Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 August 2025Main stream

KIEV – Zelensky: Ukraina nuk do të heqë dorë nga Donbasi

12 August 2025 at 23:09

KIEV, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Ukraina nuk do të heqë dorë nga pjesa lindore e vendit, e pushtuar dhe e kontrolluar nga Rusia, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky.

”Ukrainasit nuk mund dhe nuk do të heqin dorë nga Donbasi, i cili kryesisht përbëhet nga provincat e Donetskut dhe Luhanskut. Donbasi do të ishte një trampolinë për rusët për të nisur një sulm të ri, të ardhshëm”, tha ai pak para samitit në Alaska midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit rus Putin.

”Gadishulli i Krimesë, i pushtuar nga Rusia në shkelje të ligjit ndërkombëtar në vitin 2014, ishte tashmë 100 për qind një trampolinë për sulmin ndaj Ukrainës jugore”, theksoi ai.

”Për më tepër, Rusia nuk i ka vendosur forcat e saj në Donbasin e kontrolluar nga separatistët, por në vend të kësaj ka integruar dezertorët në ushtrinë ruse, tha presidenti ukrainas. Çdo tërheqje e njësive ukrainase nga pozicionet e tyre në Donbas do t’i lejonte Moskës të përgatitej për një sulm të ri”, shtoi ai.

”Putini do të kishte më pas një rrugë të qartë për të arritur në rajonet e Kharkivit, Zaporizhias dhe Dnipropetrovskut brenda pak vitesh”, sipas Zelenskyt. /os/

The post KIEV – Zelensky: Ukraina nuk do të heqë dorë nga Donbasi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA/ Trump nis “pastrimin”, Garda Kombëtare zbret në rrugët e Uashingtonit

12 August 2025 at 23:37

Garda Kombëtare ka filluar të dalë në rrugët e kryeqytetit amerikan Uashington, pasi Donald Trump urdhëroi që forcat federale të merrnin përsipër departamentin e policisë së qytetit për të menaxhuar krimin dhe të pastrehët.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, thotë se afërsisht 850 oficerë federalë të zbatimit të ligjit u vendosën në Uashington dhe arrestuan 23 persona gjatë natës, duke e quajtur këtë vetëm fillimin.

Arrestimet përfshijnë akuza për vrasje, krime me armë dhe drogë, drejtim mjeti të pakujdesshëm dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur. Ajo tha se u sekuestruan gjashtë pistoleta të paligjshme.

Leavitt tha gjithashtu se kontrolli federal i departamentit të policisë mund të zgjasë më shumë se 30 ditë.

Megjithatë shtëpia e Bardhë do të ketë nevojë për miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të zgjatur marrjen e kontrollit të departamentit.

Në lidhje me të pastrehët Leavitt tha se atyre do u ofrohet një strehë ose trajtim për varësinë nga droga. Ata që refuzojnë të largohen nga kampet e të pastrehëve, do të përballen me gjoba ose me burg.

Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser tha se plani i sapo shpallur i Trump për të marrë përsipër Departamentin e Policisë Metropolitane dhe për të nxjerrë në rrugë Gardën Kombëtare nuk ishte një hap produktiv. Ajo tha se krimi në qytet ka qenë në rënie të vazhdueshme dhe tha se gjendja e jashtëzakonshme e perceptuar nga Trump nuk përputhet me shifrat.

Viktima e parë nga zjarret, në Gramsh digjen 7 fshatra/ 8 banorë në spital, autoritetet dhanë urdhër për evakuim

12 August 2025 at 22:50

Ajri në Harunas është i rëndë, i mbushur me tym e hi që era e fortë përhap në çdo drejtim.

Tymi dhe flakët që përpin çdo gjë përpara, përzihet me të bërtiturat e banorëve që nxitojnë të largohen, duke marrë me vete çfarë munden, një thes me rroba, disa orendi e shpeshherë vetëm bagëtinë që kanë arritur të shpëtojnë.

Në rrugët e ngushta të fshatit shihen forcat zjarrfikëse e banorët, që të gjithë në një betejë të përbashkët me kohën dhe erën, ndërsa qielli i kuqërremtë i pasdites e bën gjithçka të duket si një skenë lufte.

Në çdo anë ndihet ankthi se flakët mund të kthehen brenda pak minutash, duke mos lënë asgjë pas.

Banorët e Harunasit me lot në sy e disa me tonë të larta shprehin shqetësimin e tyre për këtë situatë.

Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, pa situatën nga afër ndërsa tha se në zonë ka rrezik të shtuar për përhapjen e flakëve.

Të lodhur e të tronditur, banorët e evakuuar nuk e dinë nëse do ta gjejnë më shtëpinë ashtu siç e lanë.

Për shumë prej tyre, kjo është hera e parë që largohen nga fshati me emergjence. Makinat e emergjencave civile janë vënë në dispozicion për t’i transportuar drejt qytetit të Gramshit, ku pritet të akomodohen në ambiente publike dhe strehë të përkohshme, derisa situata të vihet nën kontroll.

Vetëm 5 kilometra nga këtu ku jemi, u shkaktua dhe viktima e parë e stinës së zjarreve. Por më shumë sesa viktimë e zjarreve, i moshuari nga fshati Kullollas vdiq si pasojë e pakujdesisë, pas ndezjes së zjarrit.

