Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Gjykata Kushtetuese legjitimon ndryshimet e ligjit për “Zonat e Mbrojtura”

31 July 2025 at 18:39

Gjykata Kushtetuese vendos të mos e shfuqizojë ligjin që ndryshon kuadrin për “Zonat e Mbrojtura”.

Përmes një konference për shtyp, pasditen e sotme Gjykata Kushtetuese tha se kishte vendosur të rrëzojë kërkesën e një të pestës së deputetëve të Kuvendit dhe organizatave mjedisore “Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë” (AOS) dhe “EcoAlbania”, të cilët kërkonin shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr. 21/2024 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017 ‘Për Zonat e Mbrojtura’”.

Pretendimet për cenim të barazisë përpara ligjit, parimeve të shtetit të së drejtës dhe hierarkisë së akteve u rrëzuan për mungesë argumentesh kushtetuese.

Njësoj u rrëzua pretendimi se ndryshimet cenojnë trashëgiminë natyrore dhe identitetin kombëtar.

Gjykata vlerësoi se ligji është një ligj kuadër, pra nuk krijon pasoja të drejtpërdrejta dhe konkrete për mjedisin. Efektet reale do të vlerësohen vetëm kur të miratohen aktet nënligjore (si vendimet e Këshillit të Ministrave).

Sa i takon konsultimeve publike, Gjykata vlerësoi se ato ishin përmbushur, pasi nisma ishte parlamentare dhe Kuvendi kreu konsultimin me publikun për versionin përfundimtar të projektligjit.

Për sa më sipër, duke marrë në konsideratë dhe qëndrimin e ndarë (pa shumicë të cilësuar prej 5 gjyqtarësh) sa i takon pajtueshmërisë ose jo të ndryshimeve me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) dhe “acquis communautiaire”, Gjykata Kushtetuese nuk konstatoi shkelje të Kushtetutës dhe vendosi rrëzimin e kërkesës.

Për rrjedhojë ligji nr. 21/2024 mbetet në fuqi.

Në seancën e 23 qershorit, palët patën paraqitur qëndrime të kundërta mbi ndikimin mjedisor dhe standardet kushtetuese të ligjit. Organizatat mjedisore argumentuan se ligji hapte rrugën për ndërtime në zona natyrore të ndjeshme.

Vendimi, i cili pritet të zbardhet në javët e ardhshme, ka ngjallur zhgënjim nga shoqëria civile, pasi krijon precedent për dobësimin e mbrojtjes ligjore të natyrës në emër të investimeve.

Lexoni gjithashtu:

The post Gjykata Kushtetuese legjitimon ndryshimet e ligjit për “Zonat e Mbrojtura” appeared first on Citizens.al.

Gjykata Kushtetuese lë në fuqi ligjin kontrovers për Zonat e Mbrojtura

31 July 2025 at 19:20

Gjykata Kushtetuese rrëzoi të enjten kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e ligjit të vitit 2024 “Për Zonat e Mbrojtura”- i kritikuar gjerësisht edhe nga aktivistët mjedisorë se po vulos pa kthim dëmtimin e natyrës së mbrojtur. Projektligji u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në shkurt të vitit 2024, duke i hapur rrugën ndërtimit të […]

The post Gjykata Kushtetuese lë në fuqi ligjin kontrovers për Zonat e Mbrojtura appeared first on Reporter.al.

Projekti që i jep fund propagandës së gjelbër me Farkën

29 July 2025 at 16:37

Ndërsa propagandohej si parku i dytë i madh i Tiranës, liqeni i Farkës u shndërrua në zonë vilash dhe kullash eksluzive. Në dekadën e fundit, kodrat e gjelbra rreth liqenit u shndërruan në kantiere të mëdha ndërtimi.

Projekti më i fundit “Albora’s Lake” parashikon plot 17 kulla dhe dhjetëra rezidenca e vila private, në atë që duket se i jep fund një herë e përgjithmonë konceptit të publikes në parkun e madh të Farkës.

Një masiv ndërtesash buzë liqenit

Projekti “Albora’s Lake” u paraqit në festivalin kontrovers të arkitekturës “Bread & Heart” që u mbajt në qershor.

Lexo editorialin: “Bukë, zemër dhe beton“.

Ai është realizuar nga studioja e arkitektit britanik Amin Taha, Groupwork, i cili ishte gjithashtu prezent në festival si i ftuar.

“Albora’s lake” parashikon një kompleks “të frikshëm” ndërtimi të shtrirë në rreth 30-35 hektarë tokë në verilindje të Liqenit të Farkës.

Sipas maketeve të shqyrtuara nga Citizens.al aty parashikohet të ndërtohen të paktën pesë rreshta me rreth 70 vila, 40 pallate (pesë deri në dhjetë kate), një impiant me qendër tregtare, galeri dhe pishinë olimpike, një park dhe pak më tutje një masiv prej 17 kullash 30-katëshe.

Pamje nga maketet e Albora’s Lake dhe etiketa shpjeguese/Citizens.al

Në etiketën shpjeguese të maketit theksohej se lejet për këtë koncept janë siguruar në periudhën 2024-2025 dhe se puna ka nisur me periudhë përmbyllëse vitet 2027-30.

Aktualisht i vetmi dokument publik që flet për këtë projekt është një rend dite i mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit. Në mbledhjen e 28 janarit 2025, KKTU shpreh shkurtimisht se parashikohet miratimi i lejes së zhvillimit.

Nuk është e qartë nëse ky projekt realisht ka nisur të ndërtohet. Në të njëjtën zonë po ndërton edhe grupi Balfin, i sipërmarrësit Samir Mane.

Prej vitit 2023, kompania e sipërmarrësit Mane po zhvillon projektin e “Rolling Hills Liqeni” me hyrje-dalje direkte në anën lindore të “Unazës së Madhe”. 

Sipas broshurës prezantuese për shitjet (fq 14-15), kuptohet se në zonën ku mendohet të shtrihet projekti i “Albora’s Lake” është konceptuar faza e dytë e vilave dhe komplekseve rezidenciale të Balfinit.

Kush është zhvilluesi?

Projekti i “Albora’s Lake” është porositur nga “Lion Construction shpk” e sipërmarrësve Erion Gina dhe Bardhjus Bushaj, të cilët kanë një portofol të rëndësishëm ndërtimesh në Tiranë dhe bregdet dhe gëzojnë lidhje dhe kontakte me sipërmarrës të tjerë si Aleksandër Frangaj, Florenc Gjikuria, etj.

Kompania “Lion Construction” është e njohur për projektin në ish-restorantin “Lion Park” në hyrjen verilindore të Liqenit Artificial të Tiranës, që pas vitit 2019 u shndërrua në kullën 14-katëshe “Lion Residence”.

Në maj të vitit 2022, Gina dhe Bushaj i blenë Samir Manes për rreth 250 mijë euro kompaninë “Urbalb Construction”, e cila në dhjetor të atij viti mori leje ndërtimi për shndërrimin e ish-“Shkollës së Partisë” në Laprakë në një kullë 34-katëshe.

Projekti, i konceptuar nga “ylli i arkitekturës”, italiani Giacomo Garziano (GG-Loop), tanimë quhet “Lion Residence II”, në 2025 leja u rishikuar, duke shtuar një kat nëntokë.

Gina dhe Bushaj zotërojnë gjithashtu kompani të tjera si “Top Realty Albania”, “Golden Key”, “Seaside Construction”, apo “EBG Group”, me të cilat ata kanë zhvilluar projekte të tjera ndërtimi si “Drymades Village, njohur si Santorini” (2021), “Village Square” (2023), apo dhe “Park Houses Mjull-Bathore”. 

Pamje satelitore të Farkës/Google, 2015.

Farka – Nga park publik, në park rezidencial

Liqeni i Farkës ndodhet rreth 10 km nga qendra e Tiranës dhe 10 vitet e fundit është promovuar si “parku i dytë” i qytetit. Por ai ka pasur vetëm 1.1 hektarë hapësirë publike, sipas Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

Pjesa më e madhe e sipërfaqes së parkut është liqeni, pra pjesa ujore, rreth 75 hektarë.

Për krahasim, Parku i Liqenit Artificial, shtrihet në rreth 157 hektarë tokë dhe ka një liqen me sipërfaqe rreth 45 hektarë.

Kjo mangësi në sipërfaqe toke ka bërë që Farka të promovohej kryesisht për rekreacionet e ujit, si peshkimi, kanotazhi dhe noti.

Por në 10 vitet e fundit, investimet e bashkisë u kufizuan në shëtitore, pemë, rrugë për biçikleta dhe jo zgjerim të parkut.

Ndërkohë ndërtimet zunë kodrat përreth duke zbehur krejtësisht propagandën e gjelbër me mbjellje pemësh.

Pamjet satelitore të Google tregojnë se në vitin 2015, vetëm 3% e truallit rreth liqenit ishin të urbanizuara; ndërsa sot, ndërtimet zënë rreth 20% të kodrave dhe plani i “Albora’s Lake” synon ta çojë deri në 35%.

Në një perimetër prej rreth 195 hektarësh përgjatë liqenit 10 vite më parë kishte rreth 6 hektarë parcela trojesh me ndërtime. Pra, 97% e kodrave të Farkës ishte e gjelbër.

Sot, pamjet satelitore tregojnë për një katrahurë ndërtimesh. Kodrave u janë shtuar rreth 39 hektarë me parcela ndërtimore, të cilat zënë 20% të së njëjtës hapësirë të dikurshme.

Nëse marrim të mirëqenë se parcela që kërkon projekti “Albora’s Lake” është rreth 30 hektarë, përqindja e kodrave të urbanizuara shkon në 35% duke shuar përgjithmonë vizionin e një parku publik.

Gjurmët e urbanizimit të Farkës/Citizens.al

Parku i premtuar i Farkës ishte në fakt pronë private, e cila nuk u ble e as nuk u tjetërsua nga bashkia e Tiranës për ti shërbyer publikut.

Investimet e bashkisë për shëtitore, dekor dhe mbjellje pemësh rreth liqenit duken sot si një plan i mirëmenduar për t’i shërbyer komplekseve private dhe jo qytetarëve të Tiranës.

Ndërkohë duket e paqartë se si do të mund të ushqehet me infrastrukturë dhe shërbime kjo dyndje e madhe rezidenciale në një zonë të konsideruar “rekreative”.

The post Projekti që i jep fund propagandës së gjelbër me Farkën appeared first on Citizens.al.

Në Lufaj të Mirditës uji mungon për shkak të një hidrocentrali

25 July 2025 at 18:07

Në Lufaj të Mirditës, banorët detyrohen të blejnë ujë të ambalazhuar pavarësisht burimeve natyrore që kanë. Shkak për këtë është bërë devijimi burimeve nga hidrocentrali i kompanisë “Seka Hidropower”. Ata thonë se kompania nuk respekton kontratën, e cila parashikon që të lëshojë ujë për nevojat e tyre. Prandaj, paralajmërojnë përshkallëzim në protesta nëse situata nuk ndryshon.

“Zoti dhe po na ndihmoi SPAK-u, te ata kemi pak shpresë” tha Jorgji Loci, i cili në mes të nxehtit të 24 korrikut mbushi bagazhin e kamionçinës me shishe uji të blerë dhe u nis drejt fshatit. Atje e prisnin banorë të tjerë për një protestë të thirrur për lirimin e rrjedhës së ujit, bllokuar nga hidrocentrali.

Zona me një peizazh të mrekullueshëm, nuk ndihmohej aspak nga rruga, e cila ishte në gjendje të amortizuar. Përgjatë saj, Jorgji ndaloi disa herë për të treguar burimet ujore, të cilat për të ishin shënjuese, pasi i kujtonin se dikur nga atje mund t’ia dëgjoje gurgullimën ujit, ndërsa tani rrjedha është futur në tuba.

“Këtu nuk ka asnjë pikë ujë, mbahet nga HEC-i,” tha ai teksa paralelizoi me enët e gjakut, që nëse një njeriu i bëhej një prerje në krah, gjaku nuk ka si t’i shkojë më në parakrah.

Fshati Lufaj i përket njësisë administrative Selitë. Bashkë me fshatrat e tjerë të kësaj njësie sikurse Bardhaj, Lëkundë, Zajs, Kthëllë e Sipërme, Kurbnesh, Mërkuth e Kumbull ofrojnë një potencial të lart natyror dhe bujqësor.

Tharja e shtratit të lumit. Foto nga Jorgji Loci.

Hidrocentrali i Sekës ka filluar punën prej vitit 2017, por banorët thanë se edhe kur u ndërtua, nuk ishin pyetur.

“As nuk na ka pyetur njeri, as nuk kemi qenë dakord,” tha Agron Kaçarri, banor i zonës.

Gjet Loci kujton se si zona mbante qindra banorë dhe mijëra bagëti teksa mbahej me grurë dhe misër.

“Tani nuk ka gram ujë”, tha ai i revoltuar teksa mungesa e ujit ka detyruar disa familje që të largohen.

Fatjon Gjinaj, i cili punon si gazetar në Tiranë, por që ka ende familjen në këtë zonë, tregoi se kompania nuk e ka respektuar kontratën, e cila e detyron që veçanërisht gjatë verës të lëshojë rrjedhë uji për në lumin e Urakës.

“Këtu është bërë një masakër,” tha ai teksa tregoi se kompania kishte abuzuar me zhvendosjen e dherave nëpër përrenj, “Është bërë një kontratë për ujin e pijshëm për të gjithë banorët, por zero! Asnjë ditë në 12 muajt e vitit nuk kalon.”

Sipas tij, pasuritë dhe puna e banorëve në këtë zonë në blegtori e bujqësi nuk është për të përfituar të tjerët në kurriz të tyre.

“Kemi kulla, kemi lumenj, kemi përrenj, kemi blegtori, kemi bujqësi. Kemi bagëti. Për çfarë? Për të fituar dikush në kurriz të të gjithëve ne të tjerëve?!”, vijoi Gjinaj.

Ai kërkoi që ky organizim i banorëve të merrej si ultimatum për kompaninë dhe organet përgjegjëse, që të zbatojnë detyrimet ligjore ndaj komunitetit dhe natyrës.

Jorgji Loci tregoi se kishte shpenzuar nga të ardhurat personale për t’i sjellë ujë fshatit nga burime të largëta. Ai e konsideroi këtë sakrificë “për të shmangur konfliktet me kompaninë”, por që edhe ky burim ishte ndërprerë.

“E kam çuar ujin në fshat me 8,500 metra zorrë vetëm që mos të hyj në sherr, dhe edhe atë ujë e kanë ndërprerë,” tregoi Loci.

