Harrison Ford, prania e Michael J. Fox në “Shrinking” është thelbësore

Harrison Ford është mirënjohës për praninë e Michael J. Fox në sezonin e tretë të serialit “Shrinking”, duke e konsideruar si thelbësore për zhvillimin e karakterit të tij.
Në një intervistë për Variety, aktori i njohur i “Indiana Jones” u shpreh:
“Ai më jep një përfaqësim fizik të sëmundjes për t’u informuar, por më shumë se kaq, më ndihmon të besoj që Paul mund të ndjejë se është i aftë të përballet me këtë sfidë.”
Fox, i cili u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit në moshën 29-vjeçare, ka qenë një figurë kyçe në rritjen e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje, si dhe themelues i Michael J. Fox Foundation në vitin 2000, që punon për të gjetur një kurë dhe për të përmirësuar terapitë.
Karakteri i Ford në serial, Paul, u diagnostikua me Parkinson që në sezonin e parë, dhe sezoni i tretë do të përqendrohet në përballjen e tij me përparimin e sëmundjes, pikërisht aty ku roli dhe përvoja e Fox bëhen thelbësore.
“Guximi, vendosmëria dhe fisnikëria e Michael janë të gjitha të pranishme. Ai është i zgjuar, trim, i ndershëm, bujar, plot pasion, një shembull për të gjithë ne, qoftë që përballemi me Parkinsonin apo jo,” tha Ford.
“Nuk mund të mos e njohësh sa i mrekullueshëm është ai.”
Duke folur për rëndësinë e trajtimit të saktë të temës, Ford shtoi:
“E vërteta është që nuk mund të bëjmë shaka me këtë. Parkinsoni nuk është për të qeshur. Dua ta tregoj drejt. Është e nevojshme që ta paraqesim me respekt sfidën që kjo sëmundje përfaqëson, pa e përdorur për vlerë argëtimi.”
“Shrinking”, me aktorë si Jason Segel, Jessica Williams dhe vetë Ford, ndjek jetën e Jimmy (Segel), një terapist që pas vdekjes së gruas nis të aplikojë metoda jo tradicionale në punën e tij, duke ndikuar ndjeshëm si jetën e klientëve të tij, ashtu edhe të vetën.
Ford tha se historia e Parkinsonit do të jetë një nga linjat kryesore të sezonit të ri:
“Ai e di që po përkeqësohet. E di që do të përballet me kushte fizike më të vështira se ato që ka tani. Po hyn në një fazë të jetës që është mister për të, por ka një partnere, karakterin që luan Wendie Malick.”
Sezoni i tretë i “Shrinking” pritet të publikohet këtë vjeshtë në AppleTV+./CNN/KultPlus.com
