Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 August 2025Main stream

Gjirokastra tërheq nordikët/ 50 mijë turistë në korrik, risi holandezët dhe anglezët

7 August 2025 at 11:47

Gjirokastra po zgjon gjithnjë e më tepër kureshtjen e të huajve.  Vetëm gjatë korrikut qyteti i gurtë u vizitua nga më shumë se 50 mijë turistë. Risi këtë sezon është prania e anglezëve dhe holandezëve shumë prej të cilëve  e vizitojnë për herë të parë.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Është fat që vendosem të vinim këtu. Ne kemi një libër me të gjitha shtetet e botës dhe Shqipëria renditet vendi i tretë në listën e librit. Pamë fotot e vendit tuaj dhe thamë; “Ky vend duket i bukur dhe duhet të shkojmë. Nuk është shumë larg nga Londra dhe jam e bindur që këtë vend do të dëshironin ta vizitonin të gjithë londinezet. Ky qytet është një magji e vërtetë. Kur të kthehemi do ti tregojmë miqve tanë se çfarë vendi mahnitës është ky, me peizazhe, ushqim fantastik, kulturë e histori të rralle”, ka thënë një turiste.

Arkitektura, kuzhina vendase dhe mikpritja ju kanë lënë mbresa.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri, ndërsa në Gjirokastër është nata e dytë që po qëndrojmë. Jam shume i gëzuar dhe i kënaqur. Po kalojmë shkëlqyer. Na pëlqejnë njerëzit, ushqimi, kultura dhe mbi te gjitha arkitektura e këtij qyteti. Së bashku me familjen kemi vizituar fillimisht veriun e më pas kemi zbritur në jug duke eksploruar të gjithë Shqipërinë”, është shprehur një tjetër turist.

“Jam nga Holanda. Ky është një vend shume i bukur dhe me njerëz tepër të sjellshëm. Mendoj se mund të mësojmë diçka prej tyre sepse ne nuk jemi aq miqësore me turistët në krahasim me shqiptarët, kurse këtu ndjesh mjaft i mirëpritur”, shprehet një tjetër turiste.

Nga janari në korrik  qytetin e  UNESCO-S  e kanë vizituar me shumë se shumë se 150 mije turiste ose 35 % me shume krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti me parë. Edhe për këtë vit numri me i lartë i turistëve vjen nga Spanja dhe Italia.

/abcnews.al/

Zjarri djeg sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në Patos, zjarrfikësit ndërhyjnë për të shuar flakët

7 August 2025 at 09:38

Vijon të jetë ende aktiv zjarri që përfshiu një ditë më parë pyllin me pisha mes fshatrave Gjynaqare dhe Drenie.

Këtë të enjte në terren kanë mbërritur 25 forca të ushtrisë. Në total përfshirë edhe ekipet zjarrfikëse të Mallakastrës, Patosit dhe punonjës të emergjencave civile janë rreth 80 punonjës që janë të angazhuar për të shuar zjarrin.

Por për shkak të terrenit të thyer, zjarri po shuhet me pompa shpine. Ndërkohë sipërfaqja e prekur nga zjarri ka shkuar në 5 hektarë.

/abcnews.al/

Protestë në Prishtinë kundër gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

7 August 2025 at 08:46

Organizata e Veteranëve të Luftës do të mbajë sot me 7 gusht protestë gjithë popullore në Prishtinë kundër mbajtjes së padrejtë të ish-krerëve të UÇK-së në burgun e Hagës.

Në një konferencë për media të hënën, Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK, tha se protesta do të mbahet duke filluar nga ora 17:00.

Përveç kësaj, Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, u shpreh se gjykimi i luftëtarëve të UÇK-së është i padrejtë dhe përbëhet nga një gjykatë që ata nuk e njohin.

Jashari theksoi se mënyra se në të cilën është ngritur Gjykata Speciale është dashur që të jetë inekzistente.

Nënkryetari i OVL-UÇK në konferencën për media që u mbajt dje tregoi se kush do të mbajë fjalim në këtë tubim.

“Folës të kësaj proteste do jene profesoresha universitare, zonja Nevenka edhe organizuesi i kësaj proteste, Hysni Gucati, pastaj do të jetë edhe një bashkëluftëtari joni, kryetari i BDI, Ali Ahmeti edhe një djalë dëshmori”, tha fillimisht ai.

Po ashtu Syla potencoi se janë ndërmarrë të gjitha hapat që protesta të ketë mbarëvajtje të rregullt.

“Në kuadër të organizimit të protestës të paralajmëruar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë bërë të gjitha përgatitjet, kemi kërkuar lejen e Komunës së Prishtinës, është njoftuar Policia e Kosovës, është angazhuar ambulanca kemi bërë kërkesë të kemi një ambulantë nëse ka nevojë. I është dhënë mundësia kushdo që ka dëshirë me marrë pjesë në protestë me autobus. Kemi komunikuar me parkingun Prishtina, ka mbet vetëm nesër(sot) me fillu protesta”, tha Syla.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020. Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023.

