Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 29 July 2025Main stream

Turneu i futbollit në Preshevë, Duka: Qëllimi ynë, të promovojmë futbollin e të motivojmë fëmijët të luajnë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Turneu i futbollit në Luginën e Preshevës u mbyll mbrëmjen e djeshme, duke finalizuar me sukses një aktivitet të mbështetur plotësisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Takimet finale u ndoqën nga afër edhe nga presidenti i Federatës, Armand Duka, i cili zhvilloi edhe një bisedë shumë miqësore me fëmijët pjesëmarrës në turne.

Pas ceremonisë së ndarjes së medaljeve dhe kupave për fituesit, Duka mbajti një prononcim të shkurtër për mediet e pranishme në këtë turne.

Presidenti i FSHF tregoi se vizita e parë në Luginën e Preshevës ishte mjaft emocionuese dhe se qëllimi i këtij turneu ishte promovimi i futbollit dhe motivimi i fëmijëve që të luajnë futboll.

Ai falënderoi organizatorët për bashkëpunimin si edhe kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës, ndërsa tha se në të ardhmen mund të ketë edhe projekte të reja.

Për mua është kënaqësi dhe emocion që jam sot këtu. Qëllimi i FSHF-së, objektivi i saj është motivimi i fëmijëve kudo që ato jetojnë për të luajtur futboll. Ky turne është jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, ka specifikat e veta, por nuk ka asnjë qëllim politik përveç se të promovojë futbollin”, tha Duka.

Sipas tij, “futbolli ka vetëm një gjuhë, atë sportive, të topit, të golit dhe respektin për shokët, kundërshtarin, për lojën dhe për veten. Nëpërmjet lojës ne duam të  krijojmë ura komunikimi, mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi dhe të edukojmë sa më mirë fëmijët tanë kudo që ata jetojnë”.

“Dua të falënderoj iniciatorët dhe organizatorët, stafin e FSHF që ka bashkëpunuar për ta bërë sa më mirë, kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës për angazhimin dhe mbështetjen. Mund ta konsideroj fillimin e një organizimi të ri.

Në bisedat që kemi bërë me të gjithë aktorët e futbollit në Luginë, do të krijojmë projekte të reja bashkëpunimi për të qenë sa më afër fëmijëve, talenteve dhe për ta bërë sa më të mirë jetën e tyre sportive”, pohoi Duka.

Ai shtoi se pritet të ndërtohen projekte të qëndrueshme për të ardhmen, ndërsa u ndal edhe te kërkesat e fëmijëve.

“Dihen dëshirat, të kenë një infrastrukturë më të mirë. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i mbështetur? Besoj se do të krijojmë një marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetin sportiv këtu jo vetëm për infrastrukturë, por edhe për të edukuar trajnerë, për mbështetje me uniforma sportive dhe topa”, tha presidenti i FSHF, Armand Duka.

Presidenti i FSHF-së gjatë turneut të futbollit në Luginën e Preshevës
1 nga 8

/e.i/r.e/

The post Turneu i futbollit në Preshevë, Duka: Qëllimi ynë, të promovojmë futbollin e të motivojmë fëmijët të luajnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro me Komitetet e Mbrojtjes Civile të Përmetit dhe Këlcyrës: Të mos ulim vigjilencën ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Pas Gjirokastrës, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një tjetër takim me Komitetet e Mbrojtjes Civile të bashkive Përmet dhe Këlcyrë.

Së bashku me gjithë institucionet që koordinojnë punën në terren për të mbrojtur territorin nga dashakeqësit dhe zjarret, Kumbaro kërkoi që të mos ulet në asnjë moment vigjilenca ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore, teksa shënohet gjysma e sezonit veror.

“Përmeti e Këlcyra janë bashki të cilat kanë nën administrim sipërfaqe të mëdha pyjesh, ku kemi kaluar sfida të vështira, por që vetëm përmes komunikimit dhe koordinimit do të arrijmë të menaxhojmë me sukses edhe këtë periudhë, ndërsa Policinë e Shtetit e kemi në krah për të neutralizuar çdo përpjekje të të paudhëve që luajnë me zjarret”, u shpreh Kumbaro.

Ndërsa u shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të angazhuar në shuarjen e zjarreve, si edhe banorëve të zonave të prekura që kanë qenë krah në këtë proces, Kumbaro theksoi më herët se do të ketë ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë e përbashkëta natyrore.

Sipas Kumbaros, nisur nga informacionet që jep Policia e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit, në shumicën e rasteve zjarrvëniet kanë qenë nga dora e njeriut. Kumbaro u shpreh se “rreziku që zjarri të marrë vetë është aty ku ka depozitime mbetjesh, ku për shkak të dekompozimit të mbetjeve organike lëshohet gazi metan”.

“Përgjithësisht janë zjarrvënie me keqdashje që është kriminale, ose nga pakujdesia që nuk është më pak kriminale që do ndëshkohet njësoj”, pohoi Kumbaro.

/e.i/r.e/

The post Kumbaro me Komitetet e Mbrojtjes Civile të Përmetit dhe Këlcyrës: Të mos ulim vigjilencën ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Laboratorët e teknologjisë në UPT, Manastirliu: Fuqizojmë urat e bashkëpunimit akademi-biznes

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Investimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në laboratorët e teknologjisë së avancuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, kanë krijuar kushte të reja për kërkimin shkencor për studentët dhe stafet akademike të këtij universiteti.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në një nga laboratorët e teknologjisë, e shoqëruar edhe nga rektori i UPT-së, Akli Fundo, stafi akademik si edhe përfaqësues të industrisë së teknologjisë së informacionit, panë nga afër laboratorët e teknologjisë në këtë universitet.

