Pavarësisht kritikave nga organizatat humanitare, Izraeli deklaroi se furnizimet kryesore janë gati për t’iu dorëzuar palestinezëve.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit Nadav Shoshani, ndau një foto ku njoftoi se 950 kamionë me ndihma, të cilat siç thotë ai janë për organizatat ndërkombëtare që t’i marrin dhe t’ua shpërndajnë civilëve në Gaza.
“Kjo ndodhi pasi Izraeli lehtësoi hyrjen e ndihmave në Gaza”, shton ai.
Agjencitë e ndihmës nuk e kundërshtojnë faktin se brenda Gazës ka ndihmë, por këto organizata pretendojnë se u është “bllokuar qasja ose shpërndarja e tyre” nga kufizimet e qeverisë izraelite.
Megjithatë, Izraeli thotë se sistemi i drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës që nga maji, parandalon vjedhjen e furnizimeve nga Hamasi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur alarmin për situatën në Gaza. Kriza humanitare ke prekur qindra mijëra njerëz, dhe më të rrezikuar janë edhe fëmijët.
Përfaqësuesi i OBSH në Bregun Perëndimor dhe Gaza Dr. Rik Peeperkorn nënvizoi se kequshqyerja “është në rritje të ndjeshme” në Gaza.
Sipas raportimeve vetëm gjatë vitit 2025 janë gati 30,000 fëmijë që janë të kequshqyer dhe mungesa e furnizimeve me bazën e ushqimeve po i prek të gjithë.
Në 48 orë 33 persona kanë humbur jetën nga kequshqyerja, sipas ministrisë së drejtuar nga Hamasi.
Me stinën e verës ku temperaturat mbetet të larta kujdesi për shëndetin duhet të jetë edhe më i shtuar. Një situatë shqetësuese mori vëmendje në emisionin “ABC e Mëngjesit” në ABC News, ku gjatë intervistë me dietologen Blerina Bombaj u dhanë këshilla se si të kujdesemi dhe të shmangim problematikat me zorrët. Shumë persona e gjejnë eten në vështirësi gjatë udhëtimeve. Gjatë intervistës, dietologia renditi edhe disa nga arsyet që sistemi tretës “ndalet” kur jemi në udhëtim.
“Mungesa e fibrave, hidratimi i pamjaftueshëm e gjithashtu edhe mungesa e lëvizjes fizike, janë disa nga arsyet”, u shpreh ajo.
Një tjetër situatë që e hasim shpesh gjatë sezonit të plazhit është edhe djegia e lëkurës, për të cilat dietologia theksoi domosdoshmërinë për të treguar kujdes të jashtëzakonshëm.
“Vitaminat, A , E , C dhe D janë shumë të rëndësishme gjatë kësaj periudhe”, shtoi ajo.
Zjarri që përfshiu prej disa ditësh sipërfaqe toke në fshatin Verrnik duke u përhapur edhe drejt Kapshticës është fikur këtë të mërkurë.
Ndërkohë edhe zjarri në malin e Moravës në Korçë është izoluar falë ndërhyrjeve të ekipeve zjarrfikëse dhe pritet që të neutralizohet plotësisht gjatë ditës së sotme.
Banorët e Evropës dikur kanë pasur flokë të errëta, sy të errët dhe lëkurë të errët. Deri në Epokën e Hekurit, rreth 3,000 vjet më parë, njerëzit me flokë të çelët, sy të çelët dhe lëkurë të bardhë ishin përjashtim. Kështu thuhet në hulumtimin e Silvia Ghirotto të Universitetit të Ferrarës në Itali.
Sipas këtij studimi, gjenet përgjegjëse për lëkurën, flokët dhe sytë me ngjyrë më të çelëta ishin shumë të rralla tek evropianët e hershëm rreth 14,000 vjet më parë, gjatë fazës së vonë të periudhës paleolitike.
