Në serinë e tretë të sezonit të katërt të podcastit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu sjell në diskutim mënyrën se si trajtohet kujtesa historike në Shqipëri duke marrë shkas nga rasti i restaurimeve të nisura dhe më pas të pezulluara në ish-burgun e Spaçit.
Të ftuar në këtë bisedë janë Brisejda Lala, studiuese e historisë, dhe Arnen Sula, arkitekt dhe drejtues i qendrës “Tek Bunkeri”.
Një projekt filmik ngjalli diskutime në muajin qershor mbi kujtesën historike pasi u shoqërua me ndërhyrje pa transparencë në burgun e Spaçit.
Sula ngre shqetësime për mënyrën se si u transformua ambienti i dhomës së takimeve në burg.
“Këto vrima që përdoreshin për të përgjuar familjarët e të burgosurve, edhe në çaste intime, janë zhdukur. Ato janë dëshmi të drejtpërdrejta të së kaluarës,” thotë ai.
Drejtuesi i qendrës “Tek Bunkeri” thekson se ndërhyrjet e fundit bien ndesh me Planin e Menaxhimit të Spaçit, që parashikonte ruajtjen e gjendjes ekzistuese për të reflektuar jo vetëm periudhën e diktaturës, por edhe dekadat e braktisjes dhe plaçkitjes pas saj.
“Rrezikojmë të humbasim historitë që ato mure mbartin,” paralajmëron ai.
Për studiuesen Brisejda Lala, është e papranueshme që, pas kaq vitesh, burgu i Spaçit ende nuk është shpallur muze. Ajo thekson se çdo ndërhyrje, sado e vogël, duhet të kalojë në filtrin e një studimi të mirëfilltë, duke respektuar statusin si Monument Kulture i Kategorisë II.
“Shoqëria shqiptare nuk e ka kthyer kokën nga e kaluara. Jemi zgjuar vonë,” thotë ajo, ndërsa e lidh këtë “rizgjim” me zhgënjimin kolektiv nga tranzicioni dhe shembujt pozitivë nga vendet ish-komuniste që e kanë integruar kujtesën historike në ndërtimin e identitetit kombëtar.
Arkitekti Sula kujton bisedat me ish-të dënuarit politikë, të cilët, sipas tij, ndihen të braktisur.
“Njëri prej tyre qante kur tregonte që as djali i vet nuk e dëgjon më,” thotë ai. Për të, kjo është dëshmi e një harrese shoqërore që shkon përtej institucioneve.
Lala shton se mungesa e një vendi zyrtar kujtese e bën të pamundur përfaqësimin e denjë të atyre që kanë vuajtur.
“Fatmirësisht, kemi ende të gjallë shumë prej tyre. Dëshmitë e tyre janë thelbësore për të ngritur narrativën e së vërtetës historike,” shpjegon ajo.
Podcastin mund ta ndiqni dhe në Spotify:
Në bisedë, Brisejda dhe Arneni nënvizojnë nevojën që të rinjtë të njihen me këtë pjesë të historisë. Kjo, sipas tyre bëhet në shkolla, duke e përfshirë këtë pjesë të historisë në kurrikulat shkollore.
“Edukimi duhet të fillojë që në shkollën 9-vjeçare, që duhet të kemi një lloj specifikimi të temave që do të zhvillohen në lidhje me komunizmin dhe zgjerim të njohurive”, u shpreh Brisejda Lala.
Sipas Lalës, shembujt në rajon për mënyrën si është trajtuar në shkolla janë të shumtë.
“Në Rumani kanë module të përcaktuara në klasën e 12-të që zhvillohet vetëm në diktaturën komuniste të implementuar në Rumani dhe ka edhe në klasën e 11-të një modul sa i përket periudhës së Holokasustit”.
Për Arnen Sulën, nevoja për të folur me të rinjtë për periudhën e diktaturës komuniste është e rëndësishme, pasi shumë pak dinë.
“Shumë nga situatat politike dhe sociale që kemi sot si shoqëri, vijnë si pasojë e traumave që na ka lenë diktatura”, argumenton Sula.
Lala sugjeron që të ketë një program të detyruara në shkolla për të vizituar vendet e kujtesës, ndërsa vë në dukje nevojën për të pasur një hartë të vendeve të kujtesës në Shqipëri.
Ndërsa Arnen Sula sjell në vëmendje praninë në postet drejtuese të sotme të personave që kanë shërbyer gjatë diktaturës.
“Është shumë e dhimbshme për ish të përndjekurit politikë të shikojnë figura të tilla ende në pozicione drejtuese”, u shpreh Sula.
Podcasti “Zëra” sjell në çdo episod zëra kritikë dhe reflektime për shoqërinë shqiptare, me qëllim të nxisë mendim të pavarur dhe dialog publik. Hapësira e këtij podcasti i dedikohet gjithashtu qytetarëve që angazhohen në kauza publike, zëri i të cilëve mbytet ose mpaket nga ngjarjet e shumta politike e sociale, që shpesh nuk e kalojnë kryeqytetin.
Citizens po raporton për cilësinë e plazheve publike në Shqipëri. Ky pyetësor ka për qëllim të mbledhë përvojat e qytetarëve shqiptarë lidhur me plazhet publike në Shqipëri. Në fokus janë cilësia e shërbimeve dhe infrastrukturës, si dhe problematikat që hasin pushuesit gjatë sezonit veror. Pyetësori synon të evidentojë perceptimin qytetar mbi përqindjen e plazheve publike krahasuar me ato private, aksesueshmërinë për të gjithë, përfshirë personat me aftësi të kufizuara, si dhe kujdesin që tregojnë institucionet për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave. Ndani përvojën tuaj!
Në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet një seancë publike plenare për të shqyrtuar kërkesën për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, që sjell ndryshime të debatueshme në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Kërkesa është paraqitur nga shoqata “Ornitologjike e Shqipërisë” (AOS), “EcoAlbania” dhe një pjesë e opozitës ndërsa palë të paditura janë Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave. Në thelb të kësaj beteje gjyqësore është mbrojtja e natyrës nga shkatërrimi institucional dhe komercial.
Prej vitit 2022, me një seri shkrimesh nga gazeteari Artan Rama, Citizens.al ka ndjekur hap pas hapi degradimin sistematik të zonave të mbrojtura në Shqipëri. Kjo përmbledhje sjell një panoramë të dokumentuar të përplasjeve, vendimeve dhe propagandës që ka shoqëruar këtë çështje.
Në nëntor 2022, Citizens.al solli në vëmendje paradoksin e shpalljes së “një mbrojtjeje të re” për lumin Vjosa, ndërsa paralelisht i hapej rruga projekteve infrastrukturore që e cenonin.
Nën petkun e “Parkut Kombëtar”, Vjosa u kthye në fasadë të politikave “të gjelbra” të qeverisë, ndërkohë që ligji dhe praktikat administrative shkonin në drejtim të kundërt me ruajtjen e ekosistemeve të saj.
Ilustrim nga diksutimi parlamentar i ligjit për Zonat e Mbrojtura/Citizens.al
Në dhjetor 2023, Citizens.al denoncoi ngritjen e një fushate propagandistike për të justifikuar ndërhyrjet në “Zonat e Mbrojtura”. Përmes videove, eventeve dhe konferencave, qeveria u përpoq të bindte opinionin publik se ndryshimet në ligj nuk i dëmtojnë këto zona.
Në fakt, përtej propagandës, hartat zyrtare tregonin shkurtim të kufijve dhe lehtësim të procedurave për investime.
Ilustrim i biodiversitetit në zonat e mbrojtura/Facebook.
Artikulli i dhjetorit 2023 solli prova se një numër parqesh kombëtare, përfshirë Divjakën dhe Lurën, po përfshiheshin në plane zhvillimi që i zhbënin ato si zona të mbrojtura.
Në vend të mbrojtjes së biodiversitetit, ligji po ofronte mburojë për interesat ekonomike.
Në shkurt 2024, Citizens.al analizoi të gjithë zinxhirin e deformimeve – nga konsultimet fiktive, te draftet ligjore të hartuara me ngut e deri te miratimi pa debat në Kuvend.
Ky shkrim nxori në pah edhe rolin pasiv të institucioneve që duhet të ishin në mbrojtje të natyrës.
Ilustrim i dëgjesave për ndryshimet ligjore/Citizens.al
Gjithashtu në janar 2024, Citizens.al solli në vëmendje kohën shumë të shkurtër që iu la ekspertëve dhe publikut për të dhënë opinion mbi ndryshimet në ligj.
Në vetëm pak ditë, një ndër ligjet më të rëndësishëm për mjedisin u transformua rrënjësisht.
Diskutimi parlamentar për zonat e mbrojtura/Citizens.al
Në dhjetor 2024, Citizens.al denoncoi përdorimin e Parkut Kombëtar të Vjosës si mjet për të fituar imazh ndërkombëtar, ndërkohë që zona të tjera degradojnë në heshtje.
Një strategji që vendos një fasadë ndërkombëtare mbi një realitet lokal të trishtë.
Seanca e sotme në Gjykatën Kushtetuese nuk është thjesht një betejë ligjore. Ajo është një pikë kthese për të ardhmen e zonave të mbrojtura në Shqipëri.
Kjo çështje teston nëse sistemi kushtetues është ende në gjendje të mbrojë interesin publik nga vetë shteti (në këtë rast qeveria dhe shumica parlamentare) dhe nga interesat që e deformojnë atë..
Buzë një fushe mbetjesh në lagjen “24 Maji” të Vlorës, 38-vjeçari Zamir Qama përpiqet të mbrojë disa rrënjë ulliri që ka në oborrin e shtëpisë. Me një karrocë dore, ai u hedh pleh dhe ujë, ndërkohë që përballë tij zjarret në vendgrumbullimin e hapur të mbetjeve ndizen pa pushim.
“E bëj sepse dua të ndaloj këtë batërdi,” thotë ai, duke treguar me dorë drejt malit të mbeturinave. Edhe pse në prill 2025 kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, njoftoi se vendgrumbullimi i Sherishtës kishte nisur nga puna, situata në terren dëshmon të kundërtën.
Kamionët vijojnë të shkarkojnë mbetje urbane në vend-depozitimin e vjetër, jo vetëm nga Vlora por edhe nga Orikumi. Ndërkohë zjarri i nisur javën e parë të qershorit trazoi jo pak pushues që kishin bërë planet për plazh.
Për Zamirin, i kthyer nga Irlanda për të jetuar me të ëmën, kjo është një betejë personale. Shtëpia e tij ndodhet pak metra larg fushës së ndotur, ku në mungesë të një rrethimi funksional, bagëtitë kullosin mbi mbeturina dhe zjarret përhapen shpesh.
“Është bërë e padurueshme, plehrat sa vijnë e zgjerohen, dhe sa herë zgjohem me plehrat në flakë e di që dëmtohem sepse jam i qartë që janë kancerogjene” shprehet 38-vjeçari për Citizens.
Zamir Qama duke treguar malin e mbetjeve në Vlorë/A.Hoxha.
“Një emergjencë mjedisore”
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka vënë në dukje se vendgrumbullimi i mbeturinave në Vlorë nuk ka struktura të tjera teknike, të cilat mund të minimizojnë efektet negative, përveç zonës së rrethuar të ndarjes.
“Për shkak se pjesa tjetër e vendgrumbullimit nuk është e rrethuar, njerëzit dhe kafshët mund të hyjnë lirisht”, thuhet në një audtim të KLSH-së.
Por ky është vetëm një nga problemet që renditen për vendgrumbullimin e hapur. Audituesit kujdesen të dëshmojnë në dokumente zjarret, mungesën e kontrolleve, apo dhe mostrajtimin e ujërave që ndotin tokën dhe detin.
Ekspert i mjedisit, Mihallaq Qirjo, veç këtyre shqetësimeve shton njësoj si të rrezikshme ndotjen e ajrit.
“Mbetjet shpesh digjen në mënyrë të qëllimshme për të nxjerrë skrapin, ose ndodh dhe paqëllim se mund të vetëndizen kur prodhohet gaz metan”, sqaron Qirjo, i cili shpjegon se zona të tilla rreth mbetjeve nuk duhen siguruar vetëm me rrethime, por duhen trajtuar me ndarje dhe menaxhim.
Megjithatë, bashkë me njoftimin se kishte nisur depozitimi i mbetjeve në landfillin e Sherishtës, edhe pse me dy vjet vonesë, kryebashkiaku Dredha nuk dha datë fikse se kur do të mbyllet vendgrumbullimi i Vlorës, i cili vazhdon të jetë problem.
Ullishtja e Zamir Qamës pranë vendgrumbullimit të mbetjve në Vlorë/A.Hoxha.
“Po bëjmë një operacion pilot atje [kapsulim mbetjesh], me qëllim që të bëjmë sa të mundemi. Kjo më shumë për të shmangur zjarret gjatë sezonit turistik”, deklaroi zyrtari i bashkisë, por kapsulimi nuk ka nisur ende, çka do të thotë se edhe rreziku nga flakët dhe ndotja mbetet i njëjtë.
“Zjarret, premtime dhe hetime”
Zjarri më i fundit masiv shpërtheu më 7 qershor 2025, duke mbuluar sërish qytetin bregdetar me re të zeza tymi. Ndryshe nga herët e tjera, policia referoi në prokurori pesë zyrtarë lokalë të Ndërmarrjes së Pastrimit, mes tyre manovratorë të bordit të kullimit, me dyshimet se neglizhuan detyrën për shuarjen e flakëve duke sjellë ndotjen e mjedisit.
Zyrtarisht u njoftua se zjarri kishte rënë si pasojë e temperaturave të larta, por prokuroria e Vlorës pranon për Citizens.al se mbi zjarret në vendgrumbullimin e Vlorës ka nën hetim tre dosje: Korrik 2023, Maj 2025, Qershor 2025.
Ajo thotë se këto zjarre kanë shkaktuar pasoja për jetën e shëndetin e njerëzve, një krim i dënueshëm deri në 10 vjet, ndërsa paralelisht po hetohen edhe dyshimet për shpërdorim detyre nga ana e punonjësve apo dhe zyrtarëve publik.
Emrat e të dyshuarve u mbajtën sekret dhe nuk iu vunë në dispozicion redaksisë së Citizens.al.
Eksperti Mihallaq Qirjo këmbëngul se edhe pushteti lokal ka përgjegjësi, pasi institucionet kanë reaguar ngadalë për administrimin e mbetjeve. Ai thekson se menaxhimi i mbetjeve mbetet përgjegjësi e bashkisë, të cilat në kushtet kur nuk kanë kapacitete, hapësira, mjaftohen vetëm me transportin e tyre.
Përballë raportimeve nga banorët në sallën operative, policia lokale, nga ana tjetër, tha për Citizens se ka referuar disa raste në prokuroi në periudhën 2023-2025, të lidhur “me zjarret e konstatuara në fushën e grumbullimit të mbetjeve urbane”.
Edhe bashkia thotë se ka bashkëpunuar për hetimin e zjarreve me policinë dhe prokurorinë, ndërsa shprehet zyrtarisht për Citizens se “gjetja e fajtorëve dhe dërgimi i tyre para drejtësisë nuk është bërë e mundur.”
Kamionë duke shkarkuar në vendgrumbullimin e mbetjeve në Vlorë/A.Hoxha.
Ndërkohë që drejtësia ende nuk ka dalë me një bilanc për përgjegjësit e ndotjes dhe dëmtimit të shëndetit të qytetarëve në Vlorë, dokumentet zyrtare tregojnë se prej vitit 2020 ka pasur korrespondencë për funksionalizimin e vendgrumbullimit të Sherishtës.
Por paralelisht me këto përpjekje dhe projekte, fusha ekzistuese e mbetjeve në qytet, ajo e lagjes “24 Maji”, është përballur çdo vit me zjarre, të cilat kanë djegur në mënyrën më të rrezikshme tonelata të tëra mbetjesh, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin publik.
KLSH ka ngritur alarmin për këtë situatë në një auditim të kryer Bashkisë Vlorë, e cila jo vetëm që nuk i depozitoi mbetjet në vendgrumbullimin e ri, por nuk pagoi as tarifa për depozitimin e tyre.
Raporti i KLSH-së vëren se bashkia e Vlorës rriti të ardhurat nga 2.79 miliardë lekë (2020) në 3 miliardë (2022). Paralelisht rriti edhe shpenzimet për menaxhimin e mbetjeve nga 268.6 milionë lekë (2020) në rreth 340.3 milionë (2022).
