Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

NORVEGJI – Fituesja e Çmimit Nobel: Irani po më kërcënon me “eliminim fizik”

11 July 2025 at 17:40

OSLO, 11 korrik /ATSH-DPA/ – Fituesja iraniane e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, i ka thënë komitetit norvegjez të  Nobelit për kërcënimet shqetësuese  me jetë ndaj saj.

Aktivistja për të drejtat e njeriut I tha kryetarit të komitetit, Jørgen Watne Frydnes, gjatë një “telefonate urgjente” se kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për “eliminim fizik” nga agjentë të regjimit iranian, njoftoi sot komiteti.

Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023. Ajo e mori këtë çmim për luftën e saj kundër shtypjes së grave dhe dënimit me vdekje në Iran, si dhe për përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut dhe lirisë.

Komiteti Nobel tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” për kërcënimet  ndaj Mohammadit, por edhe për të gjithë iranianët që shprehin mendime kritike ndaj regjimit iranian.

Në deklaratë, Frydnes u bëri thirrje autoriteteve iraniane që “të mbrojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe lirinë e tyre të  shprehjes”.

Së fundmi, Mohammadi, së bashku me aktivisten iraniane të të drejtave të njeriut Shirin Ebadi, e cila është gjithashtu fituese e Çmimit Nobel për Paqen, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Iranit. /Ad.Ab./

 

The post NORVEGJI – Fituesja e Çmimit Nobel: Irani po më kërcënon me “eliminim fizik” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

7 fitues të Nobelit në Ekonomi: Të pasurit po paguajnë qindarka, të taksohen më shumë

By: user 6
9 July 2025 at 22:54

7 fitues të Çmimit Nobel në Ekonomi, të cilët kanë analizuar krizat e dekadave të fundit, besojnë se ultra të pasurit paguajnë vetëm qindarka. Kjo situatë sipas tyre është thjesht e pajutifikueshme si në nivelin moral ashtu edhe në atë praktik.

“Ata nuk kanë qenë kurrë më të pasur, por kontribuojnë pak në barrën e përbashkët në krahasim me aftësitë e tyre. Nga Bernard Arnault te Elon Musk, miliarderët kanë norma efektive tatimore më të ulëta se taksapaguesi mesatar” – thuhet që në nisje të analizës së 7 fituesve të Nobelit në Ekonomi, botuar nga “Le Monde”.

Gazeta synon të rindezë debatin global mbi atë që njihet si “çështja e çështjeve”, elefanti në dhomën e pabarazisë, fantazma që për dekada ka ndjekur ligjet buxhetore të vendeve të mëdha evropiane, atë që është mënjanuar menjëherë si antimoderne, paleo-revolucionare, kundër-intuitive sepse “do t’i trembte të pasurit”: TAKSA MBI PASURINË.

Në vend të kësaj, 7 gjigantë të mendimit ekonomik që kanë analizuar krizat e dekadave të fundit, këmbëngulin se ultra të pasurit paguajnë shumë pak dhe gjetja e një mënyre për t’i bërë ata të paguajnë më shumë nuk është një dëshirë e majtë, por një nevojë që duhet të adresohet së pari nga “priftërinjtë” e rigorozitetit dhe përputhshmërisë, gjithnjë e më të paaftë për të balancuar llogaritë në një mënyrë që është e përputhshme, mbi të gjitha, me realitetin shoqëror.

Tatimi mbi të Ardhurat Personale

Figura të tilla si Daron Acemoglu (MIT, Çmimi Nobel 2024), George Akerlof (Universiteti Georgetown, Çmimi Nobel 2001), Abhijit Banerjee (MIT, Çmimi Nobel 2019), Esther Duflo (Collège de France dhe MIT, Çmimi Nobel 2019), Simon Johnson (MIT, Çmimi Nobel 2024), Paul Krugman (CUNY, Çmimi Nobel 2008) dhe Joseph Stiglitz (Columbia, Çmimi Nobel 2001) kanë dalë në fushën e betejës.

Studimi është kryer në bashkëpunim me autoritetet tatimore në disa vende dhe tregon se këta ultra të pasur paguajnë nga 0% deri në 0.6% të pasurisë së tyre në taksa mbi të ardhurat personale. “Kjo është rreth 0.6% në një vend si Shtetet e Bashkuara dhe 0.1% në një vend si Franca” – thonë ata, citon lapsi.al. Duke marrë parasysh të gjitha taksat e tjera të detyrueshme (taksa e korporatave, kontributet e sigurimeve shoqërore, taksa e akcizës, etj.) të shprehura si përqindje e të ardhurave, normat e tyre të taksave janë më të ulëta se ato të klasës së mesme apo edhe drejtuesve të kompanive.

Por si arritëm në këtë pikë? 7 samurajët e ekonomisë përgjigjen në këtë mënyrë: “Thënë thjesht, ndodhi sepse të pasurit mund ta strukturojnë pasurinë e tyre në mënyrë që të shmangin taksat mbi të ardhurat, të cilat zakonisht janë gurthemeli i drejtësisë tatimore. Në vendet evropiane, kjo arrihet përmes krijimit të kompanive familjare holding, ku dividentët grumbullohen për t’u mbrojtur nga taksat. Në Shtetet e Bashkuara, përdorimi i kompanive holding për të shmangur taksat nuk lejohet që nga vitet 1930, gjë që shpjegon pse pasuritë e mëdha tatohen më rëndë se në Evropë.”

Si të përmbledhim 150 vjet kapitalizëm familjar në disa rreshta. Pika që 7 kolosët e ekonomisë duan të theksojnë është se “nuk ka asgjë të pakthyeshme, asgjë të shkruar në pllakat e shenjta të mendimit ekonomik, asgjë të paprekshme”. “Kjo situatë nuk është rezultat i një ligji natyror apo i një fati të lashtë, është produkt i vendimeve njerëzore dhe zgjedhjeve politike. Prandaj nuk ka pashmangshmëri.”

Propozimi

Qëllimi i “të shtatëve” është të bindë politikanët francezë të vendosin një taksë minimale mbi pasurinë e më të pasurve, i frymëzuar nga propozimi i ekonomistit Gabriel Zucman, i refuzuar së fundmi nga Senati i Parisit. Sipas propozimit duhet një taksë minimale prej 2% mbi asetet që tejkalojnë 100 milionë euro (gjë që në Francë do të prekte afërsisht 1800 familje). Në një kohë kur financat publike po përpiqen të ruajnë nivelet e nevojshme të mirëqenies dhe kohezioni social është në rrezik, kjo nuk do të ishte një masë revolucionare, por minimumi i domosdoshëm, sipas tyre.

