Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 28 July 2025Telegrafi

Vlora Konushevci, poetja e vetme nga Kosova dhe Shqipëria në ‘International Writing Program’

28 July 2025 at 19:59

Poetja nga Kosova, Vlora Konushevci, ka ndarë një lajm të mirë me ndjekësit në rrjete sociale, gjegjësisht në Facebook.

Ajo ka bërë të ditur se do të jetë pjesë e International Writing Program (IWP) në Universitetin e Iowa-s, në një nga programet më prestigjioze për shkrimtarë, e vetmja nga Kosova e Shqipëria.

E njëjta jep disa detaje rreth këtij programi ku thekson se që nga viti 1967, IWP ka mirëpritur mbi një mijë e 600 shkrimtarë nga vende të ndryshme.

Për të po ashtu është një nder dhe privilegj i madh, marrë parasysh bagazhin dhe përkushtimin që ka prej vitesh.

Më poshtë ndiqni postimin e plotë të Konushevcit:

“Ka lajme që i mban për vete me i shiju ma gjatë, por ka edhe lajme që duhet me i nda me të tjerët.

Nga kjo fundverë e deri në fundvjeshtë do të jem pjesë e International Writing Program (IWP) në Universitetin e Iowa-s, një ndër programet më prestigjioze dhe më jetëgjata në botë për shkrimtarë.

Që nga viti 1967, IWP-ja, ka mirëpritë mbi 1,600 shkrimtarë nga më shumë se 160 vende, përfshirë laureatë të Çmimit Nobel, Pulitzer, Man Booker dhe shumë çmimeve të tjera letrare.

Për mua është nder, privilegj dhe përgjegjësi të jem pjesë e kësaj tradite”. /Telegrafi/

The post Vlora Konushevci, poetja e vetme nga Kosova dhe Shqipëria në ‘International Writing Program’ appeared first on Telegrafi.

Barcelona e gatshme ta shkëpusë kontratën e lojtarit të harruar për ta regjistruar Rashfordin

28 July 2025 at 19:53

Barcelona është e përgatitur të shkëpusë kontratën e një lojtari të harruar për të regjistruar Marcus Rashfordin.

27-vjeçari përfundoi transferimin e tij nga Manchester United te gjigantët katalanas javën e kaluar.

Rashford i është bashkuar skuadrës në formë huazimi për një sezon, ndërsa Barcelona ka opsionin ta bëjë marrëveshjen të përhershme verën e ardhshme për rreth 26 milionë euro.

Reprezntuesi anglez bëri paraqitjen e tij të parë për Barcelonën në një ndeshje miqësore ndaj skuadrës japoneze Vissel Kobe gjatë fundjavës.

Ai hyri në lojë në pjesën e dytë dhe luajti 33 minuta, duke regjistruar një gjuajtje në portë.

Megjithatë, Rashford mund të duhet të presë më gjatë për debutimin e tij zyrtar për shkak të vështirësive financiare të vazhdueshme të Barcelonës.

Kampionët e Spanjës thuhet se kanë tejkaluar kufirin e pagave të vendosur nga La Liga, pasi kanë shpenzuar më shumë në tarifa transferimi dhe paga sesa kanë arkëtuar nga të ardhurat sezonin e kaluar.

Ndërkohë që Simon Stone i BBC Sport ka deklaruar se kampi i Rashford mbetet i bindur se Barcelona do të gjejë mënyrën për ta regjistruar, klubi ende nuk e ka zgjidhur situatën.

Barcelona pritet të përfitojë rreth 100 milionë euro  nga shitja e ulëseve VIP në stadiumin ‘Camp Nou’ të rinovuar.

Si Ansu Fati ashtu edhe Clement Lenglet tashmë janë larguar nga klubi, por besohet se janë të nevojshme edhe largime të tjera.

Njëri prej tyre mund të jetë ish-lojtari i Chelseat dhe Southamptonit, Oriol Romeu.

Sipas Mundo Deportivo, klubi i ka bërë me dije se do të duhet ta vazhdojë karrierën larg Barcelonës dhe se tani do të negociojnë për të shkëputur vitin e fundit të kontratës së tij.

33-vjeçari e kaloi sezonin e fundit në huazim te Girona, e cila vendosi të mos aktivizojë opsionin për blerje në kontratën e tij./Telegrafi/

The post Barcelona e gatshme ta shkëpusë kontratën e lojtarit të harruar për ta regjistruar Rashfordin appeared first on Telegrafi.

Shtetasi i Serbisë u kap me targa të falsifikuara të automjetit, Prokuroria nis procedurë hetuese

28 July 2025 at 19:45

Prokuroria Themelore Publike e Gjevgjelisë nisi procedurë kundër një shtetasi të Republikës së Serbisë, i dyshuar për vepër penale “falsifikim i dokumentit”.

Më 24 korrik, i dyshuari po drejtonte një Volkswagen Polo me targa italiane të falsifikuara në rrugën rajonale Gjevgjeli – Bogdanci.

“Oficerët e policisë pranë kryqëzimit të Gjavatës i dhanë shenjë të ndalonte për të kryer kontroll të rregullt. Megjithatë, i dyshuari nuk u ndal, por përshpejtoi automjetin, dhe oficerët e policisë e ndoqën. Në vendin e quajtur “Karp” ai la makinën dhe iku, por u gjet pak kohë më vonë. Policia përcaktoi se i dyshuari nuk posedonte leje drejtimi ose ndonjë dokumentacion tjetër për të përcaktuar origjinën e automjetit, ndërsa targat i përkasin një automjeti tjetër”.

“Me propozim të prokurorit publik, një gjykatës i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Gjevgjeli i urdhëroi të dyshuarit të mbahet në paraburgim për tetë ditë”, thonë nga Prokuroria.

The post Shtetasi i Serbisë u kap me targa të falsifikuara të automjetit, Prokuroria nis procedurë hetuese appeared first on Telegrafi.

Sëmundjet mendore dhe ushqimi: Lidhja befasuese me produktet që përmbajnë gluten

28 July 2025 at 19:38

Kjo është një teori që po hetohet me intensitet nga komuniteti shkencor, ndërsa studimet po tregojnë lidhje midis glutenit dhe një sërë çrregullimesh mendore nga ADHD-ja te skizofrenia

Dina L. Kelly, profesore e psikiatrisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Maryland-it, ka kaluar 17 vitet e fundit duke drejtuar studime klinike mbi skizofreninë dhe sëmundje të rënda mendore, duke u angazhuar gjithashtu në kërkime mbi psikofarmakologjinë.

