‘Babagjyshi’ ndjen të nxehtin/ Termometri shënon temperatura rekord në Lapland
“Sigurohuni që drerët të kenë shumë ujë – dhe mos harroni të pini edhe një gotë çdo orë”, i kujton Babagjyshi një ekipi elfësh të zënë duke bërë dhurata për Krishtlindjet e ardhshme, ndërsa Laplanda përvëlon nga një valë rekord nxehtësie, shkruan BBC.
Nuk ndodh çdo ditë që Babagjyshi i Krishtlindjeve e gjen veten duke i informuar elfët e tij rreth rreziqeve të goditjes nga dielli, por këtë verë Finlanda veriore ka parë temperatura rreth 30 gradë Celsius për ditë të tëra.
Instituti Meteorologjik i Finlandës tha të premten se për të 14-n ditë radhazi një temperaturë prej 30 gradësh u mat diku në Finlandë – hera e parë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 1961.
Pas një pranvere jashtëzakonisht të ftohtë dhe me shi dhe fillimit të verës, e gjithë Finlanda – përfshirë veriun e largët të Laplandës, 500 km (310 milje) mbi Rrethin Arktik – papritmas u përfshi në një periudhë të vazhdueshme moti të nxehtë.
Në vetë Rovaniemin, vala e të nxehtit tani ka zgjatur 15 ditë. Në Finlandë, një valë e të nxehtit përcaktohet si një periudhë prej të paktën tre ditësh radhazi ku temperatura maksimale ditore tejkalon 25°C.
Meteorologu i Institutit Meteorologjik Finlandez, Jaakko Savela, shpjegon se në Lapland, ku temperaturat mbi 30°C janë jashtëzakonisht të rralla, valët e të nxehtit si kjo e tanishmja janë të jashtëzakonshme.
“Herën e fundit që Laplanda finlandeze pati një valë të nxehtë po aq të gjatë ishte në vitin 1972,” thotë Savela. Por edhe kjo zgjati vetëm 12 deri në 14 ditë, varësisht nga vendndodhja e saktë.
“Ky rekord tani është thyer.”
Nuk është vetëm Rovaniemi që është përfshirë nga temperaturat përvëluese. Disa stacione të tjera meteorologjike në të gjithë Laplandën kanë regjistruar valët e tyre më të gjata të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë.
Temperatura më e lartë e valës së të nxehtit, 31.7C, u mat në dy vende, Ylitornio dhe Sodankylä, në fillim të kësaj jave. Kjo është rreth 10C mbi mesataren sezonale për Laplandën. Të premten, 30.3C u regjistrua në Koitsanlahti në juglindje./abcnews.al