Instituti Kombëtar Francez i Statistikave, certifikoi se në vitin 2023 shkalla e varfërisë u rrit në 15.4% të popullsisë, shifra më e lartë në 30 vitet e fundit. Kjo do të thotë se pothuajse 10 milionë francezë jetojnë nën kufirin e varfërisë, të vendosur në 60% të të ardhurave mesatare (1,288 euro për një person të vetëm). Heqja e mbështetjes së fuqisë blerëse të futur gjatë periudhës së Covid-it ka futur 650 000 njerëz në varfëri brenda një viti të vetëm.
Këto shifra duhet të jenë të mjaftueshme, argumentojnë “Të shtatët”, për të ndryshuar rrjedhën e luftës kundër evazionit fiskal, duke i penguar ultra të pasurit të shfrytëzojnë mekanizmat e korporatave.

Fshehja e pasurisë në Parajsat Tatimore

Gabriel Zucman, një ekonomist nën moshën 40 vjeçe me një CV mbresëlënëse që aktualisht jep mësim në Universitetin e Kalifornisë “Berkeley” dhe Shkollën e Ekonomisë të Parisit si drejton Observatorin Tatimor të Bashkimit Evropian ka qenë në ballë të luftës për taksa më të larta për të pasurit për vite me radhë. Si një ekspert për parajsat tatimore, vitin e kaluar ai i kushtoi një kapitull Italisë në Raportin Global të Evazionit Tatimor të përgatitur për BE-në.

“Nga viti 2016 deri në vitin 2022, shumat e parave të depozituara nga italianët në parajsat fiskale kanë parë një rritje të fortë. Duke marrë parasysh vetëm asetet financiare dhe duke përjashtuar pasuritë e paluajtshme, 159 miliardë euro kanë ikur jashtë Italisë në 6 vjet, duke shtuar edhe 74 miliardë eurot që janë dërguar jashtë nga emigrantët. Shuma totale e kapitalit jashtë vendit është aktualisht pak a shumë e barabartë me të gjithë shumën e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës në të cilin Italia mbështetet për ringjalljen e saj ekonomike afatgjatë” – citon ai.

Nuk është rastësi që Zucman ka fituar shumë ndjekës në Itali vitet e fundit. Kjo demonstrohet edhe nga manifesti i nënshkruar vitin e kaluar nga 134 ekonomistë italianë nga 50 universitete italiane dhe të huaja, në favor të futjes së një takse progresive prej 0.1% për më të pasurit italianë, me asete neto që tejkalojnë 5.4 milionë euro dhe rritjen e taksës mbi trashëgimitë dhe dhuratat e mëdha.

Në epokën “Trump” taksa për më të pasurit duken pak të vështira. Por Trump nuk është bota. Spanja dhe Brazili, për shembull, sapo kanë zbuluar një iniciativë të përbashkët për të promovuar taksimin global të ultra të pasurve. 7 laureatët e Çmimit Nobel thonë se çdo vend individual mund ta zgjedhë këtë rrugë në mënyrë të pavarur.

“Trendi i krahut të djathtë politik që shfrytëzon pakënaqësinë e gjeneruar nga pabarazia për të fituar zgjedhje dhe për të gjeneruar pabarazi të mëtejshme ka perversitetin e vet, por nuk është një mallkim: është politikë. Dhe politika është gjithashtu antidoti” – thuhet në analizë. ©Përshtati në shqip LAPSI.al

The post 7 fitues të Nobelit në Ekonomi: Të pasurit po paguajnë qindarka, të taksohen më shumë appeared first on Lapsi.al.

Dorëzohet zyrtarisht dokumenti: Donald Trump nominohet për Çmimin Nobel për Paqen!

By: M C
24 June 2025 at 18:17

Presidenti amerikan Donald Trump është nominuar për Çmimin Nobel për Paqen, pas ndërmjetësimit të tij në arritjen e një armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit, një ngjarje që erdhi pas një konflikti 12-ditor.

Nominimi është dorëzuar zyrtarisht nga përfaqësuesi republikan Buddy Carter, i cili në një letër drejtuar Komitetit të Nobelit vlerëson “rolin historik dhe të jashtëzakonshëm” të Trump në arritjen e marrëveshjes së paqes, duke theksuar se veprimet e tij ndihmuan në ndalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm dhe frenimin e ambicieve bërthamore të Iranit.

“Presidenti Trump ndërmori veprime të guximshme dhe vendimtare për të ndaluar ambiciet bërthamore të Iranit dhe për të parandaluar një luftë të madhe në rajon. Ai u përfshi në një marrëveshje që shumë e konsideronin të pamundur,” – shkruhet në letrën e Carter.

Vetë Trump deklaroi se “Lufta 12-ditore” mbaroi të hënënpas mesante me një armëpushim që hyri në fuqi.

“Ndikimi i Presidentit Trump ishte thelbësor në arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë që shumë e konsideronin të pamundur. Presidenti Trump ndërmori gjithashtu veprime të guximshme dhe vendimtare për të ndaluar ambiciet bërthamore të Iranit dhe për të siguruar që shteti më i madh sponsor i terrorizmit në botë të mbetet i paaftë për të siguruar një armë bërthamore.

Lidershipi i Trump gjatë krizës “shëmbullon pikërisht idealet që Çmimi Nobel për Paqen kërkon të njohë: ndjekjen e paqes, parandalimin e luftës dhe avancimin e harmonisë ndërkombëtare. Në një rajon të pllakosur nga armiqësia historike dhe paqëndrueshmëria politike, një përparim i tillë kërkon si guxim ashtu edhe qartësi.”

A mund të fitojë vërtet Trump Nobelin?

Historikisht, Komiteti i Nobelit ka vlerësuar figura që kanë sjellë marrëveshje paqeje afatgjata ose kanë ndërmjetësuar zgjidhje të qëndrueshme, siç ndodhi me Jimmy Carter në vitin 2002 apo Barack Obama në 2009. Trump është nominuar edhe më parë për këtë çmim, veçanërisht pas marrëveshjeve të Abraham Accords në Lindjen e Mesme, por nuk është përzgjedhur si fitues.

Çmimi Nobel për Paqen për vitin 2025 do të shpallet në tetor, dhe mbetet për t’u parë nëse roli i Trump në këtë konflikt do të konsiderohet i denjë për të marrë vlerësimin më të lartë ndërkombëtar për kontributin në paqe.

The post Dorëzohet zyrtarisht dokumenti: Donald Trump nominohet për Çmimin Nobel për Paqen! appeared first on Albeu.com.

Pakistani nominon presidentin Trump për Nobelin e Paqes

By: armand
21 June 2025 at 12:23

Pakistani ka rekomanduar presidentin e SHBA-së Donald Trump për çmimin Nobel për Paqen 2026 në njohje të “ndërhyrjes së tij diplomatike” gjatë krizës së fundit Indi-Pakistan, e cila i çoi dy fuqitë bërthamore në prag të një lufte. “Qeveria e Pakistanit ka vendosur të rekomandojë zyrtarisht presidentin Donald J. Trump për çmimin Nobel për Paqen […]

The post Pakistani nominon presidentin Trump për Nobelin e Paqes appeared first on BoldNews.al.

