Akuzat e opozitës, Gonxhja: “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale
TIRANË, 28 gusht /ATSH/ Ministri për Ekonominë, Inovacionin dhe Kulturën Blendi Gonxhja përgënjeshtroi sot akuzat e opozitës në lidhje me shlyerjen e detyrimeve tatimore të kompanisë “Albarent” e cila drejtohet nga bashkëshortja e ministrit.
Sipas opozitës, kompania “Albarent” për 7 vite nuk ka paguar asnjë qindarkë tatim dhe se qeveria i ka falur ministrit Gonxhja 1.2 milionë euro.
Por ministri nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale nënvizon se “marrëdhënia e shoqërisë “Albarent”, e drejtuar nga bashkëshortja ime, me fiskun është korrekte. Në vitin 2023 as nuk kam qenë ministër. Në “Librin e Përgjithshëm të Llogarive” jepet se në 15 vite janë derdhur për detyrimet 2.3 milionë Euro, dhe në dokumentin tjetër detyrimet në kohe reale janë 0!”.
“Theksoj faktin që shoqëria “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe asnjëherë nuk i është falur as edhe një detyrim tatimor, sikundër pretendon “zëri” për turp i Opozitës!”, shkruan Gonxhja.
Reagimi i plotë:
Gënjeshtra! Fake News
Opozitë përtace, kopjace portalesh Gushti, që në gjykatë të mbrohen me “cituam median”, palaço me kollaro, bajatë në shpifje – shkresa të cilës i referohen flet për lirim të titujve të pronësisë, por në asnjë rresht të saj nuk flitet për nivelin e detyrimit tatimor – maksimumi i detyrimeve të prapambetura, gjatë tërë aktivitetit, ka arritur 1.2 milionë Lekë! Është komikisht groteske vlera 1.2 milionë Euro që Balliu Jr. recitoi paturpësisht!
Kush zhvillon biznes të ndershëm, është gjendur përballë mungesës së likuiditetit, sidomos për parapagimet. Ka momente që nuk ke si të paguash edhe pse do. Administrata tatimore ndërmerr masat shtrënguese për garantimin e detyrimit, dhe pas likuidimit të tij, zhbllokon llogaritë dhe titujt e pronësisë, diçka rutinë, njësoj si për të gjithë.
Marrëdhënia e shoqërisë “Albarent”, e drejtuar nga bashkëshortja ime, me fiskun është korrekte. Në vitin 2023 as nuk kam qenë ministër. Në “Librin e Përgjithshëm të Llogarive” jepet se në 15 vite janë derdhur për detyrimet 2.3 milionë Euro, dhe në dokumentin tjetër detyrimet në kohe reale janë 0!
Theksoj faktin që shoqëria “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale dhe asnjëherë nuk i është falur as edhe një detyrim tatimor, sikundër pretendon “zëri” për turp i Opozitës!
Sfidoj gënjeshtarin dhe çdo baltosës të provojë akuzat! Çdo person, ler më një Opozitë, duhet t’i çojë faktet në Prokurori, ashtu sikurse çdo informacion tatimor mbi “Albarent” mund të vërtetohet në Zyrat e Tatimeve me lejen time publike!



The post Akuzat e opozitës, Gonxhja: “Albarent” nuk ka përfituar nga asnjë amnisti fiskale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.