Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Main stream

Çmimet e reja të referencës, MF publikon hartat

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Ministria e Financave publikoi sot për konsultim publik projektvendimin për metodologjinë, rregullat dhe procedurat për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, si dhe për llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj.

Në projektvendim propozohen ndryshimet e çmimeve të referencës për të gjitha qarqet e Shqipërisë, përjashtuar 32 zonat kadastrale të Tiranës dhe njësitë administrative, çmimet e të cilave ndryshuan në muajin korrik 2023.

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme është një nga burimet më të rëndësishme të financimit për njësitë e qeverisjes vendore, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim.

Në Shqipëri, kjo taksë ka një rol të veçantë për bashkitë, por të ardhurat që ajo gjeneron mbeten ende të ulëta në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe me vendet e zhvilluara.

Aktualisht, taksa mbi pasurinë e paluajtshme përfaqëson vetëm 0,3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa mesatarja rajonale është 0,8% dhe ajo e vendeve të OECD-së shkon në 1,1%.

Për të përballuar sfidat që lidhen me mbulimin e kostove në rritje të shërbimeve publike dhe për të forcuar autonominë financiare të bashkive, Ministria e Financave thotë se ka ndërmarrë këtë reformë për përmirësimin e sistemit të taksimit mbi ndërtesat.

Kjo nismë, sipas saj, synon ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm, transparent dhe të drejtë të taksimit të pasurive të paluajtshme, duke kontribuar në rritjen e të ardhurave vendore dhe zhvillimin më të balancuar urban.

“Reforma është në linjë me rekomandimet e organizatave ndërkombëtare si FMN dhe partnerë të tjerë zhvillimi, të cilët kanë theksuar rëndësinë e kësaj takse për drejtësinë fiskale dhe përmirësimin e efikasitetit të qeverisjes vendore”, thekson MF.

Që prej vitit 2018, në Shqipëri taksa mbi ndërtesat llogaritet mbi bazën e vlerës së pronës (sistem ad valorem), çka përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm drejt një sistemi më të drejtë dhe më të barabartë për taksapaguesit. Megjithatë, në praktikë, ky sistem përballet ende me sfida serioze, përfshirë administrimin e dobët, mungesën e të dhënave të sakta dhe mospërputhjen mes çmimeve referuese dhe atyre reale të tregut.

Për të adresuar këtë situatë, është përgatitur një projektvendim për përditësimin e çmimeve mesatare referuese për banesat në 12 qarqe të vendit, pa përfshirë bashkinë Tiranë. Këto çmime janë rezultat i një pune të koordinuar nga një grup ndërinstitucional i ngritur me urdhër të Kryeministrit, i cili synon të afrojë çmimet referuese me realitetin e tregut. Gjatë kësaj pune, qytetet janë ndarë në zona të ndryshme dhe janë hartuar harta përkatëse ku përcaktohet çmimi mesatar për metër katror banimi për çdo zonë. Ky përditësim synon të sigurojë një bazë më të saktë për llogaritjen e taksës mbi ndërtesat dhe do të kontribuojë në ndërtimin e një sistemi më të drejtë dhe më të miradministruar të taksimit të pasurisë së paluajtshme.

Procesi i përcaktimit të çmimeve është bazuar në një metodologji të qartë dhe të detajuar. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka mbledhur të gjitha kontratat e shitblerjeve të apartamenteve dhe ndërtesave për periudhën 2022-2024, duke përfshirë të dhëna si zona, numri i pasurisë, sipërfaqja në metra katrorë, vlera e kontratës dhe data e saj. Vlerat e shprehura në monedhë të huaj janë konvertuar në lekë me kursin mesatar të periudhës përkatëse dhe për çdo kontratë është llogaritur çmimi për metër katror. Më pas, të dhënat janë organizuar sipas bashkive dhe ndarë në blloqe, që janë njësitë më të vogla me të dhëna digjitale të disponueshme. Nga analiza janë përjashtuar kontratat me vlera jo realiste apo nën çmimin referencë.

Përpunimi ka përfshirë edhe analizën e të dhënave hartografike, duke përdorur harta digjitale të regjistrimit fillestar të zonave dhe duke i lidhur me të dhënat alfanumerike përmes numrit të bllokut. Rezultatet janë paraqitur në formate digjitale (.shp dhe .kmz), ku për çdo bllok që përmban transaksione pasqyrohen numri i kontratave dhe çmimi mesatar për metër katror.