Pakistani do të nominojë Donald Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

21 June 2025 at 12:56

Pakistani ka thënë se do ta nominojë Donald Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen.

Dhe analistët mendojnë se ky veprim mund ta bindë presidentin amerikan që ta ndalojë ushtrinë e tij të bashkohet me sulmet e Izraelit kundër Iranit, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.

Pakistani ka dënuar veprimet e Izraelit kundër Iranit si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënim për stabilitetin rajonal.

Government of Pakistan Recommends President Donald J. Trump for 2026 Nobel Peace Prize

The Government of Pakistan has decided to formally recommend President Donald J. Trump for the 2026 Nobel Peace Prize, in recognition of his decisive diplomatic intervention and pivotal…

— Government of Pakistan (@GovtofPakistan) June 20, 2025

Ai tha se do ta nominojë Trumpin për vlerësimin për punën e tij në ndihmën për zgjidhjen e konfliktit të fundit midis Indisë dhe Pakistanit.

Në maj, një njoftim i papritur nga Trump për një armëpushim i dha fund papritur një konflikti katër-ditor midis dy armiqve afatgjatë.

Trump që atëherë ka thënë vazhdimisht se ai shmangu një luftë bërthamore, shpëtoi miliona jetë dhe është ankuar se nuk mori asnjë meritë për këtë.

Por India ka mohuar se SHBA-të kishin ndonjë përfshirje në gjetjen e një zgjidhjeje, duke thënë në vend të kësaj se ishte një marrëveshje dypalëshe midis dy vendeve. /Telegrafi/

The post Pakistani do të nominojë Donald Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen appeared first on Telegrafi.

FOKUS – Pakistani nominon presidentin Trump për Nobelin e Paqes

ISLAMABAD, 21 qershor /ATSH-DPA/ – Pakistani ka rekomanduar presidentin e SHBA-së Donald Trump për çmimin Nobel për Paqen 2026 në njohje të “ndërhyrjes së tij diplomatike” gjatë krizës së fundit Indi-Pakistan, e cila i çoi dy fuqitë bërthamore në prag të një lufte.

“Qeveria e Pakistanit ka vendosur të rekomandojë zyrtarisht presidentin Donald J. Trump për çmimin Nobel për Paqen 2026, në njohje të ndërhyrjes së tij vendimtare diplomatike dhe udhëheqjes së tij të rëndësishme gjatë krizës së fundit Indi-Pakistan”, tha Islamabadi në një deklaratë të postuar në X.

Qeveria tha se Trump demonstroi largpamësi të madhe strategjike dhe aftësi të shkëlqyera shtetërore në një moment të trazirave të shtuara rajonale përmes një angazhimi të fuqishëm diplomatik.

”Kjo parandaloi një konflikt më të gjerë midis dy shteteve të armatosura me armë bërthamore që do të kishte pasur pasoja katastrofike për miliona njerëz në rajon dhe më gjerë”, tha Islamabadi.

“Kjo ndërhyrje qëndron si një dëshmi e rolit të tij si një paqebërës i vërtetë dhe angazhimit të tij për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut”, tha deklarata.

Njoftimi vjen disa ditë pasi shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, pati një drekë të paprecedentë në Shtëpinë e Bardhë. Trump tha se ishte “i nderuar” që takoi Munirin.

Tensionet u rritën ndjeshëm në Azinë Jugore pas një sulmi vdekjeprurës më 22 prill në Kashmirin e administruar nga India.

Pas sulmeve me raketa të Indisë më 7 maj dhe rrëzimit të gjashtë avionëve luftarakë indianë nga Pakistani, të dyja palët shkëmbyen raketa, dronë dhe zjarr të rëndë.

Kriza u qetësua pasi Trump ndërhyri dhe njoftoi një armëpushim më 10 maj.

Më parë, Pakistani gjithashtu mirëpriti ofertën e Trump për të luajtur një rol në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kashmirit – një çështje e gjatë midis Indisë dhe Pakistanit./ a.jor.

The post FOKUS – Pakistani nominon presidentin Trump për Nobelin e Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

150-vjetori i Thomas Mann/ A është ai romancieri i shekullit?

By: user 6
8 June 2025 at 22:35

Thomas Mann ishte një romancier i shekullit, i cili edhe në emigracion ruajti lidhjen me fatin e gjermanëve. Më 6 qershor 2025 ishte jubileu i 150-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh.

Bota e letërsisë është e një mendimi: Jeta dhe të shkruarit kanë qenë të lidhura ngushtë tek Thomas Mann (1875-1955). Autori gjerman u bë i njohur në botë – si zëri i kulturës e po ashtu ai edhe një udhëtar mes botëve.

Ai njihet në radhë të parë për veprimtarinë e tij të pasur letrare me vepra si romani madh “Budenbrokët”, për të cilin u nderua me Çmimin Nobel në Letërsi më 1929,”Mali Magjik” apo “Dr. Faustus”. Por Thomas Mann bëri emër edhe me angazhimin e tij politik.

Një përballje e frikshme me Tomas Man | Arteka.alBudenbrokët, Roman 1, Tomas Man

Ai shkruajti ese dhe fjalime radiofonike. Thomas Mann jetoi një jetë në kohë me trazira të politikës botërore, me dy luftra botërore, sundimin nazist dhe Holokaustin. Shumë prej këtyre zhvillimeve pasqyrohen në veprën e tij.

Që në moshë të re Thomas Mann tërhoqi vëmendjen me tregimet e tij, duke u bërë një emër i njohur në qarqet letrare. Ai ishte vetëm 26 vjeç kur korri suksesin e madh me romanin Budenbrokët (1901). Kryesisht për këtë roman e letërsinë e tij ai u nderua edhe me çmimin Nobel në vitin 1929.

Ndryshimi epokal në tregti dhe ekonomi në shekullin e 19-të është një nga temat qendrore të romanit Budenbrokët.

Familja dhe largimi nga Gjermania

Thomas Mann ishte djali i dytë i tregtarit dhe senatorit të Lybekut Thomas Johann Heinrich Mann. Nëna e tij e lindur në Brazil Julia (emri i lindjes da Silva Bruhns) i përkiste nga prejardhja prej nënës së saj popullsisë indigjene portugeze. Çifti Mann pati pesë fëmijë Heinrich, Thomas, Julia, Carla dhe Viktor.

Thomas Mann u rrit në kushte të mira në një familje të pasur në Lybek, ku babai i tij deri në vdekje mbante edhe postet e senatorit për ekonomi e financa në qytet.

