SOFJE, 21 korrik /ATSH-BTA/ – Një sasi rekord prej 205,9 kg kokainë u sekuestrua në pikën kufitare ”Kapitan Andreevo” nga një automjet me targa belge, që e kishte një diplomat nga Republika e Kongos në Bruksel.
Tre persona u arrestuan, dy burra, të moshës 40 dhe 43 vjeç, dhe një grua 54-vjeçare.
Lajmi u njoftua gjatë një konference për shtyp në pikën kufitare, ku morën pjesë ministri i Brendshëm Daniel Mitov, ministrja e Financave Temenuzhka Petkova, prokurori i Qarkut të Haskovos Ivan Stoyanov, drejtori i Agjencisë Doganore Georgi Dimov dhe kryekomisioneri Boyan Raev, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme për Luftimin e Krimit të Organizuar.
Ministria e Brendshme e përshkroi këtë si sasinë më të madhe të kokainës së sekuestruar ndonjëherë në kufijtë tokësorë të Bullgarisë.
”Kokaina u gjet gjatë një inspektimi të automjetit diplomatik që mbërriti në Bullgari nga Turqia më 18 korrik”, theksoi prokurori i qarkut të Haskovos, Ivan Stoyanov.
”Droga ishte në pesë valixhe. Të arrestuarit – një belge, një bullgar që drejtonte makinën dhe diplomati, u akuzuan zyrtarisht më 19 korrik. Ata u mbajtën për 72 orë”, tha Stoyanov.
Ai shtoi se akuzat kundër tyre mbartin një dënim me burgim nga 15 deri në 20 vjet dhe një gjobë prej 200 000 deri në 300 000 leva.
Sipas vlerësimit të gjykatës, vlera e drogës së sekuestruar është 37,69 milionë leva./ /os/
Debutimi i formatit të ri të Champions League ishte një sukses për UEFA-n që pa të realizohej gjithçka që priste. Zgjerimi i kompeticionit në 36 skuadra dhe futja e fazës kampionat e ka bërë kompeticionin shumë më të paparashikueshëm, deri në ditën e fundit që mund të ndikonte në gjithë renditjen dhe rrjedhimisht edhe në kualifikimet për në të tetat. Në prag të sezonit të ri është futur një ndryshim i një rregulli që e favorizoi shumë PSG-në, fitues i kupës në finalen kundër Inter-it, të cilit iu shtuan disa kushte të koklavitura por që duhet të shmangin disa padrejtësi të vëna re në edicionin e parë.
Gjithçka rrotullohet rreth caktimit të fushave të ndeshjeve të fazës me eliminim direkt dhe, në veçanti, se cila skuadër mund të përfitojë nga kthimi në shtëpi. Nuk do të veprohet më me short, siç është bërë deri sezonin e kaluar, por e drejta do të caktohet në bazë të meritës dhe renditjes në fazën kampionat. E gjitha kjo dihej tashmë, por detaji që UEFA ka shtuar lidhet me mundësinë për të “vjedhur” këtë privilegj në rast eliminimi të një prej skuadrave që arrijnë ta fitojnë atë.
Çfarë ndryshon me rregullin e ri të Champions
Rregulli u fut në qershor dhe sjell ndryshime që favorizojnë të parat e renditura të fazës kampionat: kush do të përfundojë në katër vendet e para do të ketë garancinë të luajë në shtëpi ndeshjen e kthimit të të tetave dhe çerekfinaleve (nëse do të arrijnë deri aty), ndërsa e para dhe e dyta në renditje do të luajnë në shtëpi edhe ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales. Është një ndryshim i madh krahasuar me sezonin e kaluar kur PSG përfitoi nga caktimi rastësor: parisienët u desh të kalonin playoff-et kundër Brest pasi përfunduan të 15-tët, por pastaj arritën në gjysmëfinale ku u përballën me Arsenal duke e eliminuar falë fitores në shtëpi. Shumë e quajtën skandal, sepse anglezët e kishin përfunduar fazën kampionat në vendin e tretë dhe sipas tifozëve duhej të kishin përfituar nga ai avantazh.
Nga viti i ardhshëm shorti do të zhduket për t’i lënë vendin një sistemi meritokratik. Katër të parat do të luajnë ndeshjen e kthimit në shtëpi në të tetat dhe çerekfinale, por skuadrat që i eliminojnë ato mund t’ua vjedhin këtë privilegj. Praktikisht kush do të përfundojë i 7-ti, 8-ti, 9-ti, 10-ti, 15-ti, 16-ti, 17-ti, 18-ti, 23-ti, 24-ti (dhe për rrjedhojë mund të përfundojë potencialisht në tabelë kundër një prej katër të parave) mund ta trashëgojë këtë të drejtë në rast kalimi të turit.
Ky detaj do t’u lejojë klubeve që përfundojnë më prapa në renditje të fitojnë gjithsesi një avantazh duke ia “vjedhur” kundërshtarit, duke e bërë fazën me eliminim direkt më të ashpër. Vetëm i pari, i dyti, i shtati, i teti, i nënti, i 10-ti, i 15-ti, i 16-ti, i 17-ti, i 18-ti, i 23-ti, i 24-ti do të mund të luajnë ndeshjen e kthimit në shtëpi edhe në gjysmëfinale, një përzgjedhje e diktuar nga çiftimet e parashikuara nga tabela. Ndryshimi i rregullores do të zbatohet jo vetëm në Champions League, por edhe në Europa League, Conference League dhe gjithashtu në Women’s Champions League.
