Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 21 August 2025Main stream

Seminari i Albanologjisë/ “Gjuhë dhe kulturë interesante”, të huajt mësojnë shqip

21 August 2025 at 17:29

Në Prishtinë po mbahet edicioni i 43-të i Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare i cili do te vazhdoj punimet deri më 29 gusht.

Në këtë seminar marrin pjese rreth 200 studiues nga vende të ndryshme të botës, mes të cilëve edhe dashamires të gjuhës dhe kulturës që kanë shprehur interesin të mësojnë gjatë këtyre ditëve gjuhen shqipe përmes kurseve që po mbahen përgjatë seminarit. Gabriele Parrino, arbëresh nga Italia, ka folur mbi rëndësinë ndërkombëtare të seminarit.

“Seminari ka, siç e dini, shumë rëndësi të madhe, jo vetëm për Kosovën, por për të tërë botën shqiptare, pjesëmarrës ka nga e tërë bota dhe studimi i albanologjisë po vazhdon. Studimet janë bërë në mënyrë shumë shkencore, kështu që numri i seminaristëve rritet”, u shpreh studiuese Gabriele Parrino.

Në seminar vijnë shumë njerëz nga dëshira për ta njohur dhe mësuar gjuhën shqipe. Një ndër ta është edhe Piotr Liban, i cili theksoi se nuk do ta harrojë kurrë këtë gjuhë

“Unë mësoj shqip, sepse kur isha në Shqipëri si turist, doja të mësoj shqip, sepse është interesante, është gjuhë e ndryshme dhe pastaj, kam dëgjuar që ka një seminar dhe gjuhën shqipe në Kosovë dhe mendova që në rregull, është shqipe pak e ndryshme, sepse është gegërishte, e kam pak vështirë ta kuptoj, ta flas por është interesante për mua dhe unë dua ta mësoj diçka interesante”, tha më tej studiuesi Piotr Liban.

Yuji Himaro një japonez nga Brazili tha se shqipja për të është shume interesante.

“Jam duke mësuar shqip, sepse për mua është gjuhë shumë interesante. Dy vite më parë munda të mësoj arbërisht, por ishte tepër e vështirë. Tani po mësoj gegërisht,” tha studiuesi Yuji Himaro. Qëllimi i këtij seminari është të ruhen rrënjët e gjuhës dhe kulturës shqipe.

/abcnews.al/

14 shtator, protestë në Hagë/ “Bashkë kundër padrejtësive”, mbështetje ndaj ish-krerëve të UÇK

21 August 2025 at 17:08

Protesta e 7 gushtit në Prishtinë, ku u kërkua lirimi i ish-krerëve të UÇK-së, do të vazhdojë më 14 shtator në Hagë. Aty pritet të mbahet një protestë masive pranë selisë së Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Qëllimi i protestës do të jetë një organizim nga mërgata, në kundërshtim të Gjykatës Speciale. Organizata e Veteranëve të Luftës ka bërë të ditur se e mbështesin këtë protestë.

“Arsyeja pse kjo proteste mbahet më 14 shtator, është sepse me datën 15 në Dhomat e Specializuara do te dali dëshmitari i pare nga pala e mbrojtjes. Ne këtë proteste do te tregojmë të gjitha pakënaqësitë tona” deklaron Organizata.

Autoritetet atje e kanë pranuar kërkesën për protestë. Tani e dimë të gjithë për padrejtësitë që po i bëhen popullit shqiptar në Hagë, atje nuk po gjykohen individë, por lufta për liri dhe të gjitha institucionet. Iu bëj thirrje të gjitha partive dhe mërgimtarëve që më 14 shtator të jemi në Hagë, të tregojmë që nuk pranojmë padrejtësi në emër të drejtësisë- shprehen veteranet e luftës duke shtuar se deri me tani është treguar interes nga mërgimtarët përfshirë Amerika, Australia dhe Europa.

Kjo protestë vjen pas asaj në qendër të Prishtinës, ku morën mijëra qytetarë.