Emisari amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell ka shprehur përkrahje për ish-presidentin, Hashim Thaçi duke e cilësuar si të turpshëm faktin që ai po mbahet ende në paraburgim. Grenell e ka quajtur Hagën si një institucion i cili nuk funksionon. Përkrahje për protestë kanë shprehur figura të ndryshme politike në vend si dhe figura fetare me ndikim në Kosovë./KosovaPress.

Pas luftës 12-ditëshe, Irani rikthen politikanin veteran, Ali Larijani

7 August 2025 at 08:35

Në një kohë kur autoritetet iraniane po përballen me pasojat e konfliktit të qershorit me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, rikthimi i politikanit veteran, Ali Larijani, si sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, përbën rikthim politik, i cili nuk ishte i papritur.

Pas përfundimit të luftës, 67-vjeçari theksoi se në ditën e parë të sulmeve izraelite, aparati i sigurisë iraniane e kishte kontaktuar dhe i kishte kërkuar dorëheqjen. Vitin e kaluar, Larijanit iu ndalua garimi për president.

Megjithatë, tani ai do të luajë rol qendror në formësimin e politikave pas bombardimeve izraelite dhe amerikane që vunë në pah dobësitë ushtarake të Iranit.

“Larijani u la mënjanë dhe u përjashtua, por kurrë nuk u hoq plotësisht nga skena politike”, tha analisti politik iranian me bazë në Londër, Babak Dorbeigi, për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë (REL).

“Gjatë luftës 12-ditëshe ndodhën disa zhvillime të rëndësishme. Një çështje madhore, siç është theksuar nga zyrtarët dhe media, ishte llogaritja e gabuar e kapaciteteve mbrojtëse të Iranit”, shtoi ai.

Sulmet izraelite dhe amerikane goditën objekte të rëndësishme ushtarake dhe bërthamore, duke e turpëruar Teheranin, i cili u duk se nuk ishte në gjendje të mbrohej siç duhet.

Zyrtarët ofruan versione të ndryshme për shkallën e dëmit të pësuar, duke krijuar përshtypjen se në udhëheqjen iraniane mbretëron rrëmuja.

“Megjithatë, çështja më kritike – ajo që ka përparësi para të gjitha të tjerave – është të kuptuarit se, në kohë lufte, nuk mund të kërkosh mbështetje te udhëheqësi suprem [ajatollah Ali Khamenei]”, tha Dorbeigi.

“Mungesa e tij dhe mungesa e udhëheqjes në Iran zbuluan një boshllëk të madh në krye. E gjithë kjo tregon për një nevojë urgjente për ndryshim”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, Larijani shihet si një figurë e besueshme, i cili është i aftë për të marrë “vendime të arsyeshme”.

Udhëheqja e Iranit nga bunkeri: Çfarë do të thotë për të ardhmen e shtetit?

I cilësuar si pragmatist, ai do të punojë ngushtë me presidentin iranian, Masud Pezeshkian, i cili kryeson organin e sigurisë dhe shpesh shihet si proreformist.

Por, vendimet e këtij organi duhet të miratohen nga Khamenei, gjithsesi.

“Përderisa Khamenei mbetet në krye të sistemit, nuk duhet pritur ndonjë ndryshim strategjik në politikë, vetëm rregullime taktike”, tha analisti iranian me bazë në Paris, Reza Alijani, për REL.

“Roli i Larijanit duket se është menaxhimi i krizës, që përfshin edhe menaxhimin e kompromiseve, pasi Khamenei asnjëherë nuk lejon që kompromiset t’i atribuohen drejtpërdrejt atij”, shtoi ai.

Larijani e ka mbajtur më parë këtë post, nga viti 2005 deri në vitin 2007, dhe më pas ka shërbyer si kryetar i Parlamentit iranian deri në vitin 2020. Në këtë rol, ai fitoi rëndësi ndërkombëtare duke mbështetur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë (të njohura si E3).

Administrata e parë e Trumpit u tërhoq nga ajo marrëveshje dhe SHBA ishte në proces negociatash me Teheranin kur filluan sulmet ajrore izraelite në qershor.

Bisedimet u ndërprenë papritur dhe nuk kanë rinisur. Teherani thotë se nuk mund t’i besojë Uashingtonit, ndërsa Shtëpia e Bardhë dyshon nëse ka ndonjë vlerë në vazhdimin e bisedimeve, duke pasur parasysh dëmin e shkaktuar në objektet bërthamore iraniane.

Pas konfliktit, Irani vazhdoi bisedimet me E3 dhe Bashkimin Evropian më 25 korrik.

Vendet e E3 paralajmëruan se, nëse nuk arrihet një marrëveshje bërthamore me Iranin deri në fund të gushtit, ato do t’i rikthejnë të gjitha sanksionet e OKB-së ndaj Iranit duke aktivizuar mekanizmin e marrëveshjes së vitit 2015.