Ndarja zonale për përcaktimin e çmimeve është bërë në bazë të disa kritereve që marrin në konsideratë karakteristikat e qyteteve dhe ndikimin që kanë në çmimin e banesave. Afërsia me qendrën e qytetit, që lidhet me kërkesën më të lartë për prona dhe zhvillimin ekonomik më të përqendruar, është një ndër kriteret kryesore. Po ashtu janë marrë në konsideratë edhe afërsia me polet e zhvillimit strategjik, si zona ku priten investime të rëndësishme që mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve. Një tjetër faktor është afërsia me rrugët kryesore të aksesit në qytet, që ndikon në vlerën e pasurive për shkak të lidhjeve më të mira të transportit. Zonat historike, për shkak të vlerave arkitekturore dhe urbanistike, gjithashtu përbëjnë një element të rëndësishëm në ndarjen zonale. Për qytetet bregdetare është marrë në konsideratë afërsia me vijën bregdetare, duke qenë se këto zona kanë potencial më të lartë turistik dhe prirje më të lartë për zhvillim të tregut imobiliar.

1 nga 5

/r.e/

The post Çmimet e reja të referencës, MF publikon hartat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rivlerësimi i pronës në 2026-n me tatim 5%, procedura që duhet ndjekur

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Qeveria ka propozuar një projektligj të ri “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, i cili parashikon një periudhë të re për rivlerësimin e pronave nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, me tatim të reduktuar 5% mbi vlerën e rivlerësuar.

Kjo përqindje është më e ulët se normat standarde të tatimit që aplikohen në mungesë të rivlerësimit, dhe ka si qëllim të nxisë formalizimin e tregut dhe deklarimin real të vlerave gjatë shitblerjes së pronave.

Përmes këtij procesi, qytetarët dhe subjektet juridike do të kenë mundësinë të përshtatin vlerën e pronave të tyre me çmimet aktuale të tregut, duke shmangur kështu ndryshimet e mëdha midis vlerës së regjistruar dhe asaj reale.

“Përfitues janë qytetarët që posedojnë pasuri të regjistruara ose në proces regjistrimi, subjektet juridike që duan të përshtasin pasqyrat financiare me vlerat reale të pasurive të tyre, si dhe pronarët që planifikojnë shitjen e pronës dhe duan të reduktojnë barrën tatimore”, thuhet në relacionin shoqërues të projektligjit.

Procesi i rivlerësimit do të jetë i thjeshtuar dhe do të zhvillohet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Pronarët do të duhet të dorëzojnë kërkesën për rivlerësim brenda afatit të përcaktuar, të sigurojnë një vlerësim të pronës bazuar në çmimet referuese ose nga ekspertë të licencuar, dhe më pas të kryejnë pagesën e tatimit prej 5% mbi diferencën e krijuar nga rivlerësimi. Vetëm pas pagesës, vlera e re do të regjistrohet zyrtarisht.

Kjo nismë synon të përmirësojë ndjeshëm saktësinë e regjistrave të pasurive të paluajtshme, të rrisë transparencën në transaksionet e pasurive, dhe të shmangë fenomenin e deklarimeve fiktive të vlerave të ulëta në momentin e shitblerjes.

Sipas Ministrisë së Financave, përvoja e mëparshme nga aplikimi i ligjeve të ngjashme, ka treguar se ekziston një interes i lartë nga qytetarët për të përfituar nga mundësia e rivlerësimit të pasurisë, çka është reflektuar në rritjen e ndjeshme të numrit të aplikimeve dhe transaksioneve të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Ndërkohë, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se çmimet e banesave, në rang vendi, kanë shënuar rritje të konsiderueshme. Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 16,9%, ndërsa në gjashtëmujorin e dytë me 23,6%.

“Kjo tendencë rritëse, krahasuar me periudhën e fundit të rivlerësimeve në vitin 2022, e bën të domosdoshëm një përditësim të vlerës së pasurive të paluajtshme në përputhje me realitetin e tregut”, thuhet në relacion.

Ky projektligj do të ketë gjithashtu ndikim pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit, përmes rritjes së të ardhurave nga tatimi mbi rivlerësimin i cili propozohet të jetë në normën 5%, pa patur nevojë për ndryshime të normave tatimore ekzistuese. Kjo e bën atë një instrument efikas dhe të qëndrueshëm për politikën fiskale.

Kjo është hera e katërt që po zbatohet rivlerësimi i pronave me norma të reduktuara.

1 nga 2

/r.e/

The post Rivlerësimi i pronës në 2026-n me tatim 5%, procedura që duhet ndjekur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 July 2025Main stream

Villeroy & Boch tërheq gotat për fëmijë nga tregu për rrezik lëndimi

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Në një njoftim të fundit, kompania Villeroy & Boch AG ka kërkuar tërheqjen urgjente të gotave për fëmijë nga disa koleksione të saj, për shkak të një rreziku sigurie që mund të shkaktojë lëndime.

Kjo thirrje prek disa produkte nga koleksionet “Hungry as a Bear”, “Happy as a Bear”, “Roar like a Lion” dhe “Walk like an Elephant”.

