Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 August 2025Main stream

Një muaj paraburgim për Sinisha Spasiq, dyshohet për vrasje dhe dhunim seksual të civilëve gjatë luftës në Vushtrri

19 August 2025 at 14:54

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit, Sinisha Spasiqit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.S., pasi ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 06.04.1999, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i pandehuri S.S. me pjesëtarë të tjerë të uniformuar, me uniforma të policisë dhe ushtrisë së Serbisë në fshatin Reznik të Vushtrrisë gjatë një aksioni mirë të organizuar kishin plaçkitur e djegur shtëpi dhe kishin vrarë civil të paarmatosur dhe atë I.U., M.U. me bashkëshortet, po ashtu B.U., F.U., S.U. dhe F.U., gjatë ditës kritike ishin vrarë edhe T.U. me bashkëshorten H.U., ndërsa pas plaçkitjes së parave, e kishin marr me dhunë viktimën B. e kishin dërguar në katin e dytë të shtëpisë, ku fillimisht e kishin rrahur, maltretuar dhe dhunuar seksualisht njëri pas tjetrit, me ç’rast i kishin shkaktuar të njëjtës lëndime të rënda trupore”, thuhet mes tjerash në njoftimin e bërë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Gjykata vlerësoj se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë dhe komplekse, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S.S. nëse gjendet në liri, mund të arratiset duke pasur parasysh faktin se është shtetas i Serbisë, andaj ka gjasa reale se mund të arratiset dhe i njëjti mund të jetë i pa arritshëm për fazat tjera të procedurës penale.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/

 

 

The post Një muaj paraburgim për Sinisha Spasiq, dyshohet për vrasje dhe dhunim seksual të civilëve gjatë luftës në Vushtrri appeared first on Telegrafi.

U kapën në flagrancë duke luajtur bixhoz në Isniq të Deçanit, Gjykata cakton masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarit

19 August 2025 at 12:47

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendimin lidhur me 13 të pandehurit, të cilët u kapën në flagrancë duke luajtur bixhoz në fshatin Isniq të Deçanit, gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Pejë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Agnesa Zeqiraj-Çetaj.

“Lidhur me vendimin e marrë dje nga gjykata, për 12 të pandehurit është caktuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj, nga data 17.08.2025 deri më 17.09.2025, për dyshimin e bazuar për veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” sipas nenit 294 të KPRK-së, të lidhura me nenin 77 dhe 31. Ndërsa ndaj të pandehurit të 13 është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor për një muaj, nga data 17.08.2025 deri më 17.09.2025, për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas nenit 366 të KPRK-së”, deklaroi ajo.

Ndryshe, 13 persona u arrestuan të dielën në Isniq të Deçanit gjatë një aksioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë.

Gjatë këtij aksioni, autoritetet sekuestruan rreth 17 mijë euro, një armë zjarri, shufra metalike, thika, si dhe prova materiale shtesë që lidhen me veprën penale të dyshuar. /Telegrafi/

The post U kapën në flagrancë duke luajtur bixhoz në Isniq të Deçanit, Gjykata cakton masën e arrestit shtëpiak për të dyshuarit appeared first on Telegrafi.

Top Kolshi më 2024 ishte dënuar me 800 euro për akuzën se e goditi me gyp plastike Enver Bajraktarin, të cilin një vit pas dyshohet se e vrau dhe e groposi

19 August 2025 at 10:49

Top Kolshi i cili po dyshohet për vrasjen dhe groposjen e tani të ndjerit Enver Bajraktari, në vitin 2024 ishte dënuar nga Gjykata në Lipjan me 800 euro gjobë për akuzën se më 25 gusht 2022 në Baicë të Lipjanit i kishte shkaktuar lëndime trupore Bajraktarit, duke e goditur me gyp plastike.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të marrë më 8 tetor 2024, në të cilin thuhet se Kolshi u shpall fajtor dhe u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me 800 euro gjobë.

Sipas vendimit, më 25 gusht 2022 në fshatin Baicë, Komuna Lipjan, pas një mosmarrëveshje paraprake mes Top Kolshit dhe tani viktimës Enver Bajraktari, Kolshi e godet me gyp plastike në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit.

“Me datë 25.08.2022, rreth orës 08:30 në fshatin B. në L., pas një mosmarrëveshje paraprake që kishin ndërmjet veti, i pandehuri T. K., me dashje dhe qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore e godet të

dëmtuarin E. B., me gyp të plastikës në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, mjet ky i rrezikshëm që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit”, thuhet në këtë vendim.

Në vendim thuhet se Kolshi më pas e kishte goditur Bajraktarin edhe me shuplakë, duke i shkaktuar skuqje dhe ënjte të lehtë.

“…i dëmtuari si rezultat i goditjeve ka pësuar skuqje dhe ajtje të lehtë, gjakderdhje nën lëkurore në krah, 3 hematoma në shpinë, 5 hematoma në vithe, 3 hematoma në këmbën e majtë, 2 hematoma në kokë si dhe skuqje dhe gërvishtje e veshit të djathtë, lëndime këto të shkaktuara nga goditja me mjet të fortë mbretës, që si të tilla, paraqesin DËMTIME TË LEHTA TRUPORE me pasoja të përkohshme të shëndetit”, thuhet në vendim.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, Top Kolshi ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjithnjë sipas vendimit, Kolshi në shqyrtim fillestar kishte pranuar fajësinë, ishte shprehur i penduar dhe i kishte premtuar Gjykatës se nuk do t’i përsërisë ato veprime. Kishte thënë se është pajtuar me tani të ndjerin Bajraktari.

