Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Kërcënohet drejtori i IKMT-së në Shkodër, kurora me lule në derën e prindërve të tij

By: V K
20 July 2025 at 12:57

Një kurorë me lule, simbol i qartë kërcënimi, është lënë në portën e banesës së prindërve të Emiljano Nikës, drejtor i IKMT-së Shkodër.

Ngjarja është regjistruar në fshatin Sektor të Velipojës dhe është denoncuar menjëherë në polici.

Nika është një nga zyrtarët që ka drejtuar aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, një operacion që ka hasur kundërshtime të forta nga banorët e zonës.

“Më datë 18.07.2025, shtetasi E. N., 44-vjeç, banues në Shkodër, ka kallëzuar se në banesën ku jetojnë prindërit e tij, në fshatin Sektor, Velipojë, është vendosur një kurorë me lule mbi kangjellat e portës. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorit”, njofton policia.

Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.

Nika është përballur edhe më parë me kërcënime për shkak të funksionit të tij si drejtues i ndërhyrjeve kundër ndërtimeve të paligjshme.

The post Kërcënohet drejtori i IKMT-së në Shkodër, kurora me lule në derën e prindërve të tij appeared first on Albeu.com.

Dehumanizimi i Thethit dhe betonizimi si regjim

16 July 2025 at 16:35

“Betonizim” është fjala që, në zhargonin e përditshëm urban shqiptar, e tejkalon kuptimin e saj teknik. Nuk ka nevojë të ketë beton që të ndjesh ftohtësinë e një hapësire të ngurtësuar, të mbyllur, të mbytur nga mungesa e frymëmarrjes. Është një gjendje – dhe një fenomen – që prej vitesh sundon realitetin shqiptar, veçanërisht në Tiranë.

Në vitin 2016, betonieret e para hynë në kodrat e liqenit Artificial, të vetmin park të mirëfilltë publik të Tiranës. Qytetarët panë mjetet ndërtimore të zbrisnin në zemër të natyrës.

Bashkia e drejtuar nga Erion Veliaj e quajti ndërhyrjen “Park për fëmijë”, por shumë shpejt u bë e qartë se bashkë me lodrat vinin dhe strukturat e betonit. Refuzimi i alternativave më të buta nga ana e institucioneve, dhe përdorimi i policisë për të mbrojtur betonieren, ndezi protestën që zgjati tre muaj. Ishte pikërisht aty ku fjala “betonizim” mori kuptimin e saj të plotë politik dhe simbolik.

Më pas erdhi Teatri Kombëtar – një tjetër zonë publike, një tjetër rast i mbrojtjes së qytetit nga shkatërrimi, një tjetër betejë që zgjati 27 muaj dhe përfshiu të gjitha pushtetet.

Fundi? Shembja e teatrit nën mbikëqyrjen e 1500 policëve dhe forcave RENEA. Një akt simbolik i një shteti që përdor gjithë arsenalin e tij për të rrënuar kujtesën kolektive dhe hapësirën publike.

Sot, historia përsëritet në Theth. Brenda 7 ditësh, mbi 100 ndërtesa u shembën nga IKMT me një urdhër verbal të Kryeministrit. Asnjë dokument publik, asnjë vendim transparent, asnjë proces gjyqësor. Vetëm urdhra nga lart.

Shumë kanë folur për informalitetin, për mungesën e lejeve, për nevojën e “rregullimit” të territorit. Por ajo që po ndodh në Theth nuk është rregullim – është brutalitet shtetëror.

Vetë Kryeministri, vetëm një vit më parë, në qershor 2024, i kishte premtuar banorëve të Dukagjinit se ndërtimet pa leje do të trajtoheshin me mirëkuptim dhe se investimet në turizëm do të inkurajoheshin. Ministrja e Kulturës, me krenari e përmendi në Parlament rritjen e numrit të shtretërve turistikë në Theth si sukses të qeverisë.

Dhe sot? Të njëjtët njerëz, që ndërtuan mbi tokat e tyre të trashëguara, po shpallen zaptues. Ndërtesat – të cilat dje u përshëndetën – sot shkatërrohen me fadroma.

Në zemër të kësaj tragjedie është edhe një dramë më e thellë: ajo e pronësisë. Në Theth, si në shumë zona të Shqipërisë, njerëzit kanë lindur dhe jetuar për breza mbi tokë që nuk iu njihet zyrtarisht. Një shtet që nuk njeh të drejtën e trashëgimisë, por që kërkon leje dhe taksa nga qytetarë të cilëve nuk u ka kthyer ende asnjë dokument pronësie.

Ky është thelbi i një regjimi betonizues: që ndërton e shkatërron me të njëjtën lehtësi, që premton dhe harron, që përkëdhel dhe dhunon – gjithnjë sipas interesit të momentit.

Në fund, ajo që po ndodh në Theth nuk është thjesht betonizim fizik. Është një proces dehumanizimi. Është mënyra si shteti sheh qytetarin: si zaptues, si pengesë, si barrë. Dhe është pikërisht kjo që e bën betonin më të rrezikshëm se ç’duket: nuk është vetëm material – është mendësi, është politikë, është dhunë e sistematizuar.

Lexoni gjithashtu:

The post Dehumanizimi i Thethit dhe betonizimi si regjim appeared first on Citizens.al.

Thethi “i plagosur”, nën hijen e “Paketës së Maleve”

15 July 2025 at 14:50

Në momentin që fadromat prishën një nga katër shtëpizat e drurit të Zef Barit, në oborr kishte ende të stivuara materialet e ndërtimit. Gjithçka ndodhi shpejt dhe pa paralajmërim.

I revoltuar për “pabesinë e qeverisë” Zefi nisi të ndajë mendimin se banorët e Thethit u mashtruan nga Kryeministri një vit më parë, kur bashkë me premtimin për fshirjen e gjobave ai u pati bërë thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në turizëm.

“Solla djemtë nga Gjermania dhe Franca ku kishin ndërtuar jetën e tyre dhe po investonim në shtëpizat e drurit. Na mashtroi dhe na preu në besë qeveria”, tha ai, teksa tregoi se shpenzimet shkonin deri në 30 mijë euro.

Sipas Zefit, të gjitha institucionet kanë qenë në dijeni për ndërtimet në Theth dhe “të gjithë thonin vazhdoni”.  

Edhe familja e Bekim Koçekut nxitoi të largojë shtëpizat e drurit nga aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Ata thanë se bashkë me investimin, po shuhej edhe përpjekja disa vjeçare për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend.

“Kemi qenë plot me turistë dhe jemi detyruar t’i nxjerrim në orën 5 të mëngjesit nga shtëpia. Fëmija i tyre 10 vjeç qante se nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte, ishte i trembur. Ky është krim!” tha mes lotësh, Edmira, motra e Bekimit, e cila shpjegoi për Citizens.al se u kishin kërkuar më kot autoriteteve t’i lejonin të punonin deri në shtator.