“Do të isha treguar skeptike nëse dikush do më thoshte se do studioja këtë lidhje”, thotë Kelly. “Mendoja se trajtimi ishte vetëm çështje ilaçesh, nuk e dija që ushqimi dhe dieta mund të ishin në vetvete një lloj terapie.”

Rruga e saj kërkimore filloi kur analizoi të dhëna të ushtarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rezultatet treguan se gjatë mungesës së grurit pati një rënie të ndjeshme të rasteve të shtrimeve për skizofreni.

Më tej, ajo dhe kolegët e saj studiuan punën e psikiatrit Curtis Dohan nga vitet ’70, i cili dokumentoi raste të pacientëve me skizofreni që u përmirësuan pasi lanë dietën me grurë. Ai gjithashtu vizitoi zona të izoluara në Papua Guinenë e Re, ku gruri nuk ishte pjesë e dietës, dhe zbuloi se nuk kishte fare raste të skizofrenisë, ndryshe nga popullsitë që konsumonin grurë.

Kelly më pas pati mundësinë të realizojë një studim klinik në shkallë të gjerë, ku analizoi antitrupat që trupi prodhon si përgjigje ndaj glutenit. Gjetjet e saj treguan për nivele të larta antitrupash kundër glutenit tek njerëzit me skizofreni. Kjo e çoi drejt bindjes se ekziston një lidhje e fortë midis funksionimit të trurit dhe ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe nuk është e vetmja që mendon kështu, transmeton Telegrafi.

— New York Post (@nypost) July 24, 2025

Gluteni dhe shëndeti mendor

Dëshmitë tregojnë se ushqimet që përmbajnë gluten mund të lidhen me shumë simptoma psikiatrike, nëpërmjet një përgjigjeje imune, tek një në 17 persona.

Në librin “Lirohuni nga drithërat”, ku Kelly është bashkautore, paraqiten kërkimet më të fundit mbi këtë temë.

“Ekziston një hendek midis gastroenterologjisë dhe psikiatrisë. Nuk i dimë të gjitha, por kjo është një hap më pranë lidhjes së këtyre pikave.”

— Hugh Thomas (@justhugh_t) July 25, 2025

Çfarë është ndjeshmëria ndaj glutenit?

Gluteni është një grup proteinash që gjendet në grurë, elb dhe thekër, pjesë e zakonshme e bukës, makaronave, produkteve të brumit etj. Disa njerëz janë të ndjeshëm ndaj glutenit, pra, sistemi i tyre imunitar e trajton si një “pushtues” të huaj.

Sëmundja celiake është forma më e njohur e ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe shoqërohet me dëmtime të traktit tretës, diare, fryrje barku, dhimbje, lodhje, humbje peshe dhe skuqje të lëkurës. Ka edhe një formë më të zakonshme, të quajtur ndjeshmëri joceliake ndaj glutenit (NCGS), që nuk diagnostikohet lehtësisht pasi analizat për celiaki shpesh rezultojnë negative.

Gluteni dhe inflamacioni

Gluteni është bërë pjesë e dietës njerëzore vetëm rreth 6.000 vjet më parë. Sipas Kelly, trupi ynë e ka të vështirë ta zbërthejë plotësisht. Nëse një person i ndjeshëm ndaj glutenit e konsumon, trupi prodhon antitrupa për ta luftuar, veçanërisht ndaj një pjese të glutenit të quajtur gliadin, e cila nxit inflamacion dhe dëmton zorrën, duke krijuar sindromën e zorrës së përshkueshme.

Kjo lejon që antitrupat të qarkullojnë në gjak dhe të ndikojnë edhe në tru, duke shkaktuar simptoma si mjegull mendore, mungesë përqendrimi, ankth, luhatje humori, halucinacione apo kriza epileptike.

“Ekziston një sekuencë specifike proteinike, e quajtur 33-mer, që gjendet te gruri dhe është shumë e ngjashme me një strukturë të receptorëve në tru,” shpjegon Kelly. “Sistemi imunitar mund të mos arrijë ta dallojë diferencën.”

Kjo mund të nënkuptojë se te disa persona, sistemi imunitar gabimisht sulmon trurin, duke e ngatërruar me glutenin.

Lidhja me depresionin dhe ankthin

Zona e trurit e quajtur amigdala luan një rol në përpunimin e frikës dhe ankthit. Studimet tregojnë se njerëzit me çrregullime ankthi kanë reagim më të lartë në këtë zonë. Gjithashtu, serotonina, një neurotransmetues i rëndësishëm për gjendjen shpirtërore, prodhohet në masën 95% nga zorrët. Balanca e baktereve në zorrë ndikon drejtpërdrejt në këtë proces.

“Të gjithë këta çrregullime kanë të përbashkët inflamacionin si shkaktar,” thotë Kelly. “Sistemi imunitar i disa njerëzve nuk funksionon siç duhet dhe kjo mund të lidhet edhe me glutenin.”

Simptomat më të zakonshme që Kelly vëren te pacientët janë: mjegull mendore, ankth, depresion, dhimbje koke, migrenë dhe dhimbje kyçesh.

Dieta pa gluten dhe përmirësimi i simptomave

Studimet tregojnë se njerëzit me ADHD kanë më shumë gjasa të kenë sëmundje celiake ose NCGS. Lidhja midis depresionit dhe celiakisë është e mirëdokumentuar, një studim me mbi 2.000 pacientë celiakë tregoi se 39% kishin pasur simptoma depresioni gjatë jetës.

“Një teori është se depresioni vjen si pasojë e përballjes me një sëmundje kronike,” shpjegon Kelly, “por ka studime që tregojnë edhe lidhje fiziologjike midis glutenit dhe depresionit.”

Ndërkaq, të dhënat janë edhe më të qarta për pacientët me skizofreni: dieta pa gluten mund të ndihmojë në menaxhimin e simptomave. /Telegrafi/

The post Sëmundjet mendore dhe ushqimi: Lidhja befasuese me produktet që përmbajnë gluten appeared first on Telegrafi.

Berat Gjimshiti mund të largohet nga Atalanta – ylli shqiptar ka një ofertë të madhe nga Katari

28 July 2025 at 19:33

Mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti mund të largohet së shpejti nga Atalanta, ka raportuar uebsajti italian TuttoAtalanta.

32-vjeçari i cili ka një kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm me Atalantan dhe që fiton afërsisht 800 mijë euro në sezon, ka qenë një figurë kyçe në mbrojtjen e tyre për vite me radhë.

Megjithatë, ekziston mundësia që ai të largohet në rast se në zyrat e klubit nga Bergamo arrin një ofertë e rëndësishme.

