Grup pune për zgjidhjen e çështjes së vaditjes në Myzeqe
TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Një grup pune i përbërë nga përfaqësues të institucioneve qeveritare, ekspertë dhe investitorë ka nisur punën për adresimin e sfidave që lidhen me menaxhimin e liqenit të Thanës, një burim tërësisht jetik për Myzeqenë.
Ky grup i drejtuar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka si objektiv krijimin e një plani të detajuar për menaxhimin e ujërave dhe zgjidhjen e çështjes së vaditjes në këtë zonë të rëndësishme bujqësore.
“Liqeni i Thanës ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e bujqësisë në Myzeqe. Gjatë viteve të fundit, sipërfaqet e mbjella janë trefishuar, gjë që ka rritur ndjeshëm kërkesat për ujë. Po ashtu, operimi i dy prej HEC-eve më të rëndësishëm të kaskadës së Devollit, pjesë e gjerdanit energjitik të Shqipërisë, ka sjellë sfida të reja për menaxhimin e burimeve ujore, duke kërkuar një koordinim më të ngushtë ndërmjet sektorëve të energjisë dhe bujqësisë”, tha Balluku gjatë diskutimeve.
Takimi i zhvilluar synoi hartimin e një kalendari ndërhyrjesh që do të mundësojë menaxhimin më efikas të ujërave, si dhe mbështetje të qëndrueshme për sektorin e bujqësisë.
Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet të gjithë aktorëve të interesuar, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm. /j.p/
The post Grup pune për zgjidhjen e çështjes së vaditjes në Myzeqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.