“Bekim Koçeku ka lënë garanci në bankë pensionin e invaliditetit për të ndërtuar këto shtëpi, tani ka 200 milionë lekë borxh”, tha e dëshpëruar Edmira, duke treguar tokat ku ata kanë jetuar ndër shekuj.

Qetësia e fshatit të fshehur mes maleve u trondit nga zhurma e fadromave javën e dytë të muajit korrik. Lugina u kthye në një skenë lufte, ku policë me kallashnikovë u përballën më banorë të zëmëruar që sulmuan me molotovë mjetet e IKMT-së.

Në mes të kësaj përplasjeje, qindra turistë që kishin rezervuar në Theth, anuluan rezervimet dhe ia mbathën. Bashkë me ta, duket se u largua edhe shpresa se fshati mund të ketë një të ardhme në turizëm.  

A po prishen ndërtimet në Theth për “Paketën e maleve”?

Ekspertët fajësojnë një zinxhir të gjatë institucionesh për neglizhencë dhe degradim të situatës. Ndërkohë, banorët e Thethit pretendojnë se pas aksionit fshihet “Paketa e Maleve”.  

“Për çfarë vijnë ato helikopterët me investitorë strategjikë?! Për të na marrë atë që është e jona. Këtu nuk ka tokë të xanun,” tha një banor i Thethit për Citizens.al.

Për t’i fryrë edhe më shumë këtij dyshimi, shërbeu edhe një postim gjatë ditës së shtunë, i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, ku ftonte të gjithë të interesuarit të aplikojnë për “Paketën e Maleve”.

Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, e lidh këtë qasje me trysninë që kryeministri Rama ka bërë së fundmi në kërkesat për dorëheqjen e drejtuesve të drejtorive në autoritetet lokale.

“Nuk përjashtohet mundësia që edhe ‘reprezaljet’ që po ndërmerren nga Kryeministri në bashki të ndryshme, të jenë pjesë e një strategjie për të keqpërdorur stafet bashkiake në vendimmarrje klienteliste në transferim të paligjshëm të pronës publike,” tha Brahaj.

“Paketa e Maleve”, e miratuar në janar të këtij viti, synon “të nxisë zhvillimin dhe rigjallërimin ekonomik të zonave malore kundrejt lehtësirave fiskale dhe dhënies së tokave shtetërore në posedim”.

Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në tokën e familjes Koçeku, Theth/Citizens.al

Aktualisht procesi është në fazën e shprehjes së interesit, e cila bëhet pa pagesë përmes e-albanias, si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët.

Pa qenë pronarë trojesh, me një përzgjedhje pike në hartë, gjithsekush mund të interesohet për sado sipërfaqe të dëshirojë (e shprehur në hektarë).

Nevojitet vetëm një përshkrim me maksimumi 500 fjalë, të caktohet tipologjia e investimit: turizëm, energjetikë, blegtori, projekte sociale etj; dhe kohëzgjatja e posedimit të tokës: më pak ose më shumë se 10 vite. (link ilustrues)

Shprehja e interesit i dërgohet bashkive përkatëse, të cilat do t’i trajtojnë për evidentime për zonat zhvillimore. Ligji i “Paketës së Maleve” i lejon bashkitë që pas procesit të evidentimeve t’i propozojnë qeverisë të ndryshojë cilësimin e tokave duke shpallur “zona zhvillimore” zonat e interesuara.

Nga kjo paketë ligjore pritet të përfitojnë “500 aplikuesit e parë”.

Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike (ACER) që ka kryer një vlerësim të rrezikut për korrupsion të këtij ligji thotë se ka mungesë transparence dhe se “përmbajtja krijon premisa për qëllime të fshehura ose të padeklaruara”.

“Ligji prek në mënyrë të rëndësishme interesa publike ndërsa bëhet fjalë për shitje të pasurisë shtetërore, për vlera të parëndësishme fare, tek subjekte private,” tha Preçi.

Sipas drejtuesit të ACER, ligji prek në mënyrë problematike ekuilibrin mes interesit publik dhe atij privat, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e kalimit të pronës shtetërore te poseduesit jopronarë ose thënë ndryshe “faktikë” pa titull pronësie.

“Toka jonë iu duhet për tua dhënë investitorëve strategjikë, jemi të bindur që pas kësaj qëndron Paketa e Maleve”, tha një banor i Thethit për Citizens.al

Urbanisti Imeldi Sokoli, njëherësh anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër, nuk është i sigurt, por e cilëson jo të rastësishme hapjen e aplikimeve për “Paketën e Maleve” me ndërhyrjen në Theth.

“E njëjta gjë ka ndodhur me disa tentativa për të marrë investitorë strategjikë për resorte skish dhe kjo ka ndodhur diku nga marsi, kur Benet Beci shkoi me investitorët për të parë se ku mund të bëhet një resort dimëror,” thotë Sokoli.  

Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në Theth/Citizens.al

Edhe për Preçin, ndërhyrja në Theth nuk duket e rastësishme. Ai e konsideron atë vijim të tjetërsimit të territorit që ka nisur prej vitesh.

“Me sa duket përvoja e ndërhyrjes brutale të qeverisë në bregdetin e Jugut dhe në Tiranë (5 Maji), Portit të panevojshëm të Durrësit dhe etja e pashuar e lobistëve, oligarkëve dhe segmenteve të krimit që kane akumuluar pasuri kolosale po e shtyjnë agresivisht përpara edhe këtë proces fatal dhe të pakthyeshëm për fatin e pjesës më të bukur të natyrës sonë,” thotë ai.

Për Brahajn “Paketa e Maleve” është një ligj problematik “që rrezikon rendin juridik të pronësisë”.

“Krijon kompetenca arbitrare dhe anashkalon institucionet që kanë mandat ligjor për regjimin e pronësisë. Në mënyrë të pajustifikuar, ai i kalon kompetenca të ndjeshme stafeve bashkiake, duke shmangur rolin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të regjistrimit. Mund të quhet me plot kuptimin e fjalës ligj për keqqeverisje,” shpjegon Brahaj.

Analizuar sipas metodologjisë së vlerësimit të rrezikut për korrupsion, ky ligj, rezulton me nivel të lartë risku.

Ekziston mundësia që “klientë të pushtetit” të përfitojnë prona pa asnjë kosto privatizimi përmes procedurave arbitrare dhe të pakontrolluara.

“Krijojnë mundësinë që shumë nga klientët e bashkive, të cilët deri më tani kanë përfituar prona publike me qira apo përmes ankandeve për periudha 10-vjeçare, tani të përfitojnë në mënyrë arbitrare, pa garë të ndershme,” thotë Brahaj.