Ministrja Manastirliu tha se ky investim është një tjetër qasje për të “fuqizuar urat e bashkëpunimit akademi-biznes”.

“Ky është një hap drejt zgjerimit të bashkëpunimit, me qëllim krijimin e zgjidhjeve të reja SMART për industrinë, duke krijuar partneritete të qëndrueshme për të rritur kapacitetet në pjesëmarrjen e projekteve për inovacionin të Bashkimit Evropian”, tha Manastirliu.

Më herët, Manastirliu nënvizoi rëndësinë e laboratorëve për zhvillimin akademik dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve.

“Ne duhet të kemi mundësi që të zhvillohemi edhe për sa i përket aspekteve akademike dhe kërkimit shkencor duke krijuar mundësinë e ndërkombëtarizmit. Shqipëria ka mundësi që të zhvillohet në fushën e inovacionit dhe këtu rol të rëndësishëm luajnë universitetet si dhe bashkëpunimi që universitet kanë më institucionet ndërkombëtare partnere”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në një nga laboratorët e t...
1 nga 20

/e.i/r.e/

The post Laboratorët e teknologjisë në UPT, Manastirliu: Fuqizojmë urat e bashkëpunimit akademi-biznes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turneu i futbollit për fëmijë, Duka vizitë zyrtare në Bujanoc e Preshevë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një vizitë historike në komunën e Bujanocit, në kuadër të turneut të futbollit për fëmijë që po zhvillohet në Luginën e Preshevës me mbështetjen e FSHF-së.

Në këtë vizitë, presidenti Duka u shoqërua nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj. Ata u pritën në një takim miqësor nga kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të klubeve shqiptare “Tërnoci” dhe “Besa”, si dhe përfaqësues të medias lokale.

Gjatë takimit, presidenti Duka u njoh nga afër me situatën aktuale të futbollit në këtë zonë, si dhe me nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të tij. U kërkua mbështetje nga FSHF për rritjen e kapaciteteve në formimin e trajnerëve dhe furnizimin me bazë materiale për klubet, ndërsa një nga temat kryesore ishte përmirësimi i infrastrukturës sportive në këtë komunitet.

Presidenti Duka konfirmoi angazhimin e FSHF-së për të vijuar me mbështetjen ndaj turneve të ngjashme në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që kanë këto nisma për aktivizimin e fëmijëve dhe zhvillimin e futbollit në nivel komunitar.

Nga ana e tij, kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, falënderoi FSHF-në për kontributin konkret në organizimin e këtij aktiviteti, duke e cilësuar si një nismë me vlera të mëdha sportive dhe shoqërore që forcon bashkëpunimin dhe frymën e unitetit përmes sportit.

Në takim u përmend edhe figura e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, me origjinë nga Tërnoci, i cili është një shembull frymëzimi për fëmijët e Luginës së Preshevës që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e sportit.

Gjithashtu, presidenti i FSHF-së zhvilloi edhe një takim zyrtar me kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Në fokus të takimit ishin projektet për përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve, vajza dhe djem në aktivitete të organizuara dhe bashkëpunimi i mëtejshëm institucional në të gjitha nivelet.

Kryetarja Sinani vlerësoi mbështetjen e FSHF-së në organizimin e turneut të futbollit për fëmijë, që për pesë ditë me radhë ka përfshirë mbi 300 fëmijë nga Presheva, Bujanoci dhe diaspora shqiptare në grup-moshat U-7, U-9, U-11 dhe U-13.

Presidenti Duka, nga ana e tij, nënvizoi se ky turne është vetëm fillimi i një angazhimi të qëndrueshëm të FSHF-së në Preshevë, dhe se do të ndiqen hapa konkretë në mbështetje të zhvillimit të futbollit në këtë zonë me potencial të madh sportiv.

Në fund të takimeve zyrtare, Duka tha se “ndjej ngrohtësinë e fëmijëve që luajnë futboll dhe shoh interesimin e madh të medias për Turneun e Luginës së Preshevës, për të cilin Federata e Futbollit nuk u kursye në asnjë aspekt që të bëhej i mundur”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në vizitat zyrtare në Bujanoc e Preshevë
1 nga 8

/e.i/r.e/

The post Turneu i futbollit për fëmijë, Duka vizitë zyrtare në Bujanoc e Preshevë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile në Gjirokastër, Kumbaro: Ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë natyrore

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në Gjirokastër u mblodh sot Komiteti i Mbrojtjes Civile, së bashku me stafin e Bashkisë Gjirokastër, Prefekturën, Policinë e Shtetit dhe Forcat Zjarrfikëse, Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Shoqërinë e Ujësjellës Kanalizimeve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri me dije se kjo mbledhje u realizua në vazhdim të një pune të vështirë dhe të përditshme kundër zjarreve.

Kumbaro tha se “Gjirokastra përballet me një terren të vështirë, por asgjë s’ka qenë e pamundur për stafet e përkushtuara që me vetëmohim kanë luftuar kundër zjarreve gjatë këtyre ditëve”.

