NBA, Luka mund të kishte firmosur për 5 vjet me rrogë 345.3 milionë USD nëse do të kishte qendruar tek Dallasi.
Llogaritë tani bëhen që, nëse slloveni do të jetë agjent I lirë në 2026, ai mund të arrijë në një nivel pagese të jashtëzakonshëm, prej 418 milionë USD në 5 vjet, apo 83.6 milionë USD në sezon.
Lejkërsat po e mbështesin projektin e tyre të ardhshëm pikërisht tek Luka Donçiç, ndërsa Lebron Xhejms ka kaluar moshën 40-vjeçare, por deri tani nuk ka arritur ta përforcojë skuadrën siç duhet, dhe kjo e ka bërë yllin slloven që të mos ketë besim absolut tek suksesi në Kaliforni./abcnews.al
Fanellat e “arta”/ City vendos rekord në Premier. 1 miliard stërlina nga sponsori teknik
Janë skuadrat më të forta, por pas kanë klube shumë të pasur. Kontrata e re e Manchester City me “Puma” si sponsor teknik konfirmon edhe një herë shifrat marramendëse që rrethojnë futbollin.
Klubi anglez vendosi një rekord në Premier League, pasi në 10 vitet e ardhshme do të arkëtojë 1 miliard stëtrlina nga kompania e veshjeve sportive.
Një çmenduri e vërtetë, që e vendos Manchester City në vendin e dytë të klasifikimit të klubeve që fitojnë më shumë nga sponsorat teknikë.
Në vendin e parë është Real Madrid.
Nga kontrata me “Adidas”, madrilenët fitojnë çdo vit 120 milion euro, 5 më shumë se “Cityzens”.
Në vendin e tretë është Barcelona, që gjithashtu I kalon 100 milion euro.
Saktësisht, klubi “blaugaran” arkëton çdo vit 105 milion euro ka kontrata me “Nike”.
I fundin në klubin e “100 milionëshve” është Manchester United, që fiton 104 milion euro.
Në vendin e pestë është Arsenal, ndërsa në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë të tjerëklube anglezë si Liverpool dhe Chelsea.
Vende nderi në këtë klasifikim kanë Paris SG, Bayern Munich dhe Juventus, që gjithsesi janë shumë larg në shifra krahasuar me kryesuesit.
Shkëlqejnë Shkëndija e Drita/ Champions, sukses i dy skuadrave të tjera të shqiptarëve
Për fat kemi përfaqësues edhe jashtë kufijve tanë shtetërorë.
Dy skuadra të shqiptarëve nderuan kombin me paraqitjen e tyre në turin e parë eliminator në Champions, duke arritur kualifikimin.
Këto janë Shkëndija e Tetovës dhe Drita e Gjilanit.
Kampionia e Maqedonisë së Veriut pati nevojë për kohë shtesë për të kaluar rivalin nga Uellsi, Nju Sejnts.
Pas barazimit 0-0 në sfidën e parë, tetovarët ia dolën 2-1 në stadiumin “Toshe Proeski” të Shkupit, pas plot 120 minutave lojë.
Fabris Tamba kaloi Shkëndinë në epërsi në 18’, por Xhordan Uilliams barazoi që në pjesën e parë, në 38’.
Kualifikimi u arrit vetëm 4 minuta para fundit kur Bodenham shkaktoi autogol.
Sukses I madh edhe për Dritën e Gjilanit.
Kampionia e Kosovës do të përpiqet të ndjekë gjurmët e Ballkanit, dhe raundi I parë eliminator në Champions u kalua me sukses.
Pas fitores 1-0 në Prishtinë një javë më parë, u arrit triumfi edhe në Luksemburg.
Skuadra vendase, Diferdanzh, u mund 3-2, dhe heroi kryesor ishte Arb Malaj.
Sulmuesi, që më parë ka luajtur në Turqi, shënoi dy gola në minutat 4 e 17, duke I dhënë epërsi vendimtare gjilanasve.
