Ambasada e SHBA ndan deklaratën, Shqipëria dhe aleatët perëndimorë kundër kërcënimeve të Iranit
TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Shqipëria, Belgjika, Danimarka, Gjermania, Finlanda, Franca, Kanadaja, Holanda, Austria, Suedia, Spanja, Çekia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një deklaratë të përbashkët mbi kërcënimet shtetërore nga shërbimet e inteligjencës iraniane.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ndau sot deklaratën e përbashkët duke cituar edhe zëdhënësen e Departamentit Amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.
“Jemi të bashkuar me partnerët tanë europianë në kundërshtim të përpjekjeve të shërbimeve të inteligjencës iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe shqetësuar njerëzit në Europë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Ne e dënojmë numrin në rritje të kërcënimeve ndaj shteteve dhe jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin”, thekson zëdhënësja e Departamentit, Tammy Bruce.
“Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të dënojnë numrin në rritje të kërcënimeve shtetërore nga shërbimet sekrete iraniane në territoret tona përkatëse.
Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve sekrete iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe intimiduar njerëz në Evropë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizatat kriminale ndërkombëtare duke synuar gazetarët, disidentët, qytetarët hebrenj dhe zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Kjo është e papranueshme.
Ne i konsiderojmë këto lloje sulmesh, pavarësisht nga objektivi, si shkelje të sovranitetit tonë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të parandaluar që këto veprime të ndodhin dhe u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që menjëherë t’u japin fund aktiviteteve të tilla të paligjshme në territoret tona përkatëse”, thuhet në deklaratë.
/gj.m//a.f/
The post Ambasada e SHBA ndan deklaratën, Shqipëria dhe aleatët perëndimorë kundër kërcënimeve të Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.