MM: Izolohet zjarri në Dukat, mbeten aktive vatrat në Drashovicë e Vajzë
TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi se mbrëmjen e sotme, në intervalin kohor 20:15 – 22:15, janë evidentuar disa vatra zjarri në fshatrat Dukat, Drashovicë dhe Vajzë, në qarkun e Vlorës.
Falë reagimit të shpejtë të emergjencave civile, zjarri në fshatin Dukat i Ri u izolua plotësisht, duke shmangur rrezikun për zonat e banuara. Ndërkohë, tre vatra në lartësitë e staneve të Drashovicës dhe dy vatra të tjera të shfaqura në Vajzë mbeten ende aktive.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse vendore dhe efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët po krijojnë perimetra sigurie për mbrojtjen e banesave dhe pronave.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, tipologjia dhe kronologjia e këtyre zjarreve ngrenë dyshime të arsyeshme për zjarrvënie të qëllimshme, të ndërmarra nga një grup i strukturuar kriminal, i cili ka zgjedhur të veprojë në orët e natës, kur ndërhyrja nga ajri është e pamundur.
Forcat operacionale do të vijojnë të mbeten të angazhuara në terren përgjatë gjithë natës. /a.f/
The post MM: Izolohet zjarri në Dukat, mbeten aktive vatrat në Drashovicë e Vajzë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.