Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 August 2025Main stream

Të ardhurat tatimore në korrik, rritje 17% ndaj një viti më parë

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve arkëtoi gjatë muajit korrik 2025 një shumë prej 39 miliardë lekësh në buxhetin e shtetit.

Ky rezultat përfaqëson një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë, me 5,6 miliardë lekë ose 17% më shumë se shifra faktike e korrikut 2024.

Krahasuar me planin e parashikuar për këtë muaj, të ardhurat janë 1,7 miliardë lekë më të larta, që përkthehet në një realizim 4,7% mbi objektivin e vendosur.

/r.e/

The post Të ardhurat tatimore në korrik, rritje 17% ndaj një viti më parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të ardhurat doganore rriten me 9,1% në korrik, shtohen importet e mallrave të akcizës

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Administrata Doganore mblodhi 23,2 miliardë lekë të ardhura në buxhet gjatë korrikut, çka përfaqëson një rritje prej 9,1%, në krahasim me korrikun e vitit të kaluar.

Referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithme të Doganave, rritja është nxitur veçanërisht nga volumi më i lartë i importeve të mallrave të akcizës, ku vërehet rritje e volumit të zhdoganuar të karburantit, cigareve, kafesë dhe birrës.

Konkretisht, gjatë këtij muaji janë importuar 5200 tonë më shumë karburant, 58 tonë më shumë cigare, 60 tonë më shumë kafe dhe 200 tonë më shumë birrë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Në harkun kohor janar–korrik të këtij viti, të ardhurat e mbledhura nga doganat kanë arritur në 137 miliardë lekë, duke tejkaluar parashikimet dhe duke shënuar një rritje prej 4,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithëse kursi i këmbimit i euros dhe dollarit ka ndikuar negativisht duke shkaktuar një efekt ulës prej 5 miliardë lekësh, Administrata vlerëson se, në kushte të pandryshuara të kursit, të ardhurat do të kishin arritur vlerën e 142 miliardë lekëve.

Kjo do të përfaqësonte një realizim rreth 4% mbi planin dhe një rritje prej 8,2% në krahasim me vitin 2024.

Fokusi i Administratës gjatë këtyre shtatë muajve ka qenë pikërisht mbi mallrat e akcizës, të cilat kanë treguar një rritje të ndjeshme në krahasim me një vit më parë. Importet e karburantit janë shtuar me 50.000 tonë, cigaret me 154 tonë, kafja me 162 tonë dhe birra me 4700 tonë.

Këto rezultate dëshmojnë jo vetëm rritjen e konsumit dhe aktivitetit ekonomik, por edhe efektivitetin e masave të ndërmarra për përmirësimin e shërbimeve doganore, forcimin e kontrolleve dhe rritjen e transparencës e besimit të bizneseve ndaj institucionit.

Administrata Doganore thekson se do të vijojë me të njëjtin ritëm për të garantuar mbledhje të qëndrueshme të të ardhurave dhe lehtësim të ndershëm të tregtisë.

/r.e/

The post Të ardhurat doganore rriten me 9,1% në korrik, shtohen importet e mallrave të akcizës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kapet i armatosur në automjet, arrestohet 20-vjeçari në Bulqizë

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Policia e Bulqizës ka finalizuar operacionin e koduar “Krasta”, duke arrestuar një 20-vjeçar që qarkullonte me armë zjarri pa leje.

I riu, banues në fshatin Peshk, Martanesh, u ndalua në aksin rrugor Krastë–Bulqizë, teksa drejtonte një automjet tip “Benz” kamionçinë. Gjatë kontrollit, policia i gjeti një armë zjarri pistoletë “Zastava” me krehër dhe 10 fishekë.

Arma, municioni dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale.

/r.e/

The post Kapet i armatosur në automjet, arrestohet 20-vjeçari në Bulqizë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rriten primet dhe kontratat për sigurimet motorike në gjashtëmujorin e parë

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Sektori i sigurimeve motorike në vend ka shënuar rritje të ndjeshme në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, sipas të dhënave zyrtare.

