Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 July 2025Main stream

Kurti ngushëllon familjen Latifi, falënderon ekipet e kërkimit në Ujman

PRISHTINË, 29 korrik/ATSH/ Është gjetur sot pasdite trupi i pajetë i 33-vjeçarit që të dielën u zhduk në ujërat e Liqenit të Ujmanit, pas hedhjes nga ura. Për këtë ka reaguar kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ka falënderuar të gjithë ata që u angazhuan në aksionin e kërkim shpëtimit, duke i përgëzuar për punën profesionale e përkushtimin e jashtëzakonshëm.

“Falënderoj Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes “Trepça” dhe KFOR-in për punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në gjetjen e trupit të pajetë të Rrahim Latifit në liqenin e Ujmanit”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.

Ai më tej i shprehu ngushëllime familjes Latifi. Ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe”, shkruan Kurti.

Mërgimtari 33-vjeç, të dielën kishte kërcyer nga ura në Liqenin e Ujmanit, por që nuk arriti dalë nga uji. Gjatë trui ditëve të kërkimeve intensive nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, nuk pati rezultat, derisa sot në mëngjes në këtë operacion zbarkoi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK). /KosovaPress/

The post Kurti ngushëllon familjen Latifi, falënderon ekipet e kërkimit në Ujman appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e Gjermanisë reagon ndaj përpjekjeve për të politizuar vendosjen e FSK-së në veri

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka bërë një reagim lidhur me vendosjen e sotme të FSK-së në veri të Kosovës. Në reagim thuhet se humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, jo një rast për pikëzim politik.

Kjo Ambasadë shpreh shqetësimin e saj siç thuhet nga përpjekjet për të politizuar vendosjen e sotme të një ekipi të specializuar të Kërkimit dhe Shpëtimit nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në Liqenin e Gazivodës – një operacion i lehtësuar nga KFOR-i në përputhje të plotë me mandatin e tij dhe i miratuar nga Komandanti i KFOR-it vetëm për qëllime humanitare.

“Deklaratat e aktorëve politikë që e paraqesin këtë mision si “operacioni i parë i FSK-së në veri të Kosovës” keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e vendosjes. Po aq shqetësuese janë akuzat për imazhe të manipuluara – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar një narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se Ambasada Gjermane përsërit mbështetjen e saj të plotë për KFOR-in dhe mandatin e tij, dhe shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë personelin e KFOR-it dhe FSK-së të përfshirë në përpjekjet e sotme të rimëkëmbjes.

“Profesionalizmi dhe bashkëpunimi i tyre i shërbejnë të mirës publike dhe shërbejnë si një kujtesë për atë që mund të arrihet kur institucionet punojnë së bashku në shërbim të dinjitetit njerëzor”, thuhet në reagimin e Ambasadës Gjermane.

Sot, pasdite është gjetur trupi i pajetë i 33-vjeçarit në Liqenin e Ujmanit.

Kështu bëri të ditur Forca e Sigurisë së Kosovës.

“Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Sipas këtij njoftimit, pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme.

Njësitë e specializuara për kërkim-shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës zhvilluan operacion për gjetjen e 33-vejçarit, personi që dyshohet të jetë mbytur të dielën, më 27 korrik, në Liqenin e Ujmanit. Bëhet fjalë për një 33 vjeçar që u raportua se kërceu nga ura. /Kosovapress/

The post Ambasada e Gjermanisë reagon ndaj përpjekjeve për të politizuar vendosjen e FSK-së në veri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkëpunimi me Italinë për migracionin, taskforca nis hartimin e planit të veprimit

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Ministria e Brendshme njoftoi sot se u mblodh taskforca e krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim koordinimin, ndjekjen dhe mbikëqyrjen e zbatimit të protokollit të nënshkruar me Qeverinë e Republikës së Italisë, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit dhe marrëveshjes zbatuese të tij.