Moti i nxehtë dhe papërgjegjshmëria me ose pa dashje e qytetarëve në ndezjen e zjarreve, kanë detyruar autoritetet të bëjnë aksione të rrezikshme shpëtimi, ndërsa edhe presidenti i Republikës bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë, në mënyrë që të shmangen viktima të tjera në njerëz.

/abcnews.al/

Zjarri përfshinë një tjetër fshat në Gramsh, nis evakuimi i banorëve

12 August 2025 at 23:36

Vijon të jetë shumë serioze situata me zjarrin në Gramsh, ku tashmë flakët janë përhapur në një tjetër fshat.

Korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku raporton se edhe fshati i Kodovjat është përfshirë nga zjarri, i gjashti fshat nën pushtetin e flakëve.

Ndërkohë, teksa forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e flakëve, ka nisur evakuimi i banorëve.

Konkretisht në qarkun e Elbasanit:

Kullollas – Gramsh – Situatë e rënduar, është raportuar një humbje jete. Banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.

Mukaj dhe Sojnik – Gramsh – Situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA.

Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës./TCH/

The post Zjarri përfshinë një tjetër fshat në Gramsh, nis evakuimi i banorëve appeared first on Telegrafi.

Zjarret në Delvinë/ “Të gjithë janë larguar”, banori: Çdo gjë mori fund, gjithçka u shkatërrua!

By: M C
12 August 2025 at 23:34

Banorët në Delvinë prej disa orësh po përballen me pamje apokaliptike teksa flakët afrohen minutë pas minute drejt banesave të tyre. Temperaturat dhe era kanë favorizuar flakët të cilat janë përhapur me shpejtësi. Të pyetur nga ZËRI, banorët shprehen se gjithçka është shkatërruar dhe se shohin vetëm tym dhe flakë.

“Çdo gjë mori fund, gjithçka u shkatërrua. Këtu nuk shihet më asgjë, vetëm tym dhe kaos”, u shpreh një banor.

Sipas tij të gjithë banorët janë larguar ndërsa pas kanë lënë mundin e gjithë jetës së tyre nën ‘pushtetin” e flakëve. Situata është alarmante pasi flakët po afrohen pranë puseve të naftës dhe një shpërthim i tyre do të ishtë i rëndë dhe me pasoja shkatërruese.

“Askush nuk e mendonte që zjarri do përhapej kaq shpejt. Era dhe temperaturat e larta e sollën këtë në qytet”, tha një tjetër banor për Zërin. Flakët i janë afruar edhe spitalit të qytetit. Mësohet se është urdhëruar largimi i bombolave të oksigjenit që të mos shkaktojnë shpërthime.

The post Zjarret në Delvinë/ “Të gjithë janë larguar”, banori: Çdo gjë mori fund, gjithçka u shkatërrua! appeared first on Albeu.com.

Raporti i DASH: Kosova, jokonsistente në ndëshkimin e shkelësve të të drejtave të njeriut

By: M C
12 August 2025 at 23:16

Departamenti amerikan i Shtetit e ka publikuar të martën raportin më të ri lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në botë, dhe në pjesën për Kosovën ka përmendur se Qeveria ka ndërmarrë “hapa kredibilë për jokonsistent në identifikim, hetim, ndjekje penale dhe ndëshkim të zyrtarëve që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.

Në raportin për vitin 2024, është përmendur se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka raportuar se ka qenë disa herë shënjestër e fushatave të shpifjeve, kur ka mbrojtur gazetarë dhe media.

“AGK-ja ka raportuar se zyrtarë qeveritarë, përfshirë kryeministrin dhe pjesëtarë të partisë politike në pushtet janë përfshirë në fushata shpifjeje për të minuar besimin e publikut në media”, është përmendur në raport.

Aty është thënë, po ashtu, se AGK-ja ka raportuar dhjetëra raste kur zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, stafi gjyqësor, interesat biznesore, kriminelë të dyshuar, protestues dhe grupe fetare i kanë sulmuar fizikisht apo verbalisht gazetarët, duke ua dëmtuar pajisjet, apo duke kryer sulme kibernetike kundër mediave.

“Gazetarët kanë thënë se presioni prej politikanëve dhe grupeve të organizuara kriminale ka rezultuar shpesh me vetcensurë. Disa gazetarë janë përmbajtur nga hulumtimet për shkak të frikës për sigurinë fizike apo sigurinë në punë. Gazetarët kanë pranuar se në disa raste u janë ofruar përfitime financiare, në këmbim të raportimeve pozitive apo për braktisje të hulumtimeve”, është thënë mes tjerash në raport.

Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete. Ky është viti i dytë radhazi që Kosova ka shënuar rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, Kosova është renditur më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Qeveria në detyrë e Kosovës i pati hedhur poshtë gjetjet e raportit të Reporterëve pa Kufij këtë vit, duke thënë se “nuk e pasqyron gjendjen e vërtetë” në Kosovë.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit është përmendur edhe miratimi i ligjit për Komisionin e Pavarur për Media, i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Gjykata Kushtetueses e ka rrëzuar këtë ligj në prill të këtij viti, pasi ka gjetur se disa nene të tij nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit. Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) – i themeluar në vitin 2005 – është organ kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

AGK-ja funksionon si shoqatë joprofitabile, ndërsa Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës është trup vetërregullues./ REL

The post Raporti i DASH: Kosova, jokonsistente në ndëshkimin e shkelësve të të drejtave të njeriut appeared first on Albeu.com.