Ndërsa u shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të angazhuar në shuarjen e zjarreve, si edhe banorëve të zonave të prekura që kanë qenë krah në këtë proces, Kumbaro theksoi se do të ketë ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë e përbashkëta natyrore.

“Kemi një pjesë të vogël të Forcave të Armatosura dhe të Mbrojtjes Civile këtu, por dua t’i përcillni gjithë mirënjohjen forcave të Policisë dhe banorëve që u gjendën të parët aty. Ne bëjmë detyrën tonë, por ata janë guximtarë, sepse ishin të parët që qëndruan aty deri sa mbërritën edhe forcat”, tha Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tha se rreziku më i madh ka kaluar, por jemi vetëm në mes të sezonit, ndërsa ende nuk dihet se me çfarë temperaturash do të përballemi.

“Kaluam dy nga ditët me temperaturat më të larta të gjithë vitit, por askush nuk na siguron që do të përsëritet prapë, që do të thotë që na duhet të jemi në alarm maksimal. Të gjithë ne që jemi këtu në momentin që nuk kemi një emergjencë jemi në vendet tona të punës, por ka një detyrë shumë të rëndësishme për administratorët dhe kryepleqtë. Pra, rrjeti që ju keni me kryepleqtë nëpër fshatra, me blegtorët, me fermerët të cilët kullosin bagëtitë në këto kullota duhet të jetë një rrjet që duhet mbajtur në kontakt çdo ditë me telefon”, vijoi Kumbaro.

Sipas Kumbaros, nisur nga informacionet që jep Policia e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit, në shumicën e rasteve zjarrvëniet kanë qenë nga dora e njeriut. Kumbaro u shpreh se “rreziku që zjarri të marrë vetë është aty ku ka depozitime mbetjesh, ku për shkak të dekompozimit të mbetjeve organike lëshohet gazi metan.

“Përgjithësisht janë zjarrvënie me keqdashje që është kriminale, ose nga pakujdesia që nuk është më pak kriminale që do ndëshkohet njësoj”, pohoi Kumbaro.

“E theksoj këtë sepse duhet sensibilizuar popullsia. Përveç zjarrit, jemi në kohë temperaturash të larta dhe thatësirash. Ka abuzim edhe me ujin, pasi uji i pijshëm nuk mund të konsumohet pa hesap për vaditje në fshatra. Kemi arritur të shmangim probleme shumë të mëdha. Por, ia kemi dalë vetëm me vëmendje. Përdoreni komunikimin me të gjithë banorët njësoj siç përdorim instrumentet ligjore apo fizike që ne kemi në duar”, përfundoi Kumbaro.

/e.i/r.e/

The post Mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile në Gjirokastër, Kumbaro: Ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë natyrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Paketa për trajtimin e stomës falas, 100 milionë lekë rimbursim për 800 qytetarë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në qershor të këtij viti për shtimin e paketave të trajtimit të stomës, të cilat do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale opinionet e pacientëve që marrin mbështetje për trajtimin e stomës.

Ministrja Koçiu tha se “tashmë, trajtimi i stomës është falas për pacientët që e kanë të nevojshëm. Fondi i rimbursimit ka hyrë në zbatim dhe qytetarët kanë nisur të marrin produktet e stomës pa pagesë në farmaci”.

Sipas Koçiut, “mbështetja buxhetore me 100 milionë lekë për vitin 2025, është një ndihmë konkrete për mbi 800 qytetarë që përballen çdo ditë me këtë sëmundje”.

Një paciente në Qendrën Shëndetësore Nr. 1 në Durrës thotë se prej 14 vitesh vuan nga sëmundja e stomës dhe të gjitha aparatet e nevojshme për trajtimin e diagnozës së saj ka qenë e detyruar t’i blejë vetë.

“Falënderoj MSHMS që erdhi momenti të na rimbursojë këto materiale që i kemi jetike. Unë pa ato nuk kam asnjë ditë jetë”, thotë ajo.

“Kam një vit e gjysmë që i blej me lekët e mia, ndërsa nga sot i marrë falas. Falënderoj MSHMS për këtë ndihmë që po na bën”, shprehet një tjetër pacient.

Gjithashtu, mjekja e Qendrës Shëndetësore Nr. 1 në Durrës, teksa kryen kontrollin rutinë në banesë për pacientin Vasil Petro, thotë se ka ardhur njëherësh për t’i dhënë lajmin pacientit të saj që nga sot e në vazhdim të gjitha aparatet dhe pajiset e stomës do t’i marrë falas.

“I kam pas blerë në farmaci, kishte raste edhe tre mijë lekë copa. Falënderoj MSHMS që arrita ditën që t’i marrë falas”, u shpreh pacienti, që ka nevojë për vendosjen e stomës.

Stoma është një hapje në bark që lidhet me sistemin tretës ose urinar për të lejuar që mbetjet (urina ose feçet) të devijohen nga trupi. Mbi pjesën e sipërme të stomës mund të vendoset një qese, e cila mund të mbyllet ose të ketë një hapje në fund.

Ka shumë arsye pse disa njerëz kanë nevojë për një stoma. Arsyet e zakonshme përfshijnë kancerin e zorrëve, kancerin e fshikëzës, sëmundjen inflamatore të zorrëve, etj.

Stoma mund të jetë e përkohshme ose e përhershme në varësi të shkakut që po përdoret.