Siç bëhet me dije tutje në raportin e publikuar, interes për shërbimet e Gjimshitit më parë ka shprehur klubi nga Katari, Al Rayyan.

Duke marrë parasysh moshën e Gjimshitit, kjo mund të jetë kontrata e fundit e madhe e karrierës së tij dhe për këtë arsye, Atalanta nuk do t’i qëndrojë përpara nëse dëshiron largimin.

Klubi italian pret që në rast shitjeje të mbrojtësit shqiptar, të arkëtojnë të paktën 11 milionë euro.

Deri në këto momente nuk ka pasur bisedime të avancuara me ndonjë klub, por dera mbetet e hapur dhe javët e ardhshme mund të jenë vendimtare për të.

The post Berat Gjimshiti mund të largohet nga Atalanta – ylli shqiptar ka një ofertë të madhe nga Katari appeared first on Telegrafi.

Bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë mund të rifillojnë në Turqi, thotë Erdogan

28 July 2025 at 19:27

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka shprehur shpresën se Turqia do të shërbejë përsëri si një ndërmjetës kyç midis Rusisë dhe Ukrainës, duke riafirmuar angazhimin e Ankarasë për të ringjallur negociatat e paqes që synojnë t’i japin fund luftës.

“Ashtu siç u vendos tryeza e negociatave [midis Rusisë dhe Ukrainës] në Stamboll, tryeza e paqes do të vendoset edhe në Turqi në një të ardhme jo shumë të largët dhe kjo luftë e përgjakshme do të marrë fund”, tha Erdogan të hënën, pas një takimi të kabinetit në Ankara, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Komentet e tij erdhën më pak se një javë pasi Stambolli priti raundin e tretë të bisedimeve të rinovuara të paqes Ukrainë-Rusi më 23 korrik, pas raundeve të mëparshme në maj dhe qershor.

Takimet, të cilat kanë mbetur kryesisht jashtë vëmendjes, përfshinin diplomaci zyrtare dhe diplomaci të fshehtë, me Turqinë që thuhet se lehtësoi kontaktet midis këshilltarëve të lartë dhe zyrtarëve të sigurisë nga të dyja palët.

Ankaraja më parë priti negociata të profilit të lartë në mars 2022, kur delegacionet ruse dhe ukrainase u takuan në Stamboll për bisedime të drejtpërdrejta vetëm disa javë pasi filloi lufta.

Ndërsa këto bisedime në fund ngecën, ato hapën rrugën për marrëveshje të tilla si Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi, e cila tani nuk ekziston më, të cilën Turqia dhe Kombet e Bashkuara e ndërmjetësuan gjithashtu.

Turqia e ka pozicionuar veten si një palë neutrale gjatë gjithë konfliktit, duke ruajtur marrëdhëniet si me Kievin ashtu edhe me Moskën.

Erdogani është ofruar vazhdimisht të ndërmjetësojë dhe ka theksuar nevojën për diplomaci mbi përshkallëzimin, duke përfshirë korridoret e energjisë, sigurisë dhe humanitare.

Ndërsa detajet nga raundet e fundit mbeten të pakta, zyrtarët turq i kanë përshkruar bisedimet si “konstruktive”, me qëllim hedhjen e themeleve për një kuadër më të gjerë armëpushimi.

Nxitja e ripërtërirë e presidentit Erdogan për diplomaci vjen mes një ngërçi të zgjatur ushtarak në Ukrainë dhe lodhjes globale në rritje për shkak të konfliktit të zgjatur. /Telegrafi/

The post Bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë mund të rifillojnë në Turqi, thotë Erdogan appeared first on Telegrafi.

Neda Balluku: Jam opinionistja më e ndershme që ka pasur Big Brother

28 July 2025 at 19:26

Në një intervistë të fundit me gazetarin Ronaldo Sharka, opinionistja e edicionit të fundit të Big Brother VIP Albania Neda Balluku, ndau mendimet e saj për shumë figura të ekranit dhe ish-banorë.

E pyetur kë do të zgjidhte për të kaluar pushime të paharrueshme mes Balina Bodinakut, Zhaklin Lekatarit dhe Ori Nebijajt, Neda ishte e prerë: “Ori Nebijaj është për mua një nga njerëzit që e bën jetën në mënyrë shumë elegante, modeste dhe pozitive. E njoh, ndaj sigurisht do të zgjidhja Orin”.

Nuk munguan as pyetjet për rolin e saj si opinioniste.

Foto: Screenshot/TikTok

“Po, mendoj se jam opinionistja më e ndershme me banorët dhe publikun. Më transparentja”, deklaroi Neda me plot bindje.

Biseda mes tyre në studio:

Ronaldo: Kë do të zgjidhje ti për të bërë një palë pushime shumë të bukura, Balina Bodinakun, Zhaklin Lekatarin apo Ori Nebijaj?

Neda: Orin sigirisht. Ori Nebijaj është për mua një nga njerëzit, e cila në jetën e saj, qenien e saj në këtë tokë, e bën në formë shumë elegante, në formë shumë modeste dhe pozitive. Dhe e njoh, kështu që sigurisht do të zgjidhja Ori Nebijaj.

Ronaldo: A je ti opinionistja më e ndershme me banorët që ka pasur Big Brother?

Neda: Po. Mendoj se jam opinionistja më e ndershme me banorët dhe me publikun. Më transparentja.

Ronaldo: A do ta ribëje Big Brother?

Neda: Mendoj që janë punët e Zotit dhe punët e Top-it (qesh).

Ronaldo: Nëse do të jesh këtë edicion, nëse nuk do të kesh Arbrin në krah, kë do të doje të kishe?

Neda: Ronaldo Sharkën.

Ronaldo: I ke monitoruar banorët e këtij edicioni? Kush mendon se po e menaxhon më mirë atë që i mori Big Brother-it?