Katy Perry gjobitet pasi xhiroi një videoklip në një zonë të mbrojtur

By: M C
12 August 2025 at 23:12

Këngëtarja e njohur amerikane Katy Perry po kalon një periudhë të vështirë, si në aspektin personal ashtu edhe në atë profesional.

Pas ndarjes nga aktori Orlando Bloom, e konfirmuar në fillim të muajit të kaluar, vjen një tjetër goditje: autoritetet spanjolle kanë vendosur një gjobë prej 6.000 euro ndaj shtëpisë produksioni që realizoi klipin e këngës ‘Lifetimes’, të artistes, pa leje zyrtare brenda Parkut Natyror të Ses Salines, në ishujt Balearikë.

Zona e mbrojtur, që shtrihet nga jugu i Ibizas deri në veri të Formenterës dhe përfshin gjithashtu zonën detare mes dy ishujve, është e njohur për bukurinë e saj të jashtëzakonshme natyrore dhe për vlerat e larta ekologjike. Ajo përfshin plazhe të famshme, pyje, fusha dhe ekosisteme detare që janë pjesë e trashëgimisë botërore të mbrojtur nga UNESCO.

Autoritetet e Balearit reaguan pas publikimit të klipit dhe hetimeve përkatëse, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së zonave të mbrojtura dhe respektimin e rregullave nga çdo produksion artistik apo komercial.

The post Katy Perry gjobitet pasi xhiroi një videoklip në një zonë të mbrojtur appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 12 August 2025Main stream

MM: 27 vatra zjarri aktive, në Delvinë të angazhuar efektivë të FA dhe forca nga katër bashki

12 August 2025 at 22:48

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes dha sot informacion mbi situatën e zjarreve në vend.

Aktualisht në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri, nga të cilat 27 janë aktive dhe 7 po mbahen nën monitorim. Situata më problematike vijon të jetë në jug të vendit, me rrezik të lartë për zonat e mbrojtura, banesat dhe infrastrukturën.

Në qarkun Vlorë, bashkia Delvinë, zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e Delvinës, duke rrezikuar edhe qytetin, pas fshatrave Pecë, Kranë, Krongj, Kardhikaq dhe Sirakat. Po vijon evakuimi i banorëve në zonat e rrezikuara. Në terren kanë operuar helikopteri i FA-së, 2 avionë grekë PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Bashkia Delvinë po hap breza mbrojtës me skrepa, ndërsa kërkohet mbështetje shtesë nga ajri për shkak të riskut të lartë.

Sipas njoftimit, për shkak të flakëve që po afrohen me qytetin, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve. Nuk ka rrezik për banesat.

Po ashtu në Delvinë i pranishëm është dhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Ai po  ndjek nga afër situatën.

Fshati Sevaster, Nj. A. Sevaster – Në terren ndodhet mjeti zjarrfikës i Selenicës me efektivët e tij. Flakët, të favorizuara nga era dhe terreni, po rrezikojnë disa banesa. Ka nisur evakuimi i banorëve.

Fshati Mesaplik, Nj. A. Brataj – Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar banesa. Forcat zjarrfikëse të Vlorës po ndërhyjnë me mjete dhe efektivë, ndërkohë që po vijon evakuimi i banorëve.

Bashkia Dropull – Zjarri i ardhur nga Finiqi është shtrirë nga lartësitë mbi fshatin Goric deri në fshatin Dhuvjan (ish-reparti ushtarak i Leftokaresë). 20 forca të bashkisë Dropull po e mbajnë nën monitorim. Nuk ka rrezik për banesat.

Parku i “Rëzom” – Maja e “Lucës” – Vatra në sipërfaqe me shkurre e pyll vazhdon aktive. Terreni i thyer nuk lejon ndërhyrje me mjete, por AdZM do të kryejë ndërhyrje në orët e para të mëngjesit.

Lagjja “15 Tetori”, Vlorë – Vatër aktive në kodrën pas bashkisë. Në terren ndodhet 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë.

Rrethrrotullimi i Orikumit – Vatër aktive, ku po ndërhyhet me 1 mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë.

Në qarkun Dibër në Ternovë, Zerqan – Bulqizë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Po punojnë forcat e MZSH-së, pyjores, bashkisë dhe kompanive minerare, si dhe 30 trupa FA.

Mali me Gropa, Biz – Martanesh – Vatër në zonë të mbrojtur, larg zonave të banuara. Monitorim nga AdZM dhe njësia vendore.

Fshati Luzni – Zjarri rrezikoi banesat, por forcat operacionale arritën ta vendosin nën kontroll.

Xibër Murriz – Klos – Vatër nën monitorim, pa rrezik.

Në qarkun Berat, fshati Rehovë – Poliçan – Riaktivizim me përmasa të mëdha, që po prek fshatrat Rehovë, Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik e Panarit, si dhe Rezervatin e Mbrojtur “Balloll”. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

Në fshatin Vokopolë  u evakuuan banorët. Në vendngjarje janë edhe efektivë të FA dhe forca nga bashkitë përreth. Situata është kritike.

Fshati Mbrakull – Poliçan – Zjarri ka kaluar pranë ujësjellësit dhe qytetit. Po punojnë 35 forca FA, 65 forca MZSH, 15 forca bashkiake dhe mjetet zjarrfikëse të zonës.

