Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 July 2025Main stream

INSTAT: Eksportet, me rritje 2,1% në 6-mujorin e parë

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Tendenca e eksporteve shqiptare në gjashtëmujorin e parë të këtij viti mbetet pozitive duke shënuar rritje me 2,1 %  me bazë vjetore.

Sipas raportit të publikuar sot nga INSTAT-i, eksportet arritën vlerën 203 miliardë lekë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 431 miliard lekë, duke u ulur me 2,0 %, krahasuar me një vit më parë.

Deficiti tregtar arriti vlerën 228 miliard lekë, duke u ulur me 5,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Referuar të dhënave grupet që kanë ndikuar në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 8,6 %, “Ushqime, pije, duhan” me 1,2 %, etj., ndërsa negativisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 6,1% “Produkte kimike dhe plastike” me 0,6 pikë përqindje, etj.

INSTAT bën të ditur se eksportet janë rritur në qershor për të dytin muaj radhazi.

Në qershor 2025 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke u rritur me 1,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 0,6 %, në krahasim me maj 2025.

Ndërsa importet e mallrave në qershor arritën vlerën 77 miliard lekë, duke u ulur me 0,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,5 %, në krahasim me majin 2025. Deficiti tregtar i këtij muaji është 41 miliardë lekë, duke u ulur me 2,0 %, krahasuar me qershorin 2024 dhe 3,2 % në krahasim me majin 2025.

Gjatë muajit qershor 2025, në rritjen e eksporteve prej 1,9 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 9,7 %, “Ushqime, pije, duhan” me 3,1 %. Negativisht ka ndikuar grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 6,2 %.

INSTAT bën të ditur se, në muajin qershor 2025, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me qershor 2024 janë: Kosova 64,8 %, Gjermania 39,6 %, Greqia 18,1 %, etj.

Ndërsa gjatë këtij gjashtëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Kosova 72,5 %, Greqia 8,6 % dhe Gjermania 10,3 %.

Sa i takon importeve rritjen më të madhe e shënojnë vendet: Kina 29,9 %, Greqia 1,3 % dhe Gjermania (4,3 %). /j.p/

 

The post INSTAT: Eksportet, me rritje 2,1% në 6-mujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kufiri i pataksueshëm për bagazhet e udhëtarëve, Doganat sqarojnë limitet e lejuara

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Dogana shqiptare sqaroi sot se udhëtarët që hyjnë në Republikën e Shqipërisë përjashtohen nga detyrimet doganore për mallrat në bagazhin personal, nëse këto mallra nuk janë për përdorim tregtar.

Sipas njoftimit të doganave, përjashtimi vlen për mallrat për përdorim vetjak ose si dhurata, me kufijtë e vlerës: 300 euro për udhëtarët në rrugë tokësore; 430 euro për udhëtarët në rrugë ajrore/detare dhe 150 euro për udhëtarët nën 15 vjeç.

Administrata Doganore bën të ditur se nëse kalohen këto kufij ose mallrat janë për qëllime tregtare, është i detyrueshëm deklarimi pranë doganës.

Në raste tejkalimi për mallra jotregtare, zbatohet procedura e Deklarimit të Thjeshtuar. /j.p/

 

1 nga 4

The post Kufiri i pataksueshëm për bagazhet e udhëtarëve, Doganat sqarojnë limitet e lejuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rabdishti, në garë për “Fshatrat më të mirë turistikë në botë”

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Me shtigje të shënuara, male madhështore dhe një komunitet që ruan me përkushtim traditat, Rabdishti është shndërruar në një qendër të vogël për turizmin e qëndrueshëm në zonën e Dibrës.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me GIZ Shqipëri ka vendosur ta përzgjedhë si një nga 6 përfaqësuesit e Shqipërisë në nismën globale “Fshatrat më të Mirë Turistikë në Botë” nga UNWTO.

Një fshat ku çdo gur mbart një histori dhe çdo mik pritet si i shtëpisë. Në Rabdisht, jeta rrjedh e qetë, por hapat e rinj të turizmit po krijojnë një rrugë të re  një rrugë që nuk harron rrënjët.

Fshati Rabdishtit në Dibër, së fundi është kthyer në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj, jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për agroturizmet e reja që po shtojnë ofertën turistike të zonës.

Rabdishti është një nga fshatrat ku institucionet e linjës në bashkëpunim me donatorët, kanë punuar për ndërtimin e një modeli turizmi rural të bazuar te komuniteti.