Neda: Gerta Gixhari dhe Loredana Brati janë dy goca që kanë pasur një performancë shumë të mirë tek “Goca & Gra”. Përderisa Top Channel u ka besuar që t’i japë një panel që është shumë i rëndësishëm për televizionin sot, sepse është unik, nuk ka një panel të tillë në televizionet shqiptare përveç “Goca & Gra” dhe është një emision që është bërë shumë i pjekur me kalimin e sezoneve. Dhe më bëhet shumë qejfi për të dyja. Jam shumë e lumtur për suksesin që po arrin Gjesti, ka koncerte, ka një dashuri shumë të madhe nga publiku. Kam parë që Egli po ecën, po rritet, po bën koncerte, po bën muzikë, ndihet mirë. Kam një komunikim të vazhdueshëm me Laert Vasilin dhe me G-Banin. E shoh që kanë dëshirën për të qenë pjesë tek jeta ime, për të patur një komunikim të herëpashershëm me mua dhe e vlerësoj shumë. Jam shumë e lumtur për të dy. Janë mendje shumë të zgjuara, pavarësisht se nuk kam qenë dakord dhe kam pasur ato përplasjet e mia në kohën e Big Brother, por si profesionistë në jetën e tyre dhe si çuna kanë fituar gjithë respektin dhe gjithë dashamirësinë time. /Telegrafi/

@topalbania_radioNeda Balluku: “Jam opinionistja më e ndershme që ka pasur BBV…”♬ original sound – Top Albania Radio

The post Neda Balluku: Jam opinionistja më e ndershme që ka pasur Big Brother appeared first on Telegrafi.

Zyrtare: s1mple largohet nga NAVI pas pothuajse një dekade

28 July 2025 at 19:18

Natus Vincere kanë konfirmuar shitjen e Oleksandr “⁠s1mple⁠” Kostyliev, tetë vite e dhjetë muaj pasi ai nënshkroi me ekipin në vitin 2016.

“Pas BLAST.tv Austin Major 2025, kemi pranuar disa oferta transferimi për s1mple, të gjitha prej të cilave i janë paraqitur atij për shqyrtim”.

“Sot, duam të njoftojmë se pas 9 vitesh me klubin, s1mple po largohet nga Natus Vincere”.

“Jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Oleksandrit për rrugëtimin që kemi kaluar së bashku, për trofetë e panumërt dhe një vit fenomenal në 2021, me fitore në PGL Major Stockholm, Intel Grand Slam, dhe ngjarje të tjera kyçe, për emocionet e paharrueshme dhe momentet kulmore që do të mbeten përgjithmonë në zemrat e tifozëve”.

Following the last Major, we received several transfer offers for @s1mpleO, all of which were submitted to him for consideration.

Today, we want to announce that after 9 years with the club, s1mple is leaving Natus Vincere.

We are incredibly grateful to Oleksandr for the… pic.twitter.com/cQ4eMXShCZ

— NAVI (@natusvincere) July 28, 2025

“Si pjesë e NAVI, s1mple u shpall lojtari më i mirë i vitit nga HLTV.org tri herë dhe fitoi 21 medalje MVP”.

“Më i miri i të gjitha kohërave, me një karrierë që ka frymëzuar shumë lojtarë të rinj e të talentuar, të cilët që atëherë kanë arritur të depërtojnë në skenën e nivelit më të lartë (Tier 1)”, thuhej në komunikatën e NAVI.

Megjithatë, pas kalimit në CS2 në fund të vitit 2023, s1mple u përball me vështirësi në përshtatje dhe mori një pauzë të pacaktuar nga loja në nëntor të 2023, duke deklaruar se do të rikthehej vetëm kur të kishte kushte më të mira për të konkurruar.

Në mungesë të tij, NAVI rindërtoi skuadrën me lojtarë të rinj, përfshirë fituesin e Major-it, jL dhe supertalentin iM, dhe arritën të fitojnë ‘Major’-in e Kopenhagës (2024), një sukses i madh pa praninë e s1mple në server./Telegrafi/

The post Zyrtare: s1mple largohet nga NAVI pas pothuajse një dekade appeared first on Telegrafi.

Sindikata e Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut solidarizohet me civilët dhe gazetarët në Gaza

28 July 2025 at 19:15

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias në Maqedoninë e Veriut (SPGPM) ka shprehur nëpërmjet një letre të hapur solidaritet me civilët, gazetarët dhe punonjësit e medias në Gaza.

Në letrën drejtuar kryeministrit, ministrit të jashtëm, deputetëve, në një kohë kur bota po përjeton një nga katastrofat më të mëdha humanitare, SPGM ka shprehur solidaritet me civilët në Gaza, si dhe me kolegët e saj – gazetarë dhe punonjës të medias, “të cilët pavarësisht kushteve të tmerrshme, po përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe pavarësisht faktit se po vdesin çdo ditë, për të cilat nuk ka asnjë reagim vendimtar nga publiku botëror”.

“Fatkeqësisht, Maqedonia e Veriut ka treguar përmbajtje që nuk duhet të jetë karakteristikë e një shteti social dhe të ndershëm që vetë lufton për respektimin e të drejtave të njeriut të qytetarëve të saj”, thuhet në letrën ku është kërkuar nga institucionet kompetente shtetërore të përdorin të gjitha instrumentet e tyre diplomatike, të reagojnë dhe të ndihmojnë në parandalimin e katastrofës humanitare me përmasa të papara që ka ndodhur në Gaza për më shumë se një e gjysmë vjet.

SPGM shprehu besimin se Maqedonia e Veriut nuk duhet të heshtë për gjenocidin dhe fshehjen e të vërtetës, ku në Gaza deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 230 gazetarë dhe punonjës të mediave.

“Ata gazetarë që mbijetuan janë në një pikë kolapsi fizik që i pengon ata të kryejnë detyrën e tyre – të transmetojnë imazhe dhe informacione nga vendi i një katastrofe humanitare të paparë. Në të njëjtën kohë, Izraeli po ndalon gjithashtu hyrjen e gazetarëve të huaj, gjë që errëson më tej pamjen e asaj që po ndodh në Rripin e Gazës”, thuhet në letër.

“Ne kërkojmë që Maqedonia e Veriut të mbështesë publikisht dhe zyrtarisht pezullimin e marrëveshjes midis BE-së dhe Izraelit, evakuimin e menjëhershëm të atyre që janë në rrezik të menjëhershëm për jetën e tyre, kërkesat ndërkombëtare për lejen e gazetarëve të huaj për të hyrë në Rripin e Gazës, mbrojtjen e gazetarëve vendas dhe bashkimin me thirrjet për një hetim ndërkombëtar mbi urinë sistematike si krim lufte”, thekson letra më tej.

SPGM tha se me anë të kësaj letre i bashkohet reagimit të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ) dhe Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), si dhe shumë sindikatave dhe shoqatave të tjera kombëtare të gazetarëve që tashmë i kanë dërguar një apel Bashkimit Evropian (BE) dhe autoriteteve kombëtare, duke i kërkuar BE-së të rishikojë qëndrimin e saj ndaj Izraelit.

“Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të medias i inkurajon autoritetet maqedonase të bashkohen me reagimin e përgjithshëm botëror dhe të ndihmojnë në parandalimin e krimeve të luftës në fillim të shekullit të 21-të”, përfundon letra.