Banorët e Zall-Gjocajt në solidaritet me Lufajn

Fshati Zall-Gjoçajt i përket Matit, mirëpo ndodhet pranë Lufajt, me të cilën ndan dhe burime të përbashkëta ujore. Njëjtë sikurse Lufaj, lumi Flim në Zall-Gjoçaj është futur në tubacionet e hidrocentralit të kompanisë “Seka Hidropower”.

Adem Gjokolaj, një ndër aktivistët më të zëshëm të mbrojtjes së burimeve ujore të Zall-Gjoçajt, duke qenë edhe Park Kombëtar kishte marrë rrugën për t’iu bashkuar banorëve të Lufajt.

“Në këto dy lumenj, lumin Flim dhe lumin Urakë, para ca kohësh kanë qenë mbi 2,500 bagëti që pinin ujë, mbi 2,000 bletë dhe të gjitha gjallesat mbi dhe nëntokësore po ngordhin, sepse nuk ka asnjë pikë ujë”, theksoi ai përmes megafonit.

Gjokolaj kërkoi nga të gjithë banorët që të mos ndalojnë së kërkuari të drejtën e tyre themelore për të pasur ujë të rrjedhshëm për shtëpitë dhe bagëtitë e tyre.

Sikurse Ademi, në mbështetje të banorëve të Lufajt ishte edhe Dhimitër Koleci, që bashkë me të tjerë banorë të Zall-Gjoçajt enden nëpër gjykata për të drejtën e ujit.

“Kemi për të njëjtin problem, për të njëjtin ujë, për të njëjtat HEC-e, për të njëjtit oligarkë, për të njëjtë mashtrues që kanë mashtruar të gjithë zonën,” theksoi ai teksa shtoi se rreth 80 kilometra katrorë tashmë janë kthyer në shkretëtirë.

“Kanë marrë ujë nga Parku Kombëtar Zall Gjoçaj, duke devijuar me tunele duke e sjellë në lumin e Urakës me një tunel tjetër e duke marrë edhe ujin e Urakës se nuk ngopen me lumenjtë, duke e nxjerrë këtu”.

Ai shprehu solidaritet me banorët, duke sjellë në vëmendje situatën e tyre ndër vite, punën e vështirë dhe pasojat shëndetësore në minierën e bakrit të Kurbneshit.

“Gjithë banorët e zonës që dikur kanë punuar me selikozën e bakrit në Kurbnesh dhe iu kalbën mushkëritë sot po iu thahen veshkat për ujë”, u shpreh Koleci.

Dhimitri solli në vëmendje edhe situatën në Parkun Kombëtar Zall-Gjocaj, ku gjatë ditëve të nxehta të korrikut ka pasur vatra zjarri. Sipas tij, futja e ujit nëpër tubacione, nuk bën gjë tjetër veçse përkeqëson situatën.

Paketë malesh, por pa ujë

Jorgji Loci ka një banesë në fshatin Lufaj dhe vjen shpesh për të qëndruar aty, ndërsa gjatë verës edhe më gjatë, kur fëmijët e tij janë me pushime. Ai punon në Durrës, por e ka menduar shpesh të investojë në fshatin e tij.

“Më ka rritur babai dhe unë nuk e lëshoj këtë vend, e lëshoj vetëm kur të iki te babai”, u shpreh ai për të atin, që tanimë nuk jeton më.

Jorgji tregoi se kishte dëgjuar shumë për “Paketën e Maleve”, një nismë e diskutueshme e qeverisë Rama për investimet në zonat malore dhe do të dëshironte të investonte në tokat e tij. Por, mungesa e ujit ia bën të pamundur këtë dëshirë.

“Unë jam i gatshëm të bëj fermë, jam i gatshëm të bëj bujtinë, por unë nuk kam asnjë pikë uji në fshat, është e gjitha shkretëtirë”, theksoi Jorgji për Citizens.al.

 Edhe Gjet Loci, një tjetër banor i zonës shprehu dëshirën për të investuar në tokën e tij, por duke parë kushtet ka frikë të ndërmarrë një hap të tillë.

“Ne duam të vijmë të investojmë këtu, kam shtëpinë aty poshtë, ne nuk i investojmë dot. Gjendja e këtij fshati tani pas hidrocentralit që është bërë, ka mbledhur burimet e ujërave dhe tani nuk ka ujë fare”, u shpreh ai.

The post Në Lufaj të Mirditës uji mungon për shkak të një hidrocentrali appeared first on Citizens.al.

Beteja kundër HEC-eve: Banorët e Kaçinarit kërkojnë vijimin e hetimeve

21 July 2025 at 16:35

Banorët e gjashtë fshatrave të Kaçinarit në Mirditë u mblodhën sot në shenjë proteste para Gjykatës së Lezhës ku pritej të shqyrtohej vijimi ose jo i hetimeve për mënyrën se si iu dha e drejta për të ndërtuar katër hidrocentrale në këtë zonë kompanisë “Shpërdhaza-Energji”.

Pasi e shtyu fillimisht seancën për mungesë dokumentacioni të plotë, nga ora 11:30 në 15:30, gjykata vendosi që ta shtyjë përfundimisht shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për mbyllje të çështjes për më 15 shtator ora 9:00.

Banorët pretendojnë se kompania e ka përfituar koncesionin me shkelje, pa konsultim publik dhe madje duke falsifikuar firmat e banorëve. Për këtë, në vitin 2019 ngritën kallëzim kundër kompanisë.

Prej asokohe, ata janë endur dyerve të gjykatës duke kërkuar drejtësi. Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dy herë pushimin e çështjes, teksa gjykata i ka kërkuar rihetimin. Por situata duket të ketë ngecur këtu.

“Jemi munduar me mbi 32 protesta paqësore në harkun kohor të gjashtë viteve si në Kaçinar dhe Tiranë, dhe sot jemi para gjykatës së Lezhës për të njëjtën gjë, të rihetohet çështja dhe të dalin personat përgjegjës për falsifikimet e të gjithë koncesionit,” u shpreh paraditen e së hënës para gjykatës Gjon Pjetri.

Gjergj Deda, kryetar i fshatit Simon, i bëri thirrje gjykatës të mos të pranojë pushimin e çështjes, por të detyrojë prokurorinë për t’i çuar përgjegjësit para drejtësisë.

“I bëj thirrje prokurorisë e gjykatës së rrethit gjyqësor Lezhë mos ta lerë problemin ta zgjidhë komuniteti. Nëse do të bëhet puna ta zgjidhë komuniteti do të jetë fatale për zonën e Kaçinarit”, u shpreh Deda. 

Për Tonin Beqirin, banor i fshatit Simon kjo është një çështje që prek interesat e një komuniteti prej 3 mijë banorësh, për të cilin nuk mund të vendosin firmat e disa personave.

“Preket interesi  i shumëkujt, jo i dikujt. Nuk kërkojmë kurrgjë, kërkojmë vetëm drejtësi,” theksoi Beqiri.

Për banorët që jetojnë në fshatrat e njësisë administrative të Kaçinarit, uji është jetësor për përditshmërinë e tyre.

“Nëse do ta fusin ujin nëpër tuba nuk do të ketë më burime. Nuk do ketë ku të pinë ujë gjallesat e natyrës. Çdo gjë do të shkretohet do të bëhet Sahara”, u shpreh Gjok Beqiri për Citizens. 

Avokati Marash Logu denoncoi mungesën e dokumenteve dhe shtyrjen e seancave prej katër vitesh. Sipas tij, hetimi nuk ka qenë i thelluar, por tentativë për ta mbyllur rastin teksa banorët protestojnë prej dhjetë vitesh.

Njësoj si një javë më parë, seanca u shty për mungesë dokumentacioni. Logu tregoi se prokuroria paraqiti një akt-ekspertizë të paplotë me mungesë të shumtë faqesh.

“Të gjitha faqet tek mungojnë. Pra kemi faqen 1-2, mungon faqja tre, kemi faqen katër, mungon pesa… si mund ta kuptojmë një akt ekspertimi, të cilit i mungojnë 27 faqe dhe kjo mbetet një pikëpyetje e madhe,” argumentoi avokat Logu.

Ndërkohë banorët janë të shqetësuar pasi kompania ka vazhduar punimet pavarësisht se, sipas avokatit Logu, asaj i kanë përfunduar leja e ndërtimit, leja mjedisore dhe leja për shfrytëzimin e burimeve ujore.

Banorët dhe bashkia Mirditë kanë kërkuar pezullim të punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës ligjore, por makineritë në Kaçinar vazhdojnë të dëmtojnë terrenin.

Kundërshtitë ndaj projektit të katër hidrocentraleve të “Shpërdhaza-Energji” vijojnë prej vitesh.

Në fund të marsit të 2025 banorët e Kaçinarit protestuan në Qafën e Vorres, ndërsa makineritë ishin ngjitur në atë zonë. Ata kërkuan zmbrapsjen e tyre teksa kompania kishte nisur të ndërtonte fillimisht rrugën, për të vijuar më pas me ndërtimin e HEC-eve. 

Me 15 prill banorët organizuan protestën tjetër në bjeshkë, ndërsa u panë forca të shumta policie që shoqëronin përkrah makineritë e rënda të kompanisë. 

Në 2 maj, banorët protestuan para ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku kërkuan ndërhyrje të institucioneve për të ndalur punimet. Por deri më sot duket se protestat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.

Lexoni gjithashtu:

The post Beteja kundër HEC-eve: Banorët e Kaçinarit kërkojnë vijimin e hetimeve appeared first on Citizens.al.

Shtetet e Ballkanit përballen me sfida mjedisore të përbashkëta

17 July 2025 at 12:37

Nga Serbia në Bosnje dhe Hercegovinë, Shqipëri dhe Kosovë, vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfidat të shumta mjedisore, që shpesh janë të përbashkëta. 

Shfrytëzimi i pakontrolluar i burimeve natyrore, ndotja industriale dhe projektet e diskutueshme të “zhvillimit” po kërcënojnë biodiversitetin, shëndetin publik dhe të ardhmen e vendeve të Ballkanit, duke vënë në pikëpyetje edhe antarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. 

Serbia përballet me presione lokale dhe ndërkombëtare 

Në Serbi, lufta kundër projektit të minierës së litiumit “Jadar” nga kompania Rio Tinto është kthyer në simbol të rezistencës qytetare. Sipas Iskra Krstic nga Polekol/Right to Water Initiative,  “kjo përpjekje tregon se nuk është kurrë vonë për të kundërshtuar padrejtësinë.” 

“Në vitin 2019, kur shoqëria civile mësoi për projektin e minierës së litiumit “Jadar” të Rio Tinto-s dhe popullsia lokale mësoi për shkallën e këtij projekti, mina ishte shumë pranë marrjes së të gjitha lejeve të nevojshme për zbatim”, kujton Krstic.

Por pavarësisht se projekti kishte marrë mbështetje të fuqishme nga qeveria dhe ishte pranë përfundimit të procedurave, protestat masive dhe mobilizimi i shoqërisë civile e ndaluan përkohësisht. 

Megjithatë, pasiviteti i institucioneve dhe mbështetja e BE-së për projektin në emër të “tranzicionit të gjelbër” po rrezikojnë rikthimin e tij.

Krstic thekson se “suksesi lind aty ku ekziston një mobilizim i fuqishëm dhe i bashkuar,” duke nënvizuar rolin kyç të informimit dhe edukimit për të përballuar propagandën zyrtare dhe mediat e kapura. 

Ndërkohë, aktivistët serbë janë të vetëdijshëm se presioni ndërkombëtar, sidomos nga BE, mund të ketë dy anë të medaljes, mund të forcojë mbrojtjen e mjedisit, por edhe ta minojë atë.

Në vitet e fundit, zyrtarët e Komisionit Evropian kanë shfaqur dëshirë për të nxitur minierat e litiumit në Serbi për hir të tranzicionit të gjelbër të BE-së, duke shpërfillur rreziqet dhe vullnetin e popullsisë lokale.

“Lista e projekteve strategjike e BE-së, ku u fut edhe “Jadar”, është në përputhje me Aktin për Lëndët e Para Kritike (CRMA), i kritikuar për minimin e përpjekjeve mjedisore dhe shkeljen e të drejtave të komuniteteve lokale”, thotë aktivistja, por ajo shton se BE ka shprehur gatishmëri për të mbyllur sytë ndaj rënies së sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në këmbim të burimeve të çmuara.

Megjithatë, Parlamenti Evropian është heterogjen, thotë Krstic. “Eurodeputetët e gjelbër dhe të majtë kanë qenë mbështetës të hapur të luftës lokale, vizitojnë Serbinë, dëgjojnë komunitetet dhe i bëjnë thirrje publikut evropian. Tranzicioni duhet të jetë i drejtë dhe vërtet i gjelbër, jo thjesht në emër”, thotë ajo.

Përtej çështjes së “Jadarit,” Serbia përballet me një model zhvillimi që privilegjon interesat industriale dhe minierat në dëm të komuniteteve dhe natyrës. Bashkëpunimi rajonal përmes rrjeteve si “Le të mbrojmë lumenjtë e Ballkanit” apo “ZBOR” ka krijuar ura mes aktivistëve në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe më gjerë, duke forcuar frymën e solidaritetit ndërkufitar.

“Luftërat mjedisore në Serbi (dhe Ballkan) shërbejnë si shembull se si rajonet dhe popullsitë e varfra, që kanë shumë pak faj për krizën klimatike dhe ndotjen, ndëshkohen dyfish”, thotë ajo.

Krstic nënvizon se Ballkani Perëndimor është një nga rajonet që po ngrohet më shpejt në një kontinent. “Rajoni tashmë përjeton thatësira hidrologjike dhe ndryshime të thella klimatike që rrezikojnë bujqësinë”, shton ajo.

Pengesat kryesore me të cilat përballet Serbia janë presionet lokale dhe ndërkombëtare për të sakrifikuar pyjet, lumenjtë, gurët dhe mineralet për interesat financiare. “Është thelbësore të investohet në ruajtjen e ujërave, pyjeve dhe tokës për të minimizuar dëmet dhe për të garantuar sigurinë ushqimore dhe të ujit”, shprehet aktivsitja mjedisore.

“Në Shqipëri nuk është më ndryshe”

Në Shqipëri situata nuk është më ndryshe kur vjen fjala tek shrytëzimi i resurseve natyrore dhe dëmtimi i mjedisit. 

Sfidat mjedisore në Shqipëri lidhen kryesisht me shfrytëzimin e lumenjve për hidrocentrale dhe devijime të ujërave. Komunitetet lokale, ashtu si në Serbi kanë bërë përpjekje për të mbrojtur mjedisin, në disa raste me sukses e në disa të tjera jo, por e ajo që është e rëndësishme për aktivistët mjedisor është që komunitet e kuptojnë rëndësinë e natyrës. 

Besjana Guri nga Eco Albania thekson se “Vjosa dhe Shushica janë simbole të rezistencës mjedisore në vend, ku komunitetet janë vetëorganizuar dhe kanë marrë mbështetje të fortë nga organizatat mjedisore.”

