Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 August 2025Main stream

Programi i Kombëtares U-21 për dy miqësoret ndaj Gjermanisë & Zvicrës

28 August 2025 at 15:22

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Kombëtarja U-21 do të luajë dy ndeshje miqësore prestigjioze ndaj Gjermanisë U-21 dhe Zvicrës U-21.

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, do të bëjë publike listën të shtunën, më 30 gusht, dhe më pas, po atë ditë në orën 11:00, do të dalë në konferencë për mediat nga “Shtëpia e Futbollit”.

Grumbullimi zyrtar do të nisë të dielën, më 31 gusht, ku pasdite do të zhvillohet edhe seanca e parë stërvitore me lojtarët që do të kenë mbërritur.

Ndeshja e parë miqësore, Shqipëri U-21 – Gjermani U-21, do të luhet më 5 shtator, në orën 18:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Takimi i dytë, Zvicër U-21 – Shqipëri U-21, do të zhvillohet të hënën, më 8 shtator, në orën 18:30, në stadiumin “Brügglifeld” të qytetit Aarau.

/e.i/j.p/

The post Programi i Kombëtares U-21 për dy miqësoret ndaj Gjermanisë & Zvicrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSHF publikon rregullat e reja për përzgjedhjen e lojtarëve në ekipet kombëtare të moshave

28 August 2025 at 13:20

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar disa rregulla të reja mbi mënyrën e grumbullimit të lojtarëve në ekipet kombëtare të moshave, duke vendosur një balancë mes futbollistëve që luajnë në kampionatet vendase dhe atyre që aktivizohen jashtë Shqipërisë.

Këto udhëzime kanë për qëllim rritjen e përfaqësimit të lojtarëve nga kampionati vendas dhe ofrimin e më shumë mundësive për talentet që zhvillohen në Shqipëri. Përqindja ndryshon sipas grupmoshës, duke reflektuar nevojat specifike të secilës kombëtare.

Për ekipet kombëtare të vajzave:

U-19 (2007/08): 8 lojtare nga jashtë, 12 nga kampionati vendas (rreth 60%).

U-17 (2009): 7 lojtare nga jashtë, 13 nga kampionati vendas (rreth 65%).

U-16 (2010): 6 lojtare nga jashtë, 14 nga kampionati vendas (rreth 70%).

U-15 (2011): 5 lojtare nga jashtë, 15 nga kampionati vendas (rreth 75%).

U-14 (2012): 4 lojtare nga jashtë, 16 nga kampionati vendas (rreth 80%).

k

U-21 (2004/05): 16 lojtarë nga jashtë, 7 nga kampionati vendas (rreth 30%).

U-19 (2007/08): 14 lojtarë nga jashtë, 6 nga kampionati vendas (rreth 33%).

U-17 (2009): 11 lojtarë nga jashtë, 9 nga kampionati vendas (rreth 45%).

U-16 (2010): 8 lojtarë nga jashtë, 12 nga kampionati vendas (rreth 60%).

U-15 (2011): 6 lojtarë nga jashtë, 14 nga kampionati vendas (rreth 70%).

U-14 (2012): 5 lojtarë nga jashtë, 15 nga kampionati vendas (rreth 75%).

Megjithatë, Drejtoria Teknike e FSHF thekson se përzgjedhja finale e lojtarëve mbetet gjithmonë në vendimmarrjen e saj, duke pasur parasysh nevojat e skuadrës dhe performancën e secilit futbollist.

Ky vendim synon të krijojë një ekuilibër të qëndrueshëm mes zhvillimit të kampionatit vendas dhe shfrytëzimit të talenteve shqiptare që luajnë në kampionatet e huaja, duke garantuar progres të vazhdueshëm në të gjitha grupmoshat.

/e.i/j.p/

The post FSHF publikon rregullat e reja për përzgjedhjen e lojtarëve në ekipet kombëtare të moshave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Plan i ri për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve përtej kapaciteteve të bashkive

28 August 2025 at 12:45

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro prezantoi sot, në një dalje publike së bashku me Kryeministrin Edi Rama, reformën e re të menaxhimit të integruar të mbetjeve. Ministrja Kumbaro pohoi se në një moment kur mblidhen rreth 98% të mbetjeve të gjeneruara në territor, është i nevojshëm një plan i ri për menaxhimin dhe trajtimin e tyre, që shkon përtej kapaciteteve të bashkive.

“Në vitin 2013 mblidheshin 51% e mbetjeve në territor, në vitin 2020 mblidheshin 87% e tyre, kurse në vitin 2024, gati 98% e mbetjeve. Në vitin 2013 kishim vetëm një landfill, atë të Bushatit, sot kemi 7 pika fundore të trajtimit të mbetjeve”, tha Kumbaro.

“Ne propozojmë një plan të ri kombëtar për menaxhimin e mbetjeve që ka së pari shtyllën e vet ligjore, kemi gati për miratim ligjin e ri të mbetjeve me të cilin respektojmë dhe plotësojmë nga pikëpamja ligjore të gjitha standardet europiane. E kemi bërë këtë në konsultim shumë të ngushtë me ekspertë europianë falë projektit IPA-circula economy me Bashkimin Europian. Po kështu ligjin e “Përgjegjësisë së Zgjeruar të Prodhuesit”, i cili ka shkuar në kuvend dhe bashkë me ligjin e mbetjeve miratohen brenda sesionit të parë të kësaj legjislature”, tha ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.