Fshati Rabdisht është një nga 100 fshatrat turistikë në Shqipëri. I ndodhur në një peizazh malor, i ndërtuar më shtëpi tradicionale me gurë, çatitë prej rrase guri, si dhe rrugët me kalldrëm i japin pamje të veçantë dhe unike duke u njohur “fshati i gurtë”.

Rabdishti shtrihet në majën e Luginës së Shërimit e cila ka marrë emrin e saj nga vetitë kuruese të burimeve termale të Peshkopisë dhe nga pjesa malore e kullotës së bjeshkës së Rabdishtit dhe malit me të njëjtin emër të vargmalit Deshat-Korab.

Vizitorët e shumtë që frekuentojnë këtë fshat pëlqejnë jetën tipike të fshatit, bujtinat tradicionale në Rabdisht, ku mikpritja dhe gatimet tradicionale shijohen si askund në rajonin e Dibrës. /j.p/

The post Rabdishti, në garë për “Fshatrat më të mirë turistikë në botë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Formalizimi i tregut të ushqimeve, Tatimet: U bllokuan 20 tonë mallra

TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Tre ditë nga nisja e aksionit për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë, janë bllokuar 20 tonë mallra.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, bën të ditur se bllokimi i mallrave ka ardhur nga inspektimi në 87 subjekte.

Sipas DPT-së, rezultatet e 3 ditëve të para tregojnë qartë nevojën për formalizimin e plotë të këtij sektori, si një garanci për cilësinë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.

DPT njofton se do të vijojë me intensitet aksionin për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Tatime ftuan të gjithë tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi te konsumatori. /j.p/

The post Formalizimi i tregut të ushqimeve, Tatimet: U bllokuan 20 tonë mallra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 16 July 2025Main stream

Punësimi i të huajve, 85,980 aplikime deri më sot në e-Albania

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në portalin e qeverisë e-Albania janë regjistruar në total 85,980 aplikime për “leje unike”.

Shërbimi elektronik “Aplikim për leje unike” u mundëson shtetasve të huaj që kërkojnë të qëndrojnë dhe të punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, të bëjnë një kërkesë për t’u pajisur me leje unike në Republikën e Shqipërisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga e- Albania, vetëm gjatë vitit 2022 janë regjistruar 36,700 aplikime, ndërsa gjatë vitit 2023 shënohen 36,348 aplikime dhe në vitin 2024 janë 12,932 aplikime.

Paralelisht me kërkesën e bizneseve për të pasur mundësi të punësojnë të huaj në kushtet e mungesë së krahut të punës në vend, ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm dhe është lehtësuar procesi i aplikimit në sistemin online, nga bizneset për lejeve unike. /j.p/

The post Punësimi i të huajve, 85,980 aplikime deri më sot në e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komiteti Ekzekutiv i FSHF miraton rregulloren e re të kategorisë “Abissnet Superiore”, risitë e “Final 4”

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) ka miratuar propozimin e ri për ndryshimin e rregullores së kampionatin “Abissnet Superiore” për fazën “Final 4”.

Në një njoftim, FSHF bën të ditur se, pas takimit konsultues me drejtuesit e klubeve, ku shumica shprehën mbështetjen për këtë propozim, Komiteti Ekzekutiv vendosi ta miratojë.

Kështu, duke nisur nga sezoni 2025-2026, faza “Final 4” do të funksionojë sipas kësaj rregulloreje:

Kampionati është me 4 faza të rregullta, vajtje – ardhje.

Renditja pas 36 javëve përcakton pjesëmarrësit në Final 4.

Katër ekipet e para kualifikohen në Final 4.

Pikët në Final 4 do të përgjysmohen, duke marrë për bazë vlerën më të ulët.

Sipas FSHF-së, do të luhen në total 6 ndeshje dhe skema është e tillë:

Java 1

Vendi 1 vs Vendi 4

Vendi 2 vs Vendi 3

Java 2

Vendi 1 vs Vendi 3

Vendi 2 vs Vendi 4

Java 3

Vendi 1 vs Vendi 2

Vendi 3 vs Vendi 4

FSHF njofton se të gjitha ndeshjet zhvillohen në stadiumin “Air Albania”.