“Në shqyrtimin fillestar i pandehuri ka deklaruar se e ndin veten fajtor dhe e pranon fajësinë me vullnetin e tij, pa presion, me vetëdije të plote. Eshte shprehur i penduar, i vjen keq qe është ne gjykate, pas dy tri dite ka deklaruar se është pajtuar me Enverin dhe me familjen e tij. Gjykatës i ka premtuar se nuk e perserit me këtë vepër penale dhe nuk e ka perseritur dhe është duke punuar ne bujqesi per familje si dhe per veten. I ka premtuar gjykates se kjo nuk do te ndodhe më”, thuhet në atë vendim.

Për pranimin e fajësisë, në vendim thuhet se ishte pajtuar edhe avokati i Kolshit, Halim Shala, duke e lutur gjykatën që me rastin e sanksionit penal të ketë parasysh gjendjen ekonomike të të akuzuarit, pajtimin me palën e dëmtuar dhe premtimin që në të ardhmen nuk do të përsërisë veprime të tilla të cilat bien ndesh me ligjin.

Kurse, prokurorja e shtetit, Nebahate Salihu nuk e kishte kundërshtuar pranimin e fajësisë, duke propozuar që Kolshi të shpallet fajtor dhe të marrë dënimin e merituar, si dhe ka propozuar që me rastin e matjes së dënimit si rrethanë lehtësuse të marrë pranimin e fajësisë, ndërsa si rrethanë rënduese shkallën e lartë të dashjes për kryerjen e veprës penale.

Më pas, Gjykata kishte aprovuar pranimin e fajësisë të bërë nga Kolshi, duke e dënuar me 6 muaj burgim e që me pëlqimin e vetë të akuzuarit dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me 800 euro gjobë. Aty përmendet që Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit mori parasysh edhe faktin se i akuzuari ka qenë i dënuar edhe më parë.

Më pak se një vit pas këtij dënim, Top Kolshi dyshohet se ka vrarë dhe groposur personin të cilit akuzohej se i kishte shkaktuar lëndime trupore, Enver Bajraktarit, duke e vrarë dhe groposur në Baicë të Lipjanit mes datave 3 dhe 4 gusht 2025.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar më 18 gusht mbi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit në rastin ky dyshohet se Kolshi ka vrarë dhe pastaj groposur Bajraktarin në fshatin Baicë. Në seancë dëgjimore, ai kishte deklaruar se është penduar, nuk kishte qëllim që ta vriste viktimën dhe se viktima kishte qenë në pronën e tij dhe e kishte sulmuar në pronën e tij.

The post Top Kolshi më 2024 ishte dënuar me 800 euro për akuzën se e goditi me gyp plastike Enver Bajraktarin, të cilin një vit pas dyshohet se e vrau dhe e groposi appeared first on Telegrafi.

Shoqata e Transportit të Autobusëve Prishtinë–Podujevë proteston para Komunës

19 August 2025 at 10:36

Qytetarët dhe shoferët e autobusëve nga Podujeva kanë kundërshtuar vendimin e Komunës së Prishtinës për ndalimin e kthimit të autobusëve në zonën pranë Xhamisë së Llapit. Masa u ndërmor nga Komuna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me arsyetimin se disa operatorë të transportit po tentojnë të anashkalojnë Stacionin e Autobusëve të Prishtinës.

Për këtë arsye, Shoqata Transportuese të Autobusëve Prishtinë-Podujevë sot kanë protestuar para Komunës së Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar dje zbatimin e marrëveshjes për qarkullimin e autobusëve ndërurbanë, që përfshin edhe linjat nga Podujeva, duke ndaluar ndalesat e paautorizuara brenda qytetit.

Por ky vendim ka nxitur reagime nga udhëtarët llapjanë, të cilët e konsiderojnë të padrejtë dhe të rrezikshëm për sigurinë e tyre.

Para Komunës së Prishtinës, qytetarja Antigona Jakupi tha se vendimi për ndalimin e kthimit të autobusëve po rrezikon sigurinë e udhëtarëve.

Jakupi potencoi se Komuna duhet të gjejë një zgjidhje praktike për udhëtarët, pasi situata aktuale po u krijon vështirësi të mëdha.

“Podujeva frekuenton shumë banorë…Qytetarët llapjan kanë biznese në Podujevë, udhëtojnë çdo ditë e frekuentojnë atë rrugë. Është shumë rrezik nuk e di a keni qenë, a e keni parasysh çfarë rruge është ku presim te shkolla ‘Modeli’. Nuk e lënë të parkohet autobusi, duhet me dalë në semafor, rrezikohet jeta e qytetarit, është shkollë publike aty rrezikohet jeta e nxënësve, e mësimdhënësve. Komuna duhet të bëjë një zgjidhje për neve. Duhet marrë parasysh kushtet për qytetarët, asnjë nuk e kanë lehtë, as pronarët e autobusëve. Unë udhëtoj çdo ditë më taksi, e di cfarë neglizhence u bëhet këtyre. Rrezikojnë jetën e qytetarit, rrezikojnë punën e vet. Nuk është faji i tyre, plotësisht janë të pafajshëm këta (shoferër e autobusëve)”, tha Jakupi.