Këshilltar i lartë për çështjet bërthamore

Para riemërimit të tij në Këshillin e Sigurisë, Larijani ishte tashmë këshilltari kryesor i Khameneit për çështjet bërthamore. Më 20 korrik, ai u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në Kremlin dhe “përcolli vlerësime për situatën e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme dhe për programin bërthamor iranian”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Disa muaj para konfliktit me Izraelin dhe SHBA-në, Larijani kishte paralajmëruar në televizionin iranian se një sulm do ta bënte Iranin më të prirë për të zhvilluar armë bërthamore. Por, që nga sulmet, zyrtarët iranianë kanë shmangur përmendjen e kësaj çështjeje, duke theksuar në vend të kësaj se Irani do ta vazhdojë pasurimin e uraniumit. Është një dallim që fuqitë perëndimore nuk e pranojnë, pasi Irani ka pasuruar uraniumin në nivele shumë më të larta se sa kërkohen për një program bërthamor civil.

Emërimi i Larijanit ndodhi dy ditë pasi Irani njoftoi krijimin e një Këshilli të ri të Mbrojtjes, nën mbikëqyrjen e Këshillit të Sigurisë./REL/

Si po ndikon politika ekonomike e Trump? Ekspertët: Zhgënjyese në tregun e punës dhe pakënaqësi në industri

7 August 2025 at 08:33

Shifra zhgënjyese në tregun e punës dhe pakënaqësi në radhët e industrisë. Sinjalet paralajmëruese të alarmit për konjunkturën dhe ekonominë në SHBA po shtohen.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump që është në detyrë prej pak më shumë se gjysmë viti, gjeti një ekonomi të fortë amerikane me papunësi të ulët, rritje të fortë ekonomike dhe inflacion modest.

“Pavarësisht nga cili kënd e vështron ekonominë amerikane, mund të arrish vetëm në përfundimin se ajo është shumë e shëndetshme”, tha eksperti i tregjeve ekonomike Robert Rethfeld nga Wellenreiter-Invest në janar 2025. Po që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar në ekonominë amerikane dhe jo domosdoshmërisht gjithmonë për mirë.

Treg çuditërisht i dobët pune

Shifrat e fundit tregojnë për shembull për një treg çuditërisht të dobët pune në SHBA. Sipas raportit qeveritar të publikuar të premten e kaluar në muajin korrik u shtuan vetëm 73,000 vende të reja pune jashtë sektorit të bujqësisë.

Ekonomistë të anketuar kishin parashikuar një rritje prej 110,000 vendesh të reja pune. Në të njëjtën kohë numri i vendeve të punës që mendohej se do të krijoheshin në qershor ishte zhgënjyes – nga 147,000 që parashikoheshin u krijuan vetëm 14,000.

Sipas të dhënave të rishikuara edhe në maj ishin krijuar dukshëm më pak vende pune sesa pritej fillimisht. “Shifrat janë më të këqija se çdo parashikim”, tha Helen Given, investitorja kryesore në ofruesin e shërbimeve financiare Monex, në lidhje me të dhënat e tregut të punës. Çështja kryesore është rishikimi i parashikimeve që parashikojnë rënie muaj për muaj.

Reagimi i Trumpit ndaj të dhënave

Për shkak të të dhënave çuditërisht të dobëta Trump njoftoi të premten se do të shkarkojë drejtuesen e Zyrës së Statistikave të Punës, Erika McEntarfer. Ai e akuzoi atë për manipulim të shifrave të tregut të punës për qëllime politike. “Na duhen shifra të sakta për tregun e punës”, deklaroi Trump. Menjëherë pas kësaj ai shkroi pa dhënë asnjë provë, se të dhënat e tregut të punës ishin manipuluar.

Dobësia e dollarit votë mosbesimi?

Po ashtu ekspertët e shohin dobësinë aktuale të dollarit si votë mosbesimi ndaj politikave të Trumpit – megjithëse Trumpi me këtë mund të ketë arritur pikërisht atë që synonte. Zhvlerësimi i dollarit, i cili ka humbur në mënyrë të konsiderueshme në vlerë që nga fillimi i vitit, i ka bërë për SHBA-në eksportet më të lira dhe importet më të shtrenjta. Kjo ka lehtësuar deficitin tregtar të SHBA-së.

Në të njëjtën kohë zhvlerësimi i monedhës amerikane pasqyron gjithashtu frikën e investitorëve për pasojat e politikës së çrregullt doganore të Trumpit; shumë investitorë kanë tërhequr paratë e tyre nga SHBA-ja.

Politika doganore shkak për normat e larta të interesit

Prej disa muajsh si një nga arsyet pse Banka Qendore e SHBA-së (Fed) nuk i ka ulur normat e interesit përmendet edhe politika e çrregullt për tarifat doganore që ndjek Trumpi. Javën e kaluar Banka Qendrore e la përsëri normën bazë të interesit në nivelin prej 4.25 deri në 4.50 përqind.

