Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 August 2025Main stream

“Berisha mban në këmbë Metën”, Kthupi: Grupi parlamentar i PL me deputetë të PD! Rada: Një makinacion që e kemi parë

21 August 2025 at 23:47

Juristi Rezart Kthupi në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News, foli për lëvizjen e fundit të Berishës, që i dha tre deputetë Metës, për të formuar grup parlamentar.

Gjatë intervistës, Kthupi tha se grupin parlamentar i Partisë së Lirisë tashmë pritet ta shohim me deputetë të Partisë Demokratike.

Berisha i ka dhënë tre deputetë metës për të formuar grup parlamentar. Ai tha se nuk është një gjëje e jashtëzakonshme dhe thjesht e bën partinë me një peshë parlamentare që ajo nuk do e kishte pa ndihmën e Berishës. Nuk mendoj se ka një vlerë, përpos faktit që po krijohen tre grupe parlamentare. Në aspektin politik e vetmja gjë e mirë edhe dhënia peshë e Partisë së Lirisë gjë që në bazë të rezultatit të fundit nuk e ka. Nëse do bënim skenarë pse është zgjedhur kjo rrugë, e para është çështje procedurash parlamentare. Dhe tjetra krijohet një trupë e mesme politike që mund të negociojë pa komplekse me qeverinë…Kjo do ishte një vijë logjike…”, theksoi ai.

Nga ana e tij gazetari Ardit Rada tha se e sheh si një makinacion. Ndërsa nënvizoi se është e rëndësishme që Partia Demokratike të reflektojë dhe të sjellë një vizion të qartë.

“Kanë ato benefitet që mund të marrin, por në thelb një makinacion që në e kemi parë edhe më parë. Nuk është një gjë e re. Pra edhe vetë aleatët e Berishës janë bashkuar herë pas herë për të marrë këto benefite. Ajo që e bën të fortë përballë kundërshtarit, nuk është organizimi në grupe të tilla sesa vizioni apo qasja që do ketë opozita…pra mbetet për t’u parë nëse PD do të reflektojë në radhë të parë në raport me sjelljen e saj apo do shohim po ato akuza të përsëritura”, tha Rada.

/abcnews.al/

Shkëlqejnë shqiptarët e tjerë, Shkëndija dhe Drita afrohen me grupet e Europa dhe Conference League

21 August 2025 at 23:15

Ndryshe nga Dinamo Siti, mbrëmja e plej-of në Kupat e Europës ishte e suksesshme për dy skuadrat e tjera shqiptare, Shkëndija e Tetovës dhe Drita e Gjilanit. Formacioni tetovar mundi me përmbysje 2-1 kampionët e Bullgarisë, Ludogorets, duke hedhur një hap të sigurt drejt fazës së grupeve në Europa Ligë.

Latifi në pjesën e parë dhe Ibrahimi në të dytën shënuan golat e fitores për Shkëndijën, që i mjafton barazimi në ndeshjen e kthimit për të festuar kualifikimin historik.

I njëjti diskutim vlen për Dritën. Skuadra e Kosovës mundi në Prishtinë 2-1 Diferdanzh nga Luksemburgu dhe afrohet me kualifikimin historik në fazën e grupeve të Konference League.

“Blindohet” Shqipëria me paratë e BE-së, vendi do të marrë mjetet e para LMV2 përmes mekanizmit europian

21 August 2025 at 23:06

Forcat e Armatosura Shqiptare po modernizohen me mjete të blinduara LMV2. Lajmi u konfirmua në mediat sociale të Iveco Defence Vehicles.

Kjo pritet të ndodhë së shpejti falë një programi të financuar nga Bashkimi Evropian përmes Mekanizmit Evropian të Paqes dhe i zbatuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim në Zhvillim.

Kjo nismë thekson militarizimin në rritje të Ballkanit dhe forcimin e marrëdhënieve të mbrojtjes Itali-Shqipëri, duke shënuar një moment të rëndësishëm në sigurinë rajonale. Dorëzimi nënvizon rolin e Bashkimit europian në konsolidimin e krahut jugor të NATO-s dhe në pajisjen e Shqipërisë me mjete të avancuara të lëvizshmërisë ushtarake.