Pjesëmarrësit në kompeticionet europiane përcaktohen nga renditja e Final 4. Vendi 9 dhe 10 i “Abissnet Superiore” bie nga kategoria. Vendi tetë i “Abissnet Superiore” shkon në “play out”.

Në rast barazimi pikësh midis dy ose më shumë ekipeve në fazën “Final 4”, renditja përcaktohet sipas kritereve në vijim: Pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4;  Diferenca e golave (shënuar – pësuar) në ndeshjet direkte gjatë kampionatit dhe fazës Final 4; Diferenca e përgjithshme e golave në të gjithë sezonin (kampionati + Final 4).

/j.p/

The post Komiteti Ekzekutiv i FSHF miraton rregulloren e re të kategorisë “Abissnet Superiore”, risitë e “Final 4” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tradita e thurjes me duar, fshati Spathar në Librazhd në paketat turistike kulturore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në fshatin Spathar në Librazhd, gratë dhe vajzat artizane të zonës kanë arritur jo vetëm të ruajnë traditën e thurjes së qilimave me dorë por ta integrojnë këtë art, në paketat turistike kulturore.

Përmes këtij turi kulturor, vizitorët dhe turistët e huaj, do të kenë mundësinë të mësojnë  nga afër procesin e thurjes në tezgjah, të provojnë ngjyrosjen natyrale me bimë vendase, të shijojnë ushqim tradicional dhe verë lokale, si dhe të eksplorojnë natyrën përreth përmes ecjeve të lehta në fshatin Spathar.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka ndërmarrë këtë iniciativë mbështetur edhe nga GIZ Albania, përmes Platformës Inovative të Turizmit (TIP), për të gjithë ata që kërkojnë të njohin përvojën autentike që lidh kulturën, natyrën dhe trashëgiminë artizanale shqiptare.

Turet kulturore në Spathar, Librazhd janë aktualisht janë të disponueshme në 3 formate: 1.5h | 3h | 6h.

/j.p/

The post Tradita e thurjes me duar, fshati Spathar në Librazhd në paketat turistike kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dollari këmbehet sot me 84,13 lekë dhe euro me 97,74 lekë

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të mërkurën dollari amerikan forcoi pozitat në raport me lekun, krahasuar me ditën e martë, ndërsa euroja shënoi rënie.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan këmbehet me 84,13 lekë ose 0,42 lekë më shumë ndërsa euroja zbriti me 0,09 lekë, duke u kuotuar në vlerën e 97,74 lekëve.
Paundi britanik këmbehet me 112,62 lekë, ose 0,01 lekë më shumë se një ditë më parë dhe franga zvicerane zbriti me 0,20 lekë duke u këmbyer sot me 104,99 lekë. /j.p/
Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 84.13 +0.42
Euro EUR 97.74 -0.09
Poundi Britanik GBP 112.62 +0.01
Franga Zvicerane CHF 104.99 -0.20
Jeni Japonez (100) JPY 56.56 -0.14
Dollari Australian AUD 54.82 -0.14
Dollari Kanadez CAD 61.31 +0.16
Korona Suedeze SEK 8.63 -0.08
Korona Norvegjeze NOK 8.18 -0.07
Korona Daneze DKK 13.10 -0.01
SDR SDR 115.08 +0.47
Ari(OZ 1) XAU 280947.09 -535.32
Argjend(OZ 1) XAG 3196.10 -10.16
Juani Kinez (onshore) CNY 11.72 +0.05
Juani Kinez (offshore) CNH 11.71 +0.04
Lira Turke TRY 2.09 +0.01

The post Dollari këmbehet sot me 84,13 lekë dhe euro me 97,74 lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beci: Vijon pastrimi i mbetjeve inerte pas shembjes së ndërtimeve pa leje në Theth

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në Theth, grupet e punonjësve të Bashkisë Shkodër po vijojnë punën për pastrimin e zonës në qendër të fshatit, pas aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau në rrjete sociale momente nga aksioni për pastrimin e territorit nga inertet, me synim rikthimin e hapësirave në gjendjen e mëparshme dhe ruajtjen e imazhit karakteristik të Thethit, qendër e Parkut Kombëtar të Alpeve.

Beci bëri të ditur se, gjithashtu janë vendosur rrethime për 5 pika të kontenierëve të mbetjeve, për të parandaluar shpërndarjen e tyre nga kafshët dhe hedhjen jashtë kontenierëve.

“Puna po zhvillohet në disa drejtime, me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për banorët dhe turistët”, tha Beci.