Ekzistojnë tre lloje kryesore të stomës dhe ato janë: kolostomia, urostomia dhe ileostomia.

/e.i/r.e/

The post Koçiu: Paketa për trajtimin e stomës falas, 100 milionë lekë rimbursim për 800 qytetarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 28 July 2025Main stream

Dita Botërore e Hepatiteve, Koçiu: Shqipëria, sukses domethënës në luftën kundër hepatitit B

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Në Ditën Botërore të Hepatiteve, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “falë programit të vaksinimit universal, Shqipëria ka arritur suksese domethënëse në luftën kundër hepatitit B”.

Koçiu shprehet se “një studim kombëtar i realizuar në vitin 2025 nga ISHP, me mbështetjen e OBSH/Evropa dhe Institutit Robert Koch, konfirmoi se asnjë nga mbi 2000 fëmijët 6–7 vjeç të përfshirë nuk rezultoi pozitiv për hepatit B”.

Ministrja Koçiu nënvizoi se “vaksinimi në lindje dhe mbulimi me dozën e tretë është shumë i lartë, ndërsa Shqipëria ka arritur objektivat e kontrollit dhe eliminimit të hepatitit B tek fëmijët”.

“Një hap i rëndësishëm drejt eliminimit të hepatitit B deri në vitin 2030 dhe sigurimit të një brezi te ardhshëm pa hepatit B”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Motoja e fushatës ndërgjegjësuese për këtë vit është: “T’i thyejmë barrierat!”.

Hepatiti prek njerëzit më të rrezikuar. Mbi 90% e rasteve të reja me hepatit B ndodhin nga transmetimi nga nëna tek fëmija, si dhe gjatë fëmijërisë së hershme.

Grupe të tjera janë gjithashtu në rrezik të lartë nga hepatiti B dhe C, përfshirë njerëzit që injektojnë drogë, njerëzit që bëjnë tatuazhe, partnerët e atyre që janë me hepatit B, si dhe stafi shëndetësor.

/e.i/r.e/

The post Dita Botërore e Hepatiteve, Koçiu: Shqipëria, sukses domethënës në luftën kundër hepatitit B appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve, Vengu: Vazhdojnë ndërhyrjet në qarqet Vlorë, Dibër e Korçë

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri me dije të dhënat e përditësuara lidhur me situatën e zjarreve në të gjitha qarqet e vendit.

Ministri Vengu tha se “në 24 orët e fundit, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për përballimin e zjarreve në pyje dhe kullota”.

Ministri Vengu theksoi se “ndërhyrjet janë fokusuar në qarqet Vlorë, Dibër dhe Korçë, ku rreziku mbetet i lartë”, ndërsa bëri thirrje për kujdes maksimal dhe ndalim të zjarrvënieve në natyrë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Vengu njoftoi se në qarkun Dibër janë angazhuar 64 forca dhe 7 mjete për shuarjen e zjarreve. Në qarkun Korçë janë angazhuar për shuarjen e zjarreve 25 forca dhe 2 mjete, ndërsa në Vlorë janë përfshirë 59 forca, 3 mjete, 6 zjarrfikëse, 2 autoambulanca dhe 1 helikopter i FA.

Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes ndau edhe të dhënat lidhur me zjarret e shuara në disa qarqe si më poshtë: Qarku Pogradec; Qarku Gjirokastër; Fshati Duraj, Njësia Administrative Luftinije, bashkia Memaliaj; Qarku Shkodër, fshati Barbullush, Njësia Administrative Bushat, bashkia Vau i Dejës; Qarku Berat, fshati Zgërbonjë, Njësia Administrative Vërtop, bashkia Poliçan.

/e.i/r.e/

The post Situata e zjarreve, Vengu: Vazhdojnë ndërhyrjet në qarqet Vlorë, Dibër e Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lufta kundër piraterisë online, AMA gjobë 5 milionë lekë subjektit, denoncim edhe në Prokurori

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Një rast i ri piraterie online është denoncuar sot nga kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi. Duke iu referuar subjektit të fundit të paligjshëm, të konstatuar, dënuar dhe denoncuar nga ekipet e inspektimit të Autoritetit, Krasniqi ka treguar historikun e gjurmimit dhe bllokimin e një rasti të kapur fillimisht në Kukës, si transmetues i paligjshëm IPTV, e më tej i transferuar në servera të tjerë nëpër Europë.

“Lufta kundër Piraterisë fitohet me partneritet dhe punë në skuadër”, shkruan Krasniqi në rrjetin social Facebook. Ajo sjell në vëmendjen e publikun rastin e një subjekti IPTV, i paligjshëm, i kapur në Kukës, i cili operonte në rrjetin e brendshëm lokal. “Subjekti u ndëshkua në përputhje me ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive”, i ndryshuar. Serveri u sekuestrua dhe ndaj shkelësit u mor masa e ndëshkimit me gjobë 5 milionë lekë. Pak ditë më vonë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar të Policisë së Shtetit, i njëjti subjekt, i shfaqur tashmë si OTT pirat dhe që aksesohej nga një IP publike shqiptare, u bllokua sërish. Domaini iu dërgua AKEP për mbyllje dhe rasti i tij u referua nga specialistët e AMA-s, në Prokurori”.

Por, mundësia për të transmetuar nëpërmjet serverave jashtë Shqipërisë, ka shtuar edhe mundësitë e shkelësve të të drejtave të transmetimit, në përpjekjet e tyre për të operuar në tregun shqiptar.