Për të garantuar mbështetjen e strukturave të angazhuara me burimet e nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive të tyre, filloi puna për hartimin e Planit të Veprimit, sipas fushave të përgjegjësisë të institucioneve të përfshira, si një dokument i vetëm, për t`u miratuar brenda gushtit 2025, duke rikonfirmuar angazhimin për një qasje të përbashkët e të koordinuar.

Ministria e Brendshme u shpreh se vlerësimet e deritanishme të të dy palëve, për bashkëpunimin në zbatimin e këtij Protokolli janë në nivel shumë të mirë.

1 nga 3

The post Bashkëpunimi me Italinë për migracionin, taskforca nis hartimin e planit të veprimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 28 July 2025Main stream

Radhë në pikat e kalimit kufitar në Kosovë

PRISHTINË, 28 korrik/ATSH/ Në orët e mbrëmjes në disa nga pikat e kalimit kufitar vazhdojnë të kenë pritje të gjata në të dyja anët e kufirit.

Ardhja e mërgimtarëve për pushime verore, ka bërë që të shtohet edhe fluksi i automjeteve ditëve të fundit.

Sipas gjendjes së orës 21:30, pritjet më të gjata janë në hyrje të pikës kufitare Muçibabë me kolona deri në një 1 kilometër në hyrje dhe pritjet deri në pesë minuta, ndërsa në dalje të kësaj pike kufitare kolona është 800 metra e gjatë dhe pritjet e qytetarëve zgjasin deri një orë e gjysmë.

Pritje ka edhe në pikën kufitare me Malin e Zi- Kullë, ku kolona e automjeteve në dalje të kësaj pike kufitare janë 15 deri në 20 metra, me pritjet e qytetarëve nga katër deri në pesë minuta, teksa në hyrje kolona e automjeteve është 40 metra e gjatë dhe pritjet janë 8 deri në 10 minuta.

Te Dheu i Bardhë kolona në dalje të kësaj pike të kalimit kufitar është dyqind metra e gjatë, me pritjet që variojnë nga 15 deri në 20 minuta, ndërsa në hyrje pritjet janë vetëm pesë minuta dhe kolona e automjeteve është 50 metra e gjatë, raporton KosovaPress.

Në pikat e tjera të kalimeve kufitare nuk ka kolona dhe pritjet janë kryesisht nga pesë deri në dhjetë minuta, njofton Qendra kombëtare për menaxhim kufitar. /Kosovapress/

The post Radhë në pikat e kalimit kufitar në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të dyshuar për zjarrvënie, procedim penal 2 shtetasve në Dibër

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, kanë vijuar me intensitet veprimet hetimore për identifikimin dhe vënien para ligjit të autorëve të zjarrvënieve, të qëllimshme apo të shkaktuara nga pakujdesia.

Si rezultat, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal për 2 shtetas, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve.
Në Dibër u procedua penalisht shtetasi A.D., 56 vjeç, banues në fshatin Zdojan, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Kuben”, dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi.
Në Bulqizë u procedua penalisht shtetasi P.Gj, 70 vjeç, banues në fshatin Çerenec, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Viçisht dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me bimësi.
Policia e Dibrës apeloi për të gjithë banorët, dhe ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos ndezin zjarr, sepse do të përballen me forcën e ligjit.
Policia e Shtetit është e vendosur të çojë para drejtësisë të gjithë ata që, me dashje apo nga pakujdesia, djegin pyje, kullota, prona private dhe rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve, punonjësve të policisë, zjarrfikësve dhe të gjithë të angazhuarve në fikjen e zjarreve.

The post Të dyshuar për zjarrvënie, procedim penal 2 shtetasve në Dibër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani: Të ndalet katastrofa humanitare në Gazë

PRISHTINË, 28 korrik/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se katastrofa humanitare dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm në Gazë duhet të marrin fund.

Sipas saj, Kosova mbështet përpjekjet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti për armëpushim dhe lirimin e menjëhershëm të të gjitha pengjeve.

