Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 August 2025Main stream

Thirrjet raciste anti-shqiptare në Kumanovë, reagime të ashpra nga Kosova, Shqipëria e diaspora

4 August 2025 at 13:40

Një incident i rëndë me thirrje raciste ndaj shqiptarëve është regjistruar të shtunën në mbrëmje (2 gusht) në Sallën e Sporteve në Kumanovë, gjatë ndeshjes kualifikuese të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

Thirrjet, të cilat dyshohet se janë bërë nga tifo grupi “Kumani”, përfshinin fraza si: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket. Maqedoni, e pastër”.

Thirrjet u dëgjuan në prani të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Ivan Stoillkoviq, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski dhe kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

E gjithë skena është transmetuar drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) në YouTube.

Këto thirrje shkaktuan një valë reagimesh, veçanërisht pasi ndeshja u zhvillua në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Zëvendëskryeministri i Parë në Qeverinë e Maqedonisë së veriut, Izet Mexhiti, dënoi ashpër thirrjet, duke i cilësuar si një sulm ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që e bën Maqedoninë e Veriut unike. Ai bëri thirrje për zbardhjen e rastit dhe parandalimin e përsëritjes së tyre.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, theksoi se incidenti nuk ishte vetëm një turp për sportin, por një goditje ndaj idesë së barazisë. Ai e cilësoi Maqedoninë e Veriut si një mozaik kulturor që duhet ndërtuar me frymë të përbashkët.

Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, theksoi se thirrjet ofenduese ndaj shqiptarëve ndodhën në prani të kryeministrit Mickovski dhe zyrtarëve të tjerë, duke kërkuar një reagim të fortë nga ana e tyre.

BDI kërkoi përgjegjësi politike dhe dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN-it, Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini. Ajo gjithashtu u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që të distancohen publikisht nga ky akt.

Thirrjet raciste janë dënuar edhe nga subjekte të tjera politike, të cilat kanë kërkuar zbardhjen e shpejtë të rastit dhe marrjen e masave nga autoritetet kompetente.

Reagime pati edhe nga Kosova.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së futbollit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë. Ajo i ka cilësuar këto thirrje si të papranueshme dhe si cenim të drejtpërdrejtë të frymës së bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër”, thekson Osmani në deklaratën e saj publike.

Presidentja ka shprehur shqetësim edhe për mungesën e reagimit nga institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut. Sipas saj, heshtja e zyrtarëve të lartë në Shkup i jep hapësirë retorikës së urrejtjes dhe minon tolerancën ndëretnike – një vlerë kyçe për vendet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Sporti duhet të jetë mjet bashkimi, jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen,” tha ajo.

Osmani u ka bërë thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve të këtyre thirrjeve dhe të dënojnë çdo formë të gjuhës së urrejtjes, për të mbrojtur parimet e tolerancës dhe barazisë.

“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë,” përfundoi Presidentja Osmani.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar ashpër për këtë heshtje.

“Sot, ndërsa në Shkup bërtiten parulla fashiste kundër shqiptarëve, Kurti hesht. Heshtja e tij është më shumë se indiferencë, është bashkëfajësi politike dhe morale. Sot hesht edhe Donika Gërvalla, e cila kinse përfaqëson zërin diplomatik të Kosovës në skenën ndërkombëtare, por është zë i urrejtjes kundër oponentëve politik. Sot hesht edhe Presidentja Vjosa Osmani, vetë viktimë e përbuzjes institucionale të qeverisë së Mickoskit në incidentin e aeroportit. Heshtja e saj është dëshmi e transformimit në figurë të nënshtrimit”, ka shkruar Behrami.

Edhe deputeti dhe zyrtari i lartë i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar me tone të forta ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar për heshtje të qëllimshme përballë valës së urrejtjes raciste ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një statusi në Facebook, Haradinaj thotë se “ndryshimi” që Kurti pretendoi ta sillte në këtë vend po shoqërohet me “klithma shurdhuese” të urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Ai rendit disa nga sloganet që, sipas tij, janë dëgjuar së fundmi:

“Dhoma gazi për shqiptarët”
“Shqiptari i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”
“Maqedoni e pastër (pa shqiptarë)”
“Shqiptarët e mallkuar ta dijnë se emri Maqedoni nuk zhduket”

Haradinaj e akuzon Kurtin për heshtje dhe mungesë reagimi, duke e quajtur atë “kumbarë të koalicionit qeverisës në Maqedoni të Veriut”.

Reagime të forta ka pasur edhe nga Shqipëria zyrtare.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali e quajti ngjarjen “të papranueshme” dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë kërkon një angazhim të vazhdueshëm.

Spiropali theksoi se gjuha e urrejtjes, e cila nxit dhunën dhe racizmin, nuk duhet të ketë vend në asnjë hapësirë publike, e sidomos në sport. Ajo shtoi se sporti, në thelb të tij, promovon frymën e bashkimit, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë.

Kryeparlamentarja vlerësoi reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi një reagim edhe më të fortë nga zyrtarët më të lartë të vendit.

“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë. Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit. Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik”, theksoi Spiropali.

Spiropali shtoi se bashkëjetesa ndëretnike është një vlerë e përbashkët në rrugën evropiane, e cila duhet ruajtur me përgjegjësi.

Ajo bëri thirrje që sjellja korrekte, si në fusha dhe tribuna, ashtu edhe në institucione, të shërbejë si shembull për vizionin e përbashkët për të ardhmen.

“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën evropiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit. Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, shkruan Spiropali.

Edhe Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar ashpër ndaj incidentit racist të ndodhur në Kumanovë, gjatë një ndeshjeje basketbolli.

Në një deklaratë publike, ai theksoi se gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport dhe shoqëri, duke e cilësuar ngjarjen si një “alarm” për të gjithë.