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik për periudhën janar–maj 2025 kapën vlerën e rreth 7532 milionë lekëve, me një rritje prej 13,38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sigurimi i detyrueshëm i automjeteve në Shqipëri (MTPL e brendshme) regjistroi në periudhën janar–qershor 2025 një rritje prej 13,39% në vëllimin e primeve të shkruara bruto. Kjo rritje shoqërohet edhe me 7,01% më shumë kontrata, krahasuar me janar–qershor 2024.

Sigurimi ndërkombëtar “Kartoni Jeshil” shënoi gjithashtu rritje të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe. Vëllimi i primeve të shkruara bruto u rrit me 14,52%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 11,23%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe sigurimi kufitar, i cili ofrohet për automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar, shënoi rritje. Primet e shkruara bruto u rritën me 5,50%, ndërsa numri i kontratave u rrit me 3,74%, krahasuar me janar–qershor 2024.

Rritjet e shënuara pasqyrojnë një interes më të madh të qytetarëve dhe bizneseve për të garantuar mbrojtje financiare nëpërmjet sigurimeve motorike.

/r.e/

The post Rriten primet dhe kontratat për sigurimet motorike në gjashtëmujorin e parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rriten të ardhurat nga akciza, mbi 32 miliardë lekë në buxhet

TIRANË, 2 gusht /ATSH/ Të ardhurat nga akciza për periudhën janar – qershor të këtij viti arritën në 32,1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 3,2 miliardë lekësh, ose 11,2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, në raport me planin e parashikuar për këtë periudhë, të ardhurat janë realizuar në masën 4,8% më tepër, ose 1,5 miliardë lekë mbi pritshmëritë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kjo rritje vjen si rezultat i shtimit të importeve të karburantit, cigareve, pijeve alkoolike dhe kafesë.

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë zhdoganuar 44 000 tonë karburant më shumë, 96 tonë cigare më shumë, 97 tonë kafe më shumë, si dhe 4770 tonë birrë më shumë, krahasuar me janar-qershor 2024.

Këto të dhëna konfirmojnë tendencën pozitive të të ardhurave doganore dhe ndikimin e rritjes së konsumit në mbledhjen e të ardhurave nga akciza.

/r.e/

The post Rriten të ardhurat nga akciza, mbi 32 miliardë lekë në buxhet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Kisha e Shën Marisë në Mamurras, Kurbin, një ndër monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, është rikonstruktuar pas dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i vitit 2019.

E ndërtuar rreth shekullit XI, kjo kishë bizantine lidhet me figura historike si Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe bashkëshortja e tij Donika, të cilët thuhet se e kanë frekuentuar për meshë dhe ceremoni fetare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur sot se falë partneritetit mes ministrisë, programit EU4Culture dhe agjencisë së Kombeve të Bashkuara UNOPS, objekti i kultit është rikthyer në gjendjen e tij autentike.

“Kisha e Shën Marisë në Mamurras, një perlë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kurbinit, ndërtuar rreth shekullit XI, e ku Gjergj Kastrioti e Donika thuhet e vizitonin për meshë apo kremtimin e ceremonive fetare. Pas dëmtimeve nga tërmeti i 2019-s, falë partneritetit të MEKI-it me EU4Culture dhe UNOPS, kjo kishë bizantine është rikthyer si simbol i historisë, harmonisë fetare dhe turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ministri Gonxhja.

Restaurimi i kësaj kishe është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke e kthyer atë në një destinacion të vizitueshëm për vendas dhe të huaj njëkohësisht.

/r.e/

The post Pas restaurimit, Kisha e Shën Marisë rihapet për besimtarët dhe vizitorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 1 August 2025Main stream

Transporti ajror rritje me 42,4% në mallra dhe 6% në pasagjerë në tremujorin e dytë

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Në tremujorin e dytë të këtij viti, sektori i transportit ajror ka shënuar një rritje të konsiderueshme.

Volumi i mallrave të transportuar, duke përfshirë postën, ka arritur në 798,6 tonë, me një rritje prej 42,4% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024.

Nga ky total, 67,5% përbëjnë mallrat e hyrë, ndërsa 32,5% janë mallra të dalë.