/abcnews.al/

“Ngërçi politik po i kushton Kosovës”/ Ambasada amerikane në Prishtinë: Udhëheqësit duhet të kenë prioritet stabilitetin e vendit

21 August 2025 at 16:38

Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se Kosovës po i kushton shumë “ngërçi politik” dhe u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë të bëjnë prioritet progresin dhe stabilitetin e vendit.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Ambasadës tha se partitë parlamentare në Kosovë duhet të punojnë së bashku për t’i themeluar institucionet e reja në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Kjo bllokadë e vazhdueshme politike po i kushton Kosovës me humbje të mundësive. Është koha që udhëheqësja të vendosë përparësi tek progresi dhe stabiliteti, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, tha ajo.

Kjo deklaratë e Ambasadës amerikane vjen një ditë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin, gati pesë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Deputetët u mblodhën të mërkurën për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.

Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje – Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla – nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.

Të mërkurën, edhe Bashkimi Evropian dhe Ambasada italiane në Prishtinë u bënë thirrje partive parlamentare t’i themelojnë institucionet e reja sa më parë.

Asllani vishet “Granada”, mesfushori i kombëtares largohet nga Inter pas tre sezonesh

21 August 2025 at 16:27

Tani është zyrtare. Kristjan Asllani largohet nga Inter pas tre sezonesh, duke zgjedhur Torinon për të vazhduar karrierën e tij sërish në Serinë A.

Mesfushori kuqezi kishte arritur më parë marrëveshjen me klubin “granada”, që më pas gjeti akordin edhe me Inter për të marrë shërbimet e 23-vjeçarit.

Torino i plotësoi Kristjan Asllanit kërkesat financiare, që bllokuan transferimin e tij te Bolonja, që më parë kishte arritur dakordësinë me klubin zikaltër.

Mediat italiane kanë zbuluar edhe detajet e këtij transferimi. Futbollisti kalon te skuadra torineze me formulë huazimi të paguar 1.5 milion euro, ndërsa në fund të sezonit do të paguhen edhe 12 milion euro të tjera për blerjen përfundimtare të kartonit.

Vetë Asllani do firmosë një kontratë 3 vjeçare, nga e cila do të fitojë rreth 2 milion euro në sezon bashkë me bonuset për arritjet sportive personale dhe të ekipit.

Në këtë mënyrë ka marrë fund telenovela e gjatë e merkatos për mesfushorin e përfaqësueses shqiptare.

Transferimi te Torino mund të rezultojë një lëvizje e duhur në karrierën e Kristian Asllanit.

Pas miqësoreve të fundit në vigjilje të sezonit të ri të Serie A, futbollisti kishte kuptuar se nuk do të gjente hapësira me Inter, ndërsa te skuadra e drejtuar nga Baronio, ai do ketë mundësi të luajë me vazhdimësi.

Te Torino, Kristjan Asllani do të gjejë futbollistin tjetër të kombëtares kuqezi, Ardian Ismajli, që gjithashtu u transferua nga Empoli në këtë sesion të merkatos së verës.

“Kurtit s’i intereson konstituimi i Kuvendit”/ Hisen Berisha: S’mund të jetë mbi ligjin, po mban peng Kosovën!

20 August 2025 at 23:51

KOSOVË- Deputetët në Kosovë u mblodhën këtë të mërkurë për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati prej 30 ditëve, i cili skadon më 18 shtator.

Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga partia fituese e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e kërkuara për t’u zgjedhur.

Deputeti i PDK Hisen Berisha në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti se interesi i tij është kaosi dhe jo që të ketë konstituim të Kuvendit të Kosovës.

“Koha e abuzimeve ka mbaruar dhe Kosova duhet t’i rikthehet normalitetit. Kurti nuk ka interes që të konstituojë institucionin. Ai po qeveris në detyrë, po merr vendime po bën abuzime etj…Atij i konvenon që të mos ketë përballje me opozitën, pa pasur llogaridhënie. Po qeveris i pakontrolluar nga Kuvendi. Kjo formë i shërben vetëm atij. Por duhet të kuptojë se nuk mund të jetë mbi ligjin. Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese dëshmoi se institucionet e pavarura janë gardiane të rendit”, tha ndër të tjera Berisha.

/abcnews.al/

“Kurti po thellon ngërçin”/ Maliqi: Është shkelur Kushtetuta, “Vetëvendosje” kërkon vetëm kaos!