Ambasadori Meidani kërkoi një reagim të fortë dhe të qartë nga autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut. “Bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo”, shkroi ai.

Edhe Këshilli për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane (AARC) ka reaguar ashpër pas thirrjeve skandaloze anti-shqiptare të dëgjuara gjatë një ndeshjeje në Maqedoninë e Veriut, ku u bë thirrje që shqiptarët të futen në “dhoma gazi”.

Në reagimin e tyre, AARC thekson se kjo gjuhë urrejtjeje nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe shumëetnike, duke kujtuar se këto thirrje rikujtojnë kapitujt më të errët të historisë europiane.

Organizata shpreh indinjatën edhe për heshtjen e udhëheqësve shtetërorë, përfshirë kryeministrin, të cilët ishin prezentë por nuk reaguan. “Udhëheqja matet me guxim moral, jo me heshtje,” thekson AARC.

Sipas tyre, shqiptarët janë pjesë përbërëse e këtij vendi dhe çdo përpjekje për nxitje urrejtjeje duhet të ndiqet me pasoja ligjore dhe institucionale.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka ndërmarrë disa veprime për hetimin e skandalit në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë të shtunën.

“Prokuroria Kryesore Publike e Kumanovës po vazhdon dhe ka lëshuar disa urdhra dhe udhëzime për Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Kumanovës për të hetuar elementët e një vepre penale në thirrjet që përmbanin gjuhë urrejtjeje nga individë aktualisht të panjohur në ndeshjen e djeshme të basketbollit midis ekipeve kombëtare të Maqedonisë dhe Rumanisë. Është lëshuar gjithashtu një urdhër për të siguruar pamjet e kamerave të mbikëqyrjes me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm”, njoftoi Prokuroria.

The post Thirrjet raciste anti-shqiptare në Kumanovë, reagime të ashpra nga Kosova, Shqipëria e diaspora appeared first on Telegrafi.

Gjykata e Apelit vërteton pafajësinë e mjekut Iljasa Fazliu

4 August 2025 at 09:57

Gjykata Themelore në Gjilan dhe më pas Gjykata e Apelit në Prishtinë kanë liruar nga të gjitha akuzat mjekun Iljasa Fazliu, i cili ishte akuzuar për veprën penale të “Trajtimit të pa ndërgjegjshëm mjekësor” sipas nenit 254 të KPRK-së.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, të datës 30 tetor 2024, është konstatuar se mungojnë provat që do të vërtetonin se i akuzuari kishte vepruar në mënyrë të pakujdesshme në trajtimin e një pacienti në ordinancën “AAR Logo Plus” në Gjilan.

Për rrjedhojë, ai është liruar nga akuza.

Aktgjykimi është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit më 25 korrik 2025, duke refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Apeli ka konstatuar se veprimet e pretenduara të mjekut nuk përbëjnë vepër penale, dhe se nuk është vërtetuar qëndrimi juridik i padisë në kontekst penal. Kolegji gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Violeta Hoxha Rugova (kryetare), Skender Çoçaj dhe Arsim Kransiqi Prenaj, thekson se shpenzimet dhe kontestet që mund të ngriten në këtë rast mund të adresohen vetëm përmes procedurës civile.

The post Gjykata e Apelit vërteton pafajësinë e mjekut Iljasa Fazliu appeared first on Telegrafi.

Vihet gurthemeli për ndërtimin e shtëpisë së fshatit në lagjen “Gllama” të Bresalcit

4 August 2025 at 09:32

Në një ceremoni të veçantë, sot është vënë gurthemeli për ndërtimin e shtëpisë së fshatit në lagjen “Gllama” të Bresalcit, një projekt i rëndësishëm për jetën komunitare në këtë zonë.

Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, këshilltarët komunalë nga Lëvizja Vetëvendosje, Besnik Shala dhe Blerim Haziri, si dhe zyrtarë komunalë e banorë të lagjes.

Kjo godinë e re, e cila do të jetë moderne dhe funksionale, do të shërbejë për raste mortore, ahengje familjare, përkujtimore dhe aktivitete rinore, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për komunitetin lokal.

Kryetari Hyseni, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e këtij projekti për përforcimin e lidhjeve komunitare dhe lehtësimin e organizimeve shoqërore:

“Ky është një projekt me vlerë për komunitetin, i cili do të shërbejë për raste mortore, ahengje, përkujtime dhe aktivitete rinore, në një hapësirë moderne dhe të përshtatshme për të gjithë. Falënderim i veçantë për banorët e lagjes për angazhimin dhe mikpritjen”.

The post Vihet gurthemeli për ndërtimin e shtëpisë së fshatit në lagjen “Gllama” të Bresalcit appeared first on Telegrafi.

Policia shqipton mbi 1 mijë e 700 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit

4 August 2025 at 09:27

Policia e Kosovës ka shqiptuar 1756 gjoba për kundërvajtësit e trafikut brenda 24 orëve të fundit.

Në 24 orët e fundit janë raportuar 65 aksidente trafiku me dëme materiale kurse 28 aksidente trafiku kanë përfunduar me të lënduar.

Policia e Kosovës ka arrestuar 24 persona teksa 18 janë dërguar në mbajtje, kurse 2 persona janë në vuajtje të dënimit.

The post Policia shqipton mbi 1 mijë e 700 gjoba trafiku brenda 24 orëve të fundit appeared first on Telegrafi.

Në Serbi besojnë se Trump mund të rrisë presionin për njohjen e Kosovës

4 August 2025 at 07:56

Ndërkohë, një pjesë e opinionit publik në fqinjin tonë verior, Serbinë, besojnë se Uashingtoni mund të rrisë presionin, për formalizimin e një forme të njohjes së shtetësisë së Kosovës.

Njohësit e zhvillimeve politike atje, theksojnë se marrëveshjet kyçe tashmë janë zbatuar, duke vlerësuar se pushteti aktual në Serbi, i cili ka balancuar herë pas here raportet me Bashkimin Evropian, nuk duhet të refuzojë një ofertë të mundshme që mund t`i vijë nga SHBA-ja.