Edhe Nazmije Hajrullahu e cilësoi vendimin e Komunës si të padrejtë dhe të papranueshëm për qytetarët e Podujevës.

Sipas saj, kjo është një poshtërsi e madhe.

“Kjo është poshtërsi e madhe…Na bënë të padrejtë. Nuk lejon as me biletë, thonë të sillemi ne prej Podujevës 1 orë e gjysmë edhe 40 minuta deri në stacion, edhe me ardhë edhe aty bënë një orë, derisa të shkon në punë 5 orë bënë. Kjo është tmerr. Për neve shumë keq na kanë bërë. Nuk po e kuptoj. Kjo ka ekzistuar prej që është Podujeva e Prishtina, kjo s’ka qenë e ndaluar kurrë. Shumë keq”, tha Hajrullahu.

Kryetari i Shoqatës Transportuese të Autobusëve Prishtinë-Podujevë, Beqir Mustafa tha se janë dënuar nga 500 euro nga Inspektorati i Komunës.

Ai potencoi se shoferët nuk do të rikthehen në punë deri në realizimin e kërkesave të tyre.

“Ne jemi dalë me iu përmbajtë rendit të udhëtimit që e kemi të vërtetuar nga ministria. Na kanë ndalë inspektorët na kanë dënuar nga 500 euro. Na kanë marr tabelat ne i kemi autobusët aty ku na kanë ndërpre. Nuk punojmë deri në realizim të pikave të tona që i kemi kërkuar prej tyre. Me respektu rendin e udhëtimit që e kemi nga ministria atëherë do të punojmë. Na ka vendosur në atë rrugën e Zagrebit, është hekurudha duhet me karrocat gratë që vijnë me fëmijët. Plus ai Luftaro i ka vendosr mbrojtëset aty thoshte ka me betonu rrugën. I ka vendosë edhe te ura e hekurit atje lartë. Jemi marrë vesh me i largu taksitë, jeni hi andej, këta nuk i kanë larguar taksistët… Ne nuk do të tërhiqemi deri në realizim të kërkesës sonë. Nuk i kanë mbajtë kushtet as një”, tha ai./kp/

The post Shoqata e Transportit të Autobusëve Prishtinë–Podujevë proteston para Komunës appeared first on Telegrafi.

Aksidenti me fatalitet në rrugën Prishtinë–Pejë, viktimat janë një çift bashkëshortor nga Drenasi

19 August 2025 at 08:45

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të hënën në mbrëmje në rrugën Prishtinë – Pejë, më saktësisht në Llapushnik. Në aksident kanë mbetur të vdekur të vdekur një çift bashkëshortor, ndërsa i lënduar ka mbetur djali i tyre, 19 vjeçar.

Çifti bashkëshortor që kanë humbur jetën janë nga Drenasi, ku për këtë një telegram ngushëllimi e ka bërë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, transmeton Telegrafi.

Në telegram thuhet se kryetari i Komunës së Drenasit,  Ramiz Lladrovci, me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për tragjedinë e ndodhur mbrëmë në Llapushnik, ku humbën jetën bashkëshortët Shemsi dhe Ajshe Gashi, ndërsa është lënduar djali i tyre, Fatlumi.

“Kryetari Lladrovci i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, duke u dëshiruar forcë dhe durim në përballimin e kësaj dhimbjeje të madhe. Po ashtu, të lënduarit Fatlum Gashit i ka uruar shërim të shpejtë dhe shëndet të plotë. Ngushëllime të sinqerta”, thuhet në telegram.

Për aksidentin me fatalitet, policia njoftoi se kanë qenë të përfshira dy vetura, dhe njëra ishte me targa të huaja.

“Fsh. Llapushnik / Rr. Nacionale Prishtinë-Pejë 18.08.2025 – 20:50. Ka ndodhur aksident në trafik në të cilin kanë qenë të përfshira dy vetura udhëtarësh njëra me targa vendore dhe tjetra me targa të huaja, me drejtues meshkuj kosovarë. Si pasojë e aksidentit, lëndime vdekjeprurëse kanë pësuar dy viktimat dhe një ka pësuar lëndime. Me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion, ndërsa i lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e policisë.

Ndryshe, numri i aksidenteve në komunikacion është rritur kohëve të fundit. /Telegrafi/

The post Aksidenti me fatalitet në rrugën Prishtinë–Pejë, viktimat janë një çift bashkëshortor nga Drenasi appeared first on Telegrafi.

Kthimi i bashkatdhetarëve, kjo është gjendja në pikat kufitare

19 August 2025 at 08:28

Bashkatdhetarët që kanë kaluar pushimet në Kosovë kanë filluar të kthehen në vendet ku jetojnë dhe veprojnë, dhe si pasojë, në disa pika kufitare janë krijuar kolona të gjata.

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në pikën kufitare të Merdares është raportuar kolonë deri në 700 metra, ndërsa koha e pritjes për të dalë nga Kosova arrin deri në 80 minuta, transmeton Telegrafi.

