Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 August 2025Main stream

Policia e Shtetit: 103 operacione, 761 persona të arrestuar gjatë korrikut

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit bëri publik sot bilancin e punës dhe të operacioneve përgjatë muajit korrik 2025.

Sipas njoftimit, Policia thekson se janë finalizuar 103 operacione policore, ndërsa janë vënë në pranga 761 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Njoftimi i plotë:

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vijuar me përkushtim, profesionalizëm dhe angazhimin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në bashkëpunim të ngushtë me partnerët.

Gjithashtu, në pikun e sezonit turistik, është treguar vigjilencë dhe kujdes i shtuar, 24/7, për garantimin e sigurisë në plazhe dhe në hapësirat ujore, për ofrimin e ndihmës ndaj qytetarëve dhe vizitorëve.

Fokusim dhe përkushtim edhe për identifikimin e autorëve të zjarrvënieve dhe menaxhimin e situatave me zjarret duke shpëtuar jetë nga rreziku i përfshirjes nga flakët, evidentimin dhe ndëshkimin e atyre që ndërtojnë pa leje apo zënë hapësirat publike.

Konkretisht, gjatë muajit Korrik: Janë finalizuar 103 operacione policore; Janë finalizuar 25 operacione në bashkëpunim me partnerët, për goditjen e krimeve kibernetike, trafikimit të drogës, si dhe për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar; Janë vënë në pranga 761 shtetas të akuzuar/dënuar për vepra penale të ndryshme; Janë asgjësuar 52 934 bimë Cannabisi, si dhe janë sekuestruar rreth 2.5 kg kokainë, 6.2 kg cannabis, qindra doza të këtyre lëndëve dhe sasi amfetaminë;

Janë sekuestruar 33 armë zjarri, 110 kapsolla detonatore, 2 antiplumba dhe silenciatorë; Janë zbardhur 10 ngjarje kriminale, ndër to: vrasje, plagosje me mjete prerëse, shkatërrim prone me eksploziv dhe djegie të qëllimshme pronash; Janë parandaluar ngjarje kriminale në Tiranë, Lezhë, Vlorë, e Sarandë që mund të kryheshin nga shtetas që lëviznin të armatosur.

Janë parandaluar përshkallëzimi i 6 konflikteve me armë apo sende të forta si dhe i 8 rasteve të tentativës për vjedhje;

Janë sekuestruar pasuri dhe cash me vlerë totale rreth 1.6 milionë euro, të përfituara nga krimet;

Gjatë 2 fazave të operacionit “Identiteti”, Policia e qarkut Tiranë zbuloi raste të falsifikimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, për të lëvizur ilegalisht ose për të marrë kredi;

Policia e qarkut Kukës goditi 2 raste të trafikimit të armëve nga Kosova dhe 3 raste të trafikimit të automjeteve;

Gjatë planeve të posaçme operacionale policore, për sigurinë ushqimore dhe atë dentare, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare e DPPSh-së zbuloi raste të përdorimit/tregtimit të produkteve të skaduara, me rrezik për jetën dhe shëndetin e qytetarëve;

Janë finalizuar 16 operacione për zbardhjen e vjedhjeve;

Janë goditur 10 raste në fushën e kontrabandës, 7 raste të transportimit të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufirin ilegalisht dhe 6 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit;

Janë bllokuar 134 mjete lundruese, pasi drejtuesit e tyre cenuan perimetrin e sigurisë për pushuesit dhe/ose ishin të papajisur me dokumentacionin që kërkon ligji;

Janë konstatuar 34 raste të pushtimit të hapësirave në plazhe, për të cilat, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, janë sekuestruar rreth 2700 komplete me çadra dhe shezlongë;

Janë konstatuar 38 raste të tjera të pushtimit të hapësirave publike, për aktivitete fitimprurëse. Në bashkëpunim me shërbimet e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, janë liruar hapësirat dhe sekuestruar objektet e përdorura;

Janë konstatuar 12 raste të ndërtimeve pa leje me 16 shtetas të proceduar penalisht, si dhe janë goditur krime të tjera kundër mjedisit, të tilla si: ndotja e ujërave, dëmtimi i shtratit të lumenjve, si dhe hedhja e inerteve ose mbetjeve të tjera;

Në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, Forcat e Armatosura dhe homologët, është reaguar menjëherë për 44 raste zjarrvënieje. Hetimet dhe puna policore rezultuan me arrestimin/ndalimin/procedimin e 42 autorëve të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia;

Janë proceduar penalisht 72 drejtues automjetesh, sepse duke parkuar dyshe, penguan qarkullimin e automjeteve të urgjencës dhe lëvizjen e qytetarëve;

Policia e Tiranës dhe policitë e qarqeve bregdetare kanë kryer kontrolle të përditshme, me mjete teknologjike zhurmëmatëse, te subjektet që gjenerojnë muzikë. Administratorët e subjekteve që u gjetën në tejkalim të nivelit dhe/ose të orarit, u ndëshkuan penalisht dhe/ose administrativisht;

Është dhënë ndihmë për 55 shtetas që u gjendën në vështirësi për shkak të terrenit, temperaturave, mosorientimit në zona të ndryshme ose defekteve në mjetet me të cilat lëviznin.