20 August 2025 at 23:47

KOSOVË- Afërdita Maliqi analistë në Prishtinë, komentoi ngërçin politik krijuar në Kosovë, prej muajsh pas mosarritjes së konstituimit të Kuvendit.

Në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, analistja Maliqi tha se është shkelur Kushtetuta dhe se Vetëvendosje sipas saj po kërkon vetëm kaos.

“Kurti nuk ka tentuar të bëjë një marrëveshje politike me ndonjë nga partitë që deri më dje ka qenë në opozitë. Deri sa nuk ka marrëveshje nuk ka votim për kryeparlamentarin”, ka thënë ajo.

Gjithashtu theksoi se Albin Kurti është përgjegjësi kryesor dhe po thellon ngërçin.

“Momenti kur u dëgjua emri i Donika Gërvalla, qeshën të gjithë në Kuvend. Ne kemi dhënë vendim që një nga emrat që mund të propozonte VV si emër bllokues ishte ai i Donika Gërvallës. Pra në momentin kur është thënë emri edhe ne kemi qeshur, pra në këtë linjë ka qeshur edhe vetë Konjufca. Albin Kurti po tallet me qytetarët, kemi një bllokadë ekonomike. Kemi një qasje shumë të keqe ndaj bizneseve vendore. Po tallet me vendimet dhe po mundohet të minimizojë rolin e Gjykatës Kushtetuese. Ai po tallet edhe me aleatët edhe pse nga një thirrje nga ndërkombëtaret që të gjendet zgjidhje. Ata kërkojnë që dialogu me Serbinë duhet të përparojë. Pra ka shumë probleme me të cilën është Kosova dhe nuk mundet të ecet përpara pa pasur një Kuvend të konsoliduar”, tha më tej ajo.

/abcnews.al/

Kamboxhia: Trump meriton “Nobel”/ Murgjit kamboxhianë vlerësojnë rolin e tij në armëpushimin me Tajlandën

20 August 2025 at 23:18

Murgjit budistë të Kamboxhias kanë dhënë mbështetjen e tyre për nominimin e Donald Trump për çmimin Nobel për paqen.

Ata kanë shprehur publikisht mirënjohjen për presidentin amerikan për rolin e tij në ndërmjetësimin e një armëpushimi midis Kamboxhias dhe Tajlandës që i dha fund një konflikti kufitar që u përshkallëzua në fund të korrikut 2025.

Kryeministri i Kamboxhias Hun Manet e ka nominuar tashmë kreun e shtëpisë së bardhë për çmimin Nobel, duke përmendur aftësinë e tij të jashtëzakonshme shtetërore dhe diplomacinë vizionare në shmangien e një konflikti potencialisht shkatërrues.

Në momentin që Manet njoftoi nominimin, pas tij qëndronin murgjit që shprehën mbështetjen e tyre.

Kamboxhia dhe Tajlanda patën pesë ditë konflikt që vrau të paktën 43 persona muajin e kaluar. Më shumë se 300,000 u zhvendosën nga konflikti që përshkallëzoi nga përdorimi i armëve të vogla te artilerisë e rëndë.

Donald Trump nuk i ka fshehur ambiciet e tij për çmimin Nobel për paqen, duke përmendur konfliktet që ka zgjidhur në fillim të mandatit të tij të dytë, duke filluar nga lufta mes Iranit dhe Izraelit, te Pakistani dhe India e gjithashtu Kamboxhia e Tajlanda dhe Azerbajxhani dhe Armenia.

Presidenti amerikan ka përmendur gjithashtu përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si një arsye pse ai duhet ta fitojë çmimin.

Trump është nominuar gjithashtu për Nobelin e paqes edhe nga Izraeli e Pakistani dhe Armenia po mendon të bëjë të njëjtën lëvizje.

Tensionet në Serbi/ Ambasadori i BE-së në Serbi: Dënojmë dhunën në protesta, të nisin hetimet

20 August 2025 at 22:38

Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, tha të mërkurën pas një takimi me kryeministrin serb, Gjuro Macut se blloku evropian e dënon dhunën në protesta në qytetet serbe dhe bëri thirrje për qetësim të menjëhershëm të situatës.