Vendasit barazuan në 2-2, por pikërisht në minutën e tretë shtesë Veton Tusha realizoi rrjetën e fitores për ekipin e drejtuar nga trajneri Zekeria Ramadani.
Në raundin e dytë, përballë Dritës do të jetë FC Kopenhagen I Danimarkës, dhe rival I Shkëndisë është Steaua e Bukureshtit
Kuqezinjtë mbyllin pushimet/ Disa lojtarë të Kombëtares nisin përgatitjet për sezonin
Pushimet përfunduan dhe nisi puna. Disa nga futbollistët e njohur të kombëtares shqiptare u paraqitën në skuadrat e tyre në fillimin e fazës përgatitore për sezonin e ardhshëm, e padyshim që kjo pjesë e verës do të jetë e vështirë.
Berat Gjimshiti po vazhdon për momentin tek Atalanta, tashmë me trajnerin e ri Ivan Juriç, që ka zëvendësuar Xhampiero Gasperinin tashmë tek Roma.
Kapiteni I kombëtares shqiptare, dhe njëri nga kapitenët e skuadrës bergamaske, është në formë mjaft të mirë, siç e tregoi edhe edicionin e kaluar duke qenë një nga më të mirët për ekipin që siguroi Championsin dhe pretendoi edhe për titull.
Ende nuk dihet nëse Gjimshiti do të mbetet tek Atalanta, apo do të shkojë diku tjetër, ndërsa ka pasur zëra për një kalim tek Al Ain në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në krye të detyrës, veçse me fanelë tjetër, Ardian Ismajli. Mbrojtësi tjetër i kombëtares është tashmë pjesë e Torinos, me të cilën ka nisur seancat stërvitore.
Klubi piemontez vendosi të përgatitjet të ishin të hapura për tifozët, të cilët vërshuan për të parë skuadrën e zemrës.
Mes atyre që firmosi autografe apo bëri fotografi me publikun ishte edhe Ismajli. Së fundmi, Adrion Pajaziti, jo vetëm ka nisur stërvitjen me Hajdukun në Kroaci, por edhe është aktivizuar në një ndeshje përgatitore.
Futbollisti I kombëtares luajti që nga minuta e 66-të në miqësoren që skuadra nga Spliti e fitoi 1-0 ndaj rivalit modest Posushje./abcnews.al
Egnatia e “dreqos” në Islandë/ Champions, Breidablik shkatërron 5-0 skuadrën rrogozhinase
Frika ekzistonte, por nuk donim ta besonim. Gjithsesi, e keqja ndodhi dhe Egnatia u eliminua nga Championsi që në raundin e parë, dhe pasi pësoi një humbje të rëndë 5-0 në Islandë.
Kampionia e Shqipërisë, që pati shpresë për kualifikim pas suksesit 1-0 në ndeshjen e parë, u dorëzua plotësisht që në 45 minutat e para, kur pësoi 4 gola nga skuadra vendase, Breidablik.
Goli I parë u shënua që në minutën e 15-të nga Torsteinson, dhe Egnatia nuk e mori veten deri në pushim, ndërsa pësoi sërish gol në pjesën e dytë.
Rrjetat e tjera ishin nga Torsteinson në 27’, Einarson në 23’ e 38’ dhe Omarson në 69’.
U duk e pashpjegueshme mënyra sesi luajti skuadra nga Rrogozhina, e cila në fushën e saj tregoi një fytyrë krejt tjetër duke e dominuar plotësisht kundërshtarin.
Duhet thënë se ekipi ynë pati dy mungesa të rëndësishme si Ndrecën e dëmtuar dhe Lushkjen e pezulluar, por padyshim kjo nuk mund të vlejë si argument për një humbje të tillë pa bërë as rezistencën më të vogël.