Në të njëjtën periudhë, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore ka kaluar kufirin e 3 milionëve, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me vitin e kaluar, krahasuar me 2.8 milionë pasagjerë që udhëtuan gjatë periudhës përkatëse të vitit të kaluar.

Për sa i përket tregtisë ajrore, volumi i mallrave të eksportuara dhe importuara arriti 583 tonë, duke u rritur me 2,3% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Mallrat e importuara me ajër përbëjnë një pjesë të vogël, vetëm 0,02% të totalit të mallrave të importuara, në vend.

Në këtë tremujor, transporti ajror është operuar nga 29 shoqëri ajrore, nga të cilat 28 janë të huaja dhe vetëm një është shoqëri shqiptare.

Hapësira ajrore shqiptare ka regjistruar 110.073 fluturime, ku 83,2% e tyre përbëhen nga mbikalimet.

1 nga 4

/a.f/

The post Transporti ajror rritje me 42,4% në mallra dhe 6% në pasagjerë në tremujorin e dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Botërori 2026, ambasada e SHBA: Aplikoni për vizë tani

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Kampionati Botëror i Futbollit FIFA 2026 do të jetë më i madhi deri më sot, me ndeshje që do të zhvillohen në 11 qytete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe në Meksikë e Kanada.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ftoi sot qytetarët që dëshirojnë të ndjekin këto ndeshje të aplikojnë sa më shpejt për vizë amerikane.

“Ne nxisim të gjithë udhëtarët e huaj që kanë nevojë për vizë amerikane të aplikojnë tani,” thuhet në një postim të Ambasadës në rrjetet sociale.

/r.e/

The post Botërori 2026, ambasada e SHBA: Aplikoni për vizë tani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transporti detar në rritje, Durrësi kryeson për mallra, Saranda për pasagjerë

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Transporti detar shënoi rritje edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, si në volumin e mallrave të përpunuara ashtu edhe në numrin e pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare të vendit.

Aktualisht, në vend operojnë katër porte për transportin e mallrave: porti i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe porti i Limjonit në Sarandë.

Ndër to, porti i Durrësit mbetet nyja kryesore e trafikut tregtar detar, duke përpunuar 93,6% të totalit të mallrave të transportuar me det, ose 2063 mijë tonë mallra gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky port ka regjistruar një rritje prej 1,4% në volumin e mallrave.

Sa i përket strukturës së mallrave të transportuara, referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), grupi i metaleve bazë dhe produkteve metalike të fabrikuara përbën 17% të mallrave të lëvizura përmes rrugëve detare, ndërsa koks dhe produktet e rafinuara të naftës zënë 16,9%. Mallrat me përbërje minerale jometalike përbëjnë 16,2% të totalit, ndërsa qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror përfaqësojnë 5% të volumit të përgjithshëm të transportuar.

Në të njëjtën periudhë është regjistruar edhe një rritje në qarkullimin e anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet shqiptare. Gjatë tremujorit të dytë janë regjistruar gjithsej 276 anije, prej të cilave 253 ishin të huaja dhe vetëm 23 vendase. Të dhënat flasin për një rritje prej 10% të qarkullimit total të anijeve, ndërsa anijet e huaja janë shtuar me 16,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Edhe transporti i pasagjerëve ka pasur një dinamikë të lartë gjatë kësaj periudhe, veçanërisht për shkak të sezonit turistik. Lëvizja e pasagjerëve është kryer përmes porteve të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, ndërsa porti i Shëngjinit nuk ka pasur aktivitet pasagjerësh.

Numri total i udhëtarëve të regjistruar është për këtë periudhë arrin 330 630. Porti i Sarandës regjistroi edhe fluksin më të lartë, duke përpunuar 54% të pasagjerëve, i ndjekur nga porti i Durrësit me 40,3% dhe më pas ai i Vlorës me 5,7%.

