Sherr me sende të forta në shëtitoren e Sarandës, shpallen në kërkim 5 shtetas italianë
TIRANË, 25 korrik/ATSH/ Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim pesë shtetas italianë, pas një konflikti të dhunshëm fizik të ndodhur në shëtitoren e qytetit, mëngjesin e datës 24 korrik, rreth orës 01:30.
Policia e Sarandës sqaron se në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, që pasqyron një konflikt fizik mes disa shtetasve në shetitoren e Sarandës, ngjarja ka ndodhur më datë 24.07.2025, rreth orës 01:30, dhe menjëherë pas saj, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë nisur veprimet procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj të plotë ligjor.
Në njoftimin zyrtar, thuhet se nga hetimet ka rezultuar se dy grupe shtetasish italianë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, ku kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe sende të forta.
“Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, dhe u bë shpallja në kërkim për shtetasit italianë: G. T., 23 vjeç, M. A., 20 vjeç, S. D., 60 vjeç, A. L., 19 vjeç, S. B., 19 vjeç, të gjithë banues në Napoli, Itali”, thuhet në njoftim.
Policia nënvizon se këta 5 shtetas janë konfliktuar dhe kanë goditur me sende të forta shtetasit italianë G. M., 19 vjeç, F. D., 22 vjeç, L. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Avelino, Itali.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori edhe për shtetasin italian E. G., i cili nga verifikimet rezultoi se ushtronte aktivitet të paligjshëm për shitje biletash për festa, pa lejen përkatëse, si dhe kishte punësuar në këtë aktivitet shtetas të pasiguruar.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë vijojnë veprimet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.
/e.i/j.p/
The post Sherr me sende të forta në shëtitoren e Sarandës, shpallen në kërkim 5 shtetas italianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.