Edita Doli, drejtoresha e Radio Dukagjinit, ka ndarë me publikun një nga kapitujt më të rëndësishëm dhe frymëzues të jetës së saj personale dhe profesionale – një histori që flet për dashurinë, përkushtimin dhe fuqinë e andrrave të përbashkëta.
Edita në një intervistë për T7-shin rrëfen momentet kur ajo dhe bashkëshorti i saj, Blerimi, nisën jetën së bashku pa asgjë përveç ëndrrave dhe vendosmërisë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, përcjell Telegrafi.
“Kemi filluar të dy prej zeros”, tha ajo duke shtuar: “kemi punuar bashkë, kemi pa andrrat bashkë, kemi qajt e kemi qesh bashkë”.
Në një kohë kur fundvitin nuk e priste me pushime, por me sfida financiare dhe obligime të mëdha, qëllimi i përbashkët ishte: të ndërtonin një familje të qëndrueshme, në një shtëpi të tyren, jo në banesë me qira.
Ajo çka e bën këtë rrëfim kaq të veçantë është mënyra se si një rastësi e vogël, një lexim i një reklame për 20 euro, u kthye në pikë kthese.
Edita, atëherë një punëtore e re në Radio Dukagjini, u kontaktua nga Telegrafi për të lexuar një reklamë. Me modesti e pasion, ajo pranoi pa kërkuar shpërblim: “Ju jeni Telegrafi, e lexoj pa pare”, ishte përgjigja e saj.
Por ajo që nuk e dinte ishte se zëri i saj do të tërhiqte vëmendjen e dikujt që do të sillte ndryshimin që ajo dhe Blerimi kishin pritur me muaj.
Qamili, një pronar agjencie marketingu, që ndodhej pranë zyrave të Telegrafit, e dëgjoi dhe i kërkoi një takim.
E rezultati ishte një ofertë pune që do t’i siguronte pagën e nevojshme për të përballuar këstin e kredisë për banesën e tyre.
“Editë ke me i lexu krejt reklamat çka unë t’i jap të kompanive. Paga jote 250 euro për një vit. Kësti i kredisë ishte aq. Thash o Zot u ble banesa”.
Edita e kujton momentin si një ngjarje që i përket filmit: “S’më interesonte çka kam me punu, hypa n’kerr e i thash Blerimit ‘zemër, e blem banesën’. Ai më pa i habitur: ‘Qysh e blem banesën? ’ ”.
Ky moment nuk ishte thjesht për një kontratë pune apo një fitim financiar. Ishte momenti kur puna, përkushtimi dhe një akt i vogël u shpërblyen me realizimin e një andrre të madhe – të kishin shtëpinë e tyre.
Sot, si drejtoreshë e një prej radiove më me ndikim në Kosovë, ajo mbetet shembull i një gruaje që nuk ka harruar kurrë prej nga ka nisur. /Telegrafi/
The post “Si ma ndryshoi jetën një reklamë” – rrëfimi i Edita Dolit për rrugëtimin e saj deri te shtëpia e ëndrrave appeared first on Telegrafi.