Emisioni “Në Shënjestër” Një zhurmë e paplotë, por mjaftueshëm e frikshme, çau qetësinë e natës dhe prishi shurdhërinë e orëve të vona, duke lënë të shtangur ata pak vizitorë të pranishëm në një pallat të ri, ende jo plotësisht i populluar nga banorët e rinj. Ishte një shfryrje e panjohur, e cila në atë moment […]
Ish-ambasadori dhe diplomati i karrierës në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, njohës shumë i mirë i zhvillimeve në Ballkan, thekson ekskluzivisht për A2 CNN se sanksionet ndaj ish-kryeministrit, Sali Berisha, janë vendosur pa prova konkrete, por në bazë thashethemesh, të përcjella nga ambasada e SHBA në Tiranë për në Uashington. “Ky legjislacion që krijoi këtë […]
Presidenti rus, Vladimir Putin, dëshiron që Ukraina të dorëzohet, tha kryediplomati i Gjermanisë, Johann Wadephul, gjatë vizitës në Kiev, teksa Rusia javët e fundit ka intensifikuar bombardimet ndaj shtetit fqinj.
Kjo është vizita e parë e ministrit të Jashtëm gjerman, Wadephul, që kur ai mori këtë post muajin e kaluar.
Në mes të bisedimeve të bllokuara për t’i dhënë fund luftës trevjeçare, “Putin nuk po tërhiqet nga asnjë nga kërkesat e tij maksimaliste – ai nuk dëshiron negociata, ai dëshiron kapitullim”, tha Wadephul gjatë vizitës të paparalajmëruar në Kiev.
“Liria dhe pavarësia e Ukrainës janë detyra më e rëndësishme e politikës tonë të jashtme dhe të sigurisë”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Jashtme gjermane.
Rusia “po llogarit në dobësimin e mbështetjes sonë dhe dëshiron pushtim dhe nënshkrim me çdo kusht, madje edhe në kurriz të mijërave jetë”, tha ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës, pasi sulmet ruse të kryera më 29 qershor përfshin qindra dronë, raketa lundruese dhe balisitike.
Gjermania është mbështetësja më e madhe në Evropë e Ukrainë dhe e dyta në botë pas Shteteve të Bashkuara, duke i ofruar armë dhe ndihmë tjetër me qëllim që Kievi të zmbrapsë forcat ruse.
Aitana Bonmatí është e shtruar në spital, i është diagnostikuar një meningit viral. Fotoja e ndarë në rrjetet sociale nga shtrati, me tubat e serumit të vendosur në krahun e majtë, bën përshtypje dhe ngjall shqetësim. Futbollistja e Barcelonës dhe e Spanjës, dy herë fituese e Topit të Artë, është detyruar t’i nënshtrohet një trajtimi mjekësor më të thelluar për shkak të simptomave që ishin shfaqur ditët e fundit. Temperaturë e lartë, madje tepër e lartë, përveç një gjendjeje të përgjithshme të keqe që e shtyu stafin e përfaqësueses spanjolle ta transportonte në spital. Lojtarja i është nënshtruar një terapie farmakologjike në rrugë intravenoze, por, të paktën për momentin, nuk janë dhënë informacione për kohën e shërimit dhe rikuperimit.
Fotoja nga shtrati i spitalit: “Situatë shqetësuese, por nën kontroll”
Mesfushore dhe shtyllë e kombëtares femërore, Bonmati rrezikon të humbasë Kampionatin Europian për femra që fillon për pesë ditë dhe zhvillohet në Zvicër. Trajneri, në marrëveshje me Federatën, ka vendosur të presë edhe pak para se ta përjashtojë nga lista e të grumbulluarve dhe ta zëvendësojë. Edhe nëse do të arrijë të rikuperohet në kohë, më pas do të duhet vlerësuar nëse gjendja e saj fizike do t’i lejojë pjesëmarrjen në trofeun kontinental.
Federata dhe trajneri sqarojnë: “Meningiti tremb, por është nën kontroll”
Të shpjegojnë se si është Bonmati dhe çfarë i ka ndodhur ishin vetë Federata spanjolle dhe trajneri: “Fjala meningit të tremb, por në parim është nën kontroll. Nuk e dimë sa kohë do të duhet që të shërohet”. Ajo vuante nga temperaturë për disa ditë, por ende nuk ishte përjashtuar nga ndeshja miqësore me Japoninë (gjë që ndodhi më pas) të cilën e ndoqi nga shtrati i dhomës së spitalit ku ndodhet aktualisht. Ankthi për gjendjen e saj të shëndetit lindi nga imazhi që vetë futbollistja publikoi në një histori në Instagram.
Trajnerja Tomé: “Nuk i dimë kohët e rikuperimit”
“Aitana është një lojtare shumë e rëndësishme dhe do ta presim deri në fund – ishin fjalët e trajneres Montserrat Tomé gjatë konferencës për shtyp. – Nuk mundi të merrte pjesë në stërvitjen e fundit, kishte temperaturë dhe nuk u përmirësua gjatë ditës. E vetmja informacion që kam është se nuk i dimë kohët e rikuperimit të saj. Nuk mund të shtoj asgjë tjetër. Nëse do të thoja diçka, do të gabohesha sepse nuk jam mjek”.
Spanja do të udhëtojë drejt Zvicrës të dielën dhe do të qëndrojë në qendrën e grumbullimit në Lozanë gjatë turneut: është e përfshirë në Grupin B së bashku me Belgjikën, Italinë dhe Portugalinë; debutimi është parashikuar më 3 korrik kundër përfaqësueses luzitane.
Mesfushorja spanjolle, Aitana Bonmati, fituese dy herë e Topit të Artë, është shtruar në spital me meningjit viral më pak se një javë para fillimit të Kampionatit Evropian të Futbollit për Femra.
Trajnerja e Spanjës, Montse Tome, tha të premten vonë se lojtarja e saj yll ishte ndjerë keq dhe ishte dërguar në një spital në Madrid, ku rezultoi pozitive për meningjit.
Ekipi i Spanjës do të udhëtojë për në Zvicër të dielën për turneun. Ndeshja e saj e parë është kundër Portugalisë të enjten në Bernë. Gjithashtu do të përballet me Belgjikën dhe Italinë në Grupin B në Euro 2025.
“Aitana është një lojtare shumë e rëndësishme për ne dhe ne do ta presim”, tha Tome pasi Bonmati humbi ndeshjen miqësore të së premtes kundër Japonisë në kryeqytetin spanjoll, kur Spanja mundi mysafirët 3-1.