Sipas njoftimit të kompanisë, gotat mund të thyhen lehtësisht, edhe kur ushtrohet një presion i vogël, dhe ky problem mund të çojë në lëndime nga thyerja e qelqit. Shkaku i këtij rreziku lidhet me tensionin e lartë të krijuar në qelqin e papërpunuar gjatë procesit të prodhimit.

Numrat e artikujve të prekur përfshijnë: 14-8665-7458, 14-8664-7458, 14-8673-7458, dhe 14-8674-7458.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, (ISHMT) bën të ditur se po monitoron me vëmendje shpërndarjen e këtyre produkteve dhe është angazhuar për të siguruar një tërheqje të shpejtë dhe të plotë të tyre nga qarkullimi.

Për konsumatorët që kanë blerë këto gota, autoritetet rekomandojnë që ato të mos përdoren më dhe të kthehen menjëherë në pikën e shitjes, ku do të ofrohet një rimbursim i plotë, edhe nëse nuk disponohet fatura e blerjes. /j.p/

The post Villeroy & Boch tërheq gotat për fëmijë nga tregu për rrezik lëndimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përzgjedhja e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot testi me shkrim

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) u zhvillua sot faza e tretë e garës për përzgjedhjen e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.

Kandidatët në garë janë Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.

Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.

Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin.

Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës.

Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të rendisë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.

Testi i ardhshëm është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës. /j.p/

The post Përzgjedhja e drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, sot testi me shkrim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria ushqimore, bllokohen 63 tonë produkte pa faturë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Aksioni kombëtar për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore, i shtrirë tashmë në qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Lezhë dhe Korçë, po vijon me intensitet të lartë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përgjatë 9 ditëve nga nisja e aksionit janë ushtruar 151 kontrolle dhe janë bllokuar 63 tonë produkte bujqësore e blegtorale pa faturë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka apeluar tatimpaguesit për zbatimin e ligjeve tatimore, duke kërkuar lëshimin e faturave fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor.

Ky aksion është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Financës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe strukturave përkatëse, për të formalizuar sektorin bujqësor dhe për të forcuar kontrollin mbi sigurinë ushqimore.

Objektivi kryesor është garantimi i përfshirjes së fermerëve në tregun formal, duke siguruar gjurmueshmërinë e produkteve, faturimin tatimor dhe identifikimin e prodhuesve me NIPT.

The post Siguria ushqimore, bllokohen 63 tonë produkte pa faturë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UBT me programe të Universitetit BOKU të Vjenës, Rama: Burim i profesionistëve për sfidat e integrimit në BE

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Universiteti Bujqësor i Tiranës do të shndërrohet në burim i njohurive dhe profesionistëve për sfidat e zhvillimit dhe integrimit në BE

Rama ishte sot në Universitetin Bujqësor të Tiranës ku u prezantuan 9 programet që UBT ofron duke nisur nga ky vit janë sipas modelit BOKU.

Ai theksoi se me anëtarësimin në BE, numri i profesionistëve që vijnë nga fushat që mbulon UBT dhe që duhet të rreshtohen në frontin e shtetit shqiptar duhet të jetë shumë më i madh se ai i juristëve.

“Duhet një staf profesionistësh që të dinë se për çfarë bëhet fjalë, çfarë nevojash ka vendi, si të monitorojnë dhe rimodelojnë zhvillimet”, theksoi Rama.

Rama theksoi se mungesa e ujit dhe konfliktet për burimet po kthehen në probleme serioze, madje edhe midis shteteve, me mbi dy miliardë njerëz që përballen me mungesë të ujit.

“Në këtë kontekst, na duhen njerëz të ditur për të menaxhuar teknologjitë e reja që po zhvillohen me shpejtësi të madhe, si satelitët, dronët, përpunimin e imazheve, analizën e të dhënave dhe kërkimet shkencore mbi to. Jemi në kohë, por jemi gjithashtu në një sfidë të madhe kohore. Fatkeqësitë natyrore dhe menaxhimi i rrezikut nuk mund të trajtohen më me mendësinë “fajin e ka qeveria”, sepse për të kapërcyer këto fatkeqësi duhen investime në infrastrukturë dhe kapacitete të shteteve, qeverive dhe institucioneve vendore për zgjidhje të integruara ndërdisiplinore që bashkojnë shkencën, inxhinierinë, ekonominë, politikën dhe njohjen e territorit”, deklaroi Rama.

Në këtë drejtim, shtoi ai, stafi i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i drejtuar nga rektori Sallaku, në bashkëpunim me BOKU, profesorë të të cilit kanë zbarkuar disa herë në Tiranë dhe janë shumë entuziastë nga kjo eksperiencë, po mbjellin një territor me fidanë të rinj dijesh dhe profesionesh.