Muajt në vijim, pritet një angazhim më i fuqishëm i administratës amerikane rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me paralajmërime gjithnjë më të qarta se qëllimi përfundimtar mund të jetë marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë një formë të njohjes. Një pjesë e opinionit politik në Serbi vlerëson se parakushtet për një epilog të tillë tashmë janë vendosur përmes marrëveshjeve ekzistuese.

“Publikut në Serbi me sukses i fshihet fakti se dy marrëveshjet e Brukselit dhe aneksi i Ohrit përbëjnë njohje de facto. Mendoj se iniciativa e dy kongresisteve shkon drejt njohjes de jure. Serbët janë pengjet më të mëdha të politikës së rreme të Beogradit, deklaroi ndërkaq Zoran Vuletiq nga Forumi Demokratik Qytetar.

Dy anëtare të Kongresit, Klaudia Teni dhe Krisi Hulahan, i kërkuan presidentit amerikan Donald Trump të ndërmjetësojë një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me qëllim njohjen e ndërsjellë.

Në Serbi, reagime ka nxitur fakti që Teni është bashkëkryetare e grupit për çështje serbe në Kongres, ndaj forcat nacionaliste kërkojnë që MPJ të sqarojë qëndrimin zyrtar. Sipas politikanit dhe juristit Aleksandër Olenik, një ofertë nga SHBA, kur të vijë, do të jetë politikisht e pashmangshme.

“Vuçiq ka shmangur gjithmonë konfliktin me SHBA-në dhe ka zbatuar pa kundërshtim kërkesat e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për Trumpin. Nëse vjen momenti për marrëveshjen përfundimtare, do ta nënshkruajë pa hezitim. Paradoksalisht, një ish-radikal mund të përmbyllë formalisht dialogun me Kosovën”, deklaroi avokati dhe njëherësh politologu Aleksandër Olenik.

Analistët vlerësojnë se ndërmjetësimi amerikan mund të hapë fazën e presionit për formalizimin e realitetit ekzistues dhe se SHBA do të insistojë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Uashingtonit./RTK

The post Në Serbi besojnë se Trump mund të rrisë presionin për njohjen e Kosovës appeared first on Telegrafi.

Spiropali dënon thirrjet raciste antishqiptare në Kumanovë

4 August 2025 at 07:45

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pas thirrjeve raciste ndaj shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë.

Ajo e cilësoi ngjarjen si të papranueshme dhe theksoi se gjuha e urrejtjes nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport.

Spiropali vlerësoi reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi që zyrtarët e lartë të vendit mik të shprehen edhe më fort publikisht.

Sipas saj, bashkëjetesa ndëretnike është vlerë që duhet mbrojtur dhe kultivuar me përgjegjësi.

The post Spiropali dënon thirrjet raciste antishqiptare në Kumanovë appeared first on Telegrafi.

Thirrjet antishqiptare në prani të Mickoskit, Bushati: E papranueshme heshtja

4 August 2025 at 07:34

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka reaguar për thirrjet raciste kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje basketbolli në Maqedoninë e Veriut, thirrje që u bënë në praninë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Përmes një postimi në X Bushati shprehet se këto thirrje nuk janë vetëm fyese, por përbëjnë një kërcënim për bashkëjetesën demokratike dhe barazisë mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

Bushati shkroi edhe për heshtjen e krerëve të lartë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

“Ajo që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit në #Kumanovë ishte një manifestim i qartë i urrejtjes etnike. Thirrjet “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët” nuk janë vetëm fyese, por përbëjnë një kërcënim serioz për bashkëjetesën demokratike dhe barazinë mes maqedonasve dhe shqiptarëve si dy komunitete shtetndërtuese në Maqedoninë e Veriut. Për më tepër, heshtja e zyrtarëve të lartë që ishin dëshmitarë të kësaj “galerie turpi” është e papranueshme. Dëshmi e faktit se nuk kanë nxjerrë mësimet e duhura nga ngjarjet e hidhura të së kaluarës”, ka shkruar ai.

The post Thirrjet antishqiptare në prani të Mickoskit, Bushati: E papranueshme heshtja appeared first on Telegrafi.

Pritja e Kosovës për heqjen e vizave nga Bosnjë e Hercegovina mund të zgjasë me vite

4 August 2025 at 07:26

Afër dy vjet e nëntë muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve, në kuadër të Procesit të Berlinit, shtetasit e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza drejt Bosnjë e Hercegovinës.

Kjo e fundit ende nuk e ka ratifikuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve serbë në institucionet shtetërore atje.

Teksa tregoi përvojën e saj për pajisje me vizë, në një përgjigje për TV Dukagjinin, zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, tha se pret që “ratifikimi të ndodhë shumë shpejtë, pavarësisht kompleksitetit të qeverisë aktuale në Bosnjë”.

“Së fundmi kam vizituar Bosnjën, me rastin e përkujtimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, dhe mezi mora vizë vetëm për disa ditë, gjë që është një shqetësim i madh për qytetarët dhe gjithashtu një shpenzim financiar. Në mesin e shtatorit, përfaqësuesit boshnjakë do të vijnë të na vizitojnë dhe planifikojnë të ngrenë zërin e tyre në Dhomën e Popujve për këtë çështje, ta hedhin në votim, dhe presin mbështetjen edhe të përfaqësuesve kroatë”, ka deklaruar Emilija Rexhepi, zëvendëskryeministre në detyrë.

Zëvendëskryeministrja në detyrë theksoi se shpresat janë te bashkëpunimi ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve.