Sot ka rajone në Evropën Veriore, në vende si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, ku mbi 80% e popullsisë është bjonde. Në pjesën tjetër të Evropës, flokët bjonde janë më tepër përjashtim, sepse shumica e evropianëve kanë flokë ngjyrë kafe. Në të gjithë botën, vetëm rreth 2 përqind e njerëzve janë me ngjyra bjonde.
Sipas studimit, lëkura e çelët përfaqësonte një avantazh të madh për gjuetarët e hershëm. Në rrezet e diellit më të dobët, ata mund të kenë qenë në gjendje të marrin më shumë vitaminë D, e cila është e nevojshme për kocka, dhëmbë dhe muskuj të shëndetshëm.
Megjithatë, ngjyra më e çelët e syve nuk kishte ndonjë avantazh të madh. Sipas Ghirottos, sytë blu ose jeshilë janë për shkak të rastësisë gjenetike ose përzgjedhjes seksuale.
Ekipi i Ghirottos ka analizuar 348 mostra ADN-je nga vende arkeologjike në 34 vende në Evropën Perëndimore dhe Azi. Mostra më e vjetër, 45,000-vjeçare, vjen nga individi Ust’-Ishim, i zbuluar në Siberinë Perëndimore në vitin 2008.
Mostra e ADN-së nga individi SF12 afërsisht 9,000-vjeçare nga Suedia ishte gjithashtu shumë me rëndësi për studimin.
Por shumë nga mostrat e ADN-së të ekzaminuara ishin aq të dëmtuara ose të paplota (“të degraduara”) saqë studiuesit nuk mund të përcaktonin drejtpërdrejt karakteristikat e pigmentimit (si lëkura, flokët dhe ngjyra e syve).
Rreth 50,000 deri në 60,000 vjet më parë, Homo sapiens i parë erdhi dhe mbeti përgjithmonë në Evropë. Gjenetikisht, ata ende nuk ishin larguar shumë nga paraardhësit e tyre modernë në Afrikë, që do të thotë se ata mbanin kryesisht gjenet për lëkurën, flokët dhe sytë e errët.
Mendohet se përjashtime ka pasur, por shumica e njerëzve në Evropë kishin lëkurë të errët dhe flokë të errëta, madje edhe gjatë Epokës së Bakrit rreth 5,000 vjet më parë.
Sipas mostrave të ADN-së, 63 përqind e evropianëve të hershëm kishin lëkurë të errët, ndërsa vetëm 8 përqind kishin lëkurë të çelët.
Në Evropën Veriore, siç është Suedia, kishte një përqendrim njerëzish me flokë dhe sy të çelët rreth 3,000 vjet më parë. Por se si ndodhi ky grupim – për shembull, nëse zhvillimi i pigmentimit më të çelët lidhet me ndryshimet klimatike apo me migrimet në Evropë, nuk dihet sakt. Kjo kërkon studime të mëtejshme.
Përparësitë eventuale të evolucionit të ngjyrës së lëkurës, flokëve dhe syve, nga të errët në të çelët, ende nuk janë sqaruar përfundimisht.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim përfaqësues të rrjetit Albanian Chevening Alumni dhe përfaqësues të Ambasadës Britanike në Tiranë.
Presidenti Begaj vlerësoi iniciativën e këtij rrjeti për të ndërtuar ura komunikimi me institucionet shqiptare dhe u shpreh mjaft i interesuar për të shkëmbyer mendime mbi mbështetjen e të rinjve shqiptarë të arsimuar jashtë vendit dhe kthimin e tyre në Shqipëri.
Kreu i Shtetit vlerësoi ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen me bursat Chevening dhe theksoi: “Këto bursa kanë rendësi të veçantë jo vetëm për numrin e studimeve cilësore që mbulojnë, por edhe për krijimin e një rrjeti cilësor profesionistësh e intelektualësh me lidhje të forta me një vend mik si Mbretëria e Bashkuar”.
Presidenti Begaj theksoi se potenciali i të rinjve të mirëshkolluar që kthehen në atdhe duhet shfrytëzuar në të mirë të përparimit të vendit.