Në kapitujt e negociatave për anëtarësimin në BE, Rama theksoi se bujqësia dhe zhvillimi rural janë një kapitull i veçantë dhe sfidues.

“Pedagogët që merren me pjesën e direktivave europiane e dinë shumë mirë se mjedisi dhe ndryshimet klimatike janë kapituj me vete, siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitoanitare janë gjithashtu kapituj të ndarë, ashtu si edhe ujrat dhe menaxhimi i mbetjeve. Të gjitha këto janë shqetësime madhore për një vend si Shqipëria”, tha Rama.

Problemi nuk është që të tjerët i kanë zgjidhur, shtoi Rama, por se ne kemi nevojë për dije, për njerëz të ditur, dhe baza për këtë është ky universitet.

“Kjo nuk bëhet me “miell të huaj”, sa do të marrim ekspertë dhe ndihmë nga jashtë. Na duhet ky brumë, kjo furrë që po bëhet gati për ta pjekur, dhe prurjet janë shumë të rëndësishme. Është interes kombëtar dhe prioritet mbështetja pa rezervë e kësaj reforme dhe e këtij universiteti”, deklaroi Rama. /j.p/

The post UBT me programe të Universitetit BOKU të Vjenës, Rama: Burim i profesionistëve për sfidat e integrimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Linjë e re 35 kV dhe riparim nënstacionesh në Elbasan, 599 milionë lekë investim i OSSH-së

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Një projekt i rëndësishëm energjetik që parashikon ndërtimin e një linje të re 35 kilovolt dhe rikonstruksionin e disa nënstacioneve në rajonin e Elbasanit pritet të vihet në zbatim së shpejti.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë shpalli kontratën për realizimin e këtij investimi, i cili kap vlerën e 599 milionë lekëve.

Projekti përfshin ndërtimin e një linje të re 35 kV me shtylla 110 kV dhe dy qarqe, që do të nisë nga nënstacioni Radio-Elbasan, duke kaluar nëpër Banjë, Cërruje dhe Gramsh, për të përfunduar në Mjekës-Elbasan.

Në të njëjtën kohë do të fuqizohen dhe riparohen nënstacionet Gramsh, Cërruje dhe Banjë, duke i pajisur me trakte të reja 35 kV.

Ky investim synon përshtatjen e rrjetit me zhvillimet e reja në terren, sidomos me shtimin e burimeve të reja gjeneruese të energjisë si hidrocentralet dhe impiantet fotovoltaike në zonë.

Linja do të ndërtohet në trasë të re dhe parashikohet të jetë me dy qarqe 35 kV.

Qarku i parë do të lidhë nënstacionin Radio me Banjën, Cërrujen dhe përfundon në Gramsh, ndërsa qarku i dytë do të nisë nga Gramshi drejt nënstacionit Banjë, për të vazhduar më pas deri në nënstacionin Mjekës-Elbasan, ku do të lidhet me linjën ekzistuese.

Në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen trakte të reja hyrje-dalje në nënstacionet Gramsh dhe Cërruje, me cela të brendshme 35 kV, ndërsa në nënstacionin Banjë do të ndërtohet një portal dhe ndarës i ri 35 kV.

Qarku i dytë do të përfshijë gjithashtu ndërlidhjen me rrjetin ekzistues në nënstacionin Mjekës-Elbasan. /j.p/

The post Linjë e re 35 kV dhe riparim nënstacionesh në Elbasan, 599 milionë lekë investim i OSSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dosja “Partizani”, reagon GJKKO: Nuk kemi konflikt me SPAK

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka mohuar kategorikisht çdo pretendim për një konflikt institucional apo personal mes saj dhe Prokurorisë së Posaçme në lidhje me dosjen “Partizani”, ku janë të pandehur Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe të tjerë.

Në një reagim publik, gjykata thekson se marrëdhëniet me të gjitha palët në proces janë të bazuara në respektimin e rolit kushtetues dhe ligjor të secilit institucion dhe se vendimmarrja gjyqësore është e pavarur dhe e paanshme.

“Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës. Nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme”, thuhet në deklaratë.

Gjykata nënvizon se gjyqtarët veprojnë vetëm mbi bazën e ligjit dhe provave, të lirë nga çdo ndikim apo trysni, dhe se çdo përpjekje për të ndikuar në punën e saj përbën shkelje të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve.

“Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend”, citohet deklarata. /j.p/

The post Dosja “Partizani”, reagon GJKKO: Nuk kemi konflikt me SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ruajtja e kulturës arbëreshe, inaugurohen instalacionet artistike në Casalvecchio di Puglia

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Silda Anagnosti Çepe, mori pjesë në inaugurimin e veprave artistike dhe instalacioneve të skulptorit me famë ndërkombëtare, Helidon Xhixha, një artist që me mjeshtëri bashkon artin dhe identitetin.