I ndodhur 70 km larg Shkodrës, Thethi është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve në të gjitha stinët, por veçanërisht gjatë sezonit të verës.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. /j.p/

The post Beci: Vijon pastrimi i mbetjeve inerte pas shembjes së ndërtimeve pa leje në Theth appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BB: Shqipëria klasifikohet si vend me të ardhura të mesme-të larta

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Shqipëria klasifikohet si vend me të ardhura të mesme-të larta, në raportin e publikuar së fundi nga Banka Botërore, “Kuptimi i të ardhurave të vendit: Klasifikimet e të ardhurave të Grupit të Bankës Botërore për vitin fiskal 2026 (1 korrik 2025–qershor 2026)”.

Çdo vit, grupi i Bankës Botërore klasifikon ekonomitë e botës në katër grupe të ardhurash: të ulëta, të ulëta-të mesme, të larta-të mesme dhe të larta. Ky klasifikim përditësohet çdo vit bazuar në të Ardhurat Kombëtare Bruto për Frymë (GNI) të një viti më parë.

Sipas BB, ky indikator reflekton jo vetëm nivelin e zhvillimit për secilin vend, por ka edhe potencialin për të ndikuar trajektoren e zhvillimit të tij.

Ai ndikon në kriterin e përzgjedhjes zyrtare për financim dhe asistencë për zhvillim.

BB bën të ditur se gjatë dekadave, numri i vendeve me të ardhura të ulëta është ulur me ritëm të qëndrueshëm, ndërsa numri i vendeve me të ardhura të larta është rritur për shkak të zhvillimeve të gjera ekonomike globale, integrimit më të madh në ekonominë botërore dhe efektet e politikave reformuese dhe mbështetjes së organizatave botërore.

Referuar të dhënave zyrtare, ekonomia shqiptare vitet e fundit ka shënuar një kthesë të fortë në rritjen e treguesve makroekonomikë.

Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë në fund të vitit 2024, shënoi 25 miliardë euro vlerë dhe objektivi i qeverisë është që vitin 2030 ky tregues (PBB) të shkojë në vlerën e 35 miliardë euro.

Sa i përket të ardhurave për frymë, ato janë rritur në 2024 në 10 300 euro kundrejt 3 330 euro që ishin në 2013 dhe qeveria ka objektiv ta çojë në 15 mijë euro në vitin 2030.

Gjithashtu borxhi publik, nga niveli 70,4% në 2013-ën, ka zbritur në 54,0 % në fund të 2024-ës dhe objektivi është që në 2030, Shqipëria ta ulë nivelin e borxhit publik në 50% që është norma mesatare krejtësisht e shëndetshme edhe e vendeve të BE-së.

Tregues pozitiv në këto vite ka regjistruar edhe sektori bankar.

Kreditë me probleme në fund të 2024-ës zbritën në nivelin 4,2%, kundrejt nivelit 24,8% që ishin në 2013-ën. Ndërsa kreditimi i ekonomisë vijon të jetë në rritje të qëndrueshme dhe rritja ekonomke shënoi 3,9% në Shqipëri në vitin 2024 dhe pritshmëritë e Bankës Qendrore janë për rritje të ekonomisë në rreth 4 % në 2025. /j.p/

The post BB: Shqipëria klasifikohet si vend me të ardhura të mesme-të larta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Rreth 22 mijë pushues, shërbim cilësor në qendrat shëndetësore verore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Në zonat turistike të vendit, si në bregdet ashtu dhe në zonat malore, janë hapur qendra shëndetësore verore për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët, që frekuentojnë vendin gjatë këtij sezoni veror.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjete sociale pamje nga qendra shëndetësore verore në plazhin e Darzezës në Fier, i cili çdo ditë e më shumë po frekuentohet nga pushues vendas dhe të huaj.

Koçiu tha se, “për të përballuar këtë fluks në rritje dhe për të garantuar sigurinë shëndetësore të pushuesve, qendra shëndetësore verore në Darzezë ashtu si në 35 pika të tjera në vend, është në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë mjekësore të menjëhershme dhe cilësore gjatë gjithë sezonit turistik”.

“Nga data 1 qershor deri më sot, në qendrat shëndetësore verore janë paraqitur 21,862 pushues, nga të cilët 74 % janë qytetarë shqiptarë, ndërsa 26 % janë turistë të huaj”, u shpreh ministrja.