Kreu i Shtetit dëgjoi me vëmendje shembujt konkretë të kontributit të profesionistëve të këtij rrjeti në Shqipëri dhe diskutoi me ta për hapa konkretë mbështetës të iniciativave të tyre.
Një i ri është arrestuar nga policia e Vlorës, pasi shpërndante lëndë narkotike në lagje të ndryshme në qytet.
22-vjeçari u arrestua në lagjen “Hajro Çakëri” në Vlorë, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjetën edhe 12 doza kokainë gati për shitje.
Sakaq materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Analisti Ilir Demalia është shprehur me kritika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Demalia theksoi se Berisha sipas tij, njihet për dëmet e mëdha që i ka shkaktuar vendit, duke rikujtuar edhe ngjarjet e 21 janarit, si edhe Gërdecin.
Sa i përket ndikimit të Berishës tek opozita, në intervistën në “News Line” në ABC News, Demalia tha se Partinë Demokratike e ka kthyer në biznes të vetin.
“Asnjë pritje më të mirë. Fakti që një njeri që ka qenë 13 vite në pushtet dhe ka bëma të mëdha gjakësore, duke nisur me vrasjet në Bulevard, Gërdecin, drejtësia për mendimin tim le të bërtasë “Duman Duman”, por duhet t’i japë përgjigje pyetjeve, çfarë bëhet me dosjen 21 janari dhe Gërdeci? Si ka mundësi një Fatmir Mediut “rrotullon” gjithë hallkat. Janë 27 vetë të vrarë. Si lejohet kjo dosje, Sali Berisha? Si lejohet Shkëlzen Berisha? Si? Këto tolerohet. Atëherë kam të drejtë të dyshoj që me fuqinë e parasë që ka Berisha, bën tollovi? Ku keni parë në botë që ai që është i akuzuar të vendosë si do bëhet procesi gjyqësor? Ka ardhur një kohë që duhet t’i thuhet mjaft dhe të merren masa emergjente”, tha ai.
Analisti Ilir Demalia e ka cilësuar aksionin për lirimin e hapësirave publike si të domosdoshëm.
Gjatë një intervistë në “News Line” në ABC News, Demalia kritikoi ashpër “zaptimin” që është bërë ndër vite në shumë zona në kryeqytet. Ai theksoi se duhet të veprojë forca e ligjit në raste të tilla, pasi vendi është kthyer në një katrahurë. Por gjithashtu vuri edhe “gishtin” e përgjegjësisë edhe tek qytetarët, duke theksuar se në shumë raste kanë abuzuar duke mos mbrojtur vendin.
“Kjo katastrofë nuk është bërë këto dy vite por ka qenë 35-vjeçare. Nëse ne do të marrim një masë për të rregulluar një gjë, duhet bërë me parapërgatitje. Mirë drejtorët janë të korruptuar, por po qytetari vetë a ka ndërgjegje? Ne kemi masakruar gjithë bregdetin, tani ka nisur me Thethin. Thonë që ka pronën e vet, ku ka pronë në oborr të Kishës? Ne kemi probleme si popull që nuk reagojmë për të ruajtur komunitetin tonë. Problemi është që ne jemi në një moment kritik. Duhet të nisë urgjentisht nga Vermoshi deri në Konispol. Kështu nuk mund të vazhdojë më. Tani kemi një media dhe një opozitë që ka dalë kundër. Këto njerëz që kanë bërë këto ndërtime kanë paguar dhe ndoshta jemi dakord që mosfunksionimi i administratës ka sjellë këtë. Kryeministri Rama po bënë gjënë më të mirë, e ka këtë të drejtë të veprojë me pushtetin lokal. Kjo besoj është pesha e mandatit të 4 dhe mandateve që ka. Ne jemi vetëshkatërrues, është fakt. Hajde të lëvizim, edhe në vende jashtë, ka ndërtime, por nuk abuzohet”, tha ai.
TIRANË- Një sherr është regjistruar gjatë natës, në kryeqytet. Sipas policisë, një 23-vjeçar rreth orës 00:50 është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.