Në kuadër të ndryshimeve, pritet krijimi i Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.
“Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve është krijuar në mars të vitit 2024 dhe aktualisht është agjenci nën varësinë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Propozojmë krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, si një kompani shtetërore me kompetenca për ndërtim, operim dhe financim të infrastrukturës së mbetjeve në nivel kombëtar”, tha Kumbaro.

Ajo shtoi se bashkive nuk u lëviz kompetenca e menaxhimit të territorit, për sa i përket menaxhimit të mbetjeve. “Duhet theksuar se bashkive nuk iu lëviz kompetenca e menaxhimit të territorit për sa i përket menaxhimit të mbetjeve, siç e përcakton qartë edhe ligji i autonomisë vendore, edhe projektligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve, bashkitë do të vijojnë të kenë përgjegjësinë dhe detyrën e mbledhjes së mbetjeve në territor, të menaxhimit të burimeve njerëzore, të administrimit të infrastruktures së lehtë e të lëvizshme të domosdoshme për të realizuar me sukses këtë kompetencë siç e kanë edhe sot”, tha Kumbaro.

Kumbaro prezantoi edhe investimet në proces në Zonat e Menaxhimit të Mbetjeve Berat, Dibër, Korçë, Durrës, Vlora-Veri, Gjirokastër – Vlora Jug dhe Kukës, nga pikat fundore deri te mbyllja e venddepozitimeve jashtë standardeve, si edhe ngritjen e Sistemit të Integruar të të Dhënave Mjedisore, si një platformë digjitale që do të sigurojë të dhënat parësore në kohë reale mbi regjistrin e mbetjeve urbane dhe transfertat e mbetjeve.

/e.i/j.p/

The post Kumbaro: Plan i ri për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve përtej kapaciteteve të bashkive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshilli ndërfetar i Shqipërisë firmos deklaratën e përbashkët: Ndalni luftën në Gaza, lironi pengjet

28 August 2025 at 12:33

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Përfaqësuesit e pesë komuniteteve fetare në vendin tonë kanë firmosur së bashku një deklaratë në të cilën kërkojnë përfundimin e luftës në Gaza.

Deklarata e përbashkët është firmosur nga kreu i komunitetit mysliman shqiptar Bujar Spahiu, kryepeshkopi Joani, Gjergj Meta që përfaqëson Kishën Katolike, kreu i bektashinjve Baba Edmond Brahimaj dhe nga kishat ungjillore, pastori Ergest Biti.

Në të thuhet se Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ndër vite çdo shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka cenuar paqen sociale dhe bashkëjetesën shoqërore.

“Komunitetet fetare në Shqipëri, bashkojnë zërin me thirrjet ndërkombëtare të organizatës Religions for Peace Europe, institucion ku bëjnë pjesë, thirrjes së fundit të Patriarkanës Latine dhe asaj Ortodokse të Jerusalemit, thirrjes së 80 rabinëve ortodoksë nga e gjithë bota, komuniteteve islame dhe të krishtera nga mbarë bota, OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ku me apelin e tyre, ata shprehin shqetësimin e thellë për situatën dramatike humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimit të të gjithë pengjeve”, thuhet në deklaratë.

KNFSH kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti. Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.

Në frymën e solidaritetit ndërfetar dhe të përgjegjësisë morale që feja mbart, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.

Krerët fetare shqiptare i bëjnë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.

Deklarata e plotë:

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si përfaqësues i pesë komuniteteve fetare të vendit, ka ndjekur me vëmendje ndër vite çdo shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka cenuar paqen sociale dhe bashkëjetesën shoqërore. Sot, ne komunitetet fetare në Shqipëri, bashkojmë zërin tonë me thirrjet ndërkombëtare të organizatës Religions for Peace Europe, institucion ku ne bëjmë pjesë, thirrjes së fundit të Patriarkanës Latine dhe asaj Ortodokse të Jeruzalemit, thirrjes së 80 rabinëve ortodoksë nga e gjithë bota, komuniteteve islame dhe të krishtera nga mbarë bota, OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ku me apelin e tyre, ata shprehin shqetësimin e thellë për situatën dramatike humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimit të të gjithë pengjeve.

KNFSH kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti. Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.

Në frymën e solidaritetit ndërfetar dhe të përgjegjësisë morale që feja mbart, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.

Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.

Zoti i bekoftë paqendërtuesit!

/e.i/j.p/

The post Këshilli ndërfetar i Shqipërisë firmos deklaratën e përbashkët: Ndalni luftën në Gaza, lironi pengjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akuzat e opozitës, Gonxhja: “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale

28 August 2025 at 09:45

TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Ministri për Ekonominë, Inovacionin dhe Kulturën Blendi Gonxhja përgënjeshtroi sot akuzat e opozitës në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore të kompanisë “Albarent” e cila drejtohet nga bashkëshortja e ministrit.