Në këtë dinamikë, depozitimi i mbetjeve në lagjen “24 Maji” ka vijuar pa asnjë kriter, duke shkaktuar dëme në mjedis dhe duke rrezikuar shëndetin e banorëve. Audituesit raportojnë gjithashtu edhe zhvlerësim të pronave që ndodhen pranë fushës së hapur të mbetjeve.
“Ti mund ta shikosh shtëpinë është thuajse e boshatisur, ne do ta rregullojmë, por këtu çdo gjë ndotet nga tymi dhe era e keqe, nuk di nga t’ia nis,” tregon Zamiri.
Premtimet për “Vlorën pa mbetje” dhe realiteti
Në vitin 2023, u prezantua nisma “Vlora zero mbetje”, pjesë e një plani 5-vjeçar për menaxhimin e mbetjeve në mënyrë të integruar. Gjatë konsultimeve lokale, u bë publik fakti se Ministria e Financave kishte nënshkruar një marrëveshje për financimin e projektit të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në rajonin e Vlorës.
Projekti përfshin një kredi prej 12 milionë eurosh dhe tre grante me vlerë totale 14.3 milionë euro. Investimi kryesor është ndërtimi i Qendrës së Menaxhimit të Mbetjeve në Sherishtë.
Bagëti duke kullotur në malin me mbetje në Vlorë/A.Hoxha.
Kjo qendër do të përpunojë rreth 1.2 milionë tonë mbetje dhe do të përfshinte: ndërtimin e vendgrumbullimit sanitar, sistemin për mbledhjen e gazrave, impiantin për trajtimin e ujërave të ndotura, impiantin për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme (me kapacitet 55 mijë tonë/vit), si dhe një hapësirë për kompostimin e mbetjeve organike (deri në 4,200 tonë/vit).
Gjithashtu, ishte parashikuar mbyllja e venddepozitimeve ekzistuese në Vlorë dhe Selenicë, si dhe blerja e mjeteve për pastrimin e rrugëve dhe transportin e mbetjeve.
Megjithatë, punimet në vendgrumbullimin e Sherishtës, të cilat nisën në qershor 2020 dhe duhej të përfundonin në fund të vitit 2021, u ndalën për shkak të hetimeve të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ndaj kompanisë “Integrated Technology Services” (ITS), që po e ndërtonte.
Në mars 2022, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e pasurive të kompanisë, dhe administrimi i punimeve iu kalua Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara. Por ky institucion nuk arriti të vijonte punimet dhe projekti ngeci.
Për shkak të detyrimeve të papaguara të kompanisë ITS ndaj palëve të treta dhe bllokimit të llogarive bankare, në tetor 2023 bashkia e Vlorës ndërpreu kontratën me ITS-në.
Ndërkohë, inspektorët e mjedisit, në një kontroll të datës 11 tetor 2024, konstatuan se në Sherishtë ishin ndërtuar vetëm godinat për përzgjedhjen dhe magazinimin e mbetjeve të riciklueshme, por mbetjet ende nuk depozitoheshin.
Fusha e vjetër e mbetjeve, në lagjen “24 Maji” në qytetin e Vlorës, që nuk ka leje mjedisore, mbetet aktive.
Llogaritet se aty janë depozituar rreth 400,000 m3 mbetje. Në një përgjigje për Citizens.al inspektorët e mjedisit thonë se nuk mund të kontrollojnë fusha pa leje pasi nuk e kanë si kompetencë ligjore. Ndërkohë, bashkia Vlore deklaron se vetëm për vitin 2024 janë prodhuar 53,406 tonë mbetje.
Një pjesë e landfillit të Vlorës në zjarr qershor 2025/A.Hoxha
Në fund të vitit 2024, një dokument zyrtar tregon se inspektorët kishin vizituar sërish vendgrumbullimin e Sherishtës dhe kishin konstatuar se objekti nuk ishte ende funksional. Punimet ndodheshin në fazën e fundit, por pranimi i mbetjeve nuk kishte filluar.
Në një përgjigje për Citizens, bashkia Vlorë konfirmoi se përveç mbetjeve të qytetit, në fushën ekzistuese të “24 Majit” grumbullohen edhe ato të Orikumit dhe disa njësive administrative përreth.
Për vendgrumbullimin ekzistues nuk ka raport monitorimi, megjithëse zjarret ndodhin shpesh. Bashkia thotë se ndërhyrjet e saj në raste zjarresh janë të kufizuara dhe përfshijnë vetëm metoda mekanike si spostim, nivelim dhe mbulim me dhe apo materiale inerte.
E pyetur nga Citizens në prill 2025, se kur do të mbyllet vendgrumbullimi i hapur, Bashkia u përgjigj: “Aktualisht nuk ka ndryshime, derisa të nisë puna në landfillin e Sherishtës”.
Por në një dalje publike më 14 qershor, kryebashkiaku Dredha pranoi se edhe pas hapjes së Sherishtës, Vlora do të përballet me problemin e mbetjeve të paktën deri në vitin 2027.
Ai shtoi se aktualisht po ndërmerren ndërhyrje të përkohshme me mjetet që ka në dispozicion bashkia. “Në atë fushë ndodhen mbetje të kompostuara për më shumë se 40 vite. Vetëm me magji mund të pretendosh që nuk do ketë zjarre atje,” tha ai.
Prej disa vitesh, Kamzës po i transformohet peisazhi urban. Procesi, që përngjan me atë që u ndoq në Tiranë, është shtrirë jo vetëm në boshtin kryesor të qytetit, por dhe në lagjet e brendshme. Një nga zonat që e përfaqëson më mirë këtë ndryshim thelbësor është fusha që rrethonte ish-kompleksin sportiv “Rinia” dhe shtrihej deri në rrugën kombëtare.
Këtë fushë e përdornim për vite me radhë – gjatë pandemisë dhe viteve më pas – bashkë me aktorë të “Grupit Ata”, ku zhvillonim provat dhe shfaqjet për komunitetin. Por pas vitit 2022, hapësira u rrethua dhe u kthye në një kantier të madh ndërtimi.
Pavarësisht se ishte tokë private, ajo kishte rëndësi publike për aktivitetin e gjallë që i shërbente komunitetit. Duke analizuar zonën, vlen të rikujtojmë se në hartat zyrtare, kjo njësi strukturore figuron si “KZ UB A2 14/257”, e rrethuar nga rrugët “Stockholm”, “Nënë Tereza”, “Teuta” dhe “OSBE”.
“Grupi Ata” në prova për shfaqje në një nga fushat rreth ish-kompleksit sportiv “Rinia”, Kamëz/Foto R.Qema.
Një pasdite në pallatet e reja: Zëri i banorëve
Në fushat pranë ish-kompleksit tashmë janë ngritur dy ndërtesa rezidenciale, secila 9-katëshe, ndërtuar nga kompania “Mëhillaj” sh.p.k. Godina e dytë – me lejen nr. 4595 – mori miratimin nga kryetari i Bashkisë, Rakip Suli, më 23 dhjetor 2022, katër muaj përpara miratimit të Planit të Detajuar Vendor.
Plani i Detajuar Vendor për këtë territor u firmos po nga Suli më 25 prill 2023. Një shqyrtim i lejeve dhe dokumenteve të zhvillimit tregon se numri i kateve, koeficienti i shfrytëzimit të truallit dhe norma e gjelbërimit janë në limitet maksimale por në përputhje me planin.
Megjithatë, sapo banorët u zhvendosën në dy pallatet e reja, doli në pah një problematikë e rëndësishme: mungesa e vendparkimeve, hapësirave publike dhe infrastrukturës për një jetesë cilësore.
Për të kuptuar më shumë rreth shqetësimeve të banorëve, kalova një pasdite në zonë. Shefqet Dina, pronari i një ushqimoreje pranë një prej pallateve – me origjinë nga Hasi dhe ish-sipërmarrës në Divjakë – tregoi për ndryshimin mes jetës rurale dhe asaj urbane.
“Me aq lekë blen 3-4 makina,” tregon ai përballë pyetjes për çmimin e vend-parkimeve nëntokë (15–20,000 euro), shifër që ai thotë se është shumë e lartë.
Pamje e zonës para ndërtimeve/Citizens.al
Pikërisht vendparkimi duket problemi i parë. Nëntokë pallatet ofrojnë rreth 40 vende, shumë më pak se numri minimal i kërkuar nga Plani i Përgjithshëm Vendor i Kamzës – edhe për qëllim fitimi. Në Nenin 29 të këtij plani thuhet se minimalisht duhet “një vend parkimi për njësi banimi”.
Çmimi i qirasë për një vendparkim është i lartë, duke zënë deri 30 % të qirasë mujore të një apartamenti.
Fatos Demaj, një tjetër banor që jeton në Greqi dhe kthehet herë pas herë në banesën e tij me qera, tregon se parkimin e paguan muaj për muaj “vetëm për ato pak netë që kalon në Shqipëri”.
“Nuk kam kohë dhe nerva të shpenzoj gjysëm ore a më shumë për të gjetur vend parkimi,” thekson ai.
Kjo është gjendja e jetës urbane në lagjet e reja të Kamzës që vërvitet mes nevojës për infrastrukturë publike dhe shpërfilljes prej investimeve private.
Mes hapësirës pallateve, tre djem luanin me njëri tjetrin në një hapësirë që duket më shumë si në mes të një kantieri ndërtimi.
Pamje e zonës pas ndërtimeve/Citizens.al
“Imagjino po të kishim një fushë?!” ngriti si pyetje retorike njëri prej tyre pasi atyre u thashë se ekzistonte mundësia që për ta të ishte parashikuar diçka në projektin e zhvillimit.
Fëmijët që banojnë në këtë zonë bënë krahasimin me zonat e pa-urbanizuara dhe situatës aktuale që ata shohin në lagjen e tyre dhe shpresonin për një kënd lojërash apo fushë futbolli.
Projeksionet 3D të projektit në tabelën e punimeve tregojnë me vështirësi një park të vogël lojërash, por në realitet – pasi banorët u zhvendosën në hyrjet e reja – hapësira përreth mbeti e papunuar, me dhe të kuq e mbetje ndërtimi.
Nën lupën e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH)
Proceset administrative të miratimit të këtyre godinve në këtë njjësi strukturore në Kamëz iu nënshtruan një auditimi nga KLSH. Kontrolli, i cili përpiloi një raport përfundimtar në prill 2024, tregoi për parregullsi:
Mungesë të 334 m² parkim në raport me kërkesat minimale;
Distancë 13 metra ndërmjet godinave (nga 15 metra e lejuar);
Dokumentacion i paplotë për godinën në “Rruga Roma”;
Llogaritje të gabuar të “Taksa Ndikimit në Infrastrukturë” në nëntë raste;
Mos-konsultim me Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST) për ndryshime në linjat ekzistuese.
Pas këtij kontrolli dhe raporti, KLSH ka kërkuar procedime disiplinore për 34 punonjës, përfshirë nënkryetaren Migena Habibi dhe drejtorin e Drejtorisë së Planifikimit, Kontrollit dhe Zhvillimit të Territorit (PKZHT) Erlend Baballëku.
Zona mes pallateve në Kamëz/Foto R.Qema.
Bashkia Kamëz kundërshton pjesërisht gjetjet për distancën, duke argumentuar se gjithçka është brenda kufijve të VKM-së nr. 408 duke qënë se “objekti nuk rezulton të jetë ndërtuar me leje ndërtimi apo disponon certifikatë përdorimi”. Por kjo lë pasoja në përditshmërinë dhe jetën e qytetarëve në këtë zonë, të cilëve u privohet “e drejta për diell dhe qiell”.
Paralelisht KLSH ka konstatuar pasaktësi në llogaritjen e taksave të ndikimit në infrastrukturë, ku përveç projektit në rrugën “Roma”, kjo duket të ketë ndodhur edhe në tetë raste të tjera. KLSH thekson se kjo praktikë ka ndikuar negativisht në buxhetin e bashkisë.
Nevoja për llogaridhënie: Bashkia hesht
Për t’u njohur me reagimin e institucionit mbi raportin e KLSH-së, por edhe me qasjen e zhvillimit urban, iu drejtuam Bashkisë Kamëz.
Në hyrje, përballëm një atmosferë refuzuese ku një kërkesë për intervistë me drejtorin e PKZHT-së, kalon në disa hallka shqyrtimi për miratim nga përgjegjësja për komunikimin, te kryetari Suli.
“Ta diskutoj edhe me Kryetarin, se cilin do vendosë, për t’iu përgjigjur pyetjeve.[…] Unë do ia lë shënim dhe do të më telefonojë,” tha përgjegjësja e komunikimit.
Pas dy javësh pritje të një përgjigjeje miratimi ose jo, nuk erdhi asnjë përgjigje. E njëjta histori përsëritet nga i njëjti institucion që refuzoi kërkesën për një reagim të ngjashëm edhe në janar 2023.
Tiranizimi i Kamzës
Kamza po merr pamjen e një qyteti me simptomat urbane të Tiranës: mungesë hapësirash publike, rrjet trafiku të mbingarkuar, parkingje të pamjaftueshme, probleme me menaxhimin e mbetjeve dhe mungesë llogaridhënie.
Banderola e “Grupit Ata” kundër mënyrës së zhvillimit në Kamëz/Foto R.Qema.
Kjo pasqyron një model zhvillimi ku interesi privat merr përparësi mbi mirëqenien e komunitetit.
Aktivistët e qytetit e kanë kundërshtuar këtë zhvillim urban. Grupi Ata, gjatë Javës së Arkitekturës në vitin 2023, i priti vizitorët që vinin prej kryeqytetit në një tur në njësitë Bathore dhe Paksuqan me një banderolë ku shprehej kundërshtia ndaj ndërtimit të pakontrolluar në Kamëz dhe politikave urbane të diktuara prej pushtetarëve.
Pa ndërhyrje urgjente institucionale, Kamza do mbetet një shembull i “tiranizmit” urban.
Në dhjetor 2010, Shkodra u përfshi nga përmbytje masive. Shtëpi, rrugë, ura – gjithçka nën ujë. Historia u përsërit disa herë në vitet që pasuan. Ngjashëm ndodhi dhe në fundvitin 2024 në Vlorë. Mot ekstrem, pasoja shkatërruese.
Ndryshimet klimatike nuk janë më paralajmërim i së ardhmes për Shqipërinë, por realitet i prekshëm. Përmbytjet, thatësirat ekstreme, stuhitë apo luhatjet e mëdha të temperaturave, janë kthyer në dukuri të shpeshta.
Megjithatë Shqipëria vazhdon të përballet me to pa një sistem qendror funksional paralajmërimi meteorologjik dhe hidrologjik. Një boshllëk kritik ky që po rrezikon menaxhimin e ujërave, bujqësinë dhe vetë sigurinë publike.
“Në errësirë” përballë motit ekstrem
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është ndër vendet më të rrezikuara në Evropë nga fatkeqësitë natyrore. 95% e bashkive janë prekur nga përmbytje, zjarre, tërmete apo rrëshqitje dheu në dy dekadat e fundit. Megjithatë, sistemi kombëtar i vëzhgimit meteorologjik dhe hidrologjik është në rënie.
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), institucioni që monitoron dhe vlerëson rreziqet natyrore me qëllim uljen e riskut, pranon për Citizens.al se numri i vendmatjeve meteorologjike ka rënë nga 116 në vitin 2014 në 95 në vitin 2025.
Pajisjet moderne shpesh janë të mirëfinancuara – nga Banka Botërore, GIZ, apo Universiteti Politeknik i Tiranës – por të mirëmbajtura keq. Stacionet manuale mbeten dominuese, por ofrojnë të dhëna një herë në ditë – një ritëm që lë vend për tragjedi.
Ekspertët si Kristi Bashmili dhe Prof. Dr. Petrit Zorba ngrenë shqetësimin për mungesën e të dhënave të besueshme në kohë reale dhe për moskoordinimin e institucioneve. Shqipëria, thonë ata, ka nevojë urgjente për sistem qendror të dhënash dhe një rrjet të modernizuar paralajmërimi.
Bashmili, thotë se shkalla e lartë e cenimit nga faktorët e mjedisit “vjen veçanërisht nga mungesa e kapaciteteve për të përballuar ndryshimet klimatike dhe pasojat në sektorë të ndryshëm”.
Për përballimin pa dëme të situatave emergjente, Bashmili thekson se nevojiten parashikime në kohë, të dhëna të besueshme shumëvjeçare, sistematike si dhe paralajmërimi i hershëm dhe efektiv.
“Nuk kemi sistem të integruar paralajmërimi për përmbytjet apo rrëshqitjet e dherave,” thotë Prof. Dr. Zorba, nga IGJEO, sipas të cilit të dhënat që disponohen janë fragmentare, shpesh të vjetërsuara dhe që nuk përcillen në kohë reale pranë institutit.