Në këtë aktivitet që u zhvillua në qytezën arbëreshe Kazallveqi (Casalvecchio di Puglia), morën pjesë autoritete lokale dhe përfaqësuesve të diasporës.
Instalacionet artistike nga artisti Helidon Xhixha janë pjesë e projektit Land Art.

Gjatë këtij aktiviteti, zëvendësministrja Çepe theksoi mbështetjen e palëkundur të qeverisë shqiptare për ruajtjen e gjuhës, kulturës, artit dhe zakoneve arbëreshe, të cilat përbëjnë një dëshmi të rrallë të rezistencës shekullore.

“Ato përfaqësojnë ura të rëndësishme lidhëse mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe një hap të fuqishëm drejt një Evrope më të bashkuar, përmes rrënjëve të përbashkëta kulturore”, theksoi ajo. /j.p/

1 nga 5

The post Ruajtja e kulturës arbëreshe, inaugurohen instalacionet artistike në Casalvecchio di Puglia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare e Investimeve, Denaj: Mbështetje për zgjerimin e aktivitetit bujqësor

Tiranë, 21 korrik/ATSH/ Bujqësia është një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë shqiptare, e cila ofron mundësi punësimi për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë dhe luan një rol kyç në furnizimin e tregut me produkte ushqimore vendase.

Sherbet Harziti, një fermer nga Baldushku me përvojë 15-vjeçare në bujqësi, ka ndërtuar një fermë model ku prej 8 vitesh kultivon me kujdes domate të vogla cilësore, të njohura për shijen e tyre të veçantë, freskinë dhe konkurrueshmërinë në treg.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri me dije se Harziti është përfitues i Skemës Kombëtare të Mbështetjes prej disa vitesh, përfshirë masat për mbështetjen e naftës dhe investime në sera. Kjo mbështetje i ka mundësuar atij të zgjerojë aktivitetin bujqësor, duke ulur kostot dhe rritur qëndrueshmërinë ekonomike të fermës së tij.

“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, ku ofrohet një grant prej 50%, si dhe mbështetje nga Kredia e Butë e kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2%, me mbulim kolateral deri në 70%”, theksoi ministrja Denaj.

Për të mbështetur fermerët dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike, qeveria shqiptare ka krijuar Skemën Kombëtare të Mbështetjes për fermerët. Kjo skemë përfshin subvencione të ndryshme, përfshirë mbështetjen për naftën bujqësore, investime në sera dhe kredi me kushte të favorshme, me qëllim nxitjen e modernizimit të fermave dhe rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në treg. /j.p/

The post Skema Kombëtare e Investimeve, Denaj: Mbështetje për zgjerimin e aktivitetit bujqësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Beci: 41 pika kritike në Shkodër bllokojnë hyrjen e mjeteve të emergjencave

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, bëri të ditur sot se janë identifikuar 41 pika kritike në qytet, ku ndërtime të ngritura mbi 30 vite më parë bllokojnë hyrjen e mjeteve të zjarrfikëses dhe krijojnë rrezik në rast emergjencash.

Sipas Beci, bashkia e Shkodrës ka nisur ndërhyrjet në këto zona problematike, duke filluar me një nga rastet më shqetësuese pranë kryqëzimit të spitaleve, ku hapësira për kalimin e mjeteve emergjente mungonte totalisht.

Ai theksoi se përveç rrezikut që paraqesin për mjetet zjarrfikëse dhe ambulancat, këto bllokime kanë shkaktuar vështirësi të përditshme për banorët në lëvizjen e lirë dhe sigurinë urbane.

“Paralelisht me lirimin e hapësirave publike, do të vijojnë ndërhyrjet edhe në këto zona problematike, për t’i çliruar dhe për të shmangur çdo rrezik për qytetarët”, u shpreh kryebashkiaku Beci.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike është në përputhje me fushatën e ndërmarrë në mbarë vendin, ku bashkitë po identifikojnë dhe ndërhyjnë në ndërtimet pa leje ose penguese, me synim përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurinë në zonat urbane.

Në Shkodër, ky proces pritet të vijojë me një plan të detajuar ndërhyrjesh, në bashkëpunim me strukturat e tjera të shtetit, për të garantuar akses të lirë për mjetet e emergjencës dhe rikthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve. /j.p/

The post Lirimi i hapësirave publike, Beci: 41 pika kritike në Shkodër bllokojnë hyrjen e mjeteve të emergjencave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ndryshimet e drejtorëve, domosdoshmëri për angazhim të të rinjve

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ndryshimet e drejtorëve në bashkive kryesore të vendit janë një domosdoshmëri për të dhënë një impuls të ri dhe për të adresuar problematikat që nuk lidhen vetëm me buxhetin, por edhe me përkushtimin dhe vëmendjen ndaj zhvillimit të këtyre bashkive.