LMV2 është gjenerata e dytë e automjeteve të blinduara shumërolëshe e zhvilluar nga Iveco Defence Vehicles, me mbrojtje dhe performancë të rritur krahasuar me modelin origjinal LMV.

Këto mjete kanë një mbrojtje të avancuar, me strukturë të përforcuar kundër minave dhe zjarrit balistik. Mund të transportojnë 5 deri në 7 trupa përballojnë terrene të vështira dhe kushte ekstreme.

Hungaria e gatshme të presë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë

21 August 2025 at 22:51

Hungaria është ofruar dy herë per të organizuar bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës dhe oferta është ende në fuqi, tha sot ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, sipas “Reuters”.

Szijjarto reagoi ndaj raportimeve se Shtëpia e Bardhë po e shqyrtonte kryeqytetin hungarez, Budapestin si një vend për një takim të mundshëm tripalësh midis presidentit të SHBA-së Donald Trump, Vladimir Putin të Rusisë dhe Volodymyr Zelensky të Ukrainës.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë kushte të përshtatshme, të drejta dhe të sigurta për negociata të tilla paqeje. Jemi gati të kontribuojmë në suksesin e përpjekjeve për paqe”, tha Szijjarto.

Megjithatë, ministri i Jashtëm hodhi poshtë raportet e medias se presidenti i SHBA-së Donald Trump kishte telefonuar kryeministrin hungarez Viktor Orban – për të folur për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian pas samitit të së hënës me presidentin e Ukrainës dhe udhëheqësit evropianë.

“Dua ta bëj të qartë se nuk është zhvilluar një telefonatë të tillë”, tha Szijjarto.

UEFA Conference League/ Dinamo dorëzohet, Jagiellonia e mposht 3-0 në Poloni

21 August 2025 at 22:25

Dinamo City zhvilloi ndeshjen e parë të play-off-it në UEFA Conference League ndaj Jagiellonia, duke u mundur me rezultatin 3-0 në stadiumin “Stadion Miejski w Białymstoku”.

Trajneri Ilir Daja e nisi takimin me këtë formacion titullar: Teqja (GK), Loran, Aliji, Meksi, Tiago Nani; Karamba, Vila, Beqja, B. Berisha, Bregu, Berisha.

Skuadra polake kaloi në avantazh në minutën e 12-të me Jesus Imaz, ndërsa në minutën e 34-të Afimico Pululu shënoi golin e dytë. Në fillim të pjesës së dytë, Norbert Wojtuszek realizoi golin e tretë dhe vulosi fitoren 3-0 të Jagiellonia.

Ndeshja e kthimit mes Dinamo City dhe Jagiellonia do të luhet më 28 gusht, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.

Yesterday — 21 August 2025Main stream

Dyshohet i qëllimshëm/ Izolohet zjarri në Dukat, vatrat në Drashovicë dhe fshatin Vajzë aktive, zjarrfikësit në terren

21 August 2025 at 23:35

VLORË- Zjarri përfshiu mbrëmjen e sotme një sipërfaqe toke në një kodër pranë fshatit Drashovicë të Bashkisë së Selenicës.

Gjithashtu një tjetër vatër zjarri u regjistrua në afërsi të fshatit Dukat. Por pas ndërhyrjes së emergjencave civile të Vlorës, zjarri në fshatin Dukat i Ri është izoluar plotësisht, duke evituar përkeqësimin e situatës dhe rrezikun ndaj zonave të banuara.

Ndërkohë, 3 vatrat e shfaqura njëherazi në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe 2 vatrat e shfaqura në orën e fundit në Vajzë mbeten aktive.

