Rama: Festivali “Nona”, në fokus edhe siguria rrugore për fëmijët
TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Në qytetin e Përmetit nisi mbrëmjen e djeshme festa e gjysheve shqiptare.
I kthyer tashmë në një traditë të aktiviteteve kulturore dhe artistike në qytetin e trëndafilave, festivali “Nona” në sheshin e Përmetit bëri bashkë qindra qytetarë dhe turistë vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga festivali teksa u shpreh: “Festivali “Nona”, i cili tanimë është pjesë e kalendarit të traditave të bukura të Përmetit, ka ngritur mbrëmë siparin me një surprizë të këndshme, spektaklin e Sigurisë Rrugore për Fëmijët”.
Ky është edicioni i pestë i festivalit “Nona”, një aktivitet unik treditor, që e kthen Përmetin në një sofër të madhe te ngjashme me shtëpinë e gjysheve tona.
Festivali nisi paradite me vizita në shtëpitë e gjysheve përmetare, për të vijuar pasdite me çeljen e panairit “Nga duart e gjysheve”, ku u prezantuan gatime të ndryshme tradicionale.
Në mbrëmje, krahas aktivitetit suprizë kushtuar Sigurisë Rrugore për Fëmijët, performuan edhe artistë të njohur si Evgjeni Çulli, Mikel & Ervis Rrapaj, Luljeta Ilia, Çiljeta Xhilaga, Anxhela Peristeri, G Bani si dhe aktorja e njohur Eva Alikaj.
Festivali “Nona” synon të sjellë dialog midis brezave në vend të hendekut në rritje midis të moshuarve dhe të rinjve në jetën e përditshme urbane.
Festivali do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, 10 gusht, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore.
/e.i//a.f/
The post Rama: Festivali “Nona”, në fokus edhe siguria rrugore për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.