Profesori analizon se ajo që i mungon sistemit aktual është standardi në përdorimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve, pasi mund të qëllojë që pajisjet të jenë edhe moderne, por të mungojnë këto elementë.
Ai merr si shembull 24 stacione të ngritura nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, të cilat ai thotë se pavarësisht se janë të rregullta, kanë mangësi në mirëmbajtje dhe standard përdorimi.
“Standard nuk do të thotë të kesh celularin e fundit, që kushton 1.5 milionë lekë, duhet që dhe të dish ta përdorësh siç duhet, aq më tepër pajisjet meteorologjike,” vijon Prof. Zorba.
“Nëse një stacion ti e vë mbi një pllakë betoni, betoni të nxjerr temperatura të larta, nëse e vë në një zonë ku bari shkon 25cm, nuk do të të dallojë elementët dhe do të të raportojë për borë në korrik, pra këto elementë teknikë duhen konsideruar, pasi pajisja e mirë, po nuk pati mirëmbajtjen dhe metodologjinë e duhur të përdorimit nuk do të nxjerrë të dhënat e duhura,” thekson Zorba.
Situata paraqitet e ngjashme edhe për stacionet e monitorimit në sektorin bujqësor dhe aeroportual. Në tërësi sistemi konsiderohet i dobët në raport me infrastrukturën, dendësisë së rrjetit, digjitalizimin e të dhënave dhe kapaciteteve njerëzore.
“Rrjeti i stacioneve meteorologjike përfaqësohet nga shumë stacione manuale, të cilat nuk ofrojnë informacione në kohë reale dhe kanë nevojë për staf të shtuar,” shpjegon Bashmili.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike” mbetet pa një metodologji zyrtare monitorimi dhe vlerësimi. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk e ka miratuar një metodologji të tillë.
“Me qëllim realizimin e objektivave të këtij veprimi prioritar duhet të hartohet dhe aprovohet një program monitorimi i integruar si dhe të vlerësohet rregullisht një paketë treguesish,” thotë KLSH në një auditim të kryer planit.
Përmbytjet në Shkodër gjatë vitit 2022/Franc Zhurda.
Pasojat dhe nevoja për ndërhyrje
Në vitin 2023, dëmet nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi, industrinë ushqimore dhe sektorë të tjerë të ekonomisë kapërcyen për herë të parë shifrën prej 100 milionë eurosh. Një pjesë e kësaj shifre mund të ishte shmangur nëse vendi do të kishte një sistem efikas paralajmërimi.
Eksperti i mjedisit Kristi Bashmili tregon se ndryshimi i vazhdueshëm i klimës me valë të shtuara të nxehti dhe të ftohti ka ndikuar negativisht në rendimentin bujqësor, cilësinë e jetës dhe përparimit të detit drejt tokës, faktor që po ndikon ndjeshëm në turizëm dhe ekosistemet lagunore dhe bregdetare.
“Kemi të bëjmë me emergjenca të nxitura nga kushtet e motit, të cilat duhet të parashikohen në kohë dhe hapësirë, në mënyrë që më pas të merren masa për parandalimin e dëmeve të mundshme,” thotë Bashmili, sipas të cilit sistemi shqiptar i paralajmërimit kërkon fuqizim të rrjetit dhe shërbimeve hidrometeorologjike.
Por, përballë nevojës për investime fondet mbeten të kufizuara.
Raporti i fundit i Bankës Botërore tregon qartë: kostoja e investimit në përshtatje me ndryshimet klimatike është e lartë, por mosveprimi kushton edhe më shumë. Shqipëria ka nevojë për mbi 6 miliardë dollarë për të përballuar ndryshimet klimatike, por mungesa e koordinimit e bën edhe këtë objektiv të largët.
“Përshtatja me ndryshimet redukton në masë të madhe humbjet njerëzore dhe ekonomike nga fatkeqësitë dhe ngjarjet klimatike”, thekson BB në Raportin e Klimës dhe Zhvillimit të Vendit, të publikuar në tetor të vitit të kaluar.
IGJEO thotë se vendit i duhen jo vetëm më shumë stacione matëse – së paku një për çdo 100km2 – por edhe një shumëllojshmëri pajisjesh të tjera automatike, të cilat do të mund të gjeneronin të dhëna periodike me një frekuencë dhe saktësi më të lartë.
Sipas Prof. Dr. Petrit Zorba, krahas kësaj nevoje për pajisje dhe stacione, duhet dhe një sistem qendror për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e të dhënave në mënyrë të standardizuar.
“Nuk po them ndonjë shpikje të madhe, por atë që kanë bërë vendet e tjera, në gjithë botën të dhënat grumbullohen në një qendër dhe ajo më pas i përpunon me përgjegjësi sa i takon standardeve dhe i nxjerr si produkt,” përfundon Zorba.
Nëse Shqipëria nuk ndërton një sistem të integruar, çdo stuhi, thatësirë apo situatë e pazakontë natyrore rrezikon të kthehet në një krizë kombëtare.
Shqipëria përballet me një krize të thellë demografike. Lindshmëria është në nivelet më të ulëta historike dhe emigracioni vijon të zbrazë fshatrat dhe qytetet. Një sprovë e dyfishtë për politikën: të nxiten lindjet dhe të mbahen të rinjtë në vend. Në këtë panoramë shqetësuese, programi “Bonusi i Bebes” është paraqitur si një përgjigje e shpejtë, por sa e qëndrueshme është ajo?
Programi nuk jep ndihmë reale për familjet
Në heshtjen e një pasditeje, Ina J. mendon për kredinë, ushqimet, rrobat dhe një vizitë mjekësore që nuk mund ta shtyjë më. Bonusi i bebeve – 40 mijë lekë që mori në muajin e parë pas lindjes së vajzës – u shpenzua menjëherë. Ajo nuk e pa kurrë si ndihmë që do t’i ndryshonte jetën, por si detaj të vogël në një realitet të vështirë ku barra e prindërimit është individuale dhe e vetmuar.
Rënia e lindjeve në vend është tashmë strukturore. Me një normë lindshmërie prej 1.2 fëmijë për çdo grua – shumë më poshtë se norma e zëvendësimit 2.1 – Shqipëria është në një udhëkryq që rrezikon zhvillimin e qëndrueshëm. Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) për vitin 2024 tregojnë vetëm 22,425 lindje, 5% më pak se një vit më parë – niveli më i ulët që nga viti 1934.
Në përgjigje të kësaj krize, qeveria nisi në vitin 2019 “Bonusin e Bebes”, i cili ofron 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin. Por kjo është një ndihmë e përkohshme, që nuk krijon kushte afatgjata për t’i ndihmuar prindërit të marrin vendime për të zgjeruar familjen.
Një ndër problemet që ka nxjerrë në pah ky program është përfitimi i gjerë i familjeve rezidente jashtë vendit. Deri në tetor 2023, rreth 46% e përfituesve ishin jashtë Shqipërisë, çka nënvizoi emigracionin masiv të të rinjve. Pas këtij fenomeni, Kuvendi miratoi një ndryshim ligjor që përjashton nga përfitimi prindërit që nuk janë rezidentë në vend.
Ekonomisti Selami Xhepa thotë se kapaciteti fiskal i Shqipërisë është i kufizuar për të pasur masa më efektive se “Bonusi i bebes”. Ai është i mendimit se duhen rishikuar politikat buxhetore dhe orientuar fondet drejt çerdheve, lejeve prindërore të paguara apo lehtësimeve tatimore.
“Do të ishte më efikase që të investohej në përmirësimin e infrastrukturës sociale dhe mbështetjen e punësimit të të rinjve,” thotë Xhepa. Sipas tij, vendi ka nevojë për një strategji afatgjatë që lidh zhvillimin ekonomik me kohezionin social.
Në këtë drejtim, Shqipëria ka për të mësuar nga modelet e vendeve të tjera.
Polonia, për shembull, ka zbatuar programin “Family 500+”, që jep 118 euro në muaj për çdo fëmijë pas të parit, ndërsa Franca dhe Suedia ofrojnë një sërë shërbimesh sociale, përfshirë leje prindërore të gjata e të paguara dhe shërbime për kujdesin e fëmijëve. Ato kanë krijuar një sistem gjithëpërfshirës që u mundëson çifteve të ndërtojnë jetën me më shumë siguri.
Efektiviteti i programit dhe sfidat
Sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, thuajse gjysma e përfituesve të bonusit janë familje shqiptare që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë. Ashtu siç thekson një raport i INSTAT, “programet që synojnë të rrisin lindshmërinë duhet të ndihmojnë kryesisht popullatën brenda kufijve të vendit”.
Politika ka arritur të stimulojë familjet që janë larg Shqipërisë, por ka dështuar të krijojë një ndjesi të fortë lidhjeje dhe mbështetje për ata që janë brenda kufijve.
Një raport nga Banka Botërore, thekson se “incentivat financiare, ndonëse të nevojshme, shpesh nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar mendësitë dhe sjelljet e qytetarëve në lidhje me lindjet. Ato duhet të mbështeten nga politikat sociale të gjerë dhe përmirësimi i kushteve të jetesës”.
Një aspekt tjetër është që shpërndarja e bonusit është shpesh e përqendruar në qytetet më të mëdha dhe rajonet më të zhvilluara, duke lënë pas shumë familje që jetojnë në zona rurale, të cilat janë më të prirura të kenë nivele më të larta të varfërisë dhe do të mund të përfitonin më shumë nga një mbështetje e tillë.
Ministrja e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesës për një intervistë lidhur me këtë çështje, duke preferuar të mos japë koment mbi këtë temë. Zyra e ministres Albana Koçiu nuk komentoi për efektivitetin e bonusit të bebes dhe as masat për rritjen e lindshmërisë në vend.
Sipas të dhënave më të fundit, për programin e bonusit të bebes, në total prej vitit 2019 deri më 2023, nga ministria janë shpërndarë rreth 14,8 miliardë lekë apo rreth 148 milionë euro .
Familjet me sytë drejt emigrimit
Emigracioni ka luajtur rol kyç në ndikimin negativ mbi lindshmërinë në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, diaspora e re, e cila përbëhet nga emigrantët që kanë emigruar pas viteve 1990, llogaritet të jetë rreth 1.68 milionë individë, ose rreth 37% e shtetasve shqiptarë gjithsej.
Ky fenomen ka krijuar edhe disbalancnë në politikën e “Bonusit të Bebes”, pasi një pjesë e konsiderueshme e përfituesve të programit janë emigrantët që kanë ndihmën financiare të bonusit, por që nuk kontribuojnë drejtpërdrejt në rritjen e lindshmërisë brenda shtetit shqiptar.
Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia (rezidente) e Shqipërisë është mbi 2.8 milionë banorë. Kjo tregon se emigracioni ka kontribuar në uljen e popullsisë së vendit, duke e bërë më të vështirë arritjen e objektivave të programit për rritjen e lindshmërisë.
Në këtë kontekst, sipas sociologes Marsida Simo emigracioni masiv përbën një sfidë të madhe
“Emigracioni masiv po bën që shumë të rinj dhe çifte të largohen nga vendi duke pasur synim të krijojnë familje jashtë”, vëren Simo.
Ajo thekson se ky fenomen ka pasoja të drejtpërdrejta në zbrazjen e zonave rurale dhe qyteteve të vogla, duke frenuar rritjen natyrore të vendit. Përballë këtyre sfidave, Simo mbështetet te përvoja ndërkombëtare për të sugjeruar politikat që mund të funksionojnë edhe në Shqipëri.
“Investime në shërbime që kujdesen për fëmijët, leje prindërore të zgjatura dhe të realizueshme për të dy sektorët, publik dhe privat”, janë disa nga propozimet e saj.
Fëmijët që shesin lule, pastrojnë xhamat e makinave, kontrollojnë kazanët e mbeturinave apo kërkojnë lëmoshë janë pamje e zakonshme në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Të pambrojtur, pa arsim dhe të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, ata shpesh detyrohen nga të rritur – përgjithësisht të afërm – të punojnë për të siguruar të ardhura për familjen.
Shpesh përballen me dhunë, abuzim apo dhe trafikim seksual. Të ardhurat e tyre vijnë me një kosto të lartë për ta: humbjen e fëmijërisë dhe së ardhmes.
Shfrytëzimi i fëmijëve në rrugë është problem i thellë social, ekonomik dhe kulturor. Detyrimi i të miturve për të lypur, apo dhe punuar, është një formë trafikimi dhe shkelje e të drejtave të njeriut.
Sipas Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHMDF), prirja është në rritje. Të dhënat e raportit vjetor (2023) flasin për 2,163 raste në situatë rruge që janë menaxhuar nga ASHMDF, prej të cilave rreth 47.5% (1,027) ishin raste të reja – në vitin 2022 pati 987 të tilla.
Nga fëmijët në situatë rruge, grupmosha më e shpeshtë është 13-15 vjeç, ndjekur nga 16-18 vjeçarët. Djemtë përbëjnë shumicën e tyre ndërsa më të ekspozuar duken fëmijët e komuniteteve rome dhe egjiptiane – ndër komunitetet më të margjinalizuara në Shqipëri.
Raporti i ASHMDF-së nënvizon se fëmijët në situatë rruge janë nga “grupet më të cenueshme” teksa “mungesa e shërbimeve sociale e përkeqëson situatën”.
Prirja konfirmohet edhe nga Linja Kombëtare për Fëmijët (ALO 116 111). Kjo organizatë raportoi për vitin që shkoi 256 raste të shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve, që përfshinin 473 fëmijë (389; 2023).
Ndërkohë, vetëm në katër muajt e parë të vitit 2025, u evidentuan 87 raste të reja, që preknin 190 fëmijë.
Prirja për të shfrytëzuar fëmijët është më e përhapur në qytetet e mëdha, por nuk mungon as në zonat rurale. Përgjithësisht, skuadra të posaçme terreni për ndërhyrjen në kohë reale ka vetëm kryeqyteti, ndërsa në qytetet e tjera raportimet kufizohen vetëm në polici apo te punonjësit e mbrojtjes së fëmijëve (PMF).
Nga raportet, kuptohet se rastet shtohen sidomos gjatë sezonit veror, kur ka flukse të shtuara turistësh. Fëmijët shfrytëzohen për të lypur, shitur sende në rrugë, kryqëzime, plazhe apo zona me lëvizje të mëdha.
Belioza Çoku, nga Linja Kombëtare për Fëmijët, shpjegon se nën këtë dinamikë, ku shpesh shfrytëzimi vijon deri në orët e vona të natës, “fëmijët ekspozohen ndaj rreziqeve të shtuara, përfshirë këtu trafikimi, apo dhe abuzimi seksual.”
Ajo thotë se të rriturit që i detyrojnë këta fëmijë, përgjithësisht kanë mungesë ndërgjegjësimi dhe informacioni për pasojat dhe penalitetet e shfrytëzimit që u bëjnë fëmijëve.
“Sfida mbetet trajtimi i rasteve të përsëritura, të njohura prej vitesh, për të cilat nuk janë marrë masat e duhura,” shprehet Çoku.
Shumë raste të fëmijëve në rrugë marrin ndihmë (si: trajtim mjekësor, psikosocial, edukativ etj.), por disa prej tyre kthehen sërish në rrugë. Sistemi i mbrojtjes nuk rezulton i efektshëm sa duhet. Për këtë ndikojnë burimet e kufizuara njerëzore, mungesa e ndëshkimeve dhe mosbashkëpunimi mes institucioneve.
Qendrat e përkohshme nuk garantojnë rehabilitim afatgjatë, ndërsa arsimimi mbetet i pamundur për shumicën e tyre.
Sipas Altin Hazizajt, drejtor i “Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri” (CRCA/ECPAT), mungesa e zbatimit të ligjit Nr. 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës” është një nga arsyet kryesore për përkeqësimin e situatës. Ai thekson se “Shqipëria ndodhet në një udhëkryq sa i përket të drejtave të fëmijëve, sidomos në qasjet ndaj fëmijëve që shfrytëzohen”.
ASHMDF është institucioni që mban barrën kryesore të përgjegjësisë për gjendjen e fëmijëve në situatë rruge. Kjo Agjenci qeveritare koordinon sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe promovon të drejtat e tyre. Ajo ka pas një zinxhir institucionesh të tjera, por që sfida kryesore e tyre mbetet veçanërisht ndjekja penale e autorëve të shfrytëzimeve.