“Në ndërkohë, sigurimi i qasjes në ushqim, ujë dhe ilaçe për personat më të cenueshëm duhet të mbetet prioritet për të lehtësuar vuajtjen e shkaktuar te të pafajshmit nga dhuna”, tha Osmani përmes një reagimi në X.

Lufta në Gazë ka nisur më 7 tetor 2023, kur radikalët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Edhe disa pengje ende mbahen në territorin palestinez.

Si pasojë e ofensivës izraelite, më shumë se 59.000 palestinezë janë vrarë dhe vendi me mbi 2 milionë banorë po përballet me krizë të thellë humanitare. Organizatat ndërkombëtare kanë ngritur alarmin për raste të shumta të kequshqyerjes në Gazë.

Presidentja Osmani tha se Kosova vazhdon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare që synojnë një të ardhme të drejtë, të qëndrueshme e paqësore, ku “izraelitët e palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me një përkushtim të përbashkët për mbrojtjen e jetës së njerëzve”.

“Derisa të arrihet kjo e ardhme, duhet bërë çdo përpjekje për të parandaluar humbjen e mëtejme të jetës së pafajshme dhe të lehtësohen vuajtjet e të gjithë njerëzve”, tha Osmani.

Reagimi i Osmanit vjen disa ditë pasi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një letre drejtuar asaj dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kërkuan që ata të reagonin lidhur me krizën humanitare në Gazë.

“AGK-ja i kërkon presidentes Osmani dhe kryeministrit në detyrë Kurti që të marrin qëndrim të qartë rreth kësaj krize, dhe të bëjnë thirrje publike për ndaljen e vrasjes së civilëve dhe gazetarëve nëpërmjet metodës së urisë, të orkestruar nga shteti i Izraelit”, tha AGK-ja.

Një ditë më parë, Izraeli – që ka synim ta shkatërrojë Hamasin – njoftoi për një “pauzë të kufizuar taktike” të operacioneve të tij ushtarake, me qëllim që të lejojë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë për të dërguar ndihma në territorin palestinez.

Ndërkaq, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të dielën thanë se kanë hedhur nga ajri 25 tonë ndihma në Gazë, për të lehtësuar krizën e thellë të urisë. /rel/

The post Osmani: Të ndalet katastrofa humanitare në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bashkia Kamzë, marrëveshje me Burgjet për riintegrimin e personave në konflikt me ligjin

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose nënshkroi sot më kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Suli marrëveshjen e bashkëpunimit për riintegrimin e personave në konflikt me ligjin.

Qose tha se marrëveshje të tilla janë një angazhim i përhershëm për t’i kthyer personat në konflikt me ligjin në individë më të dobishëm për shoqërinë.

Në focus të marrëveshjes është krijimi i mundësive reale për përfshirjen sociale të kësaj kategorie.

“Ky bashkëpunim nuk është vetëm formalitet, por një hap konkret drejt ndërtimit të një komuniteti më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm”, tha Qose duke vlerësuar angazhimin dhe vizionin e përbashkët për t’i qëndruar pranë çdo individi që kërkon një mundësi të dytë në jetë.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli u shpreh se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe një komuniteti më të fortë e solidar.

Gjatë takimit, ai ndau vizionin dhe projektet zhvillimore të Bashkisë Kamzë që synojnë rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët.

“Vlerësoj bashkëpunimin institucional dhe angazhimin e përbashkët për ndërtimin e një modeli funksional dhe të qëndrueshëm për përfshirjen sociale”, përfundoi Suli.

The post Bashkia Kamzë, marrëveshje me Burgjet për riintegrimin e personave në konflikt me ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti 28 korrik, mot i paqëndrueshëm me vranësira kryesisht në veri

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime si dhe alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura me këto të fundit më të theksuara në zonën e veriut dhe qendrës.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në formën e shtrëngatave afatshkurtra në zonën e veriut dhe qendrës.

