Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 August 2025Main stream

Hamasi akuzon Izraelin për “krime lufte” pas vendimit të Netanyahut për pushtimin e plotë të Gazës

By: Rovena
8 August 2025 at 13:19

Hamasi e ka cilësuar si “krim lufte” vendimin e Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës.

Sipas një deklarate të shpërndarë për mediat, Hamas tha se ky plan i shpallur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu shpjegon edhe tërheqjen e papritur të Izraelit nga raundi më i fundit i bisedimeve për armëpushim.

“Palët ndodheshin pranë një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve,” thuhet në deklaratë.

Hamasi theksoi gjithashtu se, gjatë ndërmjetësimeve me Egjiptin dhe Katarin, kishte treguar “fleksibilitet dhe gatishmëri për të bërë të mundur arritjen e një armëpushimi”.

Po ashtu, lëvizja palestineze akuzoi qeverinë izraelite se nuk po tregon interes për fatin e pengjeve izraelite që ndodhen në Gaza.

Nga ana tjetër, Netanjahu deklaroi se Izraeli nuk ka synim të mbajë territorin e Gazës, por dëshiron të krijojë një “perimetër sigurie”. Ai shtoi se plani përfshin dorëzimin e territorit “forcave arabe”, por nuk dha detaje mbi strukturën e pritshme të qeverisjes./abcnews.al

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vendos rekord të ri: 50,892 pasagjerë dhe 298 fluturime në një ditë të vetme

By: xhir jeta
8 August 2025 at 13:11

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) shpall me krenari një arritje historike. Më 4 gusht 2025, aeroporti regjistroi ditën më të ngarkuar ndonjëherë, duke përpunuar 50,892 pasagjerë dhe duke menaxhuar 298 lëvizje avionësh.

Kjo shifër tejkalon rekordin e mëparshëm të vendosur më 16 gusht 2024, kur TIA kishte pritur 44,885 pasagjerë dhe kishte operuar 251 fluturime, duke shënuar një rritje të ndjeshme si në numrin e udhëtarëve, ashtu edhe në lëvizjet ajrore, krahasuar me një vit më parë.

Korrik 2025 – Rritje e qëndrueshme për 43 muaj radhazi

Performanca e TIA-s është rezultat i një tendence të qëndrueshme rritjeje gjatë katër viteve të fundit. Pas gati 3 milionë pasagjerësh në vitin 2021, aeroporti pothuajse e dyfishoi trafikun në vitin 2022, duke arritur në mbi 5 milionë udhëtarë. Rritja vazhdoi në vitin 2023 me mbi 7 milionë pasagjerë, dhe u përshpejtua ndjeshëm në vitin 2024, kur për herë të parë TIA kaloi 10 milionë pasagjerë, duke vendosur një rekord të ri ndërkombëtar.

Muaji korrik 2025 shënoi një tjetër arritje, me 1,286,707 pasagjerë që udhëtuan nga dhe drejt destinacioneve ndërkombëtare përmes TIA-s, një rritje prej 9% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Edhe numri i fluturimeve u rrit me 5% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Destinacionet më të preferuara mbeten Milano, Londra, Bolonja, Treviso dhe Vjena.
Në 7 muajt e parë të vitit 2025, numri total i pasagjerëve që kaluan nëpër TIA arriti në 6.4 milionë, duke shënuar një rritje prej 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Zgjerimi i rrjeteve ajrore në vitin 2025

Ky ritëm i lartë rritjeje është mbështetur nga zgjerimi i linjave ajrore dhe hapja e destinacioneve të reja. Gjatë vitit 2025, TIA ka shtuar një sërë destinacionesh kyçe në Evropë, përfshirë Lisbonën, Nantes, Bordeaux, Talinin, Vilniusin dhe Tel Avivin, ndërsa pas verës pritet të fillojnë edhe linjat e reja drejt Malagas, Larnakës dhe Valletës.

Dixhitalizimi – Për një të ardhme më të mirë

Me qëllim përmirësimin e përvojës së udhëtarëve, TIA po investon në infrastrukturë dhe zgjidhje dixhitale moderne, duke përfshirë:

  • Porta elektronike kufitare për përpunim më të shpejtë të kontrolleve të pasaportave
  • Skanerë të avancuar të sigurisë, që shkurtojnë kohën e kontrollit dhe përmirësojnë efikasitetin
  • Zgjerim i hapësirave të parkimit (tashmë me 1,900 vende) me një strukturë të re shumëkatëshe tërësisht funksionale
  • Bordimi me karta dixhitale, që u mundëson pasagjerëve të shmangin radhët për check-in në sportele

TIA shpreh falënderimet e saj më të sinqerta për të gjithë pasagjerët, linjat ajrore dhe stafin e përkushtuar, që e kanë bërë të mundur këtë arritje historike.