Sipas drejtuesit të saj, Jerome Powell, Fed dëshiron të ketë më shumë qartësi se si politika tregtare e Trumpit, e karakterizuar nga rritja e tarifave doganore, po ndikon në gjendjen e përgjithshme konjukturore dhe ekonomike./DW/

Trump u zotua t’i japë fund luftës në Ukrainë në 24 orët e para të presidencës! Gati 200 ditë më vonë, a është afër kësaj arritjeje?

7 August 2025 at 08:24

Donald Trump u zotua vazhdimisht se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve nga zgjedhja e tij si president.

Në ditën e 198-të të presidencës së tij, mund të jetë ai një hap më afër arritjes së kësaj?, kjo është pyetja që shtron sky news në analizën e saj lidhur me situatën e luftës në Ukrainë.

Gjithashtu ndalet edhe tek zhvillimet e fundit, ku i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff zhvilloi një vizitë zyrtarë në Moskë ku edhe u takua me presidentin rus Vladimir Putin. Në deklarata në media nuk pati shumë detaje lidhur me takimet e zhvilluara, ndonëse u shprehet se bisedimet ishin konstruktive.

Por a është Rusia e prirur drejt arritjes së një armëpushimi siç pretendon tani presidenti i Ukrainës?

Volodymir Zelensky President i Ukrainës deklaroi se Rusia duket më e prirur për një armëpushim, pas takimit të zhvilluar midis të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff dhe Vladimir Putin.

“Presioni mbi ta funksionon”, tha Volodymyr Zelensky në një reagim të tij rrjetet sociale.

“Por gjëja kryesore është që ata të mos na mashtrojnë në detaje – as ne dhe as SHBA-në.”, shtoi presidenti ukrainas.

Dhe nga ana tjetër po aq i rëndësishëm është edhe fakti se a është i përgatitur Vladimir Putin të takohet edhe me “armikun e tij” Volodymir Zelenskyn?

Sepse në vetëm një ditë u patë deklarata dhe reagime që shtrojnë shumë pikëpyetje por nga ana tjetër, nuk u dhanë detaje e “një përparimi të madh” të bisedimeve siç edhe u tha nga liderët.

Megjithatë Presidenti amerikan Donald Trump, deklaroi se “kishte shanse të mira” që shumë shpejt të takohet me Putin dhe me homologun e tij ukrainas Volodymir Zelensky, por pa dhënë detaje për vendin dhe kohën.

Presidenti i SHBA-së nuk komentoi mbi mundësinë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Republikani iu referua gjithashtu bisedimeve midis të dërguarit të tij të posaçëm Steve Witkoff dhe Presidentit rus Putin dje në Kremlin, duke i vlerësuar si të mira.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë rrjedha e situatës së luftës në Ukrainë dhe nëse do të arrihet një armëpushim, apo t’i jepet fund luftës disa vjeçare!?

/abcnews.al/

Media franceze: Shqipëria mes 5 destinacioneve më të mira kulturore për të udhëtuar

7 August 2025 at 07:43

E përditshmja franceze “Le Figaro” e ka renditur Shqipërinë mes pesë destinacioneve kulturore më të mira për të vizituar në një udhëtim të organizuar.

Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, keto destinacione ofrojne nje nderthurje te peizazhit me kulturen.

Nga kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës te thesaret e Rilindjes Italiane, duke përfshirë Vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Shqipëri, këto destinacione ofrojnë një ndërthurje të peizazhit dhe kulturës.

Cilat janë destinacionet më të mira kulturore për udhëtime të organizuara?

1-Shqipëria dhe Thesaret e UNESCO-s

2-Një shëtitje në zemër të Uashington DC, Merilendit dhe Virxhinias

3-Salzburg: Mozarti dhe Shkëlqimet e Salzkammergut

4-Madhështitë e Saksonisë: Dresden dhe Leipzig, dy qytete të artit dhe historisë

5-Firence, toka e mjeshtrave: Ekspozita “Fra Angelico” dhe Thesaret e Rilindjes

Shqipëria dhe thesaret e UNESCO-s

Zbuloni këtë udhëtim në Shqipëri

Shqipëria, një perlë e vërtetë e fshehur e Ballkanit, joshëse me pasurinë e historisë së saj dhe diversitetin e peizazheve të saj.

Nga Tirana në Gjirokastër, nëpërmjet Beratit dhe Butrintit, ky udhëtim ju çon në gjurmët e qytetërimeve që kanë lënë gjurmë në këto toka: ilirët, grekët, romakët dhe osmanët.

Një vizitë në një vend ku autenticiteti kombinohet me shkëlqimin e vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Shqipërinë nuk do ta zbuloni vetëm përmes monumenteve të saj.