Era do të fryjë me drejtim kryesor juglindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 4 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të arrijë shpejtësi 5-8 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET  Temperaturat në °C Sigla

Shkodër 22/32 Diell re shi

Kukës 21/31 Diell re shi

Lezhë 23/30 Diell re shi

Dibër 17/30 Diell re shi

Durrës 19/31 Diell re shi

Tiranë 23/31 Diell re shi

Elbasan 22/32 Diell re shi

Berat 21/30 Diell re

Vlorë 22/30 Diell re

Korçë 17/29 Diell re

Gjirokastër   23/33 Diell re

Sarandë 21/31 Diell re

 

The post Moti 28 korrik, mot i paqëndrueshëm me vranësira kryesisht në veri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Në Vorë vijon prej orësh përballja me flakët, Hoxha: U evakuuan banorët, në terren 2 helikopterë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në Vorë prej orësh dhjetëra forca zjarrfikëse, punonjës të Emergjencave Civile vendore, Policisë së Shtetit dhe helikopterë të Forcave të Armatosura po përballen me flakët në një terren të thyer, duke mbrojtur banesat dhe pyjet.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ishte pranë forcave operacionale në zonë ku në koordim mes tyre trupat e policisë, ushtrisë dhe emergjencave po punojnë për fikjen e zjarrit.

Hoxha u shpreh se flakët janë zjarrvënie e qëllimshme. Ato kanë nisur në Shijak dhe kanë marrë kodrat mes Vorës dhe Shijakut.

Hoxha informoi se 2 helikopterë po punojnë shumë fort për të marrë masa për shuarjen e menjëhershme te zjarrit.

Sipas tij, flakët kanë 24 orë që vazhdojnë dhe janë evakuuar të gjithë banorët.

Ministri garantoi se janë marrë të gjitha masat që së bashku, policia, ushtria dhe forcat e mbrojtjes civile të 3 bashkive Kamzë, Vorë dhe Tiranë të vendosin nën kontroll vatrën.

The post Në Vorë vijon prej orësh përballja me flakët, Hoxha: U evakuuan banorët, në terren 2 helikopterë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flakët rrezikojnë zonën e banuar në Kalasë, zjarrfikësit dhe helikopteri Black Hawk në terren

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në fshatin Kalasë, Delvinë, situata paraqitet serioze për shkak të përhapjes së zjarrit nga era e fuqishme pranë zonës së banuar.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi pasditen e sotme se në aksion për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar zjarrfikësit e Delvinës dhe Sarandës, efektivët e Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga Baza e Mbështetjes së Emergjencave Civile dhe një helikopter Black Hawk.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe kryetari i Bashkisë Delvinë Besmir Veli ndodhen në terren, ku po ndjekin nga afër operacionin në mbështetje të banorëve dhe përpjekjet për minimizimin e rrezikut për jetën e qytetarëve.

The post Flakët rrezikojnë zonën e banuar në Kalasë, zjarrfikësit dhe helikopteri Black Hawk në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Enkileda Carja medalje të artë, Rama: Peshëngritëse e talentuar, theu tre rekorde evropiane

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Enkileda Carja ka arritur rezultate mbresëlënëse në Kampionatin Europian për 17-vjeçarët që po zhvillohet në Madrid, duke u shpallur kampione e trefishtë e Europës dhe duke thyer tre rekorde europiane gjatë garës.

Kryeministri Edi Rama përcolli pamje nga ceremonia e ndarjes së medaljeve në kampionat ku luhet himni shqiptar, ndërsa përcolli urimet për kampionen e re.

“Peshëngritësja e talentuar Enkileda Carja fiton medaljen e artë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes për të Rinj, që po zhvillohet në Madrid, duke thyer 3 rekorde europiane për të rinj, në peshën 63 kg”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Me një kombinim prej 204 kilogramësh, Enkileda Carja fitoi 3 medalje ari dhe la pas të gjitha rivalet, duke e ngjitur flamurin kuqezi në majën e podiumit në Madrid.

Peshëngritja shqiptare ka nxjerrë ndër vite talente duke shënuar suksese në arenën ndërkombëtare.