Gjatë periudhës së forcimit të nacionalsocialistëve ai u bë një kundërtar i rreptë i këtij sistemi, gjë që e detyroi atë të largohet nga Gjermania fillimisht në Zvicër dhe nga viti 1934 në SHBA. Thomas Mann ndërroi jetë në Zyrih në vitin 1955. /DW

The post 150-vjetori i Thomas Mann/ A është ai romancieri i shekullit? appeared first on Lapsi.al.

Më 7 qershor 1952 lindi shkrimtari turk Orhan Pamuk, fitues i Çmimit ‘Nobel’ për letërsi

By: Kult Plus
7 June 2025 at 09:55

Orhan Pamuk (7 qershor 1952, Stamboll, Turqi), është shkrimtar, akademik dhe eseist turk. Fitues i Çmimit Nobel për letërsi për vitin 2006.

Orhan Pamuk ka lindur në Stamboll, në një familje e cila ishte, siç’ thotë ai vet “me orientim euro-perendimor” (për ndryshim nga e vjetra osmane). Studioi arkitekturën dhe merret me pikturë, pastaj e braktis arkitekturën (pas tre vitesh) dhe fillon gazetarinë ku diplomon më 1976. Jetën e vet dhe mendimet detalisht i përshkruan në veprën autobiografike Stambolli: qytet i kujtimeve.

Romanet e tij, përkthyer në më shumë se 40 gjuhë, shpesh peshojnë mes përrallës dhe realitetit dhe pasqyrojnë Turqinë e djeshme e të sotme. Është autori i parë turk që merr Çmimin Nobel për letërsi. Motivacioni ishte: “në kërkimin e shpirtit melankolik të qytetit të tij të lindjes, ka zbuluar simbole të reja për të pasqyruar përplasjet dhe lidhjet midis kulturave të ndryshme”.

Pamuk ka shkruar për veten e tij:

“Kam kaluar jetën time në Stamboll, në bregun evropian, në shtëpitë kundruall bregut tjetër, Azisë. Ndërsa isha pranë ujit, duke shikuar bregun përballë, kontinentin tjetër, më kujtohej gjithmonë vendi im në botë, dhe ishte mirë. E pastaj, një ditë, u ndërtua një urë që i lidhte dy brigjet e Bosforit. Kur kam kaluar mbi urë dhe kam parë panoramën, e kam kuptuar se ishte edhe më mirë, edhe më bukur të shikosh dy brigjet bashkë. E kam kuptuar se më e mira ishte të jesh një urë midis dy brigjeve. T’iu drejtohesh dy brigjeve pa iu përkitur atyre.”

Veprat

Romane

  • Xhevdet Beu dhe të bijtë, (turqisht: Cevdet Bey ve Oğulları), 1982
  • Shtëpia e heshtjes , (shqip: Sessiz Ev), 1983
  • Kështjella e bardhë, (turqisht: Beyaz Kale), 1985
  • Libri i zi, (turqisht: Kara Kitap), 1990
  • Jeta e re, (turqisht: Yeni Hayat), 1994
  • Unë jam e kuqja, (turqisht: Benim Adım Kırmızı), 1998
  • Bora, 2002
  • Muzeu i pafajësisë, (turqisht: Masumiyet Müzesi), 2008
  • Tëhuajsim në mendjen time, (turqisht: Kafamda Bir Tuhaflık), 2014
  • Flokëkuqja, (turqisht: Kırmızı Saçlı Kadın), 2015
  • Stambolli, (turqisht: İstanbul: Hatıralar ve Şehir), 2003
  • Baulja e babait, (turqisht: Babamın Bavulu), 2007

Çmimet

  • Çmimi Milliyet Press për romanin “Xhevdet-begu dhe djemtë e tij”
  • Çmimi Independent për letërsi të huaj 1990 (Independent Award for Foreign Fiction) për romanin “Kështjella e bardhë”
  • Çmimi letrar ndërkombëtar IMPAC Dublin 2000, për romanin “Unë jam e kuqja”
  • Peace Prize of the German Book Trade 2005, çmim letrar gjerman, si vlerësim pë opusin e tij letrar
  • Çmimi Nobel për Letërsi 2006. /KultPlus.com

Ernesto Sabato kur iu nda çmimi “Kadare” në Shqipëri: Ky ishte më i madh se çmimi Nobel

By: Kult Plus
30 April 2025 at 22:30

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.

Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.

Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.

Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”

– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)

Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtari dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare nobelisti i letërsisë, Mario Vargas Llosa

By: Rovena
14 April 2025 at 12:19

Fitues i çmimit Nobel për letërsinë dhe një gjigant i letrave të Amerikës Latine ndërroi jetë në moshën 89-vjeçare, Mario Vargas Llosa.

Me më shumë se 50 vepra në emrin e tij, shumë prej të cilave janë përkthyer gjerësisht, Vargas Llosa fitoi Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2010 kur gjyqtarët e quajtën atë një “tregimtar me dhunti hyjnore”.

Gjatë një karriere që zgjati më shumë se 50 vjet, spikatën romanet si Koha e Heroit, Biseda në Katedrale dhe Festa e Dhisë. Ai  mbahet mend edhe për mosmarrëveshjet me shkrimtarin tjetër të njohur Gabriel García Márquez.

Tre vite pasi Márquez ndërroi jetë  në 2014, Vargas Llosa tha se ishte i trishtuar kur dëgjoi për vdekjen e ish-mikut të tij, por refuzoi të shtjellonte arsyet e  mosmarrëveshjeve.

Përshkrimet e tij të autoritarizmit, dhunës, duke përdorur gjuhë dhe imazhe të pasura, e bënë atë një yll të lëvizjes letrare Boom të Amerikës Latine që shkëlqeu një qendër të vëmendjes globale në kontinent.

Vargas Llosa lindi në vitin 1936 në një familje të klasës së mesme në Arequipa në Perunë jugore. Pasi prindërit e tij u ndanë kur ai ishte i mitur, ai u transferua në Cochabamba në Bolivi me stërgjyshërit e tij. Ai u kthye në Peru në moshën 10-vjeçare dhe gjashtë vjet më vonë ai shkroi dramën e tij të parë, Arratisja e Inkave. Ai u diplomua në Universitetin e Lima, studioi në Spanjë dhe më vonë u transferua në Paris.