Përmes fushatave si Save the Blue Heart of Europe, Shqipëria ka treguar se bashkëpunimi rajonal është thelbësor për të ruajtur lumenjtë e fundit të egër të Europës. 

“Ne jemi pjesë e një rrjeti të gjerë aktivistësh dhe organizatash që punojnë për të njëjtat kauza dhe që janë pjesë e fushatës “Save the Blue Heart of Europe”. Megjithatë, bashkëpunimi shtrihet edhe përtej këtij rrjeti, pasi shpesh bashkërendojmë forcat me organizata të tjera në rajon për nisma të përbashkëta dhe ndërkufitare”, thotë Guri. 

Megjithatë, sfidat mbeten të mëdha për Shqipërinë. Guri sjell në vëmendje planet për ndërtime të reja hidrocentralesh, shfrytëzimin komercial të burimeve ujore dhe zhvillimin urbanistik pa kontroll të cilat po kërcënojnë pasuritë natyrore.

Sa i përket rolit të BE-së, Guri thekson se mund të luajë një rol vendimtar, por presioni duhet të jetë më i fortë dhe më i qëndrueshëm. 

“Ne kemi nevojë për një tranzicion të gjelbër që nuk sakrifikon natyrën për përfitime afatshkurtra ekonomike,” thotë ajo, duke vënë theksin te nevoja për ndalimin e investimeve ndotëse dhe forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e natyrës.

Për aktivisten Besjana Guri, e ardhmja mjedisore e Shqipërisë do të varet nga sa seriozisht do ta marrin insititucionet shqitpare tranzicionin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. 

“Objektivat klimatike të BE-së për 2035 nuk janë thjesht një angazhim ndërkombëtar por një mundësi për Shqipërinë të modernizojë ekonominë, të rrisë sigurinë energjetike dhe të mbrojë pasuritë natyrore”, shprehet ajo, duke shtuar se tani duhet të ndalojnë investimet në sektorë ndotës, të përshpejtohet integrimi i burimeve të rinovueshme si dhe të frocohenligjet për mbrojtjen e natyrës.

Kosova përballet me një krizë të shumëfishtë

Në Kosovë, mjedisi përballet me një krizë të shumëfishtë, si ndotja e ajrit nga termocentralet e vjetra, degradimi i lumenjve dhe pyjeve, dhe menaxhimi i dobët i mbetjeve. Besnik Boletini, gazetar investigativ në organizatën ÇOHU!, thekson se “institucionet kanë dështuar në zbatimin e ligjeve mjedisore dhe degradimi ka marrë përmasa alarmante.”

“Gjendja e mjedisit në Kosovë vazhdon të jetë e keqe në disa aspekte, ndërkaq nuk ka ndonjë angazhim të duhur nga institucionet përkatëse për të përmirësuar situatën”, thotë Boletini.

Ai sjell në vëmendje një sërë probelmesh mejdisore me të cilat përballet Kosova, si bdotja e ajrit nga termocentralet e KEK-ut, për shkak të vjetërisë së dy termocentraleve. Po ashtu, situata me lumenjtë ka një përkeqësim të vazhdueshëm.

 “Lumenjtë vazhdimisht po degradohen nga operuesit ilegalë, ndërkaq ndotja e tyre vazhdon të jetë po ashtu e vazhdueshme përmes derdhjes së kanalizimeve në lumë, por edhe hedhjes së mbeturinave të ndryshme në lumenj dhe buzë lumenjve”, thotë gazetari. 

Një tjetër problem shqetësues mbetet dhe prerja ilegale dhe djegia e pyjeve. “Pandëshkueshmëria në këtë aspekt, veçanërisht të lëndët e pyjeve është e madhe. Më së shumti lëndë janë parashkruar për rastet që kanë të bëjnë me prerjen e pyjeve”, shprehet Boletini.

Megjithatë, reagimi qytetar ka qenë i pranishëm, protestat dhe aktivizmi lokal kanë arritur të ndalojnë projekte të caktuara apo të shtyjnë autoritetet të veprojnë, edhe pse sfidat mbeten.

“Ka pasur protesta të kohë pakohshme, varësisht nga zhvillimet. P.sh kur e patëm publikuar një hulumtim se si Ferronikeli po e ndotë ujin, ajrin dhe tokën, një  grup i qytetarëve nga Drenasi patën organizuar protesta para ministrisë dhe si rezultat ishte gjobitur kompania”, sjell në vëmendje gazetari. 

Organizimet më të mëdha janë bërë nga qytetarët që janë prekur nga ndërtimi i hidrocentraleve, veçanërisht në komunën e Shterpcës.

Ai thekson se mungesa e bashkëpunimit rajonal për çështjet mjedisore është një pengesë e madhe. “Ndotja nuk njeh kufij, dhe mungesa e një strategjie të përbashkët e bën problemin më të madh“, thotë ai. 

Teksa sa i takon antarëasimit të vendit në BE, gazetari vlerëson se politikat janë të harmonizuara me BE, por zbatimi është i dobët dhe mjedisi vazhdon të mos jetë prioritet në agjendën institucionale.

Natyra e Ballkanit po kërcënohet nga modele të gabuara zhvillimi, mungesë transparence dhe mungesë të zbatimit të ligjeve ekzistuese. Bashkëpunimi ndërkufitar, ndonëse i pranishëm në disa raste, mbetet ende i fragmentuar dhe i pamjaftueshëm për të përballuar krizën mjedisore rajonale.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian mbetet një aktor kyç, nëse do të jetë një forcë për mbrojtjen e mjedisit apo një promotor i projekteve që e dëmtojnë atë, “kjo mbetet për t’u parë”, sipas aktivistëve dhe gazetarëve që raportojnë çështjet mjedisore.  

Nëse procesi i integrimit do të jetë i ndjeshëm ndaj çështjeve të mjedisit dhe nëse do të kërkojë standarde të vërteta e jo fasadë, Ballkani mund të ketë një të ardhme më të gjelbër.

Lexoni gjithashtu:

The post Shtetet e Ballkanit përballen me sfida mjedisore të përbashkëta appeared first on Citizens.al.

Thethi “i plagosur”, nën hijen e “Paketës së Maleve”

15 July 2025 at 14:50

Në momentin që fadromat prishën një nga katër shtëpizat e drurit të Zef Barit, në oborr kishte ende të stivuara materialet e ndërtimit. Gjithçka ndodhi shpejt dhe pa paralajmërim.

I revoltuar për “pabesinë e qeverisë” Zefi nisi të ndajë mendimin se banorët e Thethit u mashtruan nga Kryeministri një vit më parë, kur bashkë me premtimin për fshirjen e gjobave ai u pati bërë thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në turizëm.

“Solla djemtë nga Gjermania dhe Franca ku kishin ndërtuar jetën e tyre dhe po investonim në shtëpizat e drurit. Na mashtroi dhe na preu në besë qeveria”, tha ai, teksa tregoi se shpenzimet shkonin deri në 30 mijë euro.

Sipas Zefit, të gjitha institucionet kanë qenë në dijeni për ndërtimet në Theth dhe “të gjithë thonin vazhdoni”.  

Edhe familja e Bekim Koçekut nxitoi të largojë shtëpizat e drurit nga aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Ata thanë se bashkë me investimin, po shuhej edhe përpjekja disa vjeçare për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend.

“Kemi qenë plot me turistë dhe jemi detyruar t’i nxjerrim në orën 5 të mëngjesit nga shtëpia. Fëmija i tyre 10 vjeç qante se nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte, ishte i trembur. Ky është krim!” tha mes lotësh, Edmira, motra e Bekimit, e cila shpjegoi për Citizens.al se u kishin kërkuar më kot autoriteteve t’i lejonin të punonin deri në shtator.

“Bekim Koçeku ka lënë garanci në bankë pensionin e invaliditetit për të ndërtuar këto shtëpi, tani ka 200 milionë lekë borxh”, tha e dëshpëruar Edmira, duke treguar tokat ku ata kanë jetuar ndër shekuj.

Qetësia e fshatit të fshehur mes maleve u trondit nga zhurma e fadromave javën e dytë të muajit korrik. Lugina u kthye në një skenë lufte, ku policë me kallashnikovë u përballën më banorë të zëmëruar që sulmuan me molotovë mjetet e IKMT-së.

Në mes të kësaj përplasjeje, qindra turistë që kishin rezervuar në Theth, anuluan rezervimet dhe ia mbathën. Bashkë me ta, duket se u largua edhe shpresa se fshati mund të ketë një të ardhme në turizëm.  

A po prishen ndërtimet në Theth për “Paketën e maleve”?

Ekspertët fajësojnë një zinxhir të gjatë institucionesh për neglizhencë dhe degradim të situatës. Ndërkohë, banorët e Thethit pretendojnë se pas aksionit fshihet “Paketa e Maleve”.  

“Për çfarë vijnë ato helikopterët me investitorë strategjikë?! Për të na marrë atë që është e jona. Këtu nuk ka tokë të xanun,” tha një banor i Thethit për Citizens.al.

Për t’i fryrë edhe më shumë këtij dyshimi, shërbeu edhe një postim gjatë ditës së shtunë, i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, ku ftonte të gjithë të interesuarit të aplikojnë për “Paketën e Maleve”.

Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, e lidh këtë qasje me trysninë që kryeministri Rama ka bërë së fundmi në kërkesat për dorëheqjen e drejtuesve të drejtorive në autoritetet lokale.

“Nuk përjashtohet mundësia që edhe ‘reprezaljet’ që po ndërmerren nga Kryeministri në bashki të ndryshme, të jenë pjesë e një strategjie për të keqpërdorur stafet bashkiake në vendimmarrje klienteliste në transferim të paligjshëm të pronës publike,” tha Brahaj.

“Paketa e Maleve”, e miratuar në janar të këtij viti, synon “të nxisë zhvillimin dhe rigjallërimin ekonomik të zonave malore kundrejt lehtësirave fiskale dhe dhënies së tokave shtetërore në posedim”.

Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në tokën e familjes Koçeku, Theth/Citizens.al

Aktualisht procesi është në fazën e shprehjes së interesit, e cila bëhet pa pagesë përmes e-albanias, si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët.

Pa qenë pronarë trojesh, me një përzgjedhje pike në hartë, gjithsekush mund të interesohet për sado sipërfaqe të dëshirojë (e shprehur në hektarë).

Nevojitet vetëm një përshkrim me maksimumi 500 fjalë, të caktohet tipologjia e investimit: turizëm, energjetikë, blegtori, projekte sociale etj; dhe kohëzgjatja e posedimit të tokës: më pak ose më shumë se 10 vite. (link ilustrues)

Shprehja e interesit i dërgohet bashkive përkatëse, të cilat do t’i trajtojnë për evidentime për zonat zhvillimore. Ligji i “Paketës së Maleve” i lejon bashkitë që pas procesit të evidentimeve t’i propozojnë qeverisë të ndryshojë cilësimin e tokave duke shpallur “zona zhvillimore” zonat e interesuara.

Nga kjo paketë ligjore pritet të përfitojnë “500 aplikuesit e parë”.

Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike (ACER) që ka kryer një vlerësim të rrezikut për korrupsion të këtij ligji thotë se ka mungesë transparence dhe se “përmbajtja krijon premisa për qëllime të fshehura ose të padeklaruara”.

“Ligji prek në mënyrë të rëndësishme interesa publike ndërsa bëhet fjalë për shitje të pasurisë shtetërore, për vlera të parëndësishme fare, tek subjekte private,” tha Preçi.

Sipas drejtuesit të ACER, ligji prek në mënyrë problematike ekuilibrin mes interesit publik dhe atij privat, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e kalimit të pronës shtetërore te poseduesit jopronarë ose thënë ndryshe “faktikë” pa titull pronësie.

“Toka jonë iu duhet për tua dhënë investitorëve strategjikë, jemi të bindur që pas kësaj qëndron Paketa e Maleve”, tha një banor i Thethit për Citizens.al

Urbanisti Imeldi Sokoli, njëherësh anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër, nuk është i sigurt, por e cilëson jo të rastësishme hapjen e aplikimeve për “Paketën e Maleve” me ndërhyrjen në Theth.

“E njëjta gjë ka ndodhur me disa tentativa për të marrë investitorë strategjikë për resorte skish dhe kjo ka ndodhur diku nga marsi, kur Benet Beci shkoi me investitorët për të parë se ku mund të bëhet një resort dimëror,” thotë Sokoli.  

Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në Theth/Citizens.al

Edhe për Preçin, ndërhyrja në Theth nuk duket e rastësishme. Ai e konsideron atë vijim të tjetërsimit të territorit që ka nisur prej vitesh.

“Me sa duket përvoja e ndërhyrjes brutale të qeverisë në bregdetin e Jugut dhe në Tiranë (5 Maji), Portit të panevojshëm të Durrësit dhe etja e pashuar e lobistëve, oligarkëve dhe segmenteve të krimit që kane akumuluar pasuri kolosale po e shtyjnë agresivisht përpara edhe këtë proces fatal dhe të pakthyeshëm për fatin e pjesës më të bukur të natyrës sonë,” thotë ai.

Për Brahajn “Paketa e Maleve” është një ligj problematik “që rrezikon rendin juridik të pronësisë”.

“Krijon kompetenca arbitrare dhe anashkalon institucionet që kanë mandat ligjor për regjimin e pronësisë. Në mënyrë të pajustifikuar, ai i kalon kompetenca të ndjeshme stafeve bashkiake, duke shmangur rolin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të regjistrimit. Mund të quhet me plot kuptimin e fjalës ligj për keqqeverisje,” shpjegon Brahaj.

Analizuar sipas metodologjisë së vlerësimit të rrezikut për korrupsion, ky ligj, rezulton me nivel të lartë risku.

Ekziston mundësia që “klientë të pushtetit” të përfitojnë prona pa asnjë kosto privatizimi përmes procedurave arbitrare dhe të pakontrolluara.

“Krijojnë mundësinë që shumë nga klientët e bashkive, të cilët deri më tani kanë përfituar prona publike me qira apo përmes ankandeve për periudha 10-vjeçare, tani të përfitojnë në mënyrë arbitrare, pa garë të ndershme,” thotë Brahaj.

Duke u referuar hapjes së aplikimeve për këtë paketë, Zef Preçi, thotë se “do të ishte mirë që qeveria dhe Bashkia e Shkodrës të heqin dorë nga brutaliteti policor dhe të mos ngutet në kënaqjen e interesave okulte në dëm të komuniteteve lokale”.

Kullat shekullore të paregjistruara

Urbanisti Imeldi Sokoli, ishte i pari që denoncoi kompleksin e shtëpizave të drurit pas oborrit të kishës. Ai e sheh këtë situatë të lidhur me paaftësinë për të menaxhuar territorin.