The post Enkileda Carja medalje të artë, Rama: Peshëngritëse e talentuar, theu tre rekorde evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzikë mbi normat e lejuara, gjobitet administratori i subjektit në Dhërmi

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Prishi qetësinë publike duke vënë muzikë mbi normat e lejuara, në një beach bar në Dhërmi, gjobitet me 200 000 lekë administratori i subjektit.

Në kuadër të masave të shtuara për ruajtjen e qetësisë publike dhe për mbrojtjen nga ndotja akustike në zonat turistike, strukturat e DVP Vlorë kanë intensifikuar në gjithë qarkun, monitorimet në subjektet që zhvillojnë veprimtari me muzikë të lartë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, gjatë kontrollit të ushtruar dje në një beach bar, në Dhërmi, konstatuan se niveli i muzikës i tejkalonte kufijtë e lejuar me ligj. Në përfundim, ndaj administratorit të këtij subjekti, shtetasit E. P., u vendos masë administrative me vlerë 200 000 lekë.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që të respektojnë nivelin dhe orarin e lejuar për muzikën që gjenerojnë nga aktivitetet në subjektet e tyre.
1 nga 3

The post Muzikë mbi normat e lejuara, gjobitet administratori i subjektit në Dhërmi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mjekët dhe infermierët ushtarakë, në terren pranë qytetarëve të prekur nga zjarret

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Situata me zjarret në vend ka angazhuar edhe punonjësit e mbështetjes të cilët po iu gjenden pranë qytetarëve që kanë nevojë.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se për shkak të zjarrit të rënë në zonën e Markatës, Konispol, ditën e djeshme, përveç ndërhyrjes për fikjen e flakëve, mjekët dhe infermierët ushtarakë të Batalionit të Mbështetjes ishin në terren për t’u gjendur pranë qytetarëve që kishin nevojë për ndihmë mjekësore.

“Përkushtimi i tyre është një shembull i mbështetjes gjithëpërfshirëse që Forcat e Armatosura ofrojnë në situata emergjente”, thuhet në njoftimin e MM që përcolli edhe momente nga puna e këtyre punonjësve në ndihmë të banorëve.

Një vatër e madhe zjarri u aktivizua gjatë ditës së djeshme në fshatin Markat, në Bashkinë Konispol, duke shkaktuar djegien e një banese dhe duke rrezikuar seriozisht të tjera objekte të banuara në zonë.

1 nga 3

The post Mjekët dhe infermierët ushtarakë, në terren pranë qytetarëve të prekur nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova hyn në paqartësi juridike për institucionet

PRISHTINË, 27 korrik/ATSH/ Dy përpjekjet e fundit të deputetëve për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës gjatë ditës së shtunë, 26.07, dështuan, duke shënuar kështu plot 54 tentime pa rezultat. Shkaku: mungesa e konsensusit politik. Tani është mbyllur afati 30-ditor që Gjykata Kushtetuese u kishte dhënëafat deputetëve për ta përmbyllur çështjen e konstituimit të Kuvendit. Deputetët nuk do të mund të mblidhen më dhe as të marrin ndonjë vendim deri më datën 08 gusht 2025, kur Gjykata Kushtetuese caktoi masën e përkohshme deri në një vendim përfundimtar të saj.

Gjykata Kushtetuese pritet të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të nëntë shkurtit të këtij viti.

Fati i themelimit të institucioneve të reja i paqartë

Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhje me 48 mandate, këmbëngulte me kandidaten e saj për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, emër ky i papranueshëm për partitë tjera politike opozitare të deritashme, PDK, LDK, AAK dhe një pjesë e pakicave, përfshirë edhe listën Srpska.

“Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave”, tha Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, duke akuzuar partitë e deritashme opozitare si bllokuese të konstituimit të Kuvendit.

”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës tonë të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.

Akuza për Vetëvendosjen

Kryetari i partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje si bllokuese të procesit, tha se “Kosova tani nuk ka më një shtet funksional.