“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me Ministrin e Punëve të Jashtme, z. (Elmedin) Konakovic, dhe ai më premtoi se do të paraqesë një propozim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës në Këshillin e Ministrave dhe do të hapë rrugën për ratifikim në Parlament. Përfaqësuesit serbë si në qeveri ashtu edhe në parlament janë ende shumë të ashpër dhe kundër kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare që ata vetë e nënshkruan në Berlin, shpresojmë që boshnjakët dhe kroatët do të jenë në gjendje ta çojnë këtë proces në fund”, ka theksuar ajo.

Edhe pse si parti e mbështesin marrëveshjen nga Procesi i Berlinit, referuar situatës politike në Bosnjë e Hercegovinë, deputeti në Parlamentin Federal, Amir Puric, i tha TV Dukagjinit se nuk pret zgjidhje të shpejtë.

“Është joreale të pritet që ratifikimi i marrëveshjes të ndodhë së paku edhe një vit ose dy. Marrë parasysh që niveli shtetëror i qeverisjes është i bllokuar, merren vetëm vendime të rralla teknike dhe asnjë çështje e vetme e rëndësishme nuk do të zgjidhet para fundit të vitit 2026, kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme”, ka deklaruar Amir Purić, Deputet në Parlamentin Federal të Bosnjë e Hercegovinës  (Naša Stranka).

Duke përmendur se vëllait që jeton në Kosovë i është refuzuar vazhdimisht viza, kryetari i shoqatës “Dardania” në Bosnjë e Hercegovinë, Rizah Sokoli, tha se nga kjo situatë më së shumti pëson komuniteti shqiptar.

“Një shembull i mirë për BeH mund të jetë Greqia, e cila nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, por ka njohur dokumentet e Kosovës.  Sigurisht, një ditë edhe Bosnja dhe Hercegovina do të duhet të pranojë realitetin. Ky realitet është fakti që Kosova është një shtet i pavarur dhe sovran në mënyrë të pakthyeshme, që synon integrimin e plotë  në strukturat ekonomike rajonale dhe se do të bëhet gjithashtu anëtare e Kombeve të Bashkuara. Ky është një proces që nuk mund të ndalet”, ka deklaruar Rizah Sokoli, kryetar i Shoqatës “Dardania”.

Edhe Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për televizionin, thanë se ‘po punojnë aktivisht dhe e inkurajojnë BeH që t’i përmbush detyrimet e saj’.

Nga 1 Janari i këtij viti Kosova njëanshëm hoqi regjimin e vizave për shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës – derisa entiteti Republika Srpska i udhëhequr nga Milorad Dodik vijon bllokadën nga ana tjetër./Tv Dukagjini/

The post Pritja e Kosovës për heqjen e vizave nga Bosnjë e Hercegovina mund të zgjasë me vite appeared first on Telegrafi.

Moti sot i vranët dhe me riga lokale shiu

4 August 2025 at 07:04

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mban mot i vranët dhe me riga lokale shiu.Reshjet e shiut parashihen të shoqërohen me shkarkime rrufesh.

“Temperaturat minimale: 14 – 18°C, temperaturat maksimale: 20-24°C, Era: e lehtë dhe lokalisht e forte nga drejtimi i veriperendimit”, njofton IHMK.

The post Moti sot i vranët dhe me riga lokale shiu appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 3 August 2025Main stream

Kurti: Lojërat Tradicionale në Rugovë, rit i gjallë i identitetit kolektiv

3 August 2025 at 15:56

Këtë të diele gushti, kryeministri në detyrë, Albin Kurti zgjodhi të shkonte në Bogë të Rugovës, aty ku bë ceremonia hapëse e Lojërave Tradicionale të Rugovës “Rugova 2025”.

Kurti e quajti nder pjesëmarrjen në këto lojëra, ngjarje që tha se nuk është vetëm manifestim kulturor, por edhe rit  i gjallë i identitetit kolektiv e dëshmi, sipas tij, se trashëgimia nuk është një kujtim i së kaluarës.

“Në këto lojëra, ku shfaqet forca, shkathtësia dhe mençuria, po bashkohen pikërisht gjeneratat për të përcjellë jo vetëm vlerat e fisit të Kelmendit dhe të komunitetit të Rugovës, por edhe frymën e bashkësisë që e ka ruajtur këtë traditë për dekada. Në këto fusha e male, nuk garojnë vetëm individët, por ringjallen zakonet, legjendat dhe forca shpirtërore e maleve tona të larta. Ky manifestim është edhe një ftesë për ne si shtet dhe si shoqëri që të mos e shohim trashëgiminë vetëm si diçka që e ruajmë nëpër muzetë e shtetit, por si diçka që jetohet, që zhvillohet, që na bashkon. Lojërat si këto janë pasuri kombëtare që i japin shpirt të gjallë territorit dhe kuptim të thellë përkatësisë”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Aty, Kurti i njoftoi banorët e zonës dhe pjesëmarrësit për fillimin e studimit të fizibilitetit nga Qeveria në detyrë për rindërtimin e rrugës Pejë – Kuqishtë.

“Dua t’ju njoftoj që para dy ditëve, pardje e kemi filluar studimin e fizibilitetit për ta rindërtuar rrugën Pejë-Kuqishtë. Rindërtimi i rrugës Pejë-Kuqishtë varësisht nga studimi i fizibilitetit do të jetë në vlerë të gjithmbarshme diku prej 15 milionë euro, ndërkaq sanimi i kësaj rruge ka filluar para tre muajve dhe do të kushtojë rreth 1.7 milionë euro. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi jo vetëm të gatshëm, por edhe të interesuar që të investojmë për shkak të vlerës së madhe natyrore, kulturore, shpirtërore, kombëtare, shtetërore që ka Bjeshka e Rugovës, jo vetëm për banorët e kësaj ane”, ka thënë kreu në detyrë i qeverisë para pjesëmarrësve të Lojërave Tradicionale në Rugovë, vend të cilin e quajti pasuri kombëtare.