“Shteti justifikon mos-menaxhimin e situatës me këtë ndërhyrje brutale, në mes të sezonit,” thotë ai “Është totalisht problem i paaftësisë për të funksionuar instrumentet ligjore në territor”.

Urbanisti ka pikëpyetje edhe për mënyrën se si po zhvillohet aksioni i IKMT-së, duke e konsideruar “ndërhyrje të jashtëligjshme”.

“Minimalisht duhet të ishin njoftuar banorët, pra t’u ishte dhënë një paralajmërim, t’u ishte lënë kohë t’i hiqnin vetë dhe më pas të niste aksioni i prishjes,” thotë Sokoli.

Ai e sheh zanafillën e situatës së ndërtimeve pa leje, tek mungesa thuajse totale e regjistrimit të pronave në hipotekë, një gangrenë që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh në Theth dhe fshatra të tjerë malorë.

“Ligjërisht të gjitha ndërtimet rezultojnë pa leje, edhe kullat e vjetra shekullore, jo vetëm ndërtimet e reja. Dhe ky është problemi,” sqaron më tej Sokoli.

Të njëjtin opinion ndan edhe Aranita Brahaj, kur shprehet se censi i pronave në zonat rurale nuk është bërë kurrë në mënyrë të plotë dhe asnjë qeveri nuk e ka ushtruar ketë detyrë.

Ilustrim nga aksioni policor i prishjeve të ndërtimeve në Theth/Citizens.al

“Pas 40 vitesh regjimi bolshevik, edhe qeverisja aktuale vazhdon të mohojë të drejtën e qytetarëve për të gëzuar plotësisht pronën, qoftë: truall themel i familjes, tokë bujqësore, kullota apo pyje. Si në formën e pronësisë, ashtu edhe në posedim të ligjshëm,” shpjegon ajo.

Amullinë me këtë e aksion e tregon edhe mungesa e të dhënave për numrin e objekteve pa leje që do të prisheshin.

Fillimisht u tha se ishin 10 ndërtime pa leje, më pas 40, më pas drejtuesit e IKMT-së folën për rreth 80 ndërtime, teksa në fund të javës së dytë të korrikut numri shkoi në rreth 120.

Situata me mbi 100 ndërtime pa leje duket se u ka shpëtuar institucioneve që kanë për detyrë kontrollin e territorit, përfshirë edhe administratën rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Vitin e fundit, 2024-2025 në Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, ku përfshihet Thethi, nga rojet mjedisore janë mbajtur mbi 36 konstatime për gërmime, zënie fondi pyjor, prerje drurësh dhe hapje rrugësh në pyll.

“Këto konstatime, sipas klasifikimit te kundërvajtjes i janë dërguar institucioneve përkatëse dhe kur ka ndërtime vihen në dijeni, pasi institucioni ynë, në aktet ligjore nuk parashikon ndërtimet pa leje,” thanë për Citizens përfaqësues të administratës rajonale të zonave të mbrojtura Shkodër.

Mos-regjistrimit të pronës, i mbivendosen edhe shtresëzime të tjera ligjore që janë shtrënguese për banorët.

I shpallur Park Kombëtar që në vitin 1966, cilësimi i zonës kryesore si Qendër Historike në vitin 2017, i jep vlerë monumentale fshatit të Thethit, por nuk u jep banorëve mundësi zhvillimi të pronës.

Po ashtu edhe ligji për Zonat e Mbrojtura, sipas të cilit kjo zonë u përfshi në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në vitin 2022, kufizon ndërtimin.

Për ekspertët pikërisht këtu duhet të kishte lindur formalizimi.

“Ky është rasti tipik që shteti ishte i paaftë për t’i dhënë një instrument ligjor të aplikueshëm që këto banorë të kenë një pronë të ligjshme,” thotë Sokoli.

Lexoni gjithashtu:

The post Thethi “i plagosur”, nën hijen e “Paketës së Maleve” appeared first on Citizens.al.

Një qytetare padit Bashkinë Elbasan për ndotjen nga zjarret në landfill

15 July 2025 at 13:02

Një qytetare e Elbasanit ka paditur bashkinë dhe kompaninë që menaxhon mbetjet, pas ndotjes së shkaktuar nga zjarret në landfill. Rasti synon drejtësinë mjedisore dhe vendos një precedent ligjor në Shqipëri.

Fatmira Sejrani, së bashku me organizatën “Drejtësi Sociale” depozitoi sot një padi kundër Bashkisë Elbasan dhe kompanisë “Eco-Elb” sh.a, për dëme shëndetësore të shkaktuara nga zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve.

Fatmira vuan nga probleme kronike të frymëmarrjes dhe gjatë ditëve me tym iu desh ta përdorte pompën e ajrit shumë herë më shpesh, sesa e përdorte në ditë normale.

Prej 1 korrikut, tymi i dendur përfshiu Elbasanin për gjashtë ditë me radhë, duke rënduar shëndetin e banorëve. Aktivistë dhe qytetarë zhvilluan protesta në Tiranë dhe Elbasan duke fajësuar për situatën ministrinë e Mjedisit dhe Prokurorinë.

Kjo ishte e disata herë që landfilli përfshihej nga zjarret, pas vitit 2022 dhe 2023, ndaj kërkesa ishte e qartë: hetim dhe përgjegjësi për degradimin e qëllimshëm të ajrit dhe shëndetit publik.

Avokati Genti Sejrani përfaqëson padinë e ngritur për dëmin shëndetësor, moral dhe mjedisor që pësoi Fatmira. Sipas tij, kjo është padi e parë në Shqipëri me objekt të tillë, një hap domethënës drejt drejtësisë mjedisore.

Ai tha për Citizens.al se qytetarët kanë të drejtën të kërkojnë llogari ligjërisht për pasojat e ndotjes sistematike.

“Nuk ka ndodhur më parë që të jetë ngritur padi me objekt të tillë: konstatim i cenimit me faj të ndotjes së mjedisit nga bashkia dhe kompania Eco-Elb, si dhe detyrimi i palëve të paditura për dëmshpërblim paditëses dhe qytetit,” tha Sejrani.

Sipas tij, padia inkurajon qytetarët e tjerë për t’iu drejtuar kësaj organizate nëse kanë përjetuar ndërlikime shëndetësore nga zjarret në landfill.

“Padia është një hap i rëndësishëm drejt kërkimit të drejtësisë mjedisore dhe llogaridhënies institucionale, në një qytet që prej vitesh përballet me ndotje sistematike dhe mungesë transparence mbi menaxhimin e mbetjeve urbane,” përmbylli avokati.

Matjet e Institutit për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN) më 2 korrik treguan nivele alarmante të ndotësve, mbi normat e lejuara nga BE.

U konstatua përqendrim i lartë komponentësh organikë dhe kimik (VOCs), grimcash pluhuri, bloze apo metalesh që ngeleshin pezull në ajër (PM2.5/PM10), nivele të larta metani (CH4) si dhe dioksidesh karboni (CO2) dhe azoti (NO2).

Personat me sëmundje të mushkërive ishin më të rrezikuarit në këtë situatë, e cila nuk u shoqërua me paralajmërim për masa mbrojtjeje nga institucionet.

Në një deklaratë të mëparshme për Citizens administratori i kompanisë publike “Eco Elb”, Leli Kaja, tha se zjarri u shkaktua nga temperaturat e larta. Sipas tij, prej të nxehtit të pazakontë, teksa u shpreh i hapur për hetime.

Vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan është një investim në partneritet publik-privat i ardhur si rrjedhojë i së ashtuquajturës “skemë e incenratorëve” që përfshiu edhe Fierin dhe Tiranën.

Projekti prej 26 milionë eurosh në Elbasan, i nisur në vitin 2017, u mbyll me më shumë se 10 persona në burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre, përfshirë këtu ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Impianti u konfiskua në vitin 2021 dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan përmes shoqërisë aksionere “Eco-Elb”, por inceneratori i tij nuk u vu kurrë plotësisht në punë.

Administratori Kaja ka treguar për Citizens.al se impianti punoi vetëm 7 muaj gjatë vitit 2023 dhe është jashtë funksioni që prej dhjetorit të atij viti.

Rasti i zjarreve në vendgrumbullimin e Elbasanit pasqyron dështimin e menaxhimit të inceneratorëve në Shqipëri, me pasoja konkrete dhe të matshme.

Projektet në Elbasan, Fier dhe Tiranë u paguan shtrenjtë, por mbetën jofunksionale.

Lexoni gjithashtu:

The post Një qytetare padit Bashkinë Elbasan për ndotjen nga zjarret në landfill appeared first on Citizens.al.

Dhunohet një prej protestuesve kundër hidrocentraleve në Kaçinar

10 July 2025 at 17:29

Një banor i fshatit Simon të Mirditës u dhunua mëngjesin e sotëm në Rrëshen mes dyshimeve për hakmarrje ndaj aktivizmit të tij kundër HEC-eve në zonën e Kaçinarit.

Kol Ndoji, 58 vjeç, u sulmua pasi kishte blerë ushqime në tregun e qytetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 9:00 kur dy persona iu afruan dhe pasi i tërhoqën vëmendjen e goditën. Njëri prej tyre është ndaluar nga policia, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.

Sipas deklaratës së bërë në polici, Ndoji ka mundur t’u largohet, por ata e kanë ndjekur me makinë dhe më pas i kanë bërë pritë pas rrethimit të një banese.

“Aty më kanë dalë para dhe jemi përleshur, më kanë goditur me gurë dhe unë u jam përgjigjur, po me gurë,” ka treguar Ndoji versionin e tij përpara oficerëve të policisë gjyqësore.

Dëshmia iu mor në spitalin e qytetit të Rrëshenit, ku ai u shtrua për të marrë ndihmë mjekësore për plagët e marra në kokë.

Ndoji rezulton ta ketë hasur edhe më parë njërin prej agresorëve: në protestën e 15 prillit në Kaçinar. Sipas 58-vjeçarit, personi në fjalë ndodhej atë ditë “në një fuoristradë të zezë me fenelina policie” që u kishte bllokuar rrugën protestuesve.

Në dëshminë e tij, Ndoji thotë se me këtë person ka shkëmbyer fjalë, të cilat lënë të kuptohet për një përplasje verbale.

“I kam thënë hape rrugën dhe i kam vendosur dorën në qafë. Ai më ka thënë se ‘do të të dalë punë me mua dhe do të shihemi’ dhe pastaj ka hapur rrugë,” ka deklaruar Ndoji.

Prej disa vitesh, banorët e fshatrave të Kaçinarit, rreth 25 kilometra në veri të Rrëshenit, kanë kundërshtuar ndërtimin e katër hidrocentraleve nga kompania “Shpërdhaza sh.p.k”.

Tre muajt e fundit ata kanë përshkallëzuar protestat, duke akuzuar firmën për mungesë transparence dhe dëme mjedisore. Kol Ndoji ka marrë pjesë në to bashkë me të tjerë banorë.

Kjo ka nxitur edhe më shumë dyshimet se ngjarja e fundit ka lidhje me angazhimin e tij si aktivist.

Pas ngjarjes, banorët e zonës u solidarizuan me Kol Ndojin dhe e shoqëruan në spital. Ata e cilësojnë sulmin të paprecedentë dhe si përpjekje për t’i trembur dhe ndalur protestat.

Sipas kryeplakut të fshatit Simon, Gjergj Deda, agresorët janë roje të firmës që po kryen punimet e hidrocentraleve në Kaçinar. Sipas tij nuk ka asgjë personale në aktin e dhunës, veç konfliktit për hidrocentralet.

“Nuk janë të njohur tërë jetën e vetë, vetëm problemi i hidrocentraleve është”, theksoi Deda.

Aktualisht, banorët janë të përfshirë në dy procese gjyqësore me firmën “Shpërdhaza sh.p.k”. Në njërin, ata akuzojnë kompaninë për falsifikim të firmave të banorëve, të cilat i hapën rrugë lejeve.

Në tjetrin, kompania i ka paditur banorët për shpifje. Mes të paditurve është edhe vëllai i Kol Ndojit, i dhunuar së fundmi. Për këtë padi ditën e mërkurë u zhvillua një seancë gjyqësore ku u paraqitën pretendimet mes palëve. Seanca e radhës pritet të mbahet më 6 shtator.

“Ne nuk kemi ofenduar askënd, çfarë kemi folur, e kemi pasur me kompaninë, jo individëve”, shton Deda.

Sipas kryeplakut të fshatit Simon, ndryshimi i administratorëve të kompanisë nuk ndryshon faktin që komuniteti nuk i do hidrocentralet dhe për këtë po përballet me mungesë përgjegjshmërie institucionale.

Dhunimi i Kol Ndojit ngre pikëpyetje të forta mbi sigurinë e qytetarëve dhe komunitetit që ushtron të drejtën për protestë.

Avokati i banorëve në çështjen e HEC-eve, Marash Logu, tha për Citizens se kjo ngjarje është e rëndë dhe se për këtë i janë drejtuar Komisariatit të Policisë Mirditë, Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Prokurorisë Lezhë për hetimin dhe zbardhjen e plotë të saj.

“Edhe më përpara banorët janë përballur me presione, kërcënime, shantazhe dhe kanosje, por deri më sot nuk kishin hasur dhunë fizike,” tha Logu, sipas së cilit konflikti në Kaçinar ka degraduar dhe për këtë nevojitet medoemos pezullimi i punimeve.

“Deri në sqarimin e plotë të situatës ligjore, dokumenteve, lejeve dhe konsultimeve me banorët, që duhet të ishin bërë dhe nuk janë bërë,” theksoi më tej Logu duke kujtuar se kjo çështje e tensionuar vijon prej vitit 2015.

Lexoni gjithashtu:

The post Dhunohet një prej protestuesve kundër hidrocentraleve në Kaçinar appeared first on Citizens.al.

Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK

9 July 2025 at 17:40

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) po heton koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Informacioni u konfirmua nga regjistri i kërkesave për të drejtë informimi, publikuar në faqen e institucionit.

Më 20 qershor, SPAK rezulton të ketë administruar një kërkesë për informacion në lidhje me ekzistencën ose jo të një hetimi mbi kontratën koncesionare të Aeroportit të Vlorës dhe nëse po, në çfarë faze ndodhej ai.

Në përgjigjen zyrtare, referuar më 7 korrik, SPAK deklaron se “ka regjistruar procedim penal në lidhje me kontratën dhe ky procedim ndodhet në fazën e hetimeve paraprake”.

Hetimi po ndodh teksa aeroporti ka kryer testet e para të fluturimeve nën një valë të shtuar kontestimesh nga organizatat mjedisore për mënyrën se si u konceptua në një zonë të mbrojtur.