Në një kërkesë për informacion, ASHMDF tha për Citizens.al se gjatë vitit 2024 u ndoqën penalisht 23 të rritur që shfrytëzonin fëmijë, kjo pas referimeve të njësive të mbrojtjes së fëmijëve (NJMF).
Bashkitë kanë gjithashtu rol domethënës në menaxhimin e rasteve të fëmijëve në situata rruge, por sipas Hazizajt puna e tyre “lë për të dëshiruar”.
Për të adresuar këtë problem kompleks, nevojitet një qasje më e kujdesshme dhe e integruar, që përfshin ngritjen e shërbimeve të specializuara për këta fëmijë, mbështetje për familjet e tyre, përmirësim të shërbimeve psiko-sociale në shkolla dhe forcim të kapaciteteve të punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve.
Paralelisht nevojitet ndërlidhje më e qëndrueshme dhe koordinim efektiv mes institucioneve, sistemit arsimor dhe sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, fushata ndërgjegjësimi për strukturat që ofrojnë ndihmë, plane me buxhete të mjaftueshme për strehim dhe punësim të familjeve në nevojë etj.
Edhe pse qeveria ka promovuar bashkëpunimin me organizata kombëtare dhe ndërkombëtare për përmirësimin e situatës, përfshirë programe për integrimin e viktimave të trafikimit, shumë mbetet për t’u bërë.
Banorët në Porto Romano jetojnë çdo ditë nën hijen e frikës. Një fabrikë gazi, e zgjeruar pa distanca sigurie me shtëpitë, shkollën dhe ambulancën, i ka vendosur në rrezik të vazhdueshëm.
Dy incidente të së shkuarës janë dëshmi e asaj me të cilën ata përballen, ndërsa institucionet heshtin ose japin përgjigje që bien ndesh me faktet.
Tre vite nën frikë, asgjë ndryshe
Një shpërthim i fortë trazoi banorët e zonës së Porto Romanos mëngjesin e 18 qershorit 2022. Në fabrikën e “Alba Cosmetics” që prodhon dhe ambalazhon bombola gazi aty pranë kishte rënë zjarr. Të frikësuar, ata u shpërngulën përkohësisht derisa zjarrfikësit dhe policia siguruan se rreziku ishte tejkaluar.
Banorët nisën kërkesa për zhvendosjen e fabrikës. Ata organizuan protesta pasi zëri i tyre nuk u dëgjua. Ndërkohë, frika nga një shpërthim i madh u përsërit katër muaj më vonë.
Mesditën e 26 tetorit 2022 zona u rëndua nga aroma e gazit, e cila ishte çliruar nga dëmtimi i një cisterne të kompanisë. Në panik, shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”, e cila ndodhet pranë fabrikës, pezulloi mësimin duke dërguar fëmijët në shtëpi.
Por dhe aty nuk kishte siguri. Familjarët u detyruan të shpërnguleshin sërish për disa orë derisa autoritetet siguruan gjendjen.
Rastet, e raportuara gjerësisht në lajmet qendrore të televizioneve kombëtare, e bënë të njohur zonën për publikun e gjerë në Shqipëri. Mirëpo ato nuk ishin “lajme” për banorët: thjesht dy ditë nga plot të tjera nën hijen e frikës.
“Nuk e dimë kur do të na ndodhë e keqja, por jemi të sigurt që është çështje kohe,” thotë një banor.
Madje dhe fëmijët, si Enea i ciklit fillor, përjetojnë ankth teksa kujtonë raste: “U dëgjua një fishkëllimë, pastaj pamë tym. Më digjnin sytë, u tremba shumë.”
Fabrika e gazit në Porto Romano nisi punën në vitin 2011 në zonën e ish-Ndërmarrjes Industriale Shtetërore (NISH) të Kimikes.
Fillimisht aty ushtroi aktivitet kompania “Gas Power Al” e themeluar nga Altin Mulla, por që në vitin 2012 i kaloi Alban Rushitit për 4 milionë lekë, ose rreth 28,500 euro (me kursin e këmbimit të asaj periudhe).
Rreth pesë vite më vonë, qeveria ia dha zonën me qira “1 euro” kompanisë “Alba Cosmetic” e themeluar nga Adi Mehmeti në vitin 2014 – asokohe 21 vjeç.
Pamje Google.
Dy nga tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të “Alba Cosmetic” ishin të njëjtët të kompanisë “Gas Power Al”: Muaharrem Çela dhe Idajet Çela.
Prej vitit 2018 “Gas Power Al” nuk ka zgjedhur administrator të ri, nuk ka përtërirë Këshillin Mbikëqyrës, nuk ka dorëzuar bilancet tregtare dhe rezulton me të paktën 30 mijë euro detyrime ndaj organeve tatimore.
Nuk është e qartë lidhja mes dy kompanive, por në website-in e “Gas Power” ato prezantohen si kompani të përbashkëta me të njëjtat kontakte, seli dhe produkte (link, link).
Pas incidentit të vitit 2022, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) zbuloi pesë shkelje të rënda ligjore dhe teknike në cisternat e kompanisë, nga mungesa e certifikatave të sigurisë, kalibrimit dhe transportit te mungesa e policës së sigurimit të detyrueshëm.
Por, çuditërisht, nuk u mor asnjë masë ndëshkuese. Madje, ISHTI në një përgjigje për Citizens.al deklaroi se “në 5 vitet e fundit nuk ka pasur konstatime për incidente”. Kjo bie ndesh me vetë faktet e raportuara më parë për të paktën dy ngjarjet e vitit 2022, duke ngritur dyshime serioze mbi eficiencën dhe transparencën institucionale.
Pamje Google.
Për Fatmir Tarajn, ekspert zjarrfikës, përveçse nga afërsia me zonën e banuar, rreziku kryesor nga fabrika mund të vijë prej mungesës së stafit të kualifikuar.
“Pajisjet për emergjenca mund të ekzistojnë, por pa njerëz të trajnuar ato janë thjesht dekor,” thekson ai.
Ligji thotë se kompania ka detyrimin të informojë komunitetin lokal dhe të zhvillojë dëgjesa dhe njoftime publike, por nga të dhënat e mbledhura nga Agjencia Rajonale e Mjedisit Durrës, rezulton se në pesë vitet e fundit nuk është bërë asnjë konsultim publik.
Ky fakt evidenton një shkelje të qartë ligjore dhe etike nga “Alba Cosmetic” për përgjegjësitë sociale kundrejt komunitetit që jeton në afërsi të aktivitetit të saj.
Ndërkohë, fabrika është zgjeruar duke përfituar tokë shtetërore dhe duke zhdukur distancën mbrojtëse që duhet të ndante zonën industriale nga shkolla, ambulanca dhe shtëpitë e banorëve përreth.
Punimet e kompanisë Alba Cosmetic për mbulimin e kanalit të ujërave të zeza/Foto Anila Prethi.
Në vitin 2018 kompania ndërhyri në kolektorin e ujërave të zeza duke e mbuluar atë në kufirin e pronës së saj dhe për rrjedhojë përfitoi mbi 1,000 m2 truall në të cilën më vonë shtriu depozitat e gazit.
Së fundmi kompania ka përfituar edhe rreth 2 hektarë truall në një zonë ku sipas Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, (link harta e AKPT) ishte parashikuar për shërbime dhe aktivitete social-kulturore, apo sportive dhe rekreative.
Zgjerimi nuk është shoqëruar asnjëherë me dëgjesa publike nga banorët, të cilët kanë kërkuar zhvendosjen e kompanisë, por që tashmë shohin avllitë e shtëpive të tyre si muret e fundit ndarëse me fabrikën.
Ashtu si mungesa e certifikatave të sigurisë, trajnimet e papërfillura, mosinformimi i banorëve apo heshtja e institucioneve, incidentet e vitit 2022 ishin pasojat më të dukshme të një sistemi që e trajton jetën e njerëzve si statistikë dhe mjedisin si pronë private.
Pamje Google, me zonë e shtuar së fundmi.
Kur kontrolli teknik ndodh vetëm pasi ndodhin ngjarjet e këqija, dhe kur autoritetet nuk reagojnë as përballë fakteve zyrtare, siguria bëhet iluzion, e drejta për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm shkelet, dhe përgjegjësia institucionale kalohet me heshtje.
Në Porto Romano, rrjedhja e gazit nuk është thjesht rrezik potencial – është frika e përditshme e banorëve, që kërkojnë jo vetëm përgjigje, por veprime konkrete dhe mbrojtje nga shteti që duhet t’u shërbejë.
Bashkia Elbasan hapi në muajin shkurt tenderin për ndërtimin e sistemit “smart” të stacioneve të autobusëve – fituar nga PC Store me ofertë 185 mijë euro, – një investim i cilësuar i nevojshëm për transportin publik, por që bëhet teksa autobusët me të cilët udhëtojnë qytetarët janë jashtë standardeve: të amortizuar, pa orare fikse dhe pa mbulim të plotë.
Elbasani vuan prej vitesh mungesën e një shërbimi të denjë urban. Kompania që kishte monopolin mbi transportin publik, e njohur si “KRIVA”, ankohej për mungesën e subvencioneve nga pushteti vendor dhe me këtë justifikonte mungesën e investimeve në përmirësimin e flotës.
Në dukje, situata ndryshoi kur një kompani e re, e cila quhej “Elbasan Bus”, mori drejtimin e shërbimit. Bashkia e shpalli procedurën në faqen e saj, pa bërë shumë publicitet, dhe ia dha shërbimin kësaj kompanie që ishte hapur rishtazi, pa përvojë të qartë në transportin publik.
Por një verifikim i thjeshtë në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregon se pronari i “KRIVA”-s, (Vasil Janku) ishte i njëjtë me atë të kompanisë së re, vetëm me administrator tjetër – Tahir Tafani, sipërmarrës i një bar-kafe dhe linje transporti.
Rreth 8 muaj pas hapjes së kompanisë Janku ia shiti 100% të kuotave Tafanit për vetëm 1,000 euro. Kjo ndodhi në shkurt 2024, pesë muaj para se Bashkia Elbasan ta shpallte kompaninë “Elbasan Bus” fituese të konkursit për operimin në 8 linja urbane të qytetit – përfshirë linjën për në Varrezat Publike, për të cilën qytetarët ankohen se nuk është aktive.
Dokumentacioni zyrtar mungon mbi mënyrën se si u licencua kjo kompani, apo për kushtet që ajo plotësoi për të marrë përsipër linjat përkatëse, ndërsa konkursi i hapur tërhoqi vetëm një operator: pikërisht “Elbasan Bus”.
Në një kërkesë për informacion dërguar Bashkisë Elbasan mbi përzgjedhjen e subjektit fitues dhe procesin e licencimit, Citizens.al nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi. Po ashtu, tentativat për të kontaktuar administratorin e kompanisë dështuan.
Zërat e qytetarëve: Shpërfillje oraresh dhe mungesë higjiene
Përdoruesit kryesorë të transportit publik në Elbasan janë të moshuarit, gratë me fëmijë dhe nxënësit. Ata ankohen kryesisht për mungesë linjash, mosrespektim të orareve dhe mungesë higjiene.
“Dikur ka qenë autobusi për varrezat, tani nuk e shoh më,” thotë një e moshuar, 77-vjeçare, e cila shpreson që linja të vendoset sërish në punë.
“Nisesha nga Banesat për në Varreza, linja ka qenë këtu në lagjen time,” vijon ajo, “vërtetë autobusët janë copë-copë, verës plas vapa, por të paktën mund të lëviznim.”
Një tjetër e moshuar, Bukuria, shpreh gjithashtu shqetësimin për mungesën e linjës së Varrezave.
“Nuk mendojnë se është linjë që lëvizin prindër që kanë fëmijë, apo të dashurit e tyre atje dhe janë kryesisht të moshuar ata?” ngre shqetësimin e saj si pyetje retorike.
Agroni, një banor tjetër, i cili e përdor shpesh autobusin për të lëvizur drejt poliambulancës për të marrë shërbim shëndetësor, shton: “Paguajmë çmim sa në Tiranë, por shërbimi është mizerabël. Autobusët janë të pisët dhe pa orare. Është e turpshme për Elbasanin.”
Nxënësit, nga ana tjetër, ankohen për mbingarkesën në orët e mëngjesit, sidomos në linjat kryesore, ndërsa autobusëve u mungon ajrosja apo kondicioneri.
“Autobusët janë të vegjël e sidomos në mëngjes janë plot. Shtypemi aty! Kushte nuk ka e sidomos tani që filloi vapa nuk di si durojmë për të shkuar në shkollë,” tha një nxënës.
Qytetarë të tjerë, si Ermira Osmani, përmendin si shqetësim amortizimin dhe ndotjen që autobusët e vjetër shkaktojnë në qytet.
“Sedilet janë zhul dhe autobusët shumë të papastër. Shërbimi i transportit në Elbasan është i keq,” thekson ajo.
Kjo panoramë e transportit publik në Elbasan ndodh teksa bashkia promovon imazhin e një qyteti me stacione “smart” që synon zero emetime gazrash.
Në fakt bashkia ka përfshirë në Planin e Veprimit për Energjinë e Qëndrueshme dhe Klimën objektivin për të ripërtërirë flotën urbane me mjete të gjelbra, por në realitet autobusët e sotëm janë kthyer në burime ndotje.
Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve kibernetike, mirëpo instalimi – pa një kuadër të qartë rregullator – i pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI) nga kompanitë e telefonisë celulare ka ngritur shqetësime serioze mbi privatësinë dhe liritë digjitale të qytetarëve.
Autoritetet kanë deklaruar se pajisjet DPI synojnë rritjen e sigurisë dhe bllokimin e platformave si “TikTok”, por ekspertët paralajmërojnë se mungesa e transparencës dhe e kuadrit ligjor mund t’i hapë rrugën censurës dhe mbikëqyrjes masive.
Besmir Semanaj, ekspert në teknologjinë e informacionit, thotë se Shqipëria rrezikon të ndjekë rrugën e vendeve autoritare që përdorin DPI-në për mbrojtje por edhe kontroll informacioni.
Semanaj, ishte ndër të parët që shprehën shqetësimin për rrezikun e këtyre pajisjeve. Ai tha për Citizens.al se përdorimi i tyre në një kohë kur nuk ka ende ligje apo udhëzime që rregullojnë si proces “i lë rrugën hapur mbikëqyrjes së aktivitetit të qytetarëve apo bizneseve të ndryshme online”, e cila “është një shkelje e madhe sa i përket të dhënave personale”.
Sipas tij, mungesa e kuadrit rregullator lehtëson procesin e censurimit të përmbajtjes që qytetarët mund të qasin online, pasi DPI e filtron atë.
“Kjo teknologji mund të përdoret jo vetëm për të bllokuar aplikacione, por edhe për të mbledhur informacion të hollësishëm dhe të dëmshëm për qytetarët, siç janë zakonet e përdorimit të internetit dhe të dhëna që lidhen me përdoruesit,” tha Semanaj, duke i njohur edhe elementët pozitivë kësaj teknologjie, siç është përmirësimi i sigurisë kibernetike në rastet e rrezikut të shtuar.
Një tjetër ekspert, Tomi Kallanxhi, vë në dukje mungesën e informacionit mbi menaxhimin e të dhënave dhe përfshirjen e palëve të treta, duke ngritur shqetësime mbi pavarësinë dhe sovranitetin digjital të Shqipërisë.
Sipas tij, është shqetësuese që, edhe pse autoritetet kanë deklaruar se pajisjet DPI nuk ruajnë të dhëna personale, ende nuk dihet kush janë ekspertët e pavarur që e kanë verifikuar këtë gjë, pasi nuk ka asnjë përgjigje zyrtare.
Ai thotë se mungesa e informacionit për mënyrën se si ruhen të dhënat, për sa kohë mbahen ato dhe nëse një palë e tretë, si kompania që ka furnizuar pajisjet, mund t’i përdorë për qëllime të tjera, si analizimi i sjelljes së përdoruesve, ngre shqetësime serioze.
Përtej këtyre mangësive, Kallanxhi analizon se, në një skenar pozitiv, përdorimi i pajisjeve DPI do të ishte efektiv për të bllokuar platforma si TikTok, por gjithashtu edhe instrument i fuqishëm për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike.
Pajisje të dhuruara nga Izraeli dhe në përdorim të përkohshëm
Tregu i telefonisë celulare dhe i komunikimeve elektronike në Shqipëri kontrollohet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Në një përgjigje për Citizens.al – në tejkalim të afateve të parashikuara ligjore për kërkesat për informacion – AKEP heq përgjegjësinë duke theksuar se me procesin e vendosjes së pajisjeve DPI është angazhuar Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK).