Rreth Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” është porta kryesore ajrore e Shqipërisë, që lidh vendin me mbi 90 destinacione në Evropë dhe më gjerë. Përmes investimeve të vazhdueshme dhe inovacionit, TIA po udhëheq zhvillimin e udhëtimeve ajrore në Shqipëri dhe po pozicionohet si një ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.

Kina “ringjall” Ajnshtajnin/ Hapet në Pekin dyqani i parë me robotë humanoidë

By: Rovena
8 August 2025 at 12:58

Imagjinoni të ecni mes robotësh që luajnë shah, përgatisin ushqim apo ju përshëndesin me zë të ngrohtë, ndërsa një kopje robotike e Albert Ajnshtajnit ju vështron me buzëqeshje. Kjo nuk është skenë nga një film fantastiko-shkencor, por realiteti i ri në zemër të Pekinit.

Robot Mall, dyqani më i ri dhe më inovativ në kryeqytetin kinez, hapi dyert të premten, duke ofruar më shumë se 100 lloje robotësh për të gjitha shijet dhe nevojat nga ndihmës shtëpiakë inteligjentë, deri te robotë që imitojnë figura të famshme të historisë.Dyqani është krahasuar me një koncesionar makinash, pasi ofron jo vetëm shitje, por edhe pjesë këmbimi dhe shërbime mirëmbajtjeje për robotët.

“Kina ka investuar fuqishëm në industrinë e robotikës dhe inteligjencës artificiale, në përpjekje për të përballuar sfida si rënia e ritmit të rritjes ekonomike dhe plakja e popullsisë,” tha për mediat e huaja drejtori i dyqanit, Wang Yifan. Sipas tij, “nëse robotët do të bëhen pjesë e mijëra familjeve, nuk mjafton vetëm kontributi i kompanive robotike”.

Çmimet e robotëve variojnë nga 2 mijë juanë (rreth 278 dollarë amerikanë) deri në disa milionë juanë. Vizitorët mund të ndërveprojnë me një shumëllojshmëri robotësh, përfshirë robotë në formë qenësh apo lojtarë shahu.

Një pjesë e veçantë e dyqanit i dedikohet pjesëve të këmbimit dhe shërbimeve teknike për mirëmbajtjen e robotëve. Robot Mall ndodhet pranë një restoranti tematik, ku klientët shërbehen nga robotë dhe ushqimi përgatitet nga kuzhinierë mekanikë.

Kina e ka vënë industrinë e robotikës në qendër të politikave të saj zhvillimore. Vetëm gjatë vitit të fundit, subvencionet për këtë sektor kanë kapur vlerën e mbi 20 miliardë dollarëve. Qeveria kineze po planifikon gjithashtu krijimin e një fondi prej 1 trilion juanësh për të mbështetur start-up-et në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale.

Hapja e Robot Mall përkon me fillimin e Konferencës Botërore të Robotëve, e cila nisi të premten në Pekin dhe do të zgjasë pesë ditë. Sipas mediave shtetërore kineze, këtë vit në aktivitet pritet të ekspozohen mbi 1,500 produkte nga më shumë se 200 kompani vendase dhe të huaja.

Ndërkohë, Pekini po përgatitet të presë Lojërat e Para Botërore të Robotëve Humanoidë, që do të zhvillohen nga 14 deri më 17 gusht, me pjesëmarrjen e ekipeve nga mbi 20 vende, të cilët do të konkurrojnë në disiplina si atletikë, vallëzim dhe futboll./abcnews.al

Fushat e reja të futbollit në Përrenjas, përfundon sistemi i drenazhimit, gati shtrimi i tapetit

8 August 2025 at 13:53

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Punimet për ndërtimin e dy fushave të reja të futbollit në qytetin e Përrenjasit, sipas marrëveshjes ndërmjet FSHF dhe Bashkisë Prrenjas, po vazhdojnë me ritme të shpejta.

FSHF bën të ditur se, aktualisht, është përfunduar instalimi i sistemit të drenazhimit dhe në ditët në vijim do të nisë shtrimi i tapetit artificial.

Me ndërtimin e dy fushave të reja në qytetin e Përrenjasit, një fushë me përmasa olimpike dhe një minifushë, fëmijët do të kenë mundësi të stërviten dhe të luajnë futboll në kushte të përshtatshme.