1 nga 2

/r.e/

The post Transporti detar në rritje, Durrësi kryeson për mallra, Saranda për pasagjerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AmCham publikon Indeksin e Biznesit, shqetësim gjetja e stafit të kualifikuar lokal dhe ekonomia informale

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham) ka publikuar Indeksin e Biznesit duke sjellë perceptimin e anëtarëve të saj për indikatorët kryesorë të klimës së biznesit gjatë vitit 2024.

Indeksi prezanton një ulje të lehtë të vlerësimit, 46,47 në krahasim me 47,57 që ishte një vit më parë, duke prodhuar sërish një indeks që është nën nivelin e mesatares.

Gjatë 12 vjetëve të organizimit nga Dhoma Amerikane të këtij pyetësori mbi klimën e biznesit, vlerësimi i anëtarëve ka qenë gjithnjë nën nivelin e 50%, duke demonstruar një shqetësim të vazhdueshëm për disa parametra themelorë të klimës.

“Tregues si gjetja e stafit të kualifikuar lokal, monopoli dhe konkurrenca e padrejtë, ekonomia informale, burokracia qeveritare dhe niveli i përgjithshëm i taksave, vazhdojnë të kenë një vlerësim të ulët nga anëtarët”, bën të ditur AmCham.

Sipas AmCham, këto indikatorë pasqyrojnë çështje mbi të cilat Dhoma Amerikane përmes Komiteteve, ka punuar me të gjitha strukturat shtetërore qeveritare dhe parlamentare për të sjellë ndryshime të cilat jo thjesht ndihmojnë biznesin e saj anëtar, por mbi të gjitha krijojnë një perceptim pozitiv të mënyrës se si bëhet biznes në Shqipëri, duke rritur interesin e investitorëve të huaj.

/r.e/

The post AmCham publikon Indeksin e Biznesit, shqetësim gjetja e stafit të kualifikuar lokal dhe ekonomia informale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon në Elbasan, Rama: Së shpejti konsultime për rregulloren kombëtare

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Elbasani i është bashkuar qyteteve të tjera të vendit, ku ka nisur zbatimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot foto nga ndërhyrjet në qytetin e Elbasanit, ku objekte të vendosura në mënyrë të paligjshme po pastrohen për t’i kthyer hapësirat e zëna në shërbim të qytetarëve.

Rama bëri të ditur se shumë shpejt do të nisë edhe një fazë tjetër, ajo e konsultimit me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël për të hartuar “Projektrregulloren kombëtare të hapësirës publike”, një dokument që pritet të shërbejë si standard për trajtimin e hapësirës së përbashkët në të gjitha bashkitë e vendit.

“Edhe Elbasani po rimerr frymë. Së shpejti do të konsultohet me komunitetet dhe sipërmarrësit e vegjël “Projektregullorja kombëtare e hapësirës publike””, theksoi Rama.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike është intensifikuar prej disa javësh në zona të ndryshme të vendit dhe po shoqërohet me mbështetje të strukturave të rendit dhe inspektoriateve, me qëllim vendosjen e rregullit, barazisë dhe aksesit të lirë për të gjithë qytetarët në mjediset e përbashkëta urbane.

/r.e/

The post Aksioni për lirimin e hapësirave publike vijon në Elbasan, Rama: Së shpejti konsultime për rregulloren kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Segmenti strategjik Elbasan-Librazhd, pjesë e Korridorit 8, Rama: Puna po avancon ndjeshëm


TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Në rrugën e re Elbasan-Librazhd, një nga kantieret më të rëndësishme të Korridorit 8, puna po avancon ndjeshëm në asfaltim, ndërtimin e urave dhe realizimin e veprave të tjera inxhinierike.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga kantieri i punës, teksa e cilësoi atë një segment strategjik të Korridorit 8.

“Segmenti strategjik Elbasan–Librazhd, pjesë e Korridorit 8, është një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në Shqipëri, ku puna po avancon ndjeshëm në asfaltim, ura dhe veprat inxhinierike”, deklaroi Rama.

Rruga e re Elbasan-Librazhd përfshin dy tunele me gjatësi 1,1 km, të cilët do të lidhin Elbasanin me Librazhdin.

Investimi është në fazën e pestë të realizimit dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Pjesë e këtij projekti janë edhe dy ura që do të lidhen direkt me tunelet.