The post Sindikata e Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut solidarizohet me civilët dhe gazetarët në Gaza appeared first on Telegrafi.

Ish-ylli i Barcelonës i cili dikur cilësohej si ‘Messi i ardhshëm’ rrezikon përjashtimin nga klubi aktual

28 July 2025 at 19:01

Një ish-lojtar i Barcelonës, dikur i cilësuar si ‘Messi i ardhshëm’, është pranë largimit nga skuadra holandeze Fortuna Sittard.

Alen Halilovic nënshkroi me Barcelonën në moshën 17-vjeçare, me shumëkënd që besonte se mesfushori kroat ishte një talent aq premtues sa që do të përfshihej shpejt në ekipin e parë.

Megjithatë, në atë kohë, mesfusha e klubit katalanas përfshinte Sergio Busquets, Andres Iniesta dhe Xavi, ndaj mundësitë për të rinjtë ishin natyrisht të kufizuara.

Ai nuk arriti kurrë të afirmohej te Barcelona, duke bërë vetëm një paraqitje zyrtare, përpara se të huazohej te Sporting Gijon në vitin 2015 dhe të transferohej përfundimisht te Hamburg një vit më vonë.

Aktualisht ai luan për Fortuna, klubin e tij të 12-të në karrierë, por mund të detyrohet të largohet, pasi skuadra holandeze po synon të sjellë në ekip Mohamed Ihattaren.

Sipas mediumit holandez VI, Fortuna dëshiron ta rrisë interesimin për Ihattaren vetëm nëse Halilovic largohet.

Halilovic thuhet se është një opsion për klubet e MLS-së, dhe është i hapur për një largim. Publikimi holandez e përshkroi ashpër lojtarin.

“Një barrë e konsiderueshme për buxhetin dhe ai nuk ka dhënë atë që pritej në fushë”, thuhej në raport.

Javën e kaluar, medium kroat tportal raportoi se FK Sarajevo dhe Trabzonspor janë gjithashtu të interesuara për Halilovic, i cili tani është 29 vjeç./Telegrafi/

The post Ish-ylli i Barcelonës i cili dikur cilësohej si ‘Messi i ardhshëm’ rrezikon përjashtimin nga klubi aktual appeared first on Telegrafi.

Pep Guardiola tregon nëse do të rikthehet një ditë si trajner i Barcelonës

28 July 2025 at 17:52

Pep Guardiola ka deklaruar në mënyrë të prerë se për të ka ‘mbaruar’ gjithçka me Barcelonën, duke përjashtuar çdo rikthim profesional në Kataloni.

Guardiola doli nga akademia e famshme e Barçës dhe zhvilloi 382 ndeshje si lojtar për blaugranasit, duke ndihmuar klubin të fitojë gjashtë tituj kampionë dhe një Kupë Europe.

Ai u rikthye më pas në mjediset e njohura si trajner, duke u promovuar në postin e trajnerit të parë në vitin 2008, ku udhëhoqi një epokë të artë të futbollit ‘tiki-taka’, me yje si Lionel Messi, Xavi dhe Andres Iniesta, duke fituar tre tituj të La Ligas dhe dy Liga të Kampionëve.

Guardiola u largua nga klubi në vitin 2012, pas 247 ndeshjesh në stol, dhe që atëherë është përfolur vazhdimisht për një rikthim të mundshëm.

Por trajneri aktual i Manchester Cityt i ka dhënë fund çdo hamendësimi sa i përket kësaj situate.

“Ka mbaruar. Ka mbaruar përgjithmonë. Ishte shumë e bukur, por tani ka përfunduar”.

I pyetur më tej nëse do të merrte ndonjëherë postin e presidentit në ‘Camp Nou’, ai u përgjigj me humor.

“Jo, jo, jo. Nuk jam i mirë për këtë punë”, ka thënë tekniku katalanas.

Guardiola mbetet i përkushtuar ndaj rolit të tij në Manchester City, ndërsa klubi është në proces rindërtimi pas një sezoni 2024/2025 pa trofe të mëdhenj.

“Shiko, një gjë për sportin është kjo. Nuk mund t’i fitosh gjithmonë të gjitha garat ku merr pjesë. E di pse? Sepse është e pamundur. E pamundur. Ndonjëherë humb, po, kjo është pjesë e sportit”, përfundoi ai./Telegrafi/

The post Pep Guardiola tregon nëse do të rikthehet një ditë si trajner i Barcelonës appeared first on Telegrafi.

Propozim-ligji për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare e kaloi filtrin e komisionit

28 July 2025 at 17:50

Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport në Kuvendin e RMV-së sot dha mbështetje për propozim-ligjin për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare, të paraqitur nga deputetët nga pushteti dhe e dërgoi për procedurë të mëtejshme parlamentare. Për këtë ligj u paraqitën 22 amendamente – 10 nga deputetët nga pushteti dhe 12 nga deputeti i Frontit Evropian Sali Murat. Në komision u pranuan 11 amendamente.

Qëllimi i këtij ligji, siç theksohet në shpjegimin e propozuesve, është të sigurohet interesi më i mirë i nxënësve të regjistruar në Shkollën Teologjike – Shkup dhe Shkollën e Mesme Teologjike “Isa Beg” – Shkup, duke krijuar një mundësi ligjore për të dhënë maturën shtetërore në përputhje me Ligjin për Arsimin e Mesëm dhe Konceptin për provimin e maturës shtetëtore, provimin e maturës shkollore dhe provimin përfundimtar. Kjo, siç theksohet në ligj, mundëson vazhdimin e pandërprerë të arsimit të tyre në universitetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Pas refuzimit të amendamentit të parë të paraqitur nga deputeti Murati, ai theksoi se formulimi aktual i ligjit krijon trajtim diskriminues që favorizon vetëm dy bashkësi fetare, ndërsa përjashton Kishën Katolike, Kishën Ungjillore Metodiste dhe bashkësinë hebraike dhe bashkësi e grupe të tjera fetare. Ai theksoi se në formën e tij aktuale, asnjë gjyqtar kushtetues nuk do ta pranojë këtë ligj.