Shërbimet e Policisë Rrugore, të pajisura me mjete bashkëkohore, kanë intensifikuar kontrollet në të gjitha akset e vendit, me qëllim konstatimin e shkeljeve rrugore që rrezikojnë jetën e përdoruesve të rrugës ose bëhen shkak për ngadalësim apo bllokim të qarkullimit gjatë këtij muaji me fluks të lartë lëvizjeje.

Në këtë kuadër:

– janë vënë në pranga 226 drejtues mjetesh, nga të cilët 139 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 87 për drejtim mjeti pa leje drejtimi ;

– janë pezulluar 252 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë;

– janë vendosur 22 338 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e gjobës maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit.

Shërbimet e Policisë Kufitare, krahas menaxhimit të fluksit të lartë të hyrje/daljeve dhe ofrimit të një shërbimi policor të shpejtë dhe me etikë, gjatë këtij muaji kanë shtuar vigjilencën dhe kontrollet, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe tentativave për lëvizje të paligjshme.

Në këtë kuadër janë goditur:

68 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve;

10 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false;

7 raste të mosdeklarimit të shumave të parave.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj krimit, si dhe për të identifikuar dhe ndaluar shtetasit që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Me qëllim përmbushjen e këtyre objektivave, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë më ngushtë me Policinë, duke denoncuar menjëherë çdo paligjshmëri që konstatojnë, pranë njësive fizike të Policisë së Shtetit ose në numrin pa pagesë 112.

/e.i//a.f/

The post Policia e Shtetit: 103 operacione, 761 persona të arrestuar gjatë korrikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, regjim i unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, parashikon kthimin e regjimit të tatimeve në një sistem të unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset, përfshirë edhe sektorin e teknologjisë së informacionit, akomodimin apo bizneset sezonale.

Sektori i teknologjisë së informacionit, strukturave akomoduese apo bizneset sezonale, për vite me radhë ka përfituar nga skemat preferenciale, ndërsa sipas ministrisë së Financave, pritet që “politikat preferenciale tatimore  të jenë të përkohshme, të targetuara dhe jo diskriminuese për sektorë të tjerë. Trajtimi preferencial për sektorë si akomodimi, IT, apo bizneset sezonale do të hiqet gradualisht”.

Sipas dokumentit zyrtar të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, vetëm për vitin 2022, përjashtimet dhe normat e ulëta tatimore kanë sjellë një mungesë të ardhurash prej mbi 101 miliardë lekësh, ose 4.76% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Pothuajse 83% e kësaj humbjeje i atribuohet shkallëve të reduktuara të TVSH-së dhe përjashtimeve.

“Tatimi mbi fitimin korporativ në normën 0% për bizneset e vogla përbën burimin e dytë më të madh të humbjeve, duke kontribuar me 0.77% të PBB-së. Këto përjashtime nuk do të jenë të përhershme, ato janë parashikuar të shfuqizohen plotësisht deri në vitin 2029”, deklaron Ministria e Financave.

Reforma tatimore është zhvilluar në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe synon të afrojë Shqipërinë me standardet fiskale të Bashkimit Evropian. Mbështetja për startup-et pritet të vazhdojë, ndërsa trajtimi preferencial për sektorët e tjerë do të hiqet hap pas hapi./klan/

The post Ndryshimet në ligjin “Për tatimet mbi të ardhurat”, regjim i unifikuar dhe progresiv taksimi për të gjitha bizneset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal, deri në 8 vite burg për tregtimin e ilaçeve pa leje dhe të skaduara

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Drafti i Kodit të ri Penal parashikon masa të rrepta për mbrojtjen e shëndetit publik, duke përfshirë dënime për shkaktimin e epidemive, përhapjen e sëmundjeve infektive dhe prodhimin e barnave të rrezikshme.

Në draftin e propozuar për Kodin e ri Penal, një kapitull të veçantë i është kushtuar edhe mbrojtjes së shëndetit publik.

Sipas draftit, jo më pak se njëzetë e pesë vjet dhe deri në burgim të përjetshëm parashikohet në nenin 441 të draftit, nëse dikush shkakton qëllimisht një epidemi përmes shpërndarjes së viruseve apo baktereve patogjenë.

“Dënim shumë i rëndë parashikohet edhe për rastet kur kjo ndodh nga pakujdesia, 10 deri në 20 vjet heqje lirie. Kodi aktual nuk ka asnjë nen që lidhet me shkaktimn e epidemisë”, thuhet në këtë draft.

Sipas draftit, “neni 444 sanksionon se zyrtarët publikë që nuk raportojnë sëmundjet infektive apo pandemike, sipas detyrimeve ligjore, do të përballen me gjoba apo edhe masa administrative plotësuese. Nga ana tjetër, mosrespektimi i rregullave të karantinës, urdhrave shëndetësorë apo masave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme konsiderohen në kundërshtim me ligjin dhe mund të dënohet me burg deri në 3 vjet, në varësi të rrezikut të krijuar”.

Transmetimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme duke qenë i vetëdijshëm për infektimin, do të përbëjë vepër penale që dënohet nga 2 deri në 6 vjet.

