LONDËR – BM dhe Gjermania nënshkruajnë traktatin e miqësisë, duke thelluar lidhjet përballë kërcënimeve
LONDËR, 17 korrik /ATSH/- Kryeministri britanik, Keir Starmer dhe kancelari gjerman Friedrich Merz nënshkruan sot një traktat të rëndësishëm për thellimin e lidhjeve në fusha që variojnë nga mbrojtja te emigracioni – në një përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Bashkimin Evropian, sipas “Reuters”.
Në udhëtimin e tij të parë në Londër si kancelar, Merz e përshkroi traktatin e Kensington si historik, marrëveshja e parë e madhe dypalëshe midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për të thelluar bashkëpunimin në mbrojtje dhe për të nxitur rritjen ekonomike në të dy vendet.
Marrëveshja – që do të njihet si Traktati i Kensingtonit – u nënshkrua në muzeun V&A në Londër dhe u nënshkrua gjithashtu nga sekretari i Jashtëm David Lammy dhe homologu i tij gjerman, Johann Wadephul.
“Traktati është një dëshmi e afërsisë së marrëdhënies mes dy vendeve, një deklaratë qëllimi, një deklaratë e ambicies për të punuar gjithnjë e më ngushtë së bashku”, tha Starmer.
Dokumenti detajon marrëveshjen e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për të forcuar sigurinë euroatlantike dhe për të siguruar pengesë efektive kundër agresorëve të mundshëm – përmes forcave të tyre mbrojtëse, si dhe për të synuar përmirësimin e bashkëpunimit mbrojtës në të ardhmen.
Ai gjithashtu rikonfirmon mbështetjen për NATO-n dhe aleatët e NATO-s.
“Kjo është një ditë historike për marrëdhëniet gjermano-britanike”, tha Merz.
“Ne duam të thellojmë bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes, në politikën e jashtme, por edhe në politikën ekonomike dhe të brendshme”, shtoi kancelari gjerman. //a.i/
The post LONDËR – BM dhe Gjermania nënshkruajnë traktatin e miqësisë, duke thelluar lidhjet përballë kërcënimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.