Citizens.al iu drejtua AKSK-së për të kuptuar më shumë mbi procesin e instalimit të tyre. AKSK shpjegoi për herë të parë zyrtarisht vendimin që çoi në instalimin e pajisjeve DPI, fillimisht në kompanitë e telefonisë celulare në vend, me synimin për ta shtrirë më tej edhe te ofruesit e tjerë të shërbimit të internetit.
AKSK konfirmoi se pajisjet DPI nuk ishin blerë, por janë marrë në përdorim falas për një periudhë njëvjeçare, falë një marrëveshjeje të lidhur me Autoritetin e Sigurisë Kibernetike të Izraelit në shkurt 2023.
Pas përfundimit të kësaj periudhe, pajisjet do t’i kthehen palës izraelite. Ky informacion bëhet publik për herë të parë dhe lidhet me një periudhë të ndjeshme për Shqipërinë, atë të sulmeve kibernetike që ekspozuan të dhëna të ndjeshme si pagat, targat, numrat e telefonit dhe llogaritë bankare të qytetarëve shqiptarë.
Sa i përket bazës ligjore për këtë vendim, AKSK thekson se është mbështetur te vendimi i Këshillit të Ministrave për bllokimin e TikTok, ligji për sigurinë kibernetike dhe ligji “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”.
Megjithatë, nuk ka asnjë referencë specifike për mbrojtjen e të dhënave personale nga keqpërdorimi në këtë proces, duke rritur shqetësimet e ngritura më parë nga ekspertët dhe mediat.
Në përpjekje për të qetësuar opinionin publik, AKSK sqaroi gjithashtu se pajisjet DPI nuk kanë aftësi për të përgjuar komunikimet e qytetarëve. Sipas institucionit, DPI analizon vetëm “kokën” (headerin) e paketave të të dhënave dhe nuk është në gjendje të deshifrojë ose të lexojë përmbajtjen e tyre, për shkak të enkriptimit të komunikimeve në internet.
Autoritetet përgjegjëse theksojnë se kjo është një masë e përkohshme, por shumë ekspertë kanë shprehur shqetësimin se përdorimi i pajisjeve DPI mund të përfshijë një sërë tjetër përpjekjesh për të monitoruar të dhënat e qytetarëve, përfshirë ato që lidhen me përdorimin e aplikacioneve të tjera dhe aktivitetet online.
Përdorimi i këtyre pajisjeve mund të krijojë mundësi të shumta për mbledhjen e të dhënave personale dhe për manipulimin e informacionit të qytetarëve.
Kompanitë celulare në vend ishin të para që instaluan pajisjet DPI sipas udhëzimeve të AKSK, por deri në publikimin e këtij shkrimi, nuk pati një përgjigje prej tyre në drejtim të “Citizens” për çështjen në fjalë.
Pajisjet DPI po përdoren pa një kuadër rregullator të mirëfilltë
Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale konfirmon për “Citizens” se, sipas legjislacionit aktual, nuk ka ende një detyrim ligjor që operatorët e komunikimeve elektronike në Shqipëri të kryejnë një “Vlerësim të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave” (DPIA) për teknologjinë Deep Packet Inspection (DPI).
Ky qëndrim i autoritetit mbikëqyrës vjen në një moment kur ekspertët dhe gazetarët kanë ngritur shqetësime serioze për mundësinë e keqpërdorimit të të dhënave personale nga operatorët që aplikojnë DPI në rrjetet e tyre.
Komisioneri sqaron se sipas ndryshimeve ligjore të miratuara në fillim të 2024, detyrimi për kryerjen e një DPIA-je do të hyjë në fuqi vetëm në janar 2027, duke iu referuar dispozitave kalimtare të ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Sipas praktikës ndërkombëtare, praktika DPIA shërben për të identifikuar dhe ulur rreziqet që lidhen me përpunimin e të dhënave personale, duke mbrojtur privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve. Në mungesë të një DPIA-je, qytetarët rrezikojnë të ekspozohen ndaj mbikëqyrjes së tepruar, abuzimit me të dhënat dhe shkeljeve të privatësisë.
Në rastin tonë, kjo nënkupton se deri në janar 2027, përdorimi i DPI-së nga kompanitë e internetit në Shqipëri mund të vazhdojë pa një analizë të thelluar të rreziqeve për privatësinë e qytetarëve.
Në mungesë të një DPIA-je të detyrueshme, mbikëqyrja mbi përpunimin e të dhënave mbështetet vetëm në respektimin e përgjithshëm të parimeve ligjore të sigurisë, transparencës dhe minimizimit të të dhënave.
Zyra e Komisionerit i mëshon përgjegjësisë së operatorëve për të siguruar masat teknike dhe organizative për mbrojtjen e të dhënave, por mungesa e një vlerësimi të detajuar të ndikimit për teknologji të tilla si DPI mbetet një boshllëk i rëndësishëm në garantimin e privatësisë.
Lufta e të dhënave, kush i menaxhon ato
Matematicieni i njohur britanik Clive Humby është shprehur disa vite më parë se të dhënat janë nafta e shekullit XXI, duke paralajmëruar edhe një “luftë” mes shteteve për aksesin në to, si edhe nevojën për përpunimin e të dhënave për të nxjerrë prej tyre informacione që ndihmojnë në projektimin e së ardhmes dhe në parashikimin e sjelljes së qytetarëve si konsumatorë të internetit.
Në këtë kuadër, Tomi Kallanxhi thekson se diskutimi mbi vendosjen e pajisjeve Deep Packet Inspection (DPI) nuk mund të shkëputet nga çështja e sovranitetit digjital. Ai shpjegon se një element shumë i rëndësishëm për t’u marrë parasysh është fakti që sot shtetet janë duke bërë përpjekje të mëdha për ruajtjen e sovranitetit të tyre digjital, ndërkohë që Shqipëria, sipas tij, nuk është më sovrane në këtë aspekt.
“E kemi dorëzuar sovranitetin, jo vetëm në kontekstin e DPI-ve, por edhe në atë të e-Albania, ku të dhënat e qytetarëve shqiptarë ruhen jashtë territorit të Shqipërisë,” shprehet Kallanxhi, duke ngritur pikëpyetje mbi vendimin për të mbajtur në serverë të huaj të gjitha të dhënat personale të shqiptarëve.
Ndërkohë, Besmir Semanaj e lidh sovranitetin digjital edhe me të drejtën e qytetarëve për një akses të lirë në internet.
“Sovraniteti digjital nuk është vetëm një çështje shtetërore. Ai lidhet edhe me të drejtën e çdo qytetari për të pasur akses të pakufizuar në teknologji dhe informacion”, thekson Semanaj. Ai paralajmëron se përdorimi i DPI-ve për qëllime censure cenon drejtpërdrejt këtë të drejtë. Sipas tij, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të respektojë parimet e një interneti të lirë, ku çdo ndërhyrje duhet të jetë e ligjshme, proporcionale dhe e justifikuar.
Përdorimi i pajisjeve DPI në vende autoritare
Në shtete autoritare apo gjysmë-autoritare, teknologjia DPI përdoret gjerësisht për qëllime të ndryshme, nga siguria kibernetike deri te kontrolli i informacionit dhe censura.
Në Rusi, përdorimi i DPI është pjesë e një strategjie shtetërore për mbikëqyrjen e komunikimeve digjitale dhe filtrimin e përmbajtjes online. Qeveria ruse ka detyruar kompanitë e internetit (ISP) që prej vitit 2020 të instalojnë këto pajisje, ndërsa përdoruesit që shfrytëzojnë rrjete VPN rrezikojnë gjoba. Platforma si Twitter, Facebook dhe Telegram janë bllokuar përmes këtyre mekanizmave.
Radio Evropa e Lirë (REL) raportonte në vitin 2023 për një bashkëpunim intensiv mes Rusisë dhe Kinës për ngritjen e një strukture të sofistikuar të kontrollit të internetit, me fokus në filtrimin e përmbajtjes përmes DPI-ve. Në thelb të këtij bashkëpunimi qëndronte ideja e “ruajtjes së rendit shoqëror” përmes kufizimit të aksesit në aplikacione apo faqe që konsiderohen të rrezikshme.
Praktika të ngjashme janë ndjekur edhe në Turqi dhe Egjipt. Në Turqi, që prej vitit 2016, pas instalimit të DPI-ve, autoritetet kanë ndërmarrë bllokime sistematike të faqeve të mediave online dhe profileve në rrjetet sociale, duke rritur ndjeshëm kontrollin mbi hapësirën digjitale. Shembuj të përdorimit të pajisjeve DPI në Turqi pati edhe gjatë protestave pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, ku interneti u ngadalësua ndjeshëm.
Edhe pse qeveria shqiptare mund të synojë mbrojtjen e të miturve dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt online, instalimi i pajisjeve DPI pa një kuadër të qartë ligjor dhe pa një mekanizëm të pavarur mbikëqyrjeje përbën rrezik real për liritë qytetare. Mungesa e transparencës dhe kontrollit institucional hap rrugën për abuzime dhe cenon të drejtën themelore për informim dhe privatësi.
Ndërtimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë po shoqërohet me pasoja mjedisore prej ndërhyrjeve në shtratin e lumit Shkumbin, çka ka ngjallur shqetësim mes banorëve dhe aktivistëve lokalë.
Në njësi administrative si Labinot-Fushë apo Xibrakë degëzime të lumit janë spostuar për t’i hapur vend zgjerimit të trasesë së rrugës. Në periudha të ndryshme kompanitë e kontraktuara për punimet kanë zhvendosur rërë dhe zhavorr, kanë turbulluar rrjedhën, gërryer toka bujqësore dhe ndryshuar gjendjen e sedimenteve të lumit.
Kjo dinamikë ka prekur më së shumti biodiversitetin e jetës në lumë dhe peshkimin.
Shkumbini buron nga mali i Valamarës – mes Korçës, Gramshit dhe Pogradecit – dhe përshkon 181 kilometra mes tre qarqeve dhe gjashtë qyteteve përpara se të derdhet në Adriatik. Ai konsiderohet një lum i rëndësishëm për kulturën, bujqësinë dhe turizmin.
Ilustrim i shtrirjes së lumit Shkumbin/Citizens.al.
Investime pa kujdes për mjedisin
Aktivistë dhe gazetarë lokalë kanë dokumentuar aktivitetin shqetësues të kompanive të kontraktuara për punimet e rrugës Elbasan-Qafë Thanë në shtratin e Shkumbinit. Ekskavatorë dhe kamionë u fotografuan në tetor duke marrë zhavorr dhe gurë nga lumi.
Pamjet nga terreni treguan se ndërhyrjet janë kryer me mjete të rënda, pa ndonjë masë mbrojtëse mjedisore apo tabelë informuese.
Kjo vërtetoi pretendimet e vazhdueshme për dëme në mjedis nga aktivistët e “Nismës për mbrojtjen e lumit Shkumbin”, pasi ndërhyrjet në rrjedhë dëmtojnë cilësinë e ujërave, stabilitetin hidrologjik dhe diversitetin biologjik të rrjedhës.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e “Korridorit VIII”, është pjesë e një projekti të konsideruar i rëndësisë së veçantë nga qeveria, pasi lidh portin e Durrësit me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
“Kërkuam të binin kambanat e alarmit në lidhje me rrezikun që po shkakton ndërtimi i rrugës, atë të shkatërrimit të rrjedhës natyrore të lumit,” tha Matilda Alliu nga “Nisma për mbrojtjen e lumit Shkumbin”.
Shqetësimit të aktivistëve i bashkohet zëri i ekspertëve mjedisorë si Ahmet Mehmeti, të cilët thonë se krahas ndërhyrjeve për ngritjen e hidrocentraleve, devijimi i rrjedhës së lumit është “alarmant” dhe “një krim ndaj natyrës”.
Mehmeti shprehet se, bazuar edhe në vëzhgimet që janë bërë, tokat që mbajnë gjallë jetën e fshatarësisë janë dëmtuar nga punimet e rrugës.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
“Brigjet e lumit Shkumbin janë dëmtuar dhe gërryer. Në ndërtimin e veprave madhore, siç janë këto superstrada, gjithmonë do ketë probleme. Por këtu hyn faktori njeri dhe projekti i merr parasysh gjithmonë këto probleme”, thotë ai më tej.
Për ekspertin Mehmeti, shkeljet e rregullave për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe dëmtimi i rrjedhës rrisin rrezikun e erozionit dhe shembjes së tokës.
“Është thelbësore që ligjet ndërkombëtare për mbrojtjen e lumenjve të aplikohen dhe të respektohen për lumin Shkumbin, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e interesave të komunitetit”, përfundon ai.
Luljeta Bylykbashi, përfaqësuese e Qendrës Mjedisore për Studime dhe Zbatime, shpreh shqetësim për situatën mjedisore, sidomos në zonën e Librazhdit, teksa biologia Marilda Osmani, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” apelon për një menaxhim më të përgjegjshëm.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
Bylykbashi thotë se kompanitë e kontraktuara për punimet kanë shkelur standardet mjedisore duke ndikuar negativisht te gjendja e lumit. Sipas saj përtej ndërhyrjeve që po kryhen për rrugën nevojitet që për zonën ku kalon Shkumbini të vendoset një normë e atillë zhvillimi që ta stimulojë turizmin dhe ndërtimin miqësor me natyrën.
“Turizmi ka potencial të madh këtu, por nuk mund të realizohet pa një lumë të pastër,” thotë ajo.
Lumi Shkumbin është një arterie ujore me rëndësi historike, kulturore dhe ekologjike për Shqipërinë. Por ndërhyrjet inxhinierike nuk janë të vetmet që nuk po shoqërohen me respektim të standardeve mjedisore.
Në zonat e urbanizuara rreth Shkumbinit nuk ka impiante të trajtimit të ujërave të zeza. Industria, sipërmarrjet dhe restorantet shkarkojnë mbetje dhe ujëra direkt në lumë, njësoj si fshatrat e zonës që hedhin mbetjet bujqësore.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
“Lumi vazhdon të ndotet në mënyrën më të keqe dhe nëse Këshilli i Basenit Ujor të Lumit Shkumbin nuk merr masa drastike dhe të vërë para përgjegjësisë ata që paguhen për të mbrojtur e monitoruar lumin, vihet në pikëpyetje roli dhe efektiviteti i këtij këshilli”, përfundon Ahmeti.
Citizens iu drejtua me kërkesa për komente Bashkisë Librazhd, për të kuptuar se çfarë qëndrimi ka nga ky institucion në lidhje me gjendjen e lumit përgjatë zonave që ajo mbulon. Mirëpo nuk mori përgjigje deri në botimin e këtij shkrimi.
Nëse situata vijon me këtë prirje përkeqësuese vendi rrezikon të humbasë jo vetëm një pasuri natyrore, por edhe besimin e komunitetit në projekte të mëdha infrastrukturore.
Ndërhyrjet në lum/Facebook, Nisma Mbro Lumin Shkumbin nga ndotjet, Librazhd.
Qindra qytetarë, aktivistë dhe mbështetës të komunitetit LGBT+ marshuan sot në Tiranës në “Paradën e Krenarisë”, një aktivitet i përvitshëm që synon të ndërgjegjësojë shoqërinë për të pranuar dhe promovuar barazi sociale dhe të drejta për të gjithë.
Organizimi, që këtë vit kishte si moto thirrjen përbashkuese “Krah për krah” nisi paraditen e së shtunës në instilacionin “Reja” përballë “Galerisë Kombëtare të Arteve” ku u mbajtën fjalime frymëzuese nga aktivistë, qytetarë dhe përfaqësues të institucioneve.
Patris Pustina, aktiviste dhe anëtare e komunitetit u shpreh se slogani i këtij viti nënkupton që jemi shumë dhe na mbështesin shumë.
“Marshojmë edhe për ju që sot jeni në shtëpi dhe nuk vini dot. Është shumë e gëzueshme të përjetosh PRIDE-n në Shqipëri në Tiranë, në qytetin tim ku unë jam rritur, si një pjesë e komunitetit LGBT”, deklaroi Patrisi.
Gjatë organizimit të Paradës së Krenarisë/Citizens.al
Livia Zotrija nga Aleanca LGBT i bëri thirrje institucioneve shtetërore qe për njohjen e çifteve të së njëjtës gjini dhe personave transgjinorë.
“Na jepni statusin që na takon, na jepni mbrojtje. Mos na detyroni të largohemi nga vendi, për të jetuar si vetja”, u shpreh Livia.
Ndërsa ju kërkoi familjeve shqiptare të pranojnë fëmijët e tyre dhe të mos i lenë të ndjehen të huaj në shtëpi.