1 nga 2

/gj.m/r.e/

The post Fushat e reja të futbollit në Përrenjas, përfundon sistemi i drenazhimit, gati shtrimi i tapetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema e Investimeve, 50% grant për ndërtimin e stabilimenteve të rritjes së shpendëve

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Fermerët që mbarështojnë kafshë dhe shpendë kanë tashmë një mundësi shumë të mirë për të përmirësuar infrastrukturën e fermave të tyre, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, e cila ofron deri në 50% grant për ndërtimin e ambienteve të reja.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, skema synon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe blegtoral, duke garantuar kushte më të mira për mirëqenien e kafshëve dhe sigurinë ushqimore.

Kriteret minimale për përfitimin e financimit, janë për ndërtimin e fermave me: Jo më pak se 10 lopë; jo më pak se 100 krerë të imta (dele/dhi); jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 000 shpendë.

Mbështetja financiare për subjektet përfituese përfshin: 50% të vlerës totale të faturave tatimore që shkon deri në 15 milionë lekë për subjekt.

Fermerët kanë gjithashtu mundësinë të kombinojnë këtë mbështetje me Kredinë e Butë, që ofrohet me interes fiks vetëm 2% dhe Garanci sovrane që mbulon 70% të kolateralit.

“Kjo formulë e re e financimit krijon mundësi reale për të mbuluar 100% të investimit, duke i dhënë hov zhvillimit rural dhe shtimit të prodhimit vendas”, theksoi Denaj.

Afati për aplikim është deri më 30 shtator 2025, pranë zyrave të AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural), dhe përfshin 9 masa mbështetëse në total për sektorin bujqësor.

Ministrja Denaj e cilësoi Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, një hap më pranë bujqësisë moderne dhe të qëndrueshme.

/r.e/

The post Skema e Investimeve, 50% grant për ndërtimin e stabilimenteve të rritjes së shpendëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Besnik Bakiut pas 44 vitesh në polici

TIRANË, 8 gusht /ATSH/Pas 44 viteve të mbushura me përkushtim, ndershmëri dhe sakrifica, në radhët e Policisë së Shtetit, oficeri i karrierës, Drejtues i Parë Besnik Bakiu, mbylli sot shërbimin aktiv, duke dalë në pension, por jo duke u ndarë nga misioni i tij.

Për kontributin e tij të çmuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda i akordoi Certifikatën e Karrierës, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizim dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Gjatë ceremonisë së organizuar për këtë qëllim, Proda vlerësoi maksimalisht Bakiun për gjithë kontributin e dhënë, si dhe për vlerat e tij edhe në fushën e krijimtarisë dhe gazetarisë.

“Të shërbesh 44 vite në Policinë e Shtetit dhe ta mbyllësh me nder këtë rrugëtim kilometrik, është krenari për ty në radhë të parë, për familjen tënde, për ne, Policinë e Shtetit, dhe për shoqërinë ku bën pjesë. Dera e shtëpisë sonë është përherë e hapur për të dhënë këshillat e tua të vyera për përmbushjen sa më cilësore të shërbimit ndaj qytetarëve dhe ligjit”, tha Proda.

Bakiu falënderoi Prodën për certifikatën dhe theksoi se “tashmë do të vijoj të jem një zë i fortë në media dhe në shoqërinë civile, ku do të aderoj për të mbrojtur e vlerësuar angazhimin, përkushtimin dhe sakrificën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Për më shumë se 4 dekada jam përpjekur të respektoj ligjin dhe qytetarët dhe kam guxuar të shkruaj në media shumë herë për përbaltjen e padrejtë të Policisë së Shtetit, gjë që tashmë do ta bëj akoma më shumë dhe më mirë”.

Drejtues i Parë Besnik Bakiu, përveçse një oficer i dalluar, është studiues dhe shkrimtar, i përkushtuar ndaj kërkimit dhe dokumentimit të historisë, sfidave dhe arritjeve të Policisë së Shtetit. Me daljen në pension, sipas njoftimit për shtyp të policisë “ai do t’i bashkohet shoqërisë civile, duke vazhduar të shkruajë, të ndajë përvojën e tij dhe të mbrojë me fjalë dhe fakte figurën dhe sakrificën e punonjësve të Policisë”.

“Ky është një mision që nuk matet me vite shërbimi, por me gjurmët e lëna në zemrat e kolegëve dhe në kujtesën e shoqërisë”, nënvizoi policia e Shtetit.

/m.q/

The post Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Besnik Bakiut pas 44 vitesh në polici appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KSHH publikon raportin përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit: Nevojitet depolitizimi i administratës zgjedhore

8 August 2025 at 13:38

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi sot raportin përfundimtar të vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të datës 11 maj 2025, një dokument gjithëpërfshirës që pasqyron gjetjet më të rëndësishme, vlerësimet dhe rekomandimet përkatëse.

Raporti bazohet në një monitorim të detajuar të të gjithë ciklit zgjedhor, përfshirë periudhën parazgjedhore, ku u vëzhgua funksionimi i administratës zgjedhore, respektimi i afateve ligjore, ndalimi i përdorimit të burimeve publike dhe barazia në garë ndërmjet subjekteve politike.

