Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive.

Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole u shpreh sot se nga informacioni më i përditësuar, situata e zjarrit të rënë në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës prej datës 11 gusht, paraqitet relativisht më e qetë sot, por ende ka prezencë aktive të zjarrit (pikat e kuqe në hartë).

“Në terren sot janë organizuar rreth 65 forca nga MZSH, AdZM, policia kufitare, punonjës shërbimi të bashkisë e vullnetarë të zonës, të mbështetur nga 35 forca të ushtrisë. Terreni ka vështirësi pasi kërkon afro 3 orë për të mbërritur në sipërfaqen e prekur dhe duhet shumë kujdes sepse zona ka edhe municione”, theksoi ai.

Jole shtoi se, po punohet prej gjashtë ditësh për të penguar sa është e mundur depërtimin brenda kurorës zonë të mbrojtur.

“Strukturat vendore janë në komunikim edhe me palën greke, për të koordinuar veprimet, duke shpresuar se ditën e sotme situata do të përmirësohet akoma më shumë”, theksoi ai.

Jole ripërsëritu apelin për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të tilla që kërkojnë shumë energji njerëzore e shpenzime buxhetore për t’u neutralizuar.

/gj.m/a.f/

The post Jole: Në qarkun e Korçës ka vetëm 1 vatër zjarri aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë rihap dyert në shtator me kushte moderne

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë do të hapë dyert në fillim të vitit të ri shkollor me një pamje krejtësisht të transformuar.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se falë investimit të përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Lushnjës, shkolla është rikonstruktuar tërësisht.

“Investimet në Arsim dhe Sport. Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë do të hapë dyert në shtator me klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive moderne, për të garantuar kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Lushnjës”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ndërhyrja ka përfshirë jo vetëm përmirësimin e godinës ekzistuese, por edhe ndërtimin e ambienteve të reja mësimore dhe ndihmëse.

Tashmë, shkolla do të ofrojë klasa të reja dhe të pajisura, një bibliotekë bashkëkohore, laboratorë funksionalë për lëndët shkencore, si dhe terrene sportive moderne që do të shërbejnë për edukimin fizik dhe aktivitete të tjera shkollore.

Ky investim është pjesë e vizionit për të garantuar një arsim cilësor në të gjitha nivelet dhe për të siguruar kushte të denja në mjediset ku formohen brezat e rinj.

/gj.m/

The post Rama: Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë rihap dyert në shtator me kushte moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Zbuloni fermat agroturistike përmes aplikacionit “Agritourism Al”

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Nga veriu në jug, Shqipëria mund të zbulohet përmes fermave agroturistike me anë të aplikacionit “AGRITOURISM.AL”

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ka ftuar sot turistët vendas dhe të huaj që të shijojnë gatime tradicionale të përgatitura me produkte të freskëta vendase , dhe të përjetojnë nga afër jetën e fermerëve dhe të bëhen pjesë e përditshmërisë së tyre.

“Shkarkoni aplikacionin AGRITOURISM AL dhe eksploroni të gjitha fermat agroturistike në mbarë vendin, aty ku tradita bashkohet me natyrën dhe mikpritja shqiptare kthehet në përvojë unike”, shkruan Denaj.

/gj.m//a.f/

The post Denaj: Zbuloni fermat agroturistike përmes aplikacionit “Agritourism Al” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit në fshatin Ballaj, Rrogozhinë

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Autori i dyshuar i zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, në fshatin Ballaj, Rrogozhinë është identifikuar dhe vënë në pranga.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Rrogozhinë, sapo morën njoftimin se mbrëmjen e djeshme, në territorin e fshatit Ballaj, kishte rënë zjarr i cili përfshiu një sipërfaqe të madhe toke me pemë frutore, shkuan menjëherë në vendin ku kishte nisur zjarri.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. A., 31 vjeç, banues në Vilëbashtovë, Rrogozhinë.

Arrestimi i tij u bë pasi, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe pemë frutore, në fshatin Ballaj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë banorët të mos ndezin zjarre për djegien e mbeturinave apo të mbetjeve të prodhimeve bujqësore, si dhe për qytetarët të shmangin hedhjen e cigareve të ndezura pranë sipërfaqeve të pyllëzuara.