Tome tha se Bonmati filloi të ndihej keq me ethe gjatë stërvitjes në orët e para të së premtes.
“Ajo më ka autorizuar të them se ka meningjit viral”, tha Tome. “Fjala është e frikshme, por mjeku më thotë se është nën kontroll. Ajo do të qëndrojë në spital dhe nuk e dimë për sa kohë”.
Bonmati, 27 vjeç, ka fituar çmimin më të lartë individual për femra gjatë dy viteve të fundit. Lojtarja e Barcelonës ishte çelësi i fitores së Spanjës në Kupën e Botës për Femra në vitin 2023.
Vizioni, aftësitë e driblimit, pasimet dhe golat e Bonmatit kanë qenë gjithashtu thelbësore për arritjen e Barcelonës në pesë finale radhazi të Ligës së Kampionëve, me klubin katalanas që fitoi tre tituj.
Mungesa e saj do të ushtronte më shumë presion mbi Alexia Putellas, vetë fituese dy herë e Topit të Artë, dhe mesfushoren tjetër të Barcelonës, Patricia Guijarro, për të udhëhequr Spanjën. Kundër Japonisë, Tome luajti si titullar 18-vjeçaren Vicky Lopez në vend të Bonmatit.
Diplomati Arben Çejku ka folur në Euronews Albania lidhur me krizën mes Izraelit dhe Irani, teksa për regjimin e këtij të fundit, Çejku mendon se sa vjen e bie.
Diplomati thekson se Izraeli, me anë të SHBA-së ka realizuar edhe heqjen e kërcënimit bërthamor.
“Regjimi iranian është në rënie e sipër, në kalbëzim. Kushtet e marrëveshjes me Trump mesa duket ishin kushte mbijetese, deri edhe fizike por edhe politike. Tani do shohim se si do të reagojë Izraeli i cili nëpërmjet mbështetjes amerikane ka realizuar një nga objektivat, ka hequr kërcënimin bërthamor. Mendoj se Izraeli do ketë një qasje më interesante nga sa presim.
Ka një zhvillim në fjalët e Trump, aq sa janë bërë publike teksa deklaron se duhen ndaluar sulmet dhe orienton sesi duhet te veprohet, kjo tregon se bisedat kanë qenë shumë të ashpra dhe duket që Izraeli nuk është i kënaqur me këtë arritje, me kaq sa është arritur. Duhet parë se një nga personazhet kyç, është kreu i shtetit të Katarit në këto bisedime.
Për të kaluar nga armëpushimi tek dialogu dhe për një marrëveshje, është ende një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, tha Arben Çejku.
Është zbardhur identiteti i të riu, i cili u mbyt pasditen e kësaj të diele në lumin Mat. Burime bëjnë me dije se viktima është shtetasi Klajdi Elezi, 22 vjeç, me banim në Skuraj të Milotit në Kurbin. Mësohet se ai ka qenë duke u larë së bashku me dy kushlrinjtë e tij në lumin […]
Në Shtetet e Bashkuara, nga 14 qershori deri më 13 korrik, zhvillohet edicioni i parë i Botërorit për Klube, turneu i dëshiruar nga FIFA që do të mbahet çdo katër vjet. Për Italinë janë në garë Inter dhe Juventus. Evenimenti është shumë i pritur, është i ri dhe tifozët do të mësojnë ta njohin. Megjithatë, rregullorja është shumë e thjeshtë dhe ndjek modelin e një Botërori për Kombëtare. Fillon me fazën e grupeve dhe më pas kalon në atë me eliminim direkt nga të tetat e finales e tutje.
Sa skuadra marrin pjesë në Botërorin për Klube dhe si kualifikohen
Janë 32 skuadra që do të luajnë në edicionin e parë të këtij kompeticioni. Europa është kontinenti me numrin më të madh të ekipeve: 12. Conmebol (Amerika e Jugut) ka gjashtë. Të tjerat kanë nga katër secila, ndërsa konfederata e Oqeanisë ka vetëm një, plus një vend shtesë për vendin pritës. FIFA kishte përcaktuar kritere të qarta: skuadrat që fitojnë Champions League përkatëse gjatë katër viteve të fundit janë të kualifikuara automatikisht. Prandaj, një rregull i veçantë vlen vetëm për Europën dhe Amerikën e Jugut, të cilat bazuar në renditjen më të lartë kanë zgjedhur skuadrat përfaqësuese.
Çdo shtet nuk mund të ketë më shumë se dy skuadra pjesëmarrëse, arsye për të cilën nuk është i pranishëm Barcelona (i treti në renditjen spanjolle për periudhën 2021–2024) dhe as Liverpool, pasi në këtë katërvjeçar Champions League u fitua nga Chelsea dhe Manchester City. Dhe mes skuadrave kampione mungon gjithashtu edhe Napoli (i treti në renditjen italiane pas Inter dhe Juventus, që janë të kualifikuara).
Formati i ri i Botërorit për Klube, si funksionon dhe rregullorja
Botërori për Klube ka një format të thjeshtë. Skuadrat pjesëmarrëse janë ndarë, nëpërmjet shortit, në tetë grupe me nga katër skuadra secili. Dy të parat e çdo grupi kualifikohen për të tetat e finales. Pas fazës së grupeve kalojmë në fazën me eliminim direkt, me një skemë të përcaktuar që do të çojë nga të dy anët e saj dy skuadra në finale, që do të luhet të dielën më 13 korrik.
Rregullorja e grupeve dhe kush kualifikohet për 1/8 finales
Rregullat e fazës së grupeve janë shumë të thjeshta. Dy skuadrat që marrin më shumë pikë në secilin grup kualifikohen për të tetat e finales. Në rast barazie pikësh mes dy ekipeve, merret parasysh ndeshja direkte mes tyre. Nëse edhe ai kriter është i barabartë, shikohet numri i golave të shënuar ndërmjet atyre dy skuadrave në ndeshjet e grupit. Nëse barazia vazhdon, merret parasysh kriteri i fair play (-1 për një karton të verdhë, -3 për një karton të kuq nga dy të verdhë, -4 për një të kuq direkt). Në rast barazie absolute do të vendoset me short.