Fshati Velçan – Sinjë – Vatër nën monitorim.

Fshati Orizaj – Qendër Skrapar – Zjarr në sipërfaqe me shkurre, po monitorohet.

Në qarkun Tiranë në Spanesh – Rrogozhinë, zjarri pranë banesave, është kryer evakuim i banorëve.

Ferraj dhe Zall-Herr – Tiranë – Forcat zjarrfikëse dhe APR po punojnë për izolimin.

Damjan dhe Isufaj – Vaqarr – Vatra e madhe po përparon drejt Pezë-Helmës. Po ndërhyhet me 20 forca zjarrfikëse dhe mjete.

Mali i Bërzhitës – Ibë – Vatra aktive, pa rrezik të menjëhershëm.

Në qarkun Gjirokastër në Hormovë – Tepelenë, zjarri rrezikon banesat, është kryer evakuimi i banorëve. Ndërsa të gjitha strukturat janë në terren.

Koshtan – Memaliaj. Zjarri ka përhapje të madhe. Banorët janë evakuuar, por 3 banesa janë përfshirë nga zjarri. Forcat zjarrfikëse me mjetin zjarrfikës si dhe forca vullnetare dhe Policia e Shtetit janë pozicionuar në sheshin e Teqesë dhe po punojnë për të ruajtur banesat e tjera.

Turan – Tepelenë – Janë djegur dy stalla bagëtish. Po punojnë forcat tokësore dhe ajrore.

Në qarku Elbasan në Kullollas – Gramsh, situatë e rënduar, është raportuar një humbje jete. Banorët janë evakuuar. Për shkak të flakëve janë bllokuar edhe disa rrugë që lidhin fshatrat. Në bashkinë Gramsh janë marrë masa për strehimin e banorëve të evakuuar.

Mukaj dhe Sojnik – Gramsh – Situatë problematike. Mbi 150 forca po punojnë për izolimin e zjarrit në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Është kërkuar ndërhyrja me 50 forca operacionale FA. Në terren janë edhe forcat zjarrfikëse të Elbasanit dhe Gramshit afër fshatit Snosëm e Sojnik, të shoqëruara edhe nga punonjës bashkiak e banorë të zonës.

Në qarkun Shkodër në Xath – Fushë-Arrëz, po ndërhyhet me mbi 170 forca dhe mjete. Falë ndërhyrjes së koordinuar, deri tani është bërë i mundur shpëtimi i banesave që ishin në rrezik në fshatrat Xhath dhe Flet. Aktualisht po punohet me intensitet të lartë për izolimin dhe shuarjen e vatrave në disa drejtime, megjithë terrenin e vështirë.

Baks–Rrjoll – Velipojë – Vatër në kallamishte, po punohet për shuarjen.

Qyteti i Pukës – Vatra në kontroll.

Ura e Shtrejtë – Postribë – Monitorim i vazhdueshëm.

Në qarkun Kukës në Gegaj – Tropojë, vatër e izoluar, pa rrezik për banesat.

Parku i Monellës – Kukës – Vatër nën monitorim.

Në qarkun Korçë në Gërmenj – Leskovik, zjarri në Parkun Natyror vijon aktiv, po monitorohet.

Në qarkun Fier në Gjonc-Selisht – Cakran, vatër e vendosur nën kontroll, monitorim.

Bashkia Lushnjë – Vatër e re, po ndërhyhet me forcat zjarrfikëse të Divjakës.

/gj.m/a.f/r.e/

The post MM: 27 vatra zjarri aktive, në Delvinë të angazhuar efektivë të FA dhe forca nga katër bashki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Evakuimi i banorëve nga fshatrat e Gramshit, 32 familje akomodohen në konviktin e qytetit

12 August 2025 at 22:45

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Familjet e evakuuara nga fshatrat e njësisë administrative Skënderbegas të Gramshit, kanë mbërritur në ambientet e konviktit të qytetit, ku janë marrë masa për akomodimin e tyre.

Po ashtu, po bëhen gati hotelet e zonës për të akomoduar njerëzit e prekur.

Tajar Bici, nënkryetar ibashkisë Gramsh, bëri me dije se kanë siguruar 120 shtretër nga konvikti dhe bizneset. Deri tani janë 32 persona të regjistruar për t’u akomoduar në konvikt.

Po ashtu janë marrë masa për ushqime. Aktualisht janë evakuuar drejt qytetit 32 banorë, ndërsa pjesa tjetër qëndrojnë përreth zonave për të shuar flakët, duke shpresuar deri në momentin e fundit.

Dy fshatrat Shëmbërdhenj dhe Bletas janë shkrumbuar plotësisht banesat. Ndërkohë rrezikohen fshatrat Harunas, Nartë, Shelcan, Bulçar, Snisëm, Sojnik, Probat dhe Grabova e Poshtme.

Situata me zjarrin në disa fshatra të Gramshit është serioze, ndërsa një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të lënduar. /Top Channel/

The post Evakuimi i banorëve nga fshatrat e Gramshit, 32 familje akomodohen në konviktin e qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Taylor Swift në albumin e saj të 12-të “The Life Of A Showgirl”

12 August 2025 at 22:37

NJU JORK, 12 gusht /ATSH-DPA/ – Ylli i pop-it, amerikania Taylor Swift ka njoftuar daljen e albumit të saj të 12-të, me titull “The Life Of A Showgirl”, gjatë një podkasti të të dashurit të saj, Travis Kelce.