Dyshohet se gjatë konfliktit 23-vjeçari Arben Ujka është dëmtuar me mjet prerës dhe pasi ka marrë trajtimin mjekësor është transportuar në banesë. Ndërkohë hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Sakaq materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të rinjve që të bëhen pjesë e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Rama nënvizoi se programet e UBT, janë kategoria më e domosdoshme sidomos përballë ndryshime klimatike dhe jo vetëm me të cilat po përballet bota dhe gjithashtu që kanë prekur edhe Shqipërinë.
“Universiteti ka një kokë ka një drejtim, s’mund të ketë 17 koka dhe vizione të ndryshme. Duhet ta kthejmë në një rregull për të gjithë, vizionar në këtë katër anët ka vetëm në çmendinë. Në jetën reale, ka vizion, mision dhe përgjegjësi, kjo do jetë temë e reformës së arsimit të lartë. Të gjithë maturantët që janë ambicioz dhe me rezultate të lartë ju them që juristë ka plot Shqipëria, por profesioni për tema që sot janë më të nxehta, nuk ka mjaftueshëm janë shumë pak dhe ata pak që janë pedagog në UBT. Pra mund të bëhen pjesë e kategorisë që do të jetë më e nevojshme për Shqipërinë që më pas i ke të hapura dyert qoftë në Shqipëri ose në Austri. Jurist? Harrojeni, në rastin më të mirë do të përfundosh në një sekser gjykatash”, tha mes të tjerash Rama.
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin për Universitetin Bujqësor të Tiranës me synimin që “UBT2030”, të bëhet antena rajonale e BOKU-t.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama ka vlerësuar UBT dhe punën e deritanishme të stafit, ndërsa theksoi domodoshmërinë që të rinjtë të bëhet pjesë e programeve të këtij universiteti.
“Kemi jo një konsulent por një bashkëudhëtar që i di të gjitha ato për të cilat ne kemi nevojë, falë Bardhi Sallakut që mos ngatërrohemi, se këta Bardhët e djathtë janë lloj-lloj, ky është Bardh i ndriçuar. Ne arritëm të kemi një reformë që ka bërë diçka radikale, ka spostuar procesin e bërjes së kurrikulave nga duart e shefave të Departamenteve në duart e një komisioni të brendshëm dhe të vetë studentëve. Mua më bind që në 2030 UBT dhe Bokut do jenë një dhe UBT do të jetë antenat e BOKU-t. Shqipëria që së shpejti anëtarësohet në BE ka nevojë për ata që përgatit Universiteti Bujqësor i Tiranës sepse Shqipëria njësoj si Europa dhe gjithë bota përballet me ndryshime klimaterike”, tha mes të tjerash Rama.
TIRANË- Erion Veliaj është tashmë zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Gazetari Ermal Vija tha për “ABC News” se kryebashkiakut Veliaj do t’i komunikohet akuzat të mërkurën, ora 11:00.
Ndërkohë këtë të martë në SPAK është paraqitur edhe biznesmeni Elman Abule i shoqëruar nga avokatja e tij Romina Zano.
Abule dyshohet nga SPAK se ka kryer veprën penale “pastrim parash”./abcnews.al
Një aksion i policisë së Tiranës ka vënë në pranga administratorin e një klinike dentare dhe një stomatolog, pasi është zbuluar se kryenin shërbime dentare, duke përdorur preparate të skaduara. Gjithashtu janë proceduar 12 punonjës klinikë, ndërsa janë sekuestruar preparate dhe materiale që përdoreshin për këto shërbime që ishin të skaduara.
Në pranga kanë rënë Ervin Zeka 40 vjeç, dhe shtetasi Kejdi Myzyri 26 vjeç.
Ambientet e subjektit ndodheshin në rrugën e Kavajës në Tiranë, dhe ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group) ka miratuar skema të reja lehtësuese (aktmarrëveshje) për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike.