Në draftin e ri janë parashikuar masa të forta edhe për kontrollin e tregut farmaceutik. Prodhimi, importimi ose tregtimi i barnave pa leje, të skaduara, ose që paraqesin rrezik për shëndetin, do të dënohet me burgim deri në 8 vjet, në varësi të rrezikut.

Gjithashtu, mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, do të ndëshkohet me dënime që variojnë nga 2 deri në 8 vjet burgim.

Sipas draftit të Kodit të ri Penal, edhe reklamimi “mashtrues” apo shpërndarja e produkteve të dëmshme për shëndetin, veçanërisht kur i drejtohen fëmijëve apo personave vulnerabël, dënohet me gjobë ose burgim deri në 4 vite.

Nëse këto vepra penale kryhen nga personel shëndetësor, mësues, zyrtarë publikë apo punonjës të institucioneve publike, ato konsiderohen rrethana të rënduara dhe dënimi mund të rritet deri në 50%.

Nëse përgjegjëse janë kompani apo institucione, ato mund të përballen me mbyllje të përhershme, gjobë të shumëfishtë apo konfiskim të pronës dhe të ardhurave të paligjshme.

/e.i//a.f/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, deri në 8 vite burg për tregtimin e ilaçeve pa leje dhe të skaduara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bllokohen 20 mjete lundruese, shpëtohen 11 persona

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare gjatë monitorimeve për rritjen e sigurisë detare gjatë kësaj jave, ka bllokuar 20 mjete lundruese, 8 prej tyre për shkelje të perimetrit të sigurisë.

Policia e Shtetit njofton se janë shpëtuar në det 11 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.

Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, po vijon kontrollet dhe monitorimet intensive në gjithë hapësirën detare, nga Velipoja në Ksamil, si dhe në zonat liqenore e lumore, për të evidentuar shkeljet që lidhen me: përdorimin e mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës, shkeljen e perimetrit të sigurisë, zhvillimin e aktiviteteve jashtë zonave të lejuara.

Policia njofton se gjatë javës janë kontrolluar 316 mjete lundruese, nga të cilat 20 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

“Konkretisht 12 jet ski, 4 skafe, 2 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar. 8 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, nga Ksamil në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 8 raste emergjente, për t’u ardhur në ndihmë 11 shtetasve, që kishin mbetur në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: Mos shkelni perimetrin e sigurisë; Lundroni vetëm në zonat e lejuara;

Pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

/e.i//a.f/

The post Bllokohen 20 mjete lundruese, shpëtohen 11 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në një subjekt privat, ndërsa shkruan “ecim”.

Lirimi i hapësirave publike shihet si një pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”. Aksiono është i domosdoshëm për rritjen e shërbimit, funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Gjatë gjithë muajit gusht por edhe më tej, lirimi i hapësirave publike do të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të komuniteteve.

/e.i//a.f/

The post Rama ndan pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drafti i Kodit të ri Penal, OSBE: Të gatshëm për të ofruar rekomandime

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Prezenca e OSBE në Tiranë në një reagim për një media shqiptare u shpreh se nuk është përfshirë në hartimin e draftit për Kodin e Ri Penal.

Sipas reagimit, prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson rëndësinë e Kodit Penal si një ligj themelor që meriton kohë të mjaftueshme dhe një proces konsultimi të plotë.

“Megjithëse nuk kemi qenë të përfshirë në hartimin e ndryshimeve të propozuara, po shqyrtojmë draftin e disponueshëm dhe jemi të gatshëm t’u ofrojmë rekomandime konkrete qeverisë dhe parlamentit të ri, në përputhje me mandatin tonë për të mbështetur institucionet demokratike dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, thuhet në reagim.

/e.i//a.f/

The post Drafti i Kodit të ri Penal, OSBE: Të gatshëm për të ofruar rekomandime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMP arreston punonjësin e policisë, u konfliktua fizikisht me një shtetas në Dibër

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës – Dibër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë V. A., me detyrë N/Specialist në Seksionin e Hetimit dhe Zbatimit të Masava Plotësuese e Kontrollit të Territorit në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”.

Sipas njoftimit, arrestimi i tij u bë i mundur pasi nga veprimet e para hetimore, janë krijuar dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova e fakte, se punonjësi i policisë me datë 02.07.2025 rreth orës 01.30 në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, Dibër, gjatë kryerjes së detyrës është konfliktuar fizikisht duke kryer dhe veprime arbitrare në dëm të shtetasit F. K., banues në Dibër.

Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiskionit të Përgjithshëm Dibër.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.

/e.i//a.f/

The post AMP arreston punonjësin e policisë, u konfliktua fizikisht me një shtetas në Dibër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkodër, asgjësohen 16 mijë e 755 bimë kanabis

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Policia e Shkodrës bën me dije se vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave dhe rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Sipas Policisë, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, dhe si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve vartëse, në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, të dislokuara prej disa ditësh në këtë qark, kanë gjetur dhe asgjësuar 16 755 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, si dhe janë sekuestruar 320 kg degë kanabisi me boçe, të prera dhe në proces tharjeje.