“Liria e shprehjes, liria e tubimit paqësor dhe liria e medias duhet të respektohen”, shkroi Von Beckeret në llogarinë e tij X të mërkurën.

Ai theksoi gjithashtu se “veprimi i policisë duhet të mbetet proporcional” dhe se “përdorimi i tepërt i forcës duhet të hetohet, duke përfshirë kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve”. Një valë protestash, që filloi në Serbi në nëntor të vitit 2024, ka hyrë në një fazë të re tani.

Ka pasur përleshje të përditshme midis demonstruesve dhe policisë që nga 12 gushti, kur dhuna shpërtheu në qytetet veriore, Vërbas dhe Baçka Pallanka.

Sherri për parkimin në Durrës/ Plagosi me armë zjarri 29-vjeçarin, arrestohet autori

20 August 2025 at 22:26

Është arrestuar Altin Lekegega, autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të ndodhur këtë të mërkurë në Durrës.

Ngjarja ndodhi pas një sherri për një vend parkimi në Hamallaj. I plagosur mbeti Liridon Rama. Arratia e autorit ka marrë fund pas gati 5 orësh. Altin Lekegega u arrestua nga policia dhe ndodhet në komisariatin e Durrësit ku edhe po merret në pyetje për ngjarjen.

Nga informacionet paraprake mësohet se ai ka pohuar se gjithçka kishte ndodhur për shkak të një konflikti që nisi për një vendparkimi.

/abcnews.al/

Durrës, gjendet i pajetë 45-vjeçari në banesë, çfarë dyshohet

20 August 2025 at 22:23

Një 45-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij. Dyshohet se është vetëvarur.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 17 në Durrës. 45-vjeçari është gjetur nga familjarët e tij.

Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje të rëndë.

/abcnews.al/

Ndryshimet klimatike në Antarktidë çojnë në pasoja katastrofike globale

20 August 2025 at 22:09

Ndryshimet e menjëhershme dhe potencialisht të pakthyeshme në Antarktidë të shkaktuara nga ndryshimet klimatike mund të ulin nivelet e ujërave  në oqeane dhe të çojnë në “pasoja katastrofike për brezat”, paralajmëruan shkencëtarët.

Ndryshimet klimatike në Antarktidë kërcënojnë ndikime ‘katastrofike’ në nivel global.Në një kuptim më të gjerë, një rishikim i gjendjes së njohurive nga një grup ekspertësh të lartë zbuloi ndryshime përshpejtuese në të gjithë rajonin që shpesh janë shkak dhe pasojë e ngrohjes globale, sipas një studimi të botuar në “Nature”.

“Antarktida po tregon shenja shqetësuese të ndryshimit të shpejtë në akullin, oqeanin dhe ekosistemet e saj”,  tha autorja kryesore dhe profesorja e Universitetit Kombëtar Australian, Nerilie Abram.

“Disa nga këto ndryshime të menjëhershme do të jenë të vështira për t’u ndaluar.”

Ndryshimet në aspekte të ndryshme të sistemit klimatik të Antarktidës amplifikojnë njëra-tjetrën dhe kanë përshpejtuar ritmin e ngrohjes edhe në nivel global, tha ajo.

Studimi shqyrtoi provat e ndryshimeve të menjëhershme  ose “ndryshimeve të regjimit” në akullin detar, rrymat rajonale të oqeanit, shtresën e akullit të kontinentit, raftet e akullit dhe jetën detare.

Yesterday — 20 August 2025Main stream

Zjarret/ Ministria e Mbrojtjes: 6 vatra janë shuar, 2 të tjera ende aktive. Riaktivizohet zjarri në fshatin Lapardha

20 August 2025 at 21:30

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend. Aktualisht janë raportuar 12 vatra zjarri, ku 6 prej të cilave janë shuar, ndërsa 2 vatra janë aktive. Sipas të dhënave nga Ministria, 4 vatra janë në monitorim nga autoritetet.

Vatrat të cilat janë izoluar plotësisht janë në lagjen numër 1, Rrogozhinë, në fshatin Ahmataj, njësia administrative Tropojë e Vjetër, bashkia Tropojë.