KSHH nënvizon se ditën e votimit u evidentuan praktika pozitive, por edhe problematika si mungesa e energjisë elektrike në disa qendra, defekte teknike dhe raste të përpjekjeve për ndikim mbi votuesit.

Ndërkohë në procesin e numërimit KSHH vëren se u konstatua transparencë në shumicën e rasteve, por edhe prezenca e personave të paautorizuar dhe nevoja për depolitizim të administratës zgjedhore.

Në këtë raport, KSHH ripërsërit rekomandimin se reforma e mëtejshme zgjedhore kërkon konsensus dhe dialog të gjerë politik, transparencë dhe gjithëpërfshirje.

“Është e nevojshme të merren në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të pasqyruara në raportet e viteve të fundit. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor nuk duhet të jenë monopol i partive politike dhe as të realizohen në periudha të afërta zgjedhore, por të marrin në konsideratë standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare”, thuhet në raport.

KSHH rekomandon po ashtu krijimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore menjëherë pasi të konstituohet parlamenti i ri, për të filluar menjëherë nga puna, bazuar në parimet dhe standardet e nevojshme.

KSHH vlerëson se zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë vërtetuan edhe një herë se anëtarët e komisioneve zgjedhore lokale, në mjaft raste, profesionalisht nuk ishin në nivelin e duhur.

“Në punën e tyre u vërejt edhe njëanshmëria partiake. Për rrjedhojë qëndron nevoja imediate për të marrë në shqyrtim rekomandimin prioritar e të hershëm të OSBE/ODIHR-it, për depolitizimin total të tyre”, vlerësohet në raport.

KSHH rekomandon që objekt diskutimi në kuadër të reformës së ardhshme zgjedhore të jenë edhe ankesat e partive të vogla për sistemin zgjedhor në fuqi, që sipas tyre cenon barazinë e votës midis zonave dhe për rrjedhojë shpërndarjen e mandateve.

Për sa i përket votimit me postë, KSHH shprehet se duhet pasur parasysh Kodi i Praktikës së Mirë të Komisionit të Venecias, të vitit 2002 ku thuhet: “Votimi me postë duhet të lejohet vetëm në qoftë se shërbimi postar është i sigurt dhe i besueshëm. E drejta për të përdorur votimin me postë mund të kufizohet vetëm për njerëzit në spital ose në burg, ose njerëzit me aftësi të kufizuar për të lëvizur, ose zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit, por duhet të merren masa për të parandaluar mashtrimin dhe shantazhin”.

Po ashtu, KSHH rekomandon zgjerimin e votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme, pas konsultimit me partitë politike dhe me ekspertizën e ekspertëve të kualifikuar të fushës.

Lidhur me ndalimin e përdorimit të burimeve publike për qëllime elektorale, KSHH vlerëson se duhet të rishikohet në parashikimet e Kodit Zgjedhor duke e shtrirë këtë ndalim që prej datës së dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti.

KSHH i rekomandon po ashtu KQZ-së që të realizojë hetime administrative të shpejta, efikase dhe objektive të rasteve apo sinjalizimeve të lidhura me shpërdorimin e aseteve publike, duke treguar rigorozitet në zbatimin e ligjit dhe sanksionimin e shkelësve.

Po ashtu, KSHH vlerëson se trajnimi dhe certifikimi i detajuar dhe cilësor i komisionerëve duhet të jetë prioritet, duke u fokusuar jo vetëm në njohjen e procedurave, por edhe në menaxhimin e situatave të paparashikuara dhe respektimin e plotë të ligjit.

Forcimi i masave për kontrollin e aksesit në vendvotime dhe vendnumërime është thelbësor për të parandaluar praninë e personave të paautorizuar dhe për të shmangur çdo formë ndikimi të paligjshëm. Kësaj praktike të dëmshme duhet t’i jepet një zgjidhje përfundimtare në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet më tej në raport.