Grupi A: Palmeiras, Porto, Al Ahly, Inter Miami
Grupi B: PSG, Atletico Madrid, Botafogo, Seattle Sounders
Grupi C: Bayern Munich, Auckland City, Boca Juniors, Benfica
Grupi D: Flamengo, Chelsea, Los Angeles FC, Esperance e Tunizisë
Grupi E: River Plate, Urawa Red Diamonds, Monterrey, Inter
Grupi F: Fluminense, Borussia Dortmund, Ulsan, Mamelodi Sundowns
Grupi G: Manchester City, Al Ain, Juventus, Wydad AC
Grupi H: Real Madrid, Al Hilal, Salzburg, Pachuca
Te Botërori i Klubeve, Juventusi ndodhet në Grupin G, Inter në Grupin E. Në asnjë rast nuk mund të përballen në të tetat e finales, por mund të përballen në çerekfinale nëse përfundojnë në të njëjtën anë të skemës. Inter, si i pari apo i dyti në Grupin E, do të ndeshej me një nga skuadrat e Grupit F: Borussia Dortmund ose Fluminense në 1/8. Juve, nga ana tjetër, nëse del e para apo e dyta në Grupin G, mund të përballet me Real Madrid ose Al Hilal, tashmë i drejtuar nga Inzaghi.
Fituesi i Grupit A – I dyti i Grupit B
Fituesi i Grupit C – I dyti i Grupit D
Fituesi i Grupit E – I dyti i Grupit F
Fituesi i Grupit G – I dyti i Grupit H
Fituesi i Grupit B – I dyti i Grupit A
Fituesi i Grupit D – I dyti i Grupit C
Fituesi i Grupit F – I dyti i Grupit E
Fituesi i Grupit H – I dyti i Grupit G
Një lajm i trishtë ka ardhur këtë të premte, ku diplomati Ilir Shqina është ndarë nga jeta. Ishte ish-ministrja Majlinda Bregu që bëri publike lajmin e trishtë. Ajo shkruan po ashtu se kishte fatin që ta kishte Ilirin si këshilltar diplomatic në Ministrinë e Integrimit, ku sipas Bregut, ai karakterizohej nga korrektësia, dinjiteti dhe maturia. […]
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje mahnitëse nga zona e Matit, duke e vlerësuar atë si një nga destinacionet që çdo vizitor duhet të eksplorojë.
“Me pamjet e mrekullueshme nga Mati, ku natyra ofron një panoramë të jashtëzakonshme dhe një destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar”, shkruan Rama në postimin e tij, duke theksuar bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të kësaj zone veriore të Shqipërisë.
Publikimi vjen në kuadër të promovimit të pasurive natyrore të vendit dhe nxitjes së turizmit lokal në prag të sezonit veror.
Rajoni i Matit ofron një sërë destinacionesh turistike që kombinojnë bukuritë natyrore me vlerat historike dhe kulturore.
Ndër më të njohurat është Parku Natyror i Qafë-Shtamës, një zonë e mbrojtur që shtrihet në kufirin mes Matit dhe Krujës. Ky park është i njohur për pyjet e dendur me pisha, burimet e pastra të ujit dhe ajrin e freskët, duke e bërë një destinacion të preferuar për ecje dhe relaks në natyrë. Në këtë zonë ndodhet edhe vila e ndërtuar nga Mbreti Zog, e njohur si “Vila e Mbretëreshës Nënë”, që shton vlerën historike të parkut.
Përveç Parkut të Qafë-Shtamës, Matit i përkasin edhe vende të tjera me interes turistik, si Kalaja e Macukullit, një fortesë mesjetare që ofron pamje panoramike të luginës, si dhe Ura e Zogut, një strukturë historike që lidh brigjet e lumit Mat.
Gjithashtu, zona është e pasur me tradita kulturore dhe kulinarinë karakteristike të veriut të Shqipërisë, duke ofruar një përvojë të plotë për vizitorët./atsh/KultPlus.com
Në videon e mëposhtme, të siguruara nga Boldnews, janë pamjet e autorit të vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, i cili u ekzekutua mëngjesin e së dielës në lagjen “Hajro Çakërri” në qytetin e Vlorës. Pamjet janë filmuar nga kamerat e sigurisë pranë zonës ku ndodhi krimi, ku vrasësi shfaqet në momentin kur shkon mes rrugicave […]
Personi që shihni në foton e mëposhtme dyshohet se është autori i vrasjes së 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, i cili u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të 27 Prillit në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës. Ai është filmuar nga një kamer sigurie pranë zonës ku ndodhi krimi, teksa shfaqet i veshur me të zeza, […]
Tre muaj nga ngjarja e rëndë, e hedhjes me dron të një sasie tritoli në apartamentin me qera, ku jetonte Bernardo Sinomati, ky i fundit ende nuk është paraqitur në polici për të dhënë shpjegime. Sinomati dhe e dashura e tij, Elena Arza, e cila ishte personi që kishte rezervuar apartamentin përmes një agjencie imobiliare, […]
Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shpërfillur urdhrin e Gjykatës Themelore të Prishtinës për t’u paraqitur për intervistim në Prokurorinë Speciale, për të dhënë dëshminë e tij lidhur me rezervat shtetërore. Ky veprim i Kurtit, ka ngritur shqetësime të shumta për respektimin e autoritetit të institucioneve të drejtësisë në vend.
Përkundër këtij urdhri, kryeministri Kurti vazhdon të insistojë që intervistimi të realizohet në zyrën e tij, në kryeministri, dhe jo në ambientet e Prokurorisë. Ai e arsyeton këtë qëndrim duke thënë se Prokuroria ka për qëllim luftimin e Qeverisë, dhe jo të korrupsionit.