/gj.m//a.f/

The post Vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrit në fshatin Ballaj, Rrogozhinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pamje magjike e lumit të Shalës

TIRANË, 17 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje magjike nga Lumi i Shalës.

Lumi i Shalës, që derdhet në liqenin e Komanit, po tërheq çdo vit një numër të lartë turistësh vendas e të huaj, për shkak të bukurisë që natyra i ka falur kësaj zone.

Në këtë atraksion të jashtëzakonshëm të turizmit, në veri të Shqipërisë, turistët zgjedhin të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës dhe ushqimet tradicionale që ofrohen në bujtinat e ngritura pranë tij.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 km prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin. Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla. Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin.

/gj.m//a.f/

The post Rama: Pamje magjike e lumit të Shalës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIA: Numër rekord, 44 555 turistë vizituan Butrintin në muajin korrik

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se, 44,555 turistë kanë vizituar, vetëm në muajin korrik, Parkun Kombëtar të Butrintit.

“Me një numër rekord prej 44,555 turistësh vetëm në muajin korrik, Parku Kombëtar i Butrintit konfirmon se vizitorët, veçanërisht të huajt që vijnë në Shqipëri tërhiqen nga trashëgimia historike dhe arkeologjike e parkut. Sipas të dhënave zyrtare, në 7 mujorin e parë të vitit 2025 Parku Kombëtar i Butrintit tejkalon 150,000 vizitorë”, thekson MIA.

Sipas MIA, kjo shënon një rritje prej gati 82% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Turistët e huaj vlerësojnë veçanërisht peizazhet natyrore të ruajtura mirë, mundësinë për të eksploruar trashëgiminë kulturore duke e kombinuar këtë aventurë edhe me pushimin në bregdetin e jugut”, shton MIA.

/a.f/

The post MIA: Numër rekord, 44 555 turistë vizituan Butrintin në muajin korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Kishën e Shna Ndout në Laç, përkujdesje ndaj pelegrinëve dhe vizitorëve vendas e të huaj

TIRANË, 17 gusht  /ATSH/ Pranë Kishës së Shna Ndout në Laç është hapur për herë të parë këtë sezon veror Qendra Shëndetësore Verore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu the se “kjo qendër shëndetësore është në shërbim të pelegrinëve dhe vizitorëve vendas e të huaj.

Me staf mjekësor të përkushtuar dhe shërbim të gatshëm për çdo nevojë shëndetësore. Kujdes, siguri dhe ndihmë mjekësore aty ku besimi takohet me përkujdesjen”.

“Jam nga Kosova, jetoj në Amerikë. Erdha tek Kisha e Shna Ndout për vizitë. Pashë këto vajzat që jepnin këtë shërbim. është shumë I mirë, ju falënderoj që na e jepni falas. Ju uroj suksese”, u shpreh në një video të ndarë nga ministrja, një turist që vizitoi këtë qendër shëndetësore.

/gj.m//a.f/

The post Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Kishën e Shna Ndout në Laç, përkujdesje ndaj pelegrinëve dhe vizitorëve vendas e të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontrabandë me produkte ushqimore, arrestohen 2 shtetas në Kapshticë

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ 2 shtetas janë arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në Korçë pasi tentuan të fusnin kontrabandë në Shqipëri  produkte ushqimore, medikamente, produkte medicinale për bimët, ikona kulti dhe disa aparate celularë

Gjithashtu janë sekuestruar mallrat e futura kontrabandë, të fshehura në automjetet  që  këta shtetas drejtonin.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kanë intensifikuar kontrollet në kufirin jeshil dhe në pikat e kalimit kufitar, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar automjetin me drejtues shtetasin D. Ç., 37 vjeç, banues në fshatin Papër, Elbasan dhe një autobus me drejtues shtetasin A. K., 58 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u konstatuan të fshehura një sasi produktesh  ushqimore dhe produkte medicinale për bimët, të cilat shtetasi D. Ç., tentonte t’i fuste në Shqipëri pa i deklaruar.

Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin që drejtohej nga shtetasi A.K,  u konstatuan të fshehura në pjesën e brendshme të derës së autobusit, një numër i konsiderueshëm ikonash kulti, një sasi medikamentesh, 2 aparat celularë dhe disa pajise automjetesh, të cilat shtetasi A. K., tentoi t’i fuste kontrabandë në Shqipëri, pa i deklaruar në kundërshtim me ligjin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit: D. Ç., për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar” dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe A. K., për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”.