/m.m/r.e/

The post KSHH publikon raportin përfundimtar për zgjedhjet e 11 majit: Nevojitet depolitizimi i administratës zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së

PRISHTINË, 8 gusht /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Në dritë të letrës së pranuar nga Presidenti Trump, Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e tij dhe për fjalët e fuqishme mbi partneritetin me Kosovë. Ajo rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur për të punuar ngushtë me Presidentin Trump në thellimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe në avancimin e objektivave të përbashkëta strategjike

Osmani vlerësoi lart lajmin të cilin ia ka komunikuar javën e kaluar Zëvendëssekretari amerikan Christopher Landau për vazhdimin e Kompaktit të MCC-së në Kosovë, si një hap që do të ndihmojë ndjeshëm zhvillimin afatgjatë dhe strategjik të sektorit të energjisë, si dhe zhvillimet pozitive në aspektin e integrimit të Kosovës në peizazhin digjital global.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për hapa konkretë në funksion të thellimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. /KosovaPress/

The post Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e kryeparlamentarit me votim të hapur

PRISHTINË, 8 gusht /ATSH/ Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Po ashtu ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, i cili u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit. /REL/

The post Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese: Zgjedhja e kryeparlamentarit me votim të hapur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koleksioni i artit bashkëkohor “Imago Mundi”, në COD

8 August 2025 at 13:20

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog ftoi të gjithë artdashësit të zbulojnë koleksionin “Imago Mundi” në bibliotekën e COD-it.

Katalogët e koleksionit të artit bashkëkohor “Imago Mundi”, një nismë vizionare nga Luciano Benetton, tashmë janë të disponueshëm për lexuesit në bibliotekën e COD-it. Ky koleksion unikal përmbledh vepra të artistëve të afirmuar dhe në zhvillim nga mbarë bota, duke reflektuar një mozaik kulturash dhe identitetesh vizuale.

“Imago Mundi” është një udhëtim artistik përgjatë paralelit 42, që përshkon historinë, kulturën dhe ndikimet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, nga Europa në Azi, nga Gjeorgjia në Mongoli, nga Rusia në Japoni. Në bibliotekën e Kryeministrisë gjenden katalogët e koleksionit nga: Turqia, Spanja dhe Mongolia. Në faqen online të COD-it, ky arkiv ndërkombëtar arti, vlerësohet si një pasuri që pret për t’u lexuar, parë dhe reflektuar.

1 nga 5

/r.e/

The post Koleksioni i artit bashkëkohor “Imago Mundi”, në COD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Merz: Gjermania pezullon eksportet e armëve drejt Izraelit

BERLIN, 8 gusht /ATSH-ANSA/ – Qeveria gjermane nuk do të autorizojë më asnjë eksport të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Rripin e Gazës deri në njoftim të mëtejshëm, deklaroi sot kancelari gjerman, Friedrich Merz.

”Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër terrorizmit të Hamasit, i cili duhet të çarmatoset, por veprimi edhe më agresiv ushtarak i ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, i vendosur mbrëmë nga qeveria izraelite, e bën gjithnjë e më të vështirë të shihet se si mund të arrihen këto objektiva”, thekson Merz.

Merz mbi situatën në Rripin e Gazës, kujtoi gjithashtu se “lirimi i pengjeve dhe negociatat për një armëpushim janë përparësia kryesore e qeverisë gjermane dhe pikërisht për këto arsye, Berlini nuk do të autorizojë asnjë dërgesë armësh që mund të përdoren në Rrip”.

“Me ofensivën e planifikuar, qeveria izraelite ka një përgjegjësi edhe më të madhe se më parë për mbështetjen e popullsisë civile. Ajo duhet të lehtësojë aksesin e plotë në furnizimet me ndihmë, duke përfshirë organizatat e Kombeve të Bashkuara dhe institucionet e tjera joqeveritare”, shtoi ai.

Berlini më në fund i kërkon qeverisë izraelite “të mos ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt aneksimit të Bregut Perëndimor”./   /os/

 

The post FOKUS – Merz: Gjermania pezullon eksportet e armëve drejt Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “Koordinata”, asgjësohen bimë narkotike në Lazarat e Visokë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Në kuadër të operacionit antikanabis të koduar “Koordinata” janë asgjësuar dhjetëra bimë narkotike kanabis në Gjirokastër dhe në Mallakasatër dhe janë arrestuar dy të dyshuar.

Policia e Gjirokastrës njoftoi sot se ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, për të cilin u arrestua në flagrancë shtetasi P. Gj.

“Në oborrin e banesës së tij në fshatin Lazarat, u gjetën të kultivuara 48 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

“Një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies”, njoftoi Policia.

Gjithashtu edhe në Mallakastër janë asgjësuar 77 bimë narkotike kanabis sativa.

“Nga kontrollet, në fshatin Visokë u konstatua një parcelë ku ishin kultivuar 77 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, një pjesë e të cilave u sekuestrua me cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies”, njoftoi Policia.

Policia njoftoi se gjatë ndërhyrjes u kap në flagrancë, në parcelë, shtetasi K. Xh., 58 vjeç, i cili u arrestua për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/

The post Operacioni “Koordinata”, asgjësohen bimë narkotike në Lazarat e Visokë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ISSH: Aplikim në e-Albania për tërheqjen e pensionit në bankë

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) fton përfituesit që të kalojnë marrjen e pensionit nga sportelet tradicionale postare drejt sistemit bankar.