Forcat zjarrfikëse vendore dhe Forcat e Armatosura janë në terren në këto dy fshatra, duke krijuar perimetra sigurie. Tipologjia dhe kronologjia e këtyre vatrave krijojnë bindjen e arsyeshme se kemi të bëjmë jo vetëm me zjarrvënie të qëllimshme, por me një grup të strukturuar kriminal në veprim në këtë zonë, anëtarët e të cilit kanë zgjedhur të veprojnë në orët e natës, kur është e pamundur ndërhyrja nga ajri.

Forcat operacionale do të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës, për të siguruar banesat dhe pronat e qytetarëve.

/abcnews.al/

KQZ, nuk e certifikon Listën Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit

21 August 2025 at 21:04

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke nxitur reagim nga Serbia, e cila e dënoi vendimin.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të enjten pasdite.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili, sipas disa ekspertëve ligjorë, do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së.

PZAP e kishte rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së muaj me parë për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në votime. Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin zëshëm kundër certifikimin të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër.

Duke folur në mbledhje, Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Kurteshi e kundërshtoi kandidaturën e Sasha Millosheviçit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga Qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

“Ky luan rol dyfish”, tha Kurteshi. “Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës”.

Millosheviç ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Por, Qeveria e Serbisë, më 7 gusht, mori mbi 20 vendime kadrovike për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të institucioneve, mes tyre edhe disa që kanë qenë në krye të organeve të përkohshme për komunat në Kosovë.

Ajo nuk dha arsye për këto shkarkime, në mesin e të cilëve ishin edhe Sasha Millosheiq, Zoran Todiq nga Leposaviqi, Novak Zhiviq i ngarkuar për komunën e Prishtinës, Goran Dançetoviç, kryetar i komunës së Obiliqit, Bozhidar Dejanoviq nga Vitia, etj.

Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, tha se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq” dhe se ajo nuk lufton për interesat e serbëve të Kosovës.

“I lus kolegët e mi të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe”, tha ai.

Zyra e Partive Politike në KQZ – e cila ka për obligim të shqyrtojë aplikimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – kishte rekomanduar certifikimin e Listës Serbe.

Anëtarja e KQZ-së nga Lista Serbe, Gordana Llaban, tha se nëse zyrës i është thënë se të gjithë kanë kaluar filtrat dhe se të gjithë kandidatët janë të rregullt, atëherë duhet të certifikohen të gjithë kandidatët.

“Nëse ekzistojnë çfarëdo dëshmish, le të kryejnë institucionet punën e tyre. Mendoj se janë përdorur shumë fjalë të rënda. Duke ju dëgjuar juve si flisni, pas kësaj unë mendoj se asnjë serb më nuk do të mbetet serb, pa u quajtur terrorist apo kriminel. Më intereson nëse i keni kontrolluar kështu listat e çdo partie. A ka kriminelë në ndonjë parti tjetër, apo janë të gjithë vetëm në Listën Serbe? Nuk mund ta lejoj që populli serb në Kosovë të barazohet me një numër terroristësh apo kriminelësh. Organet që janë përgjegjëse për këtë, le t’i ndjekin kriminelët dhe le t’i arrestojnë, por nuk mund të barazohet i gjithë populli serb me kriminelët”, tha Llaban, duke iu drejtuar Kurteshit.

Kurteshi ia ktheu duke thënë se “nuk e cilësoj popullin serb terrorist, por mendoj se Lista Serbe ka të kaluar dhe të tashme terroriste”.

Anëtarët e partive të tjera politike në KQZ abstenuan nga votimi dhe thanë se institucionet e sigurisë duhet t’i verifikojnë pretendimet e Kurteshit dhe Krasniqit lidhur me historinë e kandidatëve të Listës Serbe për zgjedhjet lokale, para se ata të hidhen përsëri në votim.

Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Vendimi u përshendet nga ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Lista Serbe “në mënyrë të përsëritur ka vepruar kundër parimeve kushtetuese dhe ka cenuar rendin demokratik të Republikës së Kosovës”.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili, sipas disa ekspertëve ligjorë, do ta rrëzojë vendimin e KQZ-së.