Mallrat e konstatuara dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E., Z., 30 vjeç, banues në Korçë, R. Ç., 35 vjeç, banues në Pogradec, dhe G. B., 35 vjeç, banues në Elbasan për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

The post Kontrabandë me produkte ushqimore, arrestohen 2 shtetas në Kapshticë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Humbën orientimin në malin e Gomenit, policia ndihmon çiftin e turistëve nga Australia

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kamzë i kanë shkuar në ndihmë një çifti turistësh nga Australia, që humbi orientimin në malin e Gomenit.

Pasditen e djeshme, menjëherë pas njoftimit se bashkëshortët kishin mbetur të bllokuar në një terren të thepisur, me bimësi të dendur, në këtë mal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kamzë organizuan punën për t’i lokalizuar dhe shkuar në ndihmë.

Pas disa orësh kërkimesh intensive, u bë e mundur gjetja e çiftit nga Australia, i cili u asistua për zbritjen nga zona malore.

Turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan shërbimet e Policisë, për ndërhyrjen e shpejtë, si dhe për humanizmin dhe profesionalizmin e treguar.

/gj.m/j.p/

The post Humbën orientimin në malin e Gomenit, policia ndihmon çiftin e turistëve nga Australia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Respekt për të gjithë ata që luftojnë çdo ditë me flakët

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali shprehu sot mirënjohje për çdo përpjekje dhe sakrificë të zjarrfikësve në këto ditë të vështira kur vendi u përball me situatë kritike të zjarreve të favorizuar nga temperaturat e larta.

Aktualisht, nga 54 vatra, sot kanë mbetur vetëm 3 aktive.

Spiropali në një postim në rrjetet sociale shprehu respekt për të gjithë ata që luftojnë çdo ditë me flakët.

“Në veri, sot që prej orëve të para të mëngjesit angazhimi është ende maksimal: 6 helikopterë janë në mision për shuarjen e çdo vatre”, theksoi kryetarja e Kuvendit.

“Le të shpresojmë për dëme sa më të pakta dhe të kuptojmë njëherë e mirë: zjarret e qëllimshme janë krim ndaj jetës dhe natyrës. Një shkëndijë mjafton për të kthyer gjithçka në hi”, apeloi Spiropali.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali: Respekt për të gjithë ata që luftojnë çdo ditë me flakët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi “EU4Schools”, ndërhyrje edhe në bashkinë Mirditë

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara – UNDP në Shqipëri, përmes një publikimi në rrjet social, bën me dije se, edhe bashkia Mirditë është një prej 11 bashkive përfituese të Programit “EU4Schools” – “BE për Shkollat”.

“Në Njësinë Administrative Rubik të kësaj bashkie, EU4Schools ka bërë të mundur rindërtimin e kopshtit & çerdhes “Bleta Punëtore” duke sjellë shpresë dhe standarde të larta nëpërmjet infrastrukturës moderne arsimore. Prej rreth 2 vitesh e gjysmë tashmë, ky objekt i rindërtuar mirëpret fëmijë të Rubikut dhe stafin mësimor në hapësira bashkëkohore me termoizolim, instalime elektrike dhe hidro-sanitare eficiente, sistem ngrohje-ftohje dhe të mbrojtjes nga zjarri, sistem kamera sigurie, me rampa për aksesin e personave me aftësi të kufizuara, ndriçim efikas të jashtëm etj”, nënvizon UNDP në Shqipëria në publikimin e saj.

Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian me 75 milion euro dhe zbatohet nga UNDP në Shqipëri në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Deri tani në kontekstin e këtij projekti janë përfunduar 61 nga 63 objekte arsimore në 11 bashki të prekura nga tërmeti i 2019-tës, duke ndikuar në jetën e mbi 25,000 fëmijëve, nxënësve dhe mësuesve.