Rruga e re Elbasan-Librazhd do të shndërrohet në një arterie të rëndësishme për qarkullimin dhe do të çlirojë potencialin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave.

/r.e/

The post Segmenti strategjik Elbasan-Librazhd, pjesë e Korridorit 8, Rama: Puna po avancon ndjeshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor për ekonominë e gjelbër

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Sipas raportit të fundit të OECD “Economic Convergence Scoreboard for the Western Balkans 2025”, Shqipëria zë vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për përputhshmërinë me politikat e gjelbërta të Bashkimit Europian, duke kaluar të gjitha vendet fqinje në “Greening Cluster”, me një rezultat prej 103 pikësh, gjithashtu duke u renditur mbi mesataren e BE-së (100 pikë) dhe të Ballkanit Perëndimor (47 pikë).

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se Shqipëria ka shënuar përparim të ndjeshëm në këtë fushë për shkak të rritjes së vëmendjes institucionale ndaj agjendës së gjelbër, përmes përfshirjes së objektivave të qëndrueshmërisë në planet kombëtare dhe ndërsektoriale.

“Renditja në vendin e parë e Shqipërisë në këtë dimension shihet si një mundësi për të udhëhequr tranzicionin rajonal të gjelbër, një avantazh për tërheqjen e investimeve të huaja të qëndrueshme, një dritare për financime të gjelbra nga BE dhe institucionet ndërkombëtare”, theksoi ministri.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në rolin e Koordinatorit Kombëtar të këtij raporti, theksoi Gonxhja, mbetet e angazhuar për zhvillimin e politikave që promovojnë ekonominë e gjelbër dhe rritjen e qëndrueshme, si pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për integrimin evropian.

/r.e/

The post Shqipëria në krye të rajonit të Ballkanit Perëndimor për ekonominë e gjelbër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Udhëzimi i ri, kategoritë në nevojë përfitojnë falas ujë dhe shërbimet e ujësjellës kanalizimeve

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara, pensionistët me të ardhura të pamjaftueshme, si dhe individët pa mbështetje familjare apo sociale, do të mund të përfitojnë një subvencion për konsumimin jetik të ujit. Ky subvencion do të mbulojë deri në 5 metra kub ujë në muaj.

Për këto kategori, do të subvencionohet gjithashtu me tarifa fikse, tarifa për kanalizimet dhe shërbimet e trajtimit të ujërave të ndotura urbane.

Udhëzimi i ri që përcakton metodologjinë për shpërndarjen dhe përdorimin e subvencioneve shtetërore për ofruesit e shërbimeve në sektorin e ujësjellës kanalizimeve për vitin buxhetor 2025 është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi menjëherë.

Ky udhëzim ka për qëllim të rregullojë procedurat për shpërndarjen e subvencioneve dhe të sigurojë një sistem të qartë dhe të strukturuar mbështetjeje për kategoritë më në nevojë.

Subvencioni do të shpërndahet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUK) dhe do të përdoret për kompensimin e kostove të ujit të pijshëm dhe shërbimeve të kanalizimeve për ato familje që janë pjesë e kategorive sociale në nevojë, siç janë parashikuar në ligjin për asistencën sociale. Këto familje do të përfitojnë subvencionin për deri në 5 metra kub ujë në muaj, si dhe për tarifat fikse dhe shërbimet e kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura urbane.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është se çdo familje mund të përfitojë subvencion vetëm një herë, pavarësisht numrit të anëtarëve të saj që mund të përfshihen në kategoritë e ndihmës ekonomike.

Shoqëritë aksionare të ujësjellës kanalizimeve do të kenë përgjegjësinë e akordimit të zbritjeve për kategoritë e nevojshme çdo muaj.

Për të siguruar një përdorim të duhur të fondeve, janë parashikuar disa kushte për shoqëritë UK. Vetëm ato që kanë nënshkruar një kontratë performancë me AKUK mund të përfitojnë nga ky subvencion. Kontrata është e domosdoshme për të siguruar një administrim të saktë të fondeve dhe një mbikëqyrje më të fortë të shpenzimeve.