“Familje shqiptare, nuk ka dhuratë më të madhe se pranimi. Zgjedhja është e juaja, të bëheni mburojë apo plagë”.
Në thirrje të njëjta u bashkua edhe Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara, të cilat po rrisin dy vajza binjake, por shteti shqiptar nuk ju njeh mëmësinë.
“Ne duam që të drejtat tona të njihen njësoj si çdo qytetari tjetër shqiptar. E njëjta gjë për martesë, e njëjta gjë për bashkëjetesën, e njëjta gjë për adoptimet, nuk kërkojmë asnjë gjë më tepër”, u shpreh Alba Ahmetaj.
“Përkushtimi ynë nuk është më i dobët dhe fëmijët tanë meritojnë siguri dhe mbrojtje ashtu si çdo fëmijë tjetër në këtë vend. Ju pyes: çfarë mund të jetë më tradicionale se dashuria ndaj fëmijëve të tu?“, përmbylli fjalimin Edlira Mara.
Veçanërisht u vu re prania e ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu, e cila theksoi nevojën për të bërë më shumë në mbështetje të komunitetit LGBT+.
“Kemi sfida, të cilat bashkarisht do të mund ti adresojmë akoma më mirë, por ajo që do të ishte ftesa ime ishte të jemi së bashku, të dialogojmë dhe të bëjmë maksimumin për të respektuar dhe për të garantuar liritë dhe të drejtat e gjithkujt”, u shpreh ministrja Koçiu, ndërsa shtori se duhet ta bëjmë zërin e komunitetit të kumbojë jo vetëm sot, por çdo ditë.
Gjatë “Paradës së Krenarisë” 2025/Citizens.al
Ndërkohë të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga komuniteti i personave me aftësi të kufizuara, të cilët sollën një dimension të ri solidariteti dhe bashkëpunimi.
“Unë jam këtu me babain tim 76 vjeçar, i cili i përket një brezi konformist. Megjithatë ai kupton dhe e quan krejt të natyrshme që ky komunitet të ketë fëmijë, të rrrisë fëmijët e tyre sepse e ka provuar në kurriz se cfarë do të thotë të të përbuzin dhe të të lenë në cep vetëm për një karakteristikë të identitetit tënd dhe jo për arsye më të qenësishme se kaq”, u shpreh Suela Lala, drejtuese e “Fondacionit Së Bashku” që lobon për të drejta për personat me aftësi të kufizuar.
Përfaqësues diplomatikë, si ambasadorët e Suedisë, Kanadasë dhe BE-së, shprehën mbështetjen përmes pranisë së tyre. Ndërsa mes fjalimeve u theksua rëndësia e respektimit të të drejtave të njeriut, shëndetit mendor dhe përfshirjes sociale.
“Përkushtimi ynë ndaj të drejtave të njeriut shkon përtej kufijve tanë [Kanadasë] dhe jemi krenarë që bashkëpunojmë me Shqipërinë […] ndërsa ajo vijon të forcojë respektin për të drejtat e njeriut dhe përfshirjen sociale,” deklaroi ambasadorja e Kanadasë, Elissa Golberg, gjatë organizimit.
Gjatë “Paradës së Krenarisë” 2025/Citizens.al
Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian Silvia Gonzato, u shpreh se edhe pse ka një histori të tijën personale që e lidh me komunitetin, ai ishte edhe si përfaqësues si Bashkimit Evropian që përçon mesazhin e vlerave dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
“Bashkimi Evropian mbështetet në vlerat e respektit për dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit, respektin për të drejtat e njeriut, përfshirë këtu të drejtat e personave që u përkasin pakicave dhe këto vlera janë të përbashkëta, për të gjitha shtetet anëtare në një shoqëri në të cilën lulëzon pluralizmi, mos diskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti dhe barazia mes femrave dhe meshkujve”, deklaroi ambasadori Gonzato.
Pas grumbullimit, grupi nisi marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kaluar zonën e ish-Bllokut, sheshin “Nënë Tereza” dhe duke e përmbyllur “Paradën e Krenarisë” përpara Kryeministrisë, nga ku kërkohet që të ketë përkrahje të këtij komuniteti.
Himni i paradës këtë vit ishte me një rikonceptim të këngës “Zjerm” që përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision por me vargjet: “Ne jemi vetë dashuria, nuk na mungon krenaria, ‘Krah për krah’ ecim bashkë, mësojmë botën si me dashtë, ngjyrat tona sot i ka liria”.
Himni u këndua gjatë gjithë rrugës, duke marrë energjinë e këngës së dyshes Beatriçe Gjergji e Kolë Laca të “Shkodra Elektronike”.
Në duart e marshuesve valëviteshin pankarta me mesazhe të qarta: “Liri, barazi, siguri krah për krah”; “Gjuha e urrejtjes nuk është liri e shprehjes”; “Poshtë homofobia!”; “Duam barazi, duam liri” dhe madje edhe mesazhe solidariteti për Palestinën.
Ky është marshimi i 12-të që organizohet në Tiranë në mbështetje të komunitetit LGBT+. Shqipëria ka ende rrugë për të bërë drejt barazisë, por çdo hap, çdo pankartë, çdo këngë janë dëshmi se ky ndryshim është i mundur – dhe i domosdoshëm.
Media, si një pasqyrë e problemeve të shoqërisë, shpesh përballet me dhunë dhe agresivitet – sidomos ndaj gazetarëve të kronikës. Ata shpesh punojnë në kushte të rrezikshme, mes protestash të dhunshme, operacionesh policore, apo vendngjarjesh kriminale.
Gazetari Sokol Dema, i cili prej afro një dekade mbulon ngjarjet e kronikës, tregon për Citizens.al se puna në terren është një nga më të vështirat. Ai kujton një protestë ku gazi lotsjellës ia bëri të vështirë edhe frymëmarrjen.
“Nuk ndaloja së foluri, edhe pse mezi merrja frymë,” thotë ai.
Sipas tij, edhe kur redaksitë i pajisin gazetarët me mjete mbrojtëse, rreziku është gjithmonë prezent dhe shpesh nuk ka kohë për reagim.
“Protestat e dhunshme të opozitës kanë qenë në mesin e situatave më të rrezikshme,” shton Dema.
Ai kujton gjithashtu një rast në Lezhë, kur gjatë mbulimit të vrasjes së një efektivi policie, ishte pranë operacionit për kapjen e autorit që ende ishte i armatosur.
“Rreziku ishte real,” thekson Dema.
Gazetari Besar Bajraktari, gjithashtu me rreth 10 vite përvojë, tregon se sfidat në terren nuk janë gjithmonë të dukshme në transmetim.
“Janë momente tensioni dhe pasigurie që nuk duken në ekran,” shpjegon ai.
Një nga episodet më të vështira për të ka qenë vrasja e policit Saimir Hoxha, në shtator 2021.
“Na u desh të largohemi, sepse ishim afër vendit ku fshihej autori,” tregon Bajraktari duke nënvizuar se i largoi policia.
Ai kujton gjithashtu episodin me Lefter Zhidrun në Elbasan, protestat me gaz lotsjellës dhe ujë, si edhe një zjarr të madh që zgjati tre ditë në një qendër tregtare në Tiranë.
Të dy gazetarët e kronikës nënvizojnë nevojën për trajnime specifike për të përballuar situatat të rrezikshme në terren.
“Përballja me autorë dhe viktima të veprave penale kërkon përgatitje të veçantë,” thotë Bajraktari.
Sipas Demës, situata në tërmetin e vitit 2019 tregoi se shumë gazetarë të rinj nuk ishin të përgatitur. Ai shton se ndonëse Shqipëria nuk është vend lufte, zhvillimet globale tregojnë se gjithçka mund të ndryshojë shpejt, ndaj gazetaria e kronikës duhet të trajtohet me seriozitetin që meriton.
Në këtë pikë Bajraktari apelon që edhe policia të organizojë trajnime për gazetarët dhe të ofrojë mbështetje në terren.
Përballja me rreziqet dhe mungesën e mbrojtjes ligjore
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa thekson se puna e gazetarëve është thelbësore për lirinë e informacionit. Ai bën thirrje për trajnime të specializuara nga redaksitë dhe organizatat e mediave, për pajisje mbrojtëse dhe mbështetje psikologjike për gazetarët që mbulojnë ngjarje tronditëse.
“Duhen protokolle sigurie për të mbuluar ngjarjet e rrezikshme, si caktimi i një punonjësi sigurie dhe krijimi i një plani emergjence për veprim,” thotë Softa teksa këmbëngul se gazetarëve u nevojitet dhe ndihmë psikologjike.
“Mendoj se duhet të ofrojnë mbështetje psikologjike për gazetarët që kanë mbuluar ngjarje tronditëse të një kategorie të caktuar,” vijon ai teksa i bën thirrje shtetit të hartojë ligje specifike për mbrojtjen e gazetarëve.
Sipas Softës shteti duhet t’u japë mbështetje financiare organizatave mediatike dhe të krijojë njësi të posaçme mbrojtëse për të mbuluar pasojat nga rrethanat e vështira të raportimeve.
Isa Myzyraj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), e përshkruan situatën si të vështirë dhe shqetësuese. Ai thekson se gazetarët përballen me presione politike, censurë, mungesë transparence dhe sigurie në punë.
Referuar edhe raportimeve nga organizata vendase dhe ndërkombëtare, Myzyraj shprehet se Shqipëria renditet në një pozicion problematik sa i përket lirisë së shprehjes.
“Këto kushte janë pasojë edhe e mungesës së mbështetjes ligjore dhe ekonomike për profesionistët e medias, si dhe e një kulture të brishtë demokratike që nuk e respekton misionin kritik të gazetarisë” thotë ai.
Sipas Myzyrajt nevojitet reformë ligjore dhe investim në trajnim e teknologji, për të rritur cilësinë dhe sigurinë në gazetari.
Raporti SCiDEV dhe klima e pasigurt
Në 10 mars 2025, Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) publikoi raportin mbi lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Shqipëri për vitin 2024 ku u evidentuan 45 incidente ndaj gazetarëve, krahasuar me 24 raste në vitin paraardhës.
Sipas SCiDEV rritja e sulmeve ka krijuar një klimë pasigurie dhe vetë-censure në redaksi. Raporti kritikon edhe reagimin e ngadaltë të drejtësisë, që shpesh nuk ofrojnë mbrojtjen e nevojshme për gazetarët e kërcënuar duke dekurajuar kështu denoncimin dhe duke u dhënë terren abuzuesve.
Në raport theksohet si dështim përpjekja për të dekriminalizuar shpifjen.
Blerjana Bino, drejtore e SCiDEV, e cilëson mjedisin e medias në Shqipëri si “shumë sfidues”. Sipas saj, gazetarët janë të ekspozuar ndaj presioneve politike, sulmeve verbale dhe fizike, padi gjyqësore apo presioneve ekonomike.
“Problemet thellohen nga mungesa e transparencës në financimin dhe pronësinë e mediave, që shpesh është e përqendruar në pak duar, duke u dhënë përparësi interesave private në kurriz të interesit publik,” thotë Bino.
Ajo shton se për katër muajt e parë të vitit 2025 janë evidentuar 10 raste shkeljesh të Kodit të Punës ndaj gazetarëve, që lidhen me mungesë kontratash, paga të ulëta dhe pagesa informale.
Ajo vlerëson miratimin e protokolleve nga Prokuroria e Përgjithshme dhe nismat e Policisë së Shtetit, si hapa pozitivë. Ndërkohë, organizatat që mbështesin gazetarët inkurajohen të ofrojnë ndihmë ligjore, psikologjike dhe të vazhdojnë monitorimin e pavarur të rasteve të dhunës.
Indeksi Vjetor i Lirisë së Shtypit për vitin 2025, i publikuar nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij (RSF), e renditi Shqipërinë në vendin e 80-të, me një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin e kaluar ku ndodhej në vendin e 99-të.
Megjithatë raporti nënvizoi sërish të njëjtat problematika që rrezikojnë mjedisin mediatik në vend.
Tirana ka 16 linja urbane dhe mbi 300 autobusë, por për banorët e Treshit – një zonë periferike në Njësinë Administrative Nr. 11 – transporti publik mbetet luks i paarritshëm. Me një popullsi prej mbi 65 mijë banorësh, kjo zonë nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në asnjë nga linjat ekzistuese.
Banorët kujtojnë për Citizens.al se dikur kanë pasur linjë autobusi, por pas vitit 2020 ajo u hoq.
“Na vunë një herë një autobus të vogël, linja e Bërxullit [njësi e Bashkisë Vorë]… as dy vjet nuk na e lanë,” thotë Xhelali, një nga banorët e zonës. “Pastaj ishte një autobus i linjës së Institutit [Bashkia Kamëz], që u fut te lagjja jonë, pak kohë e lanë edhe atë, para 4-5 vitesh.”
Për të arritur stacionin më të afërt, te Treshi, pranë shinave në rrethin ku bëhen bashkë rrugët “Lunxheri-Kastriotet”, atyre u duhet mbi gjysmë orë ecje, një sfidë që përkeqëson aksesin në arsim, punë e shërbime bazë.
Institucionet përgjegjëse – Bashkia Tiranë, Bashkia Vorë dhe ajo e Kamzës – bëjnë ping-pong me përgjegjësinë, ndërkohë që asnjë zgjidhje konkrete nuk është ofruar që prej ndërprerjes së linjës Kashar-Bërxullë në vitin 2023.
“[…] para pandemisë ka pasur linjë të transportit publik por jo e licencuar nga Bashkia Vorë.” tha kjo bashki për Citizens.al ndërsa nuk shpjegon arsyet se përse nuk u ofrohet një zgjidhje banorëve duke licencuar një kompani.
Qytetarë duke hipur në autobusin e linjës Kamëz-Qendër (Tiranë)/Shinat e Trenit tek Treshit, në kryeqytet.
Banorët flasin për një neglizhencë të thellë: “Janë tallur me ne në këto 30 vite, gjithë jetën në këmbë,” thekson Xhelali.
“Vijnë vetëm për vota,” shprehet e zhgënjyer Rita, një nënë e dy fëmijëve, të cilët ndjekin shkollën në Laprakë – mbi 3 kilometra larg – sepse zona nuk ka gjimnaz.
“E kanë harruar këtë lagjen tonë!” thekson më tej ajo.
Kjo mungesë e qasjes në transport përbën një problematikë serioze të barazisë sociale dhe urbanistike në Tiranë.
Dashnor Memaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban, konfirmoi për Citizens.al se te zona e ashtuquajtur “Shinat e Trenit” te Treshi, kalojnë linjat “Institut-Qendër” dhe “Kamëz-Qendër”. Ndërkohë rreth 1.2 kilometra më tutje atyre u shërben linja “Vorë-Qendër” te qendra tregtare “Casa Italia”.
“Dal me fëmijët, pasi kanë qejf të shkojnë te lodrat, por na zë frika,” thotë Silva, një tjetër banore, e cila tregon se i druhen faktit se fëmijët lodhen të dalin deri në rrugën kryesore, teksa taksitë kërkojnë 300-400 lekë vetëm për një rrugë.
“Fëmija im shkon në shkollë në këmbë, unë përditë në këmbë, nuk e di si nuk menduan njëherë për ne,” vijoi ajo.
Qytetarë duke ecur në këmbë dhe automjete në rrugën Princ Vidi, ku mungon një linjë e transportit publik.
Bashkia Vorë i tha Citizens.al se për zonën që mbulon “nuk ka pasur ankesa nga banorët për shtim linje të re”.
Citizens iu drejtua Bashkisë Kamëz, e cila tha se “zona te rruga ‘Princ Vidi’ rrugicat përreth, deri në Bërxullë, nuk janë pjesë e juridiksionit të saj”.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Qytetas, Kostandin Foni, sugjeroi që për këtë çështje t’i drejtoheshim Drejtorisë së Transportit Publik pranë Bashkisë Tiranë, pasi ajo harton mbulimin me linjat urbane.
Bashkia Tiranë pranoi se për linjën “Kashar-Bërxullë” në periudhën 2018-2023 qe lidhur kontratë shërbimi me kompaninë “Denisi Trans”, por që pas përfundimit të kontratës nuk e ka rinovuar atë.
Njësoj si dy bashkitë e tjera, edhe Bashkia Tiranë nuk sqaroi nëse ka pasur ndonjë studim për këtë komunitet apo për përshtatjen e linjave të tjera për ta mbuluar dhe zonën e Treshit duke e lënë çështjen pa zgjidhje.