“Shërbimet e Komisariatit të  Policisë Shkodër, gjatë kontrollit në terrenin e njësive administrative Pult, Shalë, Postribë dhe Shosh gjetën dhe asgjësuan 15 852 bimë të dyshuara Cannabis Sativa, si dhe sekuestruan 320 kg degë me boçe në proces tharjeje”, thuhet në njoftim.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjatë kontrollit në terrenin e njësisë administrative Kastrat gjetën dhe asgjësuan 429 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Shërbimet e Komisariatit të  Policisë Vau i Dejës gjatë kontrollit në  terrenin e njësive administrative Shllak dhe Temal gjetën dhe asgjësuan 474 bimë të dyshuara Cannabis Sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis “Koordinata” vijon me intensitet të lartë.

/e.i//a.f/

The post Shkodër, asgjësohen 16 mijë e 755 bimë kanabis appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjistrimet në arsimin profesional, Denaj: Drejtimi bujqësor, punësim i sigurt

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj njoftoi se ka nisur tashmë procesi për regjistrimet në arsimin profesional, ndërsa i ftoi të rinjtë që përfundojnë klasën e 9-të që të zgjedhin drejtimin bujqësor, për punësim të sigurt.

“Nxënësit mund të regjistrohen në një nga shkollat profesionale bujqësore që janë në 5 qarqe të vendit: Shkolla profesionale “Rakip Kryeziu”, Fier; Shkolla profesionale “Mihal Shahini”, Cërrik; Shkolla e mesme profesionale Kamëz; Shkolla Profesionale Shërbime, Korçë; Shkolla profesionale “Ndre Mjeda”, Bushat dhe shkolla profesionale “Charles Telford Erickson”, Golem”, tha Denaj.

Ministrja i ftoi të rinjtë të investojnë në dije për t’u bërë pjesë e zhvillimit të bujqësisë së qëndrueshme në Shqipëri, teksa njoftoi se, regjistrimi bëhet lehtësisht përmes portalit e-Albania, në shërbimin “Regjistrohu në klasën e dhjetë”.

Të rinjtë që mbarojnë klasën e 9-të kanë tani një mundësi për të ndërtuar një karrierë të qëndrueshme dhe të suksesshme në sektorin bujqësor, përmes arsimit profesional në një nga tre drejtimet më të kërkuara në treg: bujqësi, veterinari dhe teknologji ushqimore.

/e.i//a.f/

The post Regjistrimet në arsimin profesional, Denaj: Drejtimi bujqësor, punësim i sigurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Formalizimi i tregut ushqimor, Malaj: 103 tonë mallra të bllokuara në 20 ditë

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Aksioni për formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, si dhe për rritjen e sigurisë ushqimore, ka dhënë rezultatet e para brenda një kohe të shkurtër.

Në 20 ditë janë inspektuar 283 subjekte dhe janë bllokuar 103 tonë mallra që nuk përmbushnin standardet ligjore dhe të sigurisë ushqimore.D

Ministri i Financave, Petrit Malaj tha se “tashmë ka përfunduar faza e parë në terren, në kuadër të përpjekjes së vazhdueshme të forcimit të ligjshmërisë fiskale në sektorin e produkteve bujqësore dhe blegtorale”.

“Administrata Tatimore do të nisë fazën e dytë të monitorimit, që synon verifikimin në vazhdimësi shoqërimin e produkteve me faturë tatimore”, tha Malaj.

Sipas ministrit Malaj, qëllimi i këtij operacioni është formalizim i tregut, rritje e sigurisë ushqimore dhe mbrojtje e konsumatorit.

“Zero tolerancë ndaj subjekteve, pjesë e zinxhirit të tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, që nuk respektojnë ligjin”, u shpreh Malaj.

Objektivat e aksionit përfshijnë formalizimin e tregut të produkteve bujqësore dhe blegtorale, rritjen e sigurisë ushqimore për konsumatorin, gjurmueshmërinë e produkteve nga ferma në tryezë, si dhe mbrojtjen e fermerëve dhe prodhuesve të ndershëm.

Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të intensifikohen në ditët në vijim në të gjithë territorin e vendit.

/e.i//a.f/

The post Formalizimi i tregut ushqimor, Malaj: 103 tonë mallra të bllokuara në 20 ditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kishin humbur në malin e Qerretit, Policia shpëton dy turistet holandeze

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë iu shkuan në ndihmë dy turisteve nga Holanda, të cilat kishin humbur rrugën në malin e Qerretit dhe nuk po orientoheshin dot.

Polica në një njoftim për mediet, bën me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë janë nisur në drejtim të malit të Qerretit menjëherë pas marrjes së njoftimit, për të lokalizuar dhe ndihmuar turistet që kishin humbur orientimin.

Policia njofton se pas disa orësh kërkime nga punonjësit, është bërë e mundur gjetja e turistëve holandeze, ku shtetasja K. D. kishte pësuar disa dëmtime të lehta, pasi ishte rrëzuar gjatë ecjes në mal.

Turistet falënderuan punonjësit e Policisë për gatishmërinë dhe ndihmën e dhënë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër vijon të jetë maksimalisht e angazhuar për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin vendin tonë.