Mario Vargas Llosa ishte jo pak i përfolur edhe për jetën e tij private. Shkrimtari u divorcua nga gruaja e tij e parë në vitin 1964 dhe u martua me kushërirën e tij të parë, Patricia Llosa. Pas 50 vitesh martesë, ai e la atë në vitin 2015, nënën e këngëtarit Enrique Iglesias, një lidhje që përfundoi në vitin 2022./abcweb.al

Frederick Banting, dhe Charles Best, shpikësit e insulinës, zbulimi që u shpërblye me Nobel dhe me shpëtimin e miliona jetëve

By: Kult Plus
5 March 2025 at 20:24

Nga Albert Vataj

Në fillim të viteve 1920, zbulimi i insulinës u shfaq si një nga përparimet më novatore në historinë e mjekësisë, duke ndryshuar rrënjësisht fatin e pacientëve me diabet. Para këtij zbulimi epokal, diagnoza e diabetit – veçanërisht për fëmijët me diabet të tipit 1 – ishte pothuajse e barasvlershme me një dënim me vdekje. Mjekët mundoheshin ta ngadalësonin përparimin e sëmundjes përmes dietave jashtëzakonisht të kufizuara në kalori, të cilat shpesh shkaktonin kequshqyerje dhe dobësim ekstrem. Megjithatë, shumica e pacientëve nuk mund t’i shpëtonin komplikacioneve fatale, si ketoacidoza diabetike.

Në vitin 1921, mjeku kanadez Frederick Banting, me ndihmën e studentit të mjekësisë Charles Best, nën mbikëqyrjen e fiziologut të njohur John Macleod në Universitetin e Torontos, arriti të izolojë insulinën nga pankreasi i qenve. Ky ishte një hap i guximshëm, i cili do të hidhte themelet për revolucionin e ardhshëm në trajtimin e diabetit. Për të siguruar pastërtinë dhe sigurinë e ekstraktit, biokimisti James Collip u bashkua me ekipin, duke rafinuar formulën dhe duke e bërë atë të përshtatshme për përdorim njerëzor.

Një vit më vonë, në 1922, në Spitalin e Përgjithshëm të Torontos, erdhi prova e madhe. Në pavijonet e spitalit, fëmijët diabetikë qëndronin në koma, me pak ose aspak shpresë për mbijetesë. Me administrimin e parë të insulinës së pastruar, ndodhi një mrekulli e vërtetë: fëmijët nisën të zgjojnë njëri pas tjetrit, duke u rikthyer në jetë para syve të mjekëve dhe familjarëve të dëshpëruar. Ky moment shënoi një pikë kthese të jashtëzakonshme në historinë e mjekësisë, duke transformuar diabetin nga një sëmundje vdekjeprurëse në një gjendje të menaxhueshme.

Zbulimi i Banting dhe bashkëpunëtorëve të tij u njoh si një arritje madhore, dhe në vitin 1923, Banting dhe Macleod u nderuan me Çmimin Nobel në Mjekësi. Megjithatë, Banting, i bindur se Charles Best e meritonte po aq këtë vlerësim, ndau me të gjysmën e çmimit të tij Nobel. Ky akt i tij pasqyronte frymën bashkëpunuese dhe ndjenjën e lartë të drejtësisë shkencore.

Por historia e insulinës nuk ishte vetëm një fitore shkencore, por edhe një akt i madh humanizmi. Banting, Best dhe Collip vendosën t’ia shisnin patentën e insulinës Universitetit të Torontos për vetëm 1 dollar, duke u siguruar që ky ilaç jetëshpëtues të ishte i aksesueshëm për të gjithë. “Insulina nuk më përket mua, ajo i përket botës,” deklaroi Banting, një frazë që mbeti simbol i përkushtimit të tij ndaj njerëzimit. Ky gjest vetëmohues hapi rrugën për prodhimin masiv të insulinës, duke shpëtuar jetë të panumërta gjatë shekullit të kaluar.

Sot, insulina mbetet një shtyllë themelore e trajtimit të diabetit dhe trashëgimia e këtyre shkencëtarëve vazhdon të frymëzojë kërkime të reja dhe përparime në mjekësi. Historia e tyre nuk është thjesht një rrëfim mbi shkencën, por një testament i fuqisë së dhembshurisë, inovacionit dhe përgjegjësisë etike në kujdesin shëndetësor. Ky zbulim jo vetëm që transformoi jetën e miliona njerëzve, por gjithashtu mbeti një shembull i shkëlqyer se si shkenca, kur udhëhiqet nga pasioni dhe përkushtimi, mund të ndryshojë botën./ KultPlus.com

Musk refuzon nominimin për Çmimin Nobel për Paqe: Nuk më duhet asnjë çmim

By: D Marku
1 February 2025 at 22:01

Elon Musk, CEO i Tesla dhe SpaceX, refuzoi një nominim për Çmimin Nobel për Paqe, duke deklaruar se nuk dëshiron asnjë çmim.

Nominimi, i bërë nga anëtari i Parlamentit Evropian Branko Grims, ishte në njohje të përpjekjeve të Musk për të promovuar fjalën e lirë, veçanërisht përmes blerjes së tij të X.

Ndërsa Musk shkroi në X se “nuk i duhet asnjë çmim”, duke e bërë të qartë se ai nuk po kërkon njohje për veprimet e tij.

Bëhet e ditur se anëtari i Parlamentit Evropian Branko Grims lavdëroi Musk për mbështetjen e tij të fjalës së lirë si një e drejtë themelore e njeriut, përcjell Telegrafi.

Nominimi lidhej me përpjekjet e Musk për të rivendosur lirinë e fjalës, veçanërisht përmes blerjes së tij të Twitter në 2022, i cili u riemërua si X.

Udhëheqja e Musk në platformë është karakterizuar nga veprime të tilla si kthimi i ndalimeve ndaj figurave të shquara konservatore dhe kthimi i moderimit të përmbajtjes.

Këto lëvizje janë vlerësuar nga shumë njerëz që i shohin si një shtysë për të siguruar shprehjen e lirë në internet.

Megjithatë, menaxhmenti i Musk i X ka tërhequr gjithashtu kritika të ashpra.

Kundërshtarët argumentojnë se politikat e tij kanë çuar në një rritje të dezinformatave, ngacmimeve dhe gjuhës së urrejtjes në platformë, duke ngritur shqetësime për ndikimin në diskursin publik.

Procesi i përzgjedhjes së çmimit Nobel

Procesi i përzgjedhjes së çmimit Nobel është një rrugëtim shumë i strukturuar dhe rigoroz, që përfshin nominimin dhe vlerësimin e kandidatëve për çdo kategori të çmimit prestigjioz. Çdo vit, individë nga fusha të ndryshme ftohen të propozojnë kandidatë të mundshëm për çmimin Nobel.

Nominimet dhe shqyrtimi

Procesi i përzgjedhjes fillon çdo shtator kur Komiteti Nobel fton nominimet. Afati i fundit për dorëzimet është caktuar më 31 janar të vitit pasardhës, pas së cilës komisioni shqyrton nominimet për pranueshmëri dhe besueshmëri. Në shkurt, komisioni zgjedh kandidatët paraprak në bazë të rishikimeve të nominimeve të paraqitura.