The post Kurti: Lojërat Tradicionale në Rugovë, rit i gjallë i identitetit kolektiv appeared first on Telegrafi.

OVL UÇK: Interesimi i madh për protestë, dëshmi e përkushtimit për drejtësi

3 August 2025 at 15:43

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur mirënjohje të thellë për përkrahjen që ka marrë thirrja për protestën paqësore të paralajmëruar më 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në një komunikatë publike, OVL UÇK thotë se reagimi i gjerë i qytetarëve në rrjetet sociale dhe në forma të tjera është dëshmi e një vetëdije të lartë qytetare dhe e përkushtimit për drejtësi.

“Falënderojmë të gjitha partitë politike që e kanë mbështetur publikisht protestën tonë, pjesëtarët e shoqërisë civile që janë bërë zë i arsyes, dhe mediat për hapësirën e ndershme dhe të balancuar që po i japin kësaj thirrjeje,” thuhet në deklaratën e organizatës.

OVL UÇK ka theksuar se protesta kundër Gjykatës Speciale në Hagë do të jetë e qetë dhe dinjitoze, si një shprehje qytetare kundër, siç e quajnë ata, padrejtësive që po u bëhen pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

The post OVL UÇK: Interesimi i madh për protestë, dëshmi e përkushtimit për drejtësi appeared first on Telegrafi.

Vdes në moshë të re Hoxha nga Presheva, Faton Musliu

3 August 2025 at 13:59

Një rast i dhimbshëm ka ndodhur sot në Preshevë.

Atje, në moshë të re ka vdekur imami Faton Musliu.

Njoftimi u bë i ditur nga familjarët.

Teksa, është bërë e ditur se varrimi i tij u bë sot pas namazit të drekës.

The post Vdes në moshë të re Hoxha nga Presheva, Faton Musliu appeared first on Telegrafi.

Dallamë e jelek nusesh në mbeturina, kompania “Pastrimi” befasohet çfarë gjen në kontejnerë

3 August 2025 at 13:05

Një zbulim i pazakontë është bërë nga punëtorët e kompanisë regjionale të mbeturinave “Pastrimi” gjatë grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet.

Në mesin e mbeturinave, ata kanë hasur në një dallamë dhe një jelek tradicional – rroba të pastra dhe të ruajtura me përpikmëri, si të mos kishin dalë kurrë nga sirtari.

Përkrah tyre ishin edhe një palë rroba burri, të palosura me kujdes, pa asnjë shenjë kohe apo dëmtim, të trajtuara me një respekt që rrallë shihet në objekte të hedhura.

“Ndoshta ishin pjesë e pajës, ndoshta dhuratë nga një dasmë apo kanë pasur tjetër domethënie”, ka njoftuar kompania “Pastrimi”, duke shprehur habinë për mënyrën se si këto rroba kishin përfunduar mes plehrave./Telegrafi/

The post Dallamë e jelek nusesh në mbeturina, kompania “Pastrimi” befasohet çfarë gjen në kontejnerë appeared first on Telegrafi.

300 euro gjobë dhe 3 muaj pa patentë, Policia ndalon shoferët e rrezikshëm në Ferizaj

3 August 2025 at 12:32

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndëshkuar dy shoferë për kundërvajtje të rënda në komunikacion, pas kapjes së tyre duke vozitur me shpejtësi ekstreme në një zonë të kufizuar.

Sipas njoftimit zyrtar, më datë 2 gusht rreth orës 20:10, Njësia e Komunikacionit Rrugor ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj dy drejtuesve të automjeteve që u kapën duke lëvizur me shpejtësi të lartë në rrugën transitore Shtime–Belincë, ku kufizimi i lejuar është 60 km/h.

Shoferi B.G., 42-vjeçar, i cili drejtonte një veturë të tipit Volvo me targa të huaja, u kap duke vozitur me 118 km/h. Ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 300 eurosh, tre muaj ndalim për drejtimin e mjetit brenda territorit të Kosovës, si dhe masa plotësuese sipas ligjit në fuqi.

Rasti tjetër përfshinte shoferin F.M., 53-vjeçar, me veturë të tipit Audi dhe targa vendore, i cili është kapur duke vozitur me shpejtësi 121 km/h. Përveç gjobës prej 300 eurosh, ndaj tij janë shqiptuar edhe 3 pikë negative dhe ndalim i patentës për një periudhë tre mujore.

Policia e Ferizajt u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin sjelljet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë në rrugë.

Qytetarët inkurajohen që të raportojnë çdo shkelje të ligjit përmes numrit 192, linjave lokale të policisë ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”, ku ruhet konfidencialiteti i plotë.

The post 300 euro gjobë dhe 3 muaj pa patentë, Policia ndalon shoferët e rrezikshëm në Ferizaj appeared first on Telegrafi.

Fermerët paralajmërojnë: Tokat mund të mbesin të papunuara nëse vazhdojnë vonesat në subvencione

3 August 2025 at 11:59

Fermerët kanë korrur e vjelur disa prej prodhimeve bujqësore për këtë vit, por ende nuk i kanë marrë subvencionet, pagesat direkte financiare nga Ministria e Bujqësisë, raporton KosovaPress.

Ndonëse, me vonesë krahasuar me vitin e kaluar, disa fermerë kanë nisur t’i pranojnë këto ditë vendimet nga Ministria e Bujqësisë për këtë mbështetje financiare.

Për vonesa të subvencioneve po ankohen disa fermerë, të cilët thonë se për shkak të saj po u vështirësohet puna në bujqësi.

Ata kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të fillojnë sa më shpejtë procedurat për ekzekutimin e pagesave.

Fermeri nga fshati Suhadoll i Lipjanit, Valon Vehapi, vlerëson se një nga vështirësitë kryesore për bujqit është vonesa në shpërndarjen e subvencioneve. Ai thekson se këto mjete duhet të lëshohen në kohë, siç thotë ai më së largu në mes të shtatorit, në mënyrë që fermerët të kenë mundësi të përgatiten për mbjelljet e vjeshtës.