Duke u referuar hapjes së aplikimeve për këtë paketë, Zef Preçi, thotë se “do të ishte mirë që qeveria dhe Bashkia e Shkodrës të heqin dorë nga brutaliteti policor dhe të mos ngutet në kënaqjen e interesave okulte në dëm të komuniteteve lokale”.

Kullat shekullore të paregjistruara

Urbanisti Imeldi Sokoli, ishte i pari që denoncoi kompleksin e shtëpizave të drurit pas oborrit të kishës. Ai e sheh këtë situatë të lidhur me paaftësinë për të menaxhuar territorin.

“Shteti justifikon mos-menaxhimin e situatës me këtë ndërhyrje brutale, në mes të sezonit,” thotë ai “Është totalisht problem i paaftësisë për të funksionuar instrumentet ligjore në territor”.

Urbanisti ka pikëpyetje edhe për mënyrën se si po zhvillohet aksioni i IKMT-së, duke e konsideruar “ndërhyrje të jashtëligjshme”.

“Minimalisht duhet të ishin njoftuar banorët, pra t’u ishte dhënë një paralajmërim, t’u ishte lënë kohë t’i hiqnin vetë dhe më pas të niste aksioni i prishjes,” thotë Sokoli.

Ai e sheh zanafillën e situatës së ndërtimeve pa leje, tek mungesa thuajse totale e regjistrimit të pronave në hipotekë, një gangrenë që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh në Theth dhe fshatra të tjerë malorë.

“Ligjërisht të gjitha ndërtimet rezultojnë pa leje, edhe kullat e vjetra shekullore, jo vetëm ndërtimet e reja. Dhe ky është problemi,” sqaron më tej Sokoli.

Të njëjtin opinion ndan edhe Aranita Brahaj, kur shprehet se censi i pronave në zonat rurale nuk është bërë kurrë në mënyrë të plotë dhe asnjë qeveri nuk e ka ushtruar ketë detyrë.

Ilustrim nga aksioni policor i prishjeve të ndërtimeve në Theth/Citizens.al

“Pas 40 vitesh regjimi bolshevik, edhe qeverisja aktuale vazhdon të mohojë të drejtën e qytetarëve për të gëzuar plotësisht pronën, qoftë: truall themel i familjes, tokë bujqësore, kullota apo pyje. Si në formën e pronësisë, ashtu edhe në posedim të ligjshëm,” shpjegon ajo.

Amullinë me këtë e aksion e tregon edhe mungesa e të dhënave për numrin e objekteve pa leje që do të prisheshin.

Fillimisht u tha se ishin 10 ndërtime pa leje, më pas 40, më pas drejtuesit e IKMT-së folën për rreth 80 ndërtime, teksa në fund të javës së dytë të korrikut numri shkoi në rreth 120.

Situata me mbi 100 ndërtime pa leje duket se u ka shpëtuar institucioneve që kanë për detyrë kontrollin e territorit, përfshirë edhe administratën rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Vitin e fundit, 2024-2025 në Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, ku përfshihet Thethi, nga rojet mjedisore janë mbajtur mbi 36 konstatime për gërmime, zënie fondi pyjor, prerje drurësh dhe hapje rrugësh në pyll.

“Këto konstatime, sipas klasifikimit te kundërvajtjes i janë dërguar institucioneve përkatëse dhe kur ka ndërtime vihen në dijeni, pasi institucioni ynë, në aktet ligjore nuk parashikon ndërtimet pa leje,” thanë për Citizens përfaqësues të administratës rajonale të zonave të mbrojtura Shkodër.

Mos-regjistrimit të pronës, i mbivendosen edhe shtresëzime të tjera ligjore që janë shtrënguese për banorët.

I shpallur Park Kombëtar që në vitin 1966, cilësimi i zonës kryesore si Qendër Historike në vitin 2017, i jep vlerë monumentale fshatit të Thethit, por nuk u jep banorëve mundësi zhvillimi të pronës.

Po ashtu edhe ligji për Zonat e Mbrojtura, sipas të cilit kjo zonë u përfshi në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në vitin 2022, kufizon ndërtimin.

Për ekspertët pikërisht këtu duhet të kishte lindur formalizimi.

“Ky është rasti tipik që shteti ishte i paaftë për t’i dhënë një instrument ligjor të aplikueshëm që këto banorë të kenë një pronë të ligjshme,” thotë Sokoli.

Lexoni gjithashtu:

The post Thethi “i plagosur”, nën hijen e “Paketës së Maleve” appeared first on Citizens.al.

Ndotja e Vjosës nga Albpetroli: AKM e dënon, IKMT e mbron

9 July 2025 at 12:31

Përgjigjet zyrtare nga autoritetet konfirmojnë një realitet të dhimbshëm për ndotjen me naftë të Vjosës. Kompanitë shtetërore si Albpetrol ndotin pa pasoja, ndërsa qeveria dhe institucionet mbeten ose pasive, ose kontradiktore në qëndrimet e tyre.

Propaganda e gjelbër me Vjosën

Përmes një videoje në Facebook, Kryeministri Rama njoftoi të martën për hapjen e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës. Videoja përcillte sekuenca nga ujërat e kristalta “të mbretëreshës së lumenjve të Evropës”.

Në mbishkrim, Rama theksoi se Vjosës mund t’i jepet mbrojtje e denjë “vetëm përmes një koordinimi të ngushtë”. Videoja, me të njëjtin mesazh u shpërnda edhe nga ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro dhe faqja zyrtare e ministrisë.

Por nëse marrim në analizë veprimet dhe mosveprimet e qeverisë, ky mesazh nuk është i sinqertë. Përkundrazi, është pjesë e propagandës së dy viteve të fundit – pas shpalljes së Parkut Kombëtar – që e ka vizatuar qeverinë si “miqësore me mjedisin”.

Në të vërtetë, vetë qeveria e kryeministrit Rama nuk koordinohet me palët e tjera sa i përket mbrojtjes së Vjosës. Ajo ka shtyrë – edhe me ndryshime ligjore – zhvillimin e një aeroporti në Akërni të Vlorës.

Qendra “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri” (PPNEA), e ka kundërshtuar projektin pasi dëmton ekosistemin e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Prej një viti e gjysmë çështja ka ngecur në Gjykatën e Lartë, në pritje të zbardhjes së vendimit që e rikthen atë për rigjykim në Apel.

Nga ana tjetër, qeveria ka heshtur përballë denoncimeve të fundit nga organizatat RiverWatch, EcoAlbania dhe Euronatur sa i takon ndotjes së Vjosës me naftë, bitum apo dhe mbetje urbane.

Gjendja e cisternave të naftës në stacionin e Gorishtit/Citizens.al

IKMT relativizon ndotjen me naftë të Vjosës

Në një përgjigje me shkrim për Citizens.al, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pranon se nuk ka kryer asnjë inspektim mjedisor gjatë viteve 2024-2025 në zonën e Gorishtit apo Selenicës, zona të ekspozuara ndaj ndotjes industriale nga hidrokarburet dhe bitumi.