Njohësit e sistemit të drejtësisë kanë shprehur shqetësim për veprimet e kryeministrit, duke i cilësuar ato si një shembull të keq për respektimin e rendit ligjor në vend.
Ata theksojnë se ky veprim mund të ndikojë negativisht në besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.
Vullnet Bugaqku nga KDI ka thënë për Telegrafin se ata kanë kërkuar më herët nga Kryeministri Kurti që të përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë Speciale.
Ai ka bërë të ditur se veprimi i kryeministrit Kurti minon sundimin e ligjit.
“Ne kemi vlerësuar që një veprim i tillë e minon sundimin e ligjit në Kosovë dhe mbi të gjitha e cenon rëndë parimin e barazisë para ligjit, pra që është një parim kushtetues, ligjor dhe që vlen për të gjithë, pavarësisht pozitës dhe funksionit. Prandaj, ne kemi vlerësuar dhe vlerësojmë që mosrespektimi i institucioneve të tilla i japin njollë të keqe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht në sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Dhe kjo mund të nxisë në të ardhmen të themi ashtu sjellje injoruese ose sjellje të ngjashme edhe nga ana e qytetarëve, të cilët me të drejtë mund të theksojnë faktin që meqenëse i pari shtetit, në rasti i parë i Qeverisë nuk i përgjigjet ftesës së institucioneve të drejtësisë, atëherë e pse edhe ne shkojmë edhe t’i përgjigjem”, theksoi ai.
Mes tjerash ai shtoi se “ po kjo jep një shembull të keq dhe e ushqen kështu në kuptimin logjikë ndjenjat ose edhe apetitet e qytetarëve të ndryshëm, që të mos ta respektojnë ligjin dhe mbi të gjitha që të mos sillen në përputhje me kërkesat ligjore që vijnë nga gjykatat dhe Prokuroritë në Kosovë”.
Bugaqkun bëri të ditur se çështja tashmë ka përfunduar në Gjykatë, pasi Kurti ka refuzuar Prokurorinë Speciale.
“Mos të harrojmë Prokuroria e shtetit përkundër refuzimit që ka shprehur kryeministri Kurti për të marrë pjesë dhe për të dhënë dëshminë brenda objektit të Prokurorisë Speciale, Prokuroria Speciale i ka kërkuar një letër ose të themi ashtu një vendim gjykatës. Në këtë rast gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special, që të vendosë lidhur me detyrimin e këtij dëshmitari që të paraqitet në institucionin e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar”.
Duke folur për situatën e krijuar ai tha se legjislacionin në fuqi i parasheh disa procedura se si duhet të zhvillohet më tutje kjo çështje.
“Pra, në këtë rast i takon gjyqtarit të procedurës paraprake, që të vlerësojë nëse duhet të t’i shqyrtohet gjoba menjëherë prej 250 euro, dhe përsëri t’i dërgohet një ftesë që në një afat tjetër të paraqitet dhe të lajmërohet në zyrat e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar. Nuk ka ndonjë afat ose nuk ka ndonjë saktësim në kodin e procedurës penale se sa herë duhet të shqiptohet kjo gjobë”, tha ndër të tjera ai.
Ai theksoi se i takon gjyqtarit të procedurës në këtë rast, që të vendosë se do t’i shqiptojë një apo dy apo deri në tri herë gjobë nga 250 euro, dhe më pastaj të veprojnë përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe të urdhërojë policinë e shtetit që ta të arrestojë të njëjtin dhe ta mbajë në paraburgim në afat prej tre ditësh.
“Ku do të provohet dhe tentohet që të merret dëshmia e këtij pra fillimisht mund t’i shqiptohet gjoba tani prej 250 euro, dhe më pastaj t’i bëhet një urdhër tjetër, ku e obligon që në një afat tjetër të paraqitet në Prokurori Speciale për të dëshmuar, dhe në rast se i njëjti përsëri nuk paraqitet në Prokurori Speciale për të dëshmuar, gjyqtari mund prapë t’i shqiptojë gjobë ose edhe mund të vlerësojë që nuk ka nevojë ose nuk është e nevojshme që me të shqiptohet gjoba. Dhe si e tillë, ai jep urdhër që policia e shtetit ta sjellë me detyrim dëshmitarin në prokurori speciale për të dëshmuar, dhe në këtë rast mund të ketë edhe vendim të gjykatës si njëjtë dhe të prangoset për tridhjetë ditë, në atë mënyrë që të merret më dëshmia e tij gjatë kësaj periudhe”, është shprehur ai.
Bugaqku gjithashtu tha se që legjislacioni nuk lejon që të mbahet i njëjti më tepër se tridhjetë ditë nga momenti kur është arrestuar nga ana e Policisë së Shtetit.
Për këtë çështje është deklaruar edhe avokati Musa Damati, duke treguar procedurat që janë të përcaktuara në rast se një dëshmitar refuzon të paraqitet për intervistim.
“Procedurat janë të përcaktuara taksativisht me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, dhe atë nenin 132 në bazë të së cilës parashikohet se dëshmitari i thirrur për të dëshmuar mund të detyrohet sipas kërkesës së prokurorisë apo nga Gjykata për të dëshmuar, dhe në rast të mosparaqitjes ndëshkohet me gjobë 250€ për çdo mosparaqitje”, shpjegoi avokati.
Ai gjithashtu potencoi se nëse dëshmitari vazhdon të refuzon që të dëshmojë pasi që të jetë ndëshkuar me gjobë, rrezikon që të burgoset sipas paragrafit 2 te nenit 132.
Damati po ashtu deklaroi se edhe më herët ka pasur raste, kur intervistimi është bërë jashtë ambienteve të prokurorisë.