Më herët, ka pasur pretendime për mënyrën se si u dha ky koncesion duke nxitur dyshime për favorizime.

Në maj, teksa u kryen fluturimet testuese, Citizens.al përmblodhi pretendimet dhe historikun e kësaj çështjeje në artikullin:

Historia e projektit për Aeroportin e Vlorës

Aeroporti në Vlorë është ide e hershme e qeverisë Rama. Që në fillim ajo u shoqërua me dritëhije ndikimesh dhe favorizimesh politike.

Zyrtarisht për këtë ide u mësua në tetor 2017 kur ministria e Infrastrukturës shpalli fituesin e tenderit për studimin e fizibilitetit nga një studio arkitekture e lidhur ngushtë me projektet e urbanistike të qeverisë: kompaninë Seed Consulting, asokohe në pronësi të ortakëve të Atelier 4, vëllezërit Alban, Andi dhe Olsi Efthimi (Eftimi).

Pista e Aeroportit të Vlorës gjatë testimit, maj 2025/Facebook.

Në janar 2018, kryeministri Rama deklaroi se kishte marrë kërkesë zyrtare për ndërtimin e aeroportit dhe se ai do të niste brenda qershorit të atij viti. Deklarata u bë ende pa u publikuar studimi i fizibilitetit dhe pa u shpallur ndonjë procedurë tenderimi. 

Kërkesa në fjalë ishte nga konsorciumi turk i tre kompanive: “Cengiz Constr.” (Mehmet Cengiz), “Kalyon Constr.” (Ömer Faruk Kalyoncu) dhe “Kolin Constr.” (Celal Koloğlu) – të njohura për lidhjet e tyre të ngushta me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan.

Kjo kërkesë pasoi një vizitë të Ramës në Turqi, ku ai bëri të ditur se Erdoğan kishte premtuar ndihmë për krijimin e një kompanie ajrore shqiptare – Air Albania dhe se selia e saj do të ishte pikërisht Aeroporti i Vlorës. 

Megjithatë, në prill 2019, konsorciumi turk u tërhoq nga koncesioni pa shpjegime dhe ministria njoftoi hapjen e një gare tjetër. Më herët Komisioneri përgjegjës për zgjerimin në BE qe shprehur se do ta shqyrtonte nëse kishte pasur shkelje të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në rastin e kësaj ujdie.

Në shtator 2019, kryeministri njoftoi se projekti i ri ishte hartuar nga studioja Archea e arkitektit italian Marco Casamonti – edhe ky i lidhur ngushtë me projektet e urbanistike të qeverisë – dhe një ditë më pas, e prezantoi atë në qytetin e Vlorës.

Qeveria e dha përfundimisht me koncesion 35-vjeçar projektimin, ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës në dhjetor 2019.

Sipërmarrësit Behgjet Pacolli (Mabetex, Mabco Constructions) dhe Valon Ademi (2A Group) u shpallën fitues me një ofertë prej rreth 104 milionë eurosh. Në garë ishte dhe kompania e Aldi Çelit (AL-DE Corporation Ltd), por ajo u skualifikua pasi “nuk paraqiti ofertë”, argumentim që u kundërshtua nga përfaqësuesit e Çelit, të cilët ngritën pretendime për favorizime.

Në ofertën fituese të sipërmarrësve Pacolli dhe Ademi ishte edhe dyshja e sipërmarrësve turq Cuneyt dhe Huseyin Arslan (YDA Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi) – të cilët njihen gjithashtu për afërsinë me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan pasi me urdhër të tij ata ndërtuan Spitalin Rajonal Memorial të Fierit – por që në shtator 2022 ata ia shitën kuotat (40%) Pacollit për vetëm 4,450 euro.

Punimet për aeroportin nisën me një ceremoni solemne më 28 nëntor 2021, pavarësisht se projekti nuk kishte marrë ende leje mjedisi dhe ndërtimi – zyrtarisht qe miratuar vetëm “Leja e zhvillimit” dhënë nga qeveria në nëntor të atij viti, leja e mjedisit u dha një muaj më vonë dhe ajo e ndërtimit pas 15 muajsh të tjerë, më 9 nëntor 2022.

Shqetësimet për ndikimet në mjedis

Aeroporti i Vlorës nisi të ndërtohej pranë fshatit Akërni në lagunën e Nartës – një zonë e mbrojtur dhe vendbanim për më shumë se 62 lloje shpendësh të listuar në Direktivën e Shpendëve të BE-së.

Organizatat mjedisore denoncuan se si projekti shkelte ligjet kombëtare dhe konventat ndërkombëtare teksa rrezikonte dëme të rënda në ekosistemin e zonës dhe në rrugët migratore të shpendëve.

Master-Plani i Aeroportit të Vlorës ku bie në sy zhvillimi masiv me ndërtime në zonën mes Hidrovorit dhe grykëderdhjes së Vjosës.

Qeveria mohoi shkeljet dhe në të gjitha rastet e mbrojti investimin duke u zotuar se ky aeroport është konform planit strategjik për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit, se ai do të jetë ndërkombëtar dhe se do të presë avionë të mëdhenj. 

Por mjedisorët druajnë se zhurmat e mëdha dhe fluturimet e avionëve të mëdhenj do të dëmtojnë shpendë të rrezikuar si pelikanët kaçurrelë. Për këtë Konventa e Bernës ka kërkuar disa herë ndalimin e punimeve dhe rishikimin e projektit.

Ndërkohë masterplani i botuar nga ministria gjatë garës zbuloi se funksioni i vërtetë i aeroportit do të jetë për të pritur flukset e turistëve që parashikohet t’i drejtohen zonës së lagunës, e cila prezantohet me ndryshime rrënjësore me ndërtime resortesh, mjedisesh sportive, agrikulture dhe një porti jahtesh.

Përmasat e mëdha të aeroportit të Vlorës marrin kuptim edhe nga projektet e tjera me zhvillime kolosale në dëm të mjedisit që parashikohen në zonat përreth si derdhja e Vjosës, Hidrovori, Zvërneci dhe Sazani, dy të fundit, të prezantuara bujshëm vitin e shkuar nga dhëndri i Presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner. Ky fitoi statusin e investitorit strategjik në janar 2025.

Në prill 2025, Bashkia e Mynihut njoftoi tërheqjen nga përfshirja e saj si këshilltare në projektin e Aeroportit të Vlorës, pas presionit të vazhdueshëm nga organizatat mjedisore. Komiteti Ekonomik përgjegjës për ekonominë e qytetit gjerman u distancua kështu nga ndikimi negativ mjedisor që paraqet projekti.

Lexoni gjithashtu:

The post Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK appeared first on Citizens.al.

Ndotja e Vjosës nga Albpetroli: AKM e dënon, IKMT e mbron

9 July 2025 at 12:31

Përgjigjet zyrtare nga autoritetet konfirmojnë një realitet të dhimbshëm për ndotjen me naftë të Vjosës. Kompanitë shtetërore si Albpetrol ndotin pa pasoja, ndërsa qeveria dhe institucionet mbeten ose pasive, ose kontradiktore në qëndrimet e tyre.

Propaganda e gjelbër me Vjosën

Përmes një videoje në Facebook, Kryeministri Rama njoftoi të martën për hapjen e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar të Vjosës. Videoja përcillte sekuenca nga ujërat e kristalta “të mbretëreshës së lumenjve të Evropës”.

Në mbishkrim, Rama theksoi se Vjosës mund t’i jepet mbrojtje e denjë “vetëm përmes një koordinimi të ngushtë”. Videoja, me të njëjtin mesazh u shpërnda edhe nga ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro dhe faqja zyrtare e ministrisë.

Por nëse marrim në analizë veprimet dhe mosveprimet e qeverisë, ky mesazh nuk është i sinqertë. Përkundrazi, është pjesë e propagandës së dy viteve të fundit – pas shpalljes së Parkut Kombëtar – që e ka vizatuar qeverinë si “miqësore me mjedisin”.

Në të vërtetë, vetë qeveria e kryeministrit Rama nuk koordinohet me palët e tjera sa i përket mbrojtjes së Vjosës. Ajo ka shtyrë – edhe me ndryshime ligjore – zhvillimin e një aeroporti në Akërni të Vlorës.

Qendra “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit natyror në Shqipëri” (PPNEA), e ka kundërshtuar projektin pasi dëmton ekosistemin e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Prej një viti e gjysmë çështja ka ngecur në Gjykatën e Lartë, në pritje të zbardhjes së vendimit që e rikthen atë për rigjykim në Apel.

Nga ana tjetër, qeveria ka heshtur përballë denoncimeve të fundit nga organizatat RiverWatch, EcoAlbania dhe Euronatur sa i takon ndotjes së Vjosës me naftë, bitum apo dhe mbetje urbane.

Gjendja e cisternave të naftës në stacionin e Gorishtit/Citizens.al

IKMT relativizon ndotjen me naftë të Vjosës

Në një përgjigje me shkrim për Citizens.al, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pranon se nuk ka kryer asnjë inspektim mjedisor gjatë viteve 2024-2025 në zonën e Gorishtit apo Selenicës, zona të ekspozuara ndaj ndotjes industriale nga hidrokarburet dhe bitumi.

IKMT shkon më tej duke thënë se nuk ka vendosur asnjë masë administrative ndaj Albpetrolit dhe nuk ka njoftuar as Ministrinë e Mjedisit apo Prokurorinë, edhe pse pamjet e ndotjes që u bënë publike në media provuan dëme të dukshme në një zonë të mbrojtur si Parku Kombëtar i Vjosës.

Grupi i punës së këtij inspektorati duket të jetë mjaftuar me deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e Albpetrolit, sipas së cilëve depozitimet e hidrokarbureve në përroin e Gorishtit “janë akumuluar gjatë një periudhe kohore shfrytëzimi rreth 60 vjet ku nuk ka pasur asnjë rehabilitim të shtratit të lumit”.

Sipas IKMT-së, ndotja nuk është rezultat i një defekti teknik, por e depozitimit ndër vite të mbetjeve të naftës pranë përroit.

“Nuk ka ndodhur asnjë avari në sistemin e depozitimit dhe transmetimit që të shkaktojë rrjedhjen e hidrokarbureve,” tha IKMT për Citizens.al bazuar nga verifikimet dhe kontaktet me përfaqësuesit e Albetrolit.

Rezervuari i mbetjeve të naftës në stacionin e Gorishtit/Citizens.al

AKM: 50 mijë euro gjoba ndaj Albpetrolit për ndotje të përsëritura

Ndryshe nga IKMT, Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), përmes një përgjigjeje zyrtare, pohon se vetëm në dy vitet e fundit Agjencia Rajonale e Mjedisit (ARM) Fier ka vendosur katër masa administrative ndaj Albpetrolit, për shkak të:

  • shkarkimit të ujërave të patrajtuara me mbetje hidrokarbure.
  • trajtimit të papërshtatshëm të mbetjeve të rrezikshme.
  • mungesës së dokumentacionit të monitorimeve periodike.
  • moszbatimit të kushteve të lejes mjedisore.

ARM e Fierit rezulton ta ketë gjobitur Albpetrolin me 500,000 lekë në periudhën shtator-tetor 2022, me 2,000,000 lekë në periudhën shtator 2023, me 1,500,000 lekë në dhjetor 2023 dhe 1,000,000 lekë në periudhën shtator-tetor 2024.

Kjo përgjigje nxjerr në pah një kontrast të dukshëm me qëndrimin e IKMT, e cila, ndonëse kishte para syve situatën në terren, nuk mori asnjë masë dhe nuk denoncoi rastin në organet ligjzbatuese.

Vjosa, Park Kombëtar vetëm në letër

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, kompania Albpetrol dhe Prokuroria e Vlorës nuk i janë përgjigjur deri tani kërkesave për informacion nga Citizens.al.

Kjo heshtje thellon dyshimet dhe mosbesimin mbi nivelin e “koordinimit institucional” për të cilin apelon sot qeveria. Gjithashtu thekson mungesën e transparencës për çështjet me pasoja mjedisore.

Pika e ndotjes nga nafta në Vjosë duke u pastruar/Citizens.al

Në kushtet kur një pjesë e institucioneve tregojnë indiferencë dhe pjesa tjetër pranon shkelje të përsëritura, përgjegjësia për ndotjen e Parkut Kombëtar të Vjosës nuk mund të mbetet një çështje e diskutueshme mes zyrash. Ajo kërkon veprim të menjëhershëm ligjor dhe institucional.

Rasti i fundit në Gorisht përforcon bindjen se statusi i parkut kombëtar për Vjosën nuk po shoqërohet me mbrojtje reale në terren. Ndotjet nga industria e naftës vazhdojnë të ndodhin në mënyrë të përsëritur, shpesh pa kontroll dhe më së shumti pa pasoja për ndotësit.

Kjo situatë kërkon që Prokuroria, Ministria e Mjedisit dhe institucionet e tjera përgjegjëse të mos mjaftohen me përgjigje formale, por të garantojnë hetim të plotë, ndëshkim të shkelësve dhe masa të menjëhershme për rehabilitimin e zonës.

Lexoni gjithashtu:

The post Ndotja e Vjosës nga Albpetroli: AKM e dënon, IKMT e mbron appeared first on Citizens.al.

“Korrupsioni juaj, helm për ne”: Protestë në Elbasan, kërkohet hetim për zjarret në landfill

4 July 2025 at 12:55

Qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile protestuan sot para Prokurorisë dhe Bashkisë së Elbasanit për situatën e rënduar mjedisore të krijuar nga djegia e mbetjeve. Ata theksuan nevojën për ndërhyrje të menjëhershme që situata të mos përsëritet më.

Prej së hënës, banorët janë ekspozuar ndaj një ndotje të rëndë të ajrit, ndërsa ky është i treti vit që vendgrumbullimi i mbetjeve në Elbasan merr flakë gjatë verës.

Protesta, e thirrur nga organizata “Drejtësi Sociale”, nisi fillimisht pranë Prokurorisë. Aty ata kërkuan më shumë masa nga organet hetimore.

Gentian Sejrani, avokat dhe aktivist, i bëri apel prokurorisë që të zhvillojë hetime gjithëpërfshirëse. Ai tha se duhen hetuar jo vetëm rastet e zjarreve, por edhe prokurimet publike që janë mbajtur nga bashkitë e qarkut të Elbasanit, për menaxhimin e mbetjeve si dhe pagesat e kryera për procesin e incenerimit.

“Kjo do të ishte e nevojshme për të parë nëse ka pasur ‘incenerim të taksave’ tona, apo jo,” ironizoi Sejrani, sipas së cilit fakti që prokuroria nuk ka arrestuar ende asnjë përgjegjës për situatën lë vend për mosbesim.

Me pankarta në duar të cilat bënin thirrje se “Elbasani s’është kazan” apo se “Zjarret në ladfill, janë zjarre për shëndetin tonë!” qytetarët më pas iu drejtuan bashkisë të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për mosmarrjen e masave të duhura.