IKMT shkon më tej duke thënë se nuk ka vendosur asnjë masë administrative ndaj Albpetrolit dhe nuk ka njoftuar as Ministrinë e Mjedisit apo Prokurorinë, edhe pse pamjet e ndotjes që u bënë publike në media provuan dëme të dukshme në një zonë të mbrojtur si Parku Kombëtar i Vjosës.

Grupi i punës së këtij inspektorati duket të jetë mjaftuar me deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e Albpetrolit, sipas së cilëve depozitimet e hidrokarbureve në përroin e Gorishtit “janë akumuluar gjatë një periudhe kohore shfrytëzimi rreth 60 vjet ku nuk ka pasur asnjë rehabilitim të shtratit të lumit”.

Sipas IKMT-së, ndotja nuk është rezultat i një defekti teknik, por e depozitimit ndër vite të mbetjeve të naftës pranë përroit.

“Nuk ka ndodhur asnjë avari në sistemin e depozitimit dhe transmetimit që të shkaktojë rrjedhjen e hidrokarbureve,” tha IKMT për Citizens.al bazuar nga verifikimet dhe kontaktet me përfaqësuesit e Albetrolit.

Rezervuari i mbetjeve të naftës në stacionin e Gorishtit/Citizens.al

AKM: 50 mijë euro gjoba ndaj Albpetrolit për ndotje të përsëritura

Ndryshe nga IKMT, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), përmes një përgjigjeje zyrtare, pohon se vetëm në dy vitet e fundit Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) Fier ka vendosur katër masa administrative ndaj Albpetrolit, për shkak të:

  • shkarkimit të ujërave të patrajtuara me mbetje hidrokarbure.
  • trajtimit të papërshtatshëm të mbetjeve të rrezikshme.
  • mungesës së dokumentacionit të monitorimeve periodike.
  • moszbatimit të kushteve të lejes mjedisore.

ARM e Fierit rezulton ta ketë gjobitur Albpetrolin me 500,000 lekë në periudhën shtator-tetor 2022, me 2,000,000 lekë në periudhën shtator 2023, me 1,500,000 lekë në dhjetor 2023 dhe 1,000,000 lekë në periudhën shtator-tetor 2024.

Kjo përgjigje nxjerr në pah një kontrast të dukshëm me qëndrimin e IKMT, e cila, ndonëse kishte para syve situatën në terren, nuk mori asnjë masë dhe nuk denoncoi rastin në organet ligjzbatuese.

Vjosa, Park Kombëtar vetëm në letër

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, kompania Albpetrol dhe Prokuroria e Vlorës nuk i janë përgjigjur deri tani kërkesave për informacion nga Citizens.al.

Kjo heshtje thellon dyshimet dhe mosbesimin mbi nivelin e “koordinimit institucional” për të cilin apelon sot qeveria. Gjithashtu thekson mungesën e transparencës për çështjet me pasoja mjedisore.

Pika e ndotjes nga nafta në Vjosë duke u pastruar/Citizens.al

Në kushtet kur një pjesë e institucioneve tregojnë indiferencë dhe pjesa tjetër pranon shkelje të përsëritura, përgjegjësia për ndotjen e Parkut Kombëtar të Vjosës nuk mund të mbetet një çështje e diskutueshme mes zyrash. Ajo kërkon veprim të menjëhershëm ligjor dhe institucional.

Rasti i fundit në Gorisht përforcon bindjen se statusi i parkut kombëtar për Vjosën nuk po shoqërohet me mbrojtje reale në terren. Ndotjet nga industria e naftës vazhdojnë të ndodhin në mënyrë të përsëritur, shpesh pa kontroll dhe më së shumti pa pasoja për ndotësit.

Kjo situatë kërkon që Prokuroria, Ministria e Mjedisit dhe institucionet e tjera përgjegjëse të mos mjaftohen me përgjigje formale, por të garantojnë hetim të plotë, ndëshkim të shkelësve dhe masa të menjëhershme për rehabilitimin e zonës.

Lexoni gjithashtu:

The post Ndotja e Vjosës nga Albpetroli: AKM e dënon, IKMT e mbron appeared first on Citizens.al.

IMT: Mbi 17 mijë metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme, të liruara në kryeqytet

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, Tiranë njofton se po vijon aksionin për lirimin e hapësirave publike në Tiranë, me qëllim kthimin e trotuareve dhe ambienteve të përbashkëta në shërbim të qytetarëve.

Deri më tani, sipas të dhënave të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), janë liruar plot 17 mijë e 334 metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme.

Në kryeqytet ky operacion është fokusuar fillimisht në akset kryesore, por pritet të shtrihet në të gjitha lagjet dhe zonat periferike.

Në deklaratën zyrtare IMT Tiranë, thekson se “po vijon lirimi i hapësirave publike në akset kryesore, për të vijuar më tej, në çdo cep të qytetit”.

IMT Tiranë bën të ditur se, janë njoftuar 1428 subjekte për lirimin e hapësirave të zëna; janë realizuar 352 çmontime vullnetare nga subjektet përkatëse; janë hartuar 32 akt-konstatime për kundërvajtje, ndaj atyre që nuk kanë respektuar afatet apo urdhrat ligjorë.

Aksioni është pjesë e nismës së lirimit të hapësirave publike në vend në mbrojtje të komuniteteve ku në shumë bashkia vijon kthimi i këtyre hapësirave tek qytetarët.

The post IMT: Mbi 17 mijë metra katrorë hapësira të zëna në mënyrë të paligjshme, të liruara në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Betonizimi i një lulishteje i nxjerr bojën aksionit për çlirimin e hapësirave publike

By: Ela
18 July 2025 at 08:51

Në ditët kur inspektorët e IKMT-së ishin të zënë me aksionin e çlirimit të hapësirave publike nga ndërtimet pa leje, një tapet betoni zëvendësoi brutalisht barin e gjelbër në lulishten kryesore të qytetit të Kukësit. Betonizimi i lulishtes së vetme të Kukësit po bëhet me bekimin e Bashkisë si pjesë e një projekti për ndërtimin […]

The post Betonizimi i një lulishteje i nxjerr bojën aksionit për çlirimin e hapësirave publike appeared first on BoldNews.al.