Në dhjetor të vitit 2018, në maternitetin e Shkodrës u lind E.G. Menjëherë pas ardhjes në jetë, gjykata e shpalli të miturën të braktisur për shkak të problemeve të shëndetit mendor të nënës së saj biologjike. Ajo u dërgua në Shtëpinë e Foshnjës në Shkodër, ku kaloi vitet e para të jetës.
Pesë vite më vonë, Komiteti Shqiptar i Birësimeve (KSHB) miratoi kërkesën për birësimin e saj nga një familje në Fier. Procesi u finalizua pa probleme deri në fund të vitit 2023, por pas vetëm disa muajsh, nëna birësuese, për shkak të vështirësive të hasura në prindërim, kërkoi që vajza të rikthehej në Shtëpinë e Fëmijës.
Rasti i E.G. është një nga shembujt që theksojnë dështimet në procesin e birësimit në Shqipëri. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në auditimin për vitin 2024, vuri në dukje mungesa të theksuara në vlerësimin e aplikantëve, monitorimin e periudhës së provës dhe mungesën e mbështetjes për familjet birësuese.
Raporti tregon se KSHB nuk reagoi në kohë për të ndjekur ecurinë e pas-birësimit në rastin e E.G dhe ka ndjekur procedurat në mënyrë formale, pa garantuar ndërtimin e një lidhjeje të vërtetë emocionale mes fëmijës dhe prindit birësues.
Komiteti i tha Citizens.al se çdo familje birësuese nënshkruan një marrëveshje pasbirësimi, ku përcaktohet monitorimi për dy vite, përmes katër raporteve të realizuara nga stafi i institucionit.
Sipas avokatit Gentjan Sejrani, ligji shqiptar për birësimin nuk përputhet me standardet e Bashkimit Evropian. Ai vë në dukje mungesën e kritereve të qarta për aplikantët, përfshirë gjendjen ekonomike, moshën dhe qëndrueshmërinë në marrëdhëniet familjare.
Ligji shqiptar i konsideron të braktisur fëmijët që nuk kanë kontakt me prindërit biologjikë për një periudhë prej 6 muajsh. Nën këtë cilësim ata futen në procesin e marrjes së statusit të jetimit.
Por sipas KLSH-së, mungesa e verifikimeve të rregullta nga KSHB ka krijuar pasiguri në procesin e marrjes së këtij statusi duke krijuar mundësi për keqkuptime dhe gabime.
Mangësitë në procesin e birësimit
KSHB mbikëqyr procesin e birësimit në Shqipëri që prej vitit 1993. Prej asokohe e deri më tani ky Komitet ka ndjekur 1,857 birësime, duke përfshirë edhe birësimet përtej kufirit.
Por në periudhën 2019–2024 birësimet janë ulur. Për këtë periudhë janë realizuar gjithsej 140 birësime, me vetëm 12 raste në vitin 2024 (6 djem dhe 6 vajza të moshës 1-4 vjeç). Kjo tregon një rënie të ndjeshme krahasuar me dy dekadat e para të funksionimit të KSHB-së.
Aktualisht, 27 institucione rezidenciale (9 publike dhe 18 jo-publike) ofrojnë përkujdesje për fëmijët, por cilësia e shërbimeve të tyre mbetet shqetësuese.
Altin Hazizaj nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) thekson nevojën për mbylljen e institucioneve dhe kalimin në një sistem alternativ familjar të mirë-strukturuar. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një ligj të fortë për kujdesin familjar alternativ, duke përfshirë përkujdesjen përmes familjeve kujdestare të trajnuara dhe të mbështetura nga shteti.
“Asnjë fëmijë nuk duhet vendosur në institucion, ndaj ato të gjitha duhen mbyllur menjëherë,” thekson Hazizaj.
Ndërkohë, të dhënat e bëra me dije kreu i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve, Ilir Çumani, falsin për rreth 31 mijë fëmijë që konsiderohen jetimë, por shumë pak prej tyre kanë përfituar zyrtarisht statusin ligjor të jetimit. Kjo vonesë i pengon ata të futen në procesin e birësimit.
Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH), raportoi në janar se gjatë vitit të shkuar statusin e kanë përfituar 255 jetimë (26 nga mungesa e të dy prindërve, 228 si të lindur jashtë martese etj.).
“Gjithashtu janë rinovuar rreth 500 statuse jetimi,” vijon SHSSH teksa Komiteti i tha Citizens.al se në pritje për birësim janë 30 aplikantë.
Hazizaj thekson se mungesa e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve sociale dhe institucioneve të birësimit është një nga pengesat kryesore për një sistem funksional. Ai kritikon qasjen tepër të centralizuar të birësimit dhe sugjeron një reformim të thellë të sistemit.
“Ministria e Shëndetësisë ka pasur prioritete të tjera,” kujton Hazizaj teksa përmend se prej 5 vitesh organizata e tij ka ofruar praktikat më të mira të Britanisë.
“Çështja e ligjit dhe krijimit të familjeve për kujdes alternativ, njohur si ‘foster care’, është urgjencë kombëtare, ne kemi bërë gati dhe projekt-ligjin dhe shpresoj që tani ministria të jetë gati për këtë hap të madh.” tha Hazizaj sipas së cilit Shqipëria ka një sistem të centralizuar të ngjashëm me atë të periudhës së diktaturës.
“Birësimet ndërvendase” dhe mbështetja e mangët e familjeve kujdestare
Komiteti Shqiptar i Birësimeve (KSHB) kryen dy lloje procedurash birësimi: vendas dhe ndërvendas. Ndërvendas cilësohen rastet ku fëmijës i duhet të shpërngulet nga vendi i origjinës në një vend pritës.
Nga viti 2019 deri më 2024 janë kryer 42 raste birësimi ndërvendas dhe KLSH ka zbuluar se 9 nga këto janë realizuar në shkelje të ligjit përmes agjencive të huaja ndërmjetësuese me licenca të skaduara dhe pa mbikëqyrje nga KSHB-ja duke u mjaftuar me raportet pasbirësuese të dërguara prej këtyre agjencive.
“KSHB nuk ka ushtruar asnjëherë mbikëqyrje të veprimtarisë së këtyre agjencive në vendin tonë,” thuhet në raportin e KLSH-së.
Në këtë kontekst, Altin Hazizaj nga CRCA shpreh shqetësimin për vijimin e birësimeve ndërvendase dhe apelon që ato të ndalohen deri sa të ndërtohet një sistem i ri. Nga ana tjetër avokati Gentjan Sejrani e sheh të domosdoshëm një monitorim më të rreptë të sistemit nga institucionet ligjzbatuese.
“Është e nevojshme monitorimi i institucioneve ligjzbatuese në rastet që vërehen abuzime të tilla. Ka nevojë për ndryshime ligjore në aspektin e monitorimit të jetës së të miturit pas birësimit,” thotë Sejrani.
Të dy, si Hazizaj dhe Sejrani, shohin si problematikë tjetër mungesën e mbështetjes së familjeve kujdestare. Ata theksojnë se ndihma që jepet nga shteti për këto familje është e pamjaftueshme duke i lënë ata vetëm në përballjen me vështirësi emocionale dhe financiare.
Sipas drejtuesit të CRCA sistemi vuan nga burokracia ku “non-sensi i madh është vendosja e një institucioni kujdesi shoqëror në varësi të ministrisë së Drejtësisë dhe jo ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”.
Institucionalizmi dhe trauma e braktisjes
Një raport i Avokatit të Popullit ka konstatuar se shumica e fëmijëve që kalojnë në institucione përkujdesjeje sociale mbeten atje për periudha të gjata 1-7 vjet.
Një tregues shqetësues ky pasi nuk përputhet me parimin e interesit më të lartë të fëmijës duke shkaktuar shfaqjen te ta të sjelljeve agresive, vonesave të zhvillimit konjitiv, emocional për integrim social.
“Nga vlerësimi i informacionit të gjeneruar, koha e gjatë e qëndrimit të fëmijëve në institucion është problematike dhe mund të konsiderohet një formë neglizhence”, thuhet në raport teksa transferimi i vazhdueshëm nga një institucion në një tjetër theksohet si problem që thellon traumën.
Psikologia Ermela Shllaku, thotë për Citizens se trauma e braktisjes dhe qëndrimi i gjatë në institucione kanë pasoja serioze për zhvillimin psikologjik të fëmijëve. Sipas saj mungesa e një figure kujdestare të qëndrueshme ka ndikim negativ në aftësinë e fëmijës për të ndërtuar marrëdhënie të sigurta dhe për të zhvilluar vetëbesimin.
“Braktisja nuk është një ngjarje e izoluar, ajo krijon një zhvillim të brendshme që fëmija mund ta përjetojë si refuzim personal dhe ndjenjë pavlefshmërie”, shpjegon Shllaku.
Për këtë, për të ndihmuar fëmijët të përballojnë traumën e braktisjes, psikologia sugjeron përfshirjen e terapive të specializuara kognitivo-biheviorale, të njohura si CBT.
Përveç pasojave psikologjike, edhe kalimi nga institucioni në familje birësuese ose kujdestare është një fazë delikate që kërkon mbështetje dhe përgatitje të duhur për familjet. Mungesa e kësaj mbështetjeje dhe përgatitjeje mund të çojë në dështim të lidhjes familjare. Sipas Shllakut një rol të rëndësishëm në këtë proces luajnë psikologët.
Në vitin 2023, u premtua se Spitali Rajonal “Rrahim Xhika” në Dibër do të rikonstruktohej brenda dy vitesh. Sot, dy vite më vonë, asnjë punim nuk ka nisur. Tenderi është anuluar, ndërsa godina e spitalit vijon të jetë në gjendje të mjerueshme – me mure të çara, myk dhe mungesë mjekësh specialistë.
Për të përballuar situatën, janë angazhuar mjekë të dalë në pension. Ndërkohë, pacientët detyrohen të përdorin shërbimet private për analiza dhe ekzaminime, për shkak të mungesës së kapaciteteve.
Sipas ekspertit të shëndetësisë Erion Dasho, kjo është një dëshmi e qartë e angazhimit sipërfaqësor të qeverisë në sektorin e shëndetësisë pasi aktualisht teknologjia dhe shërbimet janë përkeqësuar, duke thelluar hendekun mes spitaleve rajonale dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë (QSUT).
Ishte maji i vitit 2023, kur ministret Ogerta Manastirliu – asokohe ministre e Shëndetësisë – dhe Belinda Balluku prezantuan para stafit mjekësor të spitalit të Peshkopisë pamjet se si do të dukeshin pavijonet pas rikonstruksionit të plotë nga projekti me vlerë 3.2 milionë euro.
Ministret Balluku dhe Manastirliu duke prezantuar projektin e spitalit të Dibrës/Facebook.
“Do të ketë parametra evropian të infrastrukturës, duke bërë të mundur që ne të kemi një spital, i cili do të integrojë në një strukturë unike shërbimin e pediatrisë, gjinekologjisë, imazherisë, tek laboratori, shërbimi patologjisë, kirurgjisë, blloku operator dhe reanimacionin,” deklaronte Manastirliu.
Rreth 8 muaj më vonë, në janar 2024, ministrja e re e Shëndetësisë,Albana Koçiu deklaroi se brenda pak javëve do të niste puna për rikonstruksionin e spitalit, mirëpo ka kaluar më shumë se një vit dhe puna nuk ka nisur, përkundrazi.
Anulimi i tenderit të spitalit
Në vitin 2023 u zhvillua një procedurë tenderuese për rikonstruksionin e spitalit “Rrahim Xhika” ku fitues u shpall “Rafin Company” në ortakëri me “Udha shpk”, me një ofertë prej 2.9 milionë eurosh dhe me afat punimesh 24 muaj.
Në mars të vitit 2024, tenderi u anulua, por megjithatë në dhjetor Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi gjithsesi lidhjen e kontratës me dy operatorët.
Projekti i Spitalit të Dibrës/Prokurimet Publike.
Pyetur për këtë situatë, Spitali Rajonal Dibër tha se “procedura është pezulluar me vendim të Gjykatës së Lartë pas kërkesës nga Komisioni i Prokurimit Publik”. Sipas përgjigjes nga spitali ndaj një prej kompanive ka pasur një çështje gjyqësore ndërkohë që nuk ka një datë se kur pritet të nisin punimet.
“Rikonstruksioni i Spitalit Rajonal Dibër është pezulluar me vendim të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë […] Ky pezullim është bërë me kërkesë të Komisionit të Prokurimit Publik, përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, në çështjen kundër shoqerisë ‘Rafin Company’ dhe me palë të paditur Komisionin e Prokurimit Publik dhe Drejtorinë e Spitalit Rajonal Dibër”, nënvizon drejtoria e spitalit.
Pacientët: Kushtet në spital të mjeruara
Ata që po i vuajnë pasojat e kësaj situatë janë banorët e Dibrës. Ata tregojnë për kushte të papranueshme në spital: mure të krisura, lagështi, mungesë higjiene dhe mungesë ajrosjeje në dhomat e shtrimit. Shumë prej tyre duhet të shpenzojnë para në privat për analizat më bazike.
“Asnjë punim nuk është bërë deri më sot. Muret e spitalit janë të krisura dhe shumë të mykura. Gjendja me higjenën, pastërinë është skandaloze. Tualetet e spitalit janë katastrofë, sidomos të urgjenca e spitalit, shumë keq”, ngre shqetësimin Izeti, banor i Peshkopisë.
Pamje nga Spitali Rajonal i Dibrës/ Foto: Ilda Hoxha
Të njëjtin shqetësim ka edhe Drita, e cila shprehet se gjendja e spitalit është e mjerueshme.
“Kushtet nuk janë aspak të mira. Spitali ka shumë lagështirë, dhoma e shtrimit nuk janë të ajrosura”, thotë 54-vjeçarja.
Përpos kushteve, pacientët ankohen edhe për mungesën e marrjes së shërbimeve në këtë spital.
“40 mijë lekë (400 euro) kam bërë analizat në privat, se aty në spital në Peshkopi nuk m’i bënë. Si Tirana si Peshkopia kudo që të shkosh në spitale për ‘ibret’ janë”, shton Drita.
Për ekspertin e shëndetësisë, Erion Dasho, spitalet rajonale në Shqipëri kanë një problematikë të madhe të përbashkët, pasi janë ndërtuar para viteve ’90.
“Janë ndërtuar sipas një koncepti sovjetik të asaj kohe. Ky koncept nuk përputhet më me konceptin bashkëkohor në ofrimin e kujdesit shëndetësor, i cili bazohet në spitale vertikale dhe komunikim eficent midis departamenteve të shërbimeve të ndryshme.”
“Problemi i dytë madhor i spitaleve rajonale është se këto spitale nuk kanë atë status real që duhet të kishin. Një sërë shërbimesh janë të centralizuara në QSUT”, thekson Dasho.
Më tej ai shton se kontributi i qeverisë ka qenë kryesisht sipërfaqësor në sistemin shëndetësor, ndërsa teknologjia dhe kushtet reale janë përkeqësuar, duke thelluar hendekun mes spitaleve rajonale dhe QSUT-së.
“I vetmi kontribut i qeverisëështë se ka lyer muret dhe ka shtruar pllakat.” thekson Dasho.
Sipas tij, në pamje të parë, kushtet duken të përmirësuara. Por teknologjia nuk është përmirësuar, madje ka ngelur prapa.
“Nëse do të shohim sa medikamente të reja futen, sa teknologji të reja janë futur, sa teknika te reja ndërhyrje operatore janë futur, unë do të thosha që kushtet vetëm kanë ardhur në përkeqësim dhe disniveli midis spitaleve rajonale dhe QSUT vetëm është rritur”, argumenton Dasho.
Projekti i Spitalit të Dibrës/Prokurimet Publike.
Mungesa e mjekëve në spitalin rajonal Dibër
Sikur të mos mjaftonin kushte e vështira në këtë spital, pacientët duhet të përballen edhe me mungesën e mjekëve specialistë, Ky problem pranohet edhe nga vetë spitali në përgjigjen zyrtare.
Sipas informacioneve, spitali rajonal “Rrahim Xhika” ka munngesë të mjekëve specialistë: 1 dermatolog; 1 kirurg, 1 Pediatër, 1 shef të klinikës së pediatrisë infektive, 1 mjek për njësinë e trajtimit me metadon etj.
Sipas pacientëve, për shkak të mungesës së mjekëve, në këtë spital ofrojnë shërbim mjekë të dalë në pension.
“Janë disa mjekë që kanë dalë në pension, por janë në detyrë në spital se nuk ka mjekë të tjerë për t’i zëvendësuar. Nuk ka mjekë të rinj të spital, janë mbi 70 e kusur vjeç”, tregon Dilaveri, banor i Peshkopisë.