Në rubrikën “Sy Më Sy”, ku Kryeministri i përgjigjet pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se gjithsesi nuk duhet të futen të gjithë në një “thes”.

“Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore janë një nevojë urgjente për të dhënë një impuls të ri dhe për të shkundur mekanizmat e topitura të disa bashkive. Kjo është e domosdoshme për të adresuar problematikat që nuk lidhen me buxhetet e mëdha, por me vëmendjen dhe përkushtimin që duhet të kenë drejtuesit e këtyre bashkive”, u shpreh Kryeministri.

Ai përmendi gjithashtu ndryshimet pozitive që po ndodhin në disa bashki, si ato në Vlorë, ku ka pasur një rritje të menjëhershme të performancës, jo për shkak të buxheteve, por për shkak të vëmendjes së shtuar.

“Vlora është një shembull i qartë për ndryshimin e menjëhershëm që po ndodh në një kohë të shkurtër, jo për shkak të shtimit të buxhetit, por për shkak të vëmendjes të shtuar. Këtu janë angazhuar të gjithë deputetët, së bashku me kryetarin e bashkisë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se është hapur një proces, janë ftuar të rinjtë, djem dhe vajza, nga të gjitha rrugët e jetës, që të bëhen drejtues të rinj të bashkive.

“Asnjë prej atyre që kanë drejtuar më parë nuk duhet të qëndrojë për vite të tjera aty. Ndërkohë ka të tjerë që kanë vite që mendojnë se duhet t’u vijë radha dhe duhet ta kenë këtë mundësi, kudo në të gjitha bashkitë e mëdha. Nuk po flasim vetëm për bashkitë e vogla, ku burimet njerëzore janë më të kufizuara”, u shpreh Rama. /j.p/

The post Rama: Ndryshimet e drejtorëve, domosdoshmëri për angazhim të të rinjve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “Bankers Petroleum” i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro

TIRANË, 21 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka fituar një arbitrazh ndërkombëtar kundër kompanisë “Bankers Petroleum”, e cila tani i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro.

Në rubrikën “Sy Më Sy”, ku Kryeministri i përgjigjet pyetjeve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, Rama tha se “Bankers” ka qenë një prej ndërmarrjeve që ka shkaktuar probleme të mëdha për vendin.

“Ne kemi fituar me “Bankers” një arbitrazh dhe “Bankers” na detyrohet 240 milionë euro. Ka ardhur dita që Prokuroria të hetojë në mënyrë të pavarur. I heq kapelen Prokurorisë përkatëse që ka bërë hetimin në këtë rast dhe uroj që të nxjerrë ‘ujin e zi’ në këtë ndërmarrje ku realisht ka pasur shumë problematika”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se koncesioni i “Bankers Petroleum” është një nga shumë kontratat që janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme dhe që kanë sjellë kosto të larta për buxhetin e shtetit.

“Është kosto e një koncesioni të bërë para se unë të merrja detyrën”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se ka pasur shumë diskutime për koncesionet që qeveria e tij ka dhënë, por u shpreh se do t’i ribënte të gjitha ato, pasi janë në shërbim të popullit shqiptar.
“Është folur dhe stërfolur për koncesionet që kemi dhënë ne. Po t’i rikthehesha 100 herë, të gjitha nuk do t’i lija pa i ribërë, sepse janë të gjitha në shërbim të popullit shqiptar. Por koncesionet që kemi trashëguar janë “vrimat e zeza””, tha Rama.

Në lidhje me projektet koncesionare të qeverisë së tij, ai përmendi disa nga investimet më të rëndësishme, si rruga e Arbrit, pastrimi urban dhe sterilizimi i pajisjeve mjekësore, të cilat nuk kanë pasur kosto për qytetarët.

“Pavarësisht se në ndonjë rast mund të ketë pasur ndonjë problem, koncesionet apo partneritetet publike-private (PPP) kanë mundësuar ndërtimin e rrugës së Arbrit pa asnjë kosto për qytetarët. Po kështu, kemi bërë të mundur pastrimin e qyteteve tona pa asnjë barrë financiare për publikun, krahasuar me koston e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve në vendet e tjera, ku as që fillon puna nën 30 euro për ton, ndërsa në shumë vende të tjera shkon mbi 100 euro për ton”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Rama theksoi përmirësimet në sektorin shëndetësor.