/gj.m/j.p/

The post Programi “EU4Schools”, ndërhyrje edhe në bashkinë Mirditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trump, letër Begajt: Pres të vazhdojmë bashkëpunimin për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Presidenti i Republikës Bajram Begaj, mori sot një letër nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Në mesazh presidenti Trump thekson angazhimin e tij për të vazhduar bashkëpunimin SHBA-Shqipëri bazuar në  miqësinë, aleancën dhe respektimin e idealeve mbi të cilët është ndërtuar dhe funksionon kombi amerikan.

“Duke mbrojtur sovranitetin, begatinë dhe paqen përmes forcës, së bashku ne mund të arrijmë të pamundurën.

Me kënaqësi pres të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me qëllim ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të suksesshme”,  shkruan presidenti Trump në letrën drejtuar Presidentit Begaj.

Letra e presidentit Trump pason mesazhin që Presidenti i Republikës përcolli për 249 -vjetorin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve.

/gj.m/j.p/

 

The post Trump, letër Begajt: Pres të vazhdojmë bashkëpunimin për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transportuan 20 emigrantë të paligjshëm, arrestohen 3 shtetas në Gjirokastër

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Policia e Gjirokastrës ka finalizuar gjatë 24 orëve, operacionet “Attempt 3” dhe “The bridge 1”, kundër dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit.

Për të dyja operacionet janë arrestuar 3 shtetas që transportonin drejt Shkodrës, 20 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht, në Mal të Zi.

Gjithashtu janë sekuestruar 3 automjetet e përdorura për transportimin, si dhe celularët e të arrestuarve.

Në kuadër të operacionit të koduar “Attempt 3”, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe me Sektorin Operacional arrestuan shtetasin A. Rr., 28 vjeç, banues në Shkodër, i cili u kap në vendin e quajtur “Kthesa e Andon Poçit”, duke transportuar 10 emigrantë.

Ndërsa në kuadër të operacionit “The bridge 1 “, Seksioni për Hetimin e Krimeve në DVKM Gjirokastër, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë së Kufirit të Gjelbër Kakavije, arrestuan në flagrancë shtetasit R. Sh., 45 vjeç dhe F. S., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë. Shtetasi R. Sh. u kap në vendin e quajtur “Ura e Glinës”, duke transportuar 10 emigrantë, ndërsa 37-vjeçari kontrollonte rrugën, me automjet tjetër, për të sinjalizuar bashkëpunëtorin e tij, për prezencën e Policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

The post Transportuan 20 emigrantë të paligjshëm, arrestohen 3 shtetas në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kultivuan bimë narkotike, arrestohen 2 shtetas në Himarë

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Policia e Vlorës ka arrestuar 2 shtetas të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike.

Shërbimet e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një rast të kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i të cilit u vunë në pranga, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, shtetasit: F. S., 62 vjeç dhe Ç. Xh., 47 vjeç.

Këta shtetas u kapën në flagrancë duke u kujdesur për bimët, veprim i dokumentuar edhe në pamje filmike, gjatë monitorimit me mjetet inteligjente dron.

Konkretisht, në përroin mes fshatrave Lukovë dhe Shën Vasil, në një zonë me bimësi të dendur dhe shkurre, këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin kultivuar rreth 150 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 20 bimë narkotike, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua nëpërmjet djegies.

Gjithashtu, u sekuestruan 3 telefona celular, vegla pune dhe sende të tjera që përdoreshin nga dy shtetasit për këtë veprimtari kriminale.

Plani operacional policor antikanabis “Koordinata” vijon intensivisht, në të gjithë territorin e qarkut Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

The post Kultivuan bimë narkotike, arrestohen 2 shtetas në Himarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijojnë punimet për fushën e re sportive në Gjirokastër

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Punimet për fushën e re stërvitore me bar artificial në Gjirokastër po ecin me ritme të mira.

Aktualisht po punohet me bazamentin e fushës së re dhe ka nisur procesi i drenazhimit. Brenda një muaji është parashikuar edhe shtrimi i tapetit artificial.

Në kuadër të këtij investimi të rëndësishëm të FSHF-së, si pjesë e projektit “100 fushat”, zv.presidenti i FSHF, Arben Dervishaj, dhe përfaqësues të Departamentit të Projekteve Infrastrukturore në FSHF, zhvilluan një vizitë inspektuese, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi.

Ata u njohën nga afër me ecurinë e punës së fushës së re, e cila do të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e futbollit në grupmoshat e reja.