Nuk ka një datë të konfirmuar publikimi, por është bërë i disponueshëm për porosi paraprake dhe do të dërgohet deri më 13 tetor, sipas faqes së internetit të këngëtares amerikane.

Swift u shfaq në një klip me të dashurin e saj të NFL-së, Kelce dhe vëllain e tij Jason, një ish-lojtar i NFL-së, në podkastin e tyre “New Heights”.

“The Life Of A Showgirl” është albumi i parë i Swift që kur ajo njoftoi se kishte rifituar kontrollin mbi katalogun e saj të mëparshëm dhe kishte blerë të drejtat për të gjitha filmat e koncerteve, videoklipet muzikore, kopertinën e albumeve dhe fotografinë si dhe këngët e saj të papublikuara.

Ylli amerikan i muzikës pop ka riregjistruar gjashtë albumet e saj të para dhe i ka publikuar ato si “Taylor’s Version”, pas një mosmarrëveshjeje me menaxherin e talenteve në pension, Scooter Braun.

Swift ka publikuar versione të reja të “Fearless” (2008), “Red” (2012), “Speak Now” (2010) dhe “1989” (2014).

Albumi i saj i 12-të vjen pas albumit të vitit 2024 “The Tortured Poets Department” dhe vjen pas përfundimit të turneut në dhjetor.

Ajo bëri histori verën e kaluar kur turneu u bë më fitimprurës i të gjitha kohërave dhe Swift u bë artistja e parë solo që performoi në stadiumin “Wembley” të Londrës tetë herë në një turne të vetëm./ /os/

The post MUZIKË – Taylor Swift në albumin e saj të 12-të “The Life Of A Showgirl” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”Corriere della sera”: Çmimet e kripura po largojnë turistët nga plazhet italiane

12 August 2025 at 22:07

ROMË, 12 gusht /ATSH/ – Unioni Italian i Resorteve (SIB) ka raportuar një rënie të frekuentimit të plazheve nga turistët prej rreth 15%, shkruan Serena Palumbo për gayetën më të madhe italiane ”Corriere della sera”.

Arsyet? Nga më të shumtat.

Pushimet janë bërë për italianët më të shtrenjta, po ashtu edhe resortet me ofertat e tyre.

”Duhet të dini të drejtat tuaja. Mund të sillni ushqimin tuaj nga shtëpia për të amortizuar sadopak shpenzimet”, deklaron deklaron kreu i Unionit, Massimiliano Dona, avokat dhe president i Unionit Kombëtar të Konsumatorëve (UNC).

”Kostot mbeten përgjegjësi e menaxherëve dhe pronarëve të tyre. Por, unë u them konsumatorëve: ka diçka për çdo buxhet, bëni zgjedhjen tuaj”, shton Massimiliano, i ndjekur gjerësisht në mediat sociale ku ai tregon çmimet e larta dhe problemin e plazheve bosh në shumë resorte italiane.

Të dhënat janë ende të përkohshme.

Sezoni – veçanërisht me gushtin – është në kulmin e tij, por Unioni Italian i Resorteve ka treguar tashmë një rënie mesatare të frekuentimit të resorteve në plazh prej rreth 15%.

Por, kulmi arrin në 25% në Kalabri dhe Emilia-Romagna.

”Arsyeja, ndër shumë të tjera, është edhe inflacioni që konsumatorët janë detyruar të durojnë që nga pandemia”, shpjegon avokati.

”Njerëzit janë të lodhur duke shpenzuar dyfishin e çmimit të viteve të kaluara për të marrë të njëjtat shërbime si gjithmonë. Kjo situatë ka tradhtuar marrëdhënien e besimit që dikur ishte krijuar me pronarët e resorteve në plazh, gjë që i ndihmoi ata të ktheheshin në të njëjtin vend vit pas viti. Sot, pronarët na duken si të paepur: ata kujdesen më shumë për fitimin sesa për shërbimin ndaj klientit. Por, edhe faktorë të tjerë sigurisht që kontribuojnë janë edhe zakonet e pushuesve që kanë ndryshuar”, thekson Dona.

“Edhe në atë rastin e ushqimeve dhe pijeve, ka pak që mund të bësh nëse një shishe ujë në barin e resortit në plazh kushton më shumë. Por, ka një gjë që mund të bësh për këtë: mundësinë e sjelljes së ushqimit nga jashtë … një mundësi që, në realitet, shumë e ndalojnë. Pikërisht. Le të sqarojmë dhe, mbi të gjitha, të informojmë konsumatorët për të drejtat e tyre: çdo ndalim që pengon sjelljen e ushqimit ose pijeve në plazh është i paligjshëm. Dhe, nëse vendosen tabela, ato nuk kanë fuqi ligjore”, thekson ai.

“Lajmet e fundit në Kampania kanë përfshirë edhe kontrollin e çantave, hedhjen e pjatave me makarona të ftohta në koshin e plehrave dhe madje edhe vjedhjen e shisheve të foshnjave nga nënat. Nuk e di nëse këto janë histori të ekzagjeruara apo jo, por është e rëndësishme të sqarohet se vetëm forcat e rendit mund të na kontrollojnë, të kontrollojnë çantat tona të shpinës dhe të konfiskojnë sende, pa lejen tonë”, thekson ai.

