Tatimet zbardhin skemën e evazionit fiskal në Tiranë, 585 mijë euro të padeklaruara
TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) zbuloi një skemë evazioni fiskal në një subjekt në Tiranë.
Përmes një hetimi të thelluar dhe një kontrolli të specializuar nga Hetimi Tatimor, janë gjetur 585 mijë euro të padeklaruara, që ishin mbajtur jashtë sistemit tatimor për më shumë se një vit.
Hetimi u iniciua pas një denoncimi nga një qytetar, që dha informacion të vlefshëm për aktivitetin e dyshuar të subjektit.
“Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se kishte një mospërputhje të madhe mes veprimtarisë reale të biznesit dhe deklaratave të tatimeve dhe taksave që ky subjekt kishte paraqitur në administratën tatimore”, bën të ditur DPT.
Ndërhyrja e taskforcës dhe inspektorëve të hetimit tatimor zbuloi shkelje të shumëfishta.
Gjatë hetimeve, është gjetur mall që nuk ishte regjistruar, si dhe janë evidentuar pesë punonjës të cilët nuk ishin të regjistruar në sistemin tatimor.
Po ashtu, u sekuestrua një pajisje kompjuterike që ishte përdorur për fshehjen e të ardhurave gjatë periudhës 2024-2025. /j.p/
The post Tatimet zbardhin skemën e evazionit fiskal në Tiranë, 585 mijë euro të padeklaruara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.