“Asnjë tentim për zgjidhje, asnjë reflektim për pasojat, asnjë empati për qytetarët. Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar. Më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe për fat të keq Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, tha Krasniqi.

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, duke e cilësuar atë si njeri që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Unë dhe LDK-ja e kemi shumë të qartë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e Gjykatës Kushtetuese që të garanton qartë jo vetëm të drejtën, por edhe përgjegjësinë për të krijuar shumicë. Albin Kurtit duhet t’i thuhet: respekto vendimin e prerë të Gjykatës Supreme që të ndalon ty, ministrat e tu dhe të gjithë kabinetin të jeni në të njëjtën kohë deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Je uzurpator i institucioneve të shtetit tash me vendim të Gjykatës Supreme dhe po qëndron aty vetëm e vetëm sepse ky vend ende nuk është i pjekur që të ketë një prokurori dhe një polici që ia ndalon të bëjë një gjë të tillë”, tha Abdixhiku.

Ambasadori gjerman: Klasa politike po dështon përballë qytetarëve

Që nga 15 prilli, kur nisën tentimet e deputetëve për konstituim të Kuvendit dhe dështonin radhazi, organizatat joqeveritare dhe ato të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje vazhdimisht deputetëve që t’i formojnë institucionet e reja. Këtyre thirrjeve iu bashkuan edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe diplomat të BE-së. Madje në seancën e së premtes ata ishin brenda sallës së Kuvendit, duke shpresuar që deputetët ta vënë përpara interesin për shtetin, e jo për partitë politike.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se “Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë”, duke theksuar nevojën pastaj “për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin. Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Orav. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se “klasa politike po dështon përballë qytetarëve”.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurtdhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha Rohde.

“Ky është një karton i kuq për klasën politike”, vuri në dukje ambasadori gjerman. Edhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, u bëri thirrje politikanëve të Kosovës “që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës”.

“Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, tha Hargreaves.

Dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës

Gjykata Kushtetuese, pasi vendosi masën e përkohshme, tha se “nëse nuk do të vendosej masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 26 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”.

Presidentja Vjosa Osmani, nga ana e saj më 22 korrik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: që të sqaronte se cilat janë pasojat juridike nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik dhe që Kushtetuesja të vendosë masë të përkohshme ndaj afatit 30-ditor, deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike. Paqartësia për pasojat juridike vazhdon, ndërsa, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk do të ketë institucione të reja. /DW/

The post Kosova hyn në paqartësi juridike për institucionet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria detare, kontrolle 452 mjeteve lundruese, 33 u bllokuan

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë monitorimin intensiv me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare.

Gjatë kësaj jave janë intensifikuar monitorimet dhe kontrollet dhe si rezultat nga Ksamili në Koman.

Policia Kufitare në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, po kryen monitorime dhe kontrolle intensive në hapësirën detare nga Ksamili në Velipojë, si dhe në hapësirat liqenore dhe lumore, me qëllim evidentimin e shkelësve të rregullave të lundrimit, të perimetrit të sigurisë, apo të përdorimit të mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës.
Gjatë monitorimeve janë kontrolluar 452 mjete lundruese, nga të cilat 33 janë bllokuar për shkelje të perimetrit të sigurisë detare, ushtrim aktivitetesh jashtë zonave të miratuara dhe pa dokumentacion përkatës.
Mjetet e bllokuara janë 19 jet ski, 8 skafe, 3 gomone dhe 3 varka metalike me motor uji të instaluar.
8 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative 100,000 lekë secili.
Ndërkohë, nga Ksamili në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 4 raste për t’u ardhur në ndihmë 9 shtetasve, të cilët ndodheshin në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave për përdorimin e mjeteve lundruese, që të mos shkelin perimetrin e sigurisë, të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara dhe të jenë të pajisur me mjetet e shpëtimit.
Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë detare apo të masave të sigurisë, në numrin pa pagesë 112, duke u garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

The post Siguria detare, kontrolle 452 mjeteve lundruese, 33 u bllokuan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pezullimi i efektivit të policisë, Rama: Përjashtim pa kthim, punonjësve të shtetit nuk do t’u tolerohen shkeljet

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj pezullimit nga detyra të efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë.