Pas sekuestrimit dhe dënimit në Shqipëri, subjekti i paligjshëm e ka vazhduar aktivitetin e vet, në shkelje të të drejtave të transmetimit, duke përdorur, fillimisht servera të vendosur në Gjermani, e pas bllokimit aty, edhe në Rumani.

“Falë bashkëpunimit të menjëhershëm me partnerët ndërkombëtarë, ku përmend Hetzner Online GmbH, në Gjermani, i njëjti subjekt shqiptar u bllokua sërish dhe aktiviteti i paligjshëm u ndalua”, shkruan Krasniqi. “Ndërsa sot, pas konstatimit nga ekipet e AMA-s, të të njëjtit subjekt, që operon mbështetur në servera rumunë, kemi lidhur kontaktet me NexonHost, dhe jemi në pritje që edhe kjo lidhje e re të pritet”.

Kryetarja e AMA-s i ka bërë thirrje publikut të denoncojë pranë Autoritetit çdo rast të ngjashëm piraterie.

Nga veprimtaria e piraterisë online të subjektit të gjobitur
1 nga 4

/e.i/r.e/

The post Lufta kundër piraterisë online, AMA gjobë 5 milionë lekë subjektit, denoncim edhe në Prokurori appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sako: Rehabilitohen 12 500 m2 sipërfaqe e fasadave të pallateve në lagjen nr. 1 Durrës

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrës është rehabilituar një sipërfaqe prej 12 500 m2 e fasadave të pallateve ekzistuese.

Lajmin e ka ndarë kryetarja e bashkisë së qytetit bregdetar, Emirana Sako, e cila tha se ka përfunduar rikonstruksioni i disa pallateve në një prej zonave më të frekuentuara të qytetit, siç është shëtitorja “Taulantia”.

Sako tha se “ky investim synon jo vetëm përmirësimin e imazhit të zonës, por edhe rritjen e qëndrueshmërisë të godinave përballë kushteve atmosferike”.

“Durrësi po ndryshon çdo ditë, më i bukur, më funksional dhe më i denjë për qytetarët e tij”, u shpreh Sako.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako është shprehur më herët “se po punohet edhe për zgjerimin e brezit të rërës duke krijuar më shumë hapësirë në dispozicion të pushuesve. Në këtë fazë përfshihet edhe rehabilitimi i fasadave të 41 godinave që ndodhen përgjatë shëtitores, me elementë termoizolues për të rritur eficiencën e energjisë si edhe qëndrueshmërinë e objekteve për një periudhë afatgjatë, duke përmirësuar edhe imazhin e të gjithë kësaj zone bregdetare”.

Ky investim përfshin realizimin e një shëtitoreje prej tre kilometrash përgjatë gjithë shtrirjes së plazhit, me gjelbërim të shtuar, parqe dhe hapësira sportive për të siguruar një lidhje shumë të nevojshme nga Ura e Dajlanit drejt Konvaleshencës.

Midis shëtitores dhe zonës së plazhit do të ngrihen stacione me pajisje sportive për aktivitete fizike në natyrë, si dhe krijimi i zonave për ushtrimin e sporteve ujore.

Projekti investues parashikon që përgjatë shëtitores do të ketë dhe zona të dedikuara për fëmijë, hapësira për pjesën e plazhit, stacionet e plazhit, hapësira shërbimi, si dhe rikonstruksionin e fasadave të godinave.

Nga fasadat e pallateve ekzistuese të rikonstruktuara në lajen nr.1 Durrës
1 nga 3

/e.i/r.e/

The post Sako: Rehabilitohen 12 500 m2 sipërfaqe e fasadave të pallateve në lagjen nr. 1 Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: 953 forca dhe 56 mjete zjarrfikëse të angazhuara në shuarjen e zjarreve

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri me dije sot se Forcat e Armatosura, strukturat e AKMC-së dhe të emergjencave civile vendore vijojnë të jenë në terren dhe me operacione nga ajri për përballimin e vatrave aktive.

Ministri Vengu ndau pamje të një prej operacioneve nga ajri për shuarjen e zjarreve në Borsh, ndërsa u shpreh se “të angazhuar në terren sot janë 953 forca, 56 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe në mbështetje një avion Canadair italian”.

Vengu nënvizoi se operacionet po zhvillohen në këto zona:

Parku Kombëtar i Lurës – Dibër

Zall Gjoçaj – Mat

Qafë Buall – Bulqizë / Plan i Bardhë – Klos

Kalasë – Delvinë

Markat – Konispol

Piqeras e Sasaj – Himarë

Fang e Kulme – Rrëshen

Dishnicë – Korçë

Parku i Prespës – Pustec

Fushëbardhë e Skërficë – Gjirokastër

Dragobi – Tropojë

Mali i Shkëlzenit – Tropojë

Shëngjergj – Tiranë

Kuç – Vorë / Shetel – Shijak

Bjeshka e Rahovicës – Malësi e Madhe

/e.i//r.e/

The post Vengu: 953 forca dhe 56 mjete zjarrfikëse të angazhuara në shuarjen e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aplikimet për universitet, Manastirliu ndan mesazhet e maturantëve ekselentë të Tiranës

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Të gjithë maturantët, të cilët duan të vijojnë studimet e larta në universitete, do të kenë mundësi nga nesër (29 korrik) deri më datë 3 gusht që të aplikojnë për programet që dëshirojnë të ndjekin përmes portalit “U-Albania”.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu përcolli sot mesazhet e një grupi maturantësh ekselentë të gjimnazeve të Tiranës, të cilët kanë dhënë mesazhe për bashkëmoshatarët e tyre, duke i ftuar ata që të studiojnë në universitetet publike në Shqipëri.