“Lidhur me rastin konkret por edhe bazuar në praktikën gjyqësore e cila mendoj se ekziston tashmë në Kosovë, ka raste kur ish ministrat apo edhe ish zv.kryeministrat, janë intervistuar në hapësira të tjera jashtë zyrës së Prokurorisë, mandej ka edhe raste te veçanta kur edhe individët tjerë për arsyeje objektive e japin intervistën jashtë prokurorisë apo edhe vet zyrtarët policorë me autorizimin e prokurorisë i zhvillojnë intervistat në hapësira të tjera. Pra mendoj se me pak kreativitet procedural e profesional kjo situatë mund të ketë alternative, qoftë nga PSRK-ja qoftë nga zyra e kryeministrit”, tha ai.
Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Themelore për të kuptuar nëse ka shqiptuar ndonjë gjobë për kryeministrin Kurti, por që deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSh), kishin reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi.
KPK dhe ZKPSh ka thënë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave të kryeministrit.
“Me rastin e deklaratave të sotme publike të dhëna nga Kryeministri Albin Kurti, për mosparaqitjen e tij në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit, përkitazi me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, edhe pse Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhër për paraqitjen e tij në prokurori, Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit.
“KPK dhe ZKPSh, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e KPK dhe ZKPSh./Telegrafi/
Dy shqiptarë që lanë një burrë me gjakderdhje në tru pasi e sulmuan në një bar në Peterborough, janë burgosur së bashku për dhjetë vjet. Lulzim Sinimati, 27 vjeç dhe Fatos Kertolli, 36 vjeç, pretenduan se vepruan në vetëmbrojtje kur kryen sulmin, por u shpallën fajtorë për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore. Një juri […]
Marrëdhënia e grave me shkencën është karakterizuar gjithmonë nga një rrugë e përpjetë qoftë në sferën kulturore, qoftë në atë profesionale. Për të zënë një vend, qoftë edhe minimal, këtyre grave u është dashur të thyejnë barriera të shumta, që u kanë kushtuar sakrifica të mëdha dhe një vendosmëri këmbëngulëse të jashtëzakonshme. Rrallë herë kujtohen sforcimet dhe vështirësitë, që në mënyrë të pashmangshme kanë shoqëruar përparimet e arritura dhe kompetencat shkencore të pashoqe të këtyre “mendjeve të bukura”.
Megjithatë kontributi i tyre për shkencën, dhe si rrjedhojë për të gjithë njerëzimin, është tepër i madh.Edhe pse u është dashur të luftojnë kundër paragjykimeve dhe mentaliteteve kryesisht mashkullore, ato kanë arritur të cajnë udhën mes kolegëve meshkuj dhe të fitojnë respektine tyre.
Emrat e shkencëtareve të shquara si Montalcini, Agnesi, Montessori,Hack, Curie, Meitner, e shumë të tjera, janë të njohur për memorien kolektive, por janë të shumta gratë e tjera të apasionuara pas shkencës, një fushë e konsideruar si tipike mashkullore, që kanë kontribuar për të përparuar njerëzimin edhe pse fatkeqësisht të neglizhuara nga historia dhe vepra e të cilave ka kaluar pa u vënë re.
Po ta mendojmë, janë të pakët ata që dinë se zbulimi që ka revolucionuar gjenetikën njerëzore dhe studimet mbi të, dmth zbulimi i spirales së dyfishtë të ADN-së, është meritë e një gruaje, Rosalind Franklin, por fatkeqësisht asaj nuk ju njoh kurrë merita, që i kaloi gabimisht dy shkencëtarëve Watson dhe Crick, të cilëve “iu dhurua” cmimi nobel për një zbulim të tillë.
Një fat i ngjashëm do i përkiste edhe një shkencëtareje shqiptare, të parës, Sabiha Kasimati.
Janë të pakët shqiptarët që e njohin emrin e saj. Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare.
Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.
Nën peshën e traditës shumë shekullore dhe nën ndikimin e botës orientale, përfaqësuar asokohe nga perandoria osmane, shoqëria shqiptare ishte shumë pak e hapur ndaj grave, dhe aq më pak e favorshme ndaj rolit të tyre aktiv në shoqëri. Sipas mentalitetit tipik, vajzat martoheshin që në moshë të re dhe i perkushtonin jetën rritjes dhe edukimit të fëmijëve, si dhe kujdesit të shtëpisë.
Dhe është pikërisht ky ambjent i mbyllur që e bën akoma më tërheqëse figurën e Sabiha Kasimatit, si grua mbi të gjitha dhe pastaj si shkencëtare, e destinuar të sfidonte shoqërinë shqiptare dhe paragjykimet që e karakterizonin.
Kush ishte atëhere Sabiha Kasimati?
Sabiha Kasimati lindi në Edirne më 1912, ishte e bija e një mjeku, me origjinë nga Libohova, që ushtronte zanatin e tij si mjek në Turqi. Edhe pse larg nga atdheu, familja Kasimati i rriti fëmijët me frymën e patriotizmit dhe dashurinë për kulturën, si shqiptare ashtu edhe europiane në përgjithësi. Kur familja u kthye në Shqipëri, ajo u vendos tek i vëllai në qytetin e Korcës, i njohur edhe sot për kulturën me frymëzim francez.Një fakt shumë i rëndësishëm, që do të shënonte jetën e saj, ishte se ajo qe vajza e parë që ndoqi Liceun Francez të Korcës, duke shërbyer si shembull për shumë të tjera në vijim.Ky lice ishte shumë i vlerësuar në të gjithë Shqipërinë e asaj kohe dhe ndiqej nga fëmijët e eksponenteve kryesorë të vendit. Pra që në moshë shumë të re, fati i saj e bëri që të dallohej dhe të ishte e vetme.
Qe shoqe klase me Enver Hoxhën, diktatorin e ardhshëm, por një njohje e atillë do t’i kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë!
Edhe sot qytetarët e Korcës e kujtojnë me nostalgji si “ çupën e parë të liceut”, e bukur dhe e hedhur, spontane, rrezatuese, inteligjente dhe me një karakter pothuajse burrëror saqë shoqërohej me miqtë e liceut në mënyrë shumë spontane.