Sipas opozitës, kompania “Albarent” për 7 vite nuk ka paguar asnjë qindarkë tatim dhe se qeveria i ka falur ministrit Gonxhja 1.2 milionë euro.

Por ministri nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale nënvizon se “marrëdhënia e shoqërisë “Albarent”, e drejtuar nga bashkëshortja ime, me fiskun është korrekte. Në vitin 2023 as nuk kam qenë ministër. Në “Librin e Përgjithshëm të Llogarive” jepet se në 15 vite janë derdhur për detyrimet 2.3 milionë Euro, dhe në dokumentin tjetër detyrimet në kohe reale janë 0!”.

“Theksoj faktin që shoqëria “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe asnjëherë nuk i është falur as edhe një detyrim tatimor, sikundër pretendon “zëri” për turp i Opozitës!”, shkruan Gonxhja.

Reagimi i plotë:

Gënjeshtra! Fake News

Opozitë përtace, kopjace portalesh Gushti, që në gjykatë të mbrohen me “cituam median”, palaço me kollaro, bajatë në shpifje – shkresa të cilës i referohen flet për lirim të titujve të pronësisë, por në asnjë rresht të saj nuk flitet për nivelin e detyrimit tatimor – maksimumi i detyrimeve të prapambetura, gjatë tërë aktivitetit, ka arritur 1.2 milionë Lekë! Është komikisht groteske vlera 1.2 milionë Euro që Balliu Jr. recitoi paturpësisht!

Kush zhvillon biznes të ndershëm, është gjendur përballë mungesës së likuiditetit, sidomos për parapagimet. Ka momente që nuk ke si të paguash edhe pse do. Administrata tatimore ndërmerr masat shtrënguese për garantimin e detyrimit, dhe pas likuidimit të tij, zhbllokon llogaritë dhe titujt e pronësisë, diçka rutinë, njësoj si për të gjithë.

Marrëdhënia e shoqërisë “Albarent”, e drejtuar nga bashkëshortja ime, me fiskun është korrekte. Në vitin 2023 as nuk kam qenë ministër. Në “Librin e Përgjithshëm të Llogarive” jepet se në 15 vite janë derdhur për detyrimet 2.3 milionë Euro, dhe në dokumentin tjetër detyrimet në kohe reale janë 0!

Theksoj faktin që shoqëria “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe asnjëherë nuk i është falur as edhe një detyrim tatimor, sikundër pretendon “zëri” për turp i Opozitës!

Sfidoj gënjeshtarin dhe çdo baltosës të provojë akuzat! Çdo person, ler më një Opozitë, duhet t’i çojë faktet në Prokurori, ashtu sikurse çdo informacion tatimor mbi “Albarent” mund të vërtetohet në Zyrat e Tatimeve me lejen time publike!

The post Akuzat e opozitës, Gonxhja: “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peizazhe natyrore dhe histori të jashtëzakonshme, Rama ndan pamjet mbi Lin

28 August 2025 at 10:57

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Lini, fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit, me një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës pret mijëra turistë në çdo stinë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje mbi Lin, Pogradec. “Peizazhe natyrore dhe histori të jashtëzakonshme”, u shpreh Rama.

Me shtëpitë e vogla të ndërtuara buzë ujit, në shpinën e një kodre jo shumë të lartë, me rrugica të vogla e të ngushta, të shtruara me gurë të vegjël, ku vështirë se mund të kalosh me makinë, Lini zgjon interesin e gjithë vizitorëve apo turistëve vendas e të huaj.

Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI, përfaqëson një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Mozaiku i Linit, tashmë i restauruar, është një trashëgimi e çmuar kulturore dhe njëkohësisht konsiderohet si më i veçanti nga të gjithë mozaikët e tjerë me karakteristika fetare.

Po ashtu, në Lin ka disa plazhe të këndshme me ujë të kristaltë, me rërë dhe guralecë të vegjël.

/e.i/j.p/

The post Peizazhe natyrore dhe histori të jashtëzakonshme, Rama ndan pamjet mbi Lin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Mbi 189 mijë analiza për funksionimin cilësor të zinxhirit agroushqimor

28 August 2025 at 09:36

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) gjatë periudhës janar-qershor 2025 ka realizuar 189 230 analiza për të garantuar sigurinë ushqimore, shëndetin e bimëve dhe kafshëve.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri me dije sot, se kjo shifër shënon “një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Sipas Denajt, “përmes analizave dhe kontrolleve të vazhdueshme, ISUV garanton funksionimin cilësor të zinxhirit agroushqimor, sigurinë e produkteve që konsumojmë çdo ditë, si edhe mbrojtjen e biodiversitetit të bimëve dhe shëndetit të kafshëve”.

“Këto procese krijojnë besim tek konsumatori, mbështesin fermerët dhe prodhuesit vendas, si dhe rrisin konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet vendase e ndërkombëtare”, u shpreh Denaj në një postim në rrjetet sociale.

Në laboratorët e ISUV ekspertët analizojnë kampionë të ushqimeve për treguesit mikrobiologjikë, duke garantuar cilësi dhe siguri për produktet që arrijnë në tryeza.