Kolona janë krijuar edhe në pikën kufitare në Jarinjë, ku qytetarët po presin deri në 25 minuta për dalje.

Ndërkohë, në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, koha e pritjes është më e shkurtër, deri në 15 minuta.

Në pikat e tjera kufitare nuk raportohet për kolona të gjata, dhe qarkullimi është më i lirë. /Telegrafi

The post Kthimi i bashkatdhetarëve, kjo është gjendja në pikat kufitare appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Tahiri: Qeveria e Albin Kurtit po i lë mbi 1,400 biznese pa rrymë, duke rrezikuar mbi 100 mijë familje në Kosovë

16 August 2025 at 12:39

KEDS ka njoftuar se kanë nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve që nuk kanë lidhur marrëveshje me furnizues energjie të licencuar.

Në njoftimin e tyre thuhet se KEDS-i ligjërisht nuk do të mundë të lejojë vazhdimin e furnizimit me energji elektrike për ato kompani që nuk kanë arritur akoma marrëveshje me ndonjërin prej furnizuesve të licencuar nga ZRRE-ja.

E, për këtë ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, duke e quajtur këtë si katastrofë ekonomike, trasnmeton Telegrafi.

“Bizneset po mbyllen, punëtorët po mbesin pa punë! Ky nuk është dështim – është katastrofë kombëtare ekonomike”, ka shkruar ai,

Tutje, ai ka deklaruar se “Qeveria e Albin Kurtit po i lë mbi 1,400 biznese pa rrymë, duke rrezikuar mbi 100 mijë familje në Kosovë”.

“Kjo është tradhti ndaj ekonomisë dhe qytetarëve të vendit”.

Ndryshe, bizneset janë duke kundërshtuar daljen në treg të lirë energjetik, ata kanë kërkur një afat kohor për këtë tranzicion./Telegrafi/

The post Tahiri: Qeveria e Albin Kurtit po i lë mbi 1,400 biznese pa rrymë, duke rrezikuar mbi 100 mijë familje në Kosovë appeared first on Telegrafi.

Hoti kritikon qeverisjen Kurti: Është obligim i secilit prej nesh, të ndalojë rrëshqitjen e Kosovës drejt autokracisë partiake

16 August 2025 at 12:22

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një reagimi publik ka kritikuar qeverisjen Kurti.

Në Facebook, ai ka shkruar se “Gjatë viteve të qeverisjes të LDK-së, kemi pasur mospajtime me shumë akterë publikë e privatë, por gjithmonë kemi vepruar me maturi dhe respekt institucional”.

Ai ka folur për raportet që kanë pasur me RTK-në, transmeton Telegrafi.

“Me RTK-në: Ka pasur raste kur nuk jemi pajtuar me qëndrimet apo sjelljet e tyre. Por asnjëherë nuk i kemi penalizuar me buxhet apo në ndonjë formë tjetër”.

Gjithashtu, edhe për raportet me komunitetin e bizneseve dhe Gjykatën Kushtetuese.

“Me komunitetin e bizneseve: Nuk kemi qenë gjithmonë në një mendim për politikat ekonomike. Megjithatë, asnjëherë nuk i kemi trajtuar si armiq dhe nuk i kemi luftuar. Përkundrazi, kemi insistuar në dialog e komunikim të ngushtë për të sheshuar dallimet. Me Gjykatën Kushtetuese: Ka pasur vendime që koha po tregon se kanë qenë të gabuara, të pabazuara dhe të motivuara. Por askujt në LDK nuk i ka shkuar në mendje të sulmojë Gjykatën. Gjithmonë kemi respektuar vendimet dhe kemi vepruar sipas tyre pa asnjë vonesë”, tha ai.

Tutje, ai ka pohuar se asnjëherë nuk i kanë sulmuar organizatat e shoqërisë civile.

“Me organizatat e shoqërisë civile: Edhe kur nuk jemi pajtuar me agjendat e tyre, asnjëherë nuk i kemi luftuar. Përkundrazi, kemi rritur transparencën dhe kemi intensifikuar komunikimin publik për të arsyetuar politikat tona”.

Hoti ka përmendur edhe raportet me aletatët.

“Me aleatët tanë: Edhe kur kemi pasur mospajtime, kurrë nuk i kemi sharë apo kritikuar në publik. Përkundrazi, kemi forcuar komunikimin për të gjetur mirëkuptim. Kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, kështu duhet të sillet një qeveri normale. Kjo lloj qasje është detyrimi i çdo qeverie. Përndryshe, vendi rrëshqet në autokraci partiake, siç po ndodh sot.
Është obligim i secilit prej nesh, në veçanti i spektrit politik, të ndalojë këtë rrëshqitje të Kosovës drejt autokracisë partiake”./Telegrafi/

 

The post Hoti kritikon qeverisjen Kurti: Është obligim i secilit prej nesh, të ndalojë rrëshqitjen e Kosovës drejt autokracisë partiake appeared first on Telegrafi.

Moti në Shqipëri

16 August 2025 at 08:15

Ditën e shtunë, Shqipëria do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash mesatare e hera-herës deri të dendura kryesisht në relievet malore në verilindje e juglindje, cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët ndërsa në male në formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Era me drejtim juglindje -jugperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e dhe zonat luginore era fiton shpejtësi deri në 8 m/s./Telegrafi/

 

The post Moti në Shqipëri appeared first on Telegrafi.