Thethi që “thithi turistët” dhe fadromat e IKMT-së

By: FAKTOJE
17 July 2025 at 15:00

Nga Sebi Alla- Pa njërën këmbë dhe një dorë, invalidi i punës Bashkim Koçeku, bëri përpjekjen e fundit që me “forcën e tij” aq sa ia lejonte fiziku, të ndalte fadromat e IKMT-së që mos i shkatërronin pesë bujtina të vogla druri me të cilat ai dhe familja u vetëpunësuan. Mundi shkoi më kot, pasi në kulmin e sezonit turistik veror, në zonën e Thethit pranë Alpeve të Shqipërisë, mësynë fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me qëllimin e prerë për të prishur objektet pa leje, (rreth 70 të tilla) shtëpiza druri, kontejnerë dhe ndërtesa dy dhe tre katëshe karabina me kolona betoni dhe mure. Pavarësisht përplasjeve të policisë dhe inspektorëve të IKMT me banorët, një javë më pas, më 15 korrik u shkatërrua me eksploziv edhe objekti i fundit i planifikuar në këtë operacion. Bashkë me ndërtesat e betonit u rrafshuan me tokën edhe strukturat e çmontueshme, kryesisht shtëpiza dërrase, apo kontejnerë, objekte të cilat nuk klasifikohen ndërtime që dëmtojnë territorin. Pas këtij aksioni, në Theth dhe jo vetëm, janë ngritur pikëpyetje të mëdha mes thirrjes së vazhdueshme të kryeministrit Rama për “investim në vendlindje”, pasigurisë juridike mbi certifikimin e pronës nga Kadastrat që janë kthyer në problem madhor dhe mundit të shumë familjeve që lejohen të ndërtojnë në kundërshtim me ligjin (sipas deklarimeve duke paguar nëndorë policë dhe inspektorë) dhe më pas me “urdhër nga lart” u shkatërrohen objektet.

Çmontimi i strukturave…!

“Leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton, nuk janë leje ndërtimi të përhershme, janë leje ndërtimi të përkohëshme përgjatë sezonit turistik”. Kështu deklaroi dy vite më parë Ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, por në të paktën tre raste në Theth, edhe ndërtesat e vogla prej druri u shkatërruan në kulmin e sezonit turistik.  “Kisha pesë shtëpi druri, pa beton pa asnjë gjë. I kisha ndërtuar në tokën time, si kam zënë tokën askujt, është tokë e trashëguar nga të parët e mi. Nuk ka asnjë pëllëmbë beton, kisha vetëm shtëpi druri dhe ato mi prishën”, tha mes lotësh dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndihmë dhe “vënie dorë në zemër”, invalidi Bashkim Koçeku, pasi kishte bërë kundërshtitë e fundit ndërsa zvarritej duke shtyrë një kordon të ngjeshur policësh të FNSH-së.

Përplasja qeveri-prokurori

Në ditën e parë të nisjes së aksionit për prishjen e objekteve pa leje në Theth, kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, duke e akuzuar se nuk kishte nisur procedim penal për rastet e ndërtimeve pa leje në Theth. “Po ju lexoj se si arsyeton zonja Gjeli, prokurore nga trupa e shumë mirëpaguar me taksat e shqiptarëve, e cila presupozohet se duhet t’i mbrojë pasuritë e përbashkëta të këtij populli, thesaret e këtij vendi, nga individë si ai që ka plagosur Thethin, në cënim total të çdo lloj norme të bashkëjetesës në këtë vend dhe shkelje flagrante të një sërë ligjesh pasi është zonë e mbrojtur”, tha Rama. Në vijim Rama e etiketoi disa herë prokuroren dhe kërkoi përmes Ministrit të Drejtësisë që të nisë procedimi disiplinor nga ILD (Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë). Në një qëndrim të mëvonshëm, reagoi Prokuroria e Shkodrës e cila në një arsyetim të gjatë mbronte punën e prokurores dhe vinte në diskutim pikërisht referimet e Policisë së Shkodrës. “Vendimi i datës 30.05.2025 i prokurores zj. Elsa Gjeli është marrë në përputhje të plotë me nenin 290, pika ç, të Kodit të Procedurës Penale, ku parashikohet se: “Procedimi penal nuk mund të fillojë kur fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale ose kur del qartë që fakti nuk ekziston”-mbajti qëndrim Prokuroria e Shkodrës. Nisur nga ky rast, më tej thekson se nga vlerësimi i plotë i fakteve dhe akteve procedurale, u konstatua se faktet e referuar nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm në kuptim të nenit 199/a të Kodit Penal dhe “Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, është shprehur se kontenjerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera”, citohet nga Prokuroria.

Ne foto: Gjate nje aksioni te ndermarre ne Theth nga IKMT

Falja e gjobave për ndërtimet pa leje

Ajo çfarë ka mbetur në Theth janë grumbuj inertesh dhe pirgje dërrasash, bashkë me pasigurinë e banorëve dhe paqartësinë sesi do të vijojë çështja e ndërtimeve, në një kohë kur dy premtime të kthyera në nisma ligjore janë “Paketa e Maleve” që sipas qeverisë synon zhvillimin turistik në zonat malore dhe falja e gjobave për ndërtimet pa leje. Pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme Parlamentare, kryeministri Edi Rama zgjodhi pikërisht Thethin për tu dhënë lajmin se do të faleshin gjobat e vendosura për ndërtimet pa leje, duke u bërë thirrje emigrantëve të asaj zone turistike që të vinin dhe investonin në ngritjen e bujtinave. “Këtu ka një masë shumë të madhe gjobash të cilat janë vendosur si rezultat i ndërhyrjeve apo i ndërtimeve gjithmonë ku aty ku keni pasur shtëpinë e vjetër apo aty ku keni truallin tuaj, që janë bërë për shkak të nevojës për të krijuar ekonomi përmes turizmit dhe që nuk janë ndërtuar sipas ligjit, jo sepse nuk keni dashur të ndërtoni sipas ligjit, por sepse shtrëngimi i legjislacionit për këtë zonë që figuron si zonë e mbrojtur natyrore e ka bërë të pamundur dhe qeveria do t’i fali të gjitha këta gjoba”, tha Rama. Një vit më pas situata në Theth është e rëndë për shumë banorë të zonës që në tokat e tyre, por të papajisur me dokumenta pronësie edhe për shkak të problemeve serioze të Kadastrës që nuk i pajis me dokumentacion, kishin nisur ndërtimin e objekteve për qëllime biznesi në sektorin e shërbimeve, pjesa më e madhe biznes familjar.

