TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Përfaqësuesit e pesë komuniteteve fetare në vendin tonë kanë firmosur së bashku një deklaratë në të cilën kërkojnë përfundimin e luftës në Gaza.
Deklarata e përbashkët është firmosur nga kreu i komunitetit mysliman shqiptar Bujar Spahiu, kryepeshkopi Joani, Gjergj Meta që përfaqëson Kishën Katolike, kreu i bektashinjve Baba Edmond Brahimaj dhe nga kishat ungjillore, pastori Ergest Biti.
Në të thuhet se Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ndër vite çdo shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka cenuar paqen sociale dhe bashkëjetesën shoqërore.
“Komunitetet fetare në Shqipëri, bashkojnë zërin me thirrjet ndërkombëtare të organizatës Religions for Peace Europe, institucion ku bëjnë pjesë, thirrjes së fundit të Patriarkanës Latine dhe asaj Ortodokse të Jerusalemit, thirrjes së 80 rabinëve ortodoksë nga e gjithë bota, komuniteteve islame dhe të krishtera nga mbarë bota, OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ku me apelin e tyre, ata shprehin shqetësimin e thellë për situatën dramatike humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimit të të gjithë pengjeve”, thuhet në deklaratë.
KNFSH kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti. Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.
Në frymën e solidaritetit ndërfetar dhe të përgjegjësisë morale që feja mbart, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.
Krerët fetare shqiptare i bëjnë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.
Deklarata e plotë:
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, si përfaqësues i pesë komuniteteve fetare të vendit, ka ndjekur me vëmendje ndër vite çdo shqetësim kombëtar dhe ndërkombëtar, që ka cenuar paqen sociale dhe bashkëjetesën shoqërore. Sot, ne komunitetet fetare në Shqipëri, bashkojmë zërin tonë me thirrjet ndërkombëtare të organizatës Religions for Peace Europe, institucion ku ne bëjmë pjesë, thirrjes së fundit të Patriarkanës Latine dhe asaj Ortodokse të Jeruzalemit, thirrjes së 80 rabinëve ortodoksë nga e gjithë bota, komuniteteve islame dhe të krishtera nga mbarë bota, OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, ku me apelin e tyre, ata shprehin shqetësimin e thellë për situatën dramatike humanitare në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke kërkuar përfundimin e menjëhershëm të luftës dhe lirimit të të gjithë pengjeve.
KNFSH kërkon ndalimin e dhunës dhe garantimin e mbrojtjes së jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht grave dhe fëmijëve, të cilët janë viktimat më të mëdha të këtij konflikti. Shpërngulja e detyruar e popullsisë, pengimi i ndihmës humanitare dhe shkatërrimi i infrastrukturës bazë nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe përbëjnë një shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor.
Në frymën e solidaritetit ndërfetar dhe të përgjegjësisë morale që feja mbart, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë riafirmon se paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësi, mëshirë dhe respekt të ndërsjellë.
Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve botërorë, institucioneve ndërkombëtare dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë të shtojnë përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, për të siguruar menjëherë ndihmën e nevojshme humanitare dhe për të hapur rrugën drejt një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë dhe përreth saj.
Zoti i bekoftë paqendërtuesit!
/e.i/j.p/
The post Këshilli ndërfetar i Shqipërisë firmos deklaratën e përbashkët: Ndalni luftën në Gaza, lironi pengjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.