Në fshatin Llugaj, njësia administrative Llugaj, bashkia Tropojë dhe fshatin Sohodoll, njësia administrative Kastriot, bashkia Dibër.

Po ashtu janë izoluar plotësisht vatrat në lagjen numër 3, Vlorë dhe në fshatit Durisht, njësia administrative Petrelë, bashkia Tiranë.

Ndërsa aktualisht, vatrat janë aktive në:

  1. Në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, në bashkinë Fushë – Arrëz, situata është e qetë dhe vatra e zjarrit është pothuajse e izoluar plotësisht. Në disa pjesë ka ende riaktivizime të vogla brenda perimetrit, por ato po mbahen nën kontroll dhe po eliminohen nga punonjësit e shërbimit pyjor.
  2. Në fshatrat Damjan, Fortuzaj dhe Isufaj në bashkinë e Tiranës, vatra e zjarrit është minimizuar dhe po mbahet në mbikëqyrje deri në fikjen përfundimtare. Në terren janë angazhuar 5 efektivë me 1 automjet zjarrfikës nga MZSH Tiranë, 4 forca policore dhe 3 forca bashkiake.
  3. Pranë tunelit të Krrabës në bashkinë Tiranë është regjistruar një vatër e re zjarri në orët e pasdites. Në vendngjarje ka mbërritur Shërbimi Vendor Zjarrfikës, të cilët po punojnë për izolimin e flakëve.
  4. Vijon puna për shuarjen e zjarrit në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, të rënë në 11.08.2025. Në terren po punojnë forcat bashkiake, për të shmangur riaktivizimin e vatrës. Ditën e sotme situata duket e qetë dhe forcat operacionale po mbajnë nën monitorim terrenin.
  5. Vijon aktiv zjarri i rënë më datë 19.08.2025, ora 17:05, në afërsi të Fabrikës së Çimentos, njësia administrative Fushë-Krujë, ku u arrit të izolohen 5 vatra zjarri në total, ndërsa zjarri ka vazhduar me intensitet të ulët. Dendësia e pyllit e vështirësoi ndërhyrjen, por forcat operacionale arritën ta shuajnë vatrën, e cila tashmë po mbahet në monitorim nga zjarrfikësit Krujës.
  6. Është riaktivizuar zjarri i rënë më datë 19.08.2025 në një sipërfaqe me shkurre në fshatin Lapardha, njësia administrative Kotë. Në vendngjarje ka shkuar Shërbimi Zjarrfikës i Selenicës. Me gjithë punën e forcave operacionale, zjarri vijon të mbetet aktiv.

/abcnews.al/

Bruksel, shefat e Mbrojtjes së NATO-s diskutuan garancitë e sigurisë për Ukrainën

20 August 2025 at 21:23

Shefat e mbrojtjes të NATO-s zhvilluan sot diskutime rreth garancive të sigurisë që mund t’i ofrojnë Kievit – për të ndihmuar në krijimin e një marrëveshjeje paqeje – që do t’i japë fund luftës 3-vjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, tha një zyrtar i lartë i aleancës, sipas AP.

Admirali italian, Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, tha se 32 shefa të mbrojtjes nga e gjithë aleanca zhvilluan një video-konferencë mes një nxitjeje diplomatike të udhëhequr nga SHBA-ja – për t’i dhënë fund luftimeve.

“Pati një diskutim të shkëlqyer dhe të sinqertë. I falënderova të gjithë për pjesëmarrjen e tyre gjithmonë pro aktive në këto takime. Ne jemi të bashkuar dhe ky unitet ishte vërtet i prekshëm sot, si gjithmonë”, shkroi ai në  X pa dhënë detaje të mëtejshme.

Garancitë për të shmangur pushtimin e Ukrainës në të ardhmen – janë thelbësore për ta bindur Ukrainën të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Kievi kërkon ndihmën perëndimore për të forcuar ushtrinë e saj, duke përfshirë armët dhe trajnimin e personelit, dhe zyrtarët evropianë po përpiqen të kuptojnë se çfarë angazhimesh mund të ofrojnë.