Serbia e dënoi fuqishëm vendimin, duke e cilësuar si “shembull flagrant i inxhinierisë politike që synon përjashtimin e popullit serb nga jeta demokratike”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, shkroi në Facebook se “duke refuzuar kandidaturat e dorëzuara në mënyrë të rregullt, të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore, autoritetet në Prishtinë edhe një herë kanë shkelur sundimin e ligjit dhe kanë zbuluar synimin e tyre të vërtetë – të heshtin zërin legjitim të serbëve në Kosovë dhe Metohi”.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, shkroi në Facebook se vendimi i sotëm për të mos certifikuar Listën Serbe “nuk është gjë tjetër veçse një akt politik, i cili do të rrëzohet nga PZAP-ja”.

“Me këtë hap, KQZ-ja ka tejkaluar kompetencat e saj dhe ka hyrë në fushë që i takon vetëm institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë”, tha ai.

Sipas tij, përderisa nuk ka një akt që shpall një subjekt si organizatë terroriste, ai trajtohet si çdo pjesëmarrës tjetër që plotëson kriteret formale.

“Edhe sikur një vendim i tillë të merrej, ai do të ishte i kontestueshëm”, shkroi ai.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se një subjekti politik nuk mund t’i kufizohet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje me vendim administrativ nga një organ administrativ në procedure administrative.

“Sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjeve të aplikueshme në Kosovë dhe opinioneve të Komisionit të Venecias një partie politike mund t’i kufizohet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje vetëm përmes nja procesi gjyqësor, duke e shpallur subjektin politik me vendim gjyqësor se ka cenuar rendin kushtetues te atij vendi”, shkroi Miftaraj në Facebook.

Në prag të mbledhjes së KQZ-së, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.

“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.

Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend.

Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.

Nëse certifikohet, Lista Serbe pritet t’i rimarrë të gjitha katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Lista Serbe ishte në pushtet në të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë deri në nëntor të vitit 2022, kur mori vendim për t’u larguar nga institucionet në veri, për shkak të një kërkese të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me ato të Kosovës./REL/

Donald Trump gati ‘të patrullojë’ Uashingtonin: Do të dal me policinë dhe ushtrinë

21 August 2025 at 20:59

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se është i gatshëm të patrullojë rrugët e Uashingtonit me policinë dhe ushtrinë.

Ky qëndrim i tij vjen pasi vendosi trupa të Gardës Kombëtare në kryeqytetin e vendit javën e kaluar.

“Mendoj se do të jem jashtë sonte me policinë dhe ushtrinë, sigurisht”, tha Trump në një intervistë me emisionin radiofonik Todd Starnes të Newsmax.

Trump vendosi mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe agjentë federalë pas deklaratave të tij se kishte një rritje të krimit të dhunshëm.

Edhe pse zyrtarët e qytetit e hodhën poshtë këtë pretendim, duke thënë se statistikat federale dhe të qytetit treguan se krimi i dhunshëm kishte rënë ndjeshëm.

/abcnews.al/

Zjarret në BE thyejnë rekordin, miliona hektarë të djegur në 2025

21 August 2025 at 20:34

Zjaret kanë djegur deri tani më shumë se një milion hektarë tokë në vendet e Bashkimin Evropiat gjatë vitit 2025, një rekord që prej fillimit të mbajtjes së statistikave në vitin 2006, sipas të dhënave zyrtare.

Duke kapërcyer rekordin vjetor prej 988 524 hektarësh të djegur në vitin 2017, shifra arriti në 1 015 731 hektarë deri sot në mesditë, një sipërfaqe më e madhe se Qiproja.

Kjo përllogaritje bazohet në të dhëna të mbledhura nga vlerësimet e vendeve anëtare të sistemit evropian të informacionit për zjarret pyjore (EFFIS), ndërkohë që Spanja dhe Portugalia vazhdojnë të luftojnë me flakët.

Katër vende të BE-së, Spanja, Qiproja, Gjermania dhe Sllovakia, tashmë kanë përjetuar vitin e tyre më të keq që nga fillimi i statistikave.