Ata shprehen se kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri dhe në universitetet publike për të dhënë kontributin profesional në vendin e tyre.

“Unë do të studioj për Inxhinieri Informatike në Universitetin Politeknik të Tiranës”, thotë një maturant, ndërsa një tjetër shprehet se mezi pret që të realizojë ëndrrën e tij në Universitetin e Tiranës.

“Jo çdo rrugë që shkon larg të çon përpara, ndaj unë zgjedh të studioj në vendin tim”, shprehet një tjetër i ri.

“Mjekësia nuk është një degë që kam zgjedhur, por një mision që dua ta shërbej për popullin tim”, tha një tjetër maturante.

Më herët, ministrja Manastirliu bëri me dije se procesi i aplikimit dhe regjistrimit realizohet online në portalin universitar “U-Albania”.

Sipas kalendarit të publikuar, faza e parë ka nisur më 8 korrik dhe mbaron më 28 korrik dhe është faza e pagesave të tarifave.

Kandidatët, përpara aplikimit për zgjedhjen e preferencave në portalin e aplikimit universitar, kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2000 lekë, në zyrat e Postës Shqiptare apo në bankat e nivelit të dytë, nëpërmjet faturës për arkëtim, të cilën e shkarkojnë në portalin “U-Albania”. Pagesa kryhet deri në datën 28 korrik 2025. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës, sekretaritë e shkollave konfirmojnë pagesën e kryer brenda datës 28 korrik, në portalin “U-Albania”.

Më tej, realizohet aplikimi online dhe për këtë periudha e përcaktuar është 29 korrik deri në 3 gusht. Në këtë periudhë, maturantët zgjedhin 10 programe studimi.

Më 29 gusht deri në 11 shtator është faza e regjistrimit në Institucionet e Arsimit të Lartë, ndërsa do të ketë publikim real të renditjes, që do të bëhet në 7 faza 48-orëshe përgjatë 14 ditëve.

Në fund është faza e çregjistrimit, për të cilën është caktuar një kohëzgjatje dyditore, nga 12-13 shtator.

/e.i//r.e/

The post Aplikimet për universitet, Manastirliu ndan mesazhet e maturantëve ekselentë të Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Realizohet kranioplastika e parë, mjekët e spitalit “Memorial” i kthejnë shpresën për jetën 75-vjeçarit

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ekipi i mjekëve në spitalin “Memorial” të Fierit ka realizuar një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale te një pacient i moshës 75-vjeçare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot lajmin, duke e konsideruar një tjetër histori suksesi në spitalin “Memorial” Fier, ku është realizuar kranioplastika e parë.

Koçiu bëri me dije se bëhet fjalë për “një ndërhyrje të avancuar neurokirurgjikale që i ktheu shpresën për jetën një pacienti 75-vjeçar, pas një goditjeje të rëndë në tru”.

Ministrja Koçiu u shpreh se pas gjashtë muajsh pritjeje dhe përkujdesje të vazhdueshme, pjesa e munguar e kraniotomisë iu vendos sërish pacientit, i cili tashmë ka dalë nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

Koçiu u shprehu mirënjohjen ekipit mjekësor, dr. Egemen Nursoy, dr. Klaudio Disha, dr. Hasan Bayindir, dr. Holta Kraja, dr. Xhesika Hoxha dhe infermieres Fjorida Ago.

Spitali Rajonal Memorial Fier është e para strukturë spitalore ku është pilotuar autonomia menaxheriale duke i hapur rrugë dhënies së kartës së autonomisë edhe për QSUNT dhe katër spitale rajonale, në Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër.

Ekipi i mjekëve në spitalin “Memorial” të Fierit gjatë ndërhyrjes neurokirurgjikale te një paci...
1 nga 3

/e.i/r.e/

The post Koçiu: Realizohet kranioplastika e parë, mjekët e spitalit “Memorial” i kthejnë shpresën për jetën 75-vjeçarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Hepatiteve, ISHP: Të veprojmë tani për ta eliminuar hepatitin deri në 2030-n

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Data 28 korrik është zgjedhur si Dita Botërore e Hepatiteve, në nder të ditëlindjes së profesor Baruch Blumberg Samuel, zbuluesit të virusit të hepatitit B dhe vaksinës së parë të hepatitit B.

Çdo vit në 28 korrik, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj organizojnë Ditën Botërore të Hepatiteve për të rritur informimin dhe ndërgjegjësimin për hepatitet dhe për pasojat që ato shkaktojnë në organizëm dhe shëndetin e njerëzve.

Instituti i Shëndetit Publik thekson se mesazhi i fushatës ndërgjegjësuese për këtë vit është “T’i thyejmë barrierat!”.

Në një njoftim, ISHP bën me dije se hepatiti është një “vrasës i heshtur” që prek miliona jetë çdo vit, por mund të parandalohet dhe të trajtohet.