Ndërsa mjekja e kësaj qendre, Era tregoi se numri i pacientëve në qendrën shëndetësore verore në Darzezë arrin gati 90 persona në javë. Qendra është e hapur 24 orë dhe ofron shërbime cilësore për çdo rast që paraqitet. /j.p/

The post Koçiu: Rreth 22 mijë pushues, shërbim cilësor në qendrat shëndetësore verore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Investimi në kanalin ujitës në Kurbin përmirëson vaditjen në 612 ha tokë bujqësore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Përmirësimi i infrastrukturës së ujitje-kullimit po vijon me prioritet në gjithë vendin, duke i ardhur në ndihmë fermerëve për vaditjen e tokave bujqësore veçanërisht tani gjatë sezonit veror.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale pamje nga rehabilitimi i kanalit ujitës U-14, në Kurbin.

Denaj tha se, përgjatë gjithë gjatësisë së tij prej 6,333 metrash, ky investim përbën një ndërhyrje të rëndësishme në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ujitëse në zonë.

“Falë këtij investimi, përmirësohet ndjeshëm ujitja në një sipërfaqe prej 612 hektarësh tokë bujqësore, duke garantuar një cikël prodhimi më të sigurt, rritje të rendimentit dhe ulje të kostove për fermerët e zonës”, tha Denaj.

Rehabilitimi i veprave ujitëse u vjen në ndihmë banorëve dhe fermerëve të zonës, për të garantuar prodhimin dhe cilësinë e produkteve bujqësore.

Ndërhyrjet në kanalet kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po bëhen në gjithë vendin, veçanërisht në zonat me potencial të lartë bujqësor.

Investimet në këtë sektor sigurojnë që fermerët të kenë ujitjen e domosdoshme të prodhimeve të tyre gjatë sezonit veror, por edhe të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve në stinën e dimrit. /j.p/

The post Investimi në kanalin ujitës në Kurbin përmirëson vaditjen në 612 ha tokë bujqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Shkodër, vijon lirimi i hapësirave publike

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Në Shkodër po vijon aksioni kombëtar për lirimin e hapësirave publike.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ndau në rrjete sociale momente nga aksioni që po zhvillohet për lirimin e trotuareve nga tavolinat dhe karriget që kanë vendosur bizneset duke krijuar vështirësi në përdorimin e këtyre hapësirave publike nga qytetarët.

Beci tha se, një pjesë e bizneseve kanë nisur lirimin vullnetar të hapësirave që u përkasin qytetarëve.

Ndërkohë që policia Bashkiake Shkodër, ka njoftuar të gjitha bizneset për lirimin vullnetar të këtyre hapësirave, në të kundërt do të veprohet sipas ligjit deri në lirimin e plotë të tyre.

Ndërhyrjet në Shkodër janë pjesë e aksionit të gjerë për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komuniteteve. /j.p/

The post Shkodër, vijon lirimi i hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aplikimet për Paketën e maleve përmes portalit e-Albania

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Janë hapur tashmë prej pak ditësh aplikimet për Paketën e Maleve. Pas miratimit në Kuvend dhe botimit në Fletoren Zyrtare tashmë ka nisur zbatimi i ligjit nga i cili parashikohet të mbështeten 500 projekte që do të përfitojnë lehtësi fiskale.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale linkun e portalit ku aplikohet online.

“Shprehni interesin për të investuar në tokën që posedoni dhe bëhuni pronarë të saj me Paketën e Maleve duke ndjekur disa hapa shumë të thjeshtë në portalin www.paketaemaleve.gov.al.”, shkroi Denaj.

Ministrja tha se, për investimin përfitohen lehtësi fiskale, 10 vjet pa asnjë taksë.

Përmes “Paketës së Maleve” synohet: zhvillim i qëndrueshëm i ekonomisë rurale; promovimi i produkteve “Made in Albania”; lehtësi procedurash për pronësinë dhe ndërtimin; politika fiskale stimuluese dhe zgjerim i hartës turistike.

Nisma për “Paketën e Maleve” përmes projektit “Investo në tokën tënde”, synon të ofrojë një qasje realiste për tërheqjen e investimeve në zonat malore të vendit, falë politikave të reja të mbështetjes kundrejt investitorëve.

