Trump “pastron” Uashingtonin/ Presidenti: Garda kombëtare do largojë kriminelët dhe të pastrehët
Kryeqyteti ynë është pushtuar nga bandat e dhunshme dhe kriminelët e etur për gjakderdhje.
Kjo ishte fjalia që Donald Trump përdori në fjalimin e tij nga Shtëpia e Bardhë ku njoftoi se ka shpallur Emergjencën e Sigurisë Publike në Washington dhe për këtë arsye atje do të vendosen Trupat e Gardës Kombëtare për të pastruar kryeqytetin Amerikan nga personat e pastrehë dhe kriminelët.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se imazhi dhe dukja e Washingtonit është po kaq e rëndësishme sa çështja e kriminalitetit dhe për këtë arsye do të ketë jo vetëm dëbim të kriminelëve, por gjithashtu edhe zhvendosje të personave të pastrehë drejt Shteteve të tjera Amerikane atje ku mund të gjejnë një punë dhe të jetojnë një jetë normale. Trump njoftoi gjithashtu se Polica e Washingtonit do të jetë tashmë nën kontroll federal.
“Po njoftoj një veprim historik për të shpëtuar kryeqytetin e kombin tonë nga krimi, gjakderdhja, rrëmuja, mjerimi dhe më keq akoma. Kjo është dita e çlirimit të Washington DC. Me autoritetin që kam si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po aktivizoj Seksionin 740 të Aktit të Sundimit Vendor ku Departamenti I Policisë metropolitan do të jetë nën kontrollin federal. Garda Kombëtare do të zbresë në rrugët e kryeqytetit tone për të rivendosur ligjin dhe sigurinë publike në Washington DC.”, ka thënë Trump.
Në vitin 2023, Washingtoni renditej shteti I tretë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me numrin më të lartë të sulmeve me armë. Në 7 muajt e parë të këtij viti krimet e dhunshme në Washington pësuan një rënie me 26% sipas asaj që ka deklaruar Departamenti i Policisë në këtë qytet. Kjo nuk është hera e parë që Donald Trump zgjedh të përdor trupat e Gardës Kombëtare për të luftuar kundrejt atyre që ai i quan banda Kriminale që kanë dëmtuar Shtetet e Bashkuara.
Në muajin Qershor 5 mijë trupa u vendosën në Los Angeles për t’iu përgjigjur protestave kundër bastisje dhe dëbimit të emigrantëve të paligjshëm duke sjellë kështu përplasje të dhunshme me qytetarët. E njëjta gjë pritet të ndodh edhe në Washington ku përveç Kriminelëve, Trupat e Gardës Kombëtare do të zhvendosin edhe personat e pastrehë për të përmirësuar imazhin Kryeqytetit Amerikan. Sipas të dhënave të qeverisë Amerikane, në qytetin Washington DC jeton aktualisht 5138 persona të pastrehë.
/abcnews.al/