Konsultimet dhe rekomandimet

Nga marsi deri në maj, Komiteti i Nobelit konsultohet me ekspertë në fushat përkatëse të kandidatëve të nominuar për të mbledhur njohuri dhe opinione mbi kualifikimet e secilit individ ose grup. Ky proces e ndihmon komitetin të përpilojë një raport të detajuar me rekomandime të ekspertëve, i cili finalizohet midis qershorit dhe gushtit.

Vendimi dhe shpallja përfundimtare

Pasi rekomandimet të jenë shqyrtuar tërësisht, komisioni bën zgjedhjet përfundimtare në tetor. Këta kandidatë të zgjedhur më pas shpallen si fitues të çmimit Nobel për atë vit.

Ndryshe, ky proces gjithëpërfshirës siguron që vetëm ata që kanë dhënë kontribute të rëndësishme në fushat e tyre përkatëse të nderohen me çmimin Nobel.

The post Musk refuzon nominimin për Çmimin Nobel për Paqe: Nuk më duhet asnjë çmim appeared first on Albeu.com.

Eurodeputeti slloven nominon Elon Musk për Çmimin Nobel për Paqe

29 January 2025 at 19:06

Miliarderi dhe sipërmarrësi i njohur Elon Musk është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për kontributin në avancimin e lirisë së fjalës, një vlerë thelbësore e shoqërive demokratike.

Përpjekjet e afrikano-amerikanit për të mbështetur një mjedis më të hapur për shprehjen e lirë janë vlerësuar si një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe promovimin e dialogut të lirë në nivel global.

Anëtari slloven i Parlamentit Evropian, Branko Grims, ka qenë forca lëvizëse pas kësaj nominimi, duke argumentuar se angazhimi i Muskut për mbrojtjen e fjalës së lirë është një kontribut i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin shoqëror.

“Propozimi që zoti Elon Musk, për mbështetjen e tij të vazhdueshme për të drejtën themelore njerëzore të lirisë së fjalës dhe, në këtë mënyrë, për paqen, të marrë Çmimin Nobel për Paqe 2025, u dorëzua sot me sukses. Falënderime të sinqerta për të gjithë bashkëpropozuesit dhe për këdo që ndihmoi në këtë projekt sfidues,” tha eurodeputeti slloven.

Nominimi i Muskut për këtë çmim prestigjioz vjen në një kohë kur debati mbi kufijtë e lirisë së fjalës dhe rolin e platformave digjitale në demokraci është më i nxehtë se kurrë. Përmes blerjes dhe reformimit të rrjetit social X (ish-Twitter), Musk ka theksuar rëndësinë e një hapësire komunikimi ku mendimet e ndryshme mund të shprehen lirshëm, pa frikë nga censura apo ndërhyrjet politike.

The proposal that Mr. Elon Musk, for his consistent support for the fundamental human right of freedom of speech and thus for peace, receives the Nobel Peace Prize 2025, was successfully submitted today. Sincere thanks to all the co-proposers and everyone who helped with this… pic.twitter.com/QdI4fnbzdU

— Branko Grims (@BrankoGrimsX1) January 29, 2025

Megjithatë, qasja ndaj moderimit të përmbajtjes ka ngjallur edhe kritika, me disa që argumentojnë se liria e pakufizuar e shprehjes mund të çojë në përhapjen e dezinformimit dhe urrejtjes në internet.

Pavarësisht debatit, mbështetësit e nominimit të tij besojnë se përpjekjet e tij për një diskurs më të hapur dhe të pakufizuar e bëjnë atë një kandidat të denjë për Çmimin Nobel për Paqe.

Drejtuesja e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, ka bërë të ditur se ajo dhe (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. 

​Presidenca e Kosovës mbështet nominimin e Feride Rushitit për çmimin Nobel për Paqe

By: Kult Plus
26 January 2025 at 19:36

Presidenca e Republikës së Kosovës, uron dhe mbështet nominimin e KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims dhe Feride Rushiti për çmimin Nobel për Paqe.

“Organizata QKRMT është mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi nga Presidenca e Kosovës, si dhe, ndër vite, ka qenë ndër partnerët kryesor në organizimin e Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë e po kështu në avancimin e kësaj agjende në Kosovë. Kjo organizatë, jo vetëm që ka kontribuar në procesin e rehabilitimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, por kanë luajtur rol kyç në ndërtimin e politikave që mbështesin përmirësimin e mirëqenies dhe statusit të kësaj kategorie në shoqërinë tonë. KRCT, përpos kontributit të dhënë në Kosovë, njihet si ndër organizatat që ndihmojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe konfliktit në shtete të ndryshme në botë, përderisa ndajnë eksperiencën e Kosovës për ndërtimin e mekanizmave mbështetës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës”, thuhet në njoftim.

Tutje Presidenca e falënderon deputetin suedez, Magnus Jacobsson për dorëzimin e propozimit tek Komiteti Nominues i çmimit Nobel për Paqe.

“Një falënderim i veçantë shkon edhe për deputetin suedez, Magnus Jacobsson, i cili ka dorëzuar propozimin te Komiteti Nominues i çmimit Nobel për Paqe. Për më tepër, ai personalisht ishte pjesë e ngjarjeve që përfshinin temën për dhunën seksuale gjatë luftës dhe konfliktit, siç ishte rasti në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, thuhet tutje nga Presidenca. 

Kosovarja nominohet për Nobel, Rushiti: Mijëra gra kanë përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës

17 January 2025 at 17:13

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Nominimin e ka bërë deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, ka thënë se këtë vendim e ka ndërmarrë për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve”.

Feride Rushiti, ka treguar në një intervistë në emisionin “Ballkan Update” në ABC News, emocionet e përjetuara pasi ka marrë vesh lajmin.

Ajo u shpreh se çmimi për të cilin është nominuar, është një vlerësim për Kosovën.

“Ka qenë një emocion i papërshkruar, nuk kam qenë fare në dijeni që po nominohem për këtë çmim serioz. Kam marrë shumë vlerësime. Përtej emocionit, ky nominim i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës”, u shpreh ajo.

Gjithashtu gjatë intervistës u shpreh se ka me qindra zëra të heshtur që për shkak të natyrës apo ende nuk e kanë mundësi për të kërkuar edhe shërbimet e merituara.

“Që nga rrethanat e luftës, si e re, nuk është e lehtë të punosh me këtë grup të ndjeshëm shoqëror. Por është edhe vlerësim edhe motivim për të ecur përpara, por edhe për ta ndarë përvojën. Pra është edhe një inspirim për të gjithë ne që kemi punuar me të mbijetuar të dhunës seksuale”, tha më tej ajo.

