DJ shqiptare, Anxhela Daci, ishte e ftuar në emisionin “People” në Euronews Albania, ku rrëfeu për jetën dhe karrierën e saj.
Ajo tregoi se ka ardhur në Shqipëri për pushime, pasi nuk jeton më në vendin tonë, pasi familja e saj ka emigruar në Itali kur ajo ishte vetëm një vjeç.
Anxhela tha se ka lindur në Bulqizë, ndërsa më pas familja u shpërngul në Perugia të Italisë.
Në moshën 21-vjeçare, për shkak të pasionit për muzikën, ajo u shpërngul në Gjermani, ku filloi të zhvillojë karrierën e saj si DJ.
Aktualisht, ajo jeton dhe punon si DJ në Spanjë.
“Ky pasion ka nisur që në moshën 16-17-vjeçare, gjatë festave me shoqet, ku ndjeja një emocion të veçantë nga muzika,” tha Anxhela.
Ajo shtoi se në aktivitetet ku performon luan muzikë nga një deri në dy orë, ndërsa njoftoi se të shtunën do të performojë në Francë.
Anxhela tregoi se pas ardhjes në Gjermani i janë hapur shumë dyer: “U njoha me agjentin që më ndihmoi, i cili ishte nga ky shtet dhe ishte pjesë e botës së muzikës.
“Gjermania më hapi dyert,” tha ajo.
Për herë të parë ka performuar në Itali, ku përjetoi emocione të mëdha. “Kisha shumë adrenalinë në atë moment, por edhe tani që kam evente, kam emocion,” theksoi ajo.
Në një event, një djalë i bëri simbolin e shqiponjës, ndërsa i kanë dhuruar edhe flamuj, si nga shqiptarë, ashtu edhe nga të huaj që njohin prejardhjen e saj.
E pyetur nëse i pëlqen të bashkëpunojë me artistë shqiptarë, Anxhela tha: “Më pëlqen të bëj diçka me Taynan, por ende nuk ia kam shprehur këtë dëshirë ose synim. Megjithatë, edhe pse nuk e njoh personalisht, kam vlerësim maksimal për të dhe më pëlqejnë shumë këngët e saj.”
Ajo shtoi se nuk konsumon as alkool, as kafe: “Unë nuk pi as alkool as gjë, dhe nuk gënjej,” tha ajo.
Ndërsa për fansat që mund të konsumojnë ndonjë substancë, Anxhela theksoi se çdo njeri duhet të njohë limitet e veta.
Për jetën në Spanjë ajo tha se e pëlqen shumë: “Jeta në Spanjë është shumë e mirë, njerëzit janë të hapur, plazhi dhe ushqimi janë shumë të mirë.”
Ndër të tjera, ajo tha: “Sigurisht më pëlqen të eksploroj gjëra të reja dhe nuk jam kundër një bashkëpunimi me DJ Snake.”
Anxhela tregoi se ka marrë mbështetje nga bota e muzikës techno dhe nga shumë femra, si dhe nga komuniteti në rrjetet sociale, që e bëjnë të ndihet shumë mirë.
LEXONI GJITHASHTU:
The post Nga Bulqiza në Spanjë, Anxhela Daci rrëfen rrugën drejt suksesit si DJ appeared first on Euronews Albania.