Vlorë/ Mjeti lundrues i policisë kufitare përplaset me një tjetër, një i lënduar

20 August 2025 at 20:58

VLORË- Mjeti lundrues i policisë së Vlorës është përplasur me një tjetër mjet lundrues në zonën e Jonufrës.

Sipas policisë pas marrjes së një njoftimi se në zonën e Jonufrës ndodhej një shtetas me kanoe që kërkonte ndihmë, shërbimet e Policisë Kufitare u nisën menjëherë për në vendngjarje.

Gjatë lundrimit drejt vendit të njoftuar, mjeti lundrues tip jet ski i Policisë Kufitare është përfshirë në një përplasje me një tjetër mjet lundrues jet ski ku ndodheshin dy shtetas.

Si pasojë, njëri prej tyre (drejtuesi) ka marrë dëmtime të lehta.

Nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet procedurale, në bashkëpunim me AMP, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Macron: Ofensiva e re e Izraelit në Gaza mund të shkaktojë një katastrofë të plotë

20 August 2025 at 20:21

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar të mërkurën se ofensiva e re në Gazë e planifikuar nga autoritetet e Izraelit, e cila synon riokupimin e plotë të qytetit të Gazës, mund të dërgojë në “katastrofë të plotë për të dy popujt.

Këto komente të Macronit janë bërë pak orë pas vendimit të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, për ta miratuar mobilizimin e rreth 60,000 rezervistëve, me qëllimin për ta ekzekutuar planin e shumë-kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar, ka raportuar LeMonde.

Lideri francez ka theksuar se plani i ri i Izraelit “do ta tërheqë rajonin në luftë të përhershme”, tek ka përsëritur thirrjet për zbatimin e një “misioni ndërkombëtar të stabilizimit në Rripin e Gazës”.

“Ofensiva ushtarake në Gazë, e cila po përgatitet nga Izraeli mund të prodhojë një katastrofë të vërtetë për të dy popujt, si dhe do ta tërheqë rajonin drejt luftës së përhershme”, ka theksuar ai.

Satelit i ri në Uran, zbulimi nga NASA, diametri i satelitit është 10 kilometra

20 August 2025 at 20:06

Teleskopi James Webb i NASA ka zbuluar një hënë të re që rrotullohet rreth Uranit. Sateliti është quajtur paraprakisht S/2025 U1 dhe është rreth 10 kilometra e gjerë.

Urani ka 28 hëna të njohura që rrotullohen rreth tij. Mariam El Moutamed, nga Instituti i Kërkimeve Jugperëndimore në Kolorado dhe udhëheqëse e misionit për të studiuar unazat dhe hënat e Uranit, beson se madhësia e saj e vogël shpjegon pse hëna ka mbetur e padukshme deri më tani.

Asnjë planet tjetër nuk ka aq shumë hëna të vogla të brendshme sa Urani. Ndërveprimet komplekse midis sateliteve të Uranit dhe unazave të tij të zbehta sugjerojnë se historia e tij evolucionare mund të ketë qenë kaotike. Hëna e re ndodhet rreth 56,000 kilometra nga qendra e Uranit dhe lëviz në një orbitë pothuajse rrethore.

Të gjithë satelitët e Uranit janë emëruar sipas personazheve në veprat e Shekspirit dhe Alexander Pope. NASA njoftoi se hëna e re do të emërohet zyrtarisht pas miratimit nga Unioni Ndërkombëtar Astronomik, i cili është përgjegjës për emërtimin zyrtar të trupave qiellorë.

Astronomët besojnë se mund të ketë hëna të tjera të vogla që ende nuk janë zbuluar dhe do të vazhdojnë kërkimin.

/abcnews.al/

Tiranë/ Ka humbur kontaktet me djalin, nëna bën kallëzim në polici

20 August 2025 at 19:44

Tiranë- Një 34-vjeçar ka humbur kontaktet me familjen e tij. Ka qenë nëna e të riut që ka bërë kallëzimin këtë të mërkurë në Policinë e Tiranës, duke thënë se ka humbur kontaktet me djalin e saj. Ndërkohë shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe për gjetjen e tij.

“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur një shtetase e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin 34 vjeç. Shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe për gjetjen e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

/abcnews.al/

❌
❌