”Të jemi të qartë: lokalet nuk mund të vendosin se ku hamë dhe çfarë”, shton ai./  /os/

The post ”Corriere della sera”: Çmimet e kripura po largojnë turistët nga plazhet italiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: Uria në Gaza e paparanueshme, Izraeli të zhbllokojë aksesin për OJQ-të

12 August 2025 at 21:33

BRUKSEL, 12 korrik /ATSH-ANSA/ – I bëjmë thirrje qeverisë izraelite të lejojë të gjitha dërgesat e ndihmës nga OJQ-të ndërkombëtare dhe të lejojë punonjësit humanitarë të kryejnë aktivitetet e tyre, deklaroi përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas.

”Duhet të merren masa të menjëhershme, të përhershme dhe konkrete për të lehtësuar aksesin e sigurt dhe në shkallë të gjerë për Kombet e Bashkuara, OJQ-të ndërkombëtare dhe partnerët humanitarë”, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga disa vende të BE-së dhe vende joanëtare të BE-së si Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Japonia.

“Uria në Gaza po përhapet para syve tanë”, vazhdon deklarata.

“Vuajtjet humanitare në Gaza kanë arritur nivele të paimagjinueshme. Uria po përhapet para syve tanë. Nevojiten veprime urgjente për të ndaluar dhe përmbysur trendin e urisë. Hapësira humanitare duhet të mbrohet dhe ndihma nuk duhet të politizohet kurrë”, thuhet në deklaratë.

”Të gjitha kalimet dhe rrugët e komunikimit duhet të përdoren për të lejuar rrjedhën e ndihmës në Gaza, duke përfshirë ushqimin, furnizimet me ushqim, strehimin, karburantin, ujin e pijshëm, ilaçet dhe pajisjet mjekësore. Forca vdekjeprurëse nuk duhet të përdoret në vendet e shpërndarjes dhe civilët, punonjësit e ndihmës dhe personeli mjekësor duhet të mbrohen. Jemi mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara, Katarit dhe Egjiptit për përpjekjet e tyre për të promovuar një armëpushim dhe për të ndjekur paqen. Ne kemi nevojë për një armëpushim që i jep fund luftës, në mënyrë që pengjet të lirohen dhe ndihma të mund të hyjë në Gaza nga toka pa pengesa”, përfundon deklarata./  /os/

The post BRUKSEL – Kallas: Uria në Gaza e paparanueshme, Izraeli të zhbllokojë aksesin për OJQ-të appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situatë e rënduar në Gramsh, zjarri përfshin edhe fshatin Kodovjat, nis evakuimi i banorëve

By: Elva
12 August 2025 at 23:00

Situata me zjarret në Gramsh vijon të jetë shumë serioze. Një vatër e re është raportuar në fshatin Kodovjat, duke e bërë atë fshatin e gjashtë që përfshihet nga flakët në këtë zonë. Për shkak të rrezikut, ka nisur evakuimi i banorëve. Në Kullollas, ku është raportuar edhe një humbje jete, banorët janë larguar nga […]

The post Situatë e rënduar në Gramsh, zjarri përfshin edhe fshatin Kodovjat, nis evakuimi i banorëve appeared first on BoldNews.al.

“Nuk doja të ikja”, flet nga spitali banori i Skënderbegasit: Është djegur çdo gjë

By: Elva
12 August 2025 at 22:18

Zjarret në Gramsh kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe një situatë kritike për banorët. Një prej tyre, nga fshati Skënderbegas, për pak sa nuk humbi jetën teksa përpiqej të shpëtonte banesën dhe bagëtitë e tij, duke refuzuar të largohej pavarësisht rrezikut. Ai u nxor në kohë nga banesa dhe aktualisht ndodhet në spital pasi ka […]

The post “Nuk doja të ikja”, flet nga spitali banori i Skënderbegasit: Është djegur çdo gjë appeared first on BoldNews.al.

Njëmbëdhjetë vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në Kosovë

12 August 2025 at 22:35

Agjencia për Menaxhim Emergjent në Kosovë ka bërë të ditur se në 12 orët e fundit janë regjistruar 72 vatra zjarri dhe prej tyre 11 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 61 të tjerë janë lokalizuar.

“Situata më e rënduar është paraqitur në Komunën e Kamenicës, në fshatin Tugjevc dhe fshatin Gmicë”, ka thënë agjencia përmes një postimi në Facebook.

Ajo ka thënë se për ta shuar zjarrin në fshatin Gmicë e ka kërkuar edhe ndihmën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kosova dhe gjithë rajoni i Ballkanit po përballen me temperatura rreth 40 gradë Celsius këtë javë. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka rekomanduar institucioneve publike dhe private që t’i zbatojnë masat për mbrojtjen e punëtorëve nga i nxehti i madh.

“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht te grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta”, është thënë në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Një ekip i Radios Evropa e Lirë e ka vizituar të martën fshatin Kçiq në Mitrovicë për t’i parë nga afër dëmet që i kanë shkaktuar zjarret në atë zonë.

Disa banorë janë shprehur shumë të shqetësuar, duke thënë se kanë humbur gjithçka që kanë pasur.

Situatë e rënduar me zjarre është edhe në vendet fqinje.

Në Mal të Zi është raportuar për një ushtar të vdekur dhe një tjetër të plagosur si pasojë e përmbysjes së një autocisterne që po përdorej për t’i shuar zjarret në rajonin Kuça afër Podgoricës, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes.