“Ne po vrasim fëmijët tonë, ne po flijojmë fëmijët tonë. Ka katër ditë në Elbasan që po qelbemi erë. Era kërrmë, nuk durohet dot. Cfarë bëjnë institucionet?”, u shpreh një nga qytetarët protestues.

Për Ilir Çopjan, banues pranë ish-fushës së mbetjeve, era e tmerrshme e mbetjeve ishte realitet i përditshëm.

” Na u premtua nga kjo qeveri se me hapjen e landfillit qyteti i Elbasanit do të shpëtonte nga mbetjet dhe nga era e keqe. Por ja që shohim që cdo dy vjet, apo cdo herë që duhet të digjet, ajo digjet”, deklaroi Copja.

Për Ervis Çotën, aktivist dhe banues në Elbasan, kjo situatë ka vendosur në vështirësi shëndetësore të moshuarit azmatikë ndërsa nuk janë bërë as udhëzime konkrete nga institucionet se si të mbrohen në këtë situatë. Ndërsa kërkoi hetim të plotë.

“Prokuroria e Elbasanit tashmë e ka nisur një hetim që prej vitit të kaluar, por ndërkohë nuk ka dhënë asnjë shpjegim, nuk ka dalë asnjë gjë konkrete se çfarë ka ndodhur, kush janë personat përgjegjës dhe çfarë masash janë ndërmarrë konkretisht?”, deklaroi Çota.

Prej mesditës së të hënës fusha e mbetjeve në Elbasan u vu nën pushtetin e flakëve. Sot, tymrat dhe erërat e rënda ndjeheshin ende në qytet, ndërsa temperaturat e larta e bënin të vështirë qëndrimin në mjediset publike.

Kjo ishte protesta e dytë qytetare. Paraditen e së enjtes, një grup aktivistësh protestuan edhe në Tiranë, para Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Duke përmendur edhe rastin e zjarreve në Vlorë, ata kërkuan përgjegjësi dhe reagim nga institucionet, teksa në mënyrë simbolike i ndryshuan emrin ministrisë në “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”.

Vetëm këtë vit janë regjistruar të paktën tre djegie masive mbetjesh në të gjithë vendin. Sipas aktivistëve, pamjet e tymit që mbulon zonat turistike si ato të Vlorës, “janë bërë simbol i turpit mjedisor shqiptar.”

Një matje në terren gjatë djegies së mbetjeve në Elbasan e organizatës Instituti për Zhvillimin e Habitatit (Co-PLAN), nxori në pah se ndotësit ajrorë ishin disa herë mbi normat e lejuara.

“Matjet në terren treguan përqendrime të larta të ndotësve të ajrit, që paraqesin një rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe mjedisin përreth”, u shprehën në reagimin e tyre Co-PLAN.

Zjarret nxjerrin në pah dështimin në menaxhimin e mbetjeve

Leli Kaja, administratori i kompanisë publike “Eco Elb” tha të mërkurën për Citizens.al se zjarri u shkaktua nga temperaturat e larta.

Ai përjashtoi neglizhencën, duke theksuar se ngjarja lidhet me “shkaqe natyrore”. Sipas tij, prej të nxehtit të pazakontë “po digjet gjithandej” dhe kompania është e hapur për hetim të plotë.

Elbasani ka incenerator për djegien e mbeturinave. Projekti prej 26 milionë eurosh që nisi në vitin 2017 në formën e një partneriteti publik-privat, u mbyll me më shumë se 10 persona të dënuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Në vitin 2021, impianti u konfiskua dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan. Por inceneratori nuk arriti të vihej në punë plotësisht.

Administratori i “Eco-Elb” tha për Citizens.al se impianti punoi vetëm shtatë muaj gjatë vitit 2023 dhe u fik në dhjetor.

Prej asokohe nuk ka marrë përgjigje nga institucionet për riparimin e tij. Kompania u ka dërguar shkresa të gjitha institucioneve, por pa rezultat.

Rasti i Elbasanit është i ngjashëm me inceneratorët e Fierit dhe Tiranës, të cilët gjithashtu nuk u vunë në punë asnjëherë, pavarësisht pagesave të larta të projekteve.

Lexoni gjithashtu:

The post “Korrupsioni juaj, helm për ne”: Protestë në Elbasan, kërkohet hetim për zjarret në landfill appeared first on Citizens.al.

“Ministria e Tymit dhe Ndotjes”: Aktivistët fajësojnë qeverinë për zjarret në landfille

3 July 2025 at 12:15

Aktivistë dhe qytetarë të shqetësuar nga ndotja e mjedisit dhe rastet e zjarreve në vendgrumbullimet e mbeturinave në Elbasan dhe Vlorë reaguan sot para ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Të thirrur nga organizata “Qëndresa Qytetare” ata kërkuan përgjegjësi dhe reagim nga institucionet, teksa në mënyrë simbolike i ndryshuan emrin ministrisë në “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”.

Me maska dhe pankarta në duar, aktivistët denoncuan nivelin e lartë të ndotjes që u çlirua pas djegies së vendgrumbullimit të mbeturinave në Elbasan.

Sipas matjeve të fundit, ndotësit ajrorë ishin disa herë mbi normat e lejuara. Metani, azoti dhe dioksidi i karbonit shënuan nivele alarmante për shëndetin publik. Por asnjë institucion nuk lëshoi paralajmërim për qytetarët për masat mbrojtëse.

“Ministria heshti përballë një emergjence të përsëritur dhe të parashikueshme,” tha në një deklaratë që u mbajt para ministrisë nga Migen Qiraxhi, përfaqësues i Qëndresës Qytetare.

Aktivistët theksuan se zjarret në fushat e mbetjeve janë shndërruar në dukuri të zakonshme në Tiranë, Elbasan e Vlorë.

“Ato janë pasojë e dështimit të projektit të inceneratorëve, që ka përpirë miliona euro publike,” vijoi Qiraxhi, “Në Elbasan, inceneratori që ka kushtuar 42 milionë euro, nuk ka parandaluar asnjë zjarr”.

Vetëm këtë vit janë regjistruar të paktën tre djegie masive mbetjesh në të gjithë vendin. Sipas aktivistëve, pamjet e tymit që mbulon zonat turistike si ato të Vlorës, “janë bërë simbol i turpit mjedisor shqiptar.”

Zjarrfikës pa mjete, institucione pa përgjegjësi

Zjarret ekspozuan dhe një tjetër dështim: gjendjen e mjerueshme të zjarrfikësve.

“Katër automjete të viteve ’80 që nuk mund të përballojnë as zjarret e një magazine, janë përdorur për të luftuar flakët e një fushe mbetjesh, e cila përpiu në pak orë të gjithë qytetin e Elbasanit, ndërkohë që ndërhyrja ajrore as u mendua fare si opsion,” theksoi Qëndresa Qytetare në deklaratë.

Aktivistët kujtuan momentet e vështira sa i takon përballjeve me flakët. Pamjet e zjarrfikësve që shuajnë zjarret me shkurre, tregojnë mungesën e investimeve në këtë sektor të rëndësishëm për vendin.

Ata thanë se, në vitin 2024, Shqipëria regjistroi 1,077 vatra zjarri dhe 43,466 hektarë të djegura. Shifër e dyfishuar krahasuar me vitin 2023, dhe që sipas aktivistëve kaloi pa asnjë analizë institucionale.

Qëndresa theksoi se ndërsa vendi digjet, institucionet zgjedhin heshtjen dhe mungesën e përgjegjësisë. Për këtë aktivistët kërkuan veprim urgjent nga SPAK dhe prokuroritë për zbardhjen e përgjegjësive.

Lexoni gjithashtu:

The post “Ministria e Tymit dhe Ndotjes”: Aktivistët fajësojnë qeverinë për zjarret në landfille appeared first on Citizens.al.

“Pluhur, fuqi, pa frena”

3 July 2025 at 11:37

Përpjekja e sforcuar e autoriteteve ligjzbatuese ia doli të ndalonte Rrally-n në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë këtë fundjavë, por jo dëmin që shkaktuan me dhjetëra makina Off Road, të cilat pushtuan për dy ditë Plazhin e Dajlanit në Zvërnec dhe xhiruan gomat mbi rënën dhe kodrat e buta, përgjatë vijës bregore në jug të Gjirit të Vlorës, aty ku shtrihen dunat ranore dhe lëshon vezët breshka e rrallë e ujit (Carreta carreta).

Barbaria e garave me makina të larta, që bashkon pasionin sportiv me tipare dominuese mashkullore të supozuara, u kthye sërish për të festuar në një zonë me ndjeshmëri të lartë, duke konsumuar krimin mjedisor të radhës, pas incidentit shokues të derdhjes së mbetjeve të hidrokarbureve në parkun lumor kombëtar të Vjosës, pak ditë më parë.

“Pluhur, fuqi dhe pa frena”, ishte slogani i vrazhdë i një gare burrash me makina që u promovua gjerësisht për disa javë në rrjetet sociale nga organizatorët, në formën e një feste verore, e cila tërhoqi dhe siguroi mbështetje edhe nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, ndonëse ky i fundit u tërhoq më pas, kur gara u bë një shqetësim publik, duke fshirë disa prej postimeve mbështetëse.

Makinat Rally në natyrën e mbrojtur në Zvërnec/ Foto: Joni Vorpsi

Reagimi i autoriteteve ishte i dobët dhe aspak motivues. Megjithëse gara finale u arrit të ndalohej, organizatorët, së bashku me pjesëmarrësit nga Shqipëria, një pjesë të ardhur nga jashtë, arritën “të festojnë” për të paktën dy ditë rresht, mbi një pistë dritash të improvizuar dhe mbi makina me rrota të mëdha, të cilat shkatërruan mjaftueshëm habitate me shumëllojshmëri të theksuar biologjike.

Në fakt, merita e vërtetë për ndalimin e garës i takon ornitologut Joni Vorpsi nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, i cili ndodhej në zonë për një monitorim rutinë. Në muzgun e së shtunës (28 qershor), krahas zogjve, dylbia e tij pikasi një grumbull të pazakontë shoferësh, në afërsi të vendit ku Deti Adriatik bashkohet me Lagunën e Nartës. I shqetësuar njoftoi policinë dhe njëkohësisht, administratën e zonave të mbrojtura, të cilët mbërritën, por me vonesë.

Dihet si rrjedhin ngjarjet në skena të ngjashme: përplasje, tone të ngritura, madje dhe kapje me dorë mes burrave me uniforme dhe shoferëve gjysmë lakuriq me shapka plastike e tuta sporti. Për nga rrëmuja, britmat dhe alarmi, atmosfera i ngjante më shumë një konflikti të armatosur, sesa një marrëveshje për rivendosjen e rendit publik. Krahas dhjetëra makinave, në vendngjarje ndodhej edhe një ambulancë e shërbimit publik, e gatshme për të ndërhyrë në rast të një aksidenti të mundshëm gjatë garës.

Shndërrimi i parqeve kombëtare dhe i zonave të egra në itinerare garash me makina të rënda është bërë traditë e keqe. Zonat e Mbrojtura shihen si terrene të përshtatshme për zhvillimin e tyre, ndërkohë që mungon vetëdija për t’i parë ato si aktivitete të dëmshme, që shkatërrojnë, jo vetëm natyrën, por nuk favorizojnë as turizmin.

Makinat Rally duke shkatërruar dunat, rërën dhe habitatin e breshkave të rralla/ Foto: Joni Vorpsi

Por po aq sa ndjekësit e kësaj tradite, kërcënimi vjen edhe nga lejuesit dhe promovuesit e saj.

Të parët janë kryetarët e bashkive. Për ta e rëndësishme është promovimi për më shumë të ardhura. Janë paratë që garantojnë suksesin e tyre, por edhe karrierën. Ishin këta kryetarë që propozuan (formalisht) ndryshimet ligjore të zonave të mbrojtura vitin e shkuar, duke kërkuar ndarjen e territoreve mes pushtetit qendror dhe pushtetit lokal. Të joshur nga rritja mbytëse e investimeve strategjike, lakmia i bëri që të mos e fshihnin turpin nga dëshira për të grabitur copën e fundit. Por qeveria i mori të gjitha për vete. Ajo shfrytëzoi ndryshimet e kërkuara për hapjen e zonave të mbrojtura kundrejt resorteve dhe hotelerisë turistike. Nën të njëjtin model, këta banditë lokalë po hapin dyert e zonave të egra për gara me makina për të propaganduar gjoja një turizëm të ri: turizmin e aventurës.

Të dytët janë “Administrata e Zonave të Mbrojtura”: rejnxhërsat – rojet e zonave të mbrojtura. Këta nuk kanë asgjë në dorë. Ato pak kompetenca që kishin i kanë humbur. Por më shumë kanë humbur dinjitetin. Një pjesë e stafit (më kurajozët) është larguar ose është pushuar. Zëvendësuesit dhe punonjësit e mbetur nuk mund të bëjnë asgjë, pasi e dinë mirë se drejtohen nga burokratë keqbërës që sillen me zonat e mbrojtura si gangsterë. Sot, nuk ka mjerim më të madh se portreti i një rejnxhërsi i caktuar për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Dikur, një model frymëzimi, imazhi i rejxhërsit mund të krahasohet, lehtësisht dhe tragjikisht, me portretin e një të pashpresi – alegori e gjendjes së territoreve që ata mbrojnë.

Të tretët janë e ashtuquajtura shoqëri civile, e prezantuar në formën e jofitimprureseve, përmes ekspertëve mjedisorë, të cilët ushqehen, kryesisht me fonde të huaja. Deri tani nuk është regjistruar ndonjë përpjekje e sinqertë dhe efektive prej tyre për të ndaluar çmendurinë e garave brenda zonave të mbrojtura. Asnjë organizim i thelluar, asnjë arritje e qëndrueshme për t’iu kundërvënë kësaj masakre. Pothuajse asgjë!

Në vend që të kufizoheshin në numër e në itinerar, garat janë shtuar dhe programet janë pasuruar. Në më shumë se dy dekada, por veçanërisht gjatë kësaj të fundit, itineraret e garave janë shtrirë si metastaza, kudo nëpër zonat e mbrojtura: përgjatë shtigjeve të egra, nëpër shtretër dhe proska të virgjëra, përgjatë luginave dhe grykave malore të vendit. Dhe njësoj, sikurse  kanceri shkatërron organet e buta të njeriut, këto itinerare shkatërrojnë shtratin e jetës: tokën pjellore dhe filizërinë e gjelbër, shpresën e vetme të mbetur, pas prerjeve, pas zjarreve dhe pas braktisjes totale.

Me të drejtë ngrihet një pyetje: kush mund t’i mbrojë zonat e mbrojtura nga agresioni i garave Rally?