“Kemi bërë të mundur sterilizimin e të gjithë instrumenteve mjekësorë dhe kemi sjellë një rënie drastike të infeksioneve pas operacioneve. Kemi garantuar analiza laboratorike të një game të gjerë në të gjitha spitalet tona, pa kosto për publikun. Askush nuk paguan për një analizë apo shërbim spitalor bazik, ndryshe nga më parë”, tha ai.

Rama shtoi se nuk ka asnjë problem personal me ndonjë emër të caktuar kompanish.

“Nuk kam asnjë problem për sa i përket ‘Bankers’, kush e ka bërë ‘Bankers’-in apo çfarëdo emri tjetër që mund të gjesh nëpër rrugët e historisë ekonomike të Shqipërisë”, deklaroi ai. /j.p/

The post Rama: “Bankers Petroleum” i detyrohet shtetit shqiptar 240 milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Shkëmbin e Kavajës, Kumbaro: Garanton akses për pushuesit

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike po vijon me intensitet edhe përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur sot se një nga zonat ku po zhvillohet ky aksion është edhe Shkëmbi i Kavajës, një ndër destinacionet më të frekuentuara në bregdetin e Adriatikut.

“Lirimi i hapësirave publike garanton akses të barabartë për të gjithë pushuesit dhe përmirëson cilësinë e shërbimit”, u shpreh Kumbaro.

Ky proces është pjesë e një politike kombëtare për të siguruar plazhe të pastra, të organizuara dhe të hapura për të gjithë, duke shmangur zënien e padrejtë të hapësirës publike nga subjektet private.

Kontrollet dhe ndërhyrjet në terren po kryhen në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, IKMT dhe strukturat vendore.

/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike në Shkëmbin e Kavajës, Kumbaro: Garanton akses për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Pse tani e jo më parë”, Rama nesër drejtpërdrejt në “Sy m’sy”

TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se do të zhvillojë një komunikim të drejtpërdrejtë, në orën 8:30 të mëngjesit të së hënës, për t’u dhënë përgjigje të gjitha diskutimeve dhe pyetjeve të ngritura nga qytetarët, në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike.

“Ca thonë pse tani e jo më parë? Ca pse tani e jo më vonë? Kurse unë them: pse jo nesër një SY M’SY? NESËR pra, që në mëngjes, live padyshim, KËTU ku tjetër?”, shkruan Rama.

Ky komunikim vjen në një moment kur strukturat shtetërore po zhvillojnë aksione të gjera në gjithë vendin për të liruar hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme, kryesisht në zonat bregdetare dhe në qytetet kryesore.

/r.e/

The post “Pse tani e jo më parë”, Rama nesër drejtpërdrejt në “Sy m’sy” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu nga Dukati: Në gatishmëri të plotë për kontrollin e zjarrit dhe mbrojtjen e Llogaras


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Mbi 80 efektivë nga Forcat e Armatosura, strukturat e emergjencave civile dhe ekipet zjarrfikëse janë angazhuar në vijën e parë të betejës për kontrollin e zjarrit në Dukat, në një aksion të koordinuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ishte sot në Dukat, ku deklaroi se për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt Parkut Kombëtar të Llogorasë, është angazhuar një përbërje shumëplanëshe forcash nga ajri dhe toka.

“Jemi në kushte të vështira, pasi përpjekja zhvillohet në lartësitë e Dukatit. Besojmë se mund të parandalojmë përhapjen e zjarrit në pjesën tjetër. Në operacion janë përfshirë një helikopter në zonën e Dukatit dhe tre të tjerë në zona të tjera të vendit”, tha ministri Vengu.

Ai nënvizoi se kjo është një javë intensive me shumë vatra zjarri në rajonin e Mesdheut dhe Shqipëria nuk ka qenë e përjashtuar nga kjo valë përvëluese.

“Niveli i gatishmërisë është rritur në të gjithë mekanizmin kombëtar të emergjencave civile. Të gjitha forcat në terren janë në gjendje gatishmërie për të përballuar situatën dhe për të mbrojtur jetën, pronën dhe pasuritë natyrore”, deklaroi ministri.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile, Haki Çako bëri të ditur se vatra e zjarrit në Dukat u shua dy ditë më parë, por u aktivizua për shkak të erërave.

Sipas tij, sfidë është mbajtja e zjarrit nën kontroll, pasi terreni është i vështirë.

Operacionet për shuarjen e zjarreve do të vijojnë në mënyrë intensive edhe në ditët në vijim.

/r.e/

The post Vengu nga Dukati: Në gatishmëri të plotë për kontrollin e zjarrit dhe mbrojtjen e Llogaras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla në Kretë: Sipërmarrësi grek vlerëson kontributin e shqiptarëve në ekonomi

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Gjatë një vizite në Kretë, ministri i Shtetit pë Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau një moment domethënës me një sipërmarrës grek, i cili vlerësoi kontributin e pazëvendësueshëm të shqiptarëve në ekonominë greke.