/abcnews.al/

Nominimi për Çmim Nobel për Paqe, kërkohet nga institucionet lobim

17 January 2025 at 15:59

Nominimi për Çmim Nobel për Paqe të Feride Rushitit dhe QKRMT-së është vlerësim për Kosovën, konsideron drejtoresha e kësaj organizate. Ajo tha se është e natyrshme që Serbia do të reagojë, meqë ende nuk ka pranuar krimet e luftës në Kosovë. Drejtoresha Feride Rushiti pret që institucionet të luajnë rolin e tyre në lobim.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe drejtoresha Feride Rushiti janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Kjo është bërë me propozimin e deputetit të parlamentit suedez, Magnus Jacobsson.

Para mediave, drejtoresha Rushiti tha se shpreson që ky nominim do të rris zërin ndërkombëtarisht të viktimave të dhunës seksuale.

“Ky nominim ka ardhur në befasi fare. Realisht unë jam takuar me personin të cilin na ka nominuar, deputetin suedez, Jacobsson para dy viteve në një takim të rastësishëm, i cili po vinte në Kosovë për t’i takuar qoftë politikanët, qoftë organizatat e shoqërisë civile dhe aty gjatë një ore kam pasur mundësinë për të shkëmbyer përvoja, për të ndarë zhvillimet aktuale në QKRMT, por edhe sfidat dhe vështirësitë që ne i hasim në terren…

Çfarë nënkupton ky nominim për mua personalisht edhe për QKRMT-në: mendoj qe është një vlerësim jo vetëm për ne si organizatë, për punën dhe kontributin tonë tash 25-vjeçar në kauzën për të mbijetuarit e dhunës seksuale, por është një vlerësim për Kosovën që i bëhet me këtë nominim”, tha ajo.

Marrë parasysh kauzën e kësaj qendre, Rushiti tha se pret që Serbia do të tentojë të pengojë këtë proces.

“Me Serbinë ne natyrisht kemi pasur edhe shqetësime të tjera. Më kujtohet edhe libri ‘Unë dua të dëgjohem’ kur është tentuar t’i jepet presidentit serb dhe nuk e ka pranuar, pastaj as publikimi i këtij libri nuk është publikuar për shkak të natyrës edhe tregimeve që përmban ky libër në raport me krimet e luftës. Është e natyrshme reagimi i tyre në këtë fushë për faktin që ata ende nuk i njohin krimet e luftës dhe nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim”, shtoi ajo.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se pret nga institucionet që të lobojnë në këtë proces.

“Është një proces i ri për neve, është një nominim i ri fare i ri për neve. Ne sot jemi zgjuar me ato emocionet e gëzimit por besoj që institucionet duhet ta luajnë rolin e vet të rëndësishëm sikurse edhe nëpër mekanizma të tjerë. Është edhe fushatë zgjedhore dua të potencojë që kanë prioritetet e veta. Kam pranuar shumë urime dhe përkrahje dhe politikanët kanë shprehur gatishmëri. Uroj dhe shpresoj që edhe ata të shohin si vlerësim për Kosovën jo për KRCT-në dhe mua personalisht, por një vlerësim për kauzën dhe për krimet e luftës”, përfundoi ajo.

Në vitin 1979, Nënë Tereza kishte marrë Çmimin Nobel për Paqe në Oslo të Norvegjisë. /KP/Telegrafi/

 

 

 

 

The post Nominimi për Çmim Nobel për Paqe, kërkohet nga institucionet lobim appeared first on Telegrafi.

U nominua për çmimin Nobel për paqe, flet Feride Rushiti

By: fra nc
17 January 2025 at 13:48

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti deklaroi se nominimi për Çmimin Nobel për Paqe është vlerësim për Kosovën.

Ajo tha se shpreson se ky nominim do të rris zërin ndërkombëtarisht të viktimave të dhunës seksuale.

Marrë parasysh kauzën e kësaj qendre, Rushiti tha se pret që Serbia do të tentojë të pengojë këtë proces.

“Ky çmim, ky nominim ka ardhur në befasi fare. Unë jam takuar me deputetin suedez para dy viteve. Çfarë nënkupton ky nominim për mua personalisht: mendoj që është një vlerësim jo vetëm për ne, por është një vlerësim për Kosovën”, tha ai.

Teksa foli për lobimin, ajo pret nga institucionet vendore të luajnë rolin e vet.

“Është një proces i ri për neve. Po besoj që institucionet duhet ta luajnë rolin e vet. Kam pranuar shumë urime dhe përkrahje nga politikanët”, shtoi ajo./Kosovapress

LEXONI GJITHASHTU:

The post U nominua për çmimin Nobel për paqe, flet Feride Rushiti appeared first on Euronews Albania.

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës nominohen për Çmimin Nobel për Paqe!

By: D Marku
17 January 2025 at 10:58

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Nominimin e ka bërë deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, i cili në letrën dërguar Komitetit të Institutit norvegjez të Nobelit, ka thënë se këtë vendim e ka ndërmarrë për të njohur “kontributet e jashtëzakonshme” të Rushitit dhe QKRMT-së “në avancimin e të drejtave të njeriut, dinjitetit të të mbijetuarve dhe shërimit të plagëve të luftës të komuniteteve”.

“Çmimi Nobel për Paqe synon të vlerësojë individët, puna e së cilëve nxit paqen, drejtësinë dhe pajtimin. Feride Rushiti dhe QKRM-ja i mishërojnë këto ideale përmes përkushtimit të tyre të përjetshëm për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm, duke shëruar plagët e konfliktit dhe duke ndërtuar një bazë për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe përtej”, shkroi ai.

Pas publikimit të letrës nga deputeti suedez, Rushiti tha se është e nderuar dhe shprehu mirënjohje për këtë nominim.

“Ky moment është një arritje e madhe për mua, ekipin e jashtëzakonshëm të QKRMT-së, dhe mbi të gjitha, për të mbijetuarit që kemi privilegjin t’u shërbejmë tash e 25 vjet”, shkroi ajo në Facebook.

Nominimi, tha Rushiti, tha se është frymëzim për përpjekjet kolektive, “duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit”.

Në letrën drejtuar Institutit norvegjez të Nobelit, Jacobsson tha se Rushiti ia ka dedikuar karrierën e saj adresimit të efekteve shkatërruese të torturës, dhunës seksuale dhe mizorive të tjera të luftës.

QKRM-ja, sipas tij, ka ofruar ndihmë kritike mjekësore, psikologjike dhe mbështetje ligjore për mijëra të mbijetuar “duke u siguruar që zërat e tyre të dëgjohen dhe nevojat e tyre të përmbushen”.

“Avokimi novator i Rushitit në njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës ka transformuar diskursin kombëtar në Kosovë. Përpjekjet e saj të pareshtura kanë çuar në krijimin e kornizës ligjore në njohjen e këtyre të mbijetuarve si viktima civile të luftës, duke iu mundësuar atyre qasje në reparacione. Kjo arritje historike, e arritur më 2017, ka sjell dinjitet dhe mbështetje financiare për shumë të mbijetuar dhe është shpresë për drejtësinë e pasluftës në mbarë botën”.