Ne foto: Gjate nje aksioni te IKMT ne Theth

Paketa e Maleve

Në Theth, por edhe zona të tjera turistike malore druhen se pas aksioneve për prishjen e objekteve pa leje dhe mbajtjen peng me certifikatat e pronësisë, fshihet nisma e “Paketës së Maleve”, një projektligj i miratuar në Parlament në janar të këtij viti. “Paketa e Maleve” do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme“, tha kryeministri në bisedën me banorët e Thethit më 30 qershor të vitit të kaluar. Sipas qeverisë, “Paketa e Maleve“, synon nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në zonat malore të vendit. Ky ligj parashikon kriteret e kalimit të pronësisë shtetërore në private kundrejt blerjes me një tarifë simbolike prej 1 euro, me kusht që hapësira e përfituar të përdoret specifikisht për zhvillimin turistik. “Ligji i miratuar parashikon mes poseduesit jo pronar dhe qeverisë firmosjen e një kontrate shitjeje me kusht sipas të cilit  pronari merr çertifikatën e pronësisë vetëm pasi realizon ndërtimin e planifikuar. “Synohet përdorimi i tokës qoftë “pyll”, “kullotë” livadh për investime që zhvillojnë zonën”-thuhet në një nga pikat. Pikërisht kjo klauzolë i jep mundësi subjekteve të interesuara, vendase dhe të huaja, që në zona të caktuara me potencial turistik të përfitojnë kullotë dhe pyje që në zërin kadastral cilësohet si “tokë shtet”. Deri mesditën e datës 16 korrik, kryeministri Edi Rama njoftoi se ishin 787 aplikime për të përfituar nga kjo nismë. Në hartën e publikuar duket qartë se një pjesë e konsiderueshme e aplikimeve për “Paketën e Maleve” përfshin zonat bregdetare dhe kodrinore. “Paketa synon forcimin e kohezionit social, rimëkëmbjen ekonomike të zonave malore, rritjen e të ardhurave bashkiake, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit. Përmes një procesi të thjeshtuar administrative”, thuhet në faqen zyrtare të paketaemaleve.gov,al.

Përfundimi

Ndërtimet pa leje në vendin tonë, veçanërisht në zonat turistike, kryesisht në vijën bregdetare dhe në disa zona të turizmit malor cilësohen si problem i pazgjidhur, pavarësisht premtimeve për legalizime, apo pajisje me certifikata pronësie dhe leje ndërtimi të rregullt nga njësitë vendore. Në periudhë fushatash zgjedhore, falja e gjobave për ndërtimet pa leje, apo edhe lënia e lirë e qytetarëve për të ndërtuar, u kthyen në dëm serioz pas zgjedhjeve duke shkatërruar dhjetëra objekte dhe kursimet e shumë qytetarëve një pjesë e të cilëve u kthyen nga emigracioni për të investuar në vendlindje, Nisur nga problematika, deklaratën konkrete të ministres Kumbaro për leje ndërtimi të përkohshme për strukturat e çmontueshme përgjatë sezonit turistik do ta kategorizojmë të pambajtur    

The post Thethi që “thithi turistët” dhe fadromat e IKMT-së appeared first on Faktoje.al.

Thethin e djeshëm nuk kam për ta harru kurrë!

By: Ela
17 July 2025 at 12:16

Nga Klodian Zhivani Jo prej ushtimës së tritolit që bani me u dridhe bjeshkët, as prej pluhunit që ngjiti alpet, e as prej forcave të policisë dhe as prej pamjes së atij vendi që vetë Zoti ka dasht me i dhanë bukuri. Por… prej nji cope buke! Prej nji tavoline malësoresh, të shtrume me lot, […]

The post Thethin e djeshëm nuk kam për ta harru kurrë! appeared first on BoldNews.al.

Aksion te stadiumi “Air Albania”, IKMT zbarkon për lirimin e hapësirave publike

By: M C
16 July 2025 at 22:17

Policia bashkiake, Policia e Shtetit dhe IKMT janë parë pasditen e sotme me forcat e tyre përqark stadiumit “Air Albania” në Tiranë në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike.

Fokusi i tyre janë subjektet jashtë stadiumit të cilat kanë të vendosura karrige dhe tavolina në pjesën e jashtme.

Si nisi çështja e hapësirave publike?

Në ditët e para të muajit korrik kryeministri Edi Rama bërë një vizitë të befasishme në bashkinë e Vlorës duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve në këtë bashki për moskompetencë e që lidhej kryesisht me atë që e cilësoi më vonë si zaptimin e hapësirave publike.

Gjatë vizitës Rama u ka bërë thirrje deputetëve në largim e atyre të zgjedhur dhe drejtuesve vendorë të dalin në terren dhe t’ju japin zgjidhjeve problemeve të qytetarëve, duke i takuar nga afër.

Gjithashtu ai iu ka dhënë ultimatum që brenda dy javëve të kenë gati raportin me punën e bërë.

Ndërkohë më 8 korrik Rama ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të bashkisë së Fierit dhe Durrësit në institucionet që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrën.

Gjithashtu raportohet se ka shprehur kritika të ashpra për menaxhimin e hapësirave publike të zaptuara.

Po në këto ditë të para të korrikut 2025 nisi dhe një aksion në fshatin turistik Theth në veri të vendit për prishjen e ndërtesave pa leje.

Në këtë rast Rama akuzon prokuroren Elsa Gjeli se refuzoi të hapte një çështje penale kundër një biznesmeni të kallëzuar nga Policia e Shtetit për ndërtimin e një fshati të tërë turistik pa asnjë leje.

Ai theksoi se lugina e Thethit do të pastrohet nga betoni dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Gjithashtu Rama ka deklaruar se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e saj.

The post Aksion te stadiumi “Air Albania”, IKMT zbarkon për lirimin e hapësirave publike appeared first on Albeu.com.

IKMT liron hapësirat publike tek stadiumi “Air Albania”

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vijuar sot operacionin për lirimin e hapësirave publike.

Mjete të IKMT, të shoqëruara nga forca të shumta të policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit kanë liruar sot hapësirat publike të zëna nga subjektet pranë stadiumit kombëtar “Air Albania”.

Autoritetet kanë rrethuar me shirit pjesën pranë stadiumit të futbollit, ku janë të vendosura karrige dhe tavolina të lokaleve e restoranteve që ndodhen në katin e parë të godinës.

/gj.m//a.f//r.e/

The post IKMT liron hapësirat publike tek stadiumi “Air Albania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Radhën e ka dhe Lezha/ IKMT “zbarkon” në rrugët e qytetit, i lë lezhjanëve 5 ditë kohë për të çliruar hapësirat ose do t’i vendosë rruspën

By: M C
16 July 2025 at 16:45

Inspektorët e IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake e Lezhës kanë dalë në terren ku dhe janë duke evidentuar rastet e zaptimit të hapësirave publike.

Burime për mediat bëjnë me dije se nga kontrollet e deritanishme rezulton se pjesa më e madhe e objekteve janë me dokumentacion të rregullt, por janë konstatuar edhe ndërhyrje pa leje.

Për këto të fundit pronarëve u është vendosur një afat kohor prej pesë ditësh, ndërkohë që në rast se nuk i prishin vullnetarisht atëhere do t’u duhen inspektorëve të IKMT-së që të t’i “rrafshojnë”.

Ky aksion ka ardhur pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama i cili u ka vendosur “ultimatum” të gjithë kryebashkiakëve të vendit që të lirojnë hapësirat publike të cilat janë “zaptuar” pa leje në qytetet të cilat ata drejtojnë.

The post Radhën e ka dhe Lezha/ IKMT “zbarkon” në rrugët e qytetit, i lë lezhjanëve 5 ditë kohë për të çliruar hapësirat ose do t’i vendosë rruspën appeared first on Albeu.com.

