TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore në Drejtorinë e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë dhe me Sektorët e Policisë Rrugore në 11 qarqe të vendit, kanë intensifikuar kontrollet përgjatë fundjavës, duke përdorur mjetet inteligjente për matjen e shpejtësisë, radarët automatikë, dronët, alkooltestuesit, kamerat dhe çdo pajisje tjetër që kanë në dispozicion.
Policia e Shtetit bën me dije, se gjatë kontrolleve janë kapur raste flagrante të shpejtësisë deri në trefish mbi normën e lejuar, parakalime të gabuara, përdorim i celularit dhe drejtim i automjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur.
Policia Rrugore apelon përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të mbrojtur jetën.
“Si rezultat i monitorimit intensiv, përgjatë fundjavës, nëpërmjet radarëve Poliscan janë evidentuar shpejtësi nga dy deri në trefish më shumë se norma e lejuar, parakalime të gabuara me rrezik përfshirjen në ngjarje rrugore, përdorim i celularit dhe drejtim mjeti në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe mosvendosje e rripit të sigurimit”, thuhet në njoftim.
Nisur nga shkeljet e shumta të konstatuara, shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore, Drejtues Artur Selimaj, ka apeluar për përdoruesit e rrugës, kryesisht për drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve, për zbatim me rigorozitet të sinjalistikës rrugore.
Selimaj ka theksuar se Policia Rrugore ka hartuar një protokoll të posaçëm masash, bazuar në Kodin Rrugor, për monopatinat dhe biçikletat.
Policia Rrugore do të intensifikojë monitorimet dhe kontrollet 24/7, në të gjitha akset rrugore dhe në qendrat urbane e rurale. Ftojmë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
/e.i/j.p/
The post Shpejtësi e parakalime të gabuara, Policia apelon për respektim të rregullave të qarkullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.