Ajo jeton në mikpritjen e popullit të saj, pasurinë e traditave të saj dhe shijet e gastronomisë së saj. Shijoni një byrek krokant, dëgjoni polifonitë shqiptare të listuara në UNESCO dhe eksploroni tregjet e gjalla – ku ndërthuren aromat mesdhetare dhe ndikimet orientale.

Këto janë vetëm disa nga përvojat që e bëjnë këtë udhëtim të paharrueshëm. Shëtitja nëpër rrugët e ngushta të Krujës, një performancë vallesh popullore apo zbulimi i vreshtave lokale janë të gjitha momente që dëshmojnë autenticitetin dhe ngrohtësinë e kësaj toke mikpritëse.

Parashikimi i motit, kthjellime e vranësira të pakta gjatë ditës

7 August 2025 at 07:30

Territori shqiptar do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet të jetë i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, përjashtuar vranësirat e pakta deri mesatare kalimtare nga orët e mesditës, deri ato të pasdites kryesisht në relievet kodrinore – malore.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim, me shpejtësi mesatare 8 m/s. Në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare, hera-herës, era do të fitojë shpejtësi 10-18m/s. Valëzimi i detit pritet të jetë i forcës 2 deri në 4 ballë.

“Lufta tregtare”/ Hyjnë në fuqi tarifat e reja gjithpërfshirëse të Trump

7 August 2025 at 07:28

Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj vendeve anembanë botës kanë hyrë në fuqi të enjten, duke përshkallëzuar luftën e tij tregtare.

Miliarda dollarë nga tarifat po rrjedhin tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Trump në mediat sociale, pak minuta para afatit të mesnatës në Uashington, raporton BBC.

Më parë, presidenti e ka goditur Indinë me një tarifë prej 50%, e cila do të hyjë në fuqi më 27 gusht, përveç nëse ajo ndalon blerjen e naftës ruse.

Trumpi ka kërcënuar gjithashtu me një tarifë 100% për çipat kompjuterikë të prodhuar jashtë vendit, teksa po i shtyn firmat e teknologjisë të investojnë në SHBA. Kjo ka ndodhur në kohën kur Apple njoftoi një investim të ri amerikan prej 100 miliardë dollarësh pasi u vu nën presion nga Shtëpia e Bardhë për të zhvendosur më shumë prodhim në Amerikë. Javën e kaluar, administrata Trump ka njoftuar një listë të rishikuar të taksave të importit për dhjetëra partnerë tregtarë dhe ka zgjatur afatin për vendet që të arrijnë marrëveshje me SHBA-në deri më 7 gusht.

Vendet kanë qenë në garë për të arritur marrëveshje me Uashingtonin, për të ulur ose hequr atë që Trumpi e quan “tarifë reciproke”.

Politikat e tij tregtare synojnë riformësimin e sistemit global tregtar, të cilin ai e sheh si trajtim të padrejtë të SHBA-së. Ekonomitë e varura nga eksporti në Azinë Juglindore janë ndër më të goditurat nga tarifat e reja. Laosi dhe Birmania, të përqendruara në prodhim, u përballën me disa nga taksat më të larta prej 40%.

Disa ekspertë kanë thënë se Trumpi duket se ka synuar vendet me lidhje të ngushta tregtare me Kinën.

Disa ekonomi të mëdha, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë dhe Korenë e Jugut kanë arritur tashmë marrëveshje për të marrë tarifa më të ulëta se sa kërcënuar Trumpi në prill.

“Takimi në Rusi konstruktiv”/ Dërgim sinjalesh mes Moskës dhe Uashingtonit

7 August 2025 at 07:21

Sipas palës ruse takimi midis Presidentit Putin dhe të dërguarit të SHBA-së Vitkoff ishte “konstruktiv”. Të premten skadon ultimatumi i SHBA-së për armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës.

I dërguari i posaçëm i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Vitkoff, u takua me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Presidenti Putin e priti negociatorin Vitkofff  në Kremlin. Takimi zgjati rreth tri orë. Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, i tha pas takimit agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass, se kishte qenë një bisedë e dobishme dhe konstruktive. Moska mori sinjale nga SHBA-të në lidhje me luftën në Ukrainë përmes Vitkoff dhe, nga ana tjetër, ia dërgoi sinjale presidentit Trump. Asnjëra palë nuk dha detaje rreth përmbajtjes së bisedës.

“Gjatë bisedës u fol për krizën në Ukrainë dhe  për perspektivën për një bashkëpunim të mundshëm strategjik midis SHBA-së dhe Rusisë.”  Pas takimit pati spekulime për një gjest shpërshkallëzimi, si heqja dorë nga sulmet ajrore.

Rusia duket se ndihet më pak nën presion nga ultimatumi  i presidentit amerikan Trump, i cili skadon të premten, sesa vetë presidenti i SHBA-së. Trumpi dëshiron një armëpushim për Ukrainën; përndryshe do të ndëshkojë edhe partnerët tregtarë të Rusisë, si India.