Shembet ndërtesa e fundit pa leje në Theth, përmbyllet operacioni 9-ditor i IKMT

By: M C
15 July 2025 at 17:17

Është finalizuar paraditen e sotme operacioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) në Theth, me shembjen me eksploziv të ndërtesës së fundit pa leje në zonë.

Godina 3-katëshe u rrëzua përmes një shpërthimi të komanduar, i cili u realizua me sukses nga forcat xheniere, pa shkaktuar incidente.

Ky ishte akti përmbyllës i një aksioni intensiv 9-ditor në një prej zonave më të frekuentuara turistike të veriut të vendit. Gjatë këtij operacioni, janë shembur gjithsej 100 objekte të ndërtuara pa leje, në kuadër të lirimit të hapësirave publike dhe ruajtjes së integritetit të zonës së mbrojtur.

IKMT dhe autoritetet vendore e kanë cilësuar këtë ndërhyrje si të domosdoshme për të mbrojtur peizazhin natyror dhe për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Theth.

The post Shembet ndërtesa e fundit pa leje në Theth, përmbyllet operacioni 9-ditor i IKMT appeared first on Albeu.com.

Tiranë – Lirohet një hapësirë publike tek “Ali Demi”


TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit vijon punën në koordinim të plotë me Inspektoratin Kombëtar të Territorit, për lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin.

Në këtë kuadër, është liruar sot një hapësirë publike në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, e cila ishte zënë nga familjarët e një 67-vjeçari të arrestuar rreth një jave më parë, për të njëjtën paligjshmëri.

Gjatë këtij operacioni janë hequr blloqet e betonit që ishin vendosur në hapësirën e zënë, ndërkohë që më herët, nga e njëjta hapësirë, janë hequr dhe sekuestruar dy automjete të vendosura në mënyrë të kundërligjshme.

Për këtë rast, më datë 7 korrik 2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, arrestuan shtetasin B. D., 67 vjeç. Sot, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për djalin e tij, shtetasin E. D., 25 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente në lidhje me pronësinë mbi këtë hapësirë publike, të cilën e zinin vazhdimisht me objekte të ndryshme, në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, familjarët e tyre konfliktoheshin me banorët e një pallati pranë kësaj hapësire, për të mos lejuar parkimin e automjeteve.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë dhe me shërbimet e Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Trotuareve dhe Zgarave të Bashkisë Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Tiranës, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”.

Materialet procedurale për këtë rast janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/a.f/

The post Tiranë – Lirohet një hapësirë publike tek “Ali Demi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VIDEO/ Kur Kumbaro krenohej me 2000 shtretër në Theth, sot 90% më pak

By: Ardit
15 July 2025 at 16:10

Para disa ditësh, IKMT ndërmori një aksion në Theth, ku u prishën me dhjetëra ndërtime pa leje, përfshirë këtu edhe disa njësi akomodimi për turizmin. Por duket se këto ndërtime pa leje, janë reklamuar nga vetë zyrtarët më të lartë të qeverisë, të cilët i kanë konsideruar këto ndërtime si një arritje e madhe për […]

The post VIDEO/ Kur Kumbaro krenohej me 2000 shtretër në Theth, sot 90% më pak appeared first on BoldNews.al.

Tensione në Theth, banorët kundërshtojnë me forcë shembjen e bujtinave: Rama u bë armik i fshatit

14 July 2025 at 21:50

Situata në Theth vijon e tensionuar nga shembja e disa objekteve pa leje. 

Edhe këtë mbrëmje, banorët penguan vazhdimisht fadromat për të ndërhyrë në objekt.

Euronews Albania raporton se në fillim nga ky aksion u krijua ideja sikur mes banorëve dhe policisë së Shkodrës u arrit në një farë mënyrë negociatë për të liruar hapësirën dhe të nis shembja e objekteve. Por në fakt, janë pronarët e bujtinave të cilët nuk po e lejojnë të ndodh një proces i tillë. Banorët kanë vijuar diskutimet me policinë e Shkodrës me tone të larta pasi kanë pretendimet e tyre të cilat i kanë shprehur për ditë me radhë.

Mësohet se pronarët janë afruar pranë objekteve për të mos lejuar shembjen e tij, ndërkaq edhe policia është e vendosur. Nga ana tjetër ndodhet dhe një grup nga IKMT për të zhvilluar aksionin.

Përtej faktit se janë shtuar forcat e policisë, një tjetër detaj nga Thethi vjen se gjatë debateve, një nga pronaret e bujtinave është rënduar emocionalisht pas krijimit të një situate të tensionuar. Ai thekson se rrezikshmëria shtohet edhe për forcat e policisë që po ndërhyjnë në objekt, dhe kjo për shkak të errësirës.

Gjatë shkëmbimit të debateve, një nga banorët i drejtohet një zyrtari të policisë: “Kush po e bën dëmin më të madh, më trego llogjikën, po futesh dhe po i shemb, çfarë mund t’i bësh më shumë?”

Zyrtari i policisë përgjigjet në formë të tillë: “Më këtë që po bëni tani po bën dëm. Jam dashamirës si ju”, tha ai.

The post Tensione në Theth, banorët kundërshtojnë me forcë shembjen e bujtinave: Rama u bë armik i fshatit appeared first on Telegrafi.

Tensione në Theth/ Banorët përplasen me IKMT-në dhe Policinë

14 July 2025 at 21:14

Duket se Edi Rama nuk i ndalon shembjet e godinave në fshatin turistik të Thethit as natën dhe kjo ka sjellë sërish tensione dhe përplasje mes banorëve me Policinë dhe IKMT-në. Mësohet se në Theth kanë mbetur edhe dy godina pa u shembur, teksa banorët e zonës po bëjnë rezistencë. Kjo ka sjelle forca të […]

The post Tensione në Theth/ Banorët përplasen me IKMT-në dhe Policinë appeared first on BoldNews.al.

Kontrolli i IKMT në Vlorë, kapet pallati pa leje/ Rama: Do t’i kalojë shtetit, këtë fat do të kenë të gjitha objektet në shkelje

By: V K
14 July 2025 at 13:01

Mëngjesin e sotëm, Kryeinspektorja e IKMT Dallëndyshe Bici, ishte në Vlorë, ku ka verifikuar kantieret e ndërtimit dhe lejet për pallate.

Nga verifikimet rezultoi se një pallat ishte pa leje, dhe Bici bëri me dije se ndërtesa do t’i kalojë shtetit.

Kreu i qeverisë Edi Rama, në një postim në “Facebook”, shprehet se këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike.

“Ndërkohë që punonjësit e bashkive që kryejnë sipas ligjit akt-kontrollet në çdo fazë të ndërtimit dhe mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i përcillen prokurorisë për një sërë veprash penale të mundshme.