Nuk vonoi të dallohej për inteligjencën dhe zellin në studime, tashmë zotëronte shumë mirë disa gjuhë të huaja perëndimore, madje arriti të tërhiqte vëmendjen e profesorëve francez të liceut me theksin e saj perfekt në frengjisht.
Pasi mbaroi liceun, punoi për pak kohe si mësuese në lendët edukatë morale dhe frengjisht në Institutin femëror të Korcës dhe më pas dha biologji në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë.
Në 1936 realizoi ëndrrën e madhe për të vijuar studimet universitare, dhe arriti të fitojë një bursë studimi nga shteti.Universiteti ishte një privilegj i pak fatlumëve. U regjistrua në Fakultetin e Shkencave biologjike në Torino, ku përvecse u diplomua me maksimumin 30/30 cum laude ( tridhjetë mbi tridhjetë me lavdërim), arriti të mbrojë edhe doktoraturën në 1941.
Edhe në Torino shfaqi inteligjencën e saj, saqë iu ofrua mundësia për të punuar si asistente në katedrën e ihtiologjisë në universitetin e Torinos. Me deshirë për t’u kthyer në atdhe dhe për të vënë në shërbim të tij dijen e saj, refuzoi ofertën dhe u kthye.
Pas kthimit në Tiranë, punoi në Insitutin e Shkencave, që ishte bërthama e parë e studimeve shkencore në vend, nën drejtimin e prof. Selahudin Toto, intelektual i njohur. Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën e ihtiologjisë ( disiplina që merret me studimin e peshqve) dhe për më tepër qe edhe ihtiologja e parë shqiptare, në një periudhë kur ende nuk egzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës egzistuese në vend.
Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të cmuar për vendin, që është vecanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.
Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenjtë e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.
Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, por ja që fati i saj ndërthuret me atë të Rosalind Franlin, sepse vepra e saj nuk u publikua kurrë në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus Anatoli Poliakov, dhe të dy studiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.
Sabiha Kasimati, krenare për idealet e saj iluministe, zgjodhi të ndiqte një shembull perëndimor edhe në jetën e saj. Ajo nuk u martua kurrë dhe jetonte vetëm në një apartament në Tiranë, pasi kishte nevojë për hapësirat e saj.Në fakt ajo kishte shpesh vajtje-ardhje me shumë nga miqtë dhe mikeshat e saj intelektuale të kohës, që përbënte një mënyrë diskutimi dhe ballafaqimi mes personazhëve kryesorë të vendit. Sigurisht nuk ishin të zakonta gratë shqiptare që jetonin të vetme (dhe nuk janë as sot), pa rënë në sy në një vend me mentalitet të mbyllur dhe të prapambetur. Pra bëhej përsëri fjalë për një sfidë ndaj zakoneve dhe traditave të shoqërisë se atëhershme.
Ndërkohë në Shqipëri po instalohej diktatura komuniste e Enver Hoxhës, ish shoku i klasës, i cili siç dihet tashmë, eliminoi çdo zë kundërshtues në vend, duke eliminuar fizikisht cilindo të guxonte të vihej kundër regjimit të tij tashmë totalitar de facto. Pjesa më e madhe e intelektualëve që kishin studjuar në perëndim, u dënua me vdekje, por ajo që shqetësoi së tepërmi biologen qe dënimi me vdekje i profesorit të saj Salahudin Toto dhe internimi i shoqes së saj Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare.
E njohur nga të gjithë për karakterin e saj të drejpërdrejtë dhe guximtar, ajo i kërkoi një takim Enverit, ku pasi e qortoi si përgjegjësin kryesor për vrasjet e intelektualëve, miqtë e tyre, duhet ti ketë thënë: “ Ti po vret të gjithë intelektualët! Me çfarë ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë me këpucarët dhe teneqexhinjtë?!”
Në vazhdim, duke mos përfillur rrezikun e sigurtë që i vërtitej tashmë, ajo vendosi të shkonte të takonte miqtë e saj të internuar në kampin e internimit në Jubë.
Disaprovimi i saj i qartë dhe disidenca, që nuk u mundua kurrë ta fshihte, ndaj regjimit të Hoxhës firmosën edhe eliminimin e saj të afërt.
Ishte viti 1951 kur një bombë ose më mirë pak dinamit shpërtheu në oborrin e ambasadës ruse në Tiranë, por nuk shkaktoi asnjë dëm, përvec thyerjes së disa xhamave. Regjimi, në bazë të planeve dhe listave të parapërgatitura më parë, urdhëroi arrestimin e rreth njëqind qytetarëve, të akuzuar për bashkëpunim në plasjen e bombës, prej të cilëve rreth njëzet duheshin pushkatuar që të shërbenin si shembull për këdo të guxonte akte të tilla revolucionare.
Në të vërtetë bëhej fjalë për një justifikim bindës për të eliminuar ata që mendohej të ishin të rrezikshëm për regjimin. Dhe ja që përfshihet edhe biologia Sabiha Kasimati, pranë emrit të saj qe vënë një kryq i kuq që nënkuptonte pushkatim, me akuzën se kishte marrë pjesë në akte terroriste dhe se ishte në shërbim të agjentaturave të huaja.
Ajo mohoi të gjitha akuzat që iu bënë gjatë hetuesisë, duke u përgjigjur: “ Jam kundër pushtetit popullor sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam menduar asnjëherë se me anë të akteve revolucionare të mund të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në naturën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”
E veçanta e këtij rasti qëndron në faktin se 23 intelektualë u pushkatuan pa një proces të rregullt, i cili u mbajt në mungesë, dmth. pasi ishin eliminuar tashmë 23 persona.
Në natën e 26 shkurtit 1951, të lidhur me tela me gjemba, ata u pushkatuan një nga një diku pranë urës së Beshirit dhe trupat e tyre u hodhën të gjithë në një gropë të madhe të hapur disa ditë më parë. Sabiha Kasimati qe e vetmja grua e pushkatuar mes 22 burrave, dhe duke qenë pushkatuar e fundit, atë nuk e kapi plumbi direkt, por u mbyt me dhunë krah ulërimave të saj që tmerruan të gjithë banorët e zonave përreth, deri sa dha frymën e fundit.