Në rast se shoqëritë aksionare të ujësjellës kanalizimeve nuk kanë nënshkruar kontratën e performancës, ato nuk do të mund të rimbursohen për zbritjet e aplikuara.

Për shoqëritë që përmbushin kushtet, AKUK do të përllogarisë dhe shpërndajë fondet në përputhje me të dhënat e raportuara nga shoqëritë përkatëse. Gjithashtu, do të realizohet një mbikëqyrje e vazhdueshme për të siguruar që fondet të përdoren siç është planifikuar dhe për të garantuar që subvencioni të arrijë te ata që kanë më shumë nevojë.

/r.e/

The post Udhëzimi i ri, kategoritë në nevojë përfitojnë falas ujë dhe shërbimet e ujësjellës kanalizimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tregu i sigurimeve rritje me rreth 8% në gjysmën e parë të vitit

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Tregu i sigurimeve shënoi rritje gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit arritën 12,8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 8%, krahasuar me periudhën janar-qershor 2024.

Numri i kontratave të lidhura gjatë gjysmës së parë të vitit arriti 755 806, një rritje prej 8,06% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon një rritje të interesit nga konsumatorët dhe një forcim të besimit në sigurimet e ofruara nga kompanitë e sigurimeve.

Në aspektin e ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, tregu vazhdon të jetë i orientuar kryesisht tek sigurimet e jo-jetës, të cilat kanë kontribuar me 90,98% të vëllimit të përgjithshëm të primeve.

Ndërkohë, sigurimet e jetës kanë zënë vetëm 8,99%, një përqindje që mbetet e ulët.

Në ndarjen sipas llojit të sigurimeve, primet e shkruara bruto të sigurimeve vullnetare zënë 41,29% të totalit, ndërsa sigurimet e detyrueshme zënë 58,71% të tregut.

Ndërkohë, dëmet e paguara bruto gjatë periudhës janar-qershor 2025 shënuan një ulje të lehtë prej 0,73%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në rreth 4 miliardë lekë.

Sigurimi motorik shënoi rritje të konsiderueshme në dëmet e paguara, me një vlerë prej 2640 milionë lekësh, që përbën një rritje prej 6,48% krahasuar me vitin e kaluar.

/r.e/

The post Tregu i sigurimeve rritje me rreth 8% në gjysmën e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Diplomohen 90 kadetë, Vengu: Profesion ku sakrifica merr domethënie


TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e diplomimit të 90 studentëve të Akademisë së Forcave të Armatosura, 5 prej të cilëve nga Republika e Kosovës.

Në ceremoninë e diplomimit ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, si dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci,.

Ministri Vengu e cilësoi diplomimin e kadetëve të rinj, një moment krenarie për të diplomuarit dhe familjet e tyre, që nisin një kapitull të ri në shërbim të atdheut.

“Diploma që ju do të mbani në duart tuaja nuk është një pikë mbërritjeje, por një pikënisje. Është një rrugë që shpesh është e vetmuar, por gjithmonë e drejtë. Nuk ofron lehtësi, por ofron kuptim. Aty ku disiplina bëhet virtyt dhe sakrifica merr domethënie. Në një botë që relativizon çdo gjë, profesioni juaj mbetet i pakontestueshëm në vlerat e tij. Ju nuk përfaqësoni thjesht shtetin, por i jepni atij formë, drejtim dhe qëndrueshmëri”, u shpreh ministri Vengu

Komandanti i Shkollës së Bashkuar, Bardhyl Nuredinaj tha se betimi ushtarak para flamurit kombëtar nuk është thjeshtë një tekst por një angazhim moral, ligjor e atdhetar, një zotim për të qenë gjithmonë në shërbim të kombit, ruajtur e mbrojtur integritetin e sovranitetin e vendit, rendin kushtetues dhe për të kontribuar në paqen e sigurinë kolektive. /j.p/

The post Diplomohen 90 kadetë, Vengu: Profesion ku sakrifica merr domethënie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Largimi i Shkrelit nga teatri “Migjeni”, Beci: Riorganizim për cilësi më të lartë artistike

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Pas vendimit për ndërprerjen e kontratës së aktorit Simon Shkrela dhe një tjetër anëtari të trupës së teatrit “Migjeni”, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në një deklaratë për mediet, bëri të ditur se kjo masë është pjesë e një procesi riorganizimi të brendshëm, i cili vjen në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri artistik dhe synon rritjen e cilësisë së aktivitetit artistik dhe organizativ të institucionit.

