Rritja e kapaciteteve në mbrojtjen e pronësisë industriale, DPPI bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë
TIRANË, 15 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim që të forcojnë ndërgjegjësimin dhe të rrisin kapacitetet e sipërmarrjeve shqiptare në fushën e pronësisë industriale.
Ky bashkëpunim, i cili është nënshkruar nga drejtorja e përgjithshme e komanduar e DPPI, Maria Solis Kapidani, dhe drejtori ekzekutiv i AmCham Albania, Neritan Mullaj, ka për qëllim mbështetjen e bizneseve shqiptare në procesin e njohjes, mbrojtjes dhe promovimit të aseteve të lidhura me inovacionin dhe konkurrueshmërinë në treg.
Marrëveshja parashikon një sërë aktivitetesh, përfshirë ofrimin e konsulencës teknike nga ekspertët e DPPI për anëtarët e AmCham, organizimin e trajnimeve profesionale dhe sesioneve informuese mbi temat e pronësisë industriale, si dhe zhvillimin e tryezave të përbashkëta me aktorët e tregut për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që ofron ky sektor.
Gjithashtu, do të nxisin projekte të përbashkëta që do të ndihmojnë ndërmarrjet shqiptare të kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes ligjore të risive të tyre dhe të sigurojnë një avantazh të qëndrueshëm në tregun global. /j.p/
The post Rritja e kapaciteteve në mbrojtjen e pronësisë industriale, DPPI bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.