/e.i//a.f/

The post Kishin humbur në malin e Qerretit, Policia shpëton dy turistet holandeze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Energji pushimesh në Gjirin e Gramës

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Gjiri i Gramës, një nga plazhet më spektakolare të jugut të Shqipërisë, tërheq çdo vit mijëra turistë vendas dhe të huaj, është ndër atraksionet absolute të pushimeve për turistët e huaj, por edhe ata vendas.

I fshehur në vijëzimin bregdetar të Karaburunit, Gjiri i Gramës është një destinacion i preferuar për pushuesit që zgjedhin bregdetin e jugut të Shqipërisë gjatë sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një grupi pushuesish që shijojnë ujërat e kaltra të Gjirit të Gramës, ndërsa kanë ngritur çadra kampingu në rërën e plazhit.

“Dhe me këtë energji pushimesh nga Gjiri i Gramës”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

Gjiri i Gramës gjendet në rrëzën e shpatit perëndimor të malit Rrëza e Kanalit, në perëndim të qytezës së Orikumit (Vlorës).

Gjiri detar futet disa qindra metra në tokë, ku formon një bregdet shkëmbor me foleza. Aty ka dhe disa shpella nënujore.

Peizazhi natyror është shumë tërheqës për çdo vizitor. Ky gji është përdorur shumë për mbrojtjen e anijeve nga stuhitë detare.

Gjithashtu ai është përdorur gjatë në Antikitet si gurore. Gurorja e Gramës është mjaft e njohur që në lashtësi.

Detarët që strehonin aty anijet, punëtorët që nxirrnin blloqe shkëmborë që përdoreshin për ndërtim në qytetet ilire e më gjerë, kanë gdhendur edhe emrat në faqet shkëmbore e shumë të dhëna të tjera që bëjnë kureshtar vizitorin.

Ndaj dhe shpesh shpella që ndodhet aty emërtohet si “Shpella e shkrimeve”. Arkeologët i kanë studiuar dhe kanë shkruar për këto dokumente historike të gdhendura në shkëmb.

Vlerat e këtij monumenti natyror janë shkencore, historike, kulturore e turistike. Por sot ky gji i bukur detar shfrytëzohet si një plazh i vogël e intim. Drejt tij shkohet me rrugë tokësore, por edhe detare. Shfrytëzohet nga aventurierët e ujit dhe të shpellave.

/e.i//a.f/

The post Rama: Energji pushimesh në Gjirin e Gramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aplikimet për universitet, Manastirliu: Sot, dita e fundit për të përzgjedhur 10 programet e studimit

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Të gjithë maturantët, të cilët duan të vijojnë studimet e larta në universitete, sot, 3 gushti është afati i fundit që të aplikojnë për programet që dëshirojnë të ndjekin përmes portalit “U-Albania”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu u ka kujtuar të gjithë maturantëve në një postim në rrjetet sociale se “sot është dita e fundit për të përzgjedhur 10 programet e studimit në raundin e parë të aplikimit në universitetet tona”.

Më herët, ministrja Manastirliu bëri me dije se procesi i aplikimit dhe regjistrimit realizohet online në portalin universitar “U-Albania”.

Kandidatët, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin “U-Albania”.

Pagesa kryhet deri në datën 28 korrik 2025. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 28 korrik, në portalin “U-Albania”.

Më tej, realizohet aplikimi online dhe për këtë periudha e përcaktuar është 29 korrik deri në 3 gusht. Në këtë periudhë, maturantët zgjedhin 10 programe studimi.

Më 29 gusht deri në 11 shtator është faza e regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, ndërsa do të ketë publikim real të renditjes, që do të bëhet në 7 faza 48-orëshe përgjatë 14 ditëve.

Në fund është faza e çregjistrimit, për të cilën është caktuar një kohëzgjatje dyditore, nga 12-13 shtator.

/e.i//a.f/

The post Aplikimet për universitet, Manastirliu: Sot, dita e fundit për të përzgjedhur 10 programet e studimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rama ndan pamjet: Thethi, kurora e artë e Shqipërisë

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Pas aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje, Thethi vijon të mbetet destinacioni turistik që përmbush pritshmëritë e turistëve dhe vizitorëve me panoramat e rralla që ofron.

Së fundmi, po kthehet në trend zgjedhja për shumë çifte që duan një ceremoni martesore të veçantë, mes ajrit të pastër të Alpeve Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama, e konsideron Thethin, si kurorën e artë të Shqipërisë, ndërsa ndau sot pamje të një ceremonie martesore të zhvilluar në qendër të Thethit, në kishën ikonike të fshatit turistik.

Zona përpara kishës së famshme në Theth, i është rikthyer tashmë komunitetit dhe banorëve, ndërsa po kthehet edhe në një gjetje për organizimin e eventeve të ndryshme.

IKMT prishi mbi 100 struktura pa leje të ndërtuara nga 40 subjekte në Theth.

I ndodhur 70 km larg Shkodrës, Thethi është një nga destinacionet më të preferuar të turistëve në të gjitha stinët, por veçanërisht gjatë sezonit të verës.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

/e.i/

The post Rama ndan pamjet: Thethi, kurora e artë e Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Aksion pastrimi në aksin Gjirokastër-Tepelenë

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Minstrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot pamje nga aksioni për pastrimin e aksit kombëtar, Gjirokastër-Tepelenë.