/e.i/j.p/

The post Denaj: Mbi 189 mijë analiza për funksionimin cilësor të zinxhirit agroushqimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Profesionalizëm i stafit të urgjencës së Durrësit, Koçiu ndan mesazhin e turistëve

28 August 2025 at 09:30

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Një turiste nga Zvicra dhe i biri i saj Pablo, falënderuan stafin mjekësor të urgjencës së Durrësit për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ndihmës mjekësore në këtë spital.

Në mesazhin që ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale, ajo shprehet se Pablo dhe mamaja e tij, gjatë pushimeve në Shqipëri u shoqëruan me një situatë të papritur, për të cilën u kujdesen me profesionalizëm nga stafi i urgjencës së Durrësit.

“Faleminderit për besimin, shëndeti i çdo pushuesi mbetet prioriteti ynë”, tha Koçiu.

Turistja e huaj dhe i biri e nisin mesazhin me një “falënderim për pritjen e jashtëzakonshme, për njerëzit e dashur dhe të sjellshëm që gjetën gjatë pushimeve në Shqipëri”.

Ajo shprehet se ndërsa fëmijët po luanin një plazh, një prej tyre i hedh të birit rërë në sy.

“Ishim në det, situata u bë e vështirë dhe më pas vendosëm të shkonim në urgjencë. Në dhomën e urgjencës, stafi mjekësor reagoi menjëherë. Një mjeke shumë e sjellshme, dhe profesioniste mori situatën në dorë. Ajo i pastroi syrin me serum fiziologjik dhe pas disa minutave Pablo hapi sytë”, tha turistja.

Ajo shton se e gjithë përkujdesja në urgjencën e spitalit të Durrësit ishte shembullore, plot përkushtim, madje një shërbim më i mirë se në Zvicër.

“Ishte një lehtësim shumë i madh. E gjithë përkujdesja ishte shembullore, me shumë dashuri dhe përkushtim. Sinqerisht, nuk e prisnim këtë pritje dhe kujdes kaq të mirë madje më i mirë se në Zvicër”, përfundon ajo.

/e.i/j.p/

The post Profesionalizëm i stafit të urgjencës së Durrësit, Koçiu ndan mesazhin e turistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 27 August 2025Main stream

Skema e Investimeve, Denaj: 1.5 milionë lekë për hektar për rrjetat antibreshër

27 August 2025 at 14:10

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri me dije se fermerët po mbështeten me financim për rrjetat antibreshër, për të mbrojtur prodhimin bujqësor nga risku klimatik.

Sipas Denajt, “me skemën e re të investimeve, financojmë rrjetat për mbrojtjen nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, për sipërfaqe nga 1 ha deri në 5 ha”.

Ministrja Denaj u bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë deri më 30 shtator në zyrat qendrore të AZHBR, në Skemën Kombëtare të Investimeve 2025 për 50% grant për instalimin e rrjetave antibreshër në blloqe ekzistuese me pemë frutore, agrume apo vreshta.

“Financojmë 50% e vlerës totale, deri në 1.5 mln lekë për hektarë. Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, siguroni financim të plotë për të gjithë investimin”, u shpreh Denaj.

Ministrja theksoi se me këtë skemë, mbështeten fermerët në përballimin e sfidave të klimës dhe garantohen prodhime cilësore për një bujqësi të qëndrueshme konkurruese në tregjet ndërkombëtare.

Sot përdorimi i rrjetave antibreshër lejon fermerët që të mbajnë një furnizim të vazhdueshëm në treg duke ulur rrezikun e humbjes së prodhimit, siguron rritjen e cilësisë, minimizimin e demit, uljen e shpenzimeve agroteknike, etj.

/e.i/j.p/

The post Skema e Investimeve, Denaj: 1.5 milionë lekë për hektar për rrjetat antibreshër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ristani: Hapim 5 shkolla të reja në Tiranë, kompensim financiar për fëmijët në nevojë

27 August 2025 at 14:00

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani zhvilloi një takim me institucionet e varësisë për fillimin e vitit të ri shkollor. Nënkryetarja dha lajmin e mirë për hapjen e 5 shkollave të reja këtë vit.

“Gjatë vitit do të hapim 5 shkolla të reja të ndërtuara nga fillimi dhe 1 të rikonstruktuar rrënjësisht. Do të jetë shkolla “Pjetër Budi”, njësia administrative 7, “Edith Durham”, historikja, në njësinë 5, “Ibrahim Hima” në Vaqarr e cila do të jetë e para që do të jetë gati. Jemi në fazën e mobilimit,  kështu që besoj brenda shtatorit do ta zgjidhim. Shkolla e mesme e bashkuar “Mersim Duqi”, njësia administrative Bërzhitë, në fshatin Ibë gjithashtu ndërtim i ri. Shkolla e bashkuar në Krrabë e cila do të përfundojë rreth fundit të vitit shkollor, pra në 2026 dhe është duke u rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare “Shyqyri Peza” e cila po kalon një riskontruktim të plotë. Pra, është  thuajse e re dhe që do të përfundojë brenda këtij viti”, u shpreh Ristani.

Ajo tha se këtë vit nis edhe ndërtimi i kopshteve dhe çerdheve të reja në kryeqytet.