Spanja, e goditur më rëndë, me mbi 400 000 hektarë të djegur, përbën gati 40% të totalit të BE-së. Në perëndim të vendit po vazhdojnë disa zjarre që kanë marrë jetën e katër personave.

Portugalia, e cila mban rekordin e BE-së me 563 530 hektarë të djegur në vitin 2017, renditet e dyta më e prekur këtë vit. Deri më 21 gusht 2025, vendi ka humbur gati 274 000 hektarë, sipërfaqe që nuk është regjistruar kurrë kaq herët gjatë vitit.

Rumania ndjek me 126 000 hektarë të djegur, ndërsa në Francë janë reduktuar në hi 35 600 hektarë pyje, kryesisht në rajonin jugor të Aude, i goditur nga një zjarr masiv në fillim të gushtit.

Të dhënat e EFFIS, pjesë e monitoruesit klimatik evropian Copernicus, llogarisin vetëm zjarret që kanë shkrumbuar të paktën 30 hektarë.

Jashtë BE-së, Britania gjithashtu po përjeton një vit rekord, pas zjarreve të prillit gjatë një vale të hershme të të nxehtit, si dhe në veri të Skocisë në fund të qershorit. Në Ballkan, Serbia po regjistron gjithashtu vitin e saj më të keq që kur mbahen të dhëna.

Deri më 19 gusht, zjarret pyjore në 22 nga 27 vendet e BE-së kishin lëshuar 35 megaton CO2 që nga janari , një nivel i paparë në këtë periudhë të vitit, sipas EFFIS , duke treguar se rekordi i vitit 2017 prej 41 megatonësh mund të kalohet.

Gjatë vitit rekord 2017,  zjarret  kishin marrë jetën e mbi 200 personave në BE, veçanërisht në Portugali, Itali, Spanjë dhe Francë.

SHBA/ Apeli rrëzon dënimin prej 500 milionë dollarësh ndaj Trump

21 August 2025 at 20:08

Një gjykatë e Apelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka hedhur poshtë dënimin prej 500 milionë dollarësh që presidenti amerikan, Donald Trump ishte i urdhëruar që ta paguante në kuadër të procesit gjyqësor civil të mbajtur në New York vitin e kaluar.

Gjyqtari Arthur Engoron e pati urdhëruar asokohe Trumpin që ta paguante shumën e lartcekur për shkak se shefi i Shtëpisë së Bardhë ishte shpallur fajtor se kishte rritur vlerën e pronave të “Organizatës Trump” në mënyrë artificiale, me qëllimin për të siguruar kredi më të leverdishme.

Në vendimin e lëshuar të enjten nga gjyqtarët e Divizionit të Apelit në New York, ndonëse Trump ishte përgjegjës për mashtrimin, gjoba prej gati gjysmë miliardi dollarësh ishte e tepërt dhe ka të ngjarë të ketë shkelur Kushtetutën e SHBA-së kundër dënimeve të ashpra.

Në çështjen e trajtuar vitin e kaluar, gjyqtari Engoron e kishte urdhëruar Trumpin të paguante rreth 355 milionë dollarë, porse me normë të interesit, gjë që e rriti shumën totale në 500 milionë dollarë.

Vllaznia nuk e fsheh: Duam titullin/ Skuadra shkodrane është gati për sfidën hapëse të Superiores

21 August 2025 at 19:29

Aventura në Kupat e Europës nuk shkoi ashtu siç kishin ëndërruar, me Vllazninë që u eliminua në raundin e dytë Conference League.

Por te skuadra shkodrane, kjo është një histori që I përket së shkuarës. Të gjitha energjitë janë të përqendruara te sezoni i ri i Kategorisë Superiore, që do të marrë jetë mbrëmjen e së premtes.

Topi i parë i kampionatit do të nisë pikërisht në “Loro Boriçi” ku Vllaznia do të luajë kundër kampionëve në fuqi të Egnatias. Menjëherë një finale, për të besuarit e Edi Martinit, me trajnerin që nuk i fsheh ambiciet e mëdha në këtë sezon.