Ministrja Kumbaro tha se “rruga nuk është kosh”, ndërsa theksoi se po vazhdon lufta me mbetjet edhe në akset kombëtare.

Kumbaro u shpreh se “anët e rrugëve shndërrohen në kosha plehrash për mbetjet e të paudhëve që nuk u dhimbset shëmtia dhe dëmi që shkaktojnë”.

Ministrja Kumbaro cilësoi se aksi Gjirokastër-Tepelenë përshkohet nga mijëra udhëtarë e vizitorë çdo ditë, teksa ritheksoi thirrjen që të denoncohet në Policinë e Shtetit çdo rast i ndotjes nga makinat, pasi çdo ndotje është krim mjedisor”.

/e.i/j.p/

The post Kumbaro: Aksion pastrimi në aksin Gjirokastër-Tepelenë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Balluku: Nga sot, masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Dita e djeshme, 31 korrik ishte edhe afati i fundit për lirimin vullnetar të hapësirave nga subjektet e vendosura pranë akseve kombëtare, duke respektuar distancat e përcaktuara në ligj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot se për tetë ditë është zhvilluar një fushatë këshillimore nga ARRSH dhe IKMT, duke pasur edhe raste konkrete të bashkëpunimit të subjekteve me trupat në terren.

“Mjafton t’ju tregoj një rast në aksin rrugor Kombinat-Plepa, ku subjekti ka ndërmarrë tërheqjen dhe respektimin e distancës nga trupi i aksit kombëtar, si dhe sistemimin estetik të zonës ku operon. Ky është një shembull i mirë për t’u ndjekur kudo”, tha Balluku.

Balluku, gjithashtu, përgëzoi të gjithë subjektet që operojnë në aksin nga Gjirokastra në Levan, pasi pas inspektimeve atje me inxhinierët e ARRSH-së dhe inspektorët e IKMT-së, nuk është evidentuar asnjë shkelje në këtë territor.

“Bëjmë me dije se nga ky moment IKMT, mbështetur nga Policia e Shtetit, do të ndërmarrë masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare. Çka po ndodh sot në territorin e Shqipërisë, nuk është një aksion kundër tendave, ashtu siç thuhet, është një reformë e thellë për lirimin e hapësirave publike dhe respektimin e rregullave dhe ligjeve të mbrojtjes së territorit në Republikën e Shqipërisë”, vijoi Balluku.

Zëvendëskryeministrja nënvizoi se bëhet fjalë për një “reformë që nuk lë jashtë vëmendjes as tendat, as oborret e përbashkëta të pallateve të zaptuara e të kthyera në parkingje dhe as TEC-et e ndërtuara në mënyrë të paligjshme në territoret e vendburimeve shqiptare, pavarësisht mohimit qesharak të ekzistencës së tyre apo mbrojtjes akoma më qesharake nga segmente të paguara për të goditur të mirën publike”.

Balluku falënderoi qytetarët pë bashkëpunimin, të cilin ajo e cilësoi si të shkëlqyer gjatë gjithë kësaj periudhe, ndërsa i inkurajoi ata që të vijojnë denoncimet, në vazhdim edhe përmes një platforme të dedikuar, platforma ‘Hapësira ime’ që është njoftuar nga Kryeministri, Edi Rama.

Në fund të mesazhit, Balluku i siguroi qytetarët se të gjitha institucionet janë në krye të detyrës në çdo skaj të vendit për të garantuar cilësisht shërbime më të mira për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e shumë të huaj që ndodhen këtë sezon në vendin tonë.

/e.i/

The post Lirimi i hapësirave publike, Balluku: Nga sot, masa konkrete për respektimin e distancave nga akset kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Synojmë krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se Qeveria Shqiptare synon ndërtimin e një konsorciumi për vajin e ullirit, duke bashkuar 50 fermerë dhe prodhues të vajit në një brand shqiptar.

Në një takim me autoritetet lokale të bashkive në Berat, përfaqësues të biznesit të vajit të ullirit dhe ekspertë teknikë nga Banka Botërore, Denaj tha se u diskutua për krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”.

Sipas Denajt, ky është një financim nga Qeveria Shqiptare, që synon bashkimin e 50 fermerëve prodhues të ullirit dhe vajit të ullirit në qarkun Berat dhe zonat përreth.

“Objektivi është krijimi i një brendi shqiptar për një nga produktet më autoktone, prodhim me vlerë, cilësi dhe të bashkuar”, u shpreh Denaj.

Ministrja Denaj tha se në këtë takim u ndanë edhe hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit bujqësor në të gjithë Shqipërinë, me 5 bashki pilot për konsorciume të ngjashme në qarqet Fier, Gjirokastër, Elbasan, Lezhë dhe Vlorë.

“Një model bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe fermerëve për të forcuar ekonominë rurale, kapërcyer prodhimin individual dhe garantuar akses më të madh në financim dhe të ardhura për fermerët”, vijoi ajo.