“Sa i përket arsimit parashkollor, do të funksionojë me  45 çerdhe dhe 54 kopshte dhe 126 grupe parashkollorësh. Janë shpërndarë nëpër të gjitha zonat periferike të Tiranës ku rreth 6 000 fëmijë do të hyjnë për herë të parë në sistemin tonë të çerdheve dhe të kopshteve, kështu që u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre familjeve të reja që bëhen pjesë e këtij komuniteti të shërbimit. Këtë vit do të fillojmë ndërtimin e ri të kopshteve dhe çerdheve të integruar tek ish-shkolla “Migjeni”, njësia administrative numër 9, ndërtim i ri në kopshtin në njësinë administrative Farkë. Po bëhemi gati për punime në kopshtin 50 në njësinë administrative numër 8 në rrugën “Besim Daja”. Gjithashtu gjatë 2026 do të vijojmë ndërtimin e ri për një kopsht dhe çerdhe të integruar në njësinë administrative numër 1 ku nevoja për kopshte dhe çerdhe ka qenë gjithashtu në rritje”, tha Ristani.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës tha se në fokus do jenë fëmijët që nuk kanë mundësi financiare për t’u ushqyer mirë të cilëve do t’u jepet edhe një kompensim financiar nga Bashkia Tiranë.

“Po aq e rëndësishme është pjesa e ndihmesës apo pjesa e aktiviteteve që plotësojnë zhvillimin e fëmijëve dhe zhvillimin e nxënësve, përpos orareve të shkollës. Kemi në përkrahje të kësaj edhe kompensim ushqimor i cili kalon me miratimin e Këshillit Bashkiak dhe financim të Bashkisë për ata nxënës të cilët nuk e kanë mundësinë të ushqehen rregullisht apo t’u jepet drekë me vete në ambientet e shkollës. Kjo ndodh me 140 nxënës në 11 shkolla të ndryshme të cilët përfitojnë nga ky program i mbuluar nga buxheti i bashkisë dhe qendrat sociale të cilat ofrojnë programin e pas shkolle për ato familje me fëmijë të neglizhuar për sa i përket orarit apo impenjimit apo dhe kapaciteteve të familjeve të tyre për t’i ndjekur në nevojat arsimore dhe në zhvillimin e tyre. Është e rëndësishme të theksohet që ndajmë çdo vit 700 bursa për nxënës që vijnë nga familje në ndihmë ekonomike dhe japim 2800 të tilla për nxënësit ekselentë, për ata që janë më të mirët marrin dhe gjithashtu kompensim. Investimet janë njësoj si në qendër, si në periferi”, përfundoi Ristani.

/e.i/j.p/

The post Ristani: Hapim 5 shkolla të reja në Tiranë, kompensim financiar për fëmijët në nevojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mirënjohja për zjarrfikësit, Rama: Kemi kapital njerëzor që nuk e lë më kurrë Shqipërinë në baltë

27 August 2025 at 11:55

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, në përballje me flakët e zjarrit dhe temperaturat e “ferrit” të verës, vendi ynë ka një potencial njerëzor që dëshmoi se nuk e lë kurrë Shqipërinë në baltë.

Nga ceremonia e Mirënjohjes Kombëtare të dhënies së medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve, Rama tha se avionët nga jashtë i marrin edhe vendet e tjera, sepse i tillë është Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes.

“Vendet në pamundësi për të përballuar këtë lloj emergjence, marrin ndihmë edhe nga të tjerët. Reciprokisht këmbejnë mjetet”, tha Rama.

Kreu i Ekzekutivit shprehu një falënderim të veçantë për Emiratet e Bashkuara që u gjenden me shumë shpejtësi duke dërguar helikopterë dhe avionë.

Rama tha se “duke nderuar 24 ushtarë, policë, zjarrfikës me medalje ne duam të nderojmë Shqipërinë që tregoi se “po” kemi të meta, kemi ende shumë për të investuar në mjete dhe sisteme inteligjente, por nuk mund të dilnim nga kjo verë ferri për nga temperaturat pa plagë. Por, kemi mbi të gjitha një kapital njerëzor që nuk e lë më kurrë Shqipërinë në baltë”.

“Mirënjohje të veçantë dhe ky kapitull i ndezur jo vetëm nga flakët e pyjeve, por dhe të fjalëve, sot merr një mesazh të vetëm si epilog, se edhe përballë flakëve më të egra Shqipëria tregon forcë të madhe proporcionale. Sa më e madhe sfida, aq më i madh solidariteti, aq më e fortë ndjenja e përkushtimit dhe aq më të angazhuar dhe të motivuar profesionalisht njerëzit me uniformë”, pohoi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te nevoja për përmirësimin më tej të sistemit, duke përfshirë teknologjinë dhe duke punuar për parandalimin.

“Duke menduar për zjarret e ardhme kur temperaturat janë të ulëta dhe duke u përgatitur si për një  ndeshje të radhës me një përbindësh që do të bëhet edhe më i egër. Le të mbështesim më fuqimisht edhe kapitalin njerëzor, duke bërë gjithçka për të rritur edhe mbështetjen financiare”, vijoi Rama.