Komuna e Prishtinës njofton se shtatë shkolla të reja po i bashkohen shërbimit të Kuzhinës Qendrore

15 August 2025 at 14:37

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se shtatë shkolla të reja po i bashkohen shërbimit të Kuzhinës Qendrore të Kryeqytetit.

Në njoftimin e bërë nga Komuna thuhet se kështu do të sigurojnë ushqim të shëndetshëm çdo ditë për rreth 1,850 nxënës, ku mbi 70% janë nga zonat rurale.

“Ky zgjerim është pjesë e një programi të menduar me kujdes dhe të strukturuar profesionalisht, i cili nuk ofron thjesht vakte, por ushqim të balancuar dhe të larmishëm, i përshtatur sipas standardeve ushqimore për fëmijët në moshë shkollore”, thuhet në njoftimin e komunës.

Më tej, thuhet se “programi synon të mbështesë zhvillimin fizik, performancën kognitive dhe energjinë gjatë gjithë ditës së mësimit, duke kontribuar kështu në një përvojë më të plotë dhe të shëndetshme shkollore për çdo nxënës”. /Telegrafi/

The post Komuna e Prishtinës njofton se shtatë shkolla të reja po i bashkohen shërbimit të Kuzhinës Qendrore appeared first on Telegrafi.

Specialja refuzon lirimin e përkohshëm për Veselin, Selimin dhe Krasniqin

15 August 2025 at 12:47

Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ndërsa, Hashim Thaçi nuk kishte parashtruar një kërkesë të tillë.

Kështu ka njoftuar sot Gjykata Speciale përmes një njoftimi të publikuar në web-faqen e tyre zyrtare, transmeton Telegrafi.

“Sikurse ju kemi informuar më parë, pas refuzimit nga Trupi Gjykues të kërkesave të tyre për lirim të përkohshëm, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi i paraqitën apele Panelit të Gjykatës së Apelit. Më 13 gusht 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit i rrëzoi të tre apelet”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Telegrafi/

The post Specialja refuzon lirimin e përkohshëm për Veselin, Selimin dhe Krasniqin appeared first on Telegrafi.

Zjarre të qëllimshme në Fier, Lushnjë dhe Delisufaj – policia arreston tre autorët

15 August 2025 at 12:35

Policia ka arrestuar tre persona gjatë 24 orëve të fundit për zjarrvënie të qëllimshme ndërsa si pasojë e flakëve, janë rrezikuar edhe disa banesa.

Sipas njoftimit zyrtar, personat janë ndaluar në Fier, në Lushnjë, si dhe në fshatin Delisufaj, ku dy prej tyre janë kapur në flagrancë duke ndezur zjarr ndërsa nga flakët është djegur një sipërfaqe toke me bimësi të egër.

Policia ka bërë të ditur edhe dinamikën e ngjarjeve dhe për cilat zjarrvënie konkretisht janë arrestuar këta 3 persona ku njëri prej tyre rezulton me precedent të mëparshëm për zjarrvënie dhe dhunë në familje.

“Është arrestuar F. B., 68 vjeç, banues në lagjen “Bishanak”, Fier pasi ai u kap në flagrancë duke ndezur zjarr përbri argjinaturës së lumit Gjanica. Gjithashtu, dyshohet se ka shkaktuar tri vatra të tjera zjarri në lagjen ku banonte. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër.

Është arrestuar G. H., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, në lagjen “18 Tetori”, për djegien e mbeturinave. Flakët, të cilat janë përhapur deri te ish-fusha e mbetjeve urbane, kanë rrezikuar banesa në këtë zonë.

Është arrestuar N. D., 62 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në afërsi të banesës së tij, për djegien e mbeturinave. Flakët janë përhapur në një territor të konsiderueshëm të fshatit dhe kanë rrezikuar banesa”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

 

The post Zjarre të qëllimshme në Fier, Lushnjë dhe Delisufaj – policia arreston tre autorët appeared first on Telegrafi.

Ngjarje tragjike në Pejë, një person me nevoja të veçanta goditet për vdekje nga kamioni

15 August 2025 at 12:28

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot paradite në qytetin e Pejës, ku një person është goditur për vdekje nga një kamion.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës.

“Rasti ka ndodhur rreth orës 09:40, kur një kamion ka goditur për vdekje një këmbësor, rreth 60 vjeç, në lagjen Dardania, në rrugën ‘Ardian Krasniqi’. Trupi i pajetë, me urdhër të prokurorit, është dërguar për obduksion,” tha ai.

Gashi bëri të ditur se shoferi i kamionit është dorëzuar në polici.

Telegrafi mëson se viktima ishte një person me nevoja të veçanta dhe ishte në karrocë. /Telegrafi/

 

 

The post Ngjarje tragjike në Pejë, një person me nevoja të veçanta goditet për vdekje nga kamioni appeared first on Telegrafi.

Dy javë pa paga, stafi i RTK-së paralajmëron protesta të reja nëse pagat nuk ekzekutohen sot

15 August 2025 at 08:49

Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës ende nuk i kanë marrë pagat për muajin korrik.