Sipas marrëveshjes së firmosur mes FSHF-së dhe Bashkisë Gjirokastër, në këtë zonë do të ndërtohen dy fusha të reja sportive.

1 nga 3

/gj.m/j.p/

The post Vijojnë punimet për fushën e re sportive në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Përmirësim i dukshëm i situatës së zjarreve, 3 vatra ende aktive

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën si pasojë e zjarreve në vend.

MM thekson se, në 24 orët e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm të situatës nga zjarret në vend. Gjatë kësaj periudhe janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat 3 vatra janë aktive dhe 6 janë në monitorim.

Sipas MM, aktualisht po punohet me intensitet në disa zona.

Në Tërnovë (Bashkia Bulqizë), zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të vjetër Bulqizë. Në operacion janë angazhuar 8 efektivë të MZSH të bashkisë Bulqizë, 4 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 3 forca policore, të mbështetur nga FA me 30 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Po punohet për izolimin e zjarrit.

Në Xeth (Bashkia Fushë-Arrëz), vijon puna për izolimin e zjarrit me angazhimin e 60 forcave operacionale, të ndihmuara nga 80 forca ushtarake dhe 1 helikopter. Intensiteti i flakëve është ulur, por puna për shuarjen vazhdon.

Në Velë (Bashkia Mirditë), ka rënë zjarr në një masiv me pisha, me rreth 6.5 ha të përshkruara nga flakët. Në terren janë 3 automjete zjarrfikëse me 6 efektivë të MZSH të bashkisë Mirditë, 12 forca bashkiake, 6 forca të pyjores, 2 forca policore dhe 6 forca ushtarake. Po punohet për shuarjen e plotë të zjarrit.

Vatra në monitorim janë në Malin me Gropa – Bizë (Bashkia Bulqizë), ku zjarri po zhvillohet në zonë shkëmbore, pa rrezik dhe janë angazhuar 2 forca AdZM dhe 5 vullnetarë.

Në Zhapokikë, Plashnik (lagja Lugas) dhe Rehovë (Bashkia Poliçan), vatra është nën kontroll nga ndërhyrja e forcave, 2 helikopterëve, ndihmuar edhe nga reshjet e shiut.

Në Velçan (Bashkia Berat), situata është nën kontroll pas ndërhyrjes së 25 efektivëve MZSH, 2 helikopterëve dhe favorizuar nga reshjet e shiut.

Në Malin e Bërzhitës, Ibë (Bashkia Tiranë), vatra është nën kontroll nga 3 automjete zjarrfikëse, 5 forca APR dhe policia.

Në Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj (Bashkia Tiranë), situata është nën kontroll pas ndërhyrjes së MZSH, APR dhe Policisë.

Në Ferraj dhe Zall-Herr (Bashkia Tiranë) ka intensitet të ulët, nën kontroll dhe pa rrezik për banesat.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 52 automjete zjarrfikëse dhe 740 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 323 forca ushtarake, 7 automjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter të FA. Gjithashtu morën pjesë 4 helikopterë (EBA, çek, sllovak) dhe 1 avion Canadair nga Italia. /gj.m/j.p/

 

The post MM: Përmirësim i dukshëm i situatës së zjarreve, 3 vatra ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohen 3 shtetas për zjarrvënie të qëllimshme në Fier dhe Lushnjë

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ 3 shtetas janë identifikuar dhe arrestuar në Fier dhe Lushnjë për zjarrvënie të qëllimshme.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale për përcaktimin e autorësisë së rasteve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Fier dhe Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasit F. B., 68 vjeç, banues në lagjen “Bishanak”, Fier, i cili u kap në flagrancë, duke ndezur zjarr përbri argjinaturës së lumit Gjanica.

Gjithashtu, dyshohet se ka shkaktuar 3 vatra të tjera zjarri në lagjen ku banonte. Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të egër.

G. H., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, në tokën e tij, në lagjen “18 tetori”, për djegien e mbeturinave. Flakët, të cilat janë përhapur deri te ish fusha e mbetjeve urbane, kanë rrezikuar banesa në këtë zonë.

