Mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile në Gjirokastër, Kumbaro: Ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë natyrore
TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në Gjirokastër u mblodh sot Komiteti i Mbrojtjes Civile, së bashku me stafin e Bashkisë Gjirokastër, Prefekturën, Policinë e Shtetit dhe Forcat Zjarrfikëse, Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Shoqërinë e Ujësjellës Kanalizimeve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri me dije se kjo mbledhje u realizua në vazhdim të një pune të vështirë dhe të përditshme kundër zjarreve.
Kumbaro tha se “Gjirokastra përballet me një terren të vështirë, por asgjë s’ka qenë e pamundur për stafet e përkushtuara që me vetëmohim kanë luftuar kundër zjarreve gjatë këtyre ditëve”.
Ndërsa u shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të angazhuar në shuarjen e zjarreve, si edhe banorëve të zonave të prekura që kanë qenë krah në këtë proces, Kumbaro theksoi se do të ketë ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë e përbashkëta natyrore.
“Kemi një pjesë të vogël të Forcave të Armatosura dhe të Mbrojtjes Civile këtu, por dua t’i përcillni gjithë mirënjohjen forcave të Policisë dhe banorëve që u gjendën të parët aty. Ne bëjmë detyrën tonë, por ata janë guximtarë, sepse ishin të parët që qëndruan aty deri sa mbërritën edhe forcat”, tha Kumbaro.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tha se rreziku më i madh ka kaluar, por jemi vetëm në mes të sezonit, ndërsa ende nuk dihet se me çfarë temperaturash do të përballemi.
“Kaluam dy nga ditët me temperaturat më të larta të gjithë vitit, por askush nuk na siguron që do të përsëritet prapë, që do të thotë që na duhet të jemi në alarm maksimal. Të gjithë ne që jemi këtu në momentin që nuk kemi një emergjencë jemi në vendet tona të punës, por ka një detyrë shumë të rëndësishme për administratorët dhe kryepleqtë. Pra, rrjeti që ju keni me kryepleqtë nëpër fshatra, me blegtorët, me fermerët të cilët kullosin bagëtitë në këto kullota duhet të jetë një rrjet që duhet mbajtur në kontakt çdo ditë me telefon”, vijoi Kumbaro.
Sipas Kumbaros, nisur nga informacionet që jep Policia e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit, në shumicën e rasteve zjarrvëniet kanë qenë nga dora e njeriut. Kumbaro u shpreh se “rreziku që zjarri të marrë vetë është aty ku ka depozitime mbetjesh, ku për shkak të dekompozimit të mbetjeve organike lëshohet gazi metan.
“Përgjithësisht janë zjarrvënie me keqdashje që është kriminale, ose nga pakujdesia që nuk është më pak kriminale që do ndëshkohet njësoj”, pohoi Kumbaro.
“E theksoj këtë sepse duhet sensibilizuar popullsia. Përveç zjarrit, jemi në kohë temperaturash të larta dhe thatësirash. Ka abuzim edhe me ujin, pasi uji i pijshëm nuk mund të konsumohet pa hesap për vaditje në fshatra. Kemi arritur të shmangim probleme shumë të mëdha. Por, ia kemi dalë vetëm me vëmendje. Përdoreni komunikimin me të gjithë banorët njësoj siç përdorim instrumentet ligjore apo fizike që ne kemi në duar”, përfundoi Kumbaro.
/e.i/r.e/
The post Mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile në Gjirokastër, Kumbaro: Ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë natyrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.