Mbahen homazhet për “Dëshmorin e Atdheut”, kapiten Arben Anamali
TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Këtë të premte u zhvilluan homazhe në nderim të “Dëshmorit të Atdheut” kapitenit Arben Anamali, i cili humbi jetën në ujërat e Liqenit të Shkodrës teksa po shpëtonte dy turistë.
Institucionet vendore i shprehën ngushëllime familjarëve teksa vunë theksin tek akti heroik që Arbeni kreu për të shpëtuar jetën e të tjerëve.
“Erdhëm për t’i shprehur ngushëllimet familjes Anamali, për aktin heroik të Arbenit. Për t’i shprehur të gjithë mbështetjen familjes, për të shprehur solidaritetin në këtë ditë të vështirë por gjithashtu jemi edhe krenarë për aktin sublim të tij. Është shumë e dhimbshme për moshën e tij, fjalët janë të tepërta”, tha prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni.
Mes lotësh bashkëshortja e të ndjerit tregon për momentet kur mësoi lajmin e rëndë.
“Është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen tonë për nanën, mua për fëmijët. Për të gjithë që e kanë njohur sepse ka qenë njeri shumë i mirë dhe i përkushtuar. Dha jetën e vet për turistët. Një kolege e tij më mori në telefon e më tha që po niste dikë të më marrë sepse Arbeni ka pësuar një aksident në liqen. Mendova që aksident të lehtë por nuk e mendova kurrë që është mbytur sepse ka qenë shumë i fortë fizikisht, notar i mirë”, tha bashkëshortja e të ndjerit, Najada Anamali.
Arben Anamali ishte kapiten në anijen e cila shërbente për shëtitjen e turistëve në Liqenin e Shkodrës.
Ai hyri në liqen për të shpëtuar 2 turistë që po mbyteshin por fatkeqësisht nuk mundi të dilte i gjallë. Pas 48 orësh kërkime trupi i tij u gjet nga polumbarët. Mes nderimesh “Dëshmori i Atdheut” Arben Anamali u përcoll sot për në banesën e fundit.
Kapiteni Arben Anamali u shpall dje “Dëshmor i Atdheut”. Kryeministri Edi Rama u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, “nderojmë me mirënjohjen më të lartë të Republikës, Kapiten Arben Anamalin, drejtuesin e anijes turistike të Bashkisë Shkodër që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve në Liqenin e Shkodrës”.
Kryeministri Rama u shpreh se kapiten Anamali do të mbetet i paharruar.
/gj.m/j.p/
The post Mbahen homazhet për “Dëshmorin e Atdheut”, kapiten Arben Anamali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.