Sipas autoriteteve, ushtria, në bashkëpunim me autoritetet, është duke kryer hetime lidhur me incidentin.

Shkencëtarët për klimën kanë thënë disa herë se disa dekada të nxjerrjes së gazrave serrë në atmosferë, kanë ndikuar në rritje të temperaturave globale.

Bota është ngrohur për 1.1 gradë Celsius në krahasim me epokën industriale, ndërsa shtetet synojnë që ta mbajë atë nën 1.5 gradë Celsius, për të shmangur katastrofa të mëdha natyrore./REL/

Samiti Trump-Putin, Zelensky përjashton mundësinë e lëshimit të rajonit të Donbasit

12 August 2025 at 22:12

Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina do të refuzojë çdo propozim rus për të hequr dorë nga rajoni i Donbasit në këmbim të një armëpushimi, duke paralajmëruar se kjo mund të përdoret si trampolinë për sulme të ardhshme.

Zelensky foli përpara një takimi që pritet të mbahet mes Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në Alaska të premten.

Gjithashtu presidenti ukrainas deklaroi se Moska po përgatiste ofensiva të reja në tre pjesë të frontit zonat Zaporizhzhia, Pokrovsk dhe Novopavlov.

Trump ka këmbëngulur se çdo marrëveshje paqeje do të përfshijë “një shkëmbim territoresh” dhe mund ta shohë Rusinë duke marrë të gjithë rajonin lindor të Donbasit dhe duke mbajtur Krimenë.

/abcnews.al/

 

SHBA/ Dronët “postierë”, mjete transporti për dërgesa

12 August 2025 at 21:35

Nëse kishit menduar se Inteligjenca Artificiale mund të na marrë vendet e punës, bëhuni gati për një tjetër konkurrent që na vjen nga zhvillimi I teknologjisë.

Në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm dërgesat me dronë, duke zëvendësuar në disa raste transportin me mjete të tjera.

Dërgesat me dronë janë aq të shpejta sa mund të transportojë një akullore në oborrin e një klienti përpara se të shkrihet.

Edhe pse janë përballur me pengesa të ndryshme, dërgesat me dronë në SHBA mund të rriten në numër. Këtë muaj, Administrata Federale e Aviacionit propozoi një rregull të ri që do ta bënte më të lehtë për kompanitë të përdorin dronë në distanca më të gjata larg shikimit të operatorit. Disa kompani e bëjnë këtë aktualisht, por atyre iu duhet të marrin një përjashtim nga qeveria, i cili është një proces i vështirë.

Kompanitë që e kanë testuar transportin me dronë pritet ta kenë zgjeruar shërbimin deri në verën e ardhshme.

Dronët ndryshojnë sipas kompanisë, por në përgjithësi, pasi porosia lidhet në mjet, droni gjen automatikisht një rrugë që shmang pengesat. Pilotët e dronëve vëzhgojnë ndërsa dronët fluturojnë drejt vendndodhjes së tyre dhe e ulin porosinë duke përdorur litarë.

Megjithatë dronët mund ta kenë të vështirë të fluturojnë në disa kushte moti. Disa prej tyre mund të fluturojnë në shi të lehtë, por në kushte të tjera, transporti bëhet tejet i vështirë.

Shume janë të shqetësuar se kjo lloj metode mund të zëvendësojë shoferët e shpërndarjes, por megjithatë kjo duket e largët. Së pari dronët nuk janë të përshtatshëm për shumë shpërndarje dhe mund të mbajnë sasi të kufizuara peshe.

/abcnews.al/

Irani arrestoi 21 mijë persona gjatë luftës kundër Izraelit në qershor

By: M C
12 August 2025 at 22:43

Policia iraniane ka njoftuar se i ka ndaluar rreth 21.000 persona për shkelje të dyshuara të sigurisë gjatë luftës 12-ditore me Izraelin, që është zhvilluar në qershor – shifër shumë më e lartë sesa vlerësimet zyrtare të publikuara më herët.

Zëdhënësi i policisë, Saeed Montazerolmehdi, tha më 12 gusht se informacionet e marra nga qytetarët kanë luajtur rol të rëndësishëm në arrestime. Nuk dihet sa prej tyre vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Në mesin e të ndaluarve janë edhe 2.774 shtetas të huaj të akuzuar për spiunazh. Autoritetet thanë se në telefonat e tyre janë gjetur dëshmi për aktivitete të dyshimta, si fotografi të pozicioneve ushtarake dhe objekteve kyç, si dhe të dhëna për vendndodhjen e transmetuar. Edhe 261 persona të tjerë dyshohen për spiunazh, ndërsa 172 janë arrestuar për xhirime të paautorizuara.

Ky njoftim bie ndesh me deklaratat e fundit të shefit të gjyqësorit, Gholam Hossein Mohseni-Ejei, i cili kishte raportuar për 2.000 arrestime gjatë dhe pas konfliktit, duke theksuar se shumë prej tyre ishin liruar pasi hetimet nuk kishin gjetur prova për spiunazh ose bashkëpunim me Izraelin.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim për masat e marra ndaj të dyshuarve. Agjencia e lajmeve HRANA, me seli në SHBA, ka dokumentuar qindra arrestime gjatë konfliktit, shpesh ndaj pakicave etnike dhe aktivistëve. Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International ka dënuar rritjen e ekzekutimeve në Iran pas luftës, duke paralajmëruar për tortura, gjykime të padrejta dhe vrasje arbitrare.