ISSH njofton se kjo iniciativë synon të shmangë radhët e gjata në postë dhe të ofrojë një zgjidhje më të shpejtë, të sigurt dhe të lehtësuese për qytetarët, sidomos për moshën e tretë.

Për ta realizuar këtë kalim, qytetarët duhet të hapin një llogari në një nga bankat e nivelit të dytë me të cilat ISSH ka marrëveshje bashkëpunimi.

Llogaria duhet të jetë specifike për pagesën e pensionit. Pasi të jetë hapur llogaria, përfituesit duhet të plotësojnë një kërkesë online përmes portalit e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi”.

Gjithsej janë 10 banka që Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar marrëveshje për pagesën e pensioneve në Shqipëri.

Ky proces jo vetëm që e modernizon sistemin e shpërndarjes së pensioneve, por edhe rrit sigurinë dhe lehtëson jetën e qytetarëve në një epokë kur teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Përfituesit e pensionit tashmë mund ta marrin pagesën e tyre në kohë, pa radhë dhe pa stres, thjesht, nëpërmjet bankës.

Ligji për llogaritë bazike, që ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë dhe që parashikon përfitime për kategoritë në nevojë, ka nisur nga zbatimi në muajin prill 2024.

Sipas këtij ligji, kategoritë të caktuara përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara ose me tarifë zero si dhe opsionin e transferimit të llogarisë, nga llogari normale në atë bankare bazike.

Ndërkohë më tarifë zero janë edhe shërbimet si hapja dhe mbyllja e llogarive bankare, tërheqjet në ATM, debitimet direkte, transaksionet e pagesave përmes një karte, përfshirë pagesat on-line, transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line.

Referuar të dhënave të vitit të kaluar, ishin rreth 74 mijë pensionistë, të cilët merrnin pensionin përmes bankave dhe rreth 666 mijë të tjerë në postë.

1 nga 2

The post ISSH: Aplikim në e-Albania për tërheqjen e pensionit në bankë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vetëm tetë ditë para fillimit të La Ligës, Barcelona ka ende shtatë lojtarë për t’u regjistruar

By: V K
8 August 2025 at 13:41

Të premten e ardhshme, më 15 gusht, fillon sezoni 2025-26 i LaLiga-s. Një ditë më vonë, Barcelona do të luajë ndeshjen e saj të parë në “Son Moix” kundër Majorkës.

Koha po mbaron dhe klubi Blaugrana nuk i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë për ta përgatitur skuadrën për ndeshjen.

Pavarësisht se kanë bërë lëvizje në tregun e transferimeve dhe kanë nënshkruar me tre lojtarë, ata ende nuk i kanë regjistruar ata.

Por, nuk janë vetëm nënshkrimet. Deri më sot, lista e lojtarëve të Barcelonës në La Liga, ka tetë lojtarë që ende nuk janë regjistruar, megjithëse rrethanat ndryshojnë shumë në secilin rast.

Dhe ky është një problem për Flik, i cili nuk e di saktësisht se kujt mund t’i besojë për Mallorcën. Janë të gjitha spekulime dhe qëllime të mira, por realiteti është se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe ka lojtarë të rëndësishëm që nuk janë në dispozicion të trajnerit.

Tetë lojtarët që nuk janë regjistruar janë: Joan Garsia, Shezni, Gerard Martín, Hektor Fort, Bernal, Rashford, Runi Bardgi dhe Oriol Romeu, megjithëse ky i fundit është pothuajse i sigurt se do të largohet nga klubi.

PORTA – Problemi më i madh është te porta. Joan Garsia, për të cilin klubi pagoi 25 milionë te Espanjoli dhe Shezni, i cili rinovoi kontratën e tij disa javë më parë, ende nuk janë regjistruar.

Megjithatë, dy portierët në të cilët klubi nuk mbështetet janë: Ter Shtegen dhe Injaki Penja. Ka një luftë të hapur me të parin, sepse ai refuzon të nënshkruajë autorizimin që klubi të dërgojë raportin mjekësor në LaLiga pas operacionit të tij për shkak të mospërputhjeve në kohëzgjatjen e mungesës së tij.

Dhe Injaki Penja, portieri i katërt i Flik, ka qenë në kërkim të një destinacioni gjatë gjithë verës.

SULMI – Problemi i dytë vjen nga sulmi, ku dy nënshkrimet e reja të ekipit nuk janë regjistruar në La Liga.

Më i rëndësishmi është Rashford, një sulmues i cili duhet të jetë një pjesë kyçe e skemës së Flik gjatë gjithë sezonit.