Beci sqaroi se analiza e performancës individuale të aktorëve gjatë tre viteve të fundit tregoi mungesë produktiviteti dhe angazhimi nga disa prej tyre. Ai tha se nuk bëhet fjalë për shkarkime të motivuara politikisht, por për masa konkrete për të garantuar që paratë e taksapaguesve shkodranë të mos përdoren për të mbështetur paga të pamerituara.

“Në një trupë artistike, ashtu si në çdo sektor tjetër të administratës, ekzistojnë detyrime kontraktuale që kur nuk përmbushen për një periudhë të gjatë, siç është rasti me tre vite rresht, sjellin ndërprerjen e marrëdhënies së punës”, theksoi kryebashkiaku.

Reagimi i Becit vjen pas valës së reagimeve dhe kundërshtimeve publike, të cilat, sipas tij, janë përdorur për qëllime politike nga faktorë të ndryshëm të spektrit të djathtë në Shkodër dhe Tiranë.

“Por siç ndodh shpesh në një shoqëri të polarizuar si e jona në raste të tilla shfaqen pakënaqësitë, kundërshtimet dhe përdorimi politik i individëve. Furtuna në gotë kësaj radhe përfshiu gjithë skalionet politike të së djathtës në aksin Shkodër – Tiranë, paçka se gota ishte tërësisht e boshatisur. Por e vërteta është krejt e ndryshme nga ky përdorim politik tipik. Sepse faktet janë në tetarin e shfaqjeve sipas viteve, aty ku shihet se sa ka shkelur në skenën e teatrit secili aktor i “Migjenit””, deklaroi Beci.

 

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Bashkia nuk ka asnjë qëllim të denigrojë individë, por nuk do të fshehë paaftësitë e atyre që, sipas saj, nuk kanë kontribuar në skenën teatrore për një kohë të gjatë.

Kreu i bashkisë siguroi publikun se sezoni i ri artistik nuk do të preket nga këto ndryshime, përkundrazi, pritet të sjellë një nivel të ri të cilësisë artistike dhe organizative.

“Sezoni i ardhshëm do të jetë pa dyshim një sukses i vërtetë për Teatrin “Migjeni” dhe trupën e tij artistike, ashtu siç Shkodra e meriton”, tha Beci. /j.p/

1 nga 2

The post Largimi i Shkrelit nga teatri “Migjeni”, Beci: Riorganizim për cilësi më të lartë artistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në Gjenevë, takime me presidenten e Bundestagut dhe kreun e Knessetit të Izraelit

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, merr pjesë në konferencën e gjashtë të kryetarëve të parlamenteve të Unionit Ndërparlamentar, e cila po mbahet në datat 29-31 korrik në Gjenevë dhe i kushtohet bashkëpunimit parlamentar, multilateralizmit për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin.

Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Spiropali u takua sot pasdite me Presidenten e Bundestagut Gjerman, Julia Klöckner.

Kryetarja Spiropali diskutoi me presidenten Klöckner mbi forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, bashkëpunimin e suksesshëm mes Kuvendit dhe Budestagut dhe mbështetjen e Gjermanisë për objektivin strategjik të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.

“Shqipëria dhe Gjermania po zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera, një parteritet të fuqishëm e dinamik, shkëmbime të vazhdueshme të nivelit të lartë dhe bashkëpunim të sukseshëm në mjaft sektorë si drejtësia, siguria, punët e bredshme, energjia, arsimi, turizmi, etj. Mbështetja e Gjermanisë, si një ndër aleatët më të rëndësishëm politik, është thelbësore për avancimin e reformave, integrimin europian të Shqipërisë dhe zhvillimin, stabilitetin e paqen në rajon. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit dhe Budestagut për thellimin e reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore do të vijojë në mbështetjen e Kuvendit për realizimin e objektivit kombëtar për përfundimin e negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda 2030. Ne vlerësojmë vizionin dhe kontributin e veçantë të Gjermanisë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit dhe nismave të tjera”, u shpreh Spiropali.