Sipas Vehapit i cili këtë vit kishte mbjellur rreth 120 hektarë me grurë, vonesat sjellin vështirësi financiare, pasi shumë fermerë nuk kanë pasur fitime të mjaftueshme këtë vit për të mbuluar shpenzimet e punës në tokë.

Ai paralajmëron se nëse subvencionet nuk dalin në kohë, një pjesë e madhe e tokave mund të mbeten të papunuara.

“Përkrahja e ministrisë nuk është e keqe, nuk mund të ankohemi. Por, çka e kemi një problem është se po vonohen mjetet. Sikur të na lëshoheshin mjetet e subvencioneve së paku deri më 15 shtator, do të ishte mirë edhe për vetë shtetin për arsye se bujqit do të kishin pasur të holla të mjaftueshme edhe për ta mbjellur tokën në vjeshtë. Mos të vonohen më shumë se në shtator. Mandej po kemi vështirësi në të holla. Vitin e kaluar i kemi marrë në korrik…Sa më herët që të lëshohen mjetet aq më mirë për bujqit… Fermeri dëmtohet nëse nuk lëshohen mjetet para kohës së mbjelljes tani që i kemi në vjeshtë. Fermerët nuk kanë pasur fitim këtë vit shumë të madh. Nëse nuk lëshohen mjetet nuk i punojnë tokat. Nëse lëshohen mjetet atëherë çdo njëri do të shkojë të blejë farën, naftën dhe do ta bëjë punimin e tokës”, thotë Vehapi.

Edhe fermeri Bunjamin Jashanica shpreh nevojën që subvencionet të shpërndahen më herët, duke theksuar se vonesat e vitit të kaluar kanë krijuar vështirësi në përgatitjet për sezonin e punës bujqësore.

Ai tregon se subvencionet përfundimtare i ka pranuar në dhjetor, një periudhë kur mbjelljet tashmë kishin përfunduar. Sipas tij, fermerët kanë nevojë për mbështetje financiare që në shtator, pasi atëherë fillojnë përgatitjet në arë, si lërimi i tokës, ndërsa në tetor nis mbjellja.

Jashanica i cili këtë verë vit korri rreth 25 hektarë me grurë, tregon se mjetet përdoren kryesisht për blerjen e naftës, plehrave dhe farës, të cilat kërkojnë pagesë të menjëhershme.

“Mbi 10 vite merrem me bujqësi, vështirësitë e veta i ka edhe bujqësia, por ia dalim disi. Subvencionet janë ato të cilat na motivojnë për të punuar. A dalin në kohë mjetet? Jo, deri më tash kemi pasur shumë vonesa.Mjetet deri në fund të vitit ka pasur vonesa. Kur i keni marrë subvencionet vitin e kaluar? Përfundimtarët, nëse nuk gaboj në muajin dhjetor. Ndikon sepse ne eventualisht gjatë muajt shtator përgatitemi me lavër, në tetor veçse fillon mbjellja, neve na duhen mjetet pikë së pari për naftë, për plehra, për fara, të gjitha duhet t’i paguajmë më pare cash (kesh). Sipas meje subvencionet duhet të dalin maksimalisht fillim ose mes shtatorit”, tregon Jashanica.

Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Ministria e Bujqësisë, përkatësisht Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), bën të ditur se vonesat në procesin e këtij viti janë rezultat i nisjes së thirrjes për aplikim më vonë se zakonisht.

Siç thonë ata procesi i shtypjes së Vendimeve për Pagesat Direkte për programin e vitit 2025 ka filluar më 20 korrik 2025 dhe vazhdon ende.

AZHB-ja njofton se janë shtypur mbi 10 mijë vendime nga afro 34 mijë aplikues, derisa vlera totale arrin rreth 17 milionë euro.

“Ju njoftojmë se procesi i shtypjes së Vendimeve për Pagesat Direkte për programin e vitit 2025 ka filluar më 20.07.2025 dhe është duke vazhduar. Deri më tani për gjithsej 33,781 aplikues, janë shtypur 10,240 vendime në një vlerë të përgjithshme prej afërsisht 17 milionë Euro. Pritet që këto pagesa të ekzekutohen së shpejti, ndërkohë që aplikimet e mbetura janë në fazën e kontrollit administrativ ose të kontrollit në terren. Arsyeja pse këtë vit jemi me vonesë përafërsisht 20 ditë kalendarike, qëndron se këtë vit thirrja për aplikim ka filluar gati me një muaj vonesë krahasuar me vitin e kaluar”, thonë nga AZHB-ja për KosovaPress.

Vitin 2024, subvencionet për grurë kishin filluar të ekzekutohen që nga fundi i muajit qershor.

The post Fermerët paralajmërojnë: Tokat mund të mbesin të papunuara nëse vazhdojnë vonesat në subvencione appeared first on Telegrafi.

Rritet numri i rasteve me HIV në Kosovë

3 August 2025 at 11:53

Në shtatëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 19 raste të reja me HIV. Krahasuar me vitet e kaluara, ky numër paraqet një rritje, ndërkohë që rastet më të shpeshta janë tek të rinjtë. Institucionet shëndetësore dhe organizatat që merren me këtë fushë, thonë se aktualisht ka terapi të mjaftueshme, përfshirë edhe atë parandaluese

Numri i rasteve me HIV është në rritje në Kosovë.

Shifrat në repartin e Klinikës Infektive flasin për një gjendje siç thotë ky institiucion, brengosëse.

Shefi i repartit Murat Mehmeti, thotë se rritja e rasteve është shqetësuese dhe mund të tejkalojë shifrat e vitit të kaluar.