N. D., 62 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr, në afërsi të banesës së tij, për djegien e mbeturinave. Flakët janë përhapur në një territor të konsiderueshëm të fshatit dhe kanë rrezikuar banesa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm. /gj.m/j.p/

 

The post Arrestohen 3 shtetas për zjarrvënie të qëllimshme në Fier dhe Lushnjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonzato: BE solidaritet me Shqipërinë, falënderim për zjarrfikësit

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato reagoi sot lidhur me situatën e zjarreve në Shqipëri.

“Është e trishtë të shohësh kaq shumë pemë, shtëpi dhe fshatra të tërë nën kërcënimin e zjarreve në Shqipëri”, theksoi Gonzato në një postim në rrjetet sociale.

Ambasadori i BE falënderoi zjarrfikësit dhe ata që punojnë për të përballuar këtë emergjencë.

“Një falënderim i madh shkon për zjarrfikësit dhe të gjithë ata që po punojnë pa u lodhur për të përballuar këtë emergjencë”, theksoi Gonzato.

Ai gjithashtu u shpreh krenar që Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të BE treguan solidaritet në këtë moment të vështirë.

“Kjo është gjithashtu një kujtesë se duhet ta trajtojmë natyrën me kujdes dhe të veprojmë me përgjegjësi për ta mbrojtur dhe ruajtur atë”, nënvizoi ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

1 nga 4

/gj.m/j.p/

The post Gonzato: BE solidaritet me Shqipërinë, falënderim për zjarrfikësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Xheniot e FA, pjesë e stërvitjes së brigadës shumëkombëshe të NATO-s në Letoni

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Forcat e Armatosura të Shqipërisë marrin pjesë në stërvitjen VERBOOM të Brigadës Shumëkombëshe të NATO-s në Letoni.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ndau sot foto nga pjesëmarrja e xheniove të Forcave të Armatosura në ushtrimin intensiv me qëllim shkëmbimin e eksperiencës në terren midis vendeve aleate dhe promovimin e sigurisë kolektive në Evropë.

“Forcat tona në stërvitjen VERBOOM të Brigadës Shumëkombëshe të NATO-s në Letoni. Xheniot e Forcat e Armatosura të Shqipërisë pjesë e ushtrimit intensiv me qëllim shkëmbimin e eksperiencës në terren midis vendeve aleate dhe promovimin e sigurisë kolektive në Evropë”, shkroi Vengu në një postim në rrjetet sociale.

1 nga 5

/gj.m/j.p/

The post Vengu: Xheniot e FA, pjesë e stërvitjes së brigadës shumëkombëshe të NATO-s në Letoni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ilir Proda vlerësohet me “Certifikatën e Mirënjohjes” nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, qarku Fier ka vlerësuar me “Certifikatë të Mirënjohjes” drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për bashkëpunimin mjaft të mirë, transparent dhe në kohë, mes Policisë së Shtetit dhe medias, duke e konsideruar këtë bashkëpunim, si një model me standarde europiane, në funksion të interesit publik.

Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda priti një përfaqësi të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, qarku Fier, në një takim institucional që shënoi një moment domethënës vlerësimi dhe reflektimi mbi arritjet dhe sfidat e përbashkëta.

Në këtë frymë pozitive bashkëpunimi, në emër të gazetarëve të qarkut Fier, kryetari i Unionit, Vladimir Muçaj, njëkohësisht drejtor i medias online “Newsalbania”, së bashku me gazetarët Mariglen Bita dhe Ervis Profka (Fieri web.com), si dhe gazetarin e mirënjohur Fatmir Popja, i cili është një nga themeluesit e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, i dorëzuan drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, “Çertifikatën e Mirënjohjes”, me motivacionin: “Për kontribut të veçantë në forcimin e transparencës institucionale dhe përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe medias. Puna juaj ka ndikuar pozitivisht në krijimin e një klime besimi, respekti dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, duke e bërë informacionin publik më të aksesueshëm dhe komunikimin me gazetarët më efikas.”

Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda e cilësoi takimin si një moment të rëndësishëm dialogu dhe vlerësimi të ndërsjellë, jo vetëm me gazetarët e unionit të qarkut Fier, por me të gjithë gazetarët brenda dhe jashtë vendit që kanë interes të bashkëpunojnë dhe komunikojnë me Policinë e Shtetit, duke shprehur angazhimin e Policisë për të thelluar më tej marrëdhëniet me median, si një komponent thelbësor i forcimit të rendit dhe sigurisë publike.