Ai po ashtu tha se Rushiti, përveç punës së saj me të mbijetuarit e dhunës seksuale, ka arritje të mëdha edhe në trajtimin e të burgosurve dhe të ndaluarve, duke avancuar standardet ligjore dhe etike në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Më 2018, Rushiti, që udhëheq QKRM-të, ishte nderuar me Çmimin për Guximin e Gruas, të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit. Çmimi iu dha për të nderuar ndikimin e punës së saj në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin e saj si udhëheqëse në botë për avokimin për të drejtat e njeriut.

Feride Rushiti ka themeluar QKRM-në më 1999 me misionin për të ofruar trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës në Kosovë. Kjo qendër po ashtu promovon respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë dhe të parandalimit dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit.

Ndryshe, deputeti suedez Magnus Jacobsson, më 2020 kishte nominuar për Çmimin Nobel për Paqe Kosovën, Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara lidhur me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë çmim, më 1996 ishte nominuar edhe presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Ndërkaq, më 2013, u nominuan udhëheqësit e Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kush mund të bëjë nominime për Çmimin Nobel për Paqe?
Sipas statutit të Fondacionit të Nobelit, nominimin për Çmimin për Paqe mund ta bëjnë anëtarë të parlamenteve dhe qeverive kombëtare të shteteve sovrane dhe presidentët, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë.

Po ashtu, nominime mund të bëjnë edhe anëtarët e institutit Ndërkombëtar de Droit, profesorë universitarë, laureatë të Çmimit Nobel për Paqe, anëtarët aktual të Komitetit norvegjez të Nobelit dhe ish-këshilltarët e këtij Komiteti.

Më pas, Komiteti bënë përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikuar dhe zgjedh fituesin.

Ky çmim ndahet çdo vit në muajin dhjetor./REL

The post Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës nominohen për Çmimin Nobel për Paqe! appeared first on Albeu.com.

Shkrimtari që refuzoi paratë e çmimit Nobel: Vetëm një djalli mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur këtë çmim

By: Kult Plus
10 December 2024 at 14:12

Shkrimtari George Bernard Shaw më 18 nëntor të vitit 1926, refuzoi të pranojë paratë për Çmimin Nobel që kishte fituar.

“Unë mund ta fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur Çmimin Nobel”, kishte thënë ai.

Çmimi Nobel u themelua në vitin 1895 nga kimisti suedez Alfred Nobel (1833- 1896), autor i rreth 350 shpikjeve, por më i famshëm për shpikjen e dinamitit. Në vitin 1888, Alfred Nobel u befasua kur lexoi nekrologjinë e vet me titull “Vdiq tregtari i vdekjes”, në një gazetë franceze. Në fakt kishte vdekur vëllai i tij, Ludvig, por Alfredi i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimit dhe i shqetësuar se si do ta kujtonin kur të vdiste, vendosi të ndryshonte testamentin.

Nobel ishte i interesuar personalisht për fiziologjinë ose mjekesinë eksperimentale dhe në testament kërkoi që kur të vdiste, me pasurinë e tij të krijohej – krahas çmimeve për arritjet në Fizikë, Kimi, Letërsi dhe Paqe – edhe një çmim për Mjekësi. (Çmimi për Ekonomi u krijua vonë, më 1969, nga Akademia Suedeze e Shkencave për nder të Alfred Nobelit – dhe quhet Çmim Nobel, edhe sepse jepet në të njëjtën ditë me 5 çmimet e tjera Nobel). / KultPlus.com

The post Shkrimtari që refuzoi paratë e çmimit Nobel: Vetëm një djalli mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur këtë çmim appeared first on KultPlus.

Kush ishte Alfred Nobel dhe pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij?

By: Kult Plus
10 December 2024 at 13:02

Alfred Bernhard Nobel ishte njeriu, vizioni dhe fondet e të cilit çuan në çmimet Nobel, ndoshta çmimet më të famshme dhe më të respektuara në botë, transmeton KultPlus.

Ai ishte një shkencëtar i shekullit të 19-të i famshëm për shpikjen e dinamitit si një mënyrë më të sigurt për përdorimin e nitroglicerinës. Ajo u patentua në 1867.

Nobel mbajti 355 patenta në jetën e tij, por duket se kontributi i tij më i madh në shkencë ishte pjesërisht rezultat i një nekrologjie të botuar gabimisht që e quajti atë një përfitues lufte.

Pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij?

Pasi pa obit-in – botuar gabimisht kur i vdiq i vëllai – ai u frymëzua të krijonte Nobelët dhe vendosi amanetet në testamentin e tij për t’i financuar ato.

Më 27 nëntor 1895, Nobel nënshkroi një testament që parashtronte një plan dhe siguronte paratë për të financuar nderimet. Ai vdiq vitin e ardhshëm.

Nobeli u la disa para të afërmve, por pjesa më e madhe e tyre shkoi në krijimin e çmimeve në fizikë, kimi, fiziologji ose mjekësi, letërsi, ekonomi dhe paqe.

Ai urdhëroi që pasuria e mbetur të përdoret për t’u dhënë “çmime atyre që, gjatë vitit paraardhës, i kanë dhënë përfitimet më të mëdha njerëzimit”.

Familja e tij fillimisht kundërshtoi krijimin e çmimit Nobel dhe fituesit e çmimeve që ai përmendi në testament refuzuan gjithashtu pas kërkesave të Nobelit. Kaluan pesë vjet përpara se çmimi i parë Nobel të jepej në 1901.

Kush ishte Alfred Nobel?

Nobel ishte anëtar i Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, të cilën testamenti i tij e ngarkoi me zgjedhjen e laureatëve të Nobelit në fizikë dhe në kimi.

Ai lindi në Stokholm më 21 tetor 1833, në një familje shkencëtarësh.

Nobeli fliste rrjedhshëm disa gjuhë dhe shkroi poezi dhe dramë.

Ai udhëtoi për pjesën më të madhe të jetës së tij, duke mbajtur kompani në Evropë dhe Amerikë ndërsa jetoi në Paris, Hamburg dhe vende të tjera.

Në 1894, ai bleu Bofors-Gullspang, një pronë që përfshinte Bjorkborn Manor, e cila u bë rezidenca e tij e fundit në Suedi.

Ai do të kalonte verërat në Bjorkborn dhe shtëpia e feudali tani është një muze. Më 10 dhjetor 1896, ai vdiq në Sanremo të Italisë./ KultPlus.com

The post Kush ishte Alfred Nobel dhe pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij? appeared first on KultPlus.

❌
❌