Rama e cilësoi pezullimin vetëm si masën e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali.

“Ndërkohë në pakon e masave të reja të reformës së kontrollit të territorit, janë përshirë edhe rritje të peshës së përgjegjësisë para ligjit të të gjithë punonjësve të shtetit që operojnë në kontakt më komunitetet e me qytetarët, të cilëve nuk do t’u tolerohen shkeljet e asnjë natyre që cenojnë komunitetin apo qytetarin, qoftë gjatë orëve të shërbimit qoftë jashtë orëve të shërbimit”, theksoi Rama.

Kryeministri dha si shembull faktin që çdo punonjës i shtetit që zotëron një ngrehinë pa leje për qëllim fitimi apo që shfrytëzon një hapësirë publike për të nxjerrë fitim (përveç ndëshkimeve të njëjta për të gjithë) do të ndiqet penalisht dhe do të përjashtohet nga detyra pa të drejtë kthimi në një punë në sektorin shtetëror për një numër të konsiderueshëm vitesh.

The post Pezullimi i efektivit të policisë, Rama: Përjashtim pa kthim, punonjësve të shtetit nuk do t’u tolerohen shkeljet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Pamje nga çdo lagje e Tiranës

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Në të gjithë vendin po vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në qytetin e Tiranës. “Këto janë pamje nga çdo lagje të Tiranës, vazhdojmë”, shkroi Rama krahas fotove.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një hap i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit korrik por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: Pamje nga çdo lagje e Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve drejt stabilizimit, angazhim i mbi 2000 forcave operacionale, helikopterë dhe avionë të BE

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Situata e zjarreve në vend po stabilizohet dhe po vijojnë përpjekjet për shuarjen e plotë të flakëve, falë angazhimit maksimal të koordinuar të mbi 2000 forcave operacionale, përfshirë FA, MZSH, Strukturat e Emergjencave Civile Lokale, Policinë e Shtetit, bashkitë dhe vullnetarët.

Mbi 20 vatra zjarri janë shuar plotësisht ose izoluar me sukses, ndërkohë që operacionet ajrore kanë qenë vendimtare në zona të paarritshme, nga veriu në jug, që nga Lura deri në Konispol, ku dje u izolua me  sukses një vatër zjarri, falë ndërhyrjes ajrore.

Gjithashtu në Himarë angazhimi ka qenë maksimal me forca nga terreni dhe helikopter.

Ndërsa në Tiranë është izoluar vatra e Ibës dhe po punohet në Bërzhitë dhe në Mullet, ku situata është nën kontroll.

Falë bashkëpunimit efektiv ndërinstitucional, situata paraqitet e tillë për secilin qark:

Qarku Fier – Fratar, Mallakastër: Izolim dhe shuarje e plotë e zjarrit. Forca të angazhuara: 9 zjarrfikës, 1 mjet zjarrfikëse + 1 fuoristradë, 7 forca të policisë bashkiake.

Qarku Vlorë – Selenicë: Zjarri mbi fshatin Ploç u shua pas ndërhyrjes tokësore dhe ajrore (2 avionë Canadair).

Qarku Berat – Konisbaltë, Dimal: Vatra nën kontroll me mbështetje nga FA dhe një helikopter hungarez.

Qarku Berat – Galinë dhe Vërzhezhë: Situata e stabilizuar dhe në monitorim pas ndërhyrjes së MZSH dhe vullnetarëve.

Qarku Tiranë – Ibë, Kakunj, Baldushk dhe Sharrë, Vaqarr: Të gjitha vatrat e shuara dhe nën kontroll.

Qarku Gjirokastër – Levan, Krahës (Memaliaj): Zjarr i fikur, nën monitorim.