“Çdo vit, 1.3 milionë njerëz humbin jetën nga hepatiti B dhe C. Vetëm 45% e të porsalindurve vaksinohen në orët e para të jetës. Kemi gjithçka që na duhet për ta eliminuar hepatitin deri në vitin 2030, por duhet të veprojmë tani”, thuhet në njoftim.

Hepatiti prek njerëzit më të rrezikuar. Mbi 90% e rasteve të reja me hepatit B ndodhin nga transmetimi nga nëna tek fëmija, si dhe gjatë fëmijërisë së hershme. Grupe të tjera janë gjithashtu në rrezik të lartë nga hepatiti B dhe C, përfshirë njerëzit që injektojnë drogë, njerëzit që bëjnë tatuazhe, partnerët e atyre që janë me hepatit B, si dhe stafi shëndetësor.

ISHP fton qytetarët që të testohen dhe informohen në thyerjen e stigmatizimit për sa i takon hepatiteve, ndërsa të porsalindurit kanë protokollin e vaksinimit.

/e.i/r.e/

The post Dita Botërore e Hepatiteve, ISHP: Të veprojmë tani për ta eliminuar hepatitin deri në 2030-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Rruga e re Bulqizë-Librazhd, i jep jetë sipërmarrjeve bujqësore e turistike

TIRANË, 28 korrik/ATSH/Aksi rrugor Ura e Çerenecit – Zgosht rreth 47 km e gjatë që lidh Dibrën me Elbasanin, hap një perspektivë të re duke transformuar qasjen ndaj zhvillimit rural dhe turizmit malor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamje pas përfundimit të punimeve të këtij segmenti, investim me rëndësi që përmirëson ndërlidhjen mes dy qarqeve.

“Me rrugën e re Bulqizë–Librazhd, aksi Ura e Çerenecit–Zgosht, që jo vetëm lidh Dibrën me Elbasanin, por krijon një korridor të ri lindor duke sjellë më afër bukuritë natyrore dhe pasuritë e turizmit malor, nxit ekonominë rurale dhe i jep jetë sipërmarrjeve të reja bujqësore e turistike”, shprehet Rama.

Rruga e re pritet të sjellë një ndikim direkt pozitiv në zhvillimin ekonomik, bujqësor e turistik duke përmirësuar mundësinë e hyrje-daljeve për komunitetin, fermerët dhe ndërmarrje të tjera ekonomike, për turistë drejt destinacioneve në Shqipërinë lindore, duke përfshirë zona të reja turistike si Parku Shebenik-Jabllanicë në Librazhd dhe zonat kulturore, natyrore e historike në qarkun e Dibrës.

Me planin për hapjen e një pike kufitare të re në Urën e Bushtricës, pjesë e Korridorit 8, për ndërtimin e të cilës po punojnë si Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut, do t’u krijohet mundësi banorëve të këtyre, zonave që kalojnë në segmentin Zgosht-Ura e Çerenecit, të lëvizin më shpejt.

/e.i//r.e/

The post Rama: Rruga e re Bulqizë-Librazhd, i jep jetë sipërmarrjeve bujqësore e turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Zjarri në Qafë Bualli, MM: 8 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë të angazhuar

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njofton se po monitorohet zjarri i rënë në vendin e quajtur Qafë Bualli, drejtuar nga Qyteti i Vjetër dhe Plani Bardhë.

Sipas MM, në operacion janë angazhuar, 8 mjete zjarrfikëse, 40 efektiv të MZSH, 15 efektiv të Policisë së Shtetit, 25 forca bashkie, 10 forca vullnetare dhe 2 helikopterë në rotacion.

Ministrja e Mbrojtjes bën me dije se përveç operacionit në terren po operohet me ndërhyrje nga ajri.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri me dije se, aktualisht janë 17 vatra aktive në disa qarqe të Shqipërisë, ndërsa vijon puna për izolimin dhe shuarjen e tyre.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Vengu tha se në terren janë angazhuar afërsisht 1000 forca, ushtarake dhe civile, të cilat po punojnë pa ndërprerje, nën koordinimin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Prefektëve dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“Nën koordinimin e AKMC po sigurojmë mbështetjen e mjeteve të Forcës Ajrore në disa zona si Delvinë, Konispol, Berat/Dimal dhe Bërzhitë, me 5 helikopterë të përfshirë në operacione në këto momente”, shkroi Vengu.

Vengu u shpreh se, “deri tani janë neutralizuar 9 vatra zjarri, të cilat po monitorohen nga afër për të parandaluar riaktivizimin”.

/e.i/ /gj.m/

The post Zjarri në Qafë Bualli, MM: 8 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë të angazhuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Shmanget rreziku për përhapjen e zjarrit drejt Fushëbardhës

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se, 24 orët e fundit kanë qenë të vështira për shkak të zjarrit në zonën mes Delvinës dhe Gjirokastrës.

Kumbaroi u shpreh se, temperaturat shumë të larta dhe terreni i thyer e bëjnë këtë një sfidë të vërtetë për forcat në terren.

“Përpjekjet për të frenuar përhapjen e flakëve kanë qenë të gjithanshme, me angazhim maksimal të zjarrfikësve dhe gjithë punonjësve të tjerë që janë bashkuar”, shkroi Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Kumbaro u ka shprehur mirënjohjen secilit që është aty për të mbrojtur natyrën dhe jetët njerëzore, ndërsa shtoi se, rreziku që zjarri të përhapej drejt Fushëbardhës është shmangur, por përpjekjet vijojnë në zonën e Skërficës për izolimin e vatrave të mbetura.