Denaj nënvizoi se të pranishmit u ndalën edhe te Skema Kombëtare e Investimeve 2025, aplikimet e së cilës janë të hapura deri më 30 shtator për investime në sektorin bujqësor me 9 masa mbështetëse.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj në një takim me Ervin Demon dhe kryetar...
1 nga 20

/e.i/

The post Denaj: Synojmë krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali përkujton Ndre Mjedën: Vepra e tij, gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spirali nderoi sot kujtimin e Dom Ndre Mjedës, i ndarë nga jeta më 1 gusht 1937.

Spiropali e konsideroi Mjedën, si një prej figurave të ndritura të Rilindjes Kombëtare, që i dha kulturës dhe gjuhës shqipe forcë, bukuri, pasuri e dinjitet.

“Vepra e Ndre Mjedës është një gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar, një zë zgjues i ndërgjegjes së shtypur të shqiptarëve, një mbrojtës si rrallëkush i kulturës dhe i gjuhës sonë. Si mësues, poet, përkthyes, klerik dhe atdhetar, me mendje të ndritur e zemër të naltësuar prej idealeve të shqipes, dijes e lirisë, Ndre Mjeda i shërbeu me dashuri kombit dhe kulturës shqiptare”, tha Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Ndre Mjeda ishte anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, në Kongresin e Manastirit, në vitin 1908.

Spiropali tha se trashëgimia e Ndre Mjedës mbetet e gjallë edhe përmes vargjeve të tij plot muzikalitet, elegancë e atdhedashuri, ndërsa ndau një nga poezitë më të njohura të Mjedës, “Gjuha Shqipe”:

Nji kto gjuhë që jam tue ndie,

jan’ të bukra me themel,

por prap’ kjo, si diell pa hije,

për mue t’tanave iu del.

/e.i/j.p/

The post Spiropali përkujton Ndre Mjedën: Vepra e tij, gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim 6 persona për vepra të rënda penale

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një grup të strukturuar kriminal dhe ka dërguar për gjykim 6 persona të dyshuar për vepra të rënda penale.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, gjashtë personat që dërgohen për gjykim janë Albert Zaja, Edison Muceku, Elvis Ndreca, Armando Ndreca, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli.

Veprat e rënda në të cilat këta persona janë përshirë, sipas SPAK janë nga tentativë për vrasje ndaj Durim Bamit dhe Ervin Kodrës, te trafiku i drogës dhe tregtia e armëve.

Albert Zaja akuzohet për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, me pasojë plagosjen e shtetasve Durim Bami dhe Ervin Kodra, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Edison Muceku, i arrestuar në Mbretërinë e Bashkuar më 10.01.2025 dhe ekstraduar në Shqipëri më 28.03.2025, akuzohet për sigurim të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Hamza Terziu, grup të strukturuar kriminal.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, provohet se më 4 nëntor 2020 tek Ura e Tapizës, Fushë Krujë – Albert Zaja dhe persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri shtetasit Durim Bami dhe Ervin Kodra.

Nga aktet hetimore provohet se më datë 01.02.2021, rreth orës 10:00-11:00, në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, te vendi i quajtur “rrotontua e Sheqit” është vrarë me armë zjarri shtetasi Shkëlzen Brahim Kastrati, i cili ka qenë duke udhëtuar me mjetin tip Benz me targa AA 871 AN.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e SkyEÇ të zhvilluara mes anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal, ka dalë në pah organizimi i këtyre shtetasve me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasit Kelmend Kastrati, por kanë lajthitur në objekt dhe kanë vrarë shtetasin Shkëlzen Kastrati.

Gjatë hetimit janë evidentuar personat e interesuar dhe porositës, si dhe personat që janë angazhuar për lokalizimin e këtij shtetasi dhe ekzekutorët, ku njëri nga ekzekutorët është dënuar për këtë ngjarje me vendim penal të formës prerë nr. 62-2023-1137 (160), datë 04.04.2023, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

Nga hetimi nuk u arrit të provohej që të pandehurit Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa të ishin bashkëpunëtorë të këtij grupi të strukturuar kriminal dhe të kishin marrë pjesë në realizimin e veprave penale.

Për anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal të identifikuar apo paidentifikuar nga ana jonë, të përfshirë në vrasjen me armë zjarri më datë 01.02.2021 të shtetasit Shkëlzen Kastrati, po vazhdojnë hetimet paraprake në lidhje me procedimin penal nr.59 të vitit 2022, nga i cili është ndarë dhe procedimi penal nr.59/2, i vitit 2022.

/e.i/j.p/

The post SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim 6 persona për vepra të rënda penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria, paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarret

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, gjatë një takimi koordinues, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, tha se ky takim bëhet për dy qëllime: vlerësimin e gatishmërisë operacionale për Emergjencat Civile dhe vlerësimin e dëmeve dhe përgjigjes që duhet të marrin banorët e prekur, veçanërisht në sektorin e blegtorisë.

Vengu tha se “gjatë muajit korrik kemi pasur 59 zjarre masive dhe një mori zjarresh më të vogla në zonat e banuara apo rurale. Në total, mbi 29 mijë sipërfaqe hektarë e djegur”.