Trump sapo nënshkroi urdhërin për tarifa doganore ndëshkuese prej 25 përqind ndaj Indisë. Por të paktën urat midis Moskës dhe Uashingtonit nuk u ndërprenë gjatë tri orëve të bisedimeve. Pak pas përfundimit të tyre, këshilltari i Putinit, Kirill Dmitriev, postoi në platformën X: “Dialogu do të triumfojë!” dhe e falënderoi Vitkoff për vizitën e tij.

Disa komentatorë rusë ishin shprehur skeptikë që para vizitës së të dërguarit të posaçëm të Presidentit të SHBA-së. Fjodor Voitolovski, drejtor i Institutit të njohur të Moskës për Ekonominë Botërore dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare, tha në kanalin shtetëror të lajmeve Russia 24: “Shpresa që ne papritmas do të arrijmë një marrëveshje për të gjitha pikat me amerikanët dhe që konflikti në Ukrainë do të zgjidhet është e pabazuar dhe e parakohshme.” Strategjia e Putinit është të fitojë kohë dhe të shtyjë armëpushimin, tha Voitolovski. Sipas tij Kievi mund ta arrijë paqen vetëm nëse de facto kapitullon./DW

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

7 August 2025 at 07:00

Dashi

Mundohuni që të shikoni përpara, të përvishni mëngët edhe pse mund t’iu duket e vështirë për shkak të shumë gjërave me të cilat duhet të përballeni. Ka ardhur momenti që të ndryshoni kapitull dhe të lini pas krahëve çdo gjë që ju shqetëson.

Demi

Dita e sotme do të jetë shumë më e mirë në raport me ditët e kaluara, ku humori do të jetë më i përmirësuar. Mundohuni që nervozizmin e akumuluar në punë apo në raportin në çift të mos e shfryni kudo. Përpiquni që të relaksoheni, pasi keni nevojë, pas tensionit me të cilin jeni përballur gjatë ditëve të fundit.

Binjakët

Mundohuni që të mos shpërtheni në nervozizëm dhe acarim. Ndoshta ka disa përgjigje të cilat po vonojnë të vijnë, ndaj mundohuni që të bëni kujdes. Bëni mirë që të shmangni stresin dhe të gjeni momente për veten tuaj për tu relaksuar.

Gaforrja

Duhet të jeni më pak hermetik sa i takon ndjenjave, pasi është e vërtetë që vetëm në dashuri mund të kuptohesh me një shikim, por është më mirë që ta lini veten në lirë. Keni nevojë për dikë që t’iu lexojë përtej fjalëve. Mundohuni që të hapeni më shumë në këto ditë, pasi dashuria do ju dhurojë qetësinë që iu mungon.

Luani

Kjo ditë do të jetë mjaft pozitive, pavarësisht se mund të hasni në të papritura, do të arrini që ti kapërceni më së miri. Kjo gjë vlen si në sferën profesionale, edhe në atë personale dhe dashuri. Ndoshta do të keni një lloj dëshire për të ndryshuar diçka në jetën tuaj, ndaj mundohuni që të kuptoni se çfarë ju bën të pakënaqur.

Virgjëresha

Sot do të jeni me humorin e duhur dhe disi nervoz. Mundohuni që të mos e humbni toruan pasi mund të dështoni. Po ashtu bëni mirë që të qëndroni larg provokimeve dhe çështjet e rëndësishme shtyjini për në ditët në vijim.

Peshorja

Kjo ditë do të jetë perfekte për ti dhënë më shumë hapësirë dashurisë. Do të jetë pikërisht dashuria ajo që do ju “ngushëllojë”, nëse do të hasni probleme në sferën profesionale. Sa i takon punës, gjërat nuk do të ecin në mënyrë shumë pozitive, ndaj mundohuni që të kapni çdo mundësi në mënyrë që të mos bllokoheni.

Akrepi

E enjtja do të sjellë të reja të bukura. Paralajmërohet një periudhë e mirë, e cila do të zhdukë çdo energji negative. Mundohuni që të mos mendoni shumë për të kaluarën por të shihni përpara, pasi ju pret diçka mjaft pozitive.

Shigjetari

Në sajë të ndikimit tranzit të Hënës në shenjën tuaj, kjo ditë do të jetë mjaft pozitive. Jeni mjaft të favorizuar sa i takon dashurisë, kështu që jepuni më shumë hapësirë ndjenjave dhe qëndroni sa më larg diskutimeve. Edhe në punë do të jeni të mbrojtur nga yjet.

Bricjapi

Kjo ditë do të jetë disi e komplikuar për shkak të ndikimit negativ të Marsit i cili do ju bëjë disi nervoz dhe rrezikoni që të tregoheni mjaft agresiv ndaj të tjerëve. Mund të keni probleme në punë, ndoshta për shkak të çështjeve ekonomike, por mundohuni që të mos nervozoheni shumë. Në dashuri ka ardhur momenti që të lëvizni.