Në krah të Martinit në konferencën për mediat ishin edhe dy prej lojtarëve më me eksperiencë dhe lider të Vllaznisë si kapiteni Bekim Balaj dhe mbrojtësi Erdenis Gurishta.

Edhe pritshmëritë e tyre për edicionin e ri të futbollit shqiptar ishin në të njëjtën linjë me trajnerin e tyre.

Ndeshja hapëse e edicionit 2025/2026 të Kategorisë Superiore mes Vllaznisë dhe Egnatias është në program në orën 20:00 të së premtes, ndërsa sfidat e tjera të javës së parë të luhen të shtunën dhe të dielën. Vetëm përballja Teuta-Dinamo City është shtyrë për më 5 shtator për shkak të impenjimit të bluve në play off e Conference League.

“Rusia, pushtuese”/ Trump: Ukraina nuk e fiton luftën nëse nuk sulmon pushtuesin

21 August 2025 at 19:26

Donald Trump ka dërguar sinjale të forta për Rusinë dhe Ukrainën, teksa përpjekjet për një fund të luftës po vazhdojnë.

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan e quan Rusinë një vend pushtues, një term që e përdor për herë të parë që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në 20 janar.

“Është shumë e vështirë, nëse jo e pamundur, të fitosh një luftë pa sulmuar një vend pushtues”, shkruan Trump, duke e thënë hapur se Ukraina duhet të kalojë në ofensivë dhe jo thjesht të mbrohet.

Më tej ai akuzon paraardhësin e tij Joe Biden se nuk e la Ukrainën të sulmojë, por vetëm të mbrohet. Ai i referohet Ukrainës si një ekip I shkëlqyer sportive, me një mbrojtje fantastike, por që nuk I lejohet të luajë në sulm.

Këto deklarata e shtojnë presionin ndaj Rusisë që të pranojë një marrëveshje paqeje, pasi Moska sulmoi sërish Ukrainën, duke lënë një të vrarë dhe disa të plagosur në qytetin perëndimor të Lviv.

Presidenti amerikan nuk e ka përmendur publikisht se ishte Rusia ajo që e nisi konfliktin dhe nuk e ka quajtur ndonjëherë një shtet pushtues. Ai madje disa herë akuzoi Ukrainën se ishte ajo që e nisi luftën. Ky postim tregon një ndryshim të madh në qëndrimin e kreut të shtëpisë së bardhë.

Mediat ndërkombëtare kishin raportuar më parë se Trump i kishte kërkuar Zelenskyt nëse mund të sulmonte Moskën apo Shën Peterburgun, gjë që vetë presidenti amerikan e mohoi publikisht.

Këto raportime erdhën kur kreu i Shtëpisë së Bardhë ndryshoi qëndrimin ndaj Vladimir Putin, duke thënë se ai ndoshta nuk e do fundin e luftës.

Presidenti amerikan është takuar tashmë me liderët e dy vendeve në konflikt, fillimisht me Putin e më pas me Zelensky dhe I ka hapur rrugën një takimi mes tyre, ndjekur nga një samit trepalësh ku edhe ai do të jetë i pranishëm.

Presidenti ukrainas Zelensky është shprehur i gatshëm të takohet me Putin, por ka thënë se Moska nuk ka vullnet për t’i ndalur sulmet dhe ka kërkuar sanksione më të forta.

/abcnews.al/

Netanyahu: Nëse Hamasi dorëzon armët dhe liron pengjet, lufta përfundon!

21 August 2025 at 19:24

“Lufta mund të përfundojë sot nëse Hamasi dorëzon armët dhe liron 50 pengjet e mbetura”, kështu ka deklaruar kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Ai ka nënvizuar se eliminimi i bastionit të fundit të Hamasit është thelbësor për një paqe të qëndrueshme si për izraelitët edhe për palestinezët.