Tashmë, kampionia e Shqipërisë do të vazhdojë në turin e dytë të Ligës së Konferencës në datat 24 e 31 korrik, e do të ndeshet me humbësen e çiftit të Championsit, Dinamo Minsk-Ludogorec.
Jesus, trajneri i ri i CR7/ Portugezi ulet për një vit në stolin e ekipit saudit, Al Nassr
Kontratën e rinovoi dhe idetë i ka tepër të qarta.
Kristiano Ronaldo nuk ka ndërmend të dorëzohet as tani në moshën 40-vjeçare, dhe objektivat mund të realizohen sidomos me një trajner të zotin në krye të ekipit të tij, Al Nasr.
Klubi saudit njoftoi se ka arritur marrëveshje me teknikun portugez, Zhorge Zhezus, I cili është vërtet një veteran I profesionit, por e njehj mirë futbollin dhe Arabinë.
Mbi të gjitha, njihet mirë dhe pëlqehet nga Ronaldo, I cili duket se ka nxitur Al Nasrin për ta caktuar në detyrë.
Akordi mes tyre është njëvjeçar, pra deri në verën e vitit të ardhshëm, por padyshim me mundësi për t’u rinovuar.
Zhezus ka fituar shumë në karrierë, ndonëse nuk është se ka punuar me CR7-ën.
Me Benfikën u shpall tri herë kampion I Portugalisë si dhe fitoi kupa e Superkupa, me Bragën mori Kupën Intertoto, tek Sportingu fitoi Superkupën e Portugalisë dhe Kupën e Ligës, me Flamengon fitoi Kampionatin Brazilian dhe Kupën Libertadores, ndërsa në Arabinë Saudite u shpall kampion në 2024 me Al Hilalin, duke fituar edhe Kupën e Mbretit si dhe tri herë Superkupën e vendit.
Ronaldo ende nuk ka fituar ndonjë trofe të rëndësishëm dhe zyrtar tek Al Nasr, edhe pse ka shënuar gola pa fund.
Superylli portugez e synon titullin kampion si dhe Championsin e Azisë, si dhe që të arrijë nivelin mitik të 1000 rrjetave si futbollist profesionist./abcnews.al
Kampion edhe në financa/ Chelsea, përfitime rekord pas triumfit në Botërorin e Klubeve
Ka marrë edhe më shumë para, por jo vetëm për një muaj.
Çelsi është një skuadër angleze, në një Premier Ligë ku kampionia fiton plot 175 milionë paundë në sezon, por gjithsesi, paratë që u futën në xhep në Kupën e Botës për Klubet nuk janë aspak për t’u hedhur poshtë.
Përkundrazi.
Blutë e Londrës, që fituan për herë të parë këtë trofe pas finales ndaj Paris SG në stadiumin “Metlajf” të Nju Xhersit, arkëtuan një shifër prej afërsisht 100 milionë eurosh.
BBC britanike e jep përfitimin në 84 milionë paundë, apo rreth 114 milionë USD, ndërsa televizioni amerikan CBS, shkruan se përfitimet ishin 103.5 milionë euro apo 121 milionë USD.
Në çdo rast janë shumë, aq më tepër për vetëm një muaj punë.
Për më tepër, sipas televizionit të mësipërm amerikan, Çelsi ka fituar në total nga aventura amerikane plot 154 milionë USD, duke përfshirë edhe të ardhura që nuk lidhen vetëm me pjesëmarrjen.
Të mos harrojmë se Blutë e Londrës morën 164 milionë paundë për vendin e katërt në Premier Ligë, që do të thotë 220 milionë USD.
Trajneri Enzo Mareska pritet të bëjë blerje të fuqishme, që skuadra e tij të pretendojë tituj të mëdhenj edicionin e ardhshëm, pse jo kampionatin anglez dhe Championsin.
Përse të mos I synojë një ekip që mundi Paris SG 3-0 në finalen e Botërorit të Klubeve duke merituar gjithçka?