Kumbaro bëri thirrje që të tregohet kujdes i shtuar dhe të mos ndizet zjarr në ambiente të hapura, teksa shtoi se qytetarët duhet të lajmërojnë menjëherë për çdo vatër, sado e vogël të duket!

Nga aksioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në zonën mes Delvinës dhe Gjirokastrës
1 nga 6

/e.i/ /gj.m/

The post Kumbaro: Shmanget rreziku për përhapjen e zjarrit drejt Fushëbardhës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Avaria në linjën 110 kV në Shkodër, Beci: Rikthehet furnizimi me energji

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci njoftoi sot se, për shkak të temperaturave ekstreme, ka ndodhur një avari në linjën 110 kV të furnizimit me energji elektrike, e cila furnizon nënstacionet e qytetit të Shkodrës.

Beci u shpreh se, grupet e punës kanë bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji në nënstacionet dhe po monitorojnë në vijimësi situatën, me qëllim parandalimin e ndërprerjeve të mëtejshme në qytet.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Shkodrës tha se, si pasojë e temperaturave të larta gjatë mesditës, është shfaqur një vatër zjarri në zonën e Oblikës, e cila po mbahet nën kontroll nga forcat zjarrfikëse, pavarësisht erës që favorizon përhapjen e flakëve.

Ekipet zjarrfikëse vijojnë të jenë në terren për menaxhimin e çdo situate dhe janë në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Grupet e punës së OSHE në Shkodë, si dhe aksioni për shuarjen e vatrave të zjarrit në Oblik
1 nga 4

/e.i/ /gj.m/

The post Avaria në linjën 110 kV në Shkodër, Beci: Rikthehet furnizimi me energji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Orologi”, policia ekzekuton 6 masa sigurie

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije se është finalizuar operacioni “Orologi”, ndërsa janë ekzekutuar gjashtë masa sigurie.

Sipas Policisë, u sekuestruan armë, orë të shtrenjta, automjete luksoze e sende të tjera të vlefshme për hetimin.

Në kuadër të operacionit “OROLOGI”, nga Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale, në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, BKH-në dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë, u bë i mundur ekzekutimi i vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, për caktimin e masës së sigurisë me karakter personal shtrëngues “Arrest me burg”.

Policia njofton se shtetasit e ndaluar janë A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, E. N., 44 vjeç, banues në Tiranë, P. D., 53 vjeç, banues në Durrës, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë, K. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, E. A. (alias E. D., alias A. D.), 39 vjeç, banues në Elbasan, aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit IEVP, Rruga “Jordan Misja”, Tiranë, I. Ll., 39 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, ndërsa për shtetasin D. P. (alias D. B., alias E. S.), 38 vjeç, banues në Vlorë, nuk u bë e mundur ekzekutimi i masës së sigurisë, pasi nuk u gjet; u shpall në kërkim.

“Të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, thuhet në njoftim.

“Po gjatë operacionit, janë realizuar kontrolle të shumta, nga të cilat janë sekuestruar:

3 armë zjarri të llojit pistoletë, 43470 euro, 5000 franga zvicerane, 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volksëagen Golf 7a dhe një Volksëagen Sharan, 1 skaf luksoz i markës “Hull Ëorks Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar, 1 orë Rolex model 126613LN, 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68, 16 aparate celularë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive, 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim, dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama, 1 dron, 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili dhe sende të tjera që i shërbejnë hetimit”, thekson Policia.

Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit në luftën kundër krimit të organizuar.

/e.i/ /gj.m/

The post Operacioni “Orologi”, policia ekzekuton 6 masa sigurie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve, Kingji ndjek në terren operacionet për shuarjen e vatrave

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji po ndjek në terren operacionet e shuarjes së zjarreve.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes, vatrat e zjarrit janë në zonën e Shkopetit, majën e Kulmës në Kurbin, në Fang në Mirditë, në Zall-Gjoçaj në bashkinë Mat si dhe në Mbreshtan/Galinë në Berat.

“Dy avionë Canadair kroat dhe italian janë të angazhuara në operacionin për shuarjen e zjarrit në Shashicë, Maja e Kulmës, Rrëshen, Mirditë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në Shpirag, 74 efektivë të FARSH dhe një helikopter po punojnë për shuarjen e flakëve.

Më herët, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri me dije se, 17 vatra zjarri janë aktive në disa qarqe të Shqipërisë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Vengu tha se në terren janë angazhuar afërsisht 1000 forca, ushtarake dhe civile, të cilat po punojnë pa ndërprerje, nën koordinimin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Prefektëve dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

“Nën koordinimin e AKMC po sigurojmë mbështetjen e mjeteve të Forcës Ajrore në disa zona si Delvinë, Konispol, Berat/Dimal dhe Bërzhitë, me 5 helikopterë të përfshirë në operacione në këto momente”, shkroi Vengu.

Ventu u shpreh se, “deri tani janë neutralizuar 9 vatra zjarri, të cilat po monitorohen nga afër për të parandaluar riaktivizimin”.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjenerallejtënant Arben Kingji ë terren për operacionet ...
1 nga 8

/e.i/ /gj.m/

The post Situata e zjarreve, Kingji ndjek në terren operacionet për shuarjen e vatrave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