Pak ditë më parë, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) protestoi para Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe Presidencës, duke kërkuar që të bëhet transferimi i buxhetit për RTK-në dhe që punëtorët të kompensohen për punën e kryer, transmeton Telegrafi.

Sindikata po ashtu ka paralajmëruar se nëse pagat nuk ekzekutohen ditën e premte, atëherë nga java e ardhshme do të fillojnë me protesta të pandërprera.

“Nëse deri nesër nuk bëhet ekzekutimi i pagave për të gjithë punëtorët e RTK-së, nga fillimi i javës së ardhshme do të fillojmë me protesta të pandërprera në RTK, pa dallim sektori apo pozicioni pune. U bëjmë thirrje për bashkim të gjithë punëtorëve të RTK-së – askush nuk mund të luajë me dinjitetin tonë, me ekzistencën e RTK-së dhe me familjet tona. Kërkesa jonë është e qartë: Pagat menjëherë”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, gazetarët dhe punonjësit e mediumit publik kanë nisur të shprehin hapur pakënaqësitë e tyre për vonesën e pagave, duke theksuar se kjo situatë po ndikon negativisht në punën dhe funksionimin normal të institucionit.

Kërkesa e tyre mbetet e qartë, pagesa sa më e shpejtë për punën e kryer dhe garantimi i financimit të qëndrueshëm për RTK-në.

“45 ditë pa rrogë! Kujt po i konvenon kjo gjendje? Dhe, Cili është qëllimi që, për herë të parë, RTK ka mbetur pa buxhet, ndonëse ekzistojnë praktika që do të mundësonin alokimin e mjeteve menjëherë? E praktikat njihen edhe nga Gjykata Kushtetuese si një formë e drejtë veprimi në situata ngërçi. Paga nuk është shpërblim — është e drejtë dhe obligim ligjor i punëdhënësit ndaj të punësuarit! Prandaj, përgjegjësit aktualë duhet të marrin përgjegjësi tani, kurse secili punonjës ka të drejtë ta kërkojë pagën e vet”, ka shkruar në reagimin e saj Blerta Foniqi Kabashi.

Po ashtu edhe Alban Selimi ka shkruar se është e turpshme ajo që po ndodhë me të punësuarit në RTK.

“Si njeri qe s’i përkas asnjë sindikatë në RTK dhe që ende nuk e ka marrë rrogën e korrikut, deri të hënën do të pres reagimet kolektive dhe do të mbështes çdo iniciativë, në realizimin e njërës nga të drejtat tona elementare – pagesën sipas afatit ligjor për punën e bërë”, ka theksuar ai.

 

Kurse, gazetarja tjetër Fitore Rexhepi ka shkruar “Mjerim! Sot mbi 700 punëtorë të RTK-së janë bërë mish per top”.

Ndërsa, gazetarja Jehona Zhitia, duke iu kundërpërgjigjur zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se nuk është luks të kërkojë pagën, dhe se kjo është e drejtë themelore.

“14 dite pa paga do të thotë 14 ditë me fatura, kredi e familje që presin. Në vend të kritikës ndaj mbi 700 punëtorëve të RTK-së do të ishte më e rrugës të kritikohej vonesa që po cenon jetesën e tyre. Moszgjidhja e financimit të mediumit publik që nga themelimi i tij, është përgjegjësi e të gjithë udhëheqësve të shtetit ndër vite”, tha Zhitia.

 

 

The post Dy javë pa paga, stafi i RTK-së paralajmëron protesta të reja nëse pagat nuk ekzekutohen sot appeared first on Telegrafi.

Garë e fortë për Prishtinën, publikohen listat e plota të kandidatëve për Kuvendin Komunal

14 August 2025 at 14:52

Shtatë kandidatë janë në garë për të fituar komunën e Prishtinës.

Kryetari aktual, Përparim Rama (LDK), synon mandatin e tij të dytë. Rama do të përballet me Uran Ismailin nga PDK, Hajrulla Çekun nga LVV, Bekë Berishën nga AAK, Besa Shahinin nga PSD, Merkur Beqiri nga Alternativa si dhe me kandidatin e pavarur Fatmir Selimi.

Krahas kandidatëve për kryetar, subjektet politike kanë bërë të ditura edhe listat e kandidatëve që garojnë për asamble komunale.

LDK, PDK, LVV, AAK, Guxo për Prishtinën, Lidhja për Prishtinën dhe PSD kanë publikuar listat e plota me kandidatët. /Telegrafi/

Lista nga LDK:

Lista nga LVV:

 

Lista nga PDK:

Lista nga AAK:

 

Lista nga PSD:

Lista nga Lidhja e Prishtinës:

Lista nga Guxo për Prishtinën:

The post Garë e fortë për Prishtinën, publikohen listat e plota të kandidatëve për Kuvendin Komunal appeared first on Telegrafi.

KQZ certifikon 19 subjekte politike për zgjedhjet lokale

14 August 2025 at 14:40

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendime të veçanta për certifikimin grupit të dytë me 9 subjekte politike, prej të cilave 4 iniciativa qytetare dhe 5 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 66 kandidatë, prej të cilëve 4 kandidatë për Kryetarë të Komunave dhe 62 për anëtarë të Kuvendeve Komunale, transmeton Telegrafi.