Ujori

Mundohuni që të qëndroni me këmbë në tokë dhe të tregoheni më të kujdesshëm në çështjet materiale dhe të mbani nën kontroll shpenzimet. Sa i takon ndjenjave, mund të rikuperoni një histori në krizë.

Peshqit

Kjo ditë do të jetë nën ritmin e duhur, pasi mund të ketë keqkuptime, tensione dhe kundërshti. Duhet të mundoheni që të rrini të qetë dhe të mos përfshiheni në debate për shkak të qëndrimeve impulsive. Mendohuni mirë para se të flisni.

Yesterday — 6 August 2025Main stream

Gjeloshaj e Milatoviç pyetën në prokurori, presidenti i Malit të Zi ka kallëzuar zv/kryeministrin për kërcënim

6 August 2025 at 14:41

Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministri i Malit të Zi dhe njëkohësisht Ministër i Zhvillimit Ekonomik u mor në pyetje këtë të mërkurë nga Prokuroria Themelore në Podgoricë pas denoncimit që u bë ndaj tij nga Presidenti i vendit Jakov Milatovic i cili tha se politikani shqiptar e kishte kërcënuar.

Pasi dha dëshminë e tij, në një deklaratë për mediat Nik Gjeloshaj deklaroi se ai dëshmoi përballë autoriteteve si një qytetar i thjeshtë i vendit.

Zëvendës kryeministri i Malit të Zi tha se me Presidentin ka diskutuar disa here mbi çështje të ndryshme dhe shtoi se i vinte keq për cirkun që bëri Kreu i Shtetit Jakov Milatoviç.

Gjeloshaj tha se si ish-kryetari i Tuzit ai ka mbështetur rimëkëmbjen e kompanisë së prodhimit të Verës Plantazha.

“Jam i sigurt për arsyen që e dërgova atë mesazh. Ish presidenti i bordit të drejtorëve të kompanisë Plantazh e ndryshoi këtë ligj për mos tatimin e tokave bujqësore tri vite më parë. Në atë kohë Ministri I Zhvillimit Ekonomik ishte presidenti që kemi aktualisht. Ne si qeveri, Kuvend dhe si Komuna e Tuzit duam rimëkëmbjen e Plantazhës. Komuna është e gatshme të heq dorë nga taksat deri sa kompania e prodhimit të verërave Plantazh të Rimëkëmbet”, ka thënë zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.

Dëshminë e tij në Prokurorinë e Podgoricës e dha këtë të mërkurë edhe Presidenti i Malit te Zi Jakov Milatovic i cili tha se është kërcënuar jo vetëm nga Gjeloshaj por edhe njerëz pranë tij, ndërkohë që gjithçka që ai po bënte ishte respektimi i Kushtetutës.

Përplasja mes Zëvendës Kryeministrit Shqiptar Nik Gjeloshaj dhe Presidentit te Malit të Zi erdhi pasi sipas asaj që raportuan mediat Malazeze, ku thuhej se Gjeloshaj kishte kërcënuar Presidentin se përse kishte kthyer për rishqyrtim ligjin për tatimin e pronave te patundshme ne Kuvend.

Komuna e Tuzit ndërkohë që drejtohej nga Nik Gjeloshaj i kishte marre tatimin mbi pronat e patundshme Kompanisë Platazh duke bllokuar llogarite e saj. Kjo kompani e prodhimit të Verës i ishte drejtuar me pas Gjykatës së Lartë duke thënë se kishte shkelje ligjore. Presidenti Malazes riktheu ligjin për tatimin e pronës se paluajtshme për rishqyrtim ne Kuvend duke thënë se nuk mund te këtë tatim për tokat bujqësore, pasi diçka e tille do të dëmtonte mbi 22 mije fermerë në vend.

/abcnews.al/

Spanja heq dorë nga planet për të blerë avionë luftarakë F-35

6 August 2025 at 14:05

Spanja ka hequr dorë nga planet e saj për të blerë avionë luftarakë F-35, të prodhuar nga kompani amerikane Lockheed Martin.

Qeveria kishte caktuar 6.25 miliardë euro në buxhetin e saj të vitit 2023 për blerjen e avionëve luftarakë të rinj.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanches, njoftoi se vendi i tij do të rriste shpenzimet për mbrojtjen 2 %, duke refuzuar që të rriste shpenzimet me 5 %. Ky qëndrim i Sanchez shkaktoi edhe kritika nga presidenti amerikan Donald Trump.

/abcnews.al/

Vlorë/ Humb jetën 59-vjeçarja, dyshimet e para 

6 August 2025 at 14:03

Një 59-vjeçare ka humbur jetën në Vlorë. Sipas informacioneve 59-vjeçarja është mbytur në det.