“Na rezulton që qarqet më të prekura janë Vlora me 17 500 hektarë, pasuar nga Dibra me 4524 hektarë, Tirana 2400 hektarë dhe Berati 1500 hektarë. Pavarësisht se në të kaluarën mund të kemi pasur vite me më shumë sipërfaqe të djegura, rekordi historik për Shqipërinë është në vitin 2007 me 127 mijë hektarë të djegur. Deri në vitin 2024 sezonet verore kishin 6 zjarre në javë, ndërsa këtë vit ka pasur 13 zjarre në javë”, tha Vengu.

Ministri Vengu bëri me dije se në operacionet për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar në total 14 200 vetë, dy mijë mjete të specializuara dhe 63 operacione nga ajri, në të cilat janë përfshirë 4 helikopterë nga forcat shqiptare, dy nga forcat hungareze, dy Canader nga Italia, dy nga Greqia dhe një nga Kroacia.

“Nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë mjete ajrore në dispozicion dhe ne do vijojmë të investojmë në rinovimin e flotës tokësore dhe ajrore. Janë evituar fatkeqësitë në jetë njerëzish dhe dëmet e tjera. Na rezultojnë të prekura 12 banesa, 3 stane, një objekt kulti dhe një nënstacion energjie”, vijoi ai.

Vengu tha se bashkitë e prekura nga pasojat e zjarreve në vend duhet të vijojnë sa më shpejt me vlerësimin e dëmeve, sa rrënjë ullinj, sa kullota, sa dëme ka pasur në zonat e mbrojtura, etj.

Ministri Vengu u ndal edhe te rëndësia e bashkërendimit mes forcave të reagimit vendor dhe atyre qendror siç janë Forcat e Armatosura, batalioni mbështetës i Emergjencave Civile dhe dy regjimentet, ai i veriut dhe i jugut.

“Në të kaluarën kishim konstatuar një lloj varësie ekstreme të bashkive ndaj reagimit të kapaciteteve qendrore. Pasi rakorduam me Komitetin Kombëtar të Emergjencave Civile, udhëzuam prefektët dhe bashkitë që të rrisnin gatishmërinë vendore dhe të rezervonin angazhimin e Forcave të Armatosura në zonat e banuara, infrastrukturën kritike dhe zonat e mbrojtura”, pohoi Vengu.

“Mekanizmi evropian që mobilizuam na dha një mbështetje edhe në kufizimin e vatrave në Zonat e Mbrojtura si në Lurë dhe Llogora. Ky bashkërendim dhe reagim gjakftohtë në qarqe si Shkodra, Lezha, Korça, Fieri, Gjirokastra na dha mundësinë që Forcat e Armatosura të përqendroheshin në Dibër, Berat, dhe Vlorë, që të evitonim situata më dramatike”, vijoi ai.

Ministri i Mbrojtjes e cilësoi këtë si një leksion të vyer të muajit korrik, që duhet vazhduar me të njëjtën vigjilencë edhe gjatë muajit gusht.

Vengu tha se po vijon puna për forcimin e zinxhirit të reagimit në Emergjencat Civile, ndërsa shtoi se po investohet në ngritjen e katër qendrave rajonale për t’i dhënë mundësi bashkive që të përqendrohen në elementët zjarrfikës urbanë dhe periurbanë.

“Këto qendra rajonale do të marrin përsipër mbulimin në zonat rurale, pyjore dhe malore ku kemi rrezikshmëri më të lartë. Kemi evidentuar dy zona, Bushatin që do mbulojë zonën e nën Shkodrës, Shëngjinin, Velipojën, Lezhën dhe për jugun, zonën e Kranesë në Finiq. Investimi ka filluar dhe do të jetësohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa do të ketë edhe rinovim të flotës së dedikuar në këto qendra rajonale”, tha Vengu.

“Do jenë qendra me kapacitet për të ulur helikopterët, për t’i furnizuar ato, ndërsa po punojmë edhe për të evidentuar dy ish-reparte për ngritjen e dy qendrave të tjera për një mbulim rajonal të lindjes dhe juglindjes së vendit”, pohoi Vengu, ndërsa theksoi se këto investime janë të buxhetuara dhe në proces.

Ministri Vengu u shpreh se do të ketë një rinovim edhe të flotës zjarrfikëse në mbarë vendin.

“Një leksion tjetër i korrikut janë edhe Llogoraja dhe Dukati, ku kishte një monitorim me kamera termike 24 orë, një rrjet kamerash që duhet ta shtrijmë në të gjitha pikat me rrezikshmëri të lartë nga zjarret në vend”, cilësoi Vengu.

Vengu u ndal edhe te rëndësia e kapaciteteve njerëzore, vullnetarët, teksa shtoi se banorët e zonave të prekura janë të parët që kanë elementin e reagimit të shpejtë duke ndihmuar zjarrfikësit vendorë apo qendrore në operacionet e tyre për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ministri Vengu u shpreh se ky rrjet vullnetarësh duhet të sanksionohet dhe strukturohet që të ketë shtrirje në mbarë vendin.

/e.i/r.e/

The post Qeveria, paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