“Gjatë shtatë mujorit të këtij viti deri më tani në kliniken infektive ku ne punojmë dhe merremi me pacientët që kanë të bëjnë me HIV infeksion përkatësisht me trajtimin e tyre janë regjistruar gjithsej 19 raste dmth realisht kemi një rritje të numrit të rasteve krahasuar me vitin e kalum edhe me vitet paraparake nese flasim për vitin e kalum kemi pas 29 raste gjithësej po flasim për tërë rastin ndërkohë që vetëm deri me tani kemi 19 raste të reja dhe kjo është brengosese për shkak që deri në fund të vitit do të kemi një numër shumë më të madh”, thotë Murat Mehmeti – shef i repartit në Klinikën Infektive.

Edhe pse aktualisht në Klinikë ndodhet vetëm një pacient, mbi 100 persona në gjithë vendin janë nën mbikëqyrje dhe trajtim.

“Për momentin në klinik e kemi të shtruar ose në trajtim vetëm një pacient, ndërkohë nese flasim për numrin e përgjithsëm të pacientëvë ne Kosovë që janë nën mbikëqyrën tonë themi ashtu ky numër është dikun rreth 105”, thotë Mehmeti.

Nga qershori i vitit të kaluar, qytetarët në Kosovë kanë qasje edhe në një terapi parandaluese për HIV-in, të quajtur PrEP( Profilaksia para ekspozimit) Kjo, falë një pune shumëvjeçare nga organizatat që punojnë me komunitetet më të ndjeshme.

Kështu thotë Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv i Qendrës për zhvillimin e grupeve sociale.

“PrEPi ka fillu me u dhanë për qytetarët prej qershorit të vitit të kalum pas një pune 7-8vjeqarë e angazhimit tonë për me sjell kët lloj terapie parandaluese në Kosovë”, tregon Nuhiu.

Sipas tij, furnizimi me këtë terapi është i garantuar deri në fund të vitit 2027 nga donatorë ndërkombëtarë, ndërsa pas kësaj periudhe, përgjegjësinë do ta marrë Ministria e Shëndetësisë.

“Sasia e terapisë është e garantuar deri në fund të vitit 2027, falë një donacioni ndërkombëtar. Më pas, përgjegjësinë pritet ta marrë Ministria e Shëndetësisë”, thotë Nuhiu.

Ndërkaq, sipas doktorit Murat Mehmeti, grupmosha që po preket më së shumti nga infeksioni është ajo e të rinjve kryesisht personat mes moshës 20 deri në 30 vjeç./Teve1

The post Rritet numri i rasteve me HIV në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Aksion i madh në Shkodër, policia asgjëson mbi 16 mijë bimë narkotike

3 August 2025 at 11:29

Në kuadër të operacionit të koduar “Koordinata”, Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet intensive për parandalimin dhe asgjësimin e kultivimit të bimëve narkotike të kanabisit.

Gjatë një aksioni të fundit në Shkodër, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe asgjësuar rreth 16,755 bimë të dyshuara narkotike, si dhe kanë sekuestruar 320 kg degë kanabisi të prera dhe në proces tharjeje.

Operacioni po vazhdon me kontrolle në zonat e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës, ndërsa policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të përfshirë në kultivimin e këtyre bimëve narkotike.

“Në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, dhe si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve vartëse, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, të dislokuara prej disa ditësh në këtë qark, kanë gjetur dhe asgjësuar:

16 755 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa

320 kg degë me boçe të prera, në proces tharjeje, konkretisht:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit në terrenin e njësive administrative Pult, Shalë, Postribë dhe Shosh gjetën dhe asgjësuan 15 852 bimë të dyshuara Cannabis Sativa, si dhe sekuestruan 320 kg degë me boçe në proces tharjeje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjatë kontrollit në terrenin e njësisë administrative Kastrat gjetën dhe asgjësuan 429 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjatë kontrollit në terrenin e njësive administrative Shllak dhe Temal gjetën dhe asgjësuan 474 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftimi ne policisë.

The post Aksion i madh në Shkodër, policia asgjëson mbi 16 mijë bimë narkotike appeared first on Telegrafi.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi pranohet anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (EurASc)

3 August 2025 at 11:19

Themeluesi dhe Presidenti i UBT-së, Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është pranuar si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (European Academy of Sciences – EurASc).

European Academy of Sciences (EurASc) është një nga akademitë më prestigjioze në Evropë, që bashkon shkencëtarë dhe studiues të shquar nga e gjithë bota, me qëllim promovimin e ekselencës shkencore dhe teknologjike për të adresuar sfidat më të mëdha globale. Anëtarët e saj janë emra të njohur që kanë dhënë kontribute të mëdha në fushat përkatëse, përfshirë shumë fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe nobelistë.

Ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar që njeh kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Hajrizit në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikëbërjes në nivel rajonal dhe evropian.

“Pjesëmarrja ime si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave është një vlerësim personal, por mbi të gjitha është një njohje për punën dhe përkushtimin afatgjatë të UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi akademik dhe shkencor në përputhje me standardet evropiane. Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të Kosovës në hartën ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit”, tha Rektori Hajrizi.

Akademia Evropiane e Shkencave (EurASc), në publikimin e saj në rrjetet sociale, ka vlerësuar lart kontributin e Prof. Dr. Edmond Hajrizi për përvojën e tij mbi dydekadëshe në ndërthurjen e akademisë me ekosistemet e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.

Nën udhëheqjen e tij strategjike dhe vizionare, UBT është konsoliduar si një nga institucionet më të avancuara të arsimit të lartë në Evropën Juglindore, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes.

Si pjesë e angazhimeve të tij profesionale, Prof. Hajrizi ka udhëhequr me sukses dhjetëra projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, si dhe ka kontribuar si këshilltar për institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke promovuar transformimin digjital, prodhimin inteligjent dhe arsimin e orientuar drejt së ardhmes.