Ndërkohë dyshohet se shkak të jetë bërë një goditje në zemër. Megjithatë hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

/abcnews.al/

Transformohen banjat e Bënjës/ Kumbaro: Rikualifikim të zonës për ta kthyer në atraksion turistik

6 August 2025 at 13:41

Ujërat Termale të Bënjës do të jenë një tjetër destinacion për turistët e huaj dhe vendas.

Rikualifikimi i kësaj zonë parashikon ngritjen e hapësirave për piknik, një zonë e dedikuar për  shitjen e produkteve lokale, përmirësimin e vaskave me ujëra termale , si dhe një zonë shërbimesh ku do të ketë edhe dushe e dhoma zhveshjeje.

Ministrja e Turizmit inspektoi punimet të cilat parashikohet të përfundojnë në pranverë të vitit të ardhshëm.

Ministrja Kumbaro kërkoi një bashkëpunim të ngushtë mes bashkisë Përmet dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për një menaxhim të suksesshëm të këtij atraksioni.

Ujërat Termale të Bënjës janë kthyer në një destinacion shumë të frekuentuar në hartën turistike të Përmetit e Këlcyrës.

/abcnews.al/

VIDEO/ Përplasen dy automjete në Levan, një viktimë dhe disa të plagosur

6 August 2025 at 11:41

Një aksident ka ndodhur në Levan në Fier. Mësohet se dy automjete janë përplasur me njëra tjetrën.

Si pasojë e aksidentit një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë në vendngjarje ndodhet policia dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e dinamikës së këtij aksidenti të rëndë me pasoja fatale për jetën.

/abcnews.al/

Protesta kundër “Speciales”/ Mustafa: Me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin kemi qenë kundërshtarë politik, por nuk do mungoja në shesh nëse…

6 August 2025 at 11:10

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka dalë në mbështetje të protestës së paralajmëruar në Kosovë që do të mbahet më 7 gusht në orën 17:00. Protesta e lajmëruar nga organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, siç njoftojnë ata synon të kundërshtojë padrejtësisë e Gjykatës Speciale.

Por siç thekson më tej Mustafa, nënvizon se shëndeti jo i mirë nuk ia mundëson daljen e tij në shesh për të protestuar.

“…veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë! Një kërkesë paqësore për drejtësi të mirëfilltë! Me Thaçin, Veselin, Krasniqin, Selimin, kemi qenë kundërshtarë politik. Kemi garuar se kush e bënë Kosovën më mirë. Por, në këtë rast, sikur ta kisha shëndetin, me 7 gusht do të isha edhe unë në Shesh”, shprehet Mustafa, në postimin e tij në Facebook.

Më tej thekson se është detyrë e gjithëve që të mbrojnë vlerat e luftës, dhe të mos lejohet rishkrimi i historisë me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë.

“Shteti i Kosovës është rezultat i rezistencës politike të drejtuar nga Presidenti Rugova dhe i luftës së UÇK-së.  Është vlerë e përbashkët”, tha Mustafa.

Më tej, ai shprehet se në kohën kur është themeluar Gjykata Speciale, kanë pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Dhomave të Specializuara në Hagë me ligje të Kosovës. Jam dëshmitar se këtë besim të plotë e kanë pasur edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeparlamentari Veseli, me të cilët kam punuar asokohe”.

“Gjykata u themelua me bindje se do të marrin dënimet e merituara njerëzit për të cilët faktohet se kanë kryer krime. Askujt s’do ti shkonte mendja se në vend të kësaj, bartësit kryesorë të luftës për të mbrojtur pragun e shtëpisë, me rol kyç në Rambuje, në bisedat e Vjenës, në shpalljen e pavarësisë; në kundërvënien ndaj depërtimit me dhunë të një milion shqiptarëve nga Kosova, do të cilësoheshin si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha më tej ish-kryeministri.

Në fund rithekson se veteranët e luftës meritojnë solidarizim dhe përkrahje nga të gjithë për një kauzë të drejtë.

“Qendra” dyshohet jashtë vendit/ Kthyen dy apartamente në “fole” prostitucioni, në pranga pronari dhe dy kineze në Durrës

6 August 2025 at 10:54

Një tjetër veprimtari e shfrytëzimit të prostitucionit është goditur pas një operacioni të zhvilluar në Durrës.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar dy shtetase kineze. Gjithashtu në pranga ka rënë edhe pronari i apartamenteve, pasi sipas policisë i kishte dhënë ambientet me qira, pa kontrata.

Shtatë shtetas të tjerë, dy kinezë dhe 5 shqiptarë janë proceduar penalisht.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash, celularë, karta krediti, etj.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi, rezultoi se dy shtetaset kineze të arrestuara kishin marrë me qira, pa kontrata, 2 apartamente në lagjen nr. 13, të cilat i kishin përshtatur për shfrytëzim të prostitucionit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet, pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari, e cila dyshohet se e ka qendrën jashtë vendit, pasi rezultoi se telefonatat kryheshin nëpërmjet call center-it.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

❌
❌