Ndërkohë së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, me masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë.

Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”, shkruan Rama.

The post Kontrolli i IKMT në Vlorë, kapet pallati pa leje/ Rama: Do t’i kalojë shtetit, këtë fat do të kenë të gjitha objektet në shkelje appeared first on Albeu.com.

Zyrtarja e PD: Rama po vepron si komunistët, rrëmben tokat për të ndërtuar resorte oligarkët

By: Oldi
13 July 2025 at 18:15

Anëtarja e Këshillit Bashkiak, Eljona Shkreli ka komentuar aksionin e IKMT-së në Theth. Shkreli e ka etiketuar një çmenduri të kryeministrit Edi Rama prishjen e banesave në fshatin turistik. Ajo tha se aksioni i çmendurisë së kryeministrit, siç zyrtarja e PD, preferoi ta etiketonte, vjen në kulmin e sezonit turistik dhe tregon papërgjegjshmërinë e Ramës, […]

The post Zyrtarja e PD: Rama po vepron si komunistët, rrëmben tokat për të ndërtuar resorte oligarkët appeared first on BoldNews.al.

Bajraktari Vladaj pas “Kuvendit të Thethit”: Diaspora, Dukagjini, Kukësi e Malësia e Madhe do të na vijnë në ndihmë

13 July 2025 at 17:59

Bajraktari i Zef Vladaj ka folur pas mbajtjes së Kuvendit të Burrave të këtij fshati, të cilët janë mbledhur për të kundërshtuar aksionin e IKMT për heqjen e objekteve të vendosura pa leje në këtë fshat.

Vladaj, përfaqësues i Dukagjinit dhe kryetar i Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar Shqiptar, foli tha se Thethi i ka mirëpritur të gjithë dhe se nuk ishte e arsyeshme të bëhej ky aksion, pasi sipas tij “këtë gjë s’e ka bërë as turku, as gjermani”.

Ai tha se nëse aksioni nuk ndalet, ai do t’i bëjë thirrje diasporës, Dukagjinit, Kukësit, Malësisë së Madhe, dhe do t’i ketë këtu në Theth, para bashkisë e kudo tjetër.

Vladaj paralajmëroi kryeministrin që “mos guxo të shfrytëzosh rastin, as me Thethin, as me Dukagjinin, sepse këto kulla që i kemi bërë, i kemi bërë me djersë, dhe do t’i mbrojmë edhe me gjak, siç thotë dhe rapsodi”, tha ai.

“Si ka shembur turku, as serbi, as gjermani, e me na i shemb sot këta? Kurrën e kurrës! Ta mbajë mend edhe kryeministri, edhe kushdo tjetër, se në Dukagjin – dhe jo vetëm në Dukagjin – por nga katër anët e Shqipërisë dhe gjithë diaspora, më kanë thënë: ‘Jemi gati për me ardhë dhe për me na mbështetë’. Unë jam i thjeshtë, por popullin tim do ta mbroj.

“Pavarësisht se jam pro zbatimit të ligjit, jo me u dëmtu kështu. Menjëherë i bëj thirrje kryeministrit, qeverisë vendore, atij kryetarit të bashkisë që kur doli në fushatë tha: ‘Jam i Pecajt’. Po ku je i Pecajt ti, që na shembe shtëpitë? Se i Pecajt jam edhe unë. Kujt ja shemb shtëpitë Benet Beci, vëllait. Nuk duhej ta mbante kurrë këtë.

“Një gjë e tillë duhej të bëhej me dialog dhe përshtatje me demokracinë. Ne jemi pro zbatimit të ligjit. Ia kam thënë edhe kryeministrit, edhe qeverisë vendore: nëse nuk do të hiqnin dorë, unë do njoftoj diasporën, Dukagjinin, Kukësin, Malësinë e Madhe dhe do t’i kem këtu në Theth, para bashkisë dhe kudo tjetër. Dhe do t’u them: ‘Mos guxoni me shfrytëzu rastin, as me Thethin, as me Dukagjinin’. Këto kulla që i kemi bërë me djersë, do t’i mbrojmë edhe me gjak – thotë rapsodi”, – e mbylli fjalën Zef Vladaj./Euronews Albania

The post Bajraktari Vladaj pas “Kuvendit të Thethit”: Diaspora, Dukagjini, Kukësi e Malësia e Madhe do të na vijnë në ndihmë appeared first on Telegrafi.

Tensionet në Theth, sipërmarrësi: Nuk e lëshoj tokën pa gjak – do ndërtoj sërish

12 July 2025 at 21:26

Prej orëve të para të mëngjesit, ka vijuar operacioni i IKMT-së për shembjen e objekteve pa leje në të gjithë zonën e Thethit.

Lidhur me këtë, ka folur në Euronews Albania një nga banorët e Thethit, njëkohësisht sipërmarrës në zonë.

Banori shpreh shqetësimin duke nisur që nga fakti se çdo gjë është ndërtuar me mund dhe me djersë, dhe deri tek numri mjaft i lartë i turistëve që si rrjedhojë, banorët kanë pësuar mjaft humbje me largimin e tyre.

“Ka pasur turistë pa masë, kanë folur edhe për mediat dhe janë ndjerë të frikësuar. Qëllimi i shtetit mafioz është të trembë rininë shqiptare dhe të largohen ashtu siç janë larguar në të gjithë Shqipërinë. Ne nuk i lëshojmë trojet tona, nuk i kanë lëshuar as të parët tanë. Edhe biznes nuk do zhvillojë kush këtu. Edi Rama ka ndez një zjarr këtu. Ai të rrijë si kryeministër në punë të vet. Ideja se po shet Thethin , mos ta besojë.

Bujtinën e kam bërë me djersën time dhe e ka prishur Edi Rama. Do ta rindërtoj prap dhe s’do ta lëshojmë. Do largojmë edhe ata që nuk janë banorë të Thethit. Të tjerët vetëm do vinë për rezervim javor. Toka është e Thethit, nuk e lëshojmë pa gjak”, tha sipërmarrësi në Theth.

Më tej, ai ndalet në një tjetër detaj që tregon se edhe vetë bashkia Shkodër ka lejuar të ndodhë diçka e tillë për një qëllim.

“Këto bujtina i kemi ndërtuar që në vitin 1997. Nga ana tjetër edhe bashkia Shkodër i ka lënë lirshëm njerëzit që të ndërtojnë, dhe banorët janë nxituar. Kjo është bërë me qëllim t’u marrin qytetarëve votat e pas tyre, t’ua shembin bizneset.

Ne s’kemi vrarë askënd. As kohë nuk na kanë lënë, vetëm një orë dhe me fadromë nga mbrapa”, tha banori.

The post Tensionet në Theth, sipërmarrësi: Nuk e lëshoj tokën pa gjak – do ndërtoj sërish appeared first on Telegrafi.

❌
❌