“Këtu nuk janë të barabartë si në Nenin 19 ose amendamentin 7, ato janë kategori kushtetuese. Një rregullim i tillë selektiv përfaqëson një zbatim klasik të diskriminimit në baza fetare, pavarësisht se sa janë. Ne jemi për përmirësimin e zgjidhjes ligjore, në mënyrë që të ketë një ekuilibër midis lirive fetare dhe të mos ketë ndërhyrje të institucioneve shtetërore në pavarësinë e bashkësive fetare. Këtu do të vijmë menjëherë te problemet nga aspekti kushtetues-juridik”, tha Murati.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska theksoi se amendamentet e paraqitura nga deputeti Murati po bëhen të panevojshme, sepse, siç tha ajo, ndryshimet e propozuara nga deputetët nga pushteti zgjidhin të gjitha problemet që ai i renditi në amendamentet e tij.

“Për dymbëdhjetë vjet ka pasur përpjekje për të miratuar këtë ligj, dhe vitin e kaluar ju miratuat një ligj që Gjykata Kushtetuese e rrëzoi. Pse nuk reaguat me amendamente të tilla kur ishit në pushtet? Në vend të kësaj, lejuat të miratohej një ligj që Gjykata Kushtetuese e quajti jokushtetues. Po ju them vetëm se me amendamentin e parë të pranuar nga deputetët nga pushteti, nuk ka më nevojë për amendamentin tuaj sepse pikërisht siç thoni, është bërë një korrigjim në ligj. Kushtet e kushtetutës janë përmbushur, siç shkruani në amendamentin tuaj. E njëjta gjë ndodh në të gjitha amendamentet pasuese. Dy shkollat po fshihen dhe zëvendësohen me shkolla fetare. Pa një marrëveshje me bashkësitë fetare në vend, keni vendosur të miratoni një ligj jokushtetues”, tha Janevska.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët nga krahu i Arben Taravarit, Halil Snopçe, theksoi se vetë fakti që propozim-ligji propozua me mangësi në draftin e parë tregon se nuk është planifikuar mirë.

“Drafti i parë i këtij propozim-ligji që kaloi në Kuvend, për të cilin votuam dhe unë votova dhe do të mbështes çdo ligj. Unë nuk jam ekspert kushtetues, por po komentoj mbi atë që ju komentuat. Vetë fakti që u propozua me mangësi në draftin e parë tregon se nuk ishte planifikuar mirë. Kolegia ime Ivanka Vasilevska dhe kolegë të tjerë duhet të kishin ndërhyrë dhe ju po thoni se kushtet kushtetuese tani janë përmbushur. Pra, ato nuk u përmbushën në draftin e parë. Si mund të propozoni një ligj të tillë që është jokushtetues? Kam frikë se është një bllof nga ana juaj. Mos po bëni bllof? Pati një draft që ra në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ky është shqetësimi. Shqetësimi është të mos bllofojmë tani siç bëjmë shpesh dhe të bie në Gjykatën Kushtetuese. Unë nuk jam ekspert dhe natyrisht dua fuqimisht të besoj se tani do të korrigjohet me këto ndërhyrje. Duhet të kemi kujdes të mos bllofojmë. Ata prindër dhe fëmijë nuk meritojnë të hyjnë përsëri në golgotë. Vetë fakti që tani me miratimin e këtyre amendamenteve, ato do të jenë një kategori kushtetuese, nuk do të ketë më pengesa me Kushtetutën. Pse lejuam që propozimi i parë të jetë i gabuar?”, tha Snopçe.

Ministrja Janevska iu përgjigj Snopçes. Ajo theksoi se dhoma ligjdhënëse është ajo duhet të sqarojë dhe rregullojë gjërat.

“Nuk thashë që është jokushtetuese dhe se Qeveria nuk është joserioze kur propozon diçka. Por kjo është arsyeja pse ekziston ligjdhënëse për të sqaruar gjërat dhe për të rregulluar gjërat. Kjo është puna juaj. Ju falënderova të gjithëve që keni investuar përpjekje, sepse as unë nuk jam eksperte, për atë që keni përmirësuar tekstin e ligjit, theksoi Janevska.

The post Propozim-ligji për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare e kaloi filtrin e komisionit appeared first on Telegrafi.

Kujdes çfarë varni në mur: Këto dy motive të pikturave mund të prishin energjinë e shtëpisë

28 July 2025 at 17:46

Muret e shtëpisë suaj i mbajnë mend të gjitha, përthithin emocione, fjalë dhe ngjarje. Ndërsa pikturat që vendosni mbi to nuk janë vetëm elementë zbukurues, por edhe “spiranca” të fuqishme energjetike

Ato transmetojnë një gjendje të caktuar gjatë gjithë ditës. Disa prej tyre mund të frymëzojnë dhe të tërheqin fat të mirë, ndërsa të tjerat veprojnë si “vampirë të heshtur”, duke thithur pak nga pak energjinë jetësore, duke shkaktuar tensione dhe një atmosferë të rënduar në shtëpi.

Shumë janë skeptikë ndaj kësaj ideje, por edhe psikologjia konfirmon se: ajo që shohim çdo ditë ndikon drejtpërdrejt në qëndrimet dhe emocionet tona të pavetëdijshme.

Një pikturë bëhet një “shkaktues vizual”, mund të ruajë brenda nesh gjendje ankthi, trishtimi apo agresiviteti, edhe kur nuk jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë ndikim.

Sipas filozofisë feng shui dhe psikologëve, disa tema të artit vizual përçojnë ngarkesë destruktive dhe nuk janë të përshtatshme për hapësirat personale.

Piktura me skena tragjedish, luftërash dhe dhune

Pikturat që përshkruajnë luftëra, beteja, dhunë apo vuajtje mbartin një përqendrim të energjisë negative. Edhe nëse janë realizuar mjeshtërisht, praninë e tyre të përditshme në mure e shoqëron një valë e vazhdueshme tensioni.

Këto skena mund të nxisin në mënyrë të pavetëdijshme konflikte në familje, të rrisin nivelin e stresit dhe të krijojnë ndjenjën e një “lufte” të përhershme.

shutterstock

Piktura që shprehin vetmi, melankoli dhe trishtim

Një figurë e vetmuar në një peizazh të shkretë, një fytyrë e përlotur apo një shtëpi e braktisur – këto motive nxisin ndjenja dëshpërimi dhe humbjeje. Mund të përkeqësojnë gjendjet depresive dhe të pengojnë ndërtimin e marrëdhënieve harmonike, duke përçuar ndjesinë e izolimit.

Piktura me imazhe shkatërrimi, rrënimi apo vdekjeje

Skicat e rrënojave, objekteve të thyera apo luleve të vyshkura përçojnë një energji të ndalur dhe fundi.

Lulet e vyshkura nuk janë vetëm simbol i estetikës dekadente, por përfaqësojnë jetën e përfunduar – një motiv mjaft i dashur për shumë familje në trojet tona.