Lista e subjekteve politike dhe numri i kandidatëve të certifikuar në këtë mbledhje (14 gusht 2025) është:

Në mbledhjen e kaluar (12 gusht 2025), KQZ certifikoi grupin e parë prej 10 subjekteve politike (2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur) me gjithsej 64 kandidatë (5 kandidatë për Kryetarë Komune dhe 59 kandidatë për anëtarë të Kuvendeve Komunale).

Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara nga KQZ deri më 14 gusht 2025 është: 19 subjekte politike, prej të cilave 6 iniciativa qytetare dhe 13 kandidatë të pavarur) me gjithsej 130 kandidatë (9 kandidatë për Kryetarë Komune dhe 121 për anëtarë të Kuvendeve Komunale). /Telegrafi/

 

The post KQZ certifikon 19 subjekte politike për zgjedhjet lokale appeared first on Telegrafi.

Ish-kandidati për kryetar të Klinës, Lulzim Dragidella largohet nga LVV

14 August 2025 at 12:33

Ish-kandidati i Lëvizjes për Vetëvendosje për kryetar të Klinës, Lulzim Dragidella ka njoftuar se është larguar nga LVV.

Në një deklaratë publike të bërë në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ky është ndër vendimet më të vështira në jetën e tij politike, transmeton Telegrafi.

Ai gjithashtu ka numëruar disa nga arsyet se pse po largohet nga kjo parti, duke thënë se demokracia e brendshme është zbehur deri në zhdukje.

“Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij”, ka deklaruar ai.

Më poshtë, deklarata e tij e plotë:

Deklaratë publike për dorëheqjen nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

nga Prof. Dr. Dr. Dr. Lulzim Dragidella

Klinë, më 14.08.2025

Pas një procesi të gjatë mendimesh, analizash dhe betejash të brendshme, kam marrë vendimin më të vështirë në jetën time politike:

Të tërhiqem menjëherë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!

Ky vendim nuk ka ardhur si pasojë e një momenti emocional, por si rezultat i një reflektimi të gjatë mbi rrugën time politike, mbi përvojat që kam kaluar dhe mbi realitetin aktual të kësaj lëvizjeje. Unë u bëra pjesë e VETËVENDOSJE-s sepse besoja se ajo përfaqësonte një vizion të qartë për ndryshim shoqëror: drejtësi, barazi, përgjegjësi, solidaritet dhe guxim për t’u përballur me çdo padrejtësi, pa kompromis me parimet.
Por çfarë ka ndryshuar?

Gjatë viteve të fundit, një element themelor që e bëri këtë lëvizje të fuqishme – demokracia e brendshme – është zbehur deri në zhdukje. Sot vendimmarrja ndodh kryesisht në rrethe të ngushta, larg syve dhe mendimeve të shumicës së anëtarëve. Mendimet e ndryshme, që dikur pasuronin debatin, sot shpesh trajtohen si rrezik për unitetin, në vend që të shihen si forcë e tij.

Në terren, sidomos në zona si Klina, kam parë një braktisje të angazhimit real me qytetarët. Struktura lokale shpesh lihet pas dore, njerëzit që japin kohën dhe mundin e tyre injorohen, ndërsa kontributet e sinqerta nuk vlerësohen. Kam parë shokë dhe kolegë që janë zhgënjyer deri në heshtje, sepse zëri i tyre nuk gjen hapësirë.

Shembujt janë të shumtë dhe të dhimbshëm:

Kam propozuar që të organizohen takime të rregullta me bazën në Klinë, ku çdo anëtar të ketë të drejtë të shprehë mendimin e tij – propozim që nuk u mor asnjëherë në shqyrtim. Kam kërkuar transparencë për mënyrën se si shpenzohen mjetet financiare të degës, por nuk mora asnjë raport zyrtar, pavarësisht kërkesave. Kam insistuar që lista e kandidatëve për zgjedhjet lokale të përpilohej me konsensus dhe miratim /votim nga kryesia, por vendimi erdhi i gatshëm nga qendra, pa asnjë konsultim.

Kam parë njerëz të devotshëm, me vite pune vullnetare, që përjashtoheshin nga proceset vendimmarrëse vetëm sepse nuk pajtoheshin me një qëndrim të caktuar. Këto përvoja nuk janë thjesht zhgënjyese – ato e bëjnë të pamundur për mua të vazhdoj të pretendoj se kjo lëvizje funksionon sipas parimeve për të cilat u bashkova.
Përse po largohem?

Po largohem sepse nuk dua të bëhem pjesë e një realiteti që nuk përfaqëson më idealet me të cilat fillova këtë rrugë. Po largohem sepse nuk dua të bëj kompromis me bindjet e mia për hir të pushtetit partiak.

Po largohem sepse dua të jem i ndershëm – me veten time, me punën time dhe me qytetarët që më kanë dhënë besimin e tyre.Nuk largohem nga politika, por nga një strukturë që nuk më lë më hapësirë për të vepruar me ndershmëri dhe transparencë. Udhëtimi im politik nuk mbaron këtu. Përkundrazi – fillon një kapitull i ri, ku do të vazhdoj të punoj për interesin publik, pa u lidhur me interesa të ngushta.