Rama cilësoi se i është përgjigjur “pozitivisht dhe me përulësi propozimeve të bëra nga ministritë për të bërë dekorimet dhe për të shpërndarë disa medalje, si një shenjë simbolike mirënjohjeje dhe një mesazh për të gjithë këtë trupë, e cila meriton nderimin më të posaçëm”.

/e.i/j.p/

The post Mirënjohja për zjarrfikësit, Rama: Kemi kapital njerëzor që nuk e lë më kurrë Shqipërinë në baltë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Manastirliu: Shkolla “Rilindja” në Gramsh, kushte dinjitoze për 250 nxënës dhe mësues

26 August 2025 at 15:27

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Rreth 250 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Gramsh do të kenë në shtator ambiente me standarde evropiane të zhvillimit të procesit mësimor.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u shpreh sot se kjo shkollë 9-vjeçare do të ketë standarde evropiane, klasa të reja dhe mjedise bashkëkohore.

Sipas Manastirliut, shkolla “Rilindja” do të ofrojë “këtë vit të ri shkollor kushte dinjitoze për 250 nxënës dhe mësues, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Gramshit”.

Me buxhetin e vitit 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000 -25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.

Pamje nga shkolla “Rilindja” në Gramsh
1 nga 6

/e.i/j.p/

The post Manastirliu: Shkolla “Rilindja” në Gramsh, kushte dinjitoze për 250 nxënës dhe mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: 26,5 milionë euro të kursyera nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara në 16 muaj

26 August 2025 at 21:30

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi se, Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) në 16 muaj ka arritur të kursejë 26,5 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Ministri Gonxhja tha se kjo shifër është kursyer “falë prokurimeve transparente, menaxhimit efikas dhe shpejtësisë rekord në çdo procedurë”.

Sipas Gonxhes, kjo shifër për qytetarët përkthehet në më shumë shkolla moderne për fëmijët; më shumë spitale dhe qendra shëndetësore me pajisje të reja; më shumë investime në rrugë, infrastrukturë dhe shërbime publike dhe më shumë fonde për arsim, shëndetësi dhe zhvillim social.

“Ky rezultat tregon se OBP po vendos standarde të reja në menaxhimin e parasë publike, duke mbrojtur interesin e qytetarëve dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës”, u shpreh Gonxhja, ndërsa e cilësoi këtë shifër një fitore për ekonominë dhe një investim për të ardhmen.

OBP për herë të parë publikon në kohë reale dhe njofton operatorët ekonomikë që regjistrohen në sistem, për çdo garë e tender të shpallur përmes një platforme online  falas.

Gjithashtu OBP publikon në kohë rekord online Katalogun Digjital ALBZONE për autoritetet kontraktore, ku porosia kryhet në kohë reale, mes termave e çmimeve të unifikuara e certifikuara.

Njëherësh, çdo ofertues që shpallet fitues nga OBP, e mban vetë përgjegjësinë për çdo detyrim ligjor, deklarimi konflikti interesi apo zbatim të akteve në fuqi!

OBP auditohet, monitorohet dhe është subjekt i kontrollit për çdo veprim, qendrim e praktikë zyrtare. Edhe pse termat dhe specifikimet teknike hartohen nga autoritetet kontraktore, OBP po punon për mbështetjen me ekspertizë, automatizimin dhe informatizimin e plotë të procesit, duke ndihmuar për mirëpërcaktimin e fondit limit dhe përfshirjen e sa më shumë ofertuesve.

/e.i/j.p/

The post Gonxhja: 26,5 milionë euro të kursyera nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara në 16 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AAPSK dhe UNICEF, marrëveshje bashkëpunimi për transformimin e pasurive të konfiskuara në hapësira sociale

26 August 2025 at 14:12

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe UNICEF Shqipëri nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim transformimin e pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar në hapësira të dobishme për fëmijët, të rinjtë dhe  komunitetin.

Kjo marrëveshje synon që pasuritë e konfiskuara të shndërrohen në qendra dhe mjedise sociale që promovojnë të drejtat e fëmijëve, ofrojnë shërbime dhe mundësi për të rinjtë, si edhe fuqizojnë komunitetin në luftën për një shoqëri më të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse.

Bashkëpunimi parashikon identifikimin dhe vënien në dispozicion të pasurive të konfiskuara nga AAPSK, ndërsa UNICEF Shqipëri do të ofrojë ekspertizën ndërkombëtare, praktikat më të mira dhe mbështetjen teknike për t’i transformuar këto pasuri në modele funksionale që i shërbejnë zhvillimit social.

Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi.

“Sot hedhim një hap të madh përpara në kthimin e pasurive të konfiskuara në vlerë të prekshme për fëmijët, të rinjtë dhe gjithë shoqërinë. Nëpërmjet këtij partneriteti me UNICEF Shqipëri, ne jo vetëm që i japim një destinacion të ri këtyre pasurive, por ndërtojmë hapësira ku fëmijët dhe të rinjtë ndihen të mbrojtur, të përfshirë dhe të fuqizuar. Ky proces është një shembull konkret i mënyrës sesi drejtësia mund të shndërrohet në mundësi për komunitetin”, tha Xhaja.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i UNICEF Shqipëri, Murat Sahin, vuri në dukje se kjo marrëveshje është në linjë me angazhimin e UNICEF për të mbështetur të drejtat e fëmijëve në Shqipëri.