Ende nuk ka një shpresë të qëndrueshme. Mekanizmat janë të pafuqishme dhe rastësia nuk garanton siguri. Konkluzioni është i qartë: rreziku më i madh nuk vjen nga garat me makina, porse askush nuk është në gjendje t’i ndalojë ato.

The post “Pluhur, fuqi, pa frena” appeared first on Citizens.al.

Zjarret në Elbasan nxjerrin në pah dështimet në menaxhimin e mbetjeve

2 July 2025 at 13:29

Prej mesditës së të hënës fusha e mbetjeve buzë lumit Shkumbin në Elbasan është nën pushtetin e flakëve. Tymi i zi dhe era mbuluan zonat përreth, duke arritur deri në qendër të qytetit.

Zjarri u përhap shpejt, duke përfshirë gjithë territorin e mbetjeve pranë ish-kombinatit metalurgjik. Forca të shumta zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e flakëve, përpjekje të cilat vijuan edhe gjatë mbrëmjes.

Temperaturat dyshohet se shkaktuan zjarrin

Leli Kaja, administratori i kompanisë publike “Eco-Elb”, e cila merret me trajtimin e mbetjeve, lidhi temperaturat e larta me shpërthimin e zjarrit.

Në një lidhje telefonike për Citizens.al ai përjashtoi neglizhencën njerëzore, duke theksuar për “shkaqe natyrore” dhe se kompania ishte duke bashkëpunuar dhe e hapur për hetime.

“Shkaku është për arsye natyrale, me temperaturat që shikoni dhe që po digjet kudo në çdo shtet e në çdo vend,” tha Kaja.

“Megjithatë janë organet kompetente ato që hetojnë më mirë, do t’ua lemë atyre të shprehen. Ne jemi të hapur për çdo lloj hetimi”, theksoi më tej administratori i “Eco-Elb”.

Sipas Kajës aktualisht janë aktive “disa vatra të vogla zjarri”, të cilat po kapsulohen me dhé.

Në një deklaratë për shtyp shpërndarë edhe në rrjetet sociale, Bashkia Elbasan tha të hënën se zjarri ishte përhapur edhe në zona të tjera si një ullishte në pjesën veriperëndimore, në pyllin me pisha, si dhe në fshatin Samurr.

“Temperaturat mbi 40 gradë sot në Elbasan dhe era e fortë favorizojnë flakët duke vështirësuar punën e ekipeve tona,” thuhej në njoftimin e bashkisë.

Zjarret nuk janë rastësi në Elbasan

Ky nuk është një episod i izoluar për Elbasanin. Çdo verë, fusha e mbetjeve në këtë qytet përfshihet nga zjarret.

Deri tani, asnjë masë efektive nuk është marrë për parandalim apo menaxhim të qëndrueshëm. Për këtë çështje Kaja pohoi për Citizens.al se kanë kërkuar ndërhyrje nga instancat më të larta, por pa sukses konkret.

“Nëse mali me plehra është i madh dhe ekspozohet në diell ne nuk kemi çfarë t’i bëjmë,” u shpreh Kaja, i cili tregoi se paralelisht ishte duke u kryer një studim fizibiliteti për ndërtimin e një vendgrumbullimi të ri.

“Po bëhet një studim, por akoma nuk është përfunduar,” theksoi administratori i “Eco-Elb”.

Por kërkesa për një vendgrumbullim të ri nuk gjeti përkrahjen e Këshillit Bashkiak, i cili në muajin mars votoi kundër projektvendimit. Shkak për këtë bllokim është bërë kontrata dhe situata e paqartë e “Eco-Elb” në lidhje me impiantin e inceneratorit.

Inceneratori “i fikur”, përshkallëzon krizën e mbetjeve

Impianti i inceneratorit të Elbasanit u përurua në prill 2017. Ai kushtoi 26 milionë euro dhe u ndërtua në partneritet me privatin për të përpunuar mbetjet e gjithë qarkut dhe paralelisht për të prodhuar energji.

Por sot, objekti është jashtë funksioni. Sipas administratorit të “Eco-Elb”, inceneratori punoi vetëm shtatë muaj në vitin 2023. Ai u fik në dhjetor të atij viti dhe prej atëherë nuk ka marrë asnjë përgjigje institucionale.

“Kemi çuar shkresat përkatëse çdo lloj bashkie dhe çdo lloj ministrie që ka të bëjë me këtë punë dhe jemi në pritje të zgjidhjes së situatës”, deklaroi Kaja për Citizens.al.

Çështja e inceneratorit kaloi një kalvar hetimesh dhe gjykimesh nën dyshimin se ishte sugjeruar dhe drejtuar nga interesa korruptive. Mbi 10 persona, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, dhe ish-deputetin Alqi Bllako janë ndër të akuzuarit.

Impianti u konfiskua nga shteti në vitin 2021 dhe i kaloi në përdorim bashkive të qarkut Elbasan.

The post Zjarret në Elbasan nxjerrin në pah dështimet në menaxhimin e mbetjeve appeared first on Citizens.al.

Vjosa, park “vetëm në letër”, organizatat ngrenë alarmin

1 July 2025 at 12:29

Organizatat mjedisore EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur thonë se industritë e nxjerrjes, ndotja dhe zhvillimi i pakontrolluar po dëmtojnë integritetin ekologjik të Parkut Kombëtar të Vjosës.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të martën, më 1 korrik, ata paralajmërojnë qeverinë dhe autoritetet shqiptare se nëse gjendja nuk ndryshon rrezikohet biodiversiteti i lumit.

Deklarata vjen rreth një javë pasi EcoAlbania dhe Riverwatch denoncuan rrjedhjen e mbetjeve të naftës në Vjosë nga stacioni i Gorishtit – një situatë e përsëritur. Citizens.al ishte në terren për ta dëshmuar nivelin e lartë të ndotjes.

Nafta rridhte nga një vaskë mbetjesh të stacionit rreth 2 kilometra larg dhe bashkohej me përroin e Mërtirajt. Punonjës të Albpetrolit thanë se po punonin për ta pastruar kanalin.

Megjithatë për mjedisorët pastrimi nuk mjafton, ata kërkojnë zgjidhje të përhershme, si për shembull riparimi i tubave, cisternave dhe shmangja e derdhjeve të tjera.

Vendgrumbullimi i mbetjeve të Tepelenës/Foto:Joshua D. Lim

Pesë kërcënimet kryesore ndaj Vjosës

Organizatat mjedisore EcoAlbania, RiverWatch dhe EuroNatur e shoqëruan deklaratën e tyre me një raport në të cilin faktoheshin ndotjet nga rrjedhja e naftës, bitumit dhe mbetjet urbane pranë lumit.

Raporti “Hartëzimi i Presioneve” përfshin 52 pika të ndryshme në hartë ku evidentohen ndotjet, shpesh në shkelje të ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”. Harta digjitale e ndotjes është publikuar online dhe është e aksesueshme nga publiku dhe mediat.

Rrjedhjet e naftës konsiderohen tejet të rrezikshme pasi ndotin ujin dhe rrezikojnë biodiversitetin.

Ngjashëm edhe minierat e bitumit, kryesisht ato të zonës së Selenicës. Në raport thuhet se ato shkaktojnë ndotje të madhe të bregut dhe bien ndesh me planin e menaxhimit të parkut.

Raporti thekson se mbetjet urbane të hasura në disa pika përgjatë Vjosës dhe gjithashtu mbetjet plastike rrezikojnë shëndetin publik dhe faunën.

Nxjerrja e zhavorrit, kryesisht nga industria e ndërtimit, cilësohen me rrezik për shtratin dhe habitatet e peshqve. Ndërsa shpërdorimi i ujit në bujqësi dhe turizëm konsiderohet një tjetër aspekt që mund të dëmtojë parkun, kjo duke pasur parasysh uljet e prurjeve.

Organizatat theksojnë se nëse situata vazhdon, Vjosa rrezikon të mbrohet vetëm në letër. Në deklaratën e tyre të përbashkët ato u bëjnë thirrje autoriteteve të zbatojnë ligjin dhe të ndalojnë ndotjen.

Për këtë kërkohet monitorim i vazhdueshëm, rehabilitim nga ndotësit dhe menaxhim efikas i mbetjeve.

Qeveria shqiptare po ndjek procedurat për shpalljen e Luginës së Vjosës si Rezervat e Biosferës UNESCO.

“Por, nëse kërcënimet serioze të përmendura nuk adresohen dhe zgjidhen, përfshirja në UNESCO do të mbetet thjesht një status simbolik, ndërkohë që mbrojtja reale në terren do të mungojë,” theksohet në deklaratë.

Pika e ndotjes nga nafta në Vjosë duke u pastruar/Citizens.al

Reagimi i Albpetrol

Më 28 qershor, kompania Albpetrol reagoi publikisht për ndotjen nga zona naftëmbajtëse Gorisht-Kocul. Citizens.al i pati përcjellë kërkesë për informacion dhe koment zyrtar që më 23 qershor, por nuk mori përgjigje.

Albpetrol pranon se zona është e ndotur nga dekada shfrytëzimi, por pretendon se aktualisht nuk ka aktivitet ndotës. Sipas Albpetrolit, protokollet teknike po respektohen dhe ndotja aktivizohet vetëm në temperatura të larta.

Kompania premton rehabilitim të zonës sipas mundësive teknike dhe financiare.

Megjithatë, pamjet e Citizens.al dhe raportet nga organizatat mjedisore tregojnë një realitet më alarmant dhe të vazhdueshëm.

Pamjet e datave 20-25 qershor tregojnë shtresa të zeza që lundrojnë drejt ujit të Vjosës, të dokumentuara edhe me dron.

Vjosa është lumi i fundit i madh i egër në Evropë dhe habitat për mbi 1,100 specie. Shpallja e saj si park u konsiderua si fitore historike pas dhjetë vitesh fushatë. Por statusi ligjor duket se nuk mjafton. Kërkohet zbatim praktik dhe mbrojtje e vërtetë në terren.

Lexoni gjithashtu:

The post Vjosa, park “vetëm në letër”, organizatat ngrenë alarmin appeared first on Citizens.al.

Një muaj nga festivali Keinemusik, ende zhavorr në Parkun e Liqenit

30 June 2025 at 16:47

Një muaj pas festivalit “Keinemusik” që u organizua në Tiranë, Parku i Liqenit mbetet po njësoj, me 42,934 m² të shtruar me zhavorr.

Hapësira u vu në dispozicion nga Bashkia Tiranë për Rigels Rajkun – njohur si Noizy – i cili ishte organizatori i eventit. Por ajo nuk është rehabilituar.

Citizens pyeti Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit (APR) për situatën. APR u shpreh se nuk ka projekt rehabilitimi dhe se përgjegjësia i takon organizatorëve të festivalit.

Agjencia pohoi se inertet janë hedhur në terren si ndërhyrje e bërë nga organizatorët për nevojat logjistike të aktivitetit, por që situata e mbetur pas nuk është pjesë e projekteve nga APR.

“[…] nuk është përcaktuar një afat zyrtar për rikthimin e gjendjes së mëparshme dhe institucionet përgjegjëse janë në pritje të veprimeve nga organizatorët, të cilët mbeten përgjegjës për rehabilitimin e plotë të sipërfaqes,” tha APR për Citizens.al.

APR pohon se janë bërë disa njoftime, por organizatorët nuk kanë reaguar. Sipas lejes së dhënë nga bashkia, hapësira duhej liruar nga data 1 deri më 8 qershor.

Pamje nga pjesa e parehabilituar e Parkut te Liqenit/Foto:Elira Kadriu.

Rreziku për të vetmen hapësirë të gjelbër të qytetit

Parku i Liqenit nuk ka status mbrojtjeje, por mbetet hapësira e vetme e gjelbër në Tiranë. Mjedisori Lavdosh Ferruni thotë se zona ku u mbajt festivali është “një pjesë tjetër e kafshuar e parkut” dhe se rehabilitimi do të kishte qenë një lloj shfajësimi minimal për dëmin e shkaktuar.

Nisur nga kjo, Ferruni kërkon reagim nga qytetarët për mbrojtjen e parkut, si një detyrim moral.

“Nuk mund të pranojmë më zhbërjen e këtij oazi të gjelbër”, thekson Ferruni.

Citizens kërkoi informacion nga Bashkia e Tiranës për mënyrën e dhënies së hapësirës. Bashkia deklaroi se nuk ka lidhur kontratë me organizatorin, artistin Rajku.

Sipas saj, çdo qytetar mund të aplikojë për një aktivitet kulturor duke kërkuar leje për shfrytëzim hapësirash publike.

Lexoni gjithashtu:

The post Një muaj nga festivali Keinemusik, ende zhavorr në Parkun e Liqenit appeared first on Citizens.al.

Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz

27 June 2025 at 15:32

Qeveria ka hapur kompaninë, e cila pritet të bëjë marrëveshje me Jared Kushner për të zhvilluar resort në Sazan. Projekti parashikon ta shndërrojë ishullin nga një ish-bazë ushtarake me site të mbrojtura në resort privat luksoz.

Korporata e Investimeve Shqiptare, (KIS) regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) kompaninë “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE). Ajo ka kapital 50 milionë lekë (rreth 500 mijë euro) dhe administor Julian Adilin, drejtor ligjor pranë KIS.

Ekstrakti tregon se ASDRE u themelua më 9 qershor, pra rreth 2 javë e gjysmë më parë.

ASDRE thuhet se do të planifikojë dhe zbatojë projekte ndërtimi në pronësi ose administrim shtetëror. Kjo lë të kuptohet se mund të menaxhojë dhe projekte dhe prona të tjera.

Qëllimi i saj thuhet të jetë menaxhimi dhe transparenca në përdorimin e pasurive publike.

Gjithashtu, si qëllim i ASDRE, ka dhe përfaqësimin e shtetit në partneritete strategjike. Këtu përmendet konkretisht resorti turistik “Ishulli i Sazanit”.

Këtë projekt e ka paraqitur si ofertë të pakërkuar “Affinity Partners” e përfaqësuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.

Në janar Kushner mori statusin “investitor strategjik”. Ai ka thënë se ideja i lindi pas një vizite turistike në Shqipëri gjatë vitit 2021.

Kushner e vizitoi Shqipërinë edhe në vitin 2023, ku u shoqërua personalisht edhe nga Kryeministri Rama. Pesë muaj më vonë, në dhjetor 2023, paraqiti zyrtarisht kërkesën për zhvillimin e Sazanit.

Por projekti u bë me dije vetëm në vitin 2024 kur Kushner foli për mediat amerikane.

Njësoj si atëherë, zhvillimi i radhës ndodh pas një vizite turistike të dhëndrit të Trump-it. Kjo nënkupton se vizitat e tij janë “vizita pune”.