Ky pranim përfaqëson jo vetëm një sukses personal për Rektorin Hajrizi, por një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe Kosovën në tërësi. Ai dëshmon se përkushtimi ndaj inovacionit, cilësisë akademike dhe vizionit global mund të sjellë njohje ndërkombëtare dhe ta vendosë Kosovën në hartën e qendrave të rëndësishme të dijes dhe teknologjisë.

The post Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi pranohet anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (EurASc) appeared first on Telegrafi.

Fluksi i bashkatdhetarëve, ankesa për vonesa në Mal të Zi

3 August 2025 at 09:55

Në kufirin Kosovë-Shqipëri këto ditë është arritur piku i fluksit të bashkatdhetarëve tanë nga vendet e perëndimit. Pas shumë orësh udhëtimi, bashkatdhetarët thonë se në përgjithësi kanë kaluar mirë, duke përjashtuar kufirin në Malin e Zi.

“Lodhje shumë, por krejt ka qenë në rregull, vetëm në Mal të Zi ishin rrugët e prishura dhe kemi hequr shumë për së tepërmi, i kemi bërë 9 km për katër orë e gjysmë”, tha Jeton Krasniqi, bashkatdhetar.

Edhe Mentor Morina ka thënë se vështirësi kanë pasur në Malin e Zi. “Pesë – gjashtë orë kemi bërë nga kufiri deri në Ulqin”, tha ai.

“Super, pak kolonë ama super. Kufiri i Malit të Zi gjithmonë ka pritje, një orë kemi pritur”, tha Elona Jusufi.

E Baftjar Morina ka thënë se nuk ka pasur shumë vonesa në pikat kufitare dhe ka kaluar mirë gjatë rrugës.

Këto ditë vere edhe diaspora e Shqipërisë dëshiron ta vizitojë Kosovën. Ardian Malshi ka kërkuar që të bëhen më shumë lehtësira në lëvizjet e qytetarëve Kosovë-Shqipëri.

“Jam mirditor. Kam ardhur të bëj një xhiro për në Kosovë, por radhë e madhe, duhet heq dogana. Kishte radhë të mëdha, kemi bërë gjysmë ore. Gjyshërit e mi e kanë bë pazarin këtu, unë erdha për herë të parë, gjeta doganën. Gjyshi s’ka pas doganë e unë po”, tha ai.

Me gjithë fluksin e pandërprerë, policia kufitare është duke operuar më tetë sportele.

“Janë shtuar kontrollet, po ashtu janë shtuar edhe korsitë, punohet me tetë korsi. Vonesa e një automjeti në kontroll të dokumenteve është maksimumi një minutë, ndërsa pritjet e mërgimtarëve janë maksimumi 20 minuta”, tha Shpend Qevani nga policia kufitare në Vërmicë.

Pajisja e automjeteve me targa të huaja me policën e sigurimit tashmë është bërë traditë. BKS ka shtuar personelin, me qëllim që këto ditë të fluksit të bashkatdhetarëve të mos humbet shumë kohë.

“Ka numër të madh të automjeteve, numrin e saktë nuk mundem ta them, por dominojnë Zvicra, Gjermania, Italia, vendet nordike, do të thotë kështu shkon radhitja. Shifrat janë aty siç kanë qenë në vitin e kaluar, vetëm se kemi dallim në kohën në të cilën kanë ardhur”, tha Agron Berisha nga Byroja Kombëtare e Sigurimit.

Vetëm në 24 orët e fundit, përmes Vërmicës, në Kosovë u futën 52 mijë persona, me 15 mijë vetura. Ndërkohë, gjithsej në hyrje dhe dalje u regjistruan 80 mijë persona me 25 mijë vetura.

 

The post Fluksi i bashkatdhetarëve, ankesa për vonesa në Mal të Zi appeared first on Telegrafi.

Brenda një dekade, në Kosovë janë mbyllur 40 shkolla

3 August 2025 at 09:35

Rënia e natalitetit, emigracioni dhe zbrazja e fshatrave po e kthejnë arsimin në një histori të mbylljes së heshtur.

Në 10 vitet e fundit, mbi 350 shkolla publike janë mbyllur në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar një krizë të thellë demografike dhe arsimore në rajon.

Sipas të dhënave zyrtare, 295 shkolla publike janë mbyllur në Shqipëri nga viti 2012 deri më 2022. Në Kosovë janë mbyllur 40 shkolla në periudhën 2013–2023, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, numri lëviz nga 30 deri në 44 shkolla të mbyllura. Këto nuk janë thjesht të dhëna statistikore, por është një kambanë alarmi për të ardhmen e shoqërive tona.

Rënia e natalitetit, emigracionit drejt vendeve perëndimore dhe rrjedhimisht edhe zbrazja e fshatrave, janë faktorët kryesorë që kanë çuar në mbylljen e qindra institucioneve arsimore.

Në Shqipëri, situata ka sjellë një disbalancë të pazakontë në raportin mësues–nxënës. Në disa raste raporti është 7 mësues për 3 nxënës. Situata më e vështirë është në zonat rurale nga ku familjet largohen drejt qyteteve për një jetë më të mirë.

Në Kosovë, ka shkolla që funksionojnë me vetëm 5–10 nxënës, madje në disa raste edhe më pak. Numri i nxënësve në arsimin e mesëm në vitin 2024/2025 ishte 63.551. Krahasuar me vitin paraprak 2023/2024 (që ishin 65.757 nxënës), respektivisht për brenda një viti numri i nxënësve në arsimin e mesëm ka rënë për më shumë se 2.000.

Në Maqedoninë e Veriut, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka propozuar shndërrimin e objekteve shkollore të mbyllura në qendra për të moshuarit, një vendim që thekson edhe më shumë zhvendosjen demografike. Më pak të rinj, më shumë të moshuar./TRT Albanian

The post Brenda një dekade, në Kosovë janë mbyllur 40 shkolla appeared first on Telegrafi.

❌
❌