Një ambient me këso imazhesh mund ta bëjë më të vështirë fillimin e projekteve të reja, zhvillimin personal dhe ruajtjen e ndjesisë së gjallërisë.

Piktura të katastrofave natyrore

Stuhitë, shpërthimet vullkanike, përmbytjet – ndonëse vizualisht të fuqishme, këto motive përfaqësojnë forca shkatërruese dhe të pakontrollueshme. Ato mund të krijojnë ndjesi pasigurie dhe ankthi të vazhdueshëm në shtëpi. Një shembull tipik është piktura e një anijeje në mbytje – simbol i trazirës që ndikon në sjelljen dhe energjinë e familjarëve.

Edhe disa vepra të mëdha botërore, për shkak të mesazhit të fortë emocional, mund të jenë të papërshtatshme për ambientet e jetesës.

Për t’u admiruar në galeri arti- po, por për të bashkëjetuar me to çdo ditë – jo gjithmonë.

Shembuj të tillë janë “Bërtima” e Edvard Munch apo “Guernica” e Picassos, vepra të fuqishme kundër dhunës, por tepër ngarkuese për një mjedis jetese të qetë.

shutterstock

Si të zgjidhni art të “shëndetshëm” për shtëpinë tuaj?

Pyetja e natyrshme që lind është: çfarë duhet të vendosni atëherë në muret e shtëpisë? Përgjigjja është e thjeshtë: atë që ju mbush me ndjenja të mira, jo atë që ju lodh shpirtërisht. Zgjidhni me vetëdije, duke u lidhur me ndjenjat tuaja të brendshme. Disa sugjerime janë:

▪ Tema të rritjes dhe begatisë – kopshtet me lule, pemët me fruta, peizazhe të gjera dhe të hapura, lindja e diellit.

▪ Abstraksione pozitive – linja të buta që ngrihen lart, kombinime ngjyrash harmonike që sjellin ndjesinë e gëzimit dhe dritës.

▪ Uji i qetë – deti i kthjellët, lumi i pastër apo liqeni i qetë simbolizojnë rrjedhën e energjisë dhe pastrimin e brendshëm. Kujdes: shmangni skenat e ujërave të stuhishëm.

▪ Arti me qëllim të mirë – veprat që janë krijuar me mesazhe të vetëdijshme dhe pozitive nga artisti. Këto mbartin më shumë harmoni dhe ndikim të mirë. /Telegrafi/

The post Kujdes çfarë varni në mur: Këto dy motive të pikturave mund të prishin energjinë e shtëpisë appeared first on Telegrafi.

Bashkëthemeluesi i YouTube ka shprehur shqetësimin e tij “për ndikimin e videove të shkurtra tek fëmijët”

28 July 2025 at 17:43

Steve Chen, bashkëthemeluesi i YouTube, ka shprehur shqetësimin e tij “për ndikimin e videove të shkurtra tek fëmijët”.

Ai ka thënë se shumë prindër tashmë po shmangin videot me ngjyra të ndezura dhe efekte vizuale që tërheqin syri, pasi këto i bëjnë fëmijët të varur.

Ai sugjeroi që platformat të kufizojnë kohën e përdorimit për fëmijët, sipas grupmoshës.

Chen tha se ekziston një ekuilibër delikat mes përfitimeve financiare dhe asaj që është vërtet e dobishme për përdoruesit.

Komentet e tij vijnë mes shqetësimeve të ngjashme të shprehura edhe nga drejtues të tjerë të industrisë së teknologjisë. /Telegrafi/

The post Bashkëthemeluesi i YouTube ka shprehur shqetësimin e tij “për ndikimin e videove të shkurtra tek fëmijët” appeared first on Telegrafi.

SHBA-të dhe BE-ja arrijnë një marrëveshje që mund të ndikojë edhe në industrinë e automobilave

28 July 2025 at 17:43

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje të re tregtare që ul tarifat për automjetet evropiane nga 27.5% në 15%.

Kjo do të ndihmojë industrinë automobilistike të të dyja palëve duke lehtësuar tregtinë dhe ulur kostot për prodhuesit dhe konsumatorët.

Marrëveshja gjithashtu përfshin uljen e barrierave jo-tarifore për makinat dhe disa produkte bujqësore.

Megjithatë, tarifat e larta për çelikun dhe aluminin mbeten në fuqi, me mundësi diskutimi për ndryshime në të ardhmen.

BE-ja do të blejë mallra dhe shërbime amerikane në vlerë miliarda dollarë, duke përfshirë edhe teknologji dhe energji.

Kjo marrëveshje shihet si një hap i madh drejt përmirësimit të marrëdhënieve tregtare transatlantike. /Telegrafi/

The post SHBA-të dhe BE-ja arrijnë një marrëveshje që mund të ndikojë edhe në industrinë e automobilave appeared first on Telegrafi.

“Dasmë nënujore”: Çifti në Turqi zhyten në ujë, për të thënë “Po” në thellësitë e detit

28 July 2025 at 17:43

Një çift i dashuruar u martua në mënyrë unike nën ujë në Turqi, më 26 korrik.

Ilhami Bilecen, zhytës amator, dhe Ozlem Sayin, teknikë mjekësore, zgjodhën të kryenin ceremoninë në gjirin ku u takuan për herë të parë.

Ata u zhytën së bashku me pajisjet speciale të zhytjes, së bashku me kryetarin e bashkisë Gelibolu, Ali Kamil Soyuak, dhe dëshmitarët.

Nën ujë, ata shpalosën një banderolë me mbishkrimin “Po”.

Pas ceremonisë, çifti u rikthye në breg dhe firmosën në regjistrin e martesës para të ftuarve. /Telegrafi/

The post “Dasmë nënujore”: Çifti në Turqi zhyten në ujë, për të thënë “Po” në thellësitë e detit appeared first on Telegrafi.

Sunny Hill Festival ‘pushton’ Prishtinën – mbi 95 për qind e apartamenteve janë rezervuar

28 July 2025 at 17:36

Vetëm pak ditë na ndajnë nga Sunny Hill Festival 2025, që do të mbahet më 1, 2 dhe 3 gusht dhe atmosfera tashmë ka filluar të ndihet në Prishtinë.

Akomodimi është bërë një sfidë më vete, mbi 95 për qind e apartamenteve janë të zëna në Booking.com, ndërsa edhe në Airbnb, opsionet po zhduken përditë.

Të apasionuarit pas muzikës dhe fansat e festivalit kanë vërshuar platformat e rezervimeve për të siguruar vendin e tyre në këtë ngjarje që pritet të sjellë emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare dhe shqiptare.