Qarku Korçë – Strelcë (Maliq) dhe Grace (Devoll): Vatrat e fikura dhe në mbikëqyrje.

Qarku Kukës – Dragobi (Gryka e Motinës): Vatra e mbajtur në monitorim nga AdZM.

afë Buall – Bulqizë: Evakuim i suksesshëm i 6 banesave, ndërhyrje ajrore dhe tokësore që shmangu rrezikun e zonës urbane.

Maja e Paliskës – Vlorë: Zjarri i rënë në fillim të korrikut është reduktuar në nivel minimal (tymi nga trungjet), në monitorim.

Devoll – Qeramica & Strelcë: Vatra u neutralizuan në kohë dhe u shmang përhapja.

Korçë – Dishnicë: Përkundër intensitetit të zjarrit u neutralizua pjesërisht me një forcë të kombinuar prej 435 efektivësh.

Selenicë – Ulëz, Mat dhe Zall Gjoçaj: Vatra të stabilizuara dhe në proces izolimi.

Dropull – Goranzi: Zjarr i lokalizuar në varrezat e fshatit, i fikur brenda orës.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan:.65 automjete zjarrfikëse, 1350 forca operacionale.

Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura, 2 helikopterë hungarezë, si dhe 2 helikopter Canadair të ofruar nga Mekanizimi i Mbrojtjes Civile Evropiane kroat dhe italian, që operuan në zonën e Vlorës.

1 nga 4

The post Situata e zjarreve drejt stabilizimit, angazhim i mbi 2000 forcave operacionale, helikopterë dhe avionë të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mekanizmi i BE, avioni Canadair vjen nga Italia për të ndihmuar për zjarret në Borsh e Lukovë

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një avion zjarrfikës Canadair është nisur nga Italia dhe do të angazhohet në operacionet ajrore për shuarjen e flakëve në jug të vendit, në zonat Borsh, Piqeras dhe Lukovë.

Ky mjet ajror do të forcojë ndërhyrjet në terrene të vështira dhe të paarritshme nga toka, duke dhënë ndihmë në përballimin e situatës së zjarreve që kanë përfshirë këto zona.

Ndërkohë, helikopterët e Forcës Ajrore do të angazhohen pranë fshatit Zhulat, në rajonin e Gjirokastrës, si dhe në zonën e Qafëbuallit, pranë Bulqizës.

Në Borsh, Piqeras dhe Sasaj rinisi mëngjesin e sotëm aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajror për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit.

Pak orë më vonë, MM njoftoi se vatrat në këtë zonë u stabilizuan ndërsa vijon monitorimi në terren për të shmangur situatat e mundshme.

1 nga 4

The post Mekanizmi i BE, avioni Canadair vjen nga Italia për të ndihmuar për zjarret në Borsh e Lukovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në parkun kombëtar të Prespës, 75 forca ndërhyjnë për neutralizimin e flakëve

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Rreth 75 forca të ndara në tre grupe, nga shërbimi zjarrfikës i bashkisë Pustec, punonjës të shërbimeve publike, stafi i agjencisë rajonale të zonave të mbrojtura, ushtrise dhe policisë, kanë filluar që në orën 5:00 ndërhyrjen e organizuar nga drejtuesi i operacionit për izolimin dhe neutralizimin e sipërfaqes së prekur nga zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës.

Në një pasqyrim të situatës së zjarreve në qarkun e Korçës, prefekti Nertil Jole bëri të ditur se vijon puna për vënien në kontroll të flakëve.

“Terreni i sipërfaqes ku ka prezencë të vatrave të zjarrit është shumë i thepisur dhe krijon vështirësi, por forcat janë të angazhuara në më të mirën e mundësive të tyre për të evituar rrezikun e shtrirjes së zjarrit në pjesë të paprekura të kurorës së gjelbër”, u shpreh Jole.

The post Zjarri në parkun kombëtar të Prespës, 75 forca ndërhyjnë për neutralizimin e flakëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