Presidentja e Bundestagut, Klöckner, vlerësoi bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve dhe nënvizoi se mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të vijojë dhe Bundestagu do të bashkëpunojë e ndihmojë Kuvendin në lidershipin e procesit të integrimit europian.

Pasditen e sotme Spiropali u takua edhe me kryetarin e Knesset të Izraelit, Amir Ohana, me të cilin diskutuan mbi partneritetin politik, bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Izraelit, të cilat i kanë rrënjët në miqësinë e thellë historike dhe aktin unik të shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë ditëve të errëta të Holokaustit.

“Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm kundër antisemitizmit, pjesë e kontributit për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, kundër padrejtësive dhe diskriminimit të çdo lloji”, u shpreh Spiropali.

Kuvendi dhe Knesset do të intensifikojnë ndërveprimin për të mbështetur marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe miqësinë e fortë mes dy popujve tanë. /j.p/

The post Spiropali në Gjenevë, takime me presidenten e Bundestagut dhe kreun e Knessetit të Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Brigjet e lumit Vjosa plot me turistë, Rama ndan foto

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Brigjet e lumit Vjosë, zemra e Parkut Kombëtar po mbushen me vizitorë nga e gjithë bota këto ditë vere.

Nga adhurues të natyrës, deri tek aventurierët me kanoe e turistë që kërkojnë qetësinë, Vjosa ofron një eksperiencë të rrallë dhe të paprekur nga civilizimi modern.

Kryeministri Edi Rama përcolli foto nga brigjet e lumit plot turistë.

Me rrjedhën e saj të lirë përmes kanioneve, pyjeve të dendur dhe fushave të gjelbra, Vjosa është cilësuar si lumi i fundit i egër në Europë.

Kjo veçori e bën atë një magnet për turistët që kërkojnë autenticitet, biodiversitet dhe aktivitete të qëndrueshme në natyrë.

Autoritetet shpresojnë që përmes promovimit dhe ruajtjes së Vjosës si Park Kombëtar, Shqipëria të kthehet në një destinacion model për ekoturizmin në Ballkan dhe më gjerë. /j.p/

The post Brigjet e lumit Vjosa plot me turistë, Rama ndan foto appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Iu sekuestrua telefoni nga SPAK pa vendim, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e qytetares

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Gjykata Kushtetuese shqyrtoi kërkesën e shtetases Onejda Ymeraj, e cila kundërshtoi sekuestrimin e celularit të saj nga Prokuroria e Posaçme në një procedim penal ku ajo vetë nuk ishte subjekt.

Kërkuesja pretendoi shkelje të së drejtës për fshehtësinë e korrespondencës, mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtës së pronës private.

Gjykata vlerësoi se komunikimet elektronike përfshirë mesazhet përmes platformave online përfshihen në mbrojtjen kushtetuese të nenit 36, duke i konsideruar si formë moderne të korrespondencës njerëzore.

Në përfundim të shqyrtimit Gjykata konstatoi se është cenuar e drejta e kërkueses për fshehtësinë e korrespondencës dhe mbrojtjen e të dhënave personale për pjesët që nuk lidhen me objektin e hetimit penal.

Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës, asgjësimin e kopjeve të të dhënave që nuk kanë lidhje me hetimin dhe vijimin e sekuestrimit për pjesën tjetër nën kontroll gjyqësor.

Gjithashtu Gjykata urdhëroi respektimin e garancive procedurale për sekuestrimin dhe përpunimin e të dhënave dhe ngarkoi Prokurorinë e Posaçme për zbatimin e vendimit brenda një afati tremujor

Vendimi nuk ka efekt prapaveprues për çështje të ngjashme të përfunduara ose që nuk janë ankimuar. /j.p/

The post Iu sekuestrua telefoni nga SPAK pa vendim, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e qytetares appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