Paketa synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore. /j.p/

The post Aplikimet për Paketën e maleve përmes portalit e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eurobasket vajza, Shqipëria U16 fiton medaljen e bronzit

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Kombëtarja basketbollit e vajzave ka fituar vendin e tretë në Divizionin C të Kampionatit Europian U-16.

Në garë ishin tetë skuadra që morën pjesë në turneun e zhvilluar në Kosovë. Vajzat kuqezi, të drejtuara nga trajneri Olsi Muça, fituan dje ndaj Maltës me rezultatin 61-57 (15-10, 11-19, 17-18, 18-10).

Një sukses që erdhi me përmbysje për Shqipërinë, takim ku u dalluan Antea Filopati, me 13 pikë, 7 kërcime dhe 10 asistime, mbështetur nga Anja Kasa me 18 pikë e 7 kërcime.

/r.e//a.f/

The post Eurobasket vajza, Shqipëria U16 fiton medaljen e bronzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Spektakël yjesh mbi Osum

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Një imazh mahnitës është shfaqur në qiellin e mbushur plot me yje, këtë mes korriku.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga spektakli i yjeve mbi lumin Osum, në Berat, ku shkëlqimi i yjeve dhe ndriçuar të gjithë zonën.

“Spektakël yjesh mbi Osum”, shkruan Rama.

Ndërsa ndriçimi i yjeve të ofron të shikosh një bukuri të veçantë në qiell, që lëviz dhe shkëlqen në hapësirë.

1 nga 4

/a.f//r.e/

The post Rama: Spektakël yjesh mbi Osum appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërhyrje konservuese në mozaikun e nefit verior të Bazilikës Paleokristiane, në Bylis

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore njoftoi se sektori i Veprave të Artit (IKTK), në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik Bylis/Klos, po kryen ndërhyrje konservuese paraprake në mozaikun e nefit verior të Bazilikës Paleokristiane.

Sipas IKTK-së punimet përfshijnë: Trajtim çarjesh; Bordurime; Mbushje lakunash; Rivendosje teserash.

Qëllimi i restaurimit është ruajtja dhe nxjerrja në pah e trashëgimisë sonë kulturore.

Bylisi antik ruan në nëntokën e tij edhe objekte të tjera kulti. Parku Arkeologjik i Bylisit ndodhet në një lartësi mbi 500 metra nga niveli i detit mbi luginën e Vjosës dhe ofron, përveç të dhënave historike, edhe një pamje mahnitëse të Mallakastrës dhe zonave përreth.

/r.e//a.f/

The post Ndërhyrje konservuese në mozaikun e nefit verior të Bazilikës Paleokristiane, në Bylis appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendër Ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara në Vlorë, Koçiu: Po e aplikojmë në të gjitha bashkitë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga kryetari i bashkisë Vlorë, Ermal Dredha dhe përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri, Murat Sahin, vizituan sot ambientet e shërbimit më të ri ditor brenda Qendrës së Zhvillimit për Persona me Aftësi të Kufizuara në Vlorë.

Në këtë Qendër Ditore, e ngritur në kuadër të programit “BE për Shërbimet Sociale”, ofrohet paketë e plotë shërbimesh ku përfitojnë rreth 60 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, por edhe prindërit e tyre.

Në fjalën e saj, ministrja Koçiu theksoi se 14 bashki kanë përfituar këtë vit nga grantet e përfituara nga programi EU4SocialCare duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi më gjithpërfshirës të mbrojtjes sociale në vendin tonë.

Ajo vuri në dukje se ngritja e qendrave ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara është një nga modelet që MSHMS po aplikon në të gjitha bashkitë e vendit, ndërsa falenderoi BE dhe UNICEF për bashkëpunimin. “Qendra ku ne sot jemi është një qendër ditore që i përket fëmijëve me aftësi të kufizuara, por dhe prindërve të tyre dhe është një nga modelet që ne po aplikojmë suksesshëm në të gjitha bashkitë e vendit. Në kuadër të projektit EU for Social Care janë 14 bashki që kanë përfituar grante për të ofruar shërbime sociale me bazë komunitare. Unë jam e kënaqur të shikoj sot këtu një ndryshim të prekshëm, të përditshëm që impakton jetën e fëmijëve, por edhe të prindërve të tyre”, theksoi ministrja Koçiu.