“Transformimi i pasurive të konfiskuara në hapësira për fëmijët dhe komunitetin është një nga mënyrat më të forta për të kthyer drejtësinë sociale në realitet. UNICEF është i angazhuar të bashkëpunojë me AAPSK në këtë nismë, duke sjellë ekspertizën dhe përvojën ndërkombëtare për të krijuar mjedise që u japin fëmijëve mundësi të reja për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për t’u përfshirë në jetën shoqërore. Ky është një investim i drejtpërdrejtë për të ardhmen e vendit”, u shpreh Sahin.

Marrëveshja e nënshkruar do të shërbejë si bazë për një sërë iniciativash të përbashkëta, përfshirë krijimin e qendrave komunitare në pasuritë e konfiskuara; programe të dedikuara për fëmijët dhe të rinjtë në fusha si edukimi, shëndeti mendor dhe përfshirja sociale; fuqizimin e organizatave vendore për të menaxhuar dhe mirëmbajtur këto hapësira; si edhe ngritjen e modeleve të qëndrueshme të ripërdorimit social që mund të shërbejnë si shembull edhe në rajon.

Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm në kthimin e pasurive të konfiskuara nga krimi në një aset të përbashkët për shoqërinë shqiptare. Ai përforcon mesazhin se pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme mund dhe duhet të rikthehen si burim i zhvillimit dhe i shpresës për brezat e rinj.

AAPSK dhe UNICEF marrëveshje bashkëpunimi për transformimin e pasurive të konfiskuara
1 nga 4

/e.i/j.p/

The post AAPSK dhe UNICEF, marrëveshje bashkëpunimi për transformimin e pasurive të konfiskuara në hapësira sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Maleve të Pastra, aksione pastrimi në zonat e mbrojtura

26 August 2025 at 12:42

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Dita Botërore e Maleve të Pastra është një nismë që synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen pastër të tyre.

Me këtë rast, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka ndërmarrë një seri aksionesh pastrimi në zonat e mbrojtura, si parqet kombëtare apo natyrore.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot mesazhin e një prej punonjësve të AKZM-së në Korçë, i cili shprehet se ka nisur një aksion pastrimi në portën hyrëse të Prespës. Kumbaro tha se “kjo ditë i gjen skuadrat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në terren me punë konkrete, për një mjedis më të pastër dhe komunitete të ndërgjegjësuara”.

“Në kuadër të nismës Male të Pastra e iniciuar nga AKZM-ja, bashkë me administratën e Korçës, bashkinë Pustec dhe aktorë të tjerë lokalë ka filluar pastrimi në hyrje të Prespës, ku turistë të shumtë frekuentojë këtë Park Kombëtar. Mesazhi i kësaj dite është që duhet të kujdesemi të gjithë për këtë thesar natyror, të jashtëzakonshëm, të japim kontributin tonë për ta mbajtur sa më pastër dhe më mirë me qëllim që brezat që vijnë të kenë një trashëgimi sa më dinjitoze natyrore siç është Parku Kombëtar i Prespës”, shprehet punonjësi i AKMZ-së.

Gjithashtu, një tjetër aksion pastrimi është ndërmarrë sot nga AKZM-ja në Novosej të Parkut Natyror “Korab-Koritnik”, ku skuadrat e punës janë në terren për të dhënë kontributin e tyre për një mjedis sa më të pastër.

/e.i/j.p/

The post Dita Botërore e Maleve të Pastra, aksione pastrimi në zonat e mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Financimi në mbjellje të reja, Denaj: Fermerët, afat deri në 30 shtator për të aplikuar

26 August 2025 at 12:25

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Fermerët kanë afat deri në 30 shtator për të aplikuar në Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, për mbështetje në mbjellje të reja, në pemë frutore, agrume, ullishte dhe vreshta.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cila u shpreh se mbështetja do të jepet për mbjelljet e reja në pemë frutore, agrume, ullishte dhe vreshta në sipërfaqe 0.5 ha deri në 10 ha.

Denaj informoi se mbështetja financiare do të jetë deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore.

Sipas ministres Denaj, mbështetja financiare për mbjelljet e reja do të jetë jo më shumë se 800 000 lekë për hektarë dhe pagesë shtesë deri në 250,000 lekë për hektarë për sistemin e ujitjes me pika.

“Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, siguroni financim të plotë për të gjithë investimin”, u shpreh Denaj në një postim në rrjetet sociale.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën thirrje për të gjithë fermerët dhe agropërpunuesit që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen nga Skema Kombëtare e Investimeve 2025 për të realizuar investime të qëndrueshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri.

Mbështetja me grante në masën 50 % do të shoqërohet për gjatë gjithë vitit me asistencë të drejtpërdrejtë për disbursimin e masës së parë prej 30 %, brenda dhjetorit.

/e.i/j.p/

The post Financimi në mbjellje të reja, Denaj: Fermerët, afat deri në 30 shtator për të aplikuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Për herë të parë, mësuesit do të kenë planet mësimore në sistemin SMIP

26 August 2025 at 10:59

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi sot se për herë të parë këtë vit, mësuesit do të kenë planet e tyre mësimore në platformën SMIP.