Që nga fundi i qershorit, Irani i ka ekzekutuar të paktën shtatë persona të akuzuar për spiunazh për Izraelin, përfshirë shkencëtarin bërthamor Rouzbeh Vadi. Vadi, i arrestuar mbi një vit më herët, akuzohej se kishte dhënë informacione të ndjeshme që i kishin ndihmuar operacionet izraelite.

Autoritetet iraniane shprehin shqetësim për depërtimin e thellë të shërbimit izraelit të inteligjencës Mossad, i cili, sipas tyre, ka mundësuar operacione të rënda ushtarake e të inteligjencës brenda vendit.

Në qershor, parlamenti miratoi një ligj për rritjen e ndjeshme të dënimeve për spiunazh dhe bashkëpunim me qeveri të huaja armiqësore, veçanërisht Izraelin. Edhe pse Këshilli i Gardës e rrëzoi ligjin, një zëdhënës i këtij organi tha se, me disa ndryshime, ai mund të miratohet./ REL

The post Irani arrestoi 21 mijë persona gjatë luftës kundër Izraelit në qershor appeared first on Albeu.com.

Netanyahu paralajmëron ofensivë të re në Gaza: Nuk ka armëpushim me Hamasin, banorët mund të largohen

By: M C
12 August 2025 at 22:32

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se shpresat për një armëpushim të pjesshëm dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve nga grupi Hamas kanë përfunduar.

Në një intervistë për televizionin i24, të cituar nga Times of Israel, Netanyahu përmendi edhe deklaratën e Presidentit amerikan Donald Trump, sipas të cilit Hamasi nuk është i gatshëm për një marrëveshje.

“E dëgjuat Presidentin Trump,” tha Netanyahu kur u pyet nëse armëpushimi dhe lirimi i pengjeve mbeten ende një mundësi. “Mendoj se është pas nesh. Kemi bërë gjithçka. Na është bërë e qartë se ata thjesht po na mashtrojnë. Shumë pengje, të vdekur dhe të gjallë, do të mbeten në duart e tyre.” Ai shtoi se dëshiron të gjithë pengjet, “si të gjallët ashtu edhe të rënët”.

Netanyahu njoftoi gjithashtu se Izraeli do t’u lejojë banorëve të Rripit të Gazës të largohen nëse dëshirojnë, duke përmendur se kjo është një praktikë që është ndjekur edhe gjatë konflikteve të tjera në Siri, Ukrainë dhe Afganistan. Ai i bëri thirrje vendeve të tjera që duan të ndihmojnë palestinezët t’u “hapin dyert e tyre” për t’u strehuar.

Ndërkohë, ushtria izraelite përgatit një ofensivë më të gjerë në territor, duke shtuar tensionet në rajon.

Në të njëjtën intervistë, Netanyahu foli për përkushtimin e tij ndaj një “misioni historik dhe shpirtëror” dhe vizionin e tij për “Izraelin e Madh” — një koncept që përfshin territore të ndryshme, përfshirë një shtet të ardhshëm palestinez dhe zona aktualisht pjesë e Jordanisë dhe Egjiptit. Ky term u përdor pas Luftës Gjashtëditore të vitit 1967 dhe ka ngjallur diskutime të shumta politike dhe ndërkombëtare.

Situata në Rripin e Gazës mbetet shumë e tensionuar, ndërsa Izraeli dhe grupet palestineze janë në një fazë kritike të konfliktit që po godet rëndë civilët në të dyja palët.

The post Netanyahu paralajmëron ofensivë të re në Gaza: Nuk ka armëpushim me Hamasin, banorët mund të largohen appeared first on Albeu.com.

Evakuimi i banorëve nga fshatrat e Gramshit pasi flakët dolën nga kontrolli, 32 familje akomodohen në konviktin e qytetit

By: M C
12 August 2025 at 22:03

Familjet e evakuuara nga fshatrat e Njësisë Administrative Skënderbegas të Gramshit, kanë mbërritur në ambientet e konviktit të qytetit, ku janë marrë masa për akomodimin e tyre.

Korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku bën me dije se po ashtu po bëhen gati hotelet e zonës për të akomoduar njerëzit e prekur.

Tajar Bici, nënkryetar i Bashkisë Gramsh bëri me dije se kanë siguruar 120 shtretër nga konvikti dhe bizneset. Deri tanin janë 32 persona të regjistruar për t’u akomoduar në konvikt.

Pop ashtu janë marrë masa për ushqime. Aktualisht janë evakuuar drejt qytetit 32 banorë, ndërsa pjesa tjetër qëndrojnë përreth zonave për të shuar flakët, duke shpresuar deri në momentin e fundit.

Dy fshatrat Shëmbërdhenj dhe Bletas janë shkrumbuar plotësisht banesat. Ndërkohë rrezikohen fshatrat Harunas, Nartë, Shelcan, Bulçar, Snisëm, Sojnik, Probat dhe Grabova e Poshtme.

Kujtojmë se situata me zjarrin në disa fshatra të Gramshit është serioze, ndërsa një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të lënduar.

The post Evakuimi i banorëve nga fshatrat e Gramshit pasi flakët dolën nga kontrolli, 32 familje akomodohen në konviktin e qytetit appeared first on Albeu.com.

❌
❌