Referuar të dhënave zyrtare nga Spitali Rajonal Dibër, mjekët e dalë në pension janë në kë shërbimin e përgjithshëm (2 mjekë); në klinikën e neurologjisë (1 mjek) dhe në shërbimin e reanimacionit (1 anestezist-reanimator).
Sipas Erion Dashos spitalet rajonale janë prekur rëndë nga largimi i mjekëve, duke mbetur pa specialitete të rëndësishme ose duke u mbështetur te mjekët pensionistë, të cilët përfshihen edhe në statistikat zyrtare.
“Pjesa më e madhe e spitaleve rajonalë ose kanë të pambuluar specialitetet shumë të rëndësishme ose detyrohen që të zgjasin kontratat e mjekëve pensionistë dhe sot kur themi që ka një numër të caktuar mjekësh për 1 mijë banorë, këtu llogariten edhe mjekët pensionistë”, shprehet Dasho.
Deklaratë Paszgjedhore: Partitë politike dhe kandidatët dështuan në respektimin e plotë të lirisë dhe transparencës së medias gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025.
Tiranë, 14 Maj 2025
Më 22 janar 2025, katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile publikuan një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të respektojnë parimet themelore të lirisë së medias, transparencës dhe debatit demokratik para dhe gjatë fushatës zgjedhore që çoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri më 11 maj 2025. Për fat të keq, u vunë re shkelje të shumta të këtyre parimeve gjatë muajve para, gjatë dhe në ditën e zgjedhjeve.
Qasje e plotë për gazetarët në aktivitetet zgjedhore
Edhe pse partitë politike dhe kandidatët nuk vendosën kufizime formale për qasjen e gazetarëve në aktivitetet zgjedhore, në praktikë aftësia e gazetarëve për të mbuluar në mënyrë të pavarur aktivitetet e fushatës ishte e kufizuar. Aktorët politikë përgjithësisht nuk ndanë në mënyrë proaktive agjendat e ngjarjeve, nuk nxorrën ftesa të qarta, as nuk lehtësuan pjesëmarrjen e gazetarëve, duke penguar përpjekjet e medias për një mbulim të pavarur dhe gjithëpërfshirës. Për më tepër, disa incidente në ditën e zgjedhjeve penguan drejtpërdrejt aftësinë e gazetarëve për të raportuar në mënyrë të pavarur, duke shkelur më tej parimin themelor të zgjedhjeve të hapura dhe transparente.
Transparenca mbi materialet politike të gatshme
Pavarësisht rekomandimeve të qarta që kërkonin transparencë në mbulimin zgjedhor, partitë politike vazhduan praktikën e rrënjosur të shpërndarjes së materialeve të gatshme video dhe shtypi për mediat gjatë gjithë fushatës. Si pasojë, mbulimi mediatik shpesh përbëhej nga mesazhe politike të prodhuara në mënyrë qendrore, përmes transmetimeve video të ofruara nga ekipet e partive, në vend të gazetarie që verifikon në mënyrë të pavarur. Mungesa e deklarimit të qartë mbi origjinën e këtyre materialeve mjedulloi kufirin midis gazetarisë së pavarur dhe propagandës politike, duke dëmtuar rëndë transparencën dhe duke penguar aftësinë e publikut për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin zgjedhor.
Mbrojtja e pluralizmit
Periudha zgjedhore e vitit 2025 theksoi një peizazh mediatik të pabalancuar, me mbulim të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë që favorizoi kryesisht dy partitë më të mëdha. Gjithashtu, në fillim të marsit 2025, qeveria urdhëroi pezullimin njëvjeçar të platformës TikTok, duke përmendur shqetësime për sigurinë. Kjo vendimmarrje u kritikua gjerësisht dhe u denoncua si një akt censure që kufizoi rëndë diskursin politik online gjatë një periudhe kritike zgjedhore. Organizatat e shoqërisë civile e kanë sfiduar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ai cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin demokratik.
Debati publik dhe përballja mes kandidatëve
Edhe pse studiot televizive ofruan hapësirë të bollshme për mbulim zgjedhor, fushata u zhvillua pa asnjë debat ballë për ballë midis drejtuesve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, ndërsa shumica e ministrave dhe kandidatëve për deputetë shmangën po ashtu forumet e përbashkëta me
kundërshtarët e tyre. Kandidatët preferuan intervista individuale, ndërsa emisionet prime-time u mbushën me analistë dhe komentatorë që flisnin në vend të politikanëve. Në mungesë të debateve të drejtpërdrejta, iniciativa si seria “Ballë për Ballë me Faktet” u përpoqën të mbushnin këtë boshllëk duke u paraqitur kandidatëve pyetje identike mbi çështje të rëndësishme publike.
Megjithatë, preferenca e përgjithshme për paraqitje të kontrolluara me kujdes në vend të shkëmbimeve të drejtpërdrejta, i la votuesit pa mundësinë për të parë programet konkurruese të sfidohen në kohë reale, duke dobësuar cilësinë përfaqësuese dhe debatuese të fushatës. Fushata favorizoi viralitetin online në vend të dialogut të mirëfilltë, duke u mbështetur në sulme personale, retorikë të njëanshme dhe, herë pas here, haptazi në gjuhë urrejtjeje. Spektakli zëvendësoi përmbajtjen, duke përjashtuar diskutimin mbi politikat konkrete apo performancën e qeverisë dhe duke minimizuar besimin e publikut.
Pavarësia dhe liria redaksionale e medias dhe gazetarëve
Pavarësisht angazhimeve formale për mbrojtjen e lirisë së shtypit, periudha zgjedhore u karakterizua nga ndërhyrje të përsëritura në pavarësinë redaksionale dhe një klimë frikësimi. Zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin, përçmuan publikisht mediat kritike dhe shfaqën armiqësi ndaj gazetarëve, gazetaret femra ishin në shënjestër të fushatave denigruese me bazë gjinore dhe ngacmimeve të koordinuara online; disa gazetarë morën kërcënime të drejtpërdrejta, disa prej të cilave arritën në përplasje fizike në ditën e zgjedhjeve. Kjo retorikë armiqësore shoqërohej me ndërhyrje politike, veçanërisht me zgjedhjen e Këshillit të ri Drejtues të RTSH-së nga Kuvendi, duke ngritur shqetësimeserioze mbi kontrollin politik ndaj transmetuesit publik. Të gjitha këto presione së bashku nxitën autocensurë tek gazetarët dhe i privuan votuesit nga një shqyrtim i pavarur i kandidatëve që garonin.
Transparenca në komunikime
Transparenca në komunikimet e fushatës, si etiketimi i qartë i përmbajtjes së paguar politike dhe ndarja e burimeve shtetërore nga aktiviteti partiak, ishte një parim thelbësor që u shkel vazhdimisht gjatë kësaj periudhe zgjedhore. Disa televizione shitën hapur “paketa mbulimi” dhe intervista tëtransmetuara për partitë politike, pa i etiketuar si të tilla, duke i shndërruar edicionet informative në reklama të paetiketuara. Në të njëjtën kohë, kanalet zyrtare të mediave sociale të qeverisë u kthyennë tabela reklamimi (billboard) partiak, me faqe zyrtare që shpërndanin postera dhe slogane të fushatës. Online, një rritje e faqeve dhe reklamave politike anonime ose mashtruese, disa të gjeneruara apo të përforcuara nga mjete inteligjence artificiale, qarkulluan pa sponsorë të qartë, duke e bërë edhe më të turbullt origjinën e mesazheve zgjedhore.
Ne i bëjmë thirrje partive politike, institucioneve shtetërore, organeve rregullatore dhe aktorëve të tjerë relevantë që të adresojnë menjëherë këto mangësi dhe të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj lirisë së medias, transparencës dhe llogaridhënies demokratike.
Organizatat tona do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet, të avokojnë për reforma thelbësore dhe të bashkëpunojnë me aktorët për të forcuar parimet demokratike.
Nënshkruesit:
Qendra Shkencë dhe Inovacioni për Zhvillim (SCiDEV)
Në marsin e këtij viti, ndërsa vendi hynte në ethet e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, qeveria shpalli një program “lehtësues” për të punësuarit në administratën publike. Një kredi me 0% interes, me kusht që përfituesit të mos dorëhiqen për pesë vitet e ardhshme.
1980 aplikime u regjistruan për këtë skemë nga punonjës të 12 institucioneve publike, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Në letër, një politikë sociale për përmirësimin e aksesit në strehim. Në realitet, një ndërhyrje e dyshimtë në mes të fushatës, me elementë të presionit elektoral.
Kjo “dhuratë” në prag zgjedhjeshpërbën një subvencion të drejtpërdrejtë që krijon një avantazh financiar të menjëhershëm për punonjësit e administratës.
Përgjatë vitit 2025, nga buxheti i shtetit do të shpenzohen rreth 50 milionë lekë për të financuar këtë program, llogari kjo e bërë duke pasur parasysh mesataren e pagesave për subvencionimin e interesave të kredive të kaluara. Ajo ç’ka e bën të dyshimtë interesin real të qeverisë ndaj administratës shtetërore, është fakti që kjo thirrje është shpallur vetëm 2 muaj para zgjedhjeve parlamentare, më 11 mars, duke shtuar dyshimet që mund të jetë bërë për të ndikuar në grupin e punonjësve të sektorit publik, të cilët janë një segment me peshë zgjedhore.
Kjo kredi “lehtësuese” e përfituar nga punonjësit e administratës publike e detyron këtë të fundit të mos kërkojë dorëheqjen për pesë vitet e ardhshme, sepse kredia kthehet në tregtare duke e rritur kështu përqindjen e interesit. Mekanizmi i kthimit të kredisë në tregtare krijon një varësi financiare të drejtpërdrejtë, që kufizon lirinë ekonomike dhe mobilitetin në tregun e punës.
“Kjo përbën një barrierë ekonomike strukturore që pengon autonominë profesionale dhe i mban punonjësit të lidhur me institucionin. Në terma afatgjatë, kjo ul produktivitetin dhe konkurrencën e tregut të punës, dhe potencialisht rrit informalitetin për shkak të detyrimit për të qëndruar në pozita joefektive”, u shpreh eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj.
Kriteret kryesore që një punonjës të përfitojë kredinë e lehtësuar janë: të mos kenë banesë në emër të tij apo familjarëve, të mos kenë pasuri të paluajtshme apo të mos jetë aktualisht përfitues nga programet e strehimit social, sipas pikës 15/1, të nenit 2, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar.
“Në kushte tregu, interesi real për kredi të tilla është zakonisht 4–8% në Shqipëri, çka do të thotë se punonjësit përfitojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë mijëra euro kursim për çdo kredi. Kjo përbën diferencim të privilegjuar ekonomik të një grupi zgjedhësish të lidhur me sektorin publik, që ka potencial të ndikojë në sjelljen e tyre elektorale.” – shprehet z.Gjokutaj.
Këshilli i Ministrave në vendimin Nr. 468, datë 26.7.2023 përcaktoi të gjitha kriteret që punonjësi i aministratës publike duhet të përmbushë që të përfitojë kredinë lehtësuese, e nëse i punësuari i plotëson mund t’i humbasë e drejta nëse brenda një viti nuk e gjen banesën.
“Punonjësi, përfitues i administratës publike, që nuk ka gjetur banesën brenda afatit 1- vjeçar nga dita e publikimit të listës fituese apo kur nuk është kualifikuar nga institucioni financiar si i përshtatshëm për të lidhur kontratën e kredisë, humb të drejtën e përfitimit të kredisë së lehtësuar”, thuhet ndër të tjera në VKM.
Me anë të një kërkese për informacion drejtuar Ministrisë së Ekonomisë lidhur me këtë thirrje, ky institucion u përgjigj se programi i kredisë së lehtësuar për administratën publike, pra ata që mbajnë statusin e nëpunësit civil, apo kanë kontratë pune pa afat të përcaktuar.
“Numri total i aplikimeve në mbyllje të procesit të aplikimit ishte rreth 1980 për 12 institucione përfituese” – u shpreh MEKI në përgjigjen zyrtare.
Kodi zgjedhor në nenin 91 pika 4 thotë: “Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë… mbështetje ekonomike apo sociale.”
Programi u shpall më 11 mars, pra brenda afatit të ndaluar, por ligjet si shpeshherë shkelen me të dyja këmbët duke i servirur programet si ‘‘të mira sociale’’.
“Kemi të bëjmë me deformim të sjelljes korrekte të shtetit në fushatë elektorale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes strukturave të veta monitoruese duhet t’i kishte identifikuar, verifikuar dhe duhet të kishte marrë vendimet përkatëse që parashikon kodi zgjedhor.” – shprehet Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike.
Ky program mund t’iu ishte prezantuar punonjësve të administratës publike muaj më parë, ose disa muaj pas zgjedhjeve, por prezantimi në këtë periudhë vjen si një mesazh i qartë presioni indirekt për elektoratin e administratës publike.
Në serinë e dytë të sezonit të katërt të podcakstit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu sjell në diskutim përfaqësimin e vajzave dhe grave në politikë, kjo në kuadër edhe të zgjedhjeve parlamentare.
E ftuar në këtë bisedë është Ines Leskaj, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe njëkohësisht drejtuese e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN).
Gjatë bisedës me të, Leskaj sjell një panoramë të gjerë për rolin e vajzave dhe grave në politikë, rëndësinë e kuotave gjinore, sfidat që gratë përballin me stereotipet diskriminuese si dhe mënyrat se si mund të sfidojnë narrativat tradicionale që i kufizojnë.
Sipas Leskajt, kuotat janë të rëndësishme dhe fakti që partitë i kanë në vëmendje është për t’u vlerësuar. Mirëpo, nuk duhet të mbetemi vetëm ay, pasi nevojitet më tepër angazhim dhe përfaqësim.
Gjatë fushatës zgjedhore të 11 majit, media ka luajtur rol domethënës për qasjen gjinore, qoftë në diskutime apo tematika të trajtuara. Mirëpo, sërish panelet, sipas Leskajt, janë të dominuara nga burrat. Ajo thotë se gratë ftohen kryesisht “për të mos lënë vetëm një panel me burra”.
“Është zgjedhja e autorëve të programeve apo moderatorëve […] që të përfshijnë tek-tuk ndonjë grua dhe çuditërisht dhe veçanërisht ta pyesin për aspektin e emocioneve të tyre, si u ndjeve ti kur lexove këtë lajmin që kishte të bënte me çantën tënde kostumet e tua, pamjen tënde të jashtme”, theksoi Leskaj duke shtuar se pyetje të tilla nuk u bëhen kurrë burrave.
Podcastin mund ta ndiqni dhe në Spotify:
Ndër pyetjet tipike që nuk u drejtohen kurrë burrave por gjithmonë vajzave dhe grave Leskaj përmend: “Si e balanconi jetën familjare me jetën në politikë dhe si po e përballoni ju si grua këtë fushatën që është kaq intensive?”
Sipas saj, pyetje të tilla nxjerrin një kontekst të gabuar dhe forcojnë stereotipet ndaj grave. Sa i takon programeve Leskaj thotë se barazia gjinore nuk trajtohet si duhet.
“E kanë cekur […] se e dinë që nuk mund të lihet më jashtë në mënyrë fare të hapur, por në vija të përgjithshme. Pa e prekur realisht dhe nëpërmjet hapave, masave konkrete që do të merren nga qeveria në fjalë”, u shpreh gjatë podcastit Leskaj.
Drejtuesja e AWEN-it veçoi pjesëmarrjen e ulët si folëse të vajzave dhe grave në takimet elektorale të kandidatëve për deputetë. Sipas saj, pjesëmarrja e tyre është e dukshme në zonat urbane dhe më pak në zonat rurale. Ndërsa, edhe kur pjesëmarrja është e dukshme, e folura në këto takime mbetet ende prioritet i burrave.
“Edhe në këto takime ku nga publiku zgjedhin të flasin gra, do të shikosh që janë gjithnjë e më shumë gra në moshë që nuk kanë ndonjë sulm për të marrë mbi shpatulla, apo nuk kanë çfarë të humbin nga pjesa e nderit dhe diskutimeve të këtij”, u shpreh Leskaj.
Podcasti “Zëra” sjell në çdo episod zëra kritikë dhe reflektime për shoqërinë shqiptare, me qëllim të nxisë mendim të pavarur dhe dialog publik. Hapësira e këtij podcasti i dedikohet gjithashtu qytetarëve që angazhohen në kauza publike, zëri i të cilëve mbytet ose mpaket nga ngjarjet e shumta politike e sociale, që shpesh nuk e kalojnë kryeqytetin.