Çdo vit kur temperaturat nxehen dhe lajmërohet çelja e sezonit turistik, shqiptarët e dy anëve të kufirit takohen masivisht në bregdet dhe një valë paragjykimesh pushton rrjetet sociale. Ndryshe ndodhi këtë vit, kur mospajtimeve të fillimverës ia lanë vendin emocionet e ndeshjes me Serbinë. Shkak u bënë masat e rrepta të policisë, që nuk pranoi asnjë kompromis dhe largoi çdo simbol me natyrë politike, ushtarake e nacionaliste në shkallët e stadiumit.
Filmimet e celularëve dëshmuan për ndërhyrjen e dhunshme të policëve ndaj disa djemve të rinj që mbanin veshje me simbolet e UÇK-së.
Qindra mijëra shikime në rrjetet sociale u shoqëruan me komente plot mllef, që e shndërruan temën e simboleve të UÇK-së në një debat paralel me atë të performancës së kombëtares në fushë.
Kuptohet se shënjestër e sharjeve dhe ofendimeve ishte policia dhe kryeministri Edi Rama, edhe pse ky si rrallëherë nuk ishte në stadium.
Në veçanti domethënës ishte reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), që prekjen e flamurit kuqezi e krahason me prekjen e gjakut të dëshmorëve.
“Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë, amaneti i tyre, liria për të cilën ata ranë. Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë. Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip”, thuhet në reagim.
Organizata e Veteranëve kërkoi sqarime për arsyet dhe motivet e ndalimit të flamurit të UÇK-së në një vend ku, sipas tyre, “nuk duhet të ketë kufij për gjakun që është derdhur për liri”.
“Rama&Duka jane te perkohshem. Kosova zemra e Shqipërisë është e përjetshme” ishte një ndër komentet që shoqërojnë mesazhin e veteranëve.
“Rregullat jan veç për Shqipërinë apo për të gjithë? Se Serbia në çdo ndeshje që luan ka një shënim “Kosova është Serbi” ose “Shqiptari i mirë ëshë shqiptar i vdekur” Apo këto nuk llogariten?” shkruan një tjetër komentues.
Kësaj radhe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti preferoi të tregohej më i ftohtë se shumë bashkëqytetarë të tij dhe në reagimin për ndeshjen, foli vetëm për ç’ka ndodhi në fushën e blertë, por jo në shkallët e stadiumit.
“Me pak më shumë fat në fund të pjesës së parë, mund të kishim marrë të tri pikët nga ndeshja. Andaj, barazimi na la të pakënaqur me rezultatin, por jo me kombëtaren, e cila luajti më mirë se kundërshtari i saj” u shpreh Kurti, duke shmangur incidentet për të mos hapur debate për sjelljen e policisë shqiptare.
Nuk ishte kaq indiferent kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha që shpërndau një video të një tifozi shqiptar që tërhiqej nga policia, sepse mbante veshur simbolet e UÇK-së.
“As në Beograd nuk ndodh! E nxjerrin tifozin nga stadiumi se kishte një bluze me stampë të UÇK! Dënoj me neveri një akt të tillë të shëmtuar antidemokratik prej vasali të Edi Ramës dhe narko-regjimit të tij!” ka shkruar Berisha.
Që ndeshja me Serbinë do të ishte nën monitorim të rreptë nga policia shqiptare, kjo ishte bërë e qartë nga masat e forta të publikuara më parë. Jo më kot, për herë të parë në 21 vjet ishin përjashtuar nga furnizimi me bileta edhe Tifozët Kuqezi.
“Absurdi i kësaj ndeshjeje qëndron te hipokrizia e vazhdueshme e FSHF-së, e cila predikon gjithpërfshirje, por në realitet përjashton tifozët e vërtetë, ata që e kanë ndjekur Kombëtaren për më shumë se 21 vite. Futbolli është kthyer nga një aktivitet popullor në një event ekskluziv për të pasurit, ku çmimet e biletave variojnë nga 150 deri në 1000 euro” shkruan tifozët kuqezi. Duke akuzuar FSHF për “politika përjashtuese” “nëse nuk je i pasur, nuk ke vend në stadium”
Një eksperiencë e ngjashme, tepër e hidhur për tifozët kuqezi ka qenë përballja me Serbinë në stadiumin e Elbasanit në vitin 2015. Edhe atëherë, ata e panë veten nën kontrolle të rrepta dhe presione nga policia për të dorëzuar çdo send që mund të përdorej për të sulmuar lojtarët në fushë dhe çdo veshje me simbole nacionaliste. Shkallët e stadiumit në ndeshjen me Serbinë ku humbëm 0-2 ngjanin me sallën e një teatri.
Por këtë vit, qeveria shqiptare ka pasur edhe një arsye më tepër për të qenë e ashpër me tifozët e kombëtares. Dy federatat, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Serbisë janë bërë bashkë për të organizuar kampionatin europian të futbollit U21 në vitin 2027.
Ky organizim pritet të sjellë një vëmëndje të shtuar të qytetarëve europianë drejt Shqipërisë. Ai nuk është vetëm një aktivitet sportiv, por edhe një shans politik, një mundësi për t’i treguar Europës se qytetaria shqiptare nuk ka shumë diferenca me ata europianë.
Prandaj në Air Albania s’kishte vend as për atmosferën dhe as për inatet e luftrave ballkanike. Sepse më së pari ishte e rëndësishme të dukemi sikur jemi “europianë”. Edhe pse mbi kokë qëndron shkopi i gomës së një polici./Lapsi.al
The post Debati/ Pse i zhveshi policia simbolet e UÇK-së në Air Albania appeared first on Lapsi.al.