Ministrja Manastirliu e konsideroi këtë hap, si një tjetër mundësi për përdorimin e hapësirës digjitale, që pritet të sjellë më shumë lehtësi për mësuesit dhe më shumë garanci për verifikimin e cilësisë së mësimdhënies në shkollat tona.

Manastirliu u shpreh më herët se përmes sistemit SMIP, këtë vit janë dërguar mbi 16 mijë letra informuese për prindërit, në lidhje me prirjet dhe arritjet e fëmijëve, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës të orientimit në karrierë.

Ministrja Manastirliu tha se “identifikimi i prirjeve dhe talenteve fillon me takimet në grup, me vizitat në institucione, me vizitat në biznese, me vetë profesionistët që vijnë në shkollë dhe flasin”.

Këtë vit, me përfundimin e vitit shkollor, janë më shumë se 16 mijë letra informuese që u kanë vajtur prindërve përmes sistemit SMIP nga mësuesit koordinatorë për orientimin e karrierës, mësuesit kujdestarë, të cilët kanë informuar prindërit për nxënësit, për prirjet e tyre, për talentet e shfaqura, për arritjet e tyre.

“Nëse ne duam një gjeneratë të përgatitur që i përgjigjet sfidave të shekullit 21, na duhet që në këtë mision për arsimin, mësuesit koordinatorë të orientimit të karrierës të marrin një rol edhe më të fuqishëm”, shtoi ajo.

/e.i/j.p/

The post Manastirliu: Për herë të parë, mësuesit do të kenë planet mësimore në sistemin SMIP appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Mbi 13 mijë certifikata fitosanitare për eksportin e produkteve bimore

26 August 2025 at 09:28

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Certifikata fitosanitare është garanci për cilësinë dhe sigurinë e eksporteve të bimëve dhe produkteve me origjinë bimore drejt BE-së dhe vendeve të tjera të botës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot, se gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë lëshuar mbi 13 mijë certifikata fitosanitare për dërgesat e bimëve, produkteve bimore dhe produkte të tjera për eksport.

Sipas ministres Denaj, kjo shifër krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është 19% më e lartë, duke treguar përkushtimin e fermerëve dhe përpunuesve në përmbushjen e standardeve fitosanitare sipas legjislacionit të BE-së.

Tashmë, pajisja me certifikatë fitosanitare ofrohet online, proces ky që lehtëson biznesin eksportues, redukton kohën e pritjes dhe ndikon në ruajtjen e standardeve të prodhimeve bujqësore në eksporte.

Plotësimi i certifikatës fitosanitare me dorë si dhe realizimi i monitorimit kërkon mesatarisht 1-1,5 orë punë. Ndërkohë, procesi online për të gjithë operatorët ekonomikë që do të kryejnë eksporte, nuk zgjat më shumë se 10 minuta.

/e.i/j.p/

The post Denaj: Mbi 13 mijë certifikata fitosanitare për eksportin e produkteve bimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje të rrugës panoramike Shëngjin-Velipojë

25 August 2025 at 20:28

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Rruga Shëngjin-Velipojë është kthyer tashmë një nga akset më panoramike të vendit, me potencial për zhvillimin e turizmit.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania”, Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje panoramike me perëndimin e diellit nga rruga e re, e cila lidh dy zonat bregdetare, Shëngjinin dhe Velipojën.

Nga porti i Shëngjinit rruga i ngjitet shpatit me një lartësi 100-120 metra mbi nivelin e detit dhe ruan të paprekur plazhin e Shëngjinit, Ranën e Hedhun dhe plazhet e tjera të zonës. Më pas lidhet me infrastrukturën e Velipojës. Kjo rrugë lidh dy qendrat kryesore turistike bregdetare.

Përmirësimi i infrastrukturës rrugore ekzistuese si dhe ndërtimi i rrugëve të reja, që lidhin më shpejt qytetet me zonat turistike bregdetare, janë prioritete të punës së qeverisë.

/e.i//r.e/

The post Rama ndan pamje të rrugës panoramike Shëngjin-Velipojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 6 vatra zjarri të shuara dhe 4 të tjera aktive

25 August 2025 at 20:16

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi mbrëmjen e sotme për situatën e zjarreve në vend.

Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC, prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive.

Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.

Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë.

Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vatrat e tjera aktive janë ato në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë, ku zjarri është riaktivizuar ditën e sotme në afërsi të piramidës 15. Në terren janë të angazhuar forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë-Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen në gatishmëri të pandërprerë 24 orë zjarrfikësit lokalë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vetë vatrës së zjarrit.

Në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Në vendngjarje po operojnë 3 grupe shërbimi nga MZSH Skrapar. Situata raportohet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Vatrat e izoluara plotësisht raportohen: Në fshatin Krenze, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës; Në fshatin Reç, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe; Në fshatin Bisht-Kamëz, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës; Në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë; Në Lagjen 18, Rajoni Nr. 1, bashkia Korçë; Në zonën e Shkozës, njësia administrative Nr. 1, bashkia Tiranë.

/e.i//r.e/

The post MM: 6 vatra zjarri të shuara dhe 4 të tjera aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