Në një intervistë të dhënë për mediat ndërkombëtare, ai ka ritheksuar se operacioni për të eliminuar ‘terroristët’ do të vazhdojë edhe nëse Hamasi dakordohet për lirimin e pengjeve. Kjo sipas tij është për shkak se synon që të sigurojë vendin e tij.

“Ne do ta bëjmë gjithsesi do të marrim qytetin e Gazës. Nuk ka pasur kurrë dyshim se do ta lëmë Hamasin atje. Mendoj se Presidenti i SHBA-së Donald Trump e tha më së miri – “se Hamasi duhet të zhduket nga Gaza”, tha më tej kryeministri izraelit.

Ai gjithashtu shtoi se “qëllimi është të lirojnë të gjithë pengjet, të çarmatosim Hamasin, të çmilitarizojmë Gazën dhe t’u ofrojnë një të ardhme popullit të Gazës. Mendoj se jemi në prag të përfundimit të kësaj lufte, një luftë në shtatë fronte që përfshin Iranin dhe përfaqësuesit e tij”, përfundoi Netanyahu.

/abcnews.al/

VIDEO/ Zjarr në oborrin e një banese në Libofshë, vatra neutralizohet nga zjarrfikësit

21 August 2025 at 19:13

Një zjarr ka rënë në oborrin e një banese në fshatin Rreth në Libofshë të Fierit.

Mësohet se flakët të favorizuara nga era e fortë këtë pasdite kanë rrezikuar banesën në të cilën ra zjarri.

Me ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe të banorëve të zonës është neutralizuar vatra e zjarrit.

/abcnews.al/

Mandati i katërt i PS dhe reformat/ Çupi: Reforma territoriale e suksesshme, themelore për një shtet!

21 August 2025 at 18:39

Analisti Frrok Çupi vlerësoi arritjet e mazhorancës dhe punën që ka bërë për t’i dhënë vendin një tjetër imazh.

Gjatë intervistës në “Tirana Live” në ABC News, Çupi u shpreh kritik ndaj ish-kryeministrit Berisha duke e akuzuar se nuk bëri asnjë të mirë për vendin, por ‘trashëgoi vetëm një pisllëk’.

“Berisha kishte të njëjtat pasuri, por la trashëgimi një pisllëk. Menaxhimi i territorit do të zgjasë gjithë jetën…Por jo me të njëjtin intensitet sepse tani po bëhet maksimumi i tyre. Përmirësimi përsosja e administratës do të thotë përsosja e shtetit, e njeriut. Raporti midis shtetit dhe njeriut. Qytetari kërkon shërbime çdo ditë dhe kjo gjë kërkohet nga administrata. Po ashtu Shqipëria po bëhet gati për në BE me hapa të shpejtë”, tha mes të tjerash Çupi.

Po ashtu tha se në drejtësi janë bërë hapa shumë të mëdha.

“Janë bërë zhvillime të mëdha, por dua të them se është disi mbrapa sepse ishte kthyer në një organizëm servil, ishte mbushur me militantë partie, me njerëz të drejtësisë që qëllimisht hapur mbanin anën e të padrejtës,. Parazitë që hanin drejtësinë. Por sot shohim tjetër realitet. Parlamenti duhet të ndërhyjë për të ndërtuar institucione të vërteta drejtësie”, tha mes të tjerash ai.

/abcnews.al/

VIDEO/ Aksident në Libofshë, makina përplaset me murin e një banesë, dy të plagosur

21 August 2025 at 18:35

Një aksident ka ndodhur në Ndërnënas të Libofshës. Mësohet se drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin e makinës dhe është përplasur me murin rrethues të një banese.

Si pasojë e përplasjes së fortë janë  plagosur dy shtetas të cilët janë dërguar menjëherë drejt Spitalit Rajonal Fier.

Burimet nga spitali bëjnë me dije se njeri prej të plagosurve po i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale pasi ka dëmtime të rënda. Ndërkohë policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti.

/abcnews.al/

❌
❌