Ajo nënvizoi se “është një shërbim jetik i cili jo vetëm zhvillon edhe përmirëson fëmijët që kanë nevojë për terapi të veçanta si logopedi, fizioterapi, terapi loje, shërbime shëndetësore, por edhe prindërit, sepse i lehtëson nga e përditshmja dhe u jep mundësinë edhe të punojnë dhe ndërkohë edhe të mbajnë familjet e tyre”.

Ministrja bëri të ditur se së bashku me partnerët ndërkombëtarë po punohet për hartimin e një ligji të ri, atë të Kujdesit Alternativ, i cili parashikon shërbimet alternative për kujdesin dhe mirërritjen e fëmijës.

Ajo vuri në dukje se një mjedis familjar është shumë më i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve sesa është një Qendër e Kujdesit Rezidencial.

“Ligji i ri i Kujdesit Alternativ do të sjellë shumë shpejt instrumente ligjorë për të forcuar akoma më shumë familjet mbështetëse, kujdestare dhe ato birësuese me qëllimin e vetëm që fëmijët të kenë mundësi të rriten në mjedis familjar, pasi potenciali i tyre zhvillohet më së miri në një mjedis familjar”, deklaroi Koçiu.

Në përfundim, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vlerësoi bashkëpunimin me kryetarin e bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, i cili i ka mbështetur këto shërbime jo vetëm për fëmijët me aftësi të kufizuar, por dhe bashkërisht, nëpërmjet Fondit Social në ngritjen e Qendrës Ditore për moshën e tretë.

Në Qendrën Ditore të Qendrës së Zhvillimit për Persona me Aftësi të Kufizuara në Vlorë ofrohen shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara të moshës 6-17 vjeç të cilët do mund të marrin shërbime ditore pas procesit mësimor si mbështetje psikologjike, shërbime shëndetësore, terapi të të folurit, terapi zhvillimi, fizioterapi, aktivitete profesionale dhe terapi arti. Gjithashtu, të rinjtë me aftësi të kufizuara, të moshës 18-21 vjeç, janë një tjetër kategori të cilët marrin do të marrin shërbime të specializuara, të përshtatura sipas nevojave të tyre.

/r.e//a.f/

The post Qendër Ditore për fëmijët me aftësi të kufizuara në Vlorë, Koçiu: Po e aplikojmë në të gjitha bashkitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marrëveshje ndërinstitucionale për furnizimin me ujë për vaditjen e tokave bujqësore

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Në ambientet e Drejtorisë Rajonale të Bordit të Kullimit Durrës u zhvillua një takim pune me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive Rrogozhinë, Kavajë dhe Peqin, përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë si dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bordit të Kullimit Durrës.

Kryetari i bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla ndau në rrjete sociale, momente nga ky takim, që kishte në fokus furnizimin me ujë për vaditjen e tokave bujqësore.

“Gjatë këtij takimi u firmos marrëveshja e bashkëpunimit ndërinstitucional që ka për synim garantimin e furnizimit me ujë për vaditje në tokat bujqësore të zonës, duke siguruar mbarëvajtjen e sezonit bujqësor dhe mbështetjen e fermerëve në kohë”, shkroi Memolla.

Sipas tij, ky bashkëpunim do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e infrastrukturës bujqësore dhe rritjen e prodhimit vendor.

/a.f/

The post Marrëveshje ndërinstitucionale për furnizimin me ujë për vaditjen e tokave bujqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TIA: Nisin fluturime direkte Tiranë – Amsterdam, çdo të martë dhe të shtunë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë njoftoi sot se nisi fluturimi i parë direkt nga Rinasi drejt Amsterdamit (Holandë), me kompaninë “TUI fly”.

TIA bën të ditur se, nga kjo javë, çdo të martë dhe të shtunë, do të udhëtohet për në Amsterdam, drejt qytetit të mullinjve me erë, tulipanëve dhe kanaleve ikonike.

Përmes TIA-s udhëtimet dhe linjat e reja direkte, bëhen më të thjeshta, ndërsa destinacionet po shtohen çdo herë.

Hyrja e linjës së re të fluturimit në tregun shqiptar është pjesë e një tendence më të gjerë të interesit në rritje nga kompanitë ndërkombëtare, duke reflektuar atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion turistik dhe investimi.

Kjo linjë e re pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e turizmit hyrës nga Holanda dhe Evropa Perëndimore, veçanërisht gjatë sezonit veror.

/r.e//a.f/

The post TIA: Nisin fluturime direkte Tiranë – Amsterdam, çdo të martë dhe të shtunë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