Fundi i trishtuar i një gruaje që i kushtoi jetën dijes dhe shkencës, por tashmë është e braktisur në harresë…
Historia shqiptare numëron qindra gra të cilat lanë gjurmë të mëdha në fusha të ndryshme të shkencës, artit dhe jo vetëm. Shumë prej tyre ranë pre e regjimeve të ndryshme fashiste e komuniste, mirëpo veprat e tyre jetuan e vazhdojnë të jetojnë për të mos u harruar kurrë, shkruan KultPlus.
Njëra ndër gratë që lanë gjurmë në fushën e shkencës. Kassimati u pushkatua pas ngjarjes së shpërthimit të bombës në ambasadën sovjetike. Ajo u arrestua më 20 shkurt të vitit 1951 dhe u pushkatua dy ditë më pasë pa iu dhënë rasti as të dal para gjyqit. Ndërsa akuzohej se ishe kundër regjimit komunist dhe se mbante lidhje me armiqtë e vendit.
Sabiha e vijoi kërkimin shkencor edhe gjatë viteve të para të regjimit komunist. Në mbledhjen e Institutit të Studimeve gjatë 13 prillit 1946, Sabiha mori pjesë së bashku me figura të tjera të shquara akademike sikurse ishin: Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Selahydin Toto, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Gjergj Komnino, Gjergj Ashta, Jonus Tafilaj, Hasan Ceka dhe Nikolla Lako. Mbledhja u drejtua nga Sejfulla Malëshova, ministri i Arsimit. Mbledhja kishte për qëllim analizimin e veprimtarisë së kryer gjatë vitit 1945, prezantimin e planit të ri të punës dhe paraqiti ekipin e ri që do të drejtonte Institutin e Studimeve.
Sipas procesverbalit të mbledhjes, nga viti 1945 deri më 1946, Sabiha Kasimati punoi së bashku me Gjergj Komninon në grupin e drejtuar nga Eqrem Çabej, për përgatitjen e skedave të gjuhës shqipe, për terminologjinë e shkencave të natyrës.
Më 28 janar të vitin 1947, Këshilli i Ministrave me vendimin numër 16, vendosi “riorganizimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në një ent autonom të lidhur drejtë për së drejti me Këshillin Ministror”. Instituti do të funksiononte me një rregullore të përkohshme.
Përgjatë vitit 1947 anëtarë të Institutit ishin vetëm 23 pjesëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të tij, pjesë e së cilës nuk ishte Kasimati. Në qershor të 1948, mbledhja e radhës e Asamblesë së Institutit të Studimeve, krahas ndryshimit të emrit në Institut të Shkencave, propozoi anëtarë dhe bashkëpunëtorë të rinj, në radhët e të cilëve ishte edhe Sabiha Kasimati. Gjatë vitit 1950 në listën e “anëtarëve të rregullt” të Institutit nuk figuron emri i Sabiha Kasimatit.
Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës dhe faunës së Shqipërisë u botuan në vitin 1955 nën emrin e shkencëtarit sovjetik Anatoli Poljakoëa, si dhe të studiuesve shqiptarë Ndoc Filipi dhe Ndoc Raka. Në regjimin komunist përvetësimi i punës intelektuale ishte një fenomen që ndodhte. Sabiha dha kontributin e saj për shkencën shqiptare me punën për Muzeun e Shkencave dhe monografinë “Peshqit e Shqipërisë”.
Në 60 vjetorin e vdekjes së saj, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi e nderoi me medaljen Nderi i Kombit. / KultPlus.com
TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot biologen dhe shkencëtaren e mirënjohur shqiptare, Sabiha Kasimati (15 shtator 1912 – 26 shkurt 1951).
Ajo lindi më datë 15 shtator 1912, në qytetin e Edirnesë (Turqi). Pasi u kthye së bashku me familjen në Shqipëri, Kasimati u shkollua në Liceun Francez të Korçës, dhe në sajë të rezultateve të larta, iu akordua nga shteti një bursë në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike.
Sabiha Kasimati përfundoi studimet doktorale në vitin 1941 me rezultate maksimale në fushën e iktiologjisë. Po atë vit u kthye në Shqipëri për të dhënë kontributin në shkencë dhe në arsim.
Në vitin 1943 vendoset si punonjëse shkencore në bërthamën e parë akademike me emrin Instituti Mbretëror i Studimeve Shqiptare. Por, për shkak të problemeve shëndetësore, ajo do të shkonte në Itali për kurim, nga ku do të kthehej në vitin 1945. Me vendosjen e diktaturës, fillimisht u punësua pranë Institutit të Shkencave, ku iu përkushtua sërish fushës së iktiologjisë. Në vitin 1948 përfundoi studimin mbi peshqit në ujërat shqiptare. Por ky studim do të botohej në vitin 1955 nën emrin e rusit Anatoli Poljakov dhe dy fillestarëve në fushën e iktiologjisë, Ndoc Rakaj dhe Ndoc Filipi.
Duke parë zhvillimet politike në vend, Sabiha Kasimati shfaqi pakënaqësitë e saj mbi qeverisjen e shtetit komunist. Për këtë arsye ajo filloi të përndiqej nga Sigurimi i Shtetit. Emri i saj u lidh me shpërthimin në Ambasadën Sovjetike dhe u akuzua për pjesëmarrje në organizata terroriste e bashkëpunim me agjentura të huaja, akuza të cilat ajo nuk do t’i pranonte asnjëherë.
Pak ditë pas ngjarjes në ambasadë, më 26 shkurt 1951 u pushkatua Sabiha Kasimati dhe 21 intelektualë të tjerë. Në vitin 2011, vit ky i cili përkoi me 60-vjetorin e vrasjes së saj, u nderua me titullin “Nderi i Kombit”. /j.p/