Bardgi mund të nënshkruajë me ekipin rezervë. Asnjëri prej tyre nuk është aktualisht i regjistruar dhe është e habitshme që Ansu Fati, mbetet i regjistruar pavarësisht se është huazuar te Monako.

MËNYRAT PËR T’U REGJISTRUAR – Ka dy mënyra që Barcelona të regjistrojë lojtarë. Njëra është të përdorë regjistrimin e Ter Shtegen nëse gjermani mungon për të paktën katër muaj.

Dhe tjetra është që auditori, dhe më pas La Liga, të autorizojë ndenjëset VIP në “Camp Nou”. Nëse do të ishte kështu, Barcelona do të kthehej te rregulli 1:1 dhe do të ishte në gjendje të regjistronte nënshkrimet.

The post Vetëm tetë ditë para fillimit të La Ligës, Barcelona ka ende shtatë lojtarë për t’u regjistruar appeared first on Albeu.com.

Ngërçi me konstituimin në Kosovë/ Kushtetuesja: Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri përmes votimit të hapur

By: V K
8 August 2025 at 13:00

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur.

Konstituimi i Kuvendit, duhet të permbyllet brenda 30-ditësh. Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së seancës lonstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të “ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në tre herë për kandidatin/en e njëjtë”.

Gjithashtu, ka urdhëruar që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të jenë të gjithë deputetët e zgjedhur të pranishëm dhe të votojnë.

Pas shpalljes së aktgjykimit, deputetja e LDK-së, Hymete Bajrami, tha se aktgjykimin e sotëm, Kushtetuesja vërtetoi se udhëheqësi i LVV-së, njëherësh kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka “detyruar Deharin të shkelë Kushtetutën”.

“I njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë – Albin Kurti më nuk mund ta bllokojë Kosovën për emrin e Albulena Haxhiut sepse shteti i është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër”, shkroi ajo në Facebook.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, e cila u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës.

Pas kësaj, Gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, lëndë për të cilat shpalli aktvendimin të premten, më 8 gusht.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.

Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit./ REL

The post Ngërçi me konstituimin në Kosovë/ Kushtetuesja: Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri përmes votimit të hapur appeared first on Albeu.com.

Indonezia do të trajtojë 2 mijë të plagosur nga Gaza në ishullin e pabanuar Galang

By: Rovena
8 August 2025 at 11:19

Indonezia, vend me shumicë myslimane, ka bërë të ditur se do të ofrojë trajtim mjekësor për rreth 2 mijë banorë të plagosur të Gazës në një qendër mjekësore të përshtatur në ishullin e pabanuar Galang, pranë ishullit Sumatra. Sipas zëdhënësit të presidentit indonezian, Hasan Nasbi, qëllimi është ofrimi i ndihmës së përkohshme për viktimat e luftës në Gaza.

“Indonezia do të ofrojë ndihmë mjekësore për rreth 2 mijë banorë të Gazës që janë plagosur ose janë nxjerrë nga rrënojat,” deklaroi Nasbi në një konferencë për shtyp të enjten në Jakarta.

Pacientët do të transportohen në ishullin Galang, i cili dikur ka shërbyer si kamp refugjatësh për azilkërkues vietnamezë. Përveç trajtimit mjekësor, pritet që aty të strehohen përkohësisht edhe familjarët e tyre. Pas shërimit, ata do të rikthehen në Gaza, shtoi Nasbi, pa dhënë detaje të mëtejshme për kohën apo garancitë e kthimit.

Ky zhvillim vjen pas raportimeve të muajit korrik nga Axios, ku thuhej se drejtori i agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, kishte kërkuar ndihmën e SHBA-së për të bindur disa vende, përfshirë Indonezinë, Libinë dhe Etiopinë, që të pranonin një numër të madh palestinezësh nga Gaza.

Megjithatë, Ministria e Jashtme e Indonezisë e ka mohuar kategorikisht këtë raport, duke deklaruar për The Guardian se qeveria “nuk ka diskutuar kurrë një plan të tillë me askënd”.

Plani i trajtimit të palestinezëve të plagosur në Galang vjen disa muaj pas propozimit të presidentit indonezian, Prabowo Subianto, për të strehuar përkohësisht palestinezë të plagosur, propozim që u kritikua nga disa udhëheqës të lartë fetarë në vend, të cilët e panë atë si të ngjashëm me idetë e ish-presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Ulemave të Indonezisë, Buya Anwar Abbas, shprehu shqetësim se trajtimi jashtë Gazës mund të përdoret si manovër nga Izraeli për të thelluar pushtimin e territorit palestinez. Ai theksoi se ndihma mjekësore duhet të ofrohet në vetë Gazën.

