MOSKË – Putin: Raketa hipersonike e Rusisë ka hyrë në shërbim dhe do të dislokohet në Bjellorusi
MOSKË, 1 gusht /ATSH/- Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se Rusia ka filluar prodhimin e raketave të saj më të reja hipersonike dhe rikonfirmoi planet e saj për t’i dislokuar ato në Bjellorusinë aleate, këtë vit.
I ulur përkrah presidentit të Bjellorusisë, Alexander Lukashenko në ishullin Valaam pranë Shën Peterburgut, Putini tha se ushtria tashmë ka zgjedhur vendet e dislokimit për raketën balistike me rreze të mesme veprimi “Oreshnik”, në Bjellorusi.
“Puna përgatitore është duke vazhduar dhe ka shumë të ngjarë që ne do ta përfundojmë atë para fundit të vitit”, tha Putin, duke shtuar se seria e parë e “Oreshnik” dhe sistemet e tyre janë prodhuar dhe kanë hyrë në shërbimin ushtarak.
Rusia e përdori për herë të parë “Oreshnik”, që në rusisht do të thotë “pemë lajthie”, kundër Ukrainës në nëntor, kur qëlloi armën eksperimentale në një fabrikë në Dnipro që ndërtonte raketa kur Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Ai e paralajmëroi Perëndimin se Moska mund ta përdorte atë kundër aleatëve të Ukrainës në NATO, të cilët i lejuan Kievit të përdorte raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar brenda Rusisë.
Shefi i forcave raketore të Rusisë ka deklaruar se Oreshnik, i cili mund të mbajë koka luftarake konvencionale ose bërthamore, ka një rreze veprimi që i lejon asaj të arrijë në të gjithë Evropën.
Vjeshtën e kaluar, Putini dhe Lukashenko nënshkruan një traktat që i jepte Bjellorusisë garancitë e sigurisë nga Moska, duke përfshirë përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore ruse për të ndihmuar në sprapsjen e çdo agresioni.
Pakti vjen pas rishikimit të doktrinës së saj bërthamore nga Kremlini, i cili për herë të parë e vendosi Bjellorusinë nën ombrellën bërthamore ruse mes tensioneve me Perëndimin për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Vendosja e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi, e cila ka një kufi prej 1,084 kilometrash (673 milje) me Ukrainën, do t’u lejonte avionëve dhe raketave ruse të arrinin objektivat e mundshme më lehtë dhe shpejt – nëse Moska vendos t’i përdorë ato.
Gjithashtu zgjeron aftësinë e Rusisë për të synuar disa aleatë të NATO-s në Evropën Lindore dhe Qendrore.
Doktrina bërthamore e ripërpunuar që Putini nënshkroi vjeshtën e kaluar thotë – se Moska mund të përdorë armë bërthamore “në përgjigje të përdorimit të armëve bërthamore – dhe llojeve të tjera të shkatërrimit në masë” kundër Rusisë ose aleatëve të saj – si dhe “në rast agresioni” kundër Rusisë dhe Bjellorusisë me armë konvencionale që kërcënojnë “sovranitetin dhe/ose integritetin e tyre territorial”. //a.i/
The post MOSKË – Putin: Raketa hipersonike e Rusisë ka hyrë në shërbim dhe do të dislokohet në Bjellorusi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.