Përmes aktmarrëveshjeve, OSHEE Group ofron mundësinë e pagesës së detyrimeve të akumuluara deri në 31 dhjetor 2023, duke mbështetur shtresat më të ndjeshme dhe biznesin e vogël. Skemat lehtësuese janë hartuar me kujdes të veçantë për t’u ardhur në ndihmë atyre familjeve dhe bizneseve që ndodhen në kushte më të vështira ekonomike, duke mundësuar një rrugë të drejtë dhe të realizueshme drejt shlyerjes së detyrimeve.
Kush janë përfituesit?
Aktmarrëveshjet përfshijnë: klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund t’i shlyejnë detyrimet me këste fikse mujore që nisin nga 1,200 lekë. Klientët e tjerë familjarë do të përfitojnë këste fikse mujore që nisin nga 2,800 lekë.
Për të ruajtur një standard të përballueshëm aq sa dhe të drejtë, numri maksimal i kësteve do të jetë jo më shumë se 240 këste. Në çdo rast klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst pagese, me vlerë më të lartë se vlera minimale, duke iu përmbajtur kushtit prej maksimumi 240 këstesh.
Klientët jofamiljarë (privat, buxhetorë dhe jobuxhetorë), do të paguajnë me këste të përcaktuara në bazë të shumës së detyrimit, si me poshtë.
Skema për Klientët Jofamiljarë, 2025
Numri i kësteve
Vlera e detyrimit
24 këste
100,000 – 500,000 lekë
48 këste
500,001 – 1,000,000 lekë
60 këste
1,000,001 – 5,000,000 lekë
84 këste
5,000,001 – 10,000,000 lekë
120 këste
mbi 10,000,000 lekë
Reduktimi i kamatëvonesave
OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm:
Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës.
Klientët jofamiljarë (buxhetorë dhe jobuxhetorë), përfitojnë reduktim në masën 50%.
Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.
Kushtet për Pjesëmarrje në Skemat Lehtësuese dhe Rregullat e Zbatimit
Për të përfituar nga skemat lehtësuese të miratuara nga OSHEE Group, klientët debitorë duhet t’i kenë shlyer detyrimet e vitit 2024 dhe në vijim, përpara nënshkrimit të marrëveshjes për detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023.
Me nënshkrimin e marrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e këstit të parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe më pas të vijojë me pagesa mujore të rregullta deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.
Këto masa përfaqësojnë një shprehje konkrete të angazhimit social të OSHEE Group për të mbështetur qytetarët në përballimin e vështirësive financiare dhe për të krijuar një marrëdhënie më të drejtë dhe të qëndrueshme me klientët.
Njëkohësisht, përmes zbatimit të këtyre skemave, synohet të forcohet edhe qëndrueshmëria financiare e kompanisë, si një parakusht për ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe cilësore në të ardhmen.
Vendimi për këto skema u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE Group, pas shqyrtimit të propozimit të paraqitur nga administratori Enea Karakaçi, në zbatim të vendimit nr. 4876/4, datë 16.07.2025, të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit, “Mbi miratimin e Skemave të Marrëveshjeve për pagesën me këste (ose një këst) të detyrimeve të prapambetura të klientëve debitorë për kategorinë familjare/jofamiljare gjatë vitit 2025”.
OSHEE Group fton të gjithë klientët debitorë të përfitojnë nga skemat lehtësuese, duke u paraqitur pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit të FSHU-së, pjesë e OSHEE Group, për të lidhur aktmarrëveshjen përkatëse sipas kategorisë së tyre.
Dy shtetas janë arrestuar nga policia e Tiranës për përndjekje.
Sipas policisë, një 34-vjeçar dyshohet se ka përndjekur ish-të dashurën e tij në rrjete sociale. Klauden Muçogllava 34-vjeçari gjithashtu ka kanosur familjarë të saj duke iu lënë dy fishekë arme gjahu në oborrin e banesës.
Në pranga ka rënë 28-vjeçari Egzon Poka pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, sepse akuzohet se ka përndjekur në rrjete sociale, ish të dashurën e tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.