Sunny Hill nis të premten

Sunny Hill, themeluar nga Dua dhe babai i saj Dukagjin Lipa, nuk është më thjesht një festival – është një fenomen kulturor që çdo vit tërheq mijëra vizitorë nga Kosova, Shqipëria, rajoni dhe bota.

Përveç muzikës, festivali sjell energji, jetë nate, aktivitete paralele, por mbi të gjitha, një gjallërim ekonomik të ndjeshëm për qytetin pritës.

Me datat që po afrojnë dhe fluksin që s’ka ndërmend të ndalet, tani është momenti i fundit për të rezervuar akomodimin, meqë kanë mbetur edhe shumë pak prej tyre.

Në ndërkohë, këngëtarja me famë botërore do të ngjitet në skenë në natën e parë (e premte), duke e kthyer hapjen në një spektakël që pritet të ndezë publikun si kurrë më parë. /Telegrafi/

The post Sunny Hill Festival ‘pushton’ Prishtinën – mbi 95 për qind e apartamenteve janë rezervuar appeared first on Telegrafi.

Kjo është paga ‘astronomike’ që e pret Joao Felixin pas kalimit të tij tek Al-Nassr

28 July 2025 at 17:33

Kapitulli i radhës për Joao Felix vjen me një nxitje të madhe financiare në Arabinë Saudite, ku sulmuesi do të dyfishojë pagën që kishte te Chelsea.

Felix ka përfunduar një transferim të profilit të lartë te Al-Nassr, duke iu bashkuar Cristiano Ronaldos, pasi Chelsea pranoi një marrëveshje të raportuar me vlerë 50 milionë euro, që përfshin një pagesë fillestare prej 30 milionë eurosh dhe 20 milionë euro të tjera si bonuse të lidhura me paraqitjet.

Felix ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare, ku paga e tij do të rritet nga 8 milionë euro në vit, sa përfitonte te Chelsea, në një shumë marramendëse prej 17.5 milionë euro në vit te Al-Nassr, sipas Correio da Manha.

Kjo rritje e madhe në pagë e rendit sulmuesin ndër më të paguarit në Superligën e Arabisë, pas Cristiano Ronaldos, Riyad Mahrez, Karim Benzema dhe Sadio Mane.

Marrëveshja erdhi pasi Felix hoqi dorë nga negociatat e zgjatura me Benficën, që do të kërkonin një ulje të ndjeshme në pagë për t’u rikthyer te klubi i fëmijërisë, në momentin kur mbërriti oferta luksoze nga Arabia Saudite.

Karriera e Felix pësoi një rënie të ndjeshme pas transferimit të tij 126 milionë euro nga Benfica te Atletico Madrid. Ai nuk arriti të gjejë vazhdimësi, duke dështuar të luajë si titullar te Atletico, Chelsea, Barcelona dheMilan, pavarësisht momenteve me shkëndija talenti.

Benfica kishte dëshirë për ta rikthyer në shtëpi dhe vetë Felix kishte deklaruar publikisht dëshirën për këtë rikthim, por klubi portugez nuk mundi ta përballojë as çmimin që kërkonte Chelsea, e as kërkesat e tij financiare.

Në fund, fuqia financiare e Al-Nassr, së bashku me përfshirjen aktive të Cristiano Ronaldos, që thuhet se e bindi bashkëkombasin për të nënshkruar, në funksion të ndërtimit të kimisë në ekipin kombëtar përpara Kupës së Botës 2026, ndryshuan rrjedhën e negociatave./Telegrafi/

The post Kjo është paga ‘astronomike’ që e pret Joao Felixin pas kalimit të tij tek Al-Nassr appeared first on Telegrafi.

Franca dhe Sllovenia i ofrojnë 100 zjarrfikës Maqedonisë për ndihmë në shuarjen e zjarreve

28 July 2025 at 17:24

Sllovenia dhe Franca i kanë ofruar Maqedonisë së Veriut gjithsej 100 zjarrfikës dhe automjete speciale për ta ndihmuar në shuarjen e zjarreve.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, tha se autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e pranimit të ndihmës nga Sllovenia dhe Franca.

“Lidhur me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (BE), kohët e fundit morëm ofertë nga Sllovenia për të na dërguar një ekip prej 50 zjarrfikësish me automjete speciale. Gjithashtu kemi njoftim nga Franca se duan të na dërgojnë një ekip me një numër të ngjashëm zjarrfikësish me automjete speciale për të shuar zjarret në pyje. Po e shqyrtojmë këtë mundësi, do të vendosim më vonë se si do të veprojmë”, tha Angelov.

Ai tha gjithashtu se sot në Maqedoni janë regjistruar 15 zjarre, nga të cilat nëntë janë ende aktive dhe gjashtë janë vënë nën kontroll.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi më parë se Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së u aktivizua disa ditë më parë, por se askush nuk ka aeroplanë në dispozicion për të dërguar për të ndihmuar sepse ka vatra zjarri në të gjithë Evropën.

Mickoski tha gjithashtu se të gjitha kapacitetet e Maqedonisë janë të angazhuara në shuarjen e zjarrit dhe se situata është nën kontroll.

The post Franca dhe Sllovenia i ofrojnë 100 zjarrfikës Maqedonisë për ndihmë në shuarjen e zjarreve appeared first on Telegrafi.

Supremja rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë, reagon Haradinaj: Padrejtësia nuk kalon

28 July 2025 at 17:19

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë për përgjysmimin e subvencioneve për operatorët me mbi 100 hektarë tokë bujqësore.

Haradinaj e ka quajtur këtë vendim një fitore ndaj diskriminimit institucional, duke theksuar se “e drejta mbrohet me ligj dhe gjykatë”, pavarësisht siç tha ai, tendencave të Ministrisë për t’i dëmtuar investitorët e mëdhenj në sektorin bujqësor.

Ai përmendi në veçanti kompaninë “Stone Castle”, duke thënë se kjo kompani ka triumfuar kundër një padrejtësie që iu shkaktua me dashje nga institucionet.

“Më bën krenar puna e palodhshme dhe fuqia prodhuese e këtyre investitorëve që po e lartësojnë Kosovën në aspekt global me verërat më cilësore në Ballkan e më gjerë,” shkroi Haradinaj në një reagim publik.

“Padrejtësia nuk kalon”, shkroi Haradinaj.

The post Supremja rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë, reagon Haradinaj: Padrejtësia nuk kalon appeared first on Telegrafi.

❌
❌