“Së pari, më lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë për këtë certifikatë vlerësimi, të cilën nuk e shoh thjesht si një çmim personal, por si mirënjohje për të gjithë Policinë e Shtetit, që prej kohësh e konsideron median si një partner të domosdoshëm në përmbushjen e misionit tonë”, u shpreh Proda.

“Gazetarët janë gur themeli i shoqërisë, ura lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve, syri dhe veshi i tyre, por dhe pasqyra ku ne shohim punën tonë. Shpeshherë, jeni edhe oponenca konstruktive që na ndihmon të kuptojmë se ku duhet të përmirësohemi. Transparenca dhe marrëdhënia korrekte me median nuk janë vetëm detyrim ligjor, por kulturë pune dhe bindje personale imja, të cilën e kam vendosur në themel të veprimtarisë sonë institucionale”, shtoi ai.

“Ju siguroj se ky standard komunikimi dhe bashkëpunimi do të mbetet gjithmonë prioritet i Policisë së Shtetit. Ne do të jemi të hapur, të përgjegjshëm dhe të gatshëm për dialog, sepse e dimë se kur Policia dhe media punojnë së bashku me ndershmëri e besim, qytetarët fitojnë siguri, si dhe të vërtetën dhe shpresën për një shoqëri më të drejtë. Dua t’ju siguroj gjithashtu se Policia e Shtetit tashmë ka një udhëzues dhe protokoll sigurie për mbrojtjen e gazetarëve, si dhe një pikë kontakti që ndjek në dinamikë çdo denoncim apo shqetësim tuajin. Ne jemi të angazhuar maksimalisht për sigurinë dhe mbrojtjen tuaj”, tha Proda.

Ndërsa kryetari i Unionit, Vladimir Muçaj u shpreh se, “ky vlerësim është një dëshmi e qartë e progresit që ka bërë Policia e Shtetit në ndërtimin e një kulture të re institucionale, ku media nuk shihet si një pengesë, por si një partner përmes së cilës informacioni i saktë, i verifikuar dhe i shpejtë mbërrin te qytetari. Kjo marrëdhënie nuk është ndërtuar rastësisht. Ka qenë iniciativa e kësaj dege të Unionit dhe e të tjerave në Shqipëri, të përbëra nga gazetarë me përvojë shumëvjeçare dhe kontribute të rëndësishme në median kombëtare dhe lokale, që kanë nxitur dhe konsoliduar këtë bashkëpunim. Ky komunitet profesional gazetarësh, që i njeh sfidat dhe përgjegjësitë e informimit publik, e konsideron thelbësore që bashkëpunimi me institucionet ligjzbatuese të jetë i strukturuar, i sinqertë dhe i dobishëm për shoqërinë”.

Ai falënderoi Prodën për komunikimin me gazetarët, që shtoi Muçaj, “pavarësisht ngarkesës së madhe të punës që ke, na kthen përgjigje në kohë reale, dhe kjo është hera e parë që ndodh në Policinë e Shtetit, që një Drejtor i Përgjithshëm i përgjigjet medias në kohë dhe duke adresuar tek personat përgjegjës për zgjidhjen e kërkesave të gazetarëve”.

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për aspekte që mund të përmirësohen më tej në marrëdhënien media–polici, për sfidat në raportimin korrekt të ngjarjeve kriminale, për komunikimin më efikas në situata emergjente dhe për rritjen e aksesit të gazetarëve te informacioni zyrtar, pa cenuar hetimet apo proceset ligjore në vijim.

Një element i veçantë i takimit ishte edhe dhurimi i librit të gazetarit Mariglen Bita, i cili trajton çështje kyçe të funksionimit të medias dhe sfidat profesionale që e shoqërojnë atë në Shqipëri.

Takimi tepër miqësor u përmbyll me angazhimin e të dyja palëve për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Shtetit dhe gazetarëve në tërësi, duke u bazuar në parimet e transparencës, respektit institucional dhe profesionalizmit.

/gj.m/j.p/

 

The post Ilir Proda vlerësohet me “Certifikatën e Mirënjohjes” nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