Dua t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugë – kolegët që kanë ndarë me mua ideale dhe përpjekje, qytetarët që më kanë inkurajuar, dhe të gjithë ata që kanë besuar se politika mund të jetë mjet për të bërë mirë. Largohem me kokën lart, pa hidhërim personal, por me një ndjenjë të fortë përgjegjësie për të qëndruar besnik parimeve të mia.

Besoj ende se ndryshimi i vërtetë është i mundur – por ai nuk vjen nga heshtja, as nga bindja e verbër. Ai vjen nga guximi për të thënë të vërtetën dhe për të vepruar ndryshe, edhe kur kjo do të thotë të largohesh nga rruga që dikur mendoje se ishte e vetmja.
Me respekt dhe vendosmëri,
Prof. Dr. Dr. Dr. Lulzim Dragidella

The post Ish-kandidati për kryetar të Klinës, Lulzim Dragidella largohet nga LVV appeared first on Telegrafi.

Bajrami: Data 14 gusht, 700 punëtorë të RTK-së ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik, Prokuroria Speciale të veprojë menjeherë

14 August 2025 at 10:37

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se 700 punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik.

Bajrami thotë se 700 familje po presin nënshkrimin e kryeministrit në detyrë të Albin Kurti, transmeton Telegrafi.

“Sot është data 14 gusht, por 700 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik. 700 familje po presin një nënshkrim nga Albin Kurti, i cili refuzon ta japë, pavarësisht se buxheti i RTK-së është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Bajrami.

Deputetja thekson se kryeministri ka vendosur t’i luftojë punëtorët e RTK-së.

“Për të gjithë ata që nuk e dinë, janë dy komuna: Prishtina dhe Gjilani, të cilave nuk u ka kaluar buxheti asnjëherë në Kuvendin e Kosovës (Prishtinës për shkak të neglizhencës së Hekuran Muratit) dhe Ministria e Financave u ndan çdo muaj 1/12 e buxhetit që e kanë pasur në vitin 2024, ndërsa Albini ka vendosur që t’i luftojë 700 punëtorë të RTK-së me justifikimin banal se Ligji nuk i lejon të ndajnë buxhetin për paga për punëtorët e RTK-së, sepse duhet drita e gjelbër nga Komisioni Parlamentar që nuk ekziston”, shtoi ajo.

Tutje, deputetja e LDK-së pohoi se “Miliona euro ka ndarë qeveria jolegjitime e Albin Kurtit (janë jolegjitim nga data 15 prill kur janë betuar si deputetë), për projekte të dyshimta që askund nuk janë të specifikuara në Ligjin e Buxhetit, por ai ka vendosur t’i luftojë punëtorët e RTK-së, sepse pavarësisht se e kanë kapur bordin dhe menaxhmentin e RTK-së, po vuajnë që s’po mund t’i kontrollojnë të gjithë gazetarët aty”.

“Shihni një situatë të ngjashme në vitin 2021 se si është bërë zgjidhja, shihni vendimin e kryeministrit Hoti, as atëherë s’ka pasur Kuvend të konstituar, por askush nuk ka mbetur pa pagë, askush asnjëherë nuk ka evidentuar asnjë shkelje në vendimin e asaj kohe”, tha Bajrami.

Ajo ndër tjera shtoi se “Pra, siç po e shihni, nuk është Ligji, nuk është mungesa e Kuvendit, është Albin Kurti i cili po i mban peng 700 punëtorë të RTK-së, 700 familje”.

“Kjo nuk është vetëm padrejtësi – është abuzim me pushtetin. Andaj i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të veprojë menjëherë dhe të lirojë institucionet nga uzurpatorë”./Telegrafi/

The post Bajrami: Data 14 gusht, 700 punëtorë të RTK-së ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik, Prokuroria Speciale të veprojë menjeherë appeared first on Telegrafi.

KQZ drejt certifikimit të subjekteve politike pas mbylljes së afatit

14 August 2025 at 08:41

Është përmbyllur afati për aplikim të subjekteve politike dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve që do të garojnë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Elezi tha se “gjatë ditës do të publikohet lista me emrat e të gjitha subjekteve politike që kanë aplikuar për certifikim”.

Gjithashtu, Elezi deklaroi se gjatë ditës së enjte KQZ do të vazhdojë me mbledhjen e radhës për certifikimin e grupit të dytë të subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 12 tetorit dhe listën me kandidatët e tyre.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor./Telegrafi/

The post KQZ drejt certifikimit të subjekteve politike pas mbylljes së afatit appeared first on Telegrafi.

Shpërthen zjarri në fshatin Shirokë të Suharekës

13 August 2025 at 15:00

Zjarri ka shpërthyer në fshatin Shirokë të Suharekës.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj.

“Kujdes me zjarret. Në Shirokë po bëjmë përpjeke në shuarjen e tij. Temperaturat ende janë te larta”, ka shkruar ai.

Kosova është duke u përballur me një valë të madhe zjarresh që po përfshijnë të gjithë territorin e saj, ka bërë të ditur Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME).

Kreu i agjencisë, Genc Metaj, në një konferencë për media, deklaroi se vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar mbi 633 raste të zjarreve, duke e cilësuar situatën si shqetësuese dhe serioze. /Telegrafi/

The post Shpërthen zjarri në fshatin Shirokë të Suharekës appeared first on Telegrafi.

❌
❌