“Si një komb që ka përjetuar 350 vjet kolonializëm, Indonezia duhet të jetë vigjilente ndaj mashtrimeve të pushtuesve,” tha ai.

Edhe përfaqësues të organizatës më të madhe myslimane në vend, Nahdlatul Ulama, shprehën dyshime mbi planin, duke ngritur pikëpyetje nëse ekziston ndonjë garanci që palestinezët e plagosur do të mund të kthehen në Gaza.

“Ka shumë palestinezë që ende nuk kanë mundur të kthehen në shtëpi. Ky plan mund t’i hapë rrugë Izraelit për të zgjeruar pushtimin e tij,” tha një përfaqësues i lartë i organizatës.

Ministria e Jashtme e Indonezisë ka riafirmuar mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete dhe ka theksuar se “kundërshton me forcë çdo përpjekje për zhvendosje të detyruar të palestinezëve”.

Ishulli Galang ka qenë kamp refugjatësh i administruar nga OKB-ja deri në vitin 1996 dhe është shfrytëzuar si spital për trajtimin e pacientëve gjatë pandemisë së COVID-19 në vitin 2020.

 

Turqia i bën thirrje Izraelit të ndalë planet për luftë në Gaza

By: Rovena
8 August 2025 at 10:56

Turqia ka reaguar ndaj planit të Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të operacioneve ushtarake dhe arritjen e një armëpushimi.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke thuhet se Izraeli duhet të heqë dorë nga planet e tij për luftë dhe të angazhohet në negociata për një zgjidhje me dy shtete.

Sipas Turqisë, vazhdimi i luftës përbën një kërcënim serioz për sigurinë globale.

Ankaraja i ka bërë thirrje gjithashtu bashkësisë ndërkombëtare dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të ndërhyjnë për të ndalur zbatimin e planit të ri izraelit./abcnews.al

Çfarë është kabineti i sigurisë i Izraelit?

By: Rovena
8 August 2025 at 10:48

Kabineti i sigurisë i Izraelit, i njohur gjithashtu si Komiteti Ministror për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, është organi përgjegjës për drejtimin e politikave të sigurisë kombëtare dhe të jashtme të vendit.

Ky komitet është më i vogël se kabineti i plotë qeveritar dhe, përveç kryeministrit, përfshin domosdoshmërisht ministrat e Mbrojtjes, të Punëve të Jashtme, të Drejtësisë, të Financave dhe të Sigurisë Kombëtare.

Kryeministri ka të drejtë të emërojë edhe ministra të tjerë në këtë kabinet, për sa kohë që numri i përgjithshëm i anëtarëve nuk tejkalon gjysmën e ministrave të kabinetit të plotë.

Aktualisht, në përbërje të kabinetit të sigurisë janë disa udhëheqës të partive të koalicionit qeverisës dhe deputetë të lartë. Ndër ta janë edhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich të dy figura të së djathtës ekstreme të cilët kundërshtojnë marrëveshjen për armëpushim në Gaza dhe kanë kërcënuar me dorëheqje në rast të miratimit të saj.

Situata me zjarret në vend, evidentohen 19 vatra zjarri, 3 prej tyre ende aktive

8 August 2025 at 10:08

Tri vatra zjarri janë ende aktive. Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin lidhur me situatën e zjarreve në vend. Sipas Ministrisë gjatë orëve të fundit janë evidentuar 19 vatra zjarri.

Vatrat aktive janë në malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq vazhdon zjarri në një sipërfaqe pyjore në lartësi, ndërsa në terren po operojnë 10 mjete të shërbimit zjarrfikës të Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës dhe rreth 120 forca operacionale të mbështetur nga ajri si dhe nga efektivë të Forcave të Armatosura.

– Fshati Lofkënd, bashkia Mallakastër: Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, ndërsa në terren janë dislokuar 11 automjete zjarrfikëse, ndër te cilat 2 të FA si dhe 130 forca nga të gjitha strukturat operacionale, me mbështetje edhe nga ajri, të cilët po punojnë edhe sot për izolimin e plotë të tij.

-Në fshatin Vjollcë, bashkia Mirditë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pyll pishe dhe shkurre. Është punuar deri në orët e vona nga shërbimi vendor i MZSH,  shërbimi pyjor dhe vullnetarë të zonës, pa mundur ta izolojnë vatrën. Rrezik për banesa nuk ka.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 48 automjete zjarrfikëse dhe 445 forca operacionale, 9 automjete të rënda, të ndihmuar nga FA me 73 forca ushtarake, 8 automjete zjarrfikëse me ekuipazh dhe mbështetje nga ajri, si dhe dy avionë suedezë të aktivizuar në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave në terren dhe mbështetjen e çdo strukture me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët.

Ndërsa u drejtohet sërish banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme.

❌
❌