Një fotografi e çiftit Kushner me Sazanin në sfond u botua të enjten nga kuzhinieri Aldo Mehmeti në Instagram.

Faksemile e postimit të kuzhinierit Aldo Mehmeti, i cili priti familjen Kushner këtë javë në Vlorë.

Resorti në Sazan do të zërë 8% të sipërfaqes së ishullit – 45 hektarë nga 562 e totalit. Investimi thuhet të jetë prej rreth 1.4 miliardë eurosh dhe zotohet të punësojë rreth 1 mijë persona gjatë ndërtimit dhe funksionimit.

Kritika për transparencën dhe ndikimin mjedisor

Projekti i Kushnerit ka shkaktuar reagime për mungesën e transparencës dhe rrezikun ndaj mjedisit. Fillimisht në vitin 2024, institucionet dhanë qëndrime kontradiktore për statusin juridik të Sazanit.

Ministria e Mbrojtjes e konsideroi pjesë të planit të vendosjes së Forcave të Armatosura. Ndërsa Ministria e Turizmit deklaroi se nuk kishte kërkesë për zhvillim të zonës.

Aktivistët mjedisorë theksuan se zona është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Ky park përfshin specie të rralla detare dhe është zonë e mbrojtur që nga viti 2010.

Por, qeveria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke lejuar zhvillime në këto territore. Në të njëjtën kohë, KKT mori kompetenca të zgjeruara si Këshill Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Parlamenti shtyu gjithashtu ligjin për investimet strategjike deri në vitin 2026. Të gjitha këto veprime ngrenë shqetësime për llogaridhënie dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.

Kushner ka deklaruar për mediat ndërkombëtare se nuk ka përfituar trajtim preferencial apo ekstraligjor. Megjithatë qasja e qeverisë shqiptare mbetet jotransparente, çka lë të kuptohet për të kundërtën.

Prej janarit, kur Kushneri mori statusin e investitorit, parashikohej që të zhvilloheshin negociata për mënyrën e investimit. Do të ishte me partneritet publik-privat, koncesion, apo mekanizëm tjetër.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), i tha Citizens.al se “aktualisht palët janë në proces negocimi”. Deklarata u bë më 25 qershor, një ditë para se KIS të regjistronte ASDRE-n.

Nga ana tjetër institucionet nuk kanë bërë transparencë për propozimin e Kushner në Zvërnec.

Citizens.al iu drejtua për informacion edhe agjencive të planifikimit dhe zhvillimit të territorit (AZHT, AKPT) për propozimin, ku kërkoi të dinte nëse ka pasur aplikime për leje zhvillimi për zonën e Sazanit dhe Zvërnecit. Por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati përgjigje.

Lexo gjithashtu:

The post Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz appeared first on Citizens.al.

“Vjosa e helmuar: Nafta rrjedh në zemër të Parkut Kombëtar”

25 June 2025 at 15:55

Një përrua me naftë bruto derdhet në lumin Vjosa, i shpallur Park Kombëtar nga qeveria shqiptare si lumi i fundit i egër i Evropës.

Dëshmitë e drejtpërdrejta të ekipit të “RiverWatch” dhe “EcoAlbania” kanë nxjerrë në pah një ndotje të vazhdueshme, që mbahej në heshtje nga institucionet, të cilat një muaj më parë aplikuan për ta përfshirë Vojsën në UNESCO, si pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës.

“Nafta rrjedh në kanale nga një vend ku ruhet në pishina të hapura, katastrofë! Kontejnerët dhe tubacionet atje janë plotësisht të ndryshkur dhe rrjedhin, një skandal,” i tha Citizens.al Ulrich Eichelmann, drejtor i organizatës RiverWatch.

Ndotja buron nga stacioni i naftës në Gorisht të Selenicës, ndërtuar në vitet ’70, për marrjen dhe magazinimin e naftës nga vendburimi me qëllim transportin drejt Ballshit. Nafta e Gorishtit vërshon nga stacioni në Vjosë pasi i bashkohet Përroit të Madh të Mërtirajt.

Citizens.al e vizitoi sot pikën e derdhjes dhe stacionin. Aty ndodhej një grup prej 6 punonjësish të Albpetrol që kishin nisur të pastrojnë me ekskavator kanalin, vetëm pak ditë pas denoncimit.

Stacioni i naftës në Gorisht nga buron ndotja e Vjosës | Foto: Herti Maloku | Citizens.al

Një zgjidhje e përkohshme e një problemi më të madh. Një raport i Ecoalbania, tregon se zona e Gorisht-Koculit ka mbi 150 puse aktive të shpërndara në një sipërfaqe prej 6 km2, ku pika më e afërt ndodhet pranë shtratit të Vjosës.

Fotografi dhe aktivisti i RiverWatch Joshua David Lim, i cili e dokumentoi i pari ndotjen, e përshkroi këtë zonë të Vjosës si“një lumë të vdekur, ku asgjë nuk mbijeton”.

Ai tha për Citizens.al se këtë konstatim e përforcoi një gjarpër i ngordhur, të cilin ai dhe Eichelmann e gjetën mbi shtresën e trashë të naftës.

Zbulimi i kësaj pike të ndotur të Vjosës ndodhi disa javë më parë, kur Lim po fotografonte rrjedhën në vijim të një nisme që bashkë me “EcoAlbanian” synon krijimin e një harte virtuale të ndotjes së Parkut Kombëtar.

“Realiteti ishte absolutisht tronditës, nuk kisha parë kurrë diçka të tillë,” tha Lim për Citizens.al.

“Kam udhëtuar shumë, nga burimi deri në deltë të Vjosës dhe kam dëshmuar situata të ndryshme ndotjeje si mbeturina, nxjerrja e zhavorrit, por kjo derdhje nafte padyshim është më e rënda,” vijoi fotografi.

Ndotje e përsëritur prej vitesh

Përroi i mbetjeve të naftës nga Stacioini i Gorishtit/ Foto: Herti Maloku | Citizens.al

Ky nuk është një incident i izoluar. Në vitin 2018, një reportazh i Balkan Insight denonconte të njëjtën formë ndotjeje në të njëjtin vend, mes fshatrave Karbunarë dhe Poçem ku kompani koncesionare depozitonin dhe transportonin naftë bruto në mënyrë të pakontrolluar.

“Vite më parë kam vërejtur rrjedhje apo njolla nafte në Poçem, megjithatë, nuk isha në dijeni se kjo katastrofë po ndodhte ende,” tha Eichelmann.

Edhe pse pikat e shpimit dhe depozitimit ndodhen jashtë kufijve zyrtarë të Parkut Kombëtar të Vjosës, përroi i ndotur përshkon kufirin e tij dhe bashkohet me Vjosën brenda territorit të mbrojtur.

“Qeveria duhet ta mbyllë menjëherë gjithë zonën duke përfshirë ‘lumin e naftës’ 1,5 km të gjatë, si dhe pellgjet me infrastrukturën e kalbur”, thekson Eichelmann.

“Një zgjidhje e përkohshme”

Derdhja e kanalit të në Vjosë, duke u pastruar nga ekskavatori i Albpetrol | Foto: Herti Maloku | Citizens.al

Të hënën, pas denoncimeve publike, Albpetrol nisi pastrimin e përroit në Mërtiraj. Të mërkurën, ekipi i Citizens.al ishte në terren për të parë nga afër situatën.

Një ekskavator dhe dy kamionë po largonin mbetjet e naftës që rridhnin drejt lumit. Edhe pse ndotja mbetet e pranishme, niveli i saj ishte më i ulët krahasuar me pamjet tronditëse të dokumentuara më parë.

Një prej punëtorëve na tregoi se kjo ishte dita e tretë e pastrimit, por nxehtësia e verës e kishte shkrirë materialin ndotës, duke e bërë procesin më të vështirë. Ai tha se mbetjet do të përdoreshin për mbushjen e rrugëve në zonat rurale.

Rreth 150 metra më larg, pusi i naftës vijonte punën normalisht, ndërsa ndërtesat përreth, të rrënuara dhe të braktisura, krijonin pamjen e një industrie të lënë pas dore.

Njëri përsëriti se ndotja vjen nga depozitimet e vjetra, të krijuara gjatë procesit të ndarjes së naftës nga uji dhe dheu në stacionin e Gorishtit.

Por pyetja që mbetet pa përgjigje është pse ky pastrim nuk u ndërmor më herët, para se mbetjet të shpërndaheshin dhe shkriheshin nga i nxehti, apo para se Vjosa të merrte statusin e Parkut Kombëtar.

Një banor i zonës tha për Citizens.al se përpjekjet aktuale janë të kota nëse nuk ndërhyhet drejtpërdrejt në burimin e ndotjes, që vazhdon të rrjedhë naftë në mënyrë të pakontrolluar.

Të njëjtën ditë, autobotët e Albpetrolit vijonin të ngarkonin naftë bruto për rafinim, duke treguar se aktiviteti ekonomik në zonë vazhdon pa ndalesë, ndërkohë që masat për të ndaluar ndotjen mungojnë.

Organizata RiverWatch deklaroi për Citizens.al se ka nisur njoftimin e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe bankën gjermane KfW, për situatën alarmante në zonë.

“Ky është një krim mjedisor me përmasa të reja,” u shpreh drejtuesi i organizatës, duke theksuar se do të ndërmerren veprime në disa fronte.

Parku Kombëtar i Vjosës, i shpallur në mars 2023, aspiron të bëhet pjesë e Rrjetit të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s. Por rrjedhjet e naftës dhe mungesa e reagimit institucional po rrezikojnë seriozisht këtë status.

“Ajo fushë dukej si një peizazh nga një film depresiv hollivudian,” tha Ulrich Eichelmann nga RiverËatch, duke nënvizuar se Vjosa nuk mund të mbrohet vetëm në letër.

Dy vite pas shpalljes së parkut, aktivitetet ekonomike brenda kufijve të mbrojtur vazhdojnë. Urbanizimi, turizmi masiv, nxjerrja e naftës dhe mungesa e kontrollit institucional po e kthejnë emërtimin “Park Kombëtar” thjesht në një formalitet.

The post “Vjosa e helmuar: Nafta rrjedh në zemër të Parkut Kombëtar” appeared first on Citizens.al.

Shqipëria e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave

24 June 2025 at 16:47

Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) e ka renditur Shqipërinë në vendin e fundit në Evropë sa i takon cilësisë së ujërave në plazhe, duke përfshirë këtu det, liqene apo dhe lumenj. Raporti, i cili mbulon të dhënat e katër viteve të fundit (2021-2024), ngre shqetësime serioze mbi menaxhimin mjedisor në vend dhe pasigurinë që u kanoset pushuesve dhe ekosistemeve detare.

Në raport, EEA ka analizuar më shumë se 21,000 vende të caktuara për plazhe apo larje në të gjithë Evropën, duke u mbështetur në të dhënat publike të siguruara nga vendet anëtare dhe kandidate për t’u integruar në Bashkimin Evropian, si Shqipëria. Qëllimi është mbrojtja e shëndetit publik dhe e biodiversitetit përmes monitorimit të rregullt të cilësisë së ujërave, në kuadër të Planit të Veprimit për Zero Ndotje të BE-së.

Sipas të dhënave të mbledhura, nga 119 vende të njohura zyrtarisht për larje në Shqipëri, vetëm 16% e tyre janë vlerësuar si “me cilësi të shkëlqyer” të ujërave, një rënie dramatike prej 25 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2023.

Më tej, gjysma e pikave të caktuara për plazhe dhe larje rezultojnë “me cilësi të mirë”, 11.8% “me cilësi të pranueshme” dhe 22.7% “me cilësi të dobët” – një përqindje kjo mbi 10 herë më e lartë se mesatarja evropiane prej vetëm 1.5% të ujërave me cilësi të dobët.

Problemi i thelluar i ndotjes: Një krizë e paralajmëruar

Të dhënat e raportuara nga Citizens.al edhe në vitin e kaluar, paralajmëronin për një situatë të përkeqësuar. Atëherë, ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) nënvizuan mungesën e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura, shkarkimet e pakontrolluara urbane dhe mungesën e një kalendari të qëndrueshëm monitorimi si shkaqet kryesore.

Raporti i EEA për vitin 2024 vetëm sa e konfirmon këtë përkeqësim. Në mënyrë shqetësuese, asnjë nga vendet e caktuara për plazhe dhe larje në Shqipëri nuk përmbushi marrjen e mostrës para sezonit, një kriter bazë për sigurinë e pushuesve.

Sipas standardeve evropiane, për çdo vend për larje kërkohet të merren të paktën katër mostra gjatë sezonit, përfshirë një mostër para fillimit të tij, me një interval që nuk duhet të kalojë një muaj.

Por pse po dështon Shqipëria në këtë pikë?Shkaqet e cilësisë së ulët të ujërave larës janë të shumta dhe të njohura:

  • Ndotja urbane dhe industriale pa filtra mbrojtës.
  • Mungesa e impianteve funksionale për trajtimin e ujërave të zeza.
  • Përdorimi i pakontrolluar i pesticideve në bujqësi.
  • Menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe mungesa e një sistemi funksional të mbikëqyrjes mjedisore.

Këto faktorë po përkthehen në një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik përmes rrezikut nga infeksionet dhe sëmundjet që lidhen me ndotjen e ujit – dhe një dëm të pakthyeshëm për ekosistemet ujore dhe turizmin bregdetar.

Kontraste të forta me Evropën

Ndërkohë që vendet si Qipro (99.2%), Bullgaria, Greqia dhe Austria udhëheqin listën me “ujëra të shkëlqyera” në raportin e EEA-së, Shqipëria mbetet në fund, së bashku me Estoninë dhe Poloninë, duke reflektuar një hendek të thellë në përkushtimin institucional dhe implementimin e politikave mjedisore.

Raporti i thekson nevojën e ristrukturimit të sistemit të monitorimit të ujërave në Shqipëri, vendosjen e një kalendari të rregullt të marrjes së mostrave dhe investime afatgjata në infrastrukturën e trajtimit të ujërave të zeza.

Gjithashtu, kërkohet një bashkëpunim më i ngushtë me BE-në për rritjen e standardeve, transparencës dhe kapaciteteve teknike të institucioneve përgjegjëse. Vetëm kështu mund të ndalet rrëshqitja drejt një krize të përhershme mjedisore që dëmton jo vetëm natyrën, por edhe perspektivën turistike dhe ekonomike të vendit.

Si një tregues i mungesës së transparencës, të dhënat e listuara në raport nga AKM-ja nuk ishin të aksessueshme në momentin e botimit të këtij artikulli. Lidhja e bërë në raport rezultonte e paarritshme me webfaqen e AKM-së.

The post Shqipëria e fundit në Evropë për cilësinë e ujërave appeared first on Citizens.al.

❌
❌