TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Nxënësit e shkollës “Kolë Idromeno” në Shkodër shumë shpejt do të mësojnë në ambiente të reja, sipas të gjitha standardeve bashkëkohore.
Falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ky institucion arsimor po i nënshtrohet një transformimi të plotë, që përfshin rikonstruksionin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, laboratorëve dhe terreneve sportive, rinovimin e instalimeve elektrike, hidraulike, sistemit të kondicionimit, aksesueshmërisë për nxënësit me aftësi ndryshe, si dhe mobilim të ri, të përshtatur me imazhin modern të shkollës.
Punimet po ecin me ritme të shpejta dhe pritet të përfundojnë përpara fillimit të vitit shkollor.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu së bashku me kryetarin e bashkisë Shkodër, Benet Beci inspektuan nga afër punimet në këtë institucion arsimor, teksa nënvizoi angazhimin e qeverisë për të ofruar kushte bashkëkohore në çdo institucion arsimor.
“Shumë shpejt shkolla do të jetë gati për nxënësit dhe mësuesit me klasa moderne, laboratorë të pajisur me teknologji bashkëkohore, terrene sportive, akses për nxënësit me aftësi ndryshe, e ndërtuar sipas të gjitha standardeve europiane”, tha Manastirliu.
Sipas saj, në Shkodër kantieret e ndërtimit të shkollave po ecin shumë mirë.
Ministrja Manastirliu bëri të ditur se “vetëm për infrastrukturën shkollore në Shkodër janë dedikuar 7 milionë euro, ndërsa paralelisht po punojmë ti pajisim shkollat edhe me laboratorë shkencorë dhe inteligjentë, duke u ofruar nxënësve mundësinë të zhvillojnë aftësi digjitale të avancuara”.
“Shkolla “Kolë Idromeno” është pjesë e projektit të SmartLab-eve, pasi fillojmë fazën tjetër ku 654 SmartLab do të investohen për shkollat ku për herë të parë përfshihen edhe gjimnazet ku nxënësit të zhvillojnë potencialin e tyre në drejtim të aftësive digjitale”, theksoi Manastirliu duke shtuar se e meriton Shkodra, e meritojnë qytetarët, e meritojnë mësuesit dhe nxënësit të kenë kushte bashkëkohore.
Kryebashkiaku Beci u shpreh se “sot ka një motiv shumë më të madh për të gjithë këtë brez që po vjen”.
“Jemi shumë entuziastë për mënyrën e punimeve që po kryhen në shkollë”, tha një mësues.
Një tjetër mësuese u shpreh se “ky investim do të jetë edhe një motivim për të gjithë nxënësit dhe stafin pedagogjik të shkollës, për të rritur më lart emrin e gjimnazit “Kolë Idromeno”.
Gjimnazi “Kolë Idromeno” është një nga disa institucione arsimore në qarkun e Shkodrës ku është investuar.
Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë investimet në infrastrukturën arsimit parauniversitar në Shkodër, si rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, shkolla 9-vjeçare dhe e mesme në Bushat, shkolla 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë, kopshti “Tom Alimhilli” në Shkodër, si dhe rikonstruksioni i palestrave në shkollat e mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë, “28 Nëntori” dhe “Tring Smajli” në Shkodër.
Në rang kombëtar, 40 objekte të reja mësimore e sportive, përfshirë 22 shkolla të reja dhe 18 palestra dhe terrene sportive do t’i nënshtrohen procesit të rindërtimit dhe rikonstruksionit.
/k.s//a.f/
The post Punimet në gjimnazin “Kolë Idromeno”, Manastirliu: 7 milionë euro për infrastrukturën shkollore në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.