Në një video të publikuar nga ministri, sipërmarrësi grek thekson se pa shqiptarët, ekonomia do të kishte ndalur.

“Në çdo investim të ri në Kretë ka shqiptarë, sepse janë punëtorë të shkëlqyer. Po të mos kishin ardhur shqiptarët, ekonomia jonë me të vërtetë do të kishte pasur probleme”, u shpreh sipërmarrësi grek.

Balla komentoi se ky është realiteti që shumë grekë e pranojnë: shqiptarët janë krah pune i fortë dhe mbajnë mbi shpatulla një pjesë të rëndësishme të ekonomisë greke, veçanërisht në turizëm dhe ndërtim. Ai shtoi se kjo marrëdhënie ka krijuar një lidhje të qëndrueshme mes Greqisë dhe komunitetit shqiptar atje.

Balla tha se ky reagim vjen si një tjetër dëshmi e vlerësimit në rritje për rolin e shqiptarëve në ekonominë greke, sidomos në sektorët ku ata përbëjnë një forcë të rëndësishme pune.

/r.e/

The post Balla në Kretë: Sipërmarrësi grek vlerëson kontributin e shqiptarëve në ekonomi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Lirimi i hapësirave publike, çlirim për komunitetin dhe rritje e cilësisë së shërbimit


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet pa leje dhe strukturat abuzive është një çlirim i madh për komunitetin, këmbësorët dhe klientët e shërbimeve në zonat urbane.

“Çlirim i madh, jo vetëm për komunitetin e për këmbësorët, por edhe për ata që ulen nëpër tavolinat jashtë dhe marrin frymë lirisht, jo mbrapa xhamave, barrikadave e ferrave, çka rrit patjetër edhe cilësinë e shërbimit”, theksoi Rama, në një reagim në rrjetet sociale.

Ai paralajmëroi se procesi i lirimit të hapësirave publike do të vijojë, pavarësisht kundërshtimeve të përkohshme.

“Ka ende ngrehina që i rezistojnë më kot kërkesës për t’u shkulur vetë nga mexhelisi, se në fund të gjitha do ikin, por bashkë me një gjobë të kripur për ndërtuesin e pamirëkuptuar”, shtoi Kryeministri.

/r.e/

The post Rama: Lirimi i hapësirave publike, çlirim për komunitetin dhe rritje e cilësisë së shërbimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Siguria detare”, bllokohen 30 mjete lundruese, shpëtohen 13 persona në rrezik në det


TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Vijon operacioni “Siguria Detare” përgjatë gjithë vijës bregdetare, liqenore dhe lumore, me kontrolle intensive nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare për të garantuar siguri në ujë gjatë sezonit turistik.

Gjatë javës janë kontrolluar 431 mjete lundruese dhe janë bllokuar 30 prej tyre për shkelje të rregullave të sigurisë dhe mungesë dokumentacioni.

Mjetet e ndaluara përfshijnë 18 jet ski, 7 skafe, 3 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji.

12 mjete janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve, ndërsa drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me gjobë 100 mijë lekë secili.

Po ashtu, janë realizuar 7 ndërhyrje për të shpëtuar 13 shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ndodheshin në rrezik në det për shkak të dallgëve të forta ose defekteve në mjete.

Policia Kufitare bën apel për respektimin e perimetrit të sigurisë dhe përdorimin e mjeteve lundruese vetëm në zonat e lejuara dhe me pajisje të plota shpëtimi. Qytetarët dhe pushuesit ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

/r.e/

The post Operacioni “Siguria detare”, bllokohen 30 mjete lundruese, shpëtohen 13 persona në rrezik në det appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtoi pa leje në Radhimë, shpallet në kërkim 45-vjeçari


TIRANË, 20 korrik /ATSH/ Në të gjithë bregdetin vijon operacioni “Plazhi i lirë” për lirimin e hapësirave publike dhe verifikimin e ligjshmërisë së aktiviteteve të subjekteve private.

Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Policinë Bashkiake, konstatoi ndërtimin pa leje të një objekti “beach bar” dhe ushtrim aktiviteti me çadra e shezlongë, pa leje në plazhin e Radhimës.

Si rezultat, u shpall në kërkim shtetasi Sh. N., 45 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa djali i tij 17-vjeçar u procedua penalisht në gjendje të lirë. Po ashtu u sekuestruan 90 çadra dhe shezlongë në cilësinë e provës materiale.

Policia deklaron se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare të Vlorës për të garantuar hapësira të lira dhe interesin publik.

/r.e/

The post Ndërtoi pa